Si flasin profesionistët e suksesshëm para eprorëve
Mbledhjet një-më-një me drejtuesit janë ndër momentet më të rëndësishme që një punonjës ka për të ndikuar në karrierën e vet.
Megjithatë, shumica i trajton si një formalitet: hyjnë pa u përgatitur, rendisin disa detyra që kanë kryer dhe e mbyllin bisedën pa lënë ndonjë gjurmë.
Sipas Melody Wilding, trajnere ekzekutive që ka punuar për gati 15 vjet me drejtues në kompani si Google, Amazon dhe Apple, kjo qasje i bën njerëzit të padukshëm.
Njerëzit që ngrihen në detyrë më shpejt nuk i përdorin këto takime si raporte teknike, por si hapësira strategjike.
Ata e lidhin punën e tyre me ndikimin në biznes dhe tregojnë se e kuptojnë se çfarë ka rëndësi për organizatën.
Një mënyrë e thjeshtë për ta bërë këtë është të hapësh takimin duke përmbledhur qartë progresin që nga hera e fundit dhe duke e lidhur atë me objektivat e ekipit apo kompanisë.
Një tjetër sjellje që i dallon profesionistët më të fortë është mënyra se si kërkojnë ndihmë. Në vend që të paraqiten me ankesa ose konfuzion, ata vijnë me ide dhe alternativa dhe kërkojnë perspektivën e shefit.
Kjo i pozicionon si njerëz që mendojnë, marrin iniciativa dhe janë gati të marrin përgjegjësi, jo si dikush që pret gjithmonë udhëzime.
Po aq e rëndësishme është të tregosh interes për atë që po ndodh mbi nivelin tënd.
Duke pyetur se çfarë po dëgjon shefi nga drejtuesit e lartë, merr sinjale të hershme për prioritetet, ndryshimet dhe projektet që po vijnë. Kjo të lejon të pozicionoheni më herët dhe të ofrohesh për detyra që mund të të japin më shumë dukshmëri.
Kur lindin iniciativa të reja ose drejtime të reja të biznesit, njerëzit e suksesshëm nuk presin të zgjidhen, por shprehin hapur interesin për t’u përfshirë.
Kjo tregon ambicie, por edhe gatishmëri për të dalë nga zona e rehatisë. Promovimet rrallë vendosen në ditën e vlerësimit, ato ndërtohen gradualisht, përmes këtyre sinjaleve të vogla, por të vazhdueshme.
Në fund të takimit, është thelbësore të ketë qartësi. Përmbledhja e hapave të ardhshëm dhe përgjegjësive të secilit shmang keqkuptimet dhe e bën më të lehtë që gjërat të ndodhin realisht. Kjo krijon besim dhe e tregon punonjësin si dikë që e merr seriozisht ekzekutimin, jo vetëm idetë.
Në thelb, takimet me shefin nuk janë thjesht biseda, por momente ku ndërtohet reputacioni profesional.
Ata që i përdorin me zgjuarsi nuk flasin vetëm për atë që kanë bërë, por për atë që do të thotë puna e tyre për të ardhmen e biznesit, dhe pikërisht kjo i bën të dallohen. / CNBC, Shqip.al
The post Si flasin profesionistët e suksesshëm para eprorëve appeared first on Revista Monitor.









