Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Jakaj: Nga sot janë 60 ditë afat për zgjedhjen e presidentit



Naim Jakaj nga IKD ka deklaruar se me nisjen e seancës së Kuvendit për zgjedhjen e presidentit ka filluar të rrjedhë edhe afati kushtetues prej 60 ditësh për zgjedhjen e presidentit.

Jakaj tha se në rast se brenda këtij afati nuk arrihet zgjedhja e presidentit, atëherë Kuvendi i Kosovës shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.

Sipas tij, në një situatë të tillë, zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të mbahen brenda 45 ditësh pas shpërndarjes së Kuvendit.

Ai tutje ka shtuar se ”Presidentja Vjosa Osmani nuk mund t’i shpallë zgjedhjet sot, pasi pas orës 00:00 përfundon afati ligjor”.

“Seanca ka filluar dhe me këtë ka nisur të rrjedhë afati prej 60 ditësh. Nëse brenda këtij afati nuk kemi president, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje, që mund të mbahen në muajin maj. Pastaj, brenda 45 ditësh organizohen zgjedhjet e jashtëzakonshme”, deklaroi Jakaj oër RTV21.

S'ka kuorum, ndërpritet seanca për presidentin



Kuvendi i Kosovës ka ndërprerë të enjten seancën për zgjedhjen e presidentit të ri, pasi në sallë ishin të pranishëm vetëm 66 deputetë, shumë më pak se numri i nevojshëm për të arritur kuorumin.

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka njoftuar ndërprerjen e seancës, duke theksuar se votimi do të vazhdojë në të ardhmen vetëm kur të plotësohen kushtet e nevojshme.

“Me këtë rast nuk ka kuorum për të vazhduar më tutje me votimin. Disa herë gjatë seancës i bëra thirrje deputetëve të munguar që të vijnë dhe të jenë të pranishëm në përputhje me Kushtetutën dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese. Situata është që ata nuk janë të pranishëm. Rrjedhimisht nuk kemi 2/3 e deputetëve”, tha Haxhiu.

Për zgjedhjen e presidentit në votimin e parë kërkohen të paktën 80 vota, një kuorum që sot nuk u arrit.

Ndërprerja e seancës nënvizon vështirësitë për arritjen e konsensusit mes partive politike për kreun e shtetit dhe e afron vendin drejt zgjedhjeve të reja në rast të dështimit të procesit.

LVV ka paraqitur dy kandidatë për president, Glauk Konjufcën dhe Fatmirë Mulhaxha-Kollçaku, por nuk arriti që të sigurojë pjesëmarrjen e opozitës./Telegrafi.

Abdixhiku: LDK, pas orës 12:00 pret dekretin për shpërbërjen e Kuvendit



Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se LDK pret shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës pas mesnatës, pas dështimit për të gjetur konsensus për zgjedhjen e presidentit.

“Me keqardhje më lejoni të theksoj që Kuvendi i Kosovës dhe partitë parlamentare nuk kanë arritur të gjejnë konsensusin e domosdoshëm për presidentin e unitetit të popullit të Kosovës".

"LDK ka bërë përpjekje për marrëveshje politike dhe për të arritur një konsensus të gjerë. Fatkeqësisht, ky konsensus ka kërkuar mbi 80 vota, që nuk u siguruan. Kosova po shkon drejt një procesi të ri zgjedhor. Në orën 00:00 të mesnatës, LDK mirëpret dekretin për shpërbërjen e Kuvendit”, tha Abdixhiku para gazetarëve.

Ai shtoi se LDK ka vepruar me vetëdije të lartë shtetërore dhe kombëtare, duke ofruar alternativa dhe zgjidhje për të gjitha partitë politike, por gatishmëria e tyre nuk është përputhur me ambiciet e palëve të tjera.

“Seanca e tanishme është e monopartiake, me dy kandidatë nga një parti. Konsensusi dhe uniteti nuk arrihen kështu. Për president nevojiten dy të tretat e votave të Kuvendit”, theksoi ai.

Ky paralajmërim vjen në një kohë kur partitë politike nuk kanë arritur të bien dakord për një kandidat të përbashkët, duke çuar vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare./Telegrafi.

Komiteti i Rajoneve i BE-së ia heq Kosovës fusnotën



Ambasadori i Kosovës në Bashkimin Evropian, Agron Bajrami, ka përshëndetur vendimin e Komitetit të Rajoneve të BE-së për të harmonizuar terminologjinë e përdorur për Kosovën me atë të Parlamentit Evropian, duke hequr asterisken dhe shënimin në fund të faqes.

