Java e 20-të e “Abissnet Superiore” premton spektakël
TIRANË, 18 janar /ATSH/ Kampionati “Abissnet Superiore” rikthehet sot dhe nesër me ndeshjet e Javës së 20-të.
Sot në orën 17:00 luhen dy takimet e para të kësaj jave. Në “Egnatia Arena”, Egnatia pret AF Elbasanin në një përballje spektakolare mes dy vendeve të para në renditje. Një sfidë me interes të veçantë, ku objektivi i të dyja ekipeve është fitorja. Egnatia synon të reagojë pas humbjes ndaj Vllaznisë dhe të rikthehet te suksesi në kampionat, ndërsa AF Elbasani vjen në këtë ndeshje pas tri javësh pa fitore dhe kërkon triumfin për të barazuar Egnatian në renditje.
Në të njëjtën orë, në Vlorë, Flamurtari do të përballet me Bylisin. Vlonjatët, që renditen në vendin e parafundit, do të kërkojnë rikthimin te fitorja në shtëpi për të siguruar pikë të rëndësishme në kampionat.
Tri ndeshjet e tjera të Javës së 20-të janë programuar të hënën. Në orën 13:30, Vora pret Tiranën në një duel ku të dyja skuadrat vijnë me moral të lartë, pas sukseseve në javën e fundit.
Në orën 17:00, në “Arenën e Demave”, Partizani do të përballet me Teutën. Të kuqtë kërkojnë të reagojnë pas humbjes ndaj Vorës, ndërsa Teuta vjen pas barazimit me Dinamo City-n dhe synon të marrë rezultat pozitiv në transfertë.
Java e 20-të do të mbyllet me spektakël në “Air Albania”, ku Dinamo City do të përballet me Vllazninë në orën 19:30. Të dyja skuadrat kanë nga 33 pikë në renditje dhe ndodhen katër pikë larg Egnatias kryesuese, duke e bërë këtë përballje një tjetër ndeshje me peshë të madhe për vazhdimësinë e kampionatit.
Renditja pas Javës së 19-të e Superiores: Egnatia kryeson renditjen me 37 pikë, e ndjekur nga AF Elbasani me 34 pikë. Dinamo City dhe Vllaznia ndjekin me nga 33 pikë secila. Teuta ka 26 pikë, Partizani 23, Vora 22, Bylisi 18, Flamurtari 15, Tirana 13.
The post Java e 20-të e “Abissnet Superiore” premton spektakël appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.


