Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Radoniqi: Ndërprerjet e rrymës të kontrolluara, dalja e votuesve deri në orën 15:00 është pak më e lartë se më 9 shkurt



Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Kreshnik Radoniqi ka mbajtur në konferencë për media për daljen e votuesve deri në ora 15:00.

Ai po ashtu bëri të ditur se probleme me energji elektrike po vazhdon të ketë, por që ka intervenuar KEDS-i.

“Sipas raportit të orës 15:00, në dhomën operative të KQZ-së nga qendrat e ndryshme të votimit jemi duke pranuar se si është duke shkuar procesi zgjedhor”, tha Radoniqi.

“Sipas këtij raporti, u bë e ditur se kishte mungesë të energjisë në tri qendra votimi në komunën e Skenderajt, dy në komunën e Malishevës dhe dy qendra të tjera në Obiliq dhe Novobërdë”.

“Për të gjitha këto raste është informuar KEDS-i dhe intervenimi ka qenë në kohë rekorde”.

“Nga të dhënat preliminare që kemi marrë nga 96 për qind e qendrave të votimit, dalja është 28.65 për qind”.

“Sipas të dhënave nga Zgjedhjet Parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, dalja ishte 28.32 për qind”, shtoi kreu i KQZ-së. /Telegrafi/

KQZ: Deri në ora 15:00 kanë votuar 28.70 për qind e qytetarëve



Qytetarët e Kosovës u janë drejtuar për herë të katërt kutive të votimit, pasi aktualisht janë duke votuar për Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare.

Më 9 shkurt, asnjëra nga partitë nuk arriti të krijonte shumicën, duke bërë që vendi të futej në një bllokadë mbi nëntë muaj.

Kur jemi tek Zgjedhjet e Jashtëzakonshme të 28 dhjetorit, Komisioni Qendror Zgjedhor ka ofruar shifrat se sa qytetarë kanë votuar.

Deri në ora 15:00, 28.70 për qind e qytetarëve kanë ushtruar të drejtën për të votuar, raporton Telegrafi.

Por, cilat komuna po prijnë me daljen më të madhe deri më tani.

Zveçani është komuna që prinë me daljen me të madhe, pasi 46.11 për qind e qytetarëve kanë ushtruar të drejtën për të votuar.

Më pas është Ranillugu, ku 43.78 për qind e qytetarëve u janë drejtuar kutive të votimit, e më pas është Novobërda, me 40.70%.

Mamusha është e katërta me daljen më të madhe votuesve, pasi kanë votuar 39.31 për qind, derisa në Shtërpcë kanë votuar 37.05 për qind. /Telegrafi/

Kryetarja e Ranillugut po intervistohet nga Prokuroria nën dyshimin për ndërhyrje në procesin zgjedhor



Kryetarja e Komunës së Ranillugut, Tanja Antiç, është shoqëruar sot në Policinë e Kosovës për t’u intervistuar, nën dyshimet se ka ushtruar ndikim dhe presion ndaj votuesve gjatë procesit zgjedhor.

Burime të Telegrafit bëjnë të ditur se Antiç po merret në pyetje nga Prokuroria për ndërhyrje në vullnetin e lirë të qytetarëve.

Sipas të njëjtave burime, rasti lidhet me pretendime se kryetarja komunale ka vepruar në kuadër të një skeme të organizuar, e cila synonte orientimin e votës në favor të Listës Serbe, përmes formave të detyrimit dhe shantazhit.

Telegrafi ka tentuar të kontaktojë edhe me zyrën për informim në Policinë e Kosovës për rajonin e Gjilanit, mirëpo deri në kohën kur është publikuar lajmi nuk ka marrë informatë. /Telegrafi/

Basha: Qytetarët vendosin për të ardhmen përmes votës



Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, ka shfrytëzuar sot të drejtën e votës në kuadër të Zgjedhjeve Parlamentare, duke votuar në shkollën fillore “Tefik Çanga” në Ferizaj.

Pas votimit, kryeparlamentari Basha e cilësoi ditën e zgjedhjeve si festë të demokracisë, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes qytetare në procesin zgjedhor.

Ai falënderoi të gjithë akterët institucionalë për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit.

“Zgjedhjet janë ditë feste për demokracinë, ku qytetarët e shprehin vullnetin e tyre përmes votës. Falënderoj të gjithë akterët për organizimin e procesit zgjedhor dhe bëj thirrje për një pjesëmarrje sa më të lartë, që së bashku të vendosim për të ardhmen tonë”, ka deklaruar Basha. /Telegrafi/

Limaj: Secili qytetar ka mundësinë që përmes votës t’i japë shpresë dhe perspektivë Kosovës



Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të gjerë të qytetarëve në Zgjedhjet Parlamentare, duke theksuar rëndësinë e votës për të ardhmen e vendit.

Pas përfundimit të votimit të tij, Limaj deklaroi se dita e sotme përfaqëson një moment kyç për forcimin e institucioneve dhe funksionalitetin e shtetit.

Ai vlerësoi se vendimi i qytetarëve nëpërmjet votës është përcaktues për drejtimin zhvillimor të Kosovës.

“Sot, secili qytetar ka mundësinë që përmes votës së lirë t’i japë shpresë dhe perspektivë zhvillimit të shtetit të Kosovës”, u shpreh Limaj.

Deri në ora 13:00, 11.07 për qind e qytetarëve kanë ushtruar të drejtën për të votuar. /Telegrafi/

Komunat që po prijnë me daljen më të madhe në votime



Qytetarët e Kosovës u janë drejtuar për herë të katërt kutive të votimit, pasi aktualisht janë duke votuar për Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare.

Më 9 shkurt, asnjëra nga partitë nuk arriti të krijonte shumicën, duke bërë që vendi të futej në një bllokadë mbi nëntë muaj.

Kur jemi tek Zgjedhjet e Jashtëzakonshme të 28 dhjetorit, Komisioni Qendror Zgjedhor ka ofruar shifrat se sa qytetarë kanë votuar.

Deri në ora 13:00, 11.07 për qind e qytetarëve kanë ushtruar të drejtën për të votuar, raporton Telegrafi.

Por, cilat komuna po prijnë me daljen më të madhe deri më tani.

Ranillugu është komuna që prinë me daljen me të madhe, pasi 33.28 për qind e qytetarëve kanë ushtruar të drejtën për të votuar.

Më pas është Shtërpca, ku 23,46 për qind e qytetarëve u janë drejtuar kutive të votimit, e më pas është Novobërda, me 20.89%.

Gjilani është i katërti me daljen më të madhe votuesve, pasi kanë votuar 15.93 për qind, derisa në Lipjani kanë votuar 15.48 për qind. /Telegrafi/

KEK: Pesë njësi gjeneruese në operim për të përballuar rritjen e konsumit



Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se është në gatishmëri të plotë operative, duke vënë në funksion të gjitha kapacitetet e disponueshme prodhuese për të garantuar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike për qytetarët, në kushtet e rënies së temperaturave dhe rritjes së konsumit.

Sipas njoftimit zyrtar të KEK-ut, që nga data 19 dhjetor 2025, korporata ka rritur angazhimin operacional në nivel maksimal, duke operuar aktualisht me pesë njësi gjeneruese.

Si rezultat i këtij angazhimi, prodhimi ditor i energjisë elektrike po arrin rreth 20,640 MWh, duke kontribuar ndjeshëm në stabilitetin e furnizimit dhe në qëndrueshmërinë e sistemit elektroenergjetik të Republikës së Kosovës.

KEK sqaron se në kushte normale operimi, zakonisht funksionon me katër njësi gjeneruese, ndërsa një njësi mbahet si rezervë e nxehtë për nevoja teknike dhe mirëmbajtje periodike.

Megjithatë, pavarësisht moshës së avancuar të stabilimenteve, falë angazhimit të vazhdueshëm të stafit teknik dhe përkushtimit të menaxhmentit, është bërë e mundur operimi paralel me pesë njësi, me përjashtim të dy ndërhyrjeve të shkurtra teknike në një nga njësitë.

Nga KEK theksojnë se korporata mbetet e përkushtuar që të mbajë në operim sa më shumë kapacitete prodhuese që është e mundur, gjithmonë duke respektuar standardet e sigurisë teknike dhe stabilitetit operacional.

“Qëllimi ynë kryesor është garantimi i një prodhimi të qëndrueshëm të energjisë elektrike dhe siguria energjetike e qytetarëve, veçanërisht në periudhat me kërkesë të rritur”, thuhet në njoftimin e KEK-ut. /Telegrafi/

Radoniqi: Ankesa për ndërprerje të energjisë elektrike në gjashtë komuna



Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Kreshnik Radoniqi ka bërë të ditur se sa është numri i qytetarëve që kanë votuar deri në ora 11:00.

Sipas Radoniqit, 8.27 për qind e qytetarëve kanë votuar deri në ora 11:00, derisa ka pasur ankesa për ndërprerje të energjisë elektrike në gjashtë komuna.

“Procesi i votimit në të gjitha komunat është duke u zhvilluar në mënyrë të rregullt, dhe deri më tani kur flasim, nuk ka pasur ndonjë incident të raportuar”, tha Radoniqi, raporton Telegrafi.

“Çdo informacion që kemi, jemi duke e pranuar me seriozitet të plotë dhe në bazë ligjore”.

“Sipas raportit të orës 11:00, në dhomën operative të KQZ-së janë raportuar për ndërprerje të energjisë elektrike në gjashtë qendra të votimit që i takojnë gjashtë komunave si: Istog, Ferizaj, Viti, Rahovec, Gjilan dhe Graçanicë”.

“Komisionet kanë njoftuar KEDS-in në lidhje më këtë situatë. Në Rahovec, po ashtu kemi marr raportimet se në disa fletëvotime janë vërejtur shenja të dukshme në numra, kjo ka shkaktuar ankesa në radhët e këshillave të vendvotimit”.

“Deri në ora 11:00, 8.27 për qind e qytetarëve kanë votuar. Deri në të njëjtën kohë të Zgjedhjeve Parlamentrae të mbajtur më 9 shkurt, numri i qytetarëve që kanë votuar është 8.58 për qind”, shtoi më tej ai. /Telegrafi/

Abdixhiku: Qytetarët të votojnë për largim nga zymtësia dhe bllokada



Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i është drejtuar qytetarëve që të dalin të votojnë në Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare.

Ai ka thënë se qytetarët të votojnë për zhvillim, stabilitet dhe për të ardhmen euroatlantike.

“Është një ditë e mirë, ditë e mbarë dhe shpresoj që gjithçka të shkoj mirë”, tha Abdixhiku.

“Uroj që qytetarët të votojnë për zhvillim, stabilitet, për të ardhme euroatlantike dhe të largohen nga zymtësia dhe bllokada që na ka shoqëruar në këto vite”.

“Le të fitojë populli i Kosovës, siç di të fitojë në ditën e zgjedhjeve”, shtoi më tej ai. /Telegrafi/

Dyshohet për cenim të lirisë së votimit dhe kanosje në Mitrovicë të Veriut



Dy qytetarë kanë raportuar në polici një rast të dyshuar të cenimit të përcaktimit të lirë të votuesve dhe kanosjes, që ka ndodhur të shtunën në mbrëmje në Mitrovicë të Veriut.

Sipas informatave zyrtare, ankuesit kanë deklaruar se në intervalin kohor nga ora 18:55 deri në ora 18:59 të datës 27.12.2025 janë përballur me ushtrim presioni ndaj tyre, në lidhje me Zgjedhjet Parlamentare.

"Dy ankues kanë raportuar në lidhje me ushtrimin e presionit ndaj tyre për Zgjedhjet Parlamentare", thuhet në raportin e Policisë, përcjell Telegrafi.