Në një postim në rrjetin social "X", Bajrami e ka cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për përforcimin e rrugës së Kosovës drejt integrimit evropian.

Ai gjithashtu ka shprehur falënderime të veçanta për raportuesen e Komitetit për Zgjerimin, këshilltaren Gillian Coughlan, dhe për të gjithë anëtarët e Komitetit për këtë vendim me rëndësi.

“Ky vendim forcon perspektivën evropiane të Kosovës dhe tregon mbështetjen e BE-së për vendin tonë,” ka shkruar ambasadori Bajrami.

Çka është fusnota?

Më 24 shkurt të vitit 2012, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për përfaqësimin rajonal, që më vonë u bë e njohur si “marrëveshja e fusnotës”.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, fusnota do t’i shtohej emrit të Kosovës sa herë që vendi do të përmendej, për ta mundësuar përfaqësimin në konferenca e iniciativa të ndryshme rajonale e ndërkombëtare.

“Ky përcaktim është pa paragjykime ndaj statusit dhe në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe me opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës”, thuhet në marrëveshje.

Për Barguesin nga CIBOD, marrëveshja për fusnotën ishte një mënyrë që të lihej anash diskutimi lidhur me statusin e Kosovës si shtet i pavarur apo jo, për të diskutuar çështje të tjera.

“Meqenëse statusi i Kosovës është çështja më e ndjeshme në këtë konflikt ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës... nëse lihet anash me fusnotën, atëherë OKB-ja mund të punojë në gjërat e tjera, për shtetndërtimin e Kosovës apo procesin e ndërtimit të paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thotë ai për REL-in.

Kjo praktikë, sipas tij, u mor edhe nga institucionet e tjera, pasi që u mundësonte atyre që të punonin në fusha të ndryshme me Kosovën, pa marrë anë në mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë.

Emini vë në dukje se arritja e marrëveshjes për fusnotën, përveçse i mundësoi Kosovës bashkëpunim me vendet që nuk ia njohin pavarësinë, i mundësoi edhe nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim (MSA) me Bashkimin Evropian.

Kosova nënshkroi MSA-në me BE-në, që cilësohet si hapi i parë drejt anëtarësimit në BE, në vitin 2015./Telegrafi.

Great step forward from the @EU_CoR: aligning with @Europarl_EN terminology by dropping the asterisk & footnote for #Kosova.
Heartfelt thanks to CoR Rapporteur on Enlargement, Cllr Gillian Coughlan, and all CoR members for this meaningful decision that strengthens Kosova’s #EUpic.twitter.com/XeYtNycFEF
— Agron Bajrami (@AgronBajrami) March 5, 2026

S’ka kuorum, dështojnë amendamentet kushtetuese për zgjedhjen direkt të presidentit



Amendamentet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani, të cilat parashikonin që presidenti i Kosovës të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët dhe jo nga Kuvendi, nuk kanë kaluar në Kuvend.

Në seancë ishin të pranishëm vetëm 93 deputetë nga gjithsej 120 sa ka Kuvendi i Kosovës, përfshirë 9 deputetë nga komunitetet joshumicë.

Për miratimin e amendamenteve kërkoheshin votat e dy të tretave të të gjithë deputetëve, si dhe dy të tretat e deputetëve nga komunitetet joshumicë.

Në seancë munguan deputetët e Lista Serbe, e cila ka nëntë ulëse në Kuvend, çka e bëri të pamundur sigurimin e numrit të nevojshëm të votave.

Për shkak të kësaj situate, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk i hodhi fare në votim amendamentet kushtetuese dhe njoftoi se për këtë çështje do të mbahet një seancë e re në një moment tjetër.

Përplasje në Kuvend, Musliu akuzon Kurtin për “sistem totalitar”, Haxhiu i tërheq vërejtjen



Seanca e Kuvendit e mbajtur në orët e mbrëmjes të së enjtes është shoqëruar me përplasje mes deputetëve të opozitës dhe kryesisht deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu, e cila ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti për mbajtjen e seancës gjatë natës.

Musliu e pyeti Kurtin se nga kush po frikësohet që po zhvillohet seanca në orët e vona, duke thënë se nuk ka ndonjë situatë të jashtëzakonshme që do ta arsyetonte këtë.

