Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Porto Cannone, bashkia që ruan gjallë identitetin arbëresh përmes kulturës dhe traditës

Në emisionin “Të gjitha rrugët të çojnë në Romë” në ABC News, këshilltarja për kulturën e Bashkisë së Porto Cannone, Valentina Flocco, ka prezantuar nga afër angazhimin institucional dhe shpirtëror të kësaj bashkie për ruajtjen dhe promovimin e identitetit arbëresh. Përmes një rrëfimi personal dhe institucional, ajo ka folur për aktivitetet kulturore të zhvilluara ndër vite, bashkëpunimet artistike me Shqipërinë, eventet muzikore e letrare, si dhe për vlerat historike e fetare që mbeten shtylla të komunitetit arbëresh. Në fokus të bisedës kanë qenë edhe muralet e reja artistike, traditat shekullore si gara e qerreve në nder të Zojës së Kostandinopojës, si dhe roli i kulturës dhe besimit në ruajtjen e identitetit dhe kujtesës kolektive të arbëreshëve të Porto Cannone.

“Gjuha dhe tradita ruhet”/ Skënderbeu në muralet e Campomarinos, simbol i identitetit arbëresh

Një pasqyrë e gjallë e trashëgimisë arbëreshe dhe lidhjes së saj me identitetin shqiptar u soll në emisionin “Të Gjitha Rrugët të Çojnë në Romë” në ABC Neës, përmes një interviste me Marco Altobellon, president i Institucionit të Kulturës të Bashkisë së Campomarinos.

Gjatë bisedës me gazetarin Artur Nura, Altobello foli për misionin e institucionit në promovimin kulturor dhe turistik të qytetit, vlerësimin e rrënjëve arbëreshe, si edhe për pasurinë historiko-kulturore që përfaqësojnë Pallati Norante, Biblioteka “Kodra” dhe Borgo i Pikturuar i Campomarinos, me muralet kushtuar Valljes arbëreshe, Skënderbeut dhe Shën Kristinës, shenjta mbrojtëse e qytetit.

Artur Nura: Me çfarë merret institucioni juaj?

Marco Altobello: Institucioni ynë merret me promovimin kulturor dhe turistik të qytetit dhe, në veçanti, me vlerësimin e rrënjëve tona arbëreshe dhe shqiptare, pasi Campomarino është një nga komunat më të mëdha në Itali me origjinë arbëreshe.

Artur Nura: Ndodhemi në një sallë që ka një emër të veçantë, apo jo?

Marco Altobello: Po, ndodhemi në Pallatin Norante, që është selia e Bibliotekës “Kodra”. Biblioteka i është kushtuar Ibrahim Korrës dhe kjo sallë, e dedikuar atij, quhet Salla Kodra. Ajo është gjithashtu selia e sportelit gjuhësor arbëresh dhe strehon disa vepra origjinale të Korrës, të dhuruara nga vetë artisti në vitin 2002, gjatë vizitës së tij në Campomarino. Vepra të tjera janë dhuruar nga Liliana Corfioti, nxënëse e Korrës. Këto janë vepra që pasurojnë trashëgiminë tonë historiko-kulturore dhe, mbi të gjitha, forcojnë lidhjen e komunitetit tonë me rrënjët arbëreshe.

Artur Nura: A ka vepra origjinale këtu në sallë?

Marco Altobello: Po, kemi dy vepra origjinale: një skulpturë të Korrës dhe një pikturë, gjithashtu të Korrës. Të dyja veprat i referohen totemit. Korra zakonisht pikturonte ose skaliste këtë simbol, i cili sipas tij përfaqëson paqen dhe vëllazërimin mes popujve. Për ne kjo ka një domethënie të veçantë, sepse komuniteti ynë ka pritur shqiptarët dhe arbëreshët, dhe vlera si mikpritja, paqja dhe vëllazërimi janë thelbësore për Campomarino-n.

Artur Nura: E ndaj plotësisht këtë mendim. Faleminderit shumë.

Marco Altobello: Faleminderit juve. Punë të mbarë.

Artur Nura: Muralët e Borgos së Pikturuar të Campomarinos paraqesin traditën arbëreshe, ndër to Vallja, Skënderbeu dhe Shën Kristina.

Zëvendëskryetar bashkie, çfarë përfaqëson kjo shesh?

Marco Altobello: Ky është Sheshi Largo Santa Maria, nga ku fillojnë lagjet tona të pikturuara dhe afresket murale. Pas meje ndodhet Kisha Nënë, për të cilën folëm edhe më parë, dhe nën të gjendet kripta, të cilën do t’ju çojmë ta vizitoni. Prej këtu nisin të gjitha muralet që shoqërojnë hyrjen në borgun e vjetër të Campomarinos.

Artur Nura: Tani i japim fjalën presidentit të Institucionit të Kulturës.

Zoti Altobello, a mund t’u shpjegoni shikuesve të ABC Neës simbolikën e këtyre muraleve?

Marco Altobello: Po, ndodhemi në Borgon e Pikturuar të Campomarinos, ku janë realizuar rreth tridhjetë murale të kushtuara traditës arbëreshe. Ky mural në veçanti paraqet Valljen, një valle tipike arbëreshe, e njohur në italisht si “ballo tondo”. Është një valle me veshje tradicionale, ku gratë arbëreshe formojnë një lloj rrethi dhe ndërrohen gjatë kërcimit. Është një traditë që ne e ruajmë ende sot.

Artur Nura: Ndër muralet është edhe ai kushtuar Skënderbeut, apo jo?

Marco Altobello: Po, Skënderbeu është një figurë shumë e rëndësishme si për shqiptarët ashtu edhe për arbëreshët. Ai udhëhoqi arbëreshët në ikjen nga osmanët, të cilët më pas mbërritën në brigjet tona, veçanërisht në shekullin XV. Në atë periudhë, Campomarino u godit nga një tërmet i fortë që e shpopulloi vendbanimin dhe më pas u ripopullua nga shqiptarët e udhëhequr nga Skënderbeu.

Artur Nura: Po murali që shohim në fund, çfarë paraqet?

Marco Altobello: Murali në fund paraqet Shën Kristinën, shenjtën mbrojtëse të Campomarinos. Të gjitha muralet e tjera të Borgos së Pikturuar kanë tematikë arbëreshe dhe rikujtojnë rrënjët dhe traditat tona.

 

“Pesë shekuj shqip, pa shtet dhe pa zë”/ Në Campomarino atje ku ruhet bashkëjetesa arbëreshe

Në Campomarino të Molises, një qytet me rrënjë të thella arbëreshe dhe identitet të fortë kulturor, gjuha, tradita dhe kujtesa historike shqiptare vijojnë të mbahen gjallë prej më shumë se pesë shekujsh.

I ftuar në emisionin “Të gjitha Rrugët të Çojnë në Romë”, nënkryetari i bashkisë Michele De Giglio rrëfen për bashkëjetesën harmonike mes komunitetit italian dhe atij arbëresh, rolin e institucioneve lokale në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, si dhe përpjekjet për ta kthyer Campomarinon në një qendër turistike dhe kulturore të rëndësishme.

Nga biblioteka “Ibrahim Kodra” dhe enoteka e parë komunale e Molises, deri te Pallati Norante dhe “borgu i pikturuar”, Campomarino shfaqet si një shembull i gjallë i një identiteti që ka mbijetuar pa shtet, por jo pa zë.

Artur Nura: Pse keni zgjedhur ta bëni këtë intervistë pikërisht në këtë vend?
Michele De Giglio: Sepse ky është qendra e kulturës së Campomarinos.

Artur Nura: Ndodhemi në bibliotekën e Campomarinos, e cila mban edhe emrin e Ibrahim Kodrës?
Michele De Giglio: Po, biblioteka e Campomarinos i është kushtuar edhe Ibrahim Kodrës dhe kemi një sallë të dedikuar posaçërisht për të.

Artur Nura: Pra, nuk është një vend i zgjedhur rastësisht.
Michele De Giglio: Jo, aspak. Është një vend i lidhur me kulturën, veçanërisht atë verë-bujqësore.

Artur Nura: Campomarino është një qytet i lidhur me verën?
Michele De Giglio: Po, Campomarino është një qytet me rreth 8.000 banorë, me një thirrje të fortë turistike dhe tradita të rëndësishme në verë dhe vaj ulliri.

Artur Nura: Ideja për këtë laborator vere është e juaja?
Michele De Giglio: Po, kjo është enoteka e parë komunale në rajonin e Molises.

Artur Nura: Kur ka lindur ky projekt?
Michele De Giglio: Projekti ka lindur në vitin 2019.

Artur Nura: Si lindi ideja e enotekës?
Michele De Giglio: Patëm idenë e krijimit të një enoteke brenda bibliotekës komunale, duke shfrytëzuar ambientet ngjitur.

Artur Nura: A mund të na tregoni historinë e projektit?
Michele De Giglio: Projekti lindi disa vite më parë, me synimin për të krijuar një vitrinë të vogël të produkteve tipike të Campomarinos.

Artur Nura: Çfarë produktesh ekspozohen këtu?
Michele De Giglio: Vera e kantinave ekskluzivisht campomarinese dhe gjithashtu vaji i ullirit, sepse ne jemi qyteti i verës dhe i vajit.

Artur Nura: A prodhohen të gjitha këto vera këtu?
Michele De Giglio: Po, janë vetëm produkte të Campomarinos, pra produkte italiane.

Artur Nura: A ndihet prania arbëreshe në këto produkte?
Michele De Giglio: Po, në Campomarino ndihet gjithmonë prania arbëreshe. Jemi me origjinë shqiptare dhe ka shumë sipërmarrës me origjinë shqiptare këtu.

Artur Nura: A jeni arbëresh?
Michele De Giglio: Jo, unë jam italian.

Artur Nura: Si janë marrëdhëniet me komunitetin arbëresh?
Michele De Giglio: Janë shumë të mira, ekzistojnë marrëdhënie të shkëlqyera.

Artur Nura: Sa për qind e punonjësve të bashkisë janë arbëreshë?
Michele De Giglio: Nuk di një përqindje të saktë, por ka ende disa punonjës me origjinë arbëreshe.

