Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

“Kam besim te kreu i ri i SPAK”/ ‘21 Janari’, Gjikondi: Brenda janarit pritet të ketë…

Juristja Brizida Gjikondi tha se pritet zhvillim konkret brenda muajit janar për dosjen e “21 Janarit”, ndërsa çështja e “Gërdecit” hyn në vitin e 18-të nga ngjarja, duke theksuar se hetimet për 21 Janarin po ecin me ritme të shpejta.

E ftuar në emisionin “Ora e Fundit” në ABC News, Gjikondi shprehu besim te drejtimi i ri i SPAK nën Klodian Brahon, ndërsa kritikoi ashpër klimën politike, protestat e opozitës dhe sjelljen e figurave drejtuese, duke nënvizuar se politika në Shqipëri, sipas saj, shpesh bashkohet jo nga morali, por nga interesat dhe përfitimet financiare.

“Për ’21 Janarin’ besoj se do të ketë diçka konkrete brenda janarit, kurse ‘Gërdeci’ në mars bën 18 vjet që ka ndodhur. Dosja për ’21 Janarin’ po ecën shpejt. Kam besim te kreu i ri i SPAK Klodian Braho njësoj siç kam pasur për Altin Dumanin. Është koha për një reflektim shumë të madh nga ana qytetare.

Ajo pseudo protestë madhështore e Berishës para Kryeministrisë përfundoi vetëm me largimin online të Ervin Salianjit. Ishte e turpshme. Më agresiv  se Berisha janë vartësit e tij, të cilët presim që nga momenti në moment Berishës t’i rrëshqasë këmba, kurse Salianji u ka prishur lëpirjen e servilizmit. Nuk i bashkon morali, por intrigat dhe përfitimet financiare. Shikojmë që klasat politike në përgjithësi i lidhin çështjet e interesave”, tha Gjikondi./abcnews.al

‘Gërdeci’, prova e SPAK për Shkëlzen Berishën/ Gjikondi: Të gjitha tentakulat të çojnë te familja Berisha

Juristja Brizida Gjikondi, e ftuar në emisionin “Ora e Fundit” në ABC News, deklaroi se SPAK po rivlerëson të gjitha provat e mëparshme lidhur me tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona.

Sipas saj, hetimet e reja synojnë të zbardhin përgjegjësitë reale të ngjarjes, pavarësisht zhdukjes së një pjese të provave, dhe të vendosin lidhjen shkak-pasojë mes aktorëve të përfshirë.

Gjikondi theksoi se, sipas bindjes së saj, fijet e çështjes çojnë te familja Berisha dhe se rastet “Gërdeci” dhe “Partizani” përfaqësojnë shembuj të ndikimit direkt ose indirekt të ish-kryeministrit Sali Berisha në pasurimin e familjarëve, duke i bërë thirrje SPAK-ut të tregojë kurajo dhe të identifikojë publikisht përgjegjësit.

“SPAK po rivlerëson të gjitha provat e mëparshme. Të mos harrojmë që kanë vdekur 26 persona të pafajshëm. Të gjitha tentakulat të çojnë te familja Berisha, të gjitha strukturat kanë qenë në funksion të Shkëlzen Berishës. Më në fund po merret guximi për t’i dhënë emër dhe mbiemër asaj tragjedie. Ne e dimë që shumë prova janë zhdukur, kamerat dhe sistemi i monitorimit. Prokuroi mendoj që do jetë i aftë të bëjë lidhjen shkak-pasojë.

Nuk ka qenë aksidentale vdekja e zotit Trebicka që ka qenë dëshmitar për “Gërdecin”. Berisha ka lidhje indirekte dhe ka dijeni me atë që ka ndodhur me fëmijët e tij. “Partizani” dhe “Gërdeci” janë dy raste flagrante që Berisha direkt apo indirekt ka ndikuar në pasurimin e familjarëve të tij, duke vënë në dispozicion shtetin për përfitime personale. SPAK duhet të ketë kurajon dhe t’u vërë emrin personazheve përgjegjës për këtë ngjarje”, tha Gjikondi./abcnews.al

Ish-presidenti brazilian shtrohet në spital, i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale

Ish-presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, iu nënshtrua sot një ndërhyrjeje kirurgjikale në një spital në kryeqytetin e Brasilia-s, njoftoi familja e tij. Bolsonaro u operua për një hernie dhe ndërhyrja zgjati tre orë e gjysmë dhe kaloi pa ndërlikime, raportoi AP.

