Debutimi i Lindon Emërllahut si 17-vjeçar te Ballkani – Ismet Munishi e mori te ekipi i parë, Blendi Shkëmbi ia dha debutimin

I ftuari i radhës në podcastin “Arena e Yjeve” ishte futbollisti i njohur kosovar, Lindon Emërllahu. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorëve zyrtarë Golden Eagle , Air Munich dhe Exfis.
Emërllahu ka folur për fillimet e tij në futboll dhe për momentin kur u ftua për herë të parë në stërvitje me ekipin e parë të Ballkanit, pas vëzhgimeve të vazhdueshme nga trajneri Ismet Munishi në ndeshjet e grupmoshave të reja.
“Trajneri Ismet Munishi vinte na shikonte ndeshjet e U17, U19. Edhe si çdo klub që ka shumë të rinj në ekip, ishte dëshira e tij që erdhi e shikoi ndeshjen, pas ndeshjes, këta e këta lojtarë në stërvitje”.
Ai e ka cilësuar ftesën për t’u stërvitur me ekipin e parë si një privilegj të madh, duke theksuar entuziazmin që ekzistonte në klub në atë periudhë.
“Na ftoi në stërvitje. Ishte privilegj, pasi që ka pasur shumë lojtarë të fortë edhe në atë kohë Ballkani vetëm sa kishte nisur në Superligë edhe entuziazmi ishte shumë i lartë dhe për ne, për mua dhe disa shokë të tjerë të cilët na ka ftuar trajneri Ismet Munishi, ishte diçka e jashtëzakonshme, pasi të qëndrosh me ata lojtarë, të marrësh eksperiencë prej mesfushorëve që ka pasur Ballkani e kështu me radhë”.
Emërllahu u ndal edhe te debutimi i tij zyrtar në Superligë, i cili erdhi nën drejtimin e trajnerit Bledi Shkëmbi.
“Debutimin e kam arritur me Bledi Shkëmbin. Mosha ka qenë nëse nuk gaboj 18 vjet aty, ose 17, me Besën e Pejës në Pejë ka qenë borë. Përndryshe, Bledi Shkëmbi prej se kishte ardhur në Ballkan, e ka pasur njëfarë përshtypje shumë të mirë për mua”.
Ai shtoi se gradualisht filloi të përfshihej edhe më shumë në ekipin e parë.
“Më aktivizonte në stërvitje, e ndërronte dikë në formacion, më fuste në ekip të parë dhe me Besën kam debutuar e kështu me radhë”, ka rrëfyer Emërllahu.
Episodin e plotë me futbollistin Lindon Emërllahu mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube./Telegrafi/






































