Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Kuvendi, takim vjetor koordinues me Prezencën e OSBE-së

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Administrata e Kuvendit, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, zhvilloi takimin vjetor koordinues të fundvitit, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të gjitha shërbimeve të Kuvendit.

Takimi u fokusua në analizën e arritjeve dhe sfidave të vitit 2025, përcaktimin e prioriteteve strategjike për planifikimin e punës gjatë vitit 2026.

Në fjalën përshëndetëse, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genci Gjonçaj, vuri theksin te rëndësia e forcimit të koordinimit institucional në kushtet e fillimit të legjislaturës së re.

Takimi vijoi me një analizë të zhvillimeve dhe sfidave kryesore në fillimin e legjislaturës së re, riorganizimin e punës sipas strukturës së re të komisioneve parlamentare, orientimin e deputetëve të rinj dhe forcimin e koordinimit të brendshëm ndërmjet shërbimeve të Kuvendit.

Takimi u zhvillua në disa sesione tematike, ku fillimisht diskutimet u fokusuan në prezantimin e gjetjeve, arritjeve dhe sfidave të vitit 2025 nga Shërbimi Legjislativ, Shërbimi i Monitorimit, Instituti Parlamentar dhe Marrëdhëniet me Jashtë. Sesioni i radhës u fokusua në prezantimet e shërbimeve të: Integrimit Evropian, Dokumentacionit dhe Informacionit dhe Shërbimi Administrativ, duke evidentuar progresin, problematikat e hasura dhe masat e ndërmarra për të mbështetur më mirë punën e ligjvënësve.

Pjesa përmbyllëse e takimit iu kushtua diskutimit mbi prioritetet dhe objektivat në kuadër të Planit të ri Strategjik të Administratës së Kuvendit 2026–2030, si dhe bashkërendimit të planit të masave për vitin 2026, me synimin rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.

Në diskutimet përfundimtare morën pjesë edhe përfaqësues të stafit politik dhe të zyrave koordinuese të deputetëve, ku u theksua se bashkëpunimi gjithëpërfshirës ndërmjet shërbimeve të Kuvendit dhe strukturave mbështetëse të deputetëve mbetet thelbësor për garantimin e një mbështetjeje më efektive të punës parlamentare gjatë vitit 2026.

1 nga 4

/j.p/

The post Kuvendi, takim vjetor koordinues me Prezencën e OSBE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbyllet java e 18-të e “Abissnet Superiore”, Vllaznia rikthehet te fitorja

TIRANË, 24 dhjetor /ATSH/ Është mbyllur java e 18-të dhe e fundit për këtë vit në kampionatin “Abissnet Superiore”.

Vllaznia u rikthye te fitorja në kampionat, pasi mposhti Flamurtarin në stadiumin “Loro Boriçi” me rezultatin 3-2.

Ndeshja mes AF Elbasanit dhe Tiranës, e luajtur në “Elbasan Arena”, u mbyll në barazim 1-1.

Vora triumfoi ndaj Bylisit në “Selman Stërmasi” me rezultatin e thellë 4-1.

Dinamo City fitoi ndaj Partizanit në transfertë me shifrat 3-1. Po në transfertë triumfoi edhe Egnatia, që mposhti Teutën me rezultatin minimal 1-0.

Për kampionët e Shqipërisë kjo ishte fitorja e katërt radhazi dhe e mbyllin fazën e dytë të kampionatit në krye të renditjes me 37 pikë.

AF Elbasani renditet në vendin e dytë me 33 pikë, ndërsa Dinamo City mban vendin e tretë me 32 pikë. Vllaznia pozicionohet në vendin e katërt me 30 pikë.

/m.q/j.p/

The post Mbyllet java e 18-të e “Abissnet Superiore”, Vllaznia rikthehet te fitorja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rikonstruksioni i linjës 110 kV Ballsh-Memaliaj, shpronësohen pronarët

TIRANË, 24 dhjetor /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksion i segmentit të parë të linjës 110 kV Ballsh–Memaliaj”.

Sipas vendimit të qeverisë, shpronësimi kryhet në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a., ndërsa pronarët do të kompensohen në vlerë të plotë për pasuritë e llojit “arë”, “ullishte” dhe “kullotë”. Vlera totale e kompensimit arrin në 39 232.50 lekë, ndërsa shpenzimet procedurale, në masën 70 000 lekë, do të përballohen nga OST.

Shpronësimi nis menjëherë pas botimit të vendimit në Fletoren Zyrtare dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 muajve.

Pronarët e pasurive të paluajtshme kompesohen pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.

Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar.

Ndërkohë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, do të nisë brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, për Operatorin e  Sistemit të Transmetimit, sh.a.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë të pasurive që shpronësohen.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Fier për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

/m.q/j.p/

The post Rikonstruksioni i linjës 110 kV Ballsh-Memaliaj, shpronësohen pronarët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bllokohen 5 tonë ushqime, AKU Tiranë gjobit subjektin

TIRANË, 24 dhjetor /ATSH/ Drejtoria Rajonale e Agjencisë Kombëtare të Ushqimit në Tiranë bllokoi sot 5 tonë djathë gouda dhe 944 kg fileto pule.

Kjo masë ka ardhur për mospajisje me kundër etiketë në gjuhën shqipe.

Gjithashtu mësohet se është penalizuar subjekti me masë administrative gjobë për veprime në kundërshtim me kërkesat e etiketimit dhe të gjurmueshmërisë. /j.p/

The post Bllokohen 5 tonë ushqime, AKU Tiranë gjobit subjektin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Themelohet Shoqata e Prokurorëve të Shqipërisë

TIRANË, 24 dhjetor /ATSH/ Pas një procesi të gjatë konsultimi mes prokurorëve nga të gjithë zyrat e prokurorive në vend, është themeluar së fundmi Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë. Kjo shoqatë është ngritur në respektim të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” dhe do të funksionojë si një organizatë profesionale, jofitimprurëse dhe e pavarur.

Shoqata e Prokurorëve është e para organizatë e këtij lloji që themelohet pas miratimit dhe zbatimit të Reformës në Drejtësi, duke vepruar brenda kornizës së re kushtetuese dhe ligjore për sistemin prokurorial. Sipas njoftimit të shoqatës, ajo synon të ofrojë një strukturë të qëndrueshme dhe të organizuar, e cila do të shërbejë si një pikë referimi për zhvillimet e rëndësishme, problematikat dhe çështjet që lidhen me statusin dhe funksionin e prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

Teksa sistemi i drejtësisë përballet vazhdimisht me sfida të ndryshme, vlerësohet si e domosdoshme një qasje më aktive dhe e organizuar edhe nga vetë trupa e prokurorëve. Misioni kryesor i Shoqatës së Prokurorëve është garantimi dhe mbrojtja e statusit, pavarësisë dhe integritetit të prokurorëve, si dhe promovimi i vlerave dhe rolit të tyre në një shoqëri demokratike dhe shtet të së drejtës.

Shoqata e Prokurorëve do të angazhohet aktivisht në proceset ligjbërëse dhe vendimmarrëse që prekin sistemin e drejtësisë, përmes dhënies së kontributeve profesionale dhe mbajtjes, sipas rastit, të qëndrimeve institucionale dhe publike. Një rëndësi të veçantë do t’i kushtohet nxitjes së dialogut dhe bashkëpunimit konstruktiv me institucionet shtetërore, shoqërinë civile, mediat dhe aktorë të tjerë.

Shoqata e Prokurorëve ka në përbërje prokurorë nga të gjithë zyrat e prokurorive në Republikën e Shqipërisë, të cilët kanë marrë përsipër angazhimin aktiv sipas fushave respektive. Kryetar i Shoqatës së Prokurorëve në mandatin e parë është zgjedhur prokurori Gezim Spahiu.

/m.q/j.p/

The post Themelohet Shoqata e Prokurorëve të Shqipërisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Instituti i Policisë Shkencore bëhet zyrtarisht pjesë e ENFSI

TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Instituti i Policisë Shkencore është bërë zyrtarisht pjesë e ENFSI (European Network of Forensic Science Institutes), rrjetit evropian që bashkon laboratorë dhe institucione forenzike nga vendet e Evropës.

Procesi i anëtarësimit nisi me aplikimin e Institutit të Policisë Shkencore, në vitin 2025, vijoi me një auditim të detajuar në nëntor 2025 nga bordi drejtues, dhe aprovimi zyrtar u bë më datë 18 dhjetor 2025.

Policia e Shtetit njoftoi se ky anëtarësim është një hap i rëndësishëm për forcimin e cilësisë, besueshmërisë dhe profesionalizmit të punës së Institutit të Policisë Shkencore në Policinë e Shtetit.

Gjithashtu, sipas policisë “siguron harmonizimin e metodave dhe standardeve me laboratorët homologë në Evropë, rrit pranueshmërinë ligjore të rezultateve në gjykata dhe mundëson bashkëpunim ndërkombëtar në raste hetimore komplekse”.

Policia bëri të ditur se instituti po punon vazhdimisht për akreditimin e laboratorëve të tij sipas standardit ndërkombëtar “ISO 17025”, duke garantuar standarde të larta teknike dhe cilësi në të gjitha analizat forenzike.

Anëtarësimi në ENFSI gjithashtu ofron mundësi për trajnime dhe zhvillim profesional të ekspertëve, duke rritur kapacitetet teknologjike dhe ekspertizën shkencore të Institutit.

/m.q/a.f/

The post Instituti i Policisë Shkencore bëhet zyrtarisht pjesë e ENFSI appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Të lirohen të arrestuarit nga protesta, dy prej tyre ishin turistë nga Kosova

TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kërkoi sot lirimin e menjëhershëm të protestuesve të arrestuar nga policia mbrëmjen e djeshme pas protestës së PD-së në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë.

Sipas Berishës, nga policia janë ndaluar edhe dy qytetarë nga Kosova, të cilët kishin ardhur si turistë.

“Jam këtu për të denoncuar me forcën më të madhe provokacionet dhe terrorin policor ndaj disa të rinjve, të cilat nuk kanë kryer absolutisht as edhe aktin më të vogël të dhunës. Janë ndaluar 10, nga të cilët 4 janë arrestuar. Erlis Sina, Artan Hysenaj, Albi Kryezoi, Xhejson Prendi. Dy prej tyre janë kosovarë, turistë të ardhur dhe janë arrestