Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Muzeu Etno-Kastrioti pasurohet me eksponate 200-vjeçare



Muzeut Etno-Kastrioti në Isniq të Deçanit, krahas mijëra eksponateve të vjetra të grumbulluara ndër vite, këto ditë i është shtuar edhe një “Kosh i Drithërave”, i vjetër rreth 200 vjet.

Zekë Sinanaj, pronar i mëparshëm i këtij eksponati, thotë se me kënaqësi e ka dhuruar koshin për muzeun, i bindur se këtu do të ruhet më mirë dhe do t’i zgjatet jetëgjatësia e tij.

"Miftarit kanë filluar kohëve të fundit, sidomos duke e parë rëndësinë e këtij projekti, t’i ofrojnë eksponate të ndryshme pothuajse nga të gjitha vendet. Natyrisht, në oborrin e familjes sonë e kemi pasur edhe këtë kosh, i cili vlerësohet të jetë mbi 200 vjeç. Për të mos u shkatërruar krejtësisht, kam vendosur ta sjell këtu që gjeneratat e ardhshme të shohin si kanë ditur ta ruajnë misrin dhe prodhimet e tjera të paraardhësve tanë. Prandaj, mendoj se është shumë i rëndësishëm, sikurse të gjitha eksponatet e tjera që janë këtu", tha Sinanaj.

Dhurimin e këtij eksponati të vjetër e ka mirëpritur edhe koleksionisti Miftar Januzaj, i cili tha se ky shtesë do të rrisë edhe më shumë vlerën e muzeut.

"Pas shumë eksponateve që na i kanë sjellë nga i gjithë vendi dhe rajoni, është edhe ky kosh, i përdorur nga familja e Selman Bejtë Sinanaj dhe i sjellë në Muzeun Etno-Kastrioti nga djali i tij, Zekë. Çka është me rëndësi, për brezat që do të vijnë, këto eksponate do të tregojnë përmes trashëgimisë sonë se kush ishim", deklaroi koleksionisti Miftar Januzaj.

Ai ndërkaq ka një lutje për të gjithë qytetarët që artefaktet dhe eksponatet e tilla të mos i shkatërrojnë, por t’i sjellin në muze, në mënyrë që të ruhet trashëgimia kulturore e këtij lokaliteti nëpër kohë./RTK

Fillojnë punimet për ndërtimin e Lapidarit të Dëshmorëve në Pozhar të Deçanit



Kanë filluar punimet për ndërtimin e Lapidarit të Dëshmorëve në fshatin Pozhar, një projekt i komunës së Deçanit për ruajtjen e kujtesës historike dhe vlerave të luftës çlirimtare.

Kryetari i Komunës, Bashkim Ramosaj, ka theksuar rëndësinë e këtij investimi: “Ky lapidar do të jetë simbol i përhershëm i sakrificës sublime të dëshmorëve tanë, që dhanë jetën për lirinë dhe dinjitetin e vendit".

"Përmes këtij investimi, ne jo vetëm nderojmë të kaluarën, por edhe edukojmë brezat e rinj me vlerat e lirisë, guximit dhe atdhedashurisë”.

Ai gjithashtu shtoi se: “Komuna mbetet e përkushtuar që kujtesa për dëshmorët të ruhet dhe të respektohet me dinjitetin që ata meritojnë”.

Punimet për ndërtimin e lapidarit janë pjesë e angazhimit institucional për të nderuar dëshmorët dhe për të afirmuar historinë dhe sakrificën e tyre për lirinë e vendit. /Telegrafi/


Një muaj paraburgim për personin që dyshohet se dhunoi një grua në Deçan



Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji të pandehurit M.N.

Vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale “Dhunimi”, nga neni 227 paragrafi 6 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit të gjykatës, paraburgimi është caktuar edhe për shkak të ekzistimit të kushteve ligjore për shqiptimin e kësaj mase, me qëllim të sigurimit të mbarëvajtjes së procedurës penale.

M.N u arrestua të hënën në Deçan, dhe paraburgimi do ti llogaritet nga data e arrestimit deri më 25 shkurt 2026, në ora 16:00. /Telegrafi/

Dyshohet se është dhunuar një grua në Deçan, rasti nën hetim



Raportohet se është dhunuar një grua në Deçan.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të dielën rreth orës 00:01, në Deçan.

Tutje bëhet e ditur se rasti është në procedurë të rregullt.

“Deçan / 25.01.2026 – 00:01. Është raportuar se ndaj viktimës femër kosovare është kryer vepra e lartcekur nga i dyshuari mashkull kosovar. Rasti në procedurë hetimore”, thuhet në raport. /Telegrafi/

Vetëplagoset një person në Deçan



Një person ka kërkuar ndihmë mjekësore pas një lëndimi në gishtin tregues të dorës, i cili dyshohet se është shkaktuar nga arma e zjarrit.

Sipas Policisë, i lënduari ka deklaruar se është vetëplagosur.

Në vendin e ngjarjes, policia ka sekuestruar një armë zjarri (revole) pa leje dhe një gëzhojë, që dyshohet se i përket të njëjtës armë.

Rasti mbetet nën hetime në konsultim me prokurorin kujdestar./Telegrafi/

KRU “Hidrodrini” njofton për gjendjen e ujit në zonën e Pejës dhe Istogut



KRU “Hidrodrini” ka publikuar një njoftim të përditësuar mbi gjendjen e burimeve të ujit në zonën e mbulueshmërisë së saj.

Sipas raportit të rifreskuar nga Laboratori fiziko-kimik i kompanisë, shumica e zonave, përfshirë Pejën dhe Istogun, janë pa turbullira dhe uji është i sigurt për konsum.

Megjithatë, kompanisë i ka konstatuar turbullira në dy burime specifike: burimi i Deçanit, i cili furnizon vetëm fshatin Beleg, dhe burimi i Jarines në Klinë.

Konsumatorët që furnizohen nga këto burime rekomandohen që ujin ta konsumojnë të vluar deri në njoftimin e radhës.

“Kjo masë është parandaluese dhe ka për qëllim sigurimin e shëndetit publik. Do të vazhdojmë monitorimin e vazhdueshëm të cilësisë së ujit dhe do të njoftojmë qytetarët për çdo ndryshim të gjendjes,” bëhet e ditur nga KRU “Hidrodrini”. /Telegrafi/


Plagosja e trefishtë në Deçan, i dyshuari me histori kriminale të mëparshme



Tre persona mbetën të plagosur mbrëmë në një lokal në qendër të Deçanit.

Të plagosurit (një shqiptar dhe dy serb) u dërguan fillimisht për trajtim mjekësor në Spitalin e Pejës, ku dy prej tyre për shkak të lëndimeve të pësuara nga arma e zjarrit janë transferuar në QKUK.

Në mesin e personave të plagosur është avokati Daut Cacaj.

Reagimi i njësiteve policore ishte i shpejtë ku menjëherë arrestuan të dyshuarin lidhur me incidentin.

I dyshuari, Ismet Zukaj është ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit kujdestar.

Telegrafi nga burime mëson se Zukaj është recidivist i veprave penale, dhe se i njëjti ishte dënuar edhe më parë me burgim për një vepër tjetër të plagosjes.

Lidhur me këtë zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi tha se Prokurori i Shtetit do t’ia bashkangjes kërkesës për paraburgim të gjithë të kaluarën kriminale të të dyshuarit.

“Në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, Prokurori i Shtetit do t’ia bashkangjes të gjithë të kaluarën kriminale personit të dyshuar, si rrethanë që do të paraqitet para gjyqtarit të procedurës paraprake kur do të marrë vendimin lidhur me kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit”, tha Nikçi.

Rasti ndodhi mbrëmë pas mesnate në një kafiteri në rrugën “Luan Haradinaj” në Deçan.

Nga hetuesit në vendin e ngjarjes është sekuestruar një armë pistoletë Zoraki 9mm, një karikator i së njëjtës armë, nëntë fishekë të kalibrit 9mm dhe tri gëzhoja. /Telegrafi/

Plagosja në Deçan, Spitali i Pejës: Një i plagosur po trajtohet tek ne dhe është jashtë rrezikut për jetë



Tre persona kanë mbetur të plagosur mbrëmë pas mesnate në një lokal në Deçan.

Rasti ka ndodhur në rrugën “Luan Haradinaj” rreth orës 00:18, ka njoftuar policia.

Lidhur me këtë Spitali i Përgjithshëm i Pejës ka dalë me një njoftim ku ka bërë të ditur të tre të plagosurit janë sjellë mbrëmë për trajtim mjekësor.

“Mbrëmë, në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë janë pranuar tre pacientë të plagosur me armë zjarri.

Pas dhënies së ndihmës së nevojshme mjekësore, dy pacientë janë bartur për trajtim të mëtejmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK)”, thuhet në njoftimin e Spitalit.

Spitali i Pejës ka shtuar se një pacient po vazhdon trajtimin dhe gjendet jashtë rrezikut për jetën.

Ndryshe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi ka njoftuar se të plagosurit janë një shqiptar dhe dy serb.

I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit nga hetuesit, me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje pёr 48 orë. /Telegrafi/

Plagosja e tre personave në një lokal në Deçan, policia me detajet e para



Tre persona (dy serbë dhe një shqiptar) kanë marrë lëndime trupore nga të shtënat me armë zjarri të martën rreth orës 00:18 në rrugën “Luan Haradinaj”, nё një lokal në Deçan.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Sipas tij, dy të lënduarit (një serb dhe një shqiptar) janë duke u trajtuar në QKUK, ndërsa personi i tretë (komuniteti serb) është duke u trajtuar në Spitalin e Pejës për shkak të lëndimeve të marra.

“Në orët e para të mëngjesit rreth orës 00:18, Policia e Deçanit është njoftuar për të shtëna me armë zjarri në një lokal. Lidhur me këtë njësitet kanë dal menjëherë në vend të ngjarjes dhe kanë vërejtur tre persona të plagosur, një i komunitetit shqiptar e dy serbë. Dy nga të plagosurit (një shqiptar dhe një serb) po trajtohen në QKUK ndërsa i treti (serb) po trajtohet në Spitalin e Pejës për shkak të lëndimeve të marra”, ka thënë Gashi.

I pyetur nëse dihen motivet e këtij rasti, Gashi tha se njësitet policore po punojnë në këtë drejtim për zbardhjen e këtyre rrethanave.

Gashi tha se personi i dyshuar është arrestuar në vendin e ngjarjes dhe tek i njëjti janë gjetur dhe sekuestruar: një armë pistoletë Zoraki 9mm; një karikator i së njëjtës armë, nëntë fishekë kal:9mm dhe tri gëzhoja.

I dyshuari pas intervistimit nga hetuesit, me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje pёr 48 orë. /Telegrafi/

Të shtëna me armë zjarri në Deçan/ Plagosen tre persona, arrestohet autori i dyshuar

Tre persona kanë mbetur të plagosur nga arma e zjarrit në një lokal në Deçanit, teksa një person është arrestuar në cilësinë e të dyshuarit.

Rastin për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Ai bëri të ditur se në vendin e ngjarjes është sekuestruar një armë, një karikator dhe nëntë fishekë.

“Më datë 13, rreth orës 00:18, policia është njoftuar se në një lokal ka të shtëna me armë zjarri. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku në një lokal ka vërejtur tre persona të shtrirë, të lënduar nga arma e zjarrit. Të njëjtit janë dërguar në QMF dhe pastaj në Emergjencës e Spitalit të Pejës”.

“Një person i dyshuar është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë kompetente për të sqaruar rrethanat e ngjarje, ndërsa janë sekuestruar 1 armë, 1 karikator me 9 fishekë”, tha Gashi.