Artur Nura: A e keni vizituar ndonjëherë Shqipërinë?
Michele De Giglio: Po, vetëm një herë.

Artur Nura: Dhe pse nuk jeni kthyer më?
Michele De Giglio: Do të kthehemi së shpejti, në varësi të angazhimeve familjare, institucionale dhe të punës.

Artur Nura: A keni më shumë punë gjatë verës?
Michele De Giglio: Po, Campomarino është një qytet turistik. Në dimër jemi rreth 8.000 banorë, ndërsa në verë arrijmë deri në 100.000 turistë.

Artur Nura: Sipas jush, a është e drejtë përvoja e sporteleve dygjuhëshe?
Michele De Giglio: Është shumë e drejtë, sepse ndihmon në ruajtjen e origjinës së qytetit tonë. Është e rëndësishme që të rinjtë të mos humbasin traditën arbëreshe të Campomarinos.

Artur Nura: Doja t’ju pyesja edhe për këtë pallat historik.
Michele De Giglio: Ky është Pallati Norante.

Artur Nura: A mund të bëjmë një xhiro?
Michele De Giglio: Sigurisht, do t’ju shpjegoj shkurtimisht.

Artur Nura: Çfarë gjejmë këtu?
Michele De Giglio: Këtu kemi një institucion turistik-kulturor që na ndihmon në promovimin e turizmit.

Artur Nura: Çfarë përfaqësojnë këto piktura?
Michele De Giglio: Janë piktura të dhuruara nga zonja Corfiati dhe artistë të tjerë, që paraqesin elemente të kulturës arbëreshe dhe të qytetit.

Artur Nura: Tani jemi në Sallën Kodra?
Michele De Giglio: Po, kjo është Salla Kodra, kushtuar Ibrahim Kodrës.

Artur Nura: A e keni njohur personalisht?
Michele De Giglio: Jo, për fat të keq nuk pata këtë nder.

Artur Nura: A janë këto vepra të tijat?
Michele De Giglio: Po, disa piktura janë dhuruar prej tij. Ka edhe flamurin shqiptar, të cilin e respektojmë shumë.

Artur Nura: A përdoret kjo sallë edhe gjatë verës?
Michele De Giglio: Po, falë institucioneve turistiko-kulturore organizojmë vizita të udhëzuara.

Artur Nura: Çfarë u ofroni turistëve?
Michele De Giglio: Përveç plazheve dhe bregdetit të bukur, organizojmë vizita falas në “borgun e pikturuar”, me afreske dhe murale, të shoqëruara nga guidat tona.

Artur Nura: A ka edhe vende të tjera të rëndësishme për t’u vizituar?
Michele De Giglio: Sigurisht. Pak metra më tutje ndodhet kisha amë, e cila ka brenda një kriptë historike që do t’jua tregoj.

Artur Nura: Atëherë, të shkojmë ta shohim.
Michele De Giglio: Po, të shkojmë.

 

Rutte: Trump ka të drejtë, duhet të mbrojmë Arktikun nga Rusia dhe Kina

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha të mërkurën në Forumit Ekonomik Botëror se është e nevojshme “diplomaci e menduar mirë” për të zgjidhur tensionet rreth Grenlandës, ndërsa njëkohësisht nënvizon meritat e Donald Trumpit për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes ndër aleatët evropianë.

Ndërsa presidenti amerikan Donald Trump udhëtoi drejt Davosit për të promovuar pretendimet amerikane mbi Grenlandën, Rutte përpoq të zhvendoste fokusin nga mosmarrëveshjet territoriale në një vizion më të gjerë të sigurisë, duke thënë se ky diskutim duhet zhvilluar “prapa skenave”.

Rutte u shpreh se pajtohet me Trumpin për rëndësinë strategjike të veriut.

“Kur bëhet fjalë për Arktikun, mendoj se presidenti Trump është i drejtë. Ne duhet të mbrojmë Arktikun nga ndikimi rus dhe kinez”, tha udhëheqësi i aleancës më të fuqishme ushtarake në botë.

Megjithatë, ai theksoi edhe rëndësinë e buxhetit të mbrojtjes. Rutte tha se pa presionin e Trumpit, shumë ekonomi të mëdha evropiane – përfshirë Spanjën, Italinë dhe Belgjikën – nuk do të arrinin objektivin e shpenzimeve prej dy për qind të GDP-së për mbrojtje në vitin 2025.

Ai përmendi gjithashtu Poloninë si një aleat të ngushtë të SHBA-së dhe vuri në dukje sfidat në prodhimin e pajisjeve ushtarake.

Duke iu referuar dyshimeve të Trumpit për gatishmërinë e Evropës për të ndihmuar nën aktivizimin e Nenit 5 të NATO-s (se sulmi mbi një anëtar është sulm mbi të gjithë), Rutte tha se Europa do ta bënte këtë, duke përmendur ndihmën pas 11 shtatorit si shembull.

Ai shtoi se për sigurinë e SHBA-së është e domosdoshme një Arktik, një Atlantik dhe një Evropë të sigurtë.

Me gjithë tensionet rreth Grenlandës – të cilat çuan Trumpin të kërcënonte me tarifa ndaj aleatëve evropianë dhe BE-në të konsiderojë masa kundër – Rutte theksoi se NATO është thelbësore jo vetëm për Evropën, por edhe për çdo mbrojtje të Amerikës.

