Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Hetimet lidhur me rinumërimin e votave, kryeprokurori i Prizrenit pret në takim koordinatoren nacionale për zgjedhje



Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka pritur në takim Koordinatoren Nacionale për Zgjedhje, Laura Pula dhe Menaxherin e projektit strategjik “Mbrojtja e votës”, Besim Kusari.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se takimi u zhvillua në ambientet e Prokurorisë së Prizrenit dhe temë e diskutimeve të këtij takimi ishte zhvillimi i hetimeve paraprake lidhur me mospërputhjen e votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet të Republikës së Kosovës në regjionin e komunës së Prizrenit.

Kryeprokurori i Prizrenit, informoi se pas evidentimit të mospërputhjeve të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet, në rajonin e komunës së Prizrenit, ku ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave, ka filluar grumbullimi i informatave të nevojshme sigurimi i provave relevante, që të vërtetohet kryerja e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin zgjedhor.

Gjatë këtij takimi u diskutua për angazhimin e Prokurorit të Shtetit lidhur me mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, si dhe vazhdimin e procesit të hetimit në drejtim të mbledhjes së provave dhe sigurimit të dëshmive të nevojshme. /Telegrafi/

Kosova pjesë e Bordit të Paqes, Abdixhiku: LDK i gëzohet këtij fakti historik, hap i madh drejt një kapitulli të ri



Sot në Davos është themeluar Bordi i Paqes, i iniciuar nga presidenti amerikan Donald Trump, ndërkaq edhe Kosova është bërë pjesë e kësaj nisme.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ishte e pranishme në Davos ku së bashku me liderë tjerë mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit për themelimin e këtij Bordi.

E lidhur me këtë, ka reaguar lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili në një postim në Facebook shkruan se LDK e mbështet këtë hap të madh drejt një kapitulli të ri dhe i gëzohet këtij fakti historik.

Lexoni të plotë postimin e tij në Facebook:

Përfshirja e Kosovës në një iniciativë ndërkombëtare për paqen, të udhëhequr nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, është një moment që tejkalon secilin lajm ditor.

Për një shtet që ka kaluar nga lufta në liri, falë edhe ndërhyrjes ndërkombëtare, prania në tryezat ku diskutohet paqja globale është edhe dëshmi, edhe përgjegjësi. Dëshmi e suksesit tonë, përgjegjësi për rolin tonë prej shtetit të ri. Është shenjë se Kosova nuk shihet vetëm si përfituese e paqes, por edhe si pjesë e saj.

Në një botë gjithnjë e më të fragjile, çdo hap i përbashkët me SHBA-të është hap që forcon sigurinë tonë kombëtare, thellon aleancat tona strategjike dhe e vendos Kosovën aty ku i takon; në anën e paqes dhe aleancave të drejta.

Lidhja Demokratike e Kosovës e mbështet këtë hap të madh drejt një kapitulli të ri dhe i gëzohet këtij fakti historik. Sepse sukseset e Kosovës janë arritje kombëtare para së cilave e me të cilat mburremi të gjithë. /Telegrafi/

“Zgjodha vajzën”, Rama tregon pse nuk ishte në Davos në themelimin e Bordit të Paqes



Kryeministri Edi Rama tha se nuk ishte i pranishëm në ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes në Davos, për shkak se kishte zgjedhur të mikpriste në Shqipëri vajzën e Presidentit amerikan, Ivanka Trump.

“Ishte përpara një zgjedhjeje, t’i përgjigjesha ftesës së babait, apo të mikprisja vajzën. Dhe unë zgjodha vajzën”, u tha Trump deputetëve të opozitës, raporton A2cnn.

Ndryshe, sot në Davos presidenti amerikan Donald Trump dhe liderë tjerë nënshkruan themelimin e Bordit të Paqes.