“Kisha pasë qejf një përgjigje prej Albin Kurtit: prej kujt po tuten që po mbajnë seancë natën. Kish me qenë me rëndësi, se po duket që po tuten fort sa i përket seancës. Edhe tash kur po flas, s’kam pranuar ftesë për pjesëmarrje në këtë seancë. Na ka ardhur një mesazh: ‘Hajdeni se kemi seancë në ora 20:00’”, tha Musliu.

Ajo më tej akuzoi kryeministrin se po tenton të instalojë një sistem totalitar, deklaratë që nxiti reagimin e kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila i tërhoqi vërejtjen se mund t’i ndërpritet fjala për shkak të gjuhës së përdorur.

Megjithatë, Musliu insistoi në qëndrimin e saj, duke kërkuar sqarim për vërejtjen.

“Tregom ku gabova, trego cila fjalë e imja ishte joparlamentare dhe unë kërkoj falje, të lutem”, tha ajo, duke vazhduar debatin në sallën e Kuvendit.

Abdixhiku: LDK mbështet amendamentet, por Kushtetuta s'ndërrohet natën, besomëni s’ka bereqet



Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka shprehur mbështetje për amendamentet kushtetuese që parashikojnë zgjedhjen direkte të presidentit të Kosovës, por ka kritikuar ashpër mënyrën se si po realizohen ndryshimet.

“LDK i mbështetë në parim amendamentet e tilla sepse janë në frymë me bindjen tonë ideologjike. Presidenti i Kosovës duhet të zgjidhet nga qytetarët. Pavarësisht vërejtjeve që pajtohem, Kushtetuta ndërrohet natën, besomëni s’ka bereqet”, tha Abdixhiku, duke e përshkruar procedurën si të nxituar dhe jo transparente.

Ai rikujtoi se amendamentet nuk janë ide të reja të LDK-së, por projekte që datojnë nga vitit 2011 dhe nga presidenti historik, dr. Ibrahim Rugova.

“Këto amendamente janë dërguar në Gjykatë Kushtetuese nga ne, sepse janë bindje ideologjike që datojnë nga presidenti historik. Presidenti duhet të zgjidhet nga populli. Ky koncept kërkon rregullim të ri kushtetues, duhet më tepër punë, por po i kapërcejmë.”

Megjithatë, Abdixhiku kritikoi ashpër ritmin e procedimit.

“Amendamentet hyjnë në fuqi gjashtë muaj pasi të votohen nga Kuvendi, dhe ne jemi vetëm 2-3 orë larg afatit përfundimtar. Kishte qenë mirë që këtë kohë ta kishim shfrytëzuar më mençur, por këto janë manovra politike të natës. Nata nuk ka bereqet, prandaj LDK-ja i mbështet dhe i voton", u shpreh ai./Telegrafi.

Komisioni për Legjislacion miraton ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen direkte të presidentit



Me 6 vota për dhe 2 kundër, Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës ka miratuar amendamentet kushtetuese të paraqitura nga presidentja Vjosa Osmani, të cilat parashohin që kreu i shtetit të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët. Procesi nuk kaloi pa debate të forta ndërmjet anëtarëve të komisionit.

Deputeti i LVV-së, Adnan Abrashi, tha se tani janë krijuar rrethanat për të proceduar këtë proces. “Pyetja më e rëndësishme që të gjithë e shtrojmë sot është kjo: A duhet qytetarët e Kosovës të kenë të drejtën për ta zgjedhur presidentin e tyre me votë të drejtpërdrejt? Nëse po, ne si deputetë duhet ta avancojmë demokracinë deri në këtë përmasë,” tha Abrashi, duke kërkuar nga kryesuesi i komisionit Përparim Gruda që procedimi të mos vonohet.

Nga ana tjetër, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku, theksoi se procedimi i amendamenteve nuk duhet të bëhet me urgjencë. “Reformat kushtetuese kërkojnë analizë, kohë dhe debat të mirëfilltë. Procedimi i tyre në kushtet e krizës politike nuk përbën një zgjidhje afatshkurtër,” tha Lushaku.

Deputeti i LVV-së, Vigan Qorrolli, nënvizoi se Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka vlerësuar më parë përmbajtjen e këtyre amendamenteve si kushtetuese dhe komisioni duhet të përqendrohet në përmbajtjen dhe procedurën e tyre, duke i shqyrtuar “germë për germë” për t’i dërguar më pas në seancë plenare.

Edhe anëtari tjetër i LVV-së, Adnan Rrustemi, theksoi se rrethanat aktuale justifikojnë procedimin e amendamenteve në seancë plenare, pasi faza e vlerësimit nga Gjykata Kushtetuese është përmbushur. Ai shtoi se elementi i fundit që mbetet është votimi i deputetëve sipas procedurës kushtetuese.