Trump heq tarifat për Groenladën pas takimit me Mark Rutte

Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se nuk do të vendosë tarifat që ishin planifikuar të hynin në fuqi më 1 shkurt për Groenlandwn.

Në një postim në Truth Social, Trump tha se pas një “takimi shumë produktiv” me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, është krijuar “korniza e një marrëveshjeje të ardhshme për Grenlandën”.

“Bazuar në një takim shumë produktiv që kam zhvilluar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, kemi formuar kornizën e një marrëveshjeje të ardhshme në lidhje me Groenlandën dhe, në fakt, me të gjithë Rajonin Arktik. Kjo zgjidhje, nëse finalizohet, do të jetë shumë e favorshme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për të gjitha vendet anëtare të NATO-s. Bazuar në këtë mirëkuptim, nuk do të vendos tarifat që ishin planifikuar të hynin në fuqi më 1 shkurt. Po zhvillohen gjithashtu diskutime shtesë lidhur me “Kupolën e Artë” (The Golden Dome) sa i përket Groenlandës. Informacione të mëtejshme do të bëhen të ditura ndërsa diskutimet përparojnë. Zëvendëspresidenti JD Vance, Sekretari i Shtetit Marco Rubio, i Dërguari i Posaçëm Steve Witkoff dhe të tjerë, sipas nevojës, do të jenë përgjegjës për negociatat, ata do të raportojnë drejtpërdrejt tek unë. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!”, shkroi Trump.

Ai bëri me dije se diskutimet mbi çështjen e “Kupolës së Artë” në lidhje me Grenlandën vazhdojnë, ndërsa negociatat do të udhëhiqen nga Zëvendës-Presidenti JD Vance, Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe Përfaqësuesi Special Steve Witkoff, të cilët do t’i raportojnë direkt presidentit.

“Informacione të mëtejshme do të bëhen të disponueshme ndërsa diskutimet vazhdojnë”, përfundoi Trump.

“E bëri gjak Shqipërinë”/ Beqiri: “21 Janari” nuk mbyllet pa marrë burgim përjetë Berisha

Sot shënohen 15 vjet nga tragjedia e 21 Janarit, një ngjarje e dhimbshme që la katër qytetarë të vrarë dhe të tjerë të plagosur në kryeqytet. Ndërkohë, debatet mbi drejtësinë për këtë ngjarje vazhdojnë.

Në “Real Story” në ABC News, avokati Idajet Beqiri kritikon ashpër SPAK-un, duke theksuar se institucioni ende nuk ka bërë drejtësi dhe është i ndikuar nga ish-kryeministri Sali Berisha.

SPAK end nuk është në lartësinë e detyrës dhe po luan ndjenjat e një populli të tërë. Me atë që Shqipëria është në prag të integrimit në BE. Po e injorojnë këtë çështje jo se janë të paaftë, por se janë të kapur nga ish-kryeministri i vendit, sepse ka ende kontroll mbi SPAK. Berisha i mban të lidhur jo vetëm me dosje, por edhe me akte korruptive. Kemi të bëjmë me një krim që e pranon vetë autori i tij. Nuk mbyllet “21 Janari” dot është një krim i hapur. Duan ta mbyllin “21 Janarin”, por nuk e mbyllin dot është një krim i hapur që pa marrë ndëshkimin e duhur dhe pa marrë burgimin e përjetshëm siç e meriton Sali Berisha. Berisha e pranon vetë që ka bërë krim. I ka pranuar në një mënyrë apo në një tjetër në deklaratat e tij. Berisha e bëri gjak Shqipërinë”, tha Beqiri.

15 vite nga masakra e “21 Janarit”/ Beqiri: Berisha fshiu arkivin e televizioneve! Ku janë pamjet bruto?!

U mbajtën këtë të mërkurë në godinën e Kryeministrisë homazhe me rastin e 15-vjetorit të ngjarjes tragjike të 21 janarit, ku katër qytetarë humbën jetën në protestën e thirrur nga Partia Socialiste. Avokati Idajet Beqiri ngriti akuza të forta ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe institucioneve të drejtësisë gjatë një interviste në emisionin “Real Story” në ABC News, duke deklaruar se janë fshirë arkivat e televizioneve dhe se mungojnë pamjet bruto të një ngjarjeje të rëndësishme.

Sipas Beqirit, SPAK nuk ka vepruar siç duhet për mbledhjen e provave, madje as pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut, ndërsa hapja e dosjes, sipas tij, është meritë e Kolegjit të Lartë. Ai theksoi se drejtësia në Shqipëri nuk është tërësisht e “kalbur”, duke vlerësuar integritetin e disa gjyqtarëve, mes tyre edhe Irena Gjoka, si dhe akuzoi Berishën për veprime politike në bashkëpunim me faktorë grekë për të goditur kundërshtarët.

“Sali Berisha fshiu të gjitha arkivat e televizioneve. Ku janë pamjet bruto të ngjarjes?! SPAK nuk po merrte, nuk e regjistroi edhe pas vendimit të Strasburgut. Meritën që u hap dosja e ka Kolegji i Lartë. Të mos harrojmë që ky vend nuk është i kalbur në drejtësi. Ka persona që nuk vendosin asgjë para integritetit edhe një heroinë e tillë është edhe Irena Gjoka. Berisha dhe Beleri e çfarë nuk po bën me grekët për ta mposhtur. Ka shumë elementë të tillë”, tha Beqiri.

Ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi, u shpreh se ndërtimi i shtetit kërkon kohë dhe nuk mund të realizohet brenda pak vitesh, duke theksuar se sistemi i drejtësisë në të kaluarën ishte i varur nga politika. Klosi vlerësoi se, pavarësisht problemeve, reforma në drejtësi ka sjellë një hap të rëndësishëm përpara dhe se, pas gjashtë vitesh funksionim të sistemit të ri, ekziston ende shpresë për përmirësim.

“Shteti nuk bëhet as për 30 vjet, do kohën e vet. Kaluam nga një sistem dhe tani po përpiqemi që të krijojmë një shtet me parime të tjera. Që duhen disa njerëz, por këta që mund ta bënin këtë janë pak. Njerëzit që kanë shkuar te drejtësia janë shumë pak. Të gjithë që janë te drejtësia kanë interesat e tyre, si të gjithë. Ishte politika që emëronte sistemin e drejtësisë. Sistemi i drejtësisë nuk ishte i pavarur. Kemi 6 vjet me këtë sistemin e ri, dhe mburremi që është bërë një hap i rëndësishëm, po nuk zgjidhet për 6 vjet kjo punë. Por, tani ka një shpresë”, tha Klosi.

VIDEO/ Përfundon takimi Ivanka Trump dhe kryeministrit Edi Rama

Ka përfunduar takimi mes Ivanka Trump dhe Kryeministrit Edi Rama.

Pas darkës, dyshja ka qëndruar për disa momente jashtë ambienteve ku u zhvillua takimi, duke shkëmbyer bisedë të shkurtër, ndërsa gjithçka është shoqëruar nga masa të rrepta sigurie.

Më pas, Ivanka Trump është larguar me automjet, së bashku me Kryeministrin Rama, në drejtim të Orikumit.

“21 Janari i ka provat sheshit”/ Yzeiraj: Ka një marrëveshje të heshtur që nuk duan të merren me “shejtanin”

Ngjarja e 21 Janarit vijon të mbetet një nga çështjet më të debatuara në jetën politike dhe institucionale të vendit, 15 vite pas protestës ku humbën jetën katër qytetarë.

Këtë të mërkurë në godinën e Kryeministrisë u zhvilluan homazhe përkujtimore. Ish-ministri i Brendshëm Bajram Yzeiraj, i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, deklaroi se e vërteta për atë që ndodhi është e qartë për opinionin publik, por sipas tij drejtësia dhe prokuroria kanë dështuar ta trajtojnë siç duhet çështjen.

Yzeiraj akuzoi institucionet për heshtje dhe mungesë vullneti, duke theksuar se ekziston një “marrëveshje e heshtur” për të mos u përballur me përgjegjësitë e kësaj ngjarjeje tragjike.

“Nuk ka ndodhur asnjë shtet të botës. 21 Janari, populli e ka shumë të qartë se çfarë ka ndodhur, është tjetër gjë se drejtësia dhe prokuroria e prishën procesin e  rregullt. Nëse ju shikoni heshtje të presidentit, apo kryeministrit, edhe prokuroria luan rolin e shurdhmemecit.

Ka dhe shumë profesorë në juridikë që nuk shprehen. Ka një marrëveshje të heshtur që nuk duan të merren me shejtanin. Nuk dua të humbas shpresat, por fakti që është zvarritur kjo çështje duan që ta humbasin. Është gjykuar çështja në mënyrë të pjesshme. Shteti bëri të pamundurën që ta prishte, tani a do kenë vullnetin këta prokurorë që ta dëgjojnë dhe ta riformatojnë?!”, tha Yzeiraj.

Oferta e Wizz Air/ 500 mijë bileta me çmime 10% më të lira nga shkurti në tetor

Wizz Air, linja ajrore udhëheqëse në mënyrë të padiskutueshme në Shqipëri, ka kënaqësinë të njoftojë nisjen e një oferte të veçantë, e cila ofron deri në 10% ulje në fluturime të përzgjedhura drejt dhe nga Tirana. Ulja është aktive duke filluar nga kjo e mërkure dhe u vë në dispozicion pasagjerëve 500,000 vende me zbritje për udhëtime që realizohen nga 1 shkurti deri me 31 tetor.

Si linja ajrore më e madhe dhe më e konsoliduar në Shqipëri, Wizz Air vijon të forcojë angazhimin e saj ndaj vendit përmes një rrjeti që tashmë përfshin më shumë se 60 drejtime nga Tirana. Kjo gamë e gjerë destinacionesh siguron që udhëtarët shqiptarë të jenë më të lidhur me Europën se kurrë më parë, duke përfituar nga çmime të përballueshme, shërbime të shpeshta dhe besueshmëria e një linje ajrore të rrënjosur fort në treg.

Oferta u mundëson udhëtarëve të rezervojnë fluturime drejt disa prej qyteteve më të kërkuara në Europë. Ndër destinacionet e përfshira janë Parisi, Lyoni dhe Nica në Francë; Bari, Roma dhe Milano në Itali; si edhe Barcelona, Madridi dhe Valencia në Spanjë. Pasagjerët mund t’i rezervojnë që tani këto bileta me ulje online ne wizzair.com dhe në aplikacionin celular WIZZ.

Kjo ofertë me kohë të kufizuar feston praninë afatgjatë dhe investimet e vazhdueshme të Wizz Air në Shqipëri. Qoftë për një arratisje fundjave, një vizite familjare apo eksplorimin e një qyteti të ri, kjo zbritje ofron një mundësi të shkëlqyer për të udhëtuar edhe më lirë, duke përfituar nga rrjeti gjithnjë në rritje i Wizz Air. Linja ajrore Wizz Air ofron destinacione tërheqëse, duke garantuar çmime të përballueshme dhe hapësira zgjedhjeje.

Aktualisht, linja ajrore ofron një rrjet prej 63 destinacionesh, drejt 61 qyteteve në 20 shtete nga Shqipëria, duke rritur ndjeshëm lidhshmërinë dhe mundësitë e udhëtimit si për banorët, ashtu edhe për vizitorët. Gjatë vitit 2025, Wizz Air operoi pothuajse 31,000 fluturime drejt dhe nga Tirana, duke transportuar mbi 6.5 milionë pasagjerë, me 99.83% të fluturimeve të realizuara, një nga normat më të mira në industri. Që nga nisja e operacioneve në Shqipëri në vitin 2017, Wizz Air ka transportuar pothuajse 20 milionë pasagjerë, ka krijuar më shumë se 500 vende pune direkte për ekuipazhin dhe ka mbështetur mbi 16 mijë vende pune në industri të ndërlidhura.

 

“Masakra e 21 janarit, krim shtetëror”/ Hoxha: Basha personi kyç, do çojë në zbardhjen e plotë të ngjarjes

Me rastin e 15-vjetorit të masakrës së 21 Janarit, avokati Arbër Hoxha, i ftuar në “Tirana Live” në BAC Neës, e cilësoi këtë ngjarje si më të rëndën që ka ndodhur ndonjëherë në vend. Sipas tij, të gjitha provat tregojnë se bëhet fjalë për një vrasje me dashje, indirekte, dhe për një krim shtetëror.

Hoxha theksoi se Prokuroria e Posaçme duhet të çojë hetimin deri në fund, duke nënvizuar se zbardhja e plotë e ngjarjes lidhet me vullnetin institucional dhe jo me mungesën e provave. Ai ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi shkeljen e ligjit për përdorimin e armëve gjatë protestës, duke theksuar se armët lejohen vetëm në raste të veçanta, kur protestuesit janë të armatosur.

“Ngjarja e 21 Janarit është ngjarja më e rëndë e ndodhur ndonjëherë. Të gjitha provat të çojnë që kemi të bëjmë me një vrasje me dashje, indirekte. Kemi të bëjmë me një krim shtetëror. Unë mendoj që Prokuroria e Posaçme duhet të jetë në fund të hetimit. Basha duhet të ishte personi kyç, për t’i çuar te Berisha dhe zinxhiri komandues i gardës.

Nëse Basha do të tregohej i qartë do të kishim një zbardhje të ngjarjes, do të kishim një drejtësi të vonuar, por jo të harruar. Pse është shkelur ligji i përdorimit të armëve?! Sepse armët mund të përdoren në raste të veçanta, vetëm kur protestuesve janë të armatosur. Çështja nuk është aq komplekse sa është paraqitur. Është një krim shtetëror. Është një çështje vullneti dhe jo provash. Nuk besoj që situata është kaq komplekse”, tha avokati Hoxha.

15 vite nga masakra e “21 Janarit”/ Gjyli: Drejtësi e munguar për të ndjerët! Deklarata e Berishës skandaloze, është përgjegjës

Sot shënohen 15 vite nga masakra e 21 Janarit, një ngjarje që vijon të mbetet e pazbardhur dhe të rëndojë ndërgjegjen publike dhe institucionale në vend. E ftuar në “Tirana Live” në ABC News, pedagogia Arseida Gjyli theksoi se kjo ngjarje përbën një barrë të rëndë jo vetëm juridike, por edhe morale, duke nënvizuar pasigurinë dhe frikën që ndjejnë qytetarët për të ushtruar të drejtën e protestës.

Sipas saj, mungesa e drejtësisë për viktimat dhe familjarët e tyre mbetet shqetësuese, ndërsa SPAK duhet të zbardhë plotësisht ngjarjen. Gjyli kritikoi gjithashtu deklaratat e kreut të opozitës, Sali Berisha, duke i cilësuar ato skandaloze dhe duke theksuar se, si drejtues i shtetit në atë kohë, ai mban të paktën përgjegjësi morale për atë që ndodhi.

“Kjo është një barrë e rëndë që shkon edhe si përgjegjësi juridike, por edhe morale. Qytetarët ndjehen të shqetësuar, të cilët nesër mund të marrin vendimin për të dalë në një protestë, ndjejnë frikën se mund të ndodhë i njëjti akt. Asnjë qytetar nuk duhet të ndjehet i kërcënuar për të ushtruar të drejtën e tyre. Kjo është një drejtësi e munguar, për të ndjerët e rënë në atë ngjarje, për familjarët e tyre të cilët nuk po marrin një verdikt, në fund mbetet një çështje e drejtësisë se si do të reagojë në çështje kaq sensitive.

SPAK duhet që të zbardhë ngjarjen. Ka pasur disa avancime. Por, përsëri jemi në një ngjarje të pa zbardhur, edhe protesta e heshtur tregon që ne jemi sensitive. Ajo që mua më duket shqetësuese janë deklaratat e kreut të opozitës Sali Berishës, që nuk mbajti një përgjegjësi morale. Deklarata e tij është skandaloze. Berisha ka qenë në krye të shtetit në atë kohë dhe përpos të gjithave ka përgjegjësi morale”, tha Gjyli.

Ndryshime në Kodin Penal/ Kuvendi jep dritën jeshile, kusht nga BE për anëtarësimin

Socialistët i dhanë dritën jeshile në Komisionin e Ligjeve një paketë ndryshimesh në Kodin Penal, që përfshijnë nga ashpërsimi i dënimeve për trafikun e narkotikëve, pastrimin e parave, dënimet për krimet seksuale ndaj të miturve apo mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Evropian.

Sipas ministrit të Drejtësisë Besfort Lamallari, këto ndryshime janë në përmbushje të angazhimeve që burojnë nga integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Projektligji përafron plotësisht legjislacionin penal shqiptar me shtatë instrumente kyçe të Bashkimit Evropian, që lidhen me: – luftën kundër pastrimit të parave, – trafikimit të drogës, – trafikimit të qenieve njerëzore, -abuzimit dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve, – terrorizmit, – si dhe mbrojtjen e interesave financiare dhe sigurisë së Bashkimit Evropian”, tha Lamallari.

Ndryshimet parashikojnë heqjen nga Kodi Penal të veprës së shpifjes për gazetarët dhe forcimin e mbrojtjes së tyre.

“Projektligji vendos një ekuilibër të drejtë mes mbrojtjes së reputacionit dhe lirisë së shprehjes, duke përjashtuar përgjegjësinë penale për gazetarët që veprojnë me mirëbesim dhe në interes publik, ndërkohë që ashpërson ndëshkimet për dhunën apo kërcënimin ndaj tyre për shkak të detyrës”, shtoi ministri i Drejtësisë.

Dënime më të ashpra do të ketë edhe për ndërtimet pa leje, zënien e paligjshme të tokave, zjarrvënien apo edhe drejtuesit e automjeteve për parkim të dyfishtë.

“Projektligji ndërhyn edhe në një fenomen të përditshëm, por me pasoja serioze për sigurinë publike: parkimin në rresht të dytë, duke e trajtuar si vepër penale në rastet kur pengon seriozisht qarkullimin dhe lëvizjen e mjeteve të emergjencës”, u shpreh Lamallari.

Për miratimin e ndryshimeve në Kodin Penal duhen 84 vota, por mazhoranca i ka numrat, ndaj në parlament nuk i duhet konsensusi i opozitës.

VIDEO/ Stuhitë vazhdojnë të godasin Italinë jugore, shkaktojnë kaos dhe dëme të mëdha

Një valë stuhish që ka goditur Italinë jugore prej ditësh, duke shkaktuar kaos dhe dëme masive, vazhdoi pa u pakësuar të mërkurën, me Siçilinë, Sardenjën dhe Kalabrinë të goditura veçanërisht rëndë nga ‘Ciklon Harry’.

“Duket si një buletin lufte”, ka thënë Danilo Lo Giudice, kryetari i bashkisë së Santa Teresa di Riva, duke komentuar shkatërrimin e shkaktuar nga moti ekstrem në qytetin pranë Messinas. Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, dhjetëra familje të evakuuara u detyruan të evakuoheshin në Catania, ku deti, i fryrë nga erërat e forta, pushtoi zonën bregdetare të qytetit. Ishujt Aeolianë gjithashtu pësuan valë stuhish gjatë natës, me detin që pushtoi portet, rrugët dhe shtëpitë.

Violent storm surge hit Roccalumera, in Messina, Sicily, Italy 🇮🇹 (20.01.2026) pic.twitter.com/7W9jRML4vy

— Disaster News (@Top_Disaster) January 20, 2026

Zjarrfikësit duhet të shpëtojnë një teknik për gjigantin e energjisë Enel pasi ai u bllokua në furgonin e tij në ujërat e përmbytjeve në qytetin kalabrez të Catanzaros.

Fermerët italianë kanë raportuar gjithashtu dëme të mëdha në të korrat dhe strukturat e tyre, të tilla si serrat, për shkak të stuhive.

Vendimet e Këshillit të Ministrave/ Ja emërimet dhe lirimet në institucione shtetërore

Këshilli i Ministrave ka zhvilluar mbledhjen e radhës, ku krahas vendimeve të tjera, ka miratuar një sërë emërimesh dhe lirimesh nga detyra në institucione të rëndësishme shtetërore.

Vendimet prekin poste drejtuese në ministri, prefektura, si edhe në institucione qendrore, duke reflektuar ndryshime në strukturat drejtuese të administratës publike.

Njëherësh u miratuan dhe emërime dhe lirime nga detyra të disa funksionarëve në institucione shtetërore:

– Z. Erlind Sulo emërohet zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë.

– Z. Piro Misha, drejtor i Bibliotekës Kombëtare, lirohet nga kjo detyrë.

– Z. Emiljan Jani, prefekt i Qarkut të Durrësit, lirohet nga kjo detyrë.

– Z. Adrian Gurra emërohet prefekt i Qarkut të Durrësit.

– Z. Nertil Jole, prefekt i Qarkut të Korçës, lirohet nga kjo detyrë.

– Znj. Florinda Zegullaj emërohet prefekt i Qarkut të Korçës.

– Z. Shkëlqim Hajdari, inspektor i Përgjithshëm i Inspektoratit të Përgjithshëm, lirohet nga kjo detyrë.

 

Parlamenti Evropian pezullon punën për zbatimin e marrëveshjes tregtare BE–SHBA

Parlamenti Evropian ka ngrirë procesin e zbatimit të marrëveshjes tregtare mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump vijon deklaratat e tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Kryetari i Komisionit të Tregtisë në Parlamentin Evropian, Bernd Lange, konfirmoi se “marrëveshja BE–SHBA është pezulluar deri në një njoftim të dytë”, duke bërë të ditur se eurodeputetët kanë ndaluar përkohësisht punën për zbatimin e saj.

Në një postim në rrjetet sociale, Lange shkroi se ekipi negociator ka vendosur të pezullojë punën për zbatimin ligjor të të ashtuquajturës Marrëveshje e Turnberry-t.

“Janë në rrezik sovraniteti dhe integriteti ynë territorial. Vazhdimi i punës si zakonisht është i pamundur,” theksoi ai.

Lajmi në përditësim…

Trump zbulon bisedat me Zelenskyn dhe Putinin: Dua ta ndaloj këtë luftë. Është një luftë e tmerrshme

Presidenti amerikan, Donald Trump ka folur për luftën në Ukrainë gjatë një fjalimi në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, duke e përshkruar konfliktin si një “masakër gjaku”.

Ai theksoi rëndësinë e ndërhyrjes për të ndalur dhunën, duke vënë theksin mbi humbjen e jetëve të të rinjve dhe ndikimin human të luftës.

“Kjo është ajo që dua të ndaloj. Nuk i ndihmon Shtetet e Bashkuara, por këto janë shpirtra, këta janë të rinj që po humbin jetën pa arsye”, tha 79-vjeçari, duke e përshkruar situatën si një tragjedi të madhe njerëzore.

“Dua ta ndaloj këtë luftë. Është një luftë e tmerrshme, dhe të gjithë duhet të punojmë për ta ndalur”, deklaroi ai me vendosmëri.

Trump gjithashtu foli për marrëdhëniet e tij me liderët botërorë që lidhen me konfliktin, duke përmendur veçanërisht Vladimir Putinin. Ai tha se presidenti rus është i gatshëm për të arritur një marrëveshje, duke sugjeruar një mundësi për zgjidhje diplomatike.

“Po merrem me presidentin Zelensky, dhe mendoj se ai gjithashtu dëshiron të bëjë një marrëveshje”, shtoi lideri amerikan. Gjatë fjalimit, Trump bëri të ditur se do të takohet personalisht sot me presidentin ukrainas, duke theksuar urgjencën për të ndaluar luftën “ata duhet të ndalojnë atë luftë sa më shpejt të jetë e mundur”.

Prlamenti Evropian mund të pezullojë marrëveshjen për tarifat amerikane

Parlamenti Evropian po planifikon të pezullojë miratimin e marrëveshjes për tarifat amerikane të arritur në korrik, pas kërcënimeve të presidentit Trump për tarifa të reja mbi Grenlandën. Ky vendim pritet të njoftohet të mërkurën në Strasburg dhe rrit tensionet midis SHBA dhe Evropës.

Tregjet financiare reaguan menjëherë: aksionet ranë dhe dollari amerikan u dobësua, ndërsa kostot e huamarrjes u rritën globalisht.

Marrëveshja e korrikut parashikonte reduktimin e tarifave amerikane ndaj produkteve evropiane në 15%, në këmbim të investimeve evropiane dhe rritjes së eksportit amerikan, por ende duhet miratim nga Parlamenti Evropian. Kryetarët e komitetit të tregtisë thanë se pezullimi është i pashmangshëm për shkak të kërcënimeve ndaj sovranitetit të BE-së.

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe liderë të tjerë evropianë po shqyrtojnë opsione hakmarrjeje, ndërsa SHBA paralajmëron kundër çdo veprimi të tillë. SHBA dhe BE janë partnerët tregtarë më të mëdhenj të njëri-tjetrit, me mbi një të tretën e tregtisë globale.

Në sfond mbetet edhe vendimi i ardhshëm i Gjykatës së Lartë amerikane për ligjshmërinë e tarifave të vendosura nga Trump.

❌