Ndeshjet në Evropë – Emërllahu zbulon kundërshtarin më të vështirë në Ligën e Konferencës dhe si është të luash në garat evropiane

I ftuari i radhës në podcastin “Arena e Yjeve” ishte futbollisti i njohur kosovar, Lindon Emërllahu. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorëve zyrtarë Golden Eagle , Air Munich dhe Exfis.
Emërllahu ka folur për përvojën e paharrueshme të Ballkanit në garat evropiane, duke u ndalur te emocionet e shortit, kundërshtarët e fortë dhe ndjesia e përfaqësimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Se ishim në përgatitje në Ohër dhe e shihnim shortin me kënd po na bie, ishte shumë emocionuese. Kishim qejf me ndonjë ekip shumë më të madh dhe më të mirë, që me e kallxu veten”, ka treguar Emërllahu.
Ai theksoi krenarinë që ndjente si pjesë e një klubi kosovar që po garonte denjësisht në Evropë, pavarësisht se vjen nga një shtet i vogël.
“Jemi prej Kosovës, është klubi i Kosovës. Jemi shtet i vogël, ama mundemi me arrit shumë, shumë gjana”, është shprehur mesfushori.
Emërllahu kujtoi edhe grupin e vështirë ku Ballkani u përball me emra të mëdhenj të futbollit evropian, duke veçuar ndeshjet ndaj Slavia Pragës, CFR Clujit dhe Sivassporit.
“E kemi pasur në grup Sivassporin, Clujin dhe Slavia Pragën. Slavia ishte e fortë jashtë, sepse brenda ishim të barabartë, por nga korneri e japin gol në minutën e 77-të. Jashtë ka qenë më e vështirë, edhe pse shumë mirë kemi luajtur, por fati deshi që pesë gola të shënoheshin vetëm në pjesën e parë”, ka rrëfyer ai.
Sipas Emërllahut, ndeshja më e mirë dhe më emocionuese për të ka qenë ajo ndaj Sivassporit, duke e cilësuar si kulmin e përvojës evropiane.
“Ndeshja me Sivassporin ka qenë më e mira dhe më emocionuese. Çdo vit i kemi pasur kundërshtarët më të fortë, pasi rriteshin koeficientët. Viti i dytë, viti i tretë nuk ishte aq i mirë, pasi që patëm shumë ndryshime”, ka përfunduar Emërllahu.
Episodin e plotë me futbollistin Lindon Emërllahu mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube./Telegrafi/






