Plagosen tre persona në një lokal në Deçan, arrestohet i dyshuari



Tre persona janë plagosur në orët e para të së martës në një lokal në Deçan.

Në njoftim bëhet e ditur se Stacioni Policor në Deçan, më datën 13.01.2026, rreth orës 00:15, është njoftuar se në një lokal në rrugën “Luan Haradinaj” nё Deçan, ka pasur të shtëna me armë.

“Policia menjëherë i është përgjigjur rastit ku në vendin e ngjarjes janë hasur personat e lënduar, të cilët janë dërguar me autoambulancë në spitalin rajonal në Pejë”, thuhet në njoftim.

Personi i dyshuar është arrestuar në vendin e ngjarjes dhe tek i njëjti janë gjetur dhe sekuestruar: një armë pistoletë Zoraki 9mm; një karikator i së njëjtës armë, nëntë fishekë kal:9mm dhe tri gëzhoja.

I dyshuari pas intervistimit nga hetuesit, me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje pёr 48 orë. /Telegrafi/

Po pastrohen mbeturinat në Veprën Marrëse në Llukë të Deçanit



KRU Gjakova ka njoftuar se ekipet e saj janë duke punuar në terren për pastrimin e mbeturinave të sjella nga uji në Veprën Marrëse në Llukë të Deçanit.

Sipas njoftimit të kompanisë, ndërhyrja po bëhet me qëllim të mirëmbajtjes së sistemit dhe krijimit të kushteve për mbushjen e liqenit, pas reshjeve të fundit që kanë sjellë sasi të mëdha mbeturinash në këtë zonë.

Nga KRU Gjakova bëhet e ditur se punëtorët do të vazhdojnë angazhimin derisa të sigurohet funksionimi i rregullt i veprës marrëse dhe stabilizimi i gjendjes. /Telegrafi/


Turbullira në burimet e ujit, paralajmërohen Peja, Istogu dhe Deçani



KRU “Hidrodrini” ka njoftuar se pas reshjeve të fundit atmosferike, janë paraqitur turbullira në disa nga burimet kryesore të ujit, duke përfshirë burimin e Drinit të Bardhë në Radavc, Mbivadën në Istog dhe burimin e Deçanit.

Nga kompania bëhet e ditur se konsumatorët që furnizohen nga këto burime duhet të tregojnë kujdes të shtuar gjatë përdorimit të ujit për pije.

“Si pasojë e reshjeve atmosferike, janë paraqitur turbullirat e para në burimet e ujit. Për këtë arsye, konsumatorët që furnizohen nga këto burime rekomandohen që ujin për pije ta konsumojnë të vluar”, thuhet në njoftimin e KRU “Hidrodrini”.

Kompania ka theksuar se ky rekomandim vlen deri në njoftimin e radhës, duke siguruar se do të informojë qytetarët sapo situata të stabilizohet dhe uji të jetë i përshtatshëm për përdorim të sigurt.

“Rekomandimi do të vlejë deri në njoftimin e ardhshëm nga ne, ndërsa ekipet tona teknike po monitorojnë vazhdimisht gjendjen në terren", thuhet më tej në njoftim. /Telegrafi/


Raste të dhunës në familje raportohen në disa komuna të Kosovës



Policia e Kosovës ka raportuar disa raste të dhunës në familje të ndodhura gjatë ditëve të fundit në komuna të ndryshme të vendit, përfshirë Prishtinën, Deçanin, Malishevën dhe Rahovecin.

Në Prishtinë, pas një mosmarrëveshjeje familjare, një mashkull kosovar dyshohet se ka sulmuar fizikisht vëllain e tij. Viktima nuk ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari ndodhet në arrati dhe rasti është në fazën e hetimeve.

Një tjetër rast është raportuar në Deçan, ku një grua është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj pas një mosmarrëveshjeje. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është liruar për procedurë të rregullt.

Në Malishevë janë shënuar dy raste të ndara të dhunës në familje. Në njërin rast, një grua me nënshtetësi të huaj dyshohet se është dhunuar fizikisht dhe psikikisht nga bashkëshorti i saj pas një konflikti verbal.

Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Në rastin tjetër, një mashkull kosovar, i cili dyshohet se ka probleme mentale, ka demoluar gjësende në shtëpi; ai është arrestuar dhe dërguar për trajtim mjekësor nën masën e ndalimit 48-orësh.

Ndërkohë, në Rahovec është raportuar një rast i kanosjes në kuadër të dhunës në familje, ku një mashkull kosovar dyshohet se ka kërcënuar ish-bashkëshorten e tij përmes rrjeteve sociale. Policia njofton se rasti është duke u hetuar.

Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve që çdo rast të dhunës në familje ta raportojnë menjëherë, duke theksuar se dhuna mbetet vepër penale dhe trajtohet me prioritet nga institucionet e rendit. /Telegrafi/

Kurti: Nga magjistralja e Dukagjinit do të përfitojë edhe Deçani



Kandidati për kryeministër nga LVV, Albi Kurti, mbajti një takim me qytetarë, mërgimtarë, studentë dhe punëtorë të komunës së Deçanit.

Gjatë takimit u diskutua për çështje të rëndësishme që prekin drejtpërdrejt zhvillimin e kësaj komune.

Ai vlerësoi si shumë të rëndësishme mbështetjen e Deçanit në rrugën drejt fitores së 28 dhjetorit.

Ndër zotimet kyçe që do të ndikojnë drejtpërsëdrejti në infrastrukturë dhe arsimi edhe për qytetarët e kësaj komune, janë ndërtimi i magjistrales së Dukagjinit që do të kalojë edhe nëpër Deçan, si dhe zbatimi i programit të bursave “Mobiliteti për studentë”, program ky i cili do të mbështesë financiarisht studentët në bazë të distancës mes vendbanimit dhe universiteti ku do të studiojnë.

Ndërmarrja Ambienti rrit pagat për punëtorët dhe ndanë 500 euro shpërblim vjetor



Bordi i Drejtorëve i Ndërmarrjes Ambienti, me kryesim të ing. Gramoz Xhemajlit, ka nënshkruar vendimin për shpërblim vjetor prej 500 eurosh për çdo punonjës, me rastin e festave të fundvitit, si dhe për ngritje page për vitin 2026.

Ky vendim u miratua në mbledhjen e rregullt të Bordit të Drejtorëve, bazuar në propozimin e Kryeshefit Ekzekutiv, Diedon Berisha, duke vlerësuar sukseset e larta të ndërmarrjes gjatë vitit.

Sipas Bordit, Ambienti Sh.A. për herë të parë pozicionohet si kompani lidere në Kosovë për paga, shujta dhe beneficione për punonjësit e saj.

Bordi i Drejtorëve gjithashtu theksoi se prioritet për vitin 2026 mbetet modernizimi i mëtejshëm, digjitalizimi dhe zhvillimi i vazhdueshëm i ndërmarrjes.

Në përbërje të Bordit janë Gramoz Xhemajli, kryesues, Drita Krasniqi dhe Gazmend Kastrati, të cilët u uruan punonjësve për shëndet dhe suksese të përbashkëta edhe në vitin e ardhshëm.

Bordi falënderoi gjithashtu stafin ekzekutiv dhe operativ për kontributin e dhënë në realizimin e politikave të ndërmarrjes dhe për arritjen e rezultateve të larta. /Telegrafi/


Nisin punimet për instalimin e sistemit të ngrohjes me biomasë në NPL “Higjiena” të Deçanit



Në Komunën e Deçanit kanë nisur punimet për instalimin e një sistemi modern të ngrohjes me biomasë druri (ashkla druri) në Ndërmarrjen Publike Lokale “Higjiena”.

Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili ka theksuar se projekti po realizohet në bashkëpunim me Fondacionin CNVP dhe kompaninë implementuese. Sipas tij, ky sistem synon të shërbejë si model i qëndrueshëm për ngrohjen e objekteve publike në komunë.