Kurti: Historia e çlirimit të Kosovës është shënjuar nga njerëz dhe familje sikur e Shaban Jasharit



Në 28 vjetorin e sulmit të dytë mbi familjen Jashari nga forcat serbe, kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se filmimet e shumta dhe fotografitë e mediave të bëra në Prekaz pas këtij sulmi, shërbejnë si dëshmi edhe sot për atë se çfarë ngjau më 22 janar 1998.

Kurti në një postim në Facebook shkruan se historia e çlirimit të Kosovës është shënjuar pikërisht nga njerëz kurajoz dhe familje të tilla sikur familja e Shaban Jasharit, që me aq vendosmëri dhe vetëdije u flijuan për liri.

Lexoni të plotë postimin:

Në 28 vjetorin e sulmit të dytë mbi familjen Jashari

Çdo 22 janar, e kujtojmë ditën e kësaj date të vitit 1998, kur policia serbe e sulmoi për herë të dytë familjen Jashari në Prekaz. Mëngjesin e hershëm të asaj dite, për gjysmë ore, një grup policësh serbë shtiu në breshëri predhash dhe armë automatike ndaj shtëpive të Shaban Jasharit. Duke e mbrojtur familjen dhe shtëpitë e tyre nga ky sulm kriminal, prej brenda shtëpive rezistuan me armë Shabani dhe djali i tij Hamza. Rezistenca e tyre i ktheu mbrapsht policët serbë, por nga plumbat e të shtënave të shumta, u plagosën dy vajza, Selvete dhe Iliriana Jashari.

Filmimet e shumta dhe fotografitë e mediave të bëra në Prekaz pas këtij sulmi, na shërbejnë si dëshmi edhe sot për atë se çfarë ngjau më 22 janar 1998.

Kjo ishte hera e dytë që familja Jashari në Prekaz ishte cak i aksioneve policore, pas aksionit të parë të 30 dhjetorit 1991, datë kjo që vite më pas do të nis të shënohet si Dita e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si më 1991 edhe më 1998, familja Jashari rezistoi e armatosur, duke u kthyer në shembull dhe simbol të rezistencës ndaj regjimit shtypës të Serbisë dhe luftës për çlirimin e Kosovës dhe lirinë e popullit.

Një muaj e gjysmë më pas, regjimi i Millosheviqit do të ekzekutonte një aksion shumëherë më të egër e më të gjerë ndaj familjes Jashari dhe tërë fshatit Prekaz, gjatë të cilit rezistenca e kësaj familje dhe e këtij fshati do të shënojnë kulmin e saj, duke frymëzuar mijëra njerëz që t’i bashkoheshin UÇK-së.

Historia e çlirimit të Kosovës, është shenjuar pikërisht nga njerëz kurajoz dhe familje të tilla sikur familja e Shaban Jasharit, që me aq vendosmëri dhe vetëdije u flijuan për liri.

Mes kujtimesh plot respekt dhe nderimesh të thella për familjen e Shaban Jasharit nga Prekazi i Poshtëm i Drenicës. /Telegrafi/


Ngufati nënën, një muaj paraburgim për të dyshuarin në Restelicë – Gjykata urdhëron t’i bëhet  ekzaminimi psikiatrik



Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, gjyqtarja e procedurës – Shpresa Emra, – ka caktuar masën e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një muaji, për të pandehurin Ferzidin Boza, për shkak të dyshimi të bazuar se ka kryer veprën penale ‘vrasje e rëndë’.

Në njoftim tutje thuhet se a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

“Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohen se është kryer vepra, brenda ambientit familjar, dhe duke marrë parasysh vendosmërinë e të pandehurit për të kryer veprën, me anë të ushtrimit të dhunës dhe ngufatjes ndaj anëtarit të familjes, andaj në këtë fazë caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm.

Gjithashtu duke marrë parasysh edhe karakteristikat personale të të pandehurit, i dënuar më herët për vepra të ngjashme ku palë e dëmtuar ka qenë pikërisht viktima T.B., si dhe me qëllim të mbarëvajtjes së procedurës penale, ndaj të pandehurit do të urdhërohet ekzaminimi psikiatrik, Gjykata ka ardhur në përfundim se caktim i paraburgimit është i domosdoshëm për të siguruar prezencën e tij në procedurën hetimore e cila është në fazën fillestare”, thuhet në njoftim.

Nga të lartcekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret caktimi i paraburgimit për të pandehurin është oportune dhe e nevojshme, për mbarëvajtjen e procedurës hetimore.

Gjithashtu Gjyqtarja e procedurës paraprake, me datë 22.01.2026, ka lëshuar urdhër për QKUK-në, Institutin e forenzikës psikiatrike të kryejë ekzaminim psikiatrik, në një kohë sa më të shpejtë që të jetë e mundur, por jo më gjatë se afati prej dy javësh nga dita e lëshimit të urdhëresës.

Dhe pas kryerjes së ekzaminimit, raporti dhe ekspertiza, ti dorëzohet Prokurorinë Themelore Prizren, dhe Gjyqtarit të procedurës paraprake. /Telegrafi/.

Pamje nga ceremonia e themelimit të Bordit të Paqes, Trump sërish e përmend ndalimin e konfliktit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë



Presidenti amerikan, Donald Trump në ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes, ku është ftuar edhe Kosova ka mbajtur një fjalim rasti.

Trump para të pranishmëve, ku është edhe presidentja e shtetit të Kosovës, Vjosa Osmani theksoi se bota tani është më e sigurt dhe më në paqe se që ishte para një viti.

“Si president, unë i kam ndaluar tetë luftëra në nëntë muaj, përfshirë Kamboxhia dhe Tajlandë, ku disa nga liderët janë këtu, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Republikës Demokratike të Kongos dhe Ruandës, Pakistanit e Indisë, Izraelit dhe Iranit, etj...”, tha ai.

Më poshtë mund ta shihni ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes. /Telegrafi/


“Rendi botëror po shpërbëhet”, Merz i bëri thirrje Europës të rinovojë besimin dhe angazhimin ndaj NATO-s

Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka paralajmëruar se rendi botëror po “shpërbëhet me një ritëm marramendës”, duke i bërë thirrje Europës të rinovojë besimin dhe angazhimin ndaj NATO-s.

Deklaratat ai i bëri gjatë fjalimit të tij në Forumin Ekonomik Botëror, në një moment tensionesh të forta transatlantike pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump për Groenlandën.

“Ne nuk duhet të heqim dorë nga NATO. Duhet të riparojmë besimin mbi të cilin është ndërtuar aleanca”, tha Merz, duke theksuar se Europa mbetet një aset kyç strategjik për Shtetet e Bashkuara.

Kancelari rikonfirmoi mbështetjen e Gjermanisë për Danimarkën dhe Groenlandën, pas kërkesave të Trump për marrjen nën kontroll të ishullit arktik.

“Ne do të mbrojmë Danimarkën, Groenlandën dhe Veriun nga kërcënimi rus, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial”, deklaroi ai.

Merz mirëpriti faktin që Trump përjashtoi përdorimin e forcës për Groenlandën, por paralajmëroi se tarifat e reja tregtare ndaj Europës do të “minonin themelet e marrëdhënieve transatlantike”. Ai theksoi se NATO mbetet thelbësore për përballimin e një rendi të ri global, gjithnjë e më të dominuar nga forca.

“Duhet të investojmë fuqishëm në mbrojtjen tonë, të forcojmë konkurrueshmërinë ekonomike dhe të qëndrojmë më të bashkuar, si europianë dhe me partnerët tanë të njëjtë në vlera”, përfundoi Merz.

Mbretëria e Bashkuar nuk i bashkohet Bordit të Paqes së Trump, shkak pjesëmarrja e Putin

Mbretëria e Bashkuar nuk do të nënshkruajë për momentin “Bordin e Paqes” të propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, për shkak të shqetësimeve mbi pjesëmarrjen e mundshme të presidentit rus, Vladimir Putin.

Sekretarja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, tha për BBC-në se Mbretëria e Bashkuar ishte ftuar të bashkohej me bordin gjatë një ceremonie në Forumit Ekonomik Botëror në Davos, por “nuk do të jemi një nga nënshkruesit sot”.

Ajo theksoi se bëhet fjalë për një “tratativë ligjore që ngrit çështje më të gjera” sesa fokusi fillestar i iniciativës për përfundimin e luftës Izrael-Hamas në Gaza.

Shtetet që kanë konfirmuar pjesëmarrjen janë Arabia Saudite, Turqia, Egjipti dhe Izraeli. Në Davos, Trump deklaroi se Putin kishte pranuar ftesën për t’u bashkuar, por Kremlini nuk e ka konfirmuar dhe ka thënë se po shqyrton ende ofertën.

Cooper nënvizoi se Mbretëria e Bashkuar mbështet planin 20-pikësh të Trump për paqen në Gaza dhe do të marrë pjesë në fazën e dytë të procesit, por nuk mund të bëhet nënshkruese në këtë fazë për shkak të shqetësimeve mbi rolin e Rusisë dhe mungesën e sinjaleve për angazhim të Putinit në Ukrainë.

Ndërkohë, marrëdhëniet SHBA-MB kanë njohur tensione pas kërcënimeve të Trump për tarifa ndaj vendeve evropiane lidhur me Grenlandën, të cilat duket se janë pezulluar pas bisedimeve me NATO-n. Cooper e mirëpriti këtë kthim pas dhe e përshkroi si një hap pozitiv për sigurinë në Arktik.

Takimi mes Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky pritet të zhvillohet të enjten në Davos, ndërsa bisedimet për përfundimin e luftës në Ukrainë vazhdojnë.

Nuk mori pjesë në Bordin e Paqes, Rama sqaron: Mes ftesës së babait dhe mikpritjes të së bijës, zgjodha vajzën e tij me lejën e të atit

Kryeministri Edi Rama ka sqaruar arsyen pse sot nuk ishte në Davos për të nënshkruar marrëveshjen e aderimit në Bordin e Paqes, nismë e ndërmarrë nga Presidenti Donald Trump.

Rama: Që mos shqetësoheni pse nuk jam atje, Unë duhet të bëja një zgjedhje midis ti përgjigjesha ftesës së babait, apo të mirëprisja vajzën në Shqipëri dhe zgjidha vajzën. Natyrisht që vajzën e zgjodha me lejen e babait. Duke qenë se zoti Mediu është ura që lidh amerikan me rrugën e shpresës prisja nga Mediu që të hidhte poshtë pretendimin e Britanisë dhe të mbante anën e Amerikës, por ne nuk shohim arsye për të parë divergjenca të tilla.

Rama mungoi në Bordin e Paqes/ Bardhi në Kuvend: Pse Kosova është sot në Davos dhe kryeministri jo?

Kreu i Grupit Parlamentar i PD, Gazment Bardhi i kërkoi llogari qeverisë pse kryeministri nuk ishte sot në Davos, ndërsa Kosova po.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Bardhi ngriti pretendime se ‘kryeministri Edi Rama nuk shkoi dot në forumin e Davos-it sepse nuk e pranuan’.

“Është bërë miratimi në parim i kësaj marrëveshjeje. Presidenti i Republikës ka autorizuar kryeministrin të nënshkruajë marrëveshjen në fjalë të miratuar në parim. Pyetja ime; a e kanë nënshkruar marrëveshjen kryeministri? Nuk rezulton që kryeministri ta ketë nënshkruar marrëveshjen, marrëveshjen e ka nënshkruar sot Presidentja e Kosovës sot në Davos.

Pse kryeministri është sot këtu dhe jo në Davos për të nënshkruar marrëveshje me presidentin Trump? Ku bazohet procedura që po ndjek Kuvendi? E kuptojmë që nuk shkonte dot se nuk e pranuan? Pse Kosova është sot në Davos, ndërsa lideri juaj është sot këtu me Taulantin dhe Ballukun“, u shpreh ai.

Pas dyshimeve për atentat, Jani Aliaj ishte transferuar për një periudhë në burgun e grave në Greqi! Zbardhen detaje

Televizioni kombëtar grek “ANT1” i ka kushtuar vëmendje të veçantë vrasjes së 49-vjeçarit shqiptar, Jani Aliaj, ngjarje e ndodhur të hënën në burgun e Koridhalos.

Sipas gazetarit grek Panagiotis Stathis, ai ishte transferuar për një kohë të caktuar në burgun e grave për shkak të dyshimeve se mund t’i bëhej atentat. Sipas tij, ai ishte rikthyer sërish në burgun e burrave pa dhënë një arsye të qartë.

“Duke pasur parasysh se kishte informacione se kundër tij ekzistonte një kontratë vdekjeje, ai ishte transferuar në burgun e grave pak kohë më parë, për arsye mbrojtjeje. Papritmas, pak kohë më parë, u vendos që ai të transferohej përsëri në degën kryesore të burrave, pra në burgun e burrave, pa justifikim”, tha gazetari.

Sipas të njëjtave burime, dy muaj më parë ai mori sulmin e parë vrasës kundër tij në burg dhe i shpëtoi. Edhe atëherë, edhe pse ishte e qartë se ai do të vritej, nuk u morën masa mbrojtëse. Ai u la aty, ku fusha ishte padyshim e hapur për vrasësit e tij të mundshëm.

Sipas gazetarit të “ANT1”, “prandaj, është e qartë se ka përgjegjësi si penale ashtu edhe disiplinore. A po kërkohen ata? Nëse do të ndodhte një vrasje në Komisariat, i gjithë departamenti do të shpërbëhej. Tani? A janë ata përgjegjës në fund të fundit spektatorë të krimeve dhe pa asnjë përgjegjësi?”

Kush ishte Jani Aliaj?

49-vjeçari nga Tepelena, i cili ndodhej i arrestuar në Greqi prej 31 dhjetorit 2024. Aliaj ishte dënuar me burg përjetë në Shqipëri, për vrasjen e Elton Çiços më 2016 në Tiranë, në një konflikt të vjetër mes tyre që përfundoi me hakmarrje dhe fatalitet.

Gjithashtu akuzohej edhe për një ngjarje të ndodhur në vitin 2015 në Përmet, ku tentativa e vjedhjes së një sasie të madhe marijuane përfundoi me të plagosur.

PD bashkon votat me PS në Komisionin e Jashtëm: 13 vota pro që Rama të përfaqësojë Shqipërinë në Bordin e Paqes

Është zhvilluar në Komisionin e Jashtëm në Kryesinë e Kuvendit mbledhja e këtij komisioni.

Nga votimi i hapur ka rezultuar se deputetët e opozitës kanë bashkuar votat me ata të mazhorancës për t’i dhënë lejen Edi Ramës për të përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes për Gazën, një institucion i ngritur dhe i ideuar nga Presidenti Trump.

Mesohet se nuk ka pasur asnjë votë kundër dhe asnjë votë abstenim gjatë votimit të këtij projektligji.

Po ashtu mësohet se miratimi i këtij projektligji u bë sipas variantit të propozuar nga Këshilli i Ministrave.

Pas mbledhjes në Komision pritet të mblidhet Kuvendi për t’u kaluar edhe formalisht në Kuvend.