Ndërsa kryesuesi i komisionit, Përparim Gruda nga PDK, u shpreh se amendamentet e paraqitura nga presidentja Osmani nuk mund të shqyrtohen menjëherë pasi datojnë nga një dekadë më parë. “Për t’u diskutuar një amandament i vlefshëm, duhet që ai të dërgohet në Gjykatë, të vlerësohet, dhe komisioni të mblidhet brenda afatit të parashikuar me rregullore. Nuk mund të sjellim sot amandamente të bëra para më shumë se dhjetë vitesh,” tha Gruda.

Miratimi i amendamenteve nga komisioni për legjislacion hap rrugën për procedim në seancë plenare, duke afruar mundësinë që qytetarët e Kosovës të vendosin drejtpërdrejt për presidentin e ri të vendit./Telegrafi.

Presidenti direkt nga populli, çfarë pati vendosur Kushtetuesja në vitin 2012?



Rikthimi i diskutimit për zgjedhjen direkte të presidentit të Kosovës u bë aktual pasditen e të enjtes, kur Vjosa Osmani procedoi në Kuvendi i Kosovës një paketë amendamentesh kushtetuese që synojnë që kreu i shtetit të zgjidhet me votë të drejtpërdrejtë nga qytetarët.

Kjo nismë i riktheu në vëmendje amendamentet e vitit 2012, kur një komision i formuar nga Kuvendi kishte propozuar ndryshime të Kushtetutës për t’u vlerësuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës nëse ato pakësonin të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2012, propozimi që presidenti i Kosovës të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët përbën një përmirësim të të drejtës së qytetarëve.

“Gjykata konsideron që amendamenti i propozuar i Kushtetutës, i cili parasheh zgjedhjen e Presidentit të Republikës nga qytetarët me të drejtë vote, është përmirësim i të drejtës së qytetarëve. Për këtë arsye, Gjykata nuk e konsideron të nevojshme ta vlerësojë më tej kushtetutshmërinë e amendamentit të propozuar. Prandaj, Gjykata konkludon që neni i ri i propozuar 86.1 nuk pakëson ndonjë të drejtë dhe liri të përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës”, thuhet në vendimin e saj.

Në atë kohë, komisioni i Kuvendit kishte propozuar disa amendamentime të Kushtetutës, duke u fokusuar në vlerësimin nëse ato ndryshime mund të pakësonin të drejtat dhe liritë e qytetarëve. Përsa i përket çështjes së zgjedhjes së presidentit, propozimi kryesor parashihte që presidenti i Republikës së Kosovës të zgjidhej drejtpërdrejt nga qytetarët me të drejtë vote.

Gjykata kishte pranuar gjithashtu disa rregulla të tjera lidhur me procesin zgjedhor. Ndër to, shpallja e zgjedhjeve presidenciale duhet të bëhej nga kryetari i Kuvendit, jo më vonë se gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të rregullt të presidentit. Po ashtu, ishte pranuar edhe rregulla që nëse një kandidat merr 50 për qind të votave në rundin e parë, ai të zgjidhet president.

Në vendimin e saj, Gjykata pati vlerësuar disa nene të tjera të amendamenteve si të mundshme shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut, por nuk pati asnjë vërejtje ndaj neneve që lidhen me zgjedhjen e presidentit nga qytetarët. Kjo e bëri të qartë se ideja e zgjedhjes direkte të kreut të shtetit kishte bazë juridike dhe nuk cenonte të drejtat themelore të qytetarëve.

Rikthimi i këtij diskutimi në vitin 2026 vjen në një moment të ndjeshëm politik.

Presidentja Osmani po hyn në muajin e fundit të mandatit të saj dhe bazuar në deklarimet e fundit, partia në pushtet nuk ia siguroi nënshkrimet për një mandat të dytë, por përkundrazi propozoi kandidaturën e Glauk Konjufcës për president.

Nisma e Osmanit për të proceduar amendamentet ka për qëllim t’i mundësojë qytetarëve të vendosin drejtpërdrejt për presidentin, duke sjellë në diskutim mundësinë e një modeli tjetër të zgjedhjes së kreut të shtetit.

Analistët dhe ekspertët e fushës politike vënë në dukje se, megjithëse amendamentet e vitit 2012 u vlerësuan si të pranueshme nga Gjykata Kushtetuese, implementimi i tyre në rrethanat aktuale parlamentare është kompleks dhe kërkon konsensus të gjerë politik, pasi çdo ndryshim kushtetues përzgjedhjet direkte të presidentit kërkon miratimin e një shumice të cilësuar prej 80 deputetësh, përfshirë 14 vota nga komunitetet jo-shumicë./Telegrafi.

Vendimin e Kushtetueses mund ta lexoni KËTU.

Cakolli: Reforma kushtetuese për presidentin direkt kërkon konsensus dhe kohë



Eugen Cakolli nga KDI-ja, ka vlerësuar se nisma e Vjosa Osmani për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit mund të jetë pjesë e një debati serioz për reformën kushtetuese, por nuk adreson krizën aktuale institucionale që mund të lindë nga moszgjedhja e presidentit nga Kuvendi.

Sipas Cakollit, ndryshimi i Kushtetutës kërkon të paktën 80 vota në Kuvend, përfshirë 14 vota të deputetëve të komuniteteve jo-shumicë, një prag i vështirë për t’u arritur në rrethanat aktuale parlamentare.

“Edhe nëse amendamentet miratohen, teksti i tyre parasheh që zgjedhjet presidenciale shpallen gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të rregullt të presidentit. Ky rregull është menduar për një situatë të zakonshme institucionale, dhe në rrethanat aktuale nuk mund të zbatohet. Praktikisht, nëse amendamenti do të hynte në fuqi tani, ai do të zbatohej vetëm nga viti 2031”, tha Cakolli.

Ai shtoi se kalimi në një model të ri të zgjedhjes së presidentit kërkon miratimin e një kornize të tërë ligjore dhe nënligjore që rregullon procesin zgjedhor, administrimin e zgjedhjeve dhe kandidimin, një proces që është praktikisht i pamundur për t’u realizuar brenda një kohe të shkurtër.

Gjithashtu, sipas tij procedurat e “super”-përshpejtuara që shmangin standardet e rregullta ligjvënëse cenojnë sigurinë juridike.

Cakolli theksoi se në këto rrethana, propozimi për zgjedhje të drejtpërdrejtë të presidentit nuk ofron një zgjidhje të menjëhershme për situatën aktuale institucionale dhe se çdo ndryshim kushtetues kërkon kohë, konsensus të gjerë politik dhe një tranzicion të qartë juridik për të shmangur pasiguri dhe vakuum institucional./Telegrafi.

“Amendamentet e dërguara në 2011 nuk mund të shqyrtohen”, sqaron kryetari i Komisionit për Legjislacion



Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete në Kuvendi i Kosovës, Përparim Gruda, ka deklaruar se amendamentet kushtetuese të propozuara nga Vjosa Osmani për zgjedhjen e presidentit/es drejtpërdrejt nga populli nuk mund të shqyrtohen në këtë fazë, për shkak të tejkalimit të afateve.

Sipas Grudës, amendamentet u dërguan për vlerësim në Gjykata Kushtetuese e Kosovës në vitin 2011, dhe tashmë kanë kaluar më shumë se një dekadë nga shqyrtimi i tyre fillestar.

“Jemi gati 14 vjet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pasi çështja është dërguar në gjykatë në vitin 2011. Pra, kemi kaluar çdo afat. Unë sot mendoj se komisioni nuk mund të shqyrtojë amendamente që kanë kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese më shumë se një dekadë më parë”, tha Gruda.

Ai sqaroi se procedura e amendamenteve kushtetuese ka disa hapa të qartë: hapi i parë është propozimi nga Presidentja, Qeveria ose ¼ e deputetëve, pastaj dërgimi në Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar nëse amendamentet i shkelin të drejtat dhe liritë e njeriut, siç janë të mbrojtura në Kapitullin II të Kushtetutës, si dhe të drejtat e komuniteteve të përfshira në Kapitullin III.

“Kur Gjykata Kushtetuese përfundon shqyrtimin, amendamentet dërgohen në Komisionin për Legjislacion për shqyrtim. Nëse ka nevojë për pastrim të tekstit sipas vërejtjeve të Gjykatës, ato rregullohen dhe më pas përcillen në Kuvend”, theksoi Gruda.

Komisioni u mblodh pasditen e të enjtes, pak orë pasi Presidentja Osmani kishte dërguar në Kuvend amendamentet që propozojnë zgjedhjen e presidentit direkt nga populli, një iniciativë që, sipas presidencës, vjen “duke parë dështimet e njëpasnjëshme në zgjedhjen e presidentes/it”.

Nisma e Osmanit vjen në një moment politik të ndjeshëm, teksa afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri në Kuvend po afrohet, duke shtuar presionin mbi partitë për të gjetur një konsensus.

Me pistoletë në dorë, duke goditur derën me shkelma – pamje nga grabitja në Tiranë



Janë publikuar pamjet e grabitjes në Tiranë në një pikë këmbimi valutor në zonën e “5 Majit”.

Në pamje shihet 42-vjeçari i identifikuar si Luan Maçi, i cili pasi hyn në ambientet e pikës së këmbimit valutor, kërcënon me armë pistoletë punonjëset e pikës.

Pas grabitjes, Maçi u largua nga ambientet e qendrës tregtare ku ndodhi ngjarja me motor.

Sipas raportimeve, ai arriti të marrë të paktën 3 milionë lekë në dyqanin e këmbimit valutor në rrugën “5 Maji”.

Policia bën me dije se 42-vjeçari rezulton me precedent penal për të njëjtën veprimtari kriminale.

- YouTube www.youtube.com

Osmani procedon amendamentet për zgjedhjen e presidentit direkt nga populli



Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se ka proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit, duke e cilësuar këtë hap si përgjigje ndaj, siç tha, dështimeve të njëpasnjëshme në zgjedhjen e kreut të shtetit nga deputetët.

Sipas saj, amendamentet në fjalë janë hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011 dhe tani janë dorëzuar për shqyrtim në Kuvendi i Kosovës.

“Duke parë dështimet e njëpasnjëshme në zgjedhjen e Presidentes/it, sapo kam proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta të Presidentit/es, të cilat ishin hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011. I ftoj të gjitha partitë politike që të votojnë këto amendamente kushtetuese. Tash e tutje, le të flasë populli!”, ka deklaruar Osmani.

Nisma e saj vjen në një moment të tensionuar politik, në prag të skadimit të afateve për zgjedhjen e presidentit të ri në Kuvend.

Për miratimin e amendamenteve kushtetuese kërkohet shumicë e cilësuar e votave të deputetëve, përfshirë edhe votat e deputetëve nga komunitetet joshumicë./Telegrafi.

Policia gjen armë dhe municion në një shtëpi të braktisur në Leposaviq



Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë kontrolleve në rajonin e veriut ka gjetur armë dhe municion në një shtëpi të braktisur në fshatin Jashanicë, në komunën e Leposaviq.

Sipas njoftimit zyrtar, më 5 mars 2026, policia ka pranuar informacion se në këtë objekt mund të ndodheshin armë.

Njësitë relevante kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe gjatë kontrollit kanë sekuestruar:

një pushkë karabinë të tipit M48

një armë automatike AK-47

një pushkë gjuetie

një pistoletë CZ me dy karikatorë të zbrazët

128 fishekë të kalibrave të ndryshëm

Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e veprës penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Aktualisht nuk raportohet për persona të arrestuar, ndërsa rasti mbetet nën hetime.

Policia ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe ka bërë thirrje që çdo informacion që ndihmon në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike të raportohet në numrin 192./Telegrafi.

Gërmimet për të pagjeturit, në Rahovec u gjetën mbetje mortore



Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur (KQPZH) ka njoftuar se gjatë ditës së sotme, më 04.03.2026, kanë rifilluar gërmimet vlerësuese në lokacionin “Përzhina” në Rahovec.

Sipas njoftimit, gjatë këtyre gërmimeve janë zbuluar mbetje mortore të cilat janë dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Gjatë gërmimeve të realizuara sot janë gjetur mbetje mortore, të cilat janë zhvarrosur dhe dërguar për ekzaminim në Institutin për Mjekësi Ligjore, në përputhje me procedurat ligjore dhe standardet forenzike. Numri i saktë i individëve dhe identiteti i tyre do të mund të konfirmohen vetëm pas përfundimit të analizave përkatëse forenzike”- thuhet në njoftim.

KQPZH ka njoftuar se gjatë aktiviteteve të zhvilluara në muajin dhjetor të 2025 janë realizuar gërmime vlerësuese vetëm në një sektor apo hapësirë të zonës së interesit, me ç’ rast janë zhvarrosur mbetje mortore të dy individëve, si dhe janë gjetur disa pjesë kockore.

Ndërkaq, po sipas këtij komision, për shkak të kushteve të motit dhe disa faktorëve operacionalë, si dhe duke pasur parasysh sipërfaqen e madhe që kërkon verifikim dhe shqyrtimin e informatave shtesë, punimet në këtë lokacion ishin ndërprerë përkohësisht.

