TIRANË, 10 shkurt /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi sot pas protestës së tretë kombëtare të mbajtur nga opozita përpara Kryeministrisë dhe godinës së Kuvendit.
Duke u ndalur te ngjarja ku u përfshi deputeti demokrat Bledion Nallbati, Berisha pas vizitës në Spitalin e Traumës, u shpreh se Nallbati ka një hematomë në indet e buta dhe sipas protokollit të spitalit do të qëndrojë në observim për një kohë të caktuar për të parë nëse do të ketë pasoja të tjera nga goditja.
“Por, njëkohësisht mësohet se urdhërdhënësi është krimineli Sokol Bizhga, njëri nga kriminelët me uniformë në Republikën e Shqipërisë. E garantoj Sokol Bizhgën, i cili e goditi deputetin, se do ketë përgjegjësi gjeri ditën e fundit të tij për këtë akt të shëmtuar”, tha Berisha.
Kreu i PD-së u ndal edhe tek incidenti gjatë protestës me operatorin e News24.
“Unë i shpreh edhe mbështetjen dhe keqardhjen time më të madhe për operatorin e News24, por dëshmitarët okularë rrotull thonë që flaka ka ardhur nga ana e policisë dhe jo nga ana e protestuesve. Kjo sigurisht, nëpërmjet filmimeve, prandaj ju lutem shumë edhe ju, të kontrolloni të gjitha filmimet, sepse të dhënat janë që mjetin ose e ka kap policia, ose e ka hedhur drejt operatorit, por sjelljet e policisë, sjelljet e banditëve, sjellja e Sokol Bizhgës është një sjellje kriminale e paparë”, tha Berisha.
“Ju do shihni midis të tjerëve, një qytetar i cili është në një aftësi fizike krejt ndryshe, por është njeri që vjen, demokrat, që vjen në protesta. E kanë kapur në mënyrën më kafshërore, e hodhën mbi tela, e hodhën sikur të ishte jo njeri, po sikur të ishte një objekt”, tha Berisha.
Kreu i PD tha se policët po përdoren si “mish për top”. “Për sa i përket policëve, janë të keqpërdorur. Janë të keqpërdorur nga Sokol Bizhga, u shpreh keqardhjen e madhe, sepse nuk kishin asnjë arsye, siç e patë ju, të konfrontoheshin, të vërsuleshin me tërbim ndaj protestuesve, ndaj protestuesve paqësorë, por ato kanë zbatuar verbërisht urdhrat”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, protestuesit janë ndaluar pa asnjë motiv.
“Në të katër anët po merremi për të gjetur ku janë protestuesit e lënduar. Kanë arrestuar deri tani 14 protestues pa asnjë motiv, pa asnjë lidhje me asnjë akt. Vetëm tërbim. Po merremi me të gjitha këto, por bilanci do të jetë i 20 shkurtit.
Siç e patë ju, ishte një heroizëm masiv. Edhe një herë e përsëris, mos të gabojnë ta marrin vetëpërmbajtjen tonë si dobësi, se në mënyrë absolute do të mjerohen ata që e kujtojnë të tillë”, u shpreh Berisha.
/e.i/a.f/r.e/
The post Berisha: Deputeti Nallbati u godit nga Bizhga, do mbajë përgjegjësi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.