Përplasen 2 makina në Durrës, mbeten të plagosur 5 persona. Drejtuesit e mjeteve dërgohen në spital

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës bën me dije se specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin E. Ç., 33 vjeç, banues në Durrës, pasi automjeti që ai drejtonte u përplas me një mjet tjetër në rrugën “Ankona”, që drejtohej nga shtetasi A. I.

Si pasojë e aksidentit, u dëmtuan të dy drejtuesit e automjeteve, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve, si dhe 3 pasagjerë, të cilët pasi morën ndihmën mjekësore, u larguan në banesat e tyre.

Presidentja e Kosovës ‘kokë më kokë’ me Trump, firmos marrëveshjen për themelimin e Bordit të Paqes (FOTO)

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ishte sot pjesë e “Bordit të Paqes”, të mbajtur në Davos, ku presidenti i SHBA-vë, Donald Trump prezantoi nisëm, ndërsa vendet pjesëmarrëse nënshkruan marrëveshjen.

Vjosa Osmani dhe Presidenti Donald Trump shtrënguan duart, ndërsa shkëmbye një bisedë ‘kokë më kokë’ për disa momente përpara se të bënin nënshkrimin e marrëveshjes.

Më herët Presidentja, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se ndodhet në Davos me ftesë të presidentit amerikan, Donald Trump për ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes.

Në këtë takim ishin të pranishëm disa liderë botërorë, ndërsa kryeministri Edi Rama nuk merrte pjesë, edhe pse ka pranuar ftesën e Donald Trump.

Po ashtu, ajo që u vu re ishte fakti se nuk merrte pjesë asnjë lider nga vendet e BE me përjashtim të kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban.

Themelohet Bordi i Paqes, liderët nënshkruajnë dokumentin/ Firmos Trump: Këtu janë të gjithë liderët që dua!

Presidenti Trump mbajti fjalën e tij në prezantimin e nismës me liderë globalë për “Bordin e Paqes”.

Trump u shpreh se të pranishëm sot në firmosjen e nismës janë të gjithë liderët që ai i ka qejf.

Zakonisht u shpreh ai me humor, ka dhe liderë që nuk i pëlqen, por jo sot. Të pranishëm në Davos gjatë prezantimit të nismës ishte dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Trump: Kemi një grup të madh të rinj që e udhëheqin. Çdo vend dëshiron të jetë pjesë. Dërguam letra disa ditë më parëm, dhe i thamë këtu në Davos vendeve që do ishim të kënaqur që të jeni pjesë tani. Tani janë këtu dhe i pëlqej të gjithë. Zakonisht janë 2 apo 3 që nuk i kam qejf, por këtu të gjithë i pëlqej.

Jared dhe Steve kanë punuar fort. Kam qenë i qartë se Hamasi duhet të dorëzojë dhe pengun e fundit të vdekur. Do jetë një plan i madh për rindërtimin. Do jemi të suksesshëm. Do jetë gjë e madhe për tu parë. Do bëjmë me lodhje me OKB. OKB ka potencial të jashtëzakonshme,. Por nuk e përdorin. Në 8 luftëra që i dhashë fund, nuk fola me OKB. Nuk e bënë, u përpoqën por nuk e bënë. Kombinimi i Bordit me OKB do jetë e jashtëzakonshme për botën. Së bashku jemi në një shans të fundit urrejtje të dekadave, derdhjen e gjakut, për atë rajon dhe për gjithë botën. Do kemi paqe në botë. Do jetë trashëgimi për të gjithë. Është një arsye pse jeni këtu. Jeni nga njerëzit më të fuqishëm në botë. Kur e përdorni talentin tuaj për paqen, e kundërta e paqes nuk ka asnjë shans. E rëndësishme, po prisja të isha këtu.

Balluku plas gazit në Kuvend! Çfarë tha kreu i PD-së që e bëri të qeshë zëvendëskryeministren

“A jeni gati që Rama t’i dorëzojë kompetencat Ballukut?”.

Kjo është e vetmja fjali që kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka thënë në foltoren e Kuvendit në seancën kur po shqyrtohet kërkesa për projektligjin e pranimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes.

Fjala e Berishës ka shkaktuar hilaritet në seancë, ndërsa në të njejtën mënyrë ka reaguar edhe zëvendës kryeministrja Belinda Balluku, ndërkohë që Gjykatën Kushtetuese sot mbahet seanca për shqyrtimin e ankimimit të kryeministrit Rama mbi vendimin e GJKKO për pezullimin e saj nga detyra.

Berisha: A jeni gati ju që Ramaduro t’ia delegojë kompetencat Lubi Ballukut? Na u përgjigjni në këtë pyetje.

Peleshi: Jo me këtë gjuhë.

Berisha: Je njeri i Lubisë. Jeni lubistë.

Me ftesë të presidentit Trump, Osmani në Davos për ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes



Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se ndodhet në Davos me ftesë të presidentit amerikan, Donald Trump për ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes.

Osmani në një postim në Facebook ka publikuar pamje nga Davos.

“Mirëmëngjes nga Davos, ku jemi me ftesë të Presidentit Trump, në ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes”, shkruan Osmani.

Ndryshe, një ditë më parë e para e shtetit ka publikuar edhe letrën e presidentit Donald Trump, përmes së cilës është ftuar Kosova që të jetë pjesë e Bordit të Paqes, si anëtare themeluese.



Por, çka është Bordi i Paqes?

Administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka kontaktuar figura të ndryshme anembanë botës për t'u bërë pjesë e të ashtuquajturit "Bordi i Paqes" dhe në entitete të lidhura me të, të cilat synojnë të mbikëqyrin qeverisjen dhe rindërtimin në Gazën e pasluftës.

Shtëpia e Bardhë tha se do të ketë një bord kryesor, të kryesuar nga vetë Trump, një komitet palestinez teknokratësh, të cilët synojnë të qeverisin territorin e shkatërruar nga lufta, dhe një "bord ekzekutiv" të dytë që duket se është projektuar të ketë një rol më këshillues. /Telegrafi/

Një muaj paraburgim për Arianit Sllamnikun



Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit Arianit Sllamniku, i cili dyshohet për kryerjen e dy veprave penale.

Nga periudha e papërcaktuar kohore e deri më datë 20.01.2026, në Gjilan, në rrugën “17 Shkurti”, në lokalin e regjistruar si ‘’Consulence’’, i pandehuri, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, pa kualifikim përkatës profesional, pa licencë dhe pa autorizime ligjore për ushtrimin e veprimtarisë mjekësore apo farmaceutike, përkundër se i vetëdijshëm se nuk posedonte kualifikime të posaçme dhe të domosdoshme sipas ligjit ka ushtruar veprimtari të kundërligjshme.

Në njoftim thuhet se Sllamniku në lokalin “Consulence” ka kryer trajtime mjekësore dhe vizita mjekësore e këshilluese kinse për shërimin e Autizmit duke përshkruar e rekomanduar përdorimin e terapive të ndryshme të pa verifikuara e të pa konfirmuara, përkundër se nuk ka pasur njohuri e as kualifikim për këtë fushë mjekësore, ashtu që pas raportimit të lajmit për ushtrimin e kësaj veprimtarie të kundërligjshme gjatë zbatimit të urdhër kontrollit UGJK nr.5/2026 nga NJHP në Gjilan, në lokalin “Consulence”, gjendet edhe një dëshmitar i cili pas marrjes së terminit kishte shkuar për tu konsultuar për trajtimin Autizmit, e po ashtu gjenden edhe medikamente të ndryshme mjekësore të cilat sekuestrohen.