Lidhur me rastin, autoritetet kompetente kanë njoftuar prokurorin e shtetit, ndërsa hetimet janë në zhvillim për të sqaruar rrethanat dhe për të identifikuar personat e përfshirë.

Policia ka bërë të ditur se do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për trajtimin e rastit dhe garantimin e ushtrimit të lirë të së drejtës së votës. /Telegrafi/

Vjedhje e rëndë në Ferizaj, grabiten armë, stoli ari dhe para të gatshme



Një rast i vjedhjes së rëndë është raportuar të shtunën rreth orës 18:05 në Ferizaj, ku persona të panjohur kanë depërtuar në një shtëpi banimi dhe kanë vjedhur armë, stoli ari dhe para të gatshme.

Sipas informatave të para, nga shtëpia janë marrë një armë e gjatë, një armë gjuetie, një sasi stoli ari si dhe para kesh, ndërsa pronarit i është shkaktuar dëm material.

Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente, të cilat kanë nisur procedurat hetimore për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve.

Policia nuk ka dhënë ende detaje shtesë lidhur me rrethanat e ngjarjes apo vlerën e dëmit të shkaktuar.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që, nëse kanë informacione që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rastit, t’i raportojnë ato në stacionet policore përkatëse. /Telegrafi/

Hamza fton qytetarët që të dalin të votojnë



Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza i është drejtuar qytetarëve të vendit pasi që ushtroi të drejtën për të votuar.

Kreu i PDK-së ka ftuar qytetarët që të dalin të ushtrojnë të drejtën e tyre, për të përcaktuar se kush do të udhëheq me vendin në katër vitet e ardhshme.

“I ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që të votojnë sipas vullnetit të tyre dhe besoj që do të jetë një ditë e mirë”, tha Hamza.

“Pres që të jetë një rezultat i mirë dhe deri më tani është duke shkuar gjithçka mirë”.

Hamza u pyet nëse ka dëgjuar për ndonjë parregullsi: “Jo, deri më tani nuk ka dëgjuar për ndonjë incident dhe shpresoj që të shkojë mirë”. /Telegrafi/

Ambasadori britanik pas vizitës në KQZ: Profesionalizëm dhe gatishmëri për mbarëvajtjen e zgjedhjeve



Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka vlerësuar lartë përgatitjen dhe profesionalizmin e institucioneve përgjegjëse për organizimin e procesit zgjedhor në Kosovë.

Në një postim të publikuar në Facebook, Hargreaves bëri të ditur se gjatë mëngjesit ka vizituar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ku nga afër është informuar për ecurinë e procesit dhe gatishmërinë institucionale.

“Një tjetër proces zgjedhor është duke u zhvilluar. Vizita ime sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve theksoi profesionalizmin dhe përgatitjen e stafit të KQZ-së, këshilltarëve, policisë dhe prokurorëve, të gjithë të gatshëm që dita e sotme të shkojë mbarë”, ka shkruar ambasadori britanik, përcjell Telegrafi.

Ai theksoi se në mbarë vendin janë të angazhuar shumë persona për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, duke e cilësuar procesin si një përpjekje të gjerë institucionale dhe qytetare.

“Ka kaq shumë njerëz të përfshirë në të gjithë vendin. I uroj Kosovës një tjetër demonstrim të suksesshëm të demokracisë”, përfundoi Hargreaves.

Procesi zgjedhor në Kosovë po përcillet edhe nga përfaqësues të misioneve diplomatike dhe vëzhgues ndërkombëtarë, të cilët kanë theksuar rëndësinë e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe transparente për forcimin e demokracisë në vend. /Telegrafi/


Vrasje në tentativë në Prishtinë, një person dërgohet për trajtim mjekësor



Një rast i vrasjes në tentativë është raportuar mbrëmjen e së premtes në Sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë.

Sipas informatave zyrtare, ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:30, ku një mashkull është sulmuar me një mjet të mprehtë nga një person tjetër, po ashtu mashkull.

Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar menjëherë për trajtim mjekësor, ndërsa gjendja e tij shëndetësore nuk është bërë e ditur.

I dyshuari për rastin ndodhet në arrati dhe njësitë policore janë në kërkim të tij.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. /Telegrafi/

KQZ: Deri në ora 09:00 kanë votuar 1.75 për qind e qytetarëve



Në Kosovë është duke u mbajtur procesi i votimit për Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare.

Nga 9 shkurti, atëherë edhe kur ishin mbajtur zgjedhjet e rregullta, asnjëra parti nuk arriti të krijonte shumicën, duke quar vendin në bllokadë për mbi nëntë muaj.

Andaj, qytetarët u janë drejtuar edhe njëherë kutive të votimit, për të përcaktuar se kush do ta drejtojë vendin për katër vitet e ardhshme - derisa kjo është hera e katërt që qytetarët votojnë, duke llogaritur Zgjedhjet Lokale dhe balotazhin.

Komisioni Qendror Zgjedhor bëri të ditur në konferencën për media në ora 08:00, se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë, raporton Telegrafi.

Tani, ueb faqen e KQZ-së, janë bërë publike shifrat se sa kanë votuar nga ora 07:00 deri në ora 09:00.

Sipas Komisionit, dalja e qytetarëve deri në ora 09:00 është 1.75 për qind.

Komuna që prin me më së shumti dalje deri në këtë orë është Ranillugu, me 4.32 për qind. /Telegrafi/

KQZ: Të gjitha qendra e votimit janë hapur me kohë



Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi ka mbajtur konferencë për media për të treguar rreth asaj se si ka nisur procesi i votimit në Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare.

Ai bëri të ditur se gjithçka ka nisur me kohë në të gjitha qendrat e votimit, ndërsa shifrat e para se sa kanë votuar nga ora 07:00 deri në ora 09:00, do të nisin të shfaqen pas orës 09:00, duke vazhduar më tej me përditësime.

“Në orët e hershme të mëngjesit, materiali zgjedhor, përfshirë fletëvotimet, është shpërndarë me kohë në të gjitha qendrat e votimit. Gjithashtu njoftojmë se, duke u mbështetur në informacionet e pranuara nga KQZ, procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës ka nisur në të gjitha qendrat e votimit në Republikën e Kosovës”, tha Elezi, raporton Telegrafi.

Ai shtoi se procesi i votimit po zhvillohet në 948 qendra të votimit, ndërkaq numri i qytetarëve me të drejtë vote është 1 milion e 999 mijë e 205 votues.

“Sot procesi i votimit do të zhvillohet në 948 qendra të votimit me gjithsej 2614 vendvotime, prej të cilave 910 janë qendra me 2557 vendvotime që do të mundësojnë votimin e rregullt dhe 38 qendra të tjera, nga 1 për secilën komunë, me 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht”, potencoi Elezi.

Nga ora 09:00, në ueb faqen e KQZ-së, do t’i kemi shifrat e para për daljet e qytetarëve për të votuar në këto dy orët e para”.

“Pastaj do të vazhdojmë me orët e tjera, nga ora 11:00, për të vazhduar më tutje”, shtoi më tej ai. /Telegrafi/

Zogaj prezanton planin ekonomik: Rritje 5–7 për qind dhe investime kapitale



Sipas Alban Zogajt, programi ekonomik i LDK-së synon rritje ekonomike prej 5 deri në 7 për qind gjatë katër vjetëve.

Ai ka deklaruar se buxheti i Kosovës do të arrijë në 5 miliardë euro në fund të mandatit të parë.

Zogaj ka shtuar se investimet kapitale do të jenë mbi 1 miliard euro në vit, ndërsa një nga vendimet e para do të jetë rritja e koeficientit të pagave.

Më poshtë mund të shihni mesazhin e kandidatit për deputet nga radhët e LDK-së (123), me numrin 22 në këto zgjedhje, dr. Alban Zogaj.