Ish-presidenti, i cili u shtrua në spital dje, ka qenë duke vuajtur një dënim me 27 vjet burg që nga nëntori për përpjekje për grusht shteti pas zgjedhjeve që humbi, kujtoi agjencia.

Bolsonaro mori miratimin e gjykatës për të dalë nga burgu pasi mjekët e policisë federale konfirmuan se ai kishte nevojë për ndërhyrje kirurgjikale.

Gjykatësi Alexander de Moraes lejoi shtrimin në spital, por jo kërkesën e avokatit që Bolsonaro të jetë në arrest shtëpiak pas operacionit.

Ai nuk ka kontakt me të burgosurit e tjerë dhe në qelinë e tij prej 12 metrash katrorë ka një krevat, banjë, kondicioner, tavolinë dhe televizor, sipas autoriteteve braziliane.

Dje, de Moraes gjithashtu miratoi që Bolsonaro të vizitohej nga djemtë dhe gruaja e tij.

Djali i madh i Bolsonaros, senatori Flavio Bolsonaro, u tha gazetarëve sot se babai i tij e kishte caktuar atë në një letër si kandidat presidencial të Partisë Liberale në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Flavio Bolsonaro njoftoi më 5 dhjetor se do të kandidojë kundër presidentit aktual Luis Iñasio Lula da Silva, kujton AP.

Një i vdekur dhe 10 të plagosur nga një sulm rus

Një grua 80-vjeçare ka humbur jetën sot në Çernihiv, qytet në veri të Ukrainës, si pasojë e goditjes së një droni rus mbi një ndërtesë pesëkatëshe.

Dhjetë persona kanë mbetur të plagosur, mes tyre tre fëmijë. Kështu shkruan Ukrinform, duke cituar Policinë Kombëtare.

“Është ngritur një strehë pranë vendit të sulmit armik, ku banorët lokalë mund të ngrohen. Punonjësit e policisë po mbledhin denoncime për dëmet në prona”, thuhet në raport.

Në vendngjarje po punojnë ekipet hetimore të policisë, ekspertët mjeko-ligjorë dhe të gjitha shërbimet e emergjencës.

Tension mbi Atlantik/ Avionët rusë i afrohen Britanisë, NATO reagon me avionë luftarakë

Aeroplanë luftarakë të NATO-s u ngritën në fluturim për t’u përballur me bombardues strategjikë rusë që fluturuan pranë ujërave britanike në Ditën e Krishtlindjeve, duke shkaktuar shqetësim në qarqet ushtarake dhe diplomatikë të Evropës Perëndimore.

Bombarduesit rusë Tu‑95MS, të cilët kanë kapacitet për të mbajtur armë bërthamore, u dërguan në një fluturim të gjatë mbi Detin Barents dhe Detin Norvegjez, në veri të Skocisë, afër hapësirës ajrore britanike.

Ky lloj aeroplani përdoret shpesh nga Rusia për misione të zbulimit dhe të demonstrimit të forcës, duke rritur tensionet në rajon.

Sipas Ministrisë Ruse të Mbrojtjes, bëhej fjalë për një “fluturim të planifikuar” mbi ujërat neutrale, por zyrtarët perëndimorë e vëzhguan fluturimin dhe vendosën masa monitorimi, duke ndjekur çdo lëvizje të bombarduesve rusë nga ajri dhe radarët tokësorë.

Gjatë misionit, bombarduesit u shoqëruan nga avionë luftarakë rusë Su‑33, të cilët ofruan mbështetje dhe siguruan një korridor të sigurt për aeroplanët strategjikë.