Më këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Gjithashtu i pandehuri edhe përmes komunikimit elektronik nga llogaria e tij dhe përmes telefonit, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin për veprimtarinë farmaceutike dhe rekomandimet e OBSH-së, ka kryer eksperimente mjekësore duke rekomanduar terapi farmaceutike të pa verifikuar për probleme shëndetësore konkrete, ashtu që pas vizitave të drejtpërdrejta apo edhe kontaktit përmes komunikimit elektronik tek persona të ndryshëm, kryesisht fëmijë të prekur nga spektri Autik ka rekomanduar, përshkruar dhe udhëzuar marrjen e terapisë të pa verifikuar dhe të pa testuar kinse për largimin e metaleve dhe shërimin e Autizmit dhe në këmbim të këtyre shërbimeve pranon shuma të ndryshme të pagesave, i vetëdijshëm se terapitë e këshilluara nuk ishin të testuara në njerëz dhe për probleme të tilla shëndetësore e për të cilat nuk kishte njohuri bazike as për efektet anësore”, thuhet në njoftim.

Më këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “eksperimentet e kundërligjshme mjekësore dhe testimi i barërave” nga neni 257 paragrafi 1 të KPRK-së.

Gjyqtarja e procedurës paraprake ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit, duke i marrë për bazë të gjitha ato që u thanë më lart, masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /Telegrafi/

Policia në Leposaviq gjen uniformë me simbole të Serbisë, municion dhe çanta ushtarake



Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në fshatin Llozno të Leposaviqit ka gjetur armëmbajtje pa leje, si fishekë, çanta ushtarake, uniformë me simbole të Serbisë.

Policia njofton se rasti ka ndodhur të mërkurën, në ora 18:00.

“Fsh. Llozno, Leposaviq / 21.01.2026-18:00. Policia gjatë patrullimit në rrugë ka hasur në disa gëzhoja të fishekëve të armës së gjuetisë. Gjatë kontrollit në tri shtëpi-pa banorë, si prova materiale janë gjetur dhe konfiskuar: 80 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm, një rrethatore, dy gëzhoja, disa çanta ushtarake, një uniformë me simbole të Serbisë, një maskë ushtarake, dy baza me barot për mbushje, një qese me sfera metalike, dy gota barot për mbushje të fishekëve, 140 kapsula për fishekë, tri vegla pune dhe disa gëzhoja të fishekëve”, thuhet në raport.

Policia bën të ditur se rasti nën hetime. /Telegrafi/

Reduktimet e rrymës, LDK mban konferencë për media



Vendi ditët e fundit është përballur me reduktime të energjisë elektrike, ndërsa lidhur me këtë sot Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se do të mbajë një konferencë për media.

Ditë më parë lidhur me reduktimet e rrymës në Përballje Podcast ka falur Janina Ymeri nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ymeri theksoi se reduktimet e fundit, të cilat kanë prekur edhe Prishtinën, tregojnë se situata është shumë më e rëndë sesa po paraqitet zyrtarisht.

“Kur reduktimet e energjisë e prekin edhe Prishtinën, që zakonisht është zonë e privilegjuar për shkak të institucioneve dhe QKUK-së, atëherë duhet me u pyet çka po ndodh me pjesët tjera të vendit”, tha ajo.

Ajo po ashtu ka ngritur dyshime të drejtpërdrejta për përfitime tregtare nga importi i energjisë elektrike, duke përmendur kompani konkrete dhe shifra financiare.

Ymeri tha se importuesi më i madh i energjisë elektrike në Kosovë është kompania NOA.

“Kush po përfiton? NOA sepse është importuesi më i madh i energjisë elektrike.... ", deklaroi Ymeri, shkruan Telegrafi.

Duke folur për reduktimet e rrymës, Ymeri kritikoi ashpër mungesën e reagimit institucional.

“As kryeministri dhe as ministria në detyrë nuk kanë pasur asnjë reagim deri tash”, deklaroi ajo.

Sipas saj, heshtja institucionale është veçanërisht shqetësuese në një kohë kur, siç tha, rreth 50 për qind e konsumit po mbulohet përmes importit të energjisë elektrike. /Telegrafi/

❌