Kryetari Ramosaj ka theksuar se Deçani, me mbi 16 mijë e 700 hektarë pyje, ka potencial të madh për shfrytëzimin e mbetjeve nga pastrimi dhe rrallimi i pyjeve, duke i shndërruar ato në burim energjie të pastër dhe me kosto më të ulët.

Sipas tij, ky investim paraqet një hap konkret drejt rritjes së efikasitetit energjetik, mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit ekonomik lokal, duke kontribuar në një Deçan më të gjelbër dhe më të qëndrueshëm për qytetarët. /Telegrafi/


Zhduken dy gra nga Deçani e Klina - policia nis kërkimet



Policia e Kosovës ka pranuar dy raste të veçanta të personave të zhdukur në komunat e Deçanit dhe Klinës, të raportuara brenda ditëve të fundit.

Një qytetar nga Deçani më ka njoftuar policinë se nëna e tij është larguar nga shtëpia më 2 dhjetor dhe nuk është kthyer më. Ai ka deklaruar se nuk ka informacione për vendndodhjen e saj që nga momenti i largimit. Policia ka nisur hetimet për të gjetur personin e zhdukur.

Në një rast tjetër ka ndodhur në Klinë. Një burrë ka raportuar se bashkëshortja e tij është larguar nga shtëpia dhe nuk është kthyer.

Edhe në këtë rast, policia ka filluar procedurat hetimore për të zbardhur rrethanat e zhdukjes dhe për të gjetur personin në fjalë.

Hetimet për të dy rastet janë duke vazhduar. /Telegrafi/

Komuna e Deçanit njofton tatimpaguesit për afatin e pagesës së tatimit mbi pronën e paluajtshme



Drejtoria për Buxhet dhe Financa e Komunës së Deçanit ka bërë thirrje të gjithë tatimpaguesve që ende nuk e kanë kryer pagesën e tatimit mbi pronën e paluajtshme, që ta realizojnë atë deri më 31 dhjetor 2025.

Sipas Ligjit Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronë të Paluajtshme, pagesat e kryera pas këtij afati do të shoqërohen me penalitete, përkatësisht një gjobë prej 10 për qind mbi shumën e tatimit të papaguar, si dhe një interes prej 0.65 për qind për secilin muaj vonesë.

Drejtoria për Buxhet dhe Financa nënvizon se mosrealizimi i pagesave brenda afatit do të çojë në aplikimin e masave ndëshkuese, të cilat mund të ndikojnë në përballimin e detyrimeve fiskale ndaj komunës, përcjell Telegrafi.

Tatimpaguesit janë të ftuar që të kryejnë pagesat brenda afatit për të shmangur penalitetet dhe për të kontribuar në realizimin e buxhetit komunal.

Për informacione të mëtejshme, qytetarët mund të kontaktojnë zyrat e Drejtorisë për Buxhet dhe Financa të Komunës së Deçanit. /Telegrafi/


Ka ndërruar jetë kryetari i parë i komunës së Deçanit, Mehmet Bojkaj



Në moshën 82-vjeçare ka ndërruar jetë Mehmet Bojkaj, kryetari i parë i komunës së Deçanit.

Lajmin e ka bërë të ditur Rasim Selmanaj, ish-kryetar i Deçanit dhe anëtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i cili e ka përshkruar Bojkajn si një atdhetar të shquar, politikan të matur dhe një figurë që ka bashkuar popullin në kohë të vështira.

“Mehmet Bojkaj ishte kryetar komune në periudha sfiduese, por nuk u dorëzua. Ai e kreu misionin e tij historik me nder, duke mbetur një figurë e respektuar ndër breza dhe në kujtesën historike. Nderim për jetën dhe veprën e tij! Ngushëllime”, ka shkruar Selmanaj.

Mehmet Bojkaj do të mbahet mend për kontributin e tij në zhvillimin e komunës së Deçanit dhe rolin e tij të rëndësishëm në jetën publike të qytetit. /Telegrafi/


❌