Rruga e karrierës së Arbeloas: Një ngjitje graduale drejt përballjes me Jose Mourinhon

Álvaro Arbeloa e nis zyrtarisht aventurën e tij si trajner i Real Madridit me një debutim që, edhe pse nuk është finale në kuptimin klasik, mbart peshën e një ndeshjeje vendimtare.
Sfida e parë e tij vjen në raundin e 1/8-ës së finales në Kupën e Mbretit ndaj Albacetes, një përballje me eliminim direkt ku çdo gabim mund të jetë fatal.
Arbeloa i afrohet kësaj ndeshjeje me guxim, duke lënë disa veteranë në Madrid dhe duke u besuar lojtarëve të akademisë – një sinjal i qartë për projektin që synon të ndërtojë.
👋 @AArbeloa17 pic.twitter.com/jJUH9iyRTb
— Real Madrid C.F. (@realmadrid) January 14, 2026
Pas kësaj prove fillestare, kalendari duket relativisht i favorshëm. Të shtunën, më 17 janar, në orën 14:00, Real Madridi do të presë Levanten në “Santiago Bernabéu”, në një ndeshje që përkon edhe me ditëlindjen e 43-të të Arbeloas. Me Levanten që ndodhet në zonën e rënies nga kategoria, në letër kjo paraqitet si një mundësi e mirë për fitore dhe për rritjen e vetëbesimit të ekipit dhe trajnerit të ri.
Vetëm tri ditë më pas, më 20 janar, vjen debuti evropian në Ligën e Kampionëve, po ashtu në shtëpi, kundër Monacos. Reali synon të shfrytëzojë avantazhin e fushës për të hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit mes tetë ekipeve më të mira, por Liage Kampionëve mbetet gjithmonë një provë e vështirë dhe një matës i rëndësishëm për projektin e ri.
Nga fundi i janarit, niveli i vështirësisë rritet. Sfida e parë e fortë jashtë fushe do të jetë ndaj Villarrealit, në një duel direkt për pozitat e larta në tabelë. Kjo ndeshje pritet të tregojë më qartë nivelin konkurrues të skuadrës së Arbeloas kundër kundërshtarëve të fortë.
Megjithatë, përballja më simbolike do të vijë në Ligën e Kampionëve ndaj Benficas, ku në stolin kundërshtar do të jetë Jose Mourinho. Një duel i veçantë për Arbeloan, i cili do të përballet me trajnerin që ka pasur ndikim të madh në karrierën e tij si futbollist.
Të mendosh se në ndeshjen e tij të dytë evropiane si trajner do të sfidojë një legjendë të bankinës, e bën këtë moment edhe më domethënës.
Kështu nis epoka e Alvaro Arbeloas në stolin e Real Madridit: me pesë ndeshje dhe tre gara brenda vetëm 14 ditësh, një fillim intensiv që do të testojë aftësinë e tij për të udhëhequr nga një prej stolive më të vështira dhe më prestigjioze në botën e futbollit. /Telegrafi/




































telegrafi.com 