Institucioni i Avokatit të Popullit do të vëzhgojë zgjedhjet parlamentare më 28 dhjetor



Institucioni i Avokatit të Popullit njofton se do të vëzhgojë procesin e Zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës 2025, që do të mbahen më 28 dhjetor, duke u fokusuar në respektimin e të drejtave të njeriut dhe standardeve demokratike të votimit.

Duke theksuar rëndësinë e monitorimit të pavarur dhe të paanshëm, IAP do të mbulojë të gjitha qendrat e votimit në vend.

“Përveç qendrave të zakonshme të votimit, do të vëzhgojmë edhe institucionet ku mbahen personat e privuar nga liria, shtëpitë për persona të moshuar dhe pa përkujdesje familjare, si dhe shtëpitë integruese në komunitet”, thuhet në njoftim.

IAP gjithashtu do të mbajë të hapur Zyrën Qendrore në Prishtinë gjatë gjithë ditës së zgjedhjeve, për të pranuar çdo ankesë lidhur me shkelje të të drejtave të garantuara me ligj.

“Qëllimi ynë është të sigurojmë një proces të drejtë dhe të paanshëm, ku çdo qytetar të ketë mundësinë të ushtrojë të drejtën e tij për votë në kushte të sigurta dhe të respektuara”, theksohet më tej.

Institucioni i Avokatit të Popullit bën thirrje që të gjitha palët të respektojnë ligjin dhe të bashkëpunojnë me vëzhguesit gjatë gjithë procesit zgjedhor, duke garantuar kështu një mbarëvajtje transparente të zgjedhjeve. /Telegrafi/


Bulliqi raporton para qytetarëve projektet dhe shpenzimet e vitit 2025 në Podujevë



Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, zhvilloi një takim me qytetarë, ku prezantoi raportin e punës së Ekzekutivit për vitin 2025 dhe projektet që janë duke u realizuar.

Në fjalën e tij, Bulliqi theksoi se buxheti i vitit 2025, në vlerë prej 33,459,115 euro, është shpenzuar mbi 99 për qind. Ai prezantoi projektet kryesore që po vazhdojnë të realizohen, përfshirë ndërtimin e Pishinës Gjysmëolimpike në vlerë rreth 4 milionë euro, Qendrën Rezidenciale për të moshuar (2.5 milionë euro), Qendrën Multifunksionale (1 milion euro), Tregun e Gjelbër (1 milion euro), Kuzhinën Qendrore (700,000 euro) dhe ndërtimin e shkollave “Nuhi Gashi” në Bradash dhe “Jetullah Gashi” në Dobërdol, si dhe dy salla sportive.

“Te Drejtoria e Urbanizmit janë asfaltuar dhjetëra rrugë në qytet e fshatra dhe dhjetëra të tjera janë në proces. Përfshirë edhe rrugët e parapara në memorandumin me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, bëhet fjalë për 50 km asfalt në vlerë mbi 9 milionë euro”, tha kryetari Bulliqi.

Ai gjithashtu përmendi projektet në sektorët e Shërbimeve Publike, përfshirë kolektorin e ujërave të zeza, ndërtimin e urave, ndriçimin publik dhe rrugët me kubëza. Në kulturë, u përmend ndërtimi i aneksit dhe rinovimi i Teatrit “Avdush Hasani” si dhe ndërtimi i terreneve sportive. Në shëndetësi, investimet përfshinë blerjen e pajisjeve, furnizimin me barna dhe subvencionimin e 991 qytetarëve me sëmundje kronike, si dhe mbështetjen e OJQ-ve si Hendikosi, Autizmi dhe OFAP.

Në bujqësi, komuna ka dhënë subvencione për fermerë, furnizim me fidanë mjedrash dhe feferonash, ndërsa janë në proces dhënia e 162 mëshqerrave. Në arsim, u theksua ndërtimi i çerdheve, përmirësimi i katër shkollave me masa efiçiente në vlerë 698,728.80 euro, furnizimi me kabinete informatike dhe për shkencat natyrore, si dhe bursa për studentë. Zhvillimi ekonomik përfshin mbështetjen e bizneseve ekzistuese dhe startup-eve dhe rregullimin e hapësirave publike në fshatrat Kerpimeh, Sfeçël, Llapashticë dhe Dumnicë.