“Në përputhje me planifikimet dhe pas krijimit të kushteve për vazhdimin e aktiviteteve, ekipet e institucioneve kompetente, përkatësisht ekipet mjekoligjore të Institutit për Mjekësi Ligjore përfshirë edhe ekspertët e EULEX-it, me përkrahjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës- Sektori për Persona të Zhdukur , në zbatim të urdhëresës për zhvarrosje, autopsi dhe identifikim të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, janë rikthyer në këtë lokacion për të vazhduar gërmimet dhe verifikimet në terren”- thuhet në njoftim.

Gërmimet sipas KQPZH po realizohen sipas planifikimeve dhe koordinimit ndërinstitucional ndërmjet Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, Institutit të Mjekësisë Ligjore, si dhe organeve të drejtësisë.

Komisioni thot se do të vazhdojë me përkushtim të plotë edhe aktivitetet kërkimore dhe vlerësuese në terren, me qëllim të ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë, duke informuar opinionin publik në mënyrë të rregullt dhe transparente, me ndjeshmëri të veçantë ndaj familjeve të personave të zhdukur.

Gjini: Edhe po të na ftonte Kurti, ne nuk do ta takonim – fare nuk e ka pasur qëllim zgjedhjen e presidentit



Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka deklaruar në Debat Plus se partia e tij nuk do të merrte pjesë në takim me kryeministrin Albin Kurti, edhe nëse do të ishte ftuar.

Gjini ka theksuar se AAK kishte qëndrim të qartë për të mos ndihmuar, siç u shpreh ai, në asnjë variant që do t’i mundësonte Kurtit vazhdimin e qeverisjes.

Sipas tij, Kurti është “person tepër destruktiv” dhe përfaqëson një koncept që po e “shkërmoq Kosovën”.

“Kemi pasur qëndrim mos me shku edhe nëse na fton, ne nuk kemi dashur në asnjë mënyrë që me ndihmu në çfarëdo varianti që Albin Kurti me vazhdu qeverisjen për shkak se kemi qenë të bindur më shumë se tjerët që është person tepër destruktiv, është koncept që po e shkërmoq Kosovën”, ka thënë ai.

Sa i përket takimit të kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, me presidenten Vjosa Osmani, Gjini theksoi se në atë takim nuk janë kërkuar vota për zgjedhjen e presidentit dhe se kjo çështje nuk është diskutuar.

Ai ka shtuar se, sipas vlerësimit të tij, Kurti nuk e ka pasur për qëllim zgjedhjen e presidentit në këtë fazë dhe se vendi po rrëshqet drejt një degradimi institucional dhe krize të vazhdueshme politike.

“Zoti Kurti fare nuk e ka pasur për qëllim zgjedhjen e presidentit në këtë fazë. Më brengos që jemi duke rrëshqitur në një situatë që vetë ideja e asaj çfarë po bëjmë çka është politika çka janë njerëzit që i shërbejnë vendit është shkërmoq. Ka degradim total institucional, ka krizë permanente në Kosovë krizë e cila vazhdon nuk po flasim vetëm për vitin 2025, 2026 po flasim për kriza të vazhdueshme që janë prodhuar prej zotit Kurti”, ka deklaruar ai.

“Absolutisht fajtori kryesor i kësaj krize është Albin Kurti”, ka deklaruar tutje Gjini.

Haradinaj mohon raportimet se Osmani ka krijuar një listë të re politike “Shpresa”



Të mërkurën është raportuar se Vjosa Osmani po përgatit një listë të re politike me emrin “Shpresa”, me të cilën mund të garojë në zgjedhjet e ardhshme, potencialisht në koalicion me Lidhja Demokratike e Kosovës ose Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Raportimet vijnë në kontekstin e mundësisë që, nëse Kuvendi dështon të zgjedhë presidentin e ri deri të enjten, vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Megjithatë, këto pretendime janë mohuar nga keshilltarja e Osmanit, Meliza Haradinaj.

Ajo e quajti lajmin të pavërtetë dhe i bëri thirrje mediave të ndalojnë shpërndarjen e informacionit të rremë.

“Pretendimet se Presidentja Osmani ka formuar një organizim politik me emrin ‘Shpresa’ janë të pavërteta. Mjaft më me gënjeshtra!”, tha Haradinaj.

E gjithë kjo vie pas debatit për postin e presidentit, për të cilin, LVV dhe Osmani siç duket i kanë ndarë rruget./Telegrafi.

Nagavci: Jemi të gatshëm për zgjedhje të reja nëse nuk ka kourum për presidentin



Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë në konferencë për media se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i detyron deputetët të qëndrojnë në sallë.

Ajo tha se nëse deputetët e PDK, LDK e AAK dhe të tjerët vendosin mos të respektojnë këtë obligim si deputetë, atëherë LVV është e gatshme për zgjedhje.

Ajo thotë se ky nuk është vullneti i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Nëse deputetët e PDK, LDK,AAK vendosin mos të respektojnë këtë obligim të tyre si deputet, për të mundësuar funksionalitetin e shtetit, ne jemi të gatshëm për zgjedhje të reja përkundër se kjo nuk është vullneti jonë”, ka thënë ajo.

Deputetja e LVV-së: Osmani të shkojë në Kuvend të matet me Konjufcën



Në prag të skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, më 5 mars në mesnatë, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë zyrtarisht me kandidatin e saj për këtë pozitë – Glauk Konjufca, aktualisht zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme.

Zyrtarizimi i kandidaturës së Konjufcës ka nxitur reagime nga Presidenca. Zyra e Vjosa Osmani ka mohuar se LVV i ka ofruar mbështetje për një mandat të dytë dhe nënshkrimet e nevojshme për të hyrë në garë.

Ndërkohë, deputetja e LVV-së, Arbërie Kryeziu, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke deklaruar se nëse Osmani beson se gëzon më shumë mbështetje parlamentare sesa Konjufca, atëherë mazhoranca është e gatshme t’ia sigurojë nënshkrimet për kandidim.

“Nëse Vjosa Osmani beson se gëzon më shumë mbështetje se Glauk Konjufca, ne jemi të gatshëm t’ia japim nënshkrimet që të kandidojë dhe ta testojë këtë mbështetje. Është Kuvendi ai që vendos dhe aty matet vullneti”, ka shkruar Kryeziu.

Ndërkaq Hollaj kritikoi ashpër LVV-në për mënyrën se si po e trajton procesin e kandidaturës së Osmanit.

Sipas saj, tendenca me e fajësu opozitën për shkuarje në zgjedhje, është turp.

“Nëse dikujt i thoni ‘eja veç sa për formalitet, bëhu kundërkandidate e Glauk Konjufca’, pra veç sa për numër, në mënyrë që pastaj të mund ta fajësojmë së bashku opozitën për shkuarje në zgjedhje, a ka më turp? Presidentes nuk i keni ofruar asnjë votë për t’u rizgjedhur, por i keni kërkuar që të bëhet formalitet e numër, në mënyrë që sot të dilni me manipulime të tilla. Ne nuk i trajtojmë institucionet e shtetit ashtu", tha Hollaj./Telegrafi.

LDK: Pa emra konsensualë dhe marrëveshje politike, nuk marrim pjesë në seancën për presidentin



Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhja Demokratike e Kosovës, Jehona Lushaku, ka deklaruar se kjo parti nuk do të marrë pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit, për aq kohë sa nuk ka emra konsensualë dhe një marrëveshje politike paraprake.

“Për aq kohë sa emrat nuk janë konsensualë dhe nuk janë dakorduar me një marrëveshje politike, ne nuk marrim pjesë”, tha Lushaku në një konferencë për media.

Ajo u tregua e rezervuar edhe kur u pyet nëse LDK-ja do ta kandidonte Vjosa Osmani për presidente, duke theksuar se partia e saj nuk i ka numrat për të propozuar një kandidat.

“Ne do ta kishim kandidatin tonë me nënshkrimet tona, po të kishim më shumë deputetë. Ne nuk mund të kandidojmë kandidat të tjerë. Ata kanë 66 deputetë dhe mund të paraqesin dy kandidatë”, nënvizoi ajo, duke iu referuar shumicës parlamentare.

Sipas saj, në takimet që kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar me kryeministrin Albin Kurti, nuk janë diskutuar emra konkretë për postin e presidentit.

“Emra të përveçëm nuk janë diskutuar, për aq sa jam informuar, dhe nuk dua të jap hipotetikisht situata. Ne do ta shqyrtojmë kandidaturën dhe do të marrim qëndrim se cila do të jetë sjellja jonë brenda seancës, por meqë s’kemi pasur zyrtarisht emra, nuk mund të flasim më konkretisht”, deklaroi Lushaku./Telegrafi.

❌