GJENEVË – Ghebreyesus: Tërheqja amerikane nga OBSH është humbje për të gjithë
GJENEVË, 22 janar /ATSH-DPA/ – Sot shënohet një vit që kur presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi tërheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), vetëm disa orë pas marrjes së detyrës.
Sipas marrëveshjes mes SHBA-së dhe agjencisë së OKB-së me seli në Gjenevë, tërheqja hyn zyrtarisht në fuqi sot, pasi u përmbush periudha e detyrueshme njëvjeçare e njoftimit.
Teorikisht, një nga kushtet e parashikuara në marrëveshje për t’u tërhequr nuk është përmbushur, pasi SHBA nuk i ka paguar plotësisht kontributet financiare siç ishte rënë dakord.
Megjithatë, OBSH-ja nuk ka mjete për të kërkuar pagesën apo për të refuzuar tërheqjen.
“Shpresoj që SHBA ta rishqyrtojë vendimin dhe të rikthehet në OBSH,” tha në Gjenevë drejtori i përgjithshëm Tedros Adhanom Ghebreyesus, duke shtuar se nga ky hap humbasin të gjithë.
“Tërheqja është humbje për SHBA-në dhe gjithashtu humbje për pjesën tjetër të botës,” tha Tedros, duke theksuar se çështja nuk ka të bëjë me paratë, por me bashkëpunimin dhe solidaritet.
Pakënaqësia e Trumpit me OBSH-në daton që nga pandemia e koronavirusit.
Ai u përpoq ta nxirrte SHBA-në nga organizata gjatë mandatit të tij të parë. Por, pasardhësi i tij, Joe Biden, u bë president para se të përfundonte afati njëvjeçar dhe e anuloi urdhrin e Trumpit.
Trump e akuzon OBSH-në për keqpërdorim fondesh dhe për menaxhim të dobët të pandemisë. /Ad.Ab./ a.jor.
The post GJENEVË – Ghebreyesus: Tërheqja amerikane nga OBSH është humbje për të gjithë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.