Pas prezantimit të raportit, kryetari Bulliqi hapi diskutimin me qytetarët, të cilët parashtruan kërkesat e tyre dhe morën përgjigje direkte nga kryetari.

“Ky takim është një mundësi për të diskutuar drejtpërdrejt me qytetarët dhe për të ndarë rezultatet e punës së Ekzekutivit në mënyrë transparente”, tha Bulliqi. /Telegrafi/


​Nesër votohet në 29 përfaqësi diplomatike të Kosovës në 18 shtete



Më 27 dhjetor do të zhvillohet procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në 29 përfaqësi diplomatike të Kosovës në 18 shtete të ndryshme të botës.

Procesi i votimit do të nisë në orën 07:00 të mëngjesit në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Stamboll, e cila do të jetë përfaqësia e parë diplomatike që hap dyert për votim, ku janë të regjistruar paraprakisht 116 votues, raporton KosovaPress.

Pas Turqisë, votimi do të vazhdojë në 15 shtete të Evropës, ku janë të regjistruar gjithsej 17 mijë e 761 votues, përfshirë Gjermaninë, Zvicrën, Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Belgjikën, Norvegjinë, Austrinë, Suedinë, Slloveninë, Danimarkën, Italinë, Kroacinë, Holandën, Republikën Çeke dhe Hungarinë.

Në fund, procesi i votimit do të zhvillohet edhe në kontinentin amerikan, për 1 mijë e 310 votues të regjistruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada. Për këtë qëllim, do të hapen përfaqësitë diplomatike në Uashington, Nju Jork, Otavë dhe Toronto.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka deklaruar për KosovaPress se për votimin në përfaqësi diplomatike janë organizuar gjithsej 40 vendvotime.

“Më 27 dhjetor, procesi i votimit në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës do të zhvillohet në 16 ambasada dhe 13 konsullata, të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës. Nga 77,086 votuesit jashtë Kosovës, të drejtë vote në këto përfaqësi diplomatike kanë vetëm 19,187 shtetas të Kosovës, të cilët janë regjistruar paraprakisht dhe kanë përzgjedhur votimin fizik në këto 29 misione. Materialet zgjedhore janë dërguar në këto përfaqësi dhe ato janë gati për votuesit”, tha Elezi.

Ai ka bërë të ditur se në të njëjtën kohë kur përfundon votimi në përfaqësi diplomatike, do të përmbyllet edhe procesi i votimit përmes postës, i cili ka nisur rreth dy javë më parë dhe të gjitha votat e grumbulluara do të dërgohen në Kosovë për numërim.

“Para ditës së zgjedhjeve në Kosovë do të përfundojë edhe votimi jashtë vendit për rreth 57 mijë e 899 votuesit e regjistruar për të votuar përmes postës, proces i cili ka nisur më 16 dhjetor. Të gjithë këta votues, kanë pasur kohë 12 ditë që pakon me fletëvotim, të cilën e kanë pranuar nga KQZ, ta dërgojnë në ndonjërën nga kutitë postare të hapura në 23 shtete të ndryshme të botës, përfshirë dhe Kosovën. Fletëvotimet që i takojnë votimit në përfaqësi diplomatike dhe votimit me postë, do të tërhiqen dhe numërimi i tyre do të bëhet në Kosovë”, tha Elezi.

Sipas tij, është detyrim ligjor i KQZ-së që të gjithë shtetasit e Kosovës të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit të largohen nga lista e votuesve brenda Kosovës, e cila shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve.

Ndërkaq, shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit, por që nuk janë regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës, mbesin në listën e votuesve brenda Kosovës dhe mund të votojnë në vendvotimin e tyre, nëse ndodhen fizikisht në Kosovë në ditën e zgjedhjeve.

❌