Fluturimi zgjati më shumë se shtatë orë, duke përfshirë kalimin pranë disa zonave të rëndësishme ushtarake dhe kufijve të hapësirës ajrore të vendeve aleate.

NATO reagoi shpejt, duke ngritur aeroplanë luftarakë përgjigjeje për të monitoruar dhe shoqëruar avionët rusë. Sipas burimeve zyrtare, bombarduesit nuk hynë në hapësirën ajrore sovrane të Mbretërisë së Bashkuar, por u afruan mjaft pranë zonës së interesit strategjik të saj, duke vënë në gatishmëri forcat e mbrojtjes ajrore dhe duke rritur vigjilencën në të gjithë rajonin.

Ngjarja vjen në një kohë tensioni të shtuar midis Rusisë dhe aleatëve të NATO-s, duke treguar se kontrolli mbi hapësirën ajrore dhe reagimi i shpejtë mbeten elementë kyç për sigurinë kombëtare dhe stabilitetin e rajonit.

Plagosen disa persona në Suedi, autori qëllohet nga policia

Policia suedeze po heton një incident të rëndë në qytetin verior suedez të Bodenit. Gazeta Aftonbladet raporton se disa persona të plagosur janë dërguar në spital.

Sipas gazetës Aftonbladet, ka informacione se është kryer një krim i dhunshëm dhe se autori i krimit është qëlluar nga policia.

Zëdhënësi i policisë lokale njoftoi se ky ishte një incident serioz, në të cilin një ose më shumë persona u dërguan në spitalin e Sunderby për trajtim.

Sipas një banori vendas, në orën 13:00 të së enjtes kishte disa makina policie dhe disa ambulanca në vendin e ngjarjes. Banori raportoi se pa një person që po merrej nga një ambulancë.

Ai gjithashtu raportoi se dëgjoi një shpërthim.

Qyteti i Bodenit ndodhet rreth 80 kilometra në jug të Rrethit Arktik dhe është selia e Regjimentit të 19-të të Këmbësorisë së Suedisë.

Sërish Krishtlindje të përgjakura në Ukrainë/ Krisafi: Kievi s’do ketë asnjë garanci, është një iluzion

Eksperti për marrëdhëniet ndërkombëtare, Ledion Krisafi, i ftuar në emisionin “War Report” në ABC News, ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me luftën në Ukrainë dhe rolin e aktorëve ndërkombëtarë.

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara nuk e trajtojnë Ukrainën si një çështje etike dhe nuk ofrojnë garanci të drejtpërdrejta sigurie, duke mos hyrë në konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë.

Krisafi theksoi se Uashingtoni vijon të mbajë qëndrimin se barra kryesore e garancive duhet të bjerë mbi Europën, ndërsa zbatimi i tyre mbetet problematik për shkak të përballjes me Rusinë. Ai u shpreh se dhënia e garancive për Ukrainën mbetet një iluzion, sidomos në kushtet kur forcat ruse po shënojnë përparime në terren dhe kërkojnë zbatimin e shumicës së kushteve të tyre.

“Shtetet e Bashkuara nuk japin garanci dhe nuk e shikojnë Ukrainën si një çështje etike. Nuk bëjnë luftë me Rusinë për Ukrainën. Amerika vazhdon me të njëjtën logjikë se garancia më e madhe duhet që të jetë Europa. Problemi i zbatimit të garancive të Ukrainës është se nga ana tjetër është Rusia. Unë mendoj që Ukraina nuk do të ketë asnjëherë garanci, është një iluzion. Rusët për aq kohë sa janë duke fituar në terren, kërkojnë që të zbatohet pjesa më e madhe e kushteve”, tha Krisafi.

Rusia akuzon SHBA: Bllokada e Venezuelës është “pirateri dhe grabitje”

Ministria e Jashtme e Rusisë akuzoi të enjten Shtetet e Bashkuara se po ringjallin “piraterinë dhe grabitjen” në Detin e Karaibeve përmes bllokadës ndaj Venezuelës, ndërsa shprehu shpresën se “pragmatizmi” i presidentit amerikan, Donald Trump, do të ndihmojë në shmangien e një katastrofe.

“Sot po jemi dëshmitarë të një gjendjeje të plotë paligjshmërie në Detin e Karaibeve, ku po rikthehen praktika të harruara të grabitjes së pronës së huaj, pra pirateria dhe plaçkitja”, deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, duke komentuar situatën.

Zakharova theksoi se Moska qëndron vazhdimisht në favor të uljes së tensioneve. “Shpresojmë që pragmatizmi dhe racionaliteti i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, të mundësojnë gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme për të gjitha palët e përfshira, brenda kuadrit të rregullave të së drejtës ndërkombëtare”, u shpreh ajo.

Zëdhënësja ruse rikonfirmoi gjithashtu mbështetjen e Rusisë për Venezuelën dhe presidentin e saj, Nicolás Maduro, duke nënvizuar se Moska “mbështet përpjekjet e qeverisë Maduro për mbrojtjen e sovranitetit dhe interesave kombëtare të vendit, si edhe për ruajtjen e një zhvillimi të qëndrueshëm dhe të sigurt”.

Turqia arreston 115 pjesëtarë të dyshuar të ISIS-it

Autoritetet turke kanë ndaluar 115 të dyshuar të Shtetit Islamik, pasi dyshohet se do të kryenin sulme gjatë Krishtlindjes dhe Vitit të Ri. Lajmi u konfirmua nga zyra e kryeprokurorit të Stambollit.

Bastisjet masive janë kryer në 124 vende të ndryshme të Stambollit, ku janë konfiskuar armë zjarri, municione dhe dokumente të dyshimta.

Zyrtarët kanë thënë se mbështetësit e IS-it kanë qenë duke planifikuar në mënyrë aktive sulme nëpër Turqi këtë javë, sidomos kundër atyre që nuk i përkasin besimit islam.

Ndërkohë, policia turke bëri me dije se po vijon puna për kapjen e 22 personave të tjerë.

Në 2025, dëshira e francezëve për emigrim në nivelin më të lartë

Në vitin 2025, dëshira e francezëve për t’u larguar nga vendi ka arritur nivel rekord. Sipas një studimi të Gallup-it të publikuar këtë javë, besimi në institucionet franceze ka rënë ndjeshëm këtë vit, ndërsa dëshira për t’u larguar nga Franca është rritur, raportoi “Euronews”.

Vlerësohet se më shumë se një e katërta e francezëve mendojnë të shpërngulen përgjithmonë jashtë vendit.

Kjo rritje e numrit të njerëzve që mendojnë të ikin, e paparë për gati 20 vjet, vjen pas një rënieje të ndjeshme të besimit në institucione dhe një klime politike që perceptohet si gjithnjë e më shqetësuese.

Sipas institutit, 27% e të rriturve në Francë thonë se do të donin të zhvendoseshin përgjithmonë jashtë vendit nëse do të kishin mundësi, nga 11% sa ishin vitin e kaluar. Besimi në sistemin gjyqësor (50%) dhe në institucionet financiare (42%) kanë rënë ndjeshëm.

Në frontin ekonomik, pesimizmi është i përhapur : 67% e francezëve besojnë se situata e tyre po përkeqësohet, krahasuar me vetëm 21% që e shohin atë duke u përmirësuar.

Që nga viti 2015, Franca ka qenë një nga vendet më pesimiste ekonomikisht të OECD-së, menjëherë pas Greqisë.

Sipas Gallup, lidhja midis mosbesimit institucional dhe dëshirës për t’u larguar është e qartë: gati gjysma e francezëve me pak ose aspak besim tek institucionet raportojnë se duan të largohen nga vendi, krahasuar me një përqindje shumë më të vogël midis atyre që ruajnë besim të lartë.

“Njerëzit duhet t’i afrohen besimit”/ Qosja: Askush s’duhet që të demoralizohet. Zoti nuk na braktis

Krishtlindja, një nga festat më të rëndësishme të krishterimit, përcjell çdo vit mesazhe shprese, besimi dhe bashkimi shpirtëror.

I ftuar në emisionin “Tirana Live” në ABC News, kleriku ortodoks At Dhimitër Qosja theksoi se kjo festë historike kujton se edhe në kohë të vështira askush nuk duhet të demoralizohet, pasi Zoti nuk e braktis njerëzimin dhe shpresa mbetet gjithmonë e gjallë.

“Besimtarët lutje dhe falenderime në Kishë. Nga komunikimi ynë duket që këto festat përcjellin gjithmonë një shpresë. Edhe Krishti erdhi në rrethana të vështira, prandaj duhet të forcojmë besimin shpirtëror. Besimtarët mblidhen në tryeza familjare, festat sjellin shpresë për njerëzimin.

Do donim që të kishim sa më shumë njerëz që i afrohen besimit nga ana praktike, por shohim njerëz nga ana tjetër që vazhdimisht kërkojnë shpresë dhe shpëtimtarë. Kjo festë është një ngjarje historike. Mesazhi kryesor është që askush nuk duhet që të demoralizohet. Ka shpresë, Zoti nuk na braktis. Dua të përcjell urimet e mia të përzemërta në çdo familje dhe person. Askush nuk duhet të ndjehet i braktisur nga hyjnorja dhe nga shoqëria”, tha At Dhimitër Qosja./abcnews.al

Sherr për motive banale në Korçë, një person i dëmtuar

Një sherr për motive banale është regjistruar ditën e sotme në lagjen nr. 7 të qytetit të Korçës. Sipas informacioneve paraprake, në konflikt janë përfshirë disa persona, ku si pasojë njëri prej tyre ka mbetur i dëmtuar.

Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje ka mbërritur policia, e cila ka ndërhyrë për të qetësuar situatën dhe ka nisur veprimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Materialet i janë referuar organeve kompetente për veprime të mëtejshme.

Ngjarje e rëndë në Kinë/ Biçikleta elektrike përfshihet nga zjarri, postieri gati digjet i gjallë

Në Kinë, një postier u përball me një ngjarje tragjike kur biçikleta e tij elektrike u përfshi nga zjarri ndërsa ai po ecte. Ngjarja ndodhi papritmas, duke lënë burrin të mbuluar nga flakët dhe duke shkaktuar djegie në rreth 90 për qind të trupit të tij.

Ai u dërgua menjëherë në spital, ku mjekët po punojnë për të stabilizuar gjendjen e tij kritike dhe për të trajtuar djegiet e rënda.

Shkaku më i mundshëm i incidentit është një bateri me defekt e biçikletës elektrike. Sipas mediave lokale, objekti ishte blerë vetëm pesë ditë para ngjarjes, duke treguar se problemi mund të ketë qenë teknik dhe jo rezultat i përdorimit të gjatë.

Ngjarja ka ngjallur shqetësim të madh në publik, veçanërisht tek përdoruesit e biçikletave elektrike, pasi tregon rreziqet që lidhen me pajisjet elektronike dhe rëndësinë e kontrollit të sigurisë para përdorimit.

Autoritetet po hetojnë rastin për të përcaktuar saktësisht shkaqet dhe për të parandaluar ngjarje të ngjashme në të ardhmen.

Aksidentoi për vdekje një 65-vjeçar në Bulevardin “Bajram Curri”/ AMP arreston policin

Një efektiv policie është arrestuar nga AMP, si i dyshuar  për kryerjen e veprës penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Arrestimi i tij është bërë pasi pasditen e sotme ka aksidentuar me motor për vdekje një 65-vjeçar në Bulevardin Bajram Curri.

Fillimisht 65-vjeçari ka qenë i shtruar në spital, por nuk ka mundur tu shpëtojë plagëve të marra.

Si pasojë e këtij aksidenti i dëmtuar lehtë ka mbetur edhe efektivi i policisë./abcnews.al

Vigjilja e Krishtlindjes/ Mbahet Mesha e Shenjtë në Katedralen “Shën Shtjefni” në Shkodër

Në vigjilje të Krishtlindjes, në Katedralen “Shën Shtjefni” në Shkodër  kremtohet Mesha e Shenjtë, një nga momentet më të rëndësishme të kalendarit liturgjik për besimtarët katolikë.

Mesha solemne celebrohet nga Arqipeshkvi i Dioqezës Shkodër-Pult, Imzot Giovanni Peragine, në praninë e klerikëve, besimtarëve dhe qytetarëve që marrin pjesë në këtë ceremoni fetare me domethënie të veçantë shpirtërore.

Imzot Giovanni Peragine, Arqipeshkëv i Dioqezës Shkodër-Pult, gjatë predikimit u shpreh se ne i kemi zbukuruar shtëpitë, rrugët me drita, por ato ndriçojnë jashtë. Duhet të ndezim dritën brenda nesh dhe ajo dritë vjen përmes Krishtit të lindur.

Krishtlindja përfaqëson lindjen e Jezu Krishtit dhe përcjell mesazhe paqeje, dashurie dhe shprese, ndërsa kremtimi në Katedralen “Shën Shtjefni”, një nga objektet më të rëndësishme të kultit në veri të vendit, mbetet një traditë e rëndësishme për komunitetin katolik të Shkodrës dhe më gjerë.

Fshehur në ngarkesën me arra, sekuestrohen 435 kg kokainë në Itali

Në portin e Gioia Tauro në jug të Italisë është sekuestruar më shumë se 435 kg kokainë e pastër. Siç raportojnë mediat e huaja, pakot ishin fshehur brenda një ngarkese me 1 mijë çanta me arra.

Sipas dokumenteve të transportit, droga ka origjinë nga Amerika Latine dhe destinacion për Europën Lindore, ndërsa vlera e saj në treg do të kapte vlerën e rreth 70 milionë eurove.

Sekuestrimi vjen në kuadër të inspektimeve të intensifikuara të fundvitit në një nga portet më të ngarkuara të Evropës dhe përbën një nga rastet më të bujshme vitet e fundit në Gioia Tauro.

Policia e konsideron goditje të rëndësishme të ardhurave të organizatave kriminale, pasi porti vazhdon të jetë një pikë “kyçe” për trafikimin ndërkombëtar të drogës në Europë.

Kievi zbulon planin me 20 pika/ Eksperti: Ukraina kërkon garanci. Interesi më i madh i Rusisë integrimi në arenën europiane

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Andi Hoxhaj, pedagog në King’s College, tha se rruga drejt paqes në Ukrainë është më afër se kurrë, duke theksuar se vendi pritet të mos preket territoriallisht dhe kjo përbën një zhvillim pozitiv si për Ukrainën ashtu edhe për presidentin Volodymyr Zelensky.

I ftuar në emisionin “War Report” në ABC News, Hoxhaj nënvizoi se integrimi i Ukrainës në Bashkimin Europian deri në vitin 2028 shihet si një garanci alternative sigurie, në një kohë kur disa vende të BE-së kundërshtojnë anëtarësimin e saj në NATO, ndërsa garancia paqeruajtëse pritet të mbështetet nga Europa me SHBA-në në rolin e monitoruesit.

Thuhet që Ukraina nuk do të preket dhe kjo është diçka pozitive si për vendin ashtu edhe për Zelenskyn. Ukraina ka kërkuar gjithmonë që të ketë garanci në NATO, shikohet që Ukraina të bëhet pjesë e BE brenda vitit 2028 dhe kjo mund të jetë një garanci për të mbajtur Ukrainën.

Plani është goxha i qartë, ku thuhet se garancia paqeruajtëse do jetë nga europianët, kurse SHBA do jetë monitorues. Interesi më i madh i Rusisë është që të marrë një pjesë të atyre tokave që synon. Shumë vende të Bashkimit Europian janë shprehur kundër anëtarësimit të Ukrainës në NATO. Rusia ka objektiva të tjera, jo vetëm Ukrainën, do që të integrohet përsëri në arenën europiane.

Mendoj që rruga drejt paqes është shumë afër. Kjo është pjesë e një lojë të madhe gjeopolitike, që palët kërkojnë ta zgjidhin paqen në pak muaj”, tha Andi Hoxhaj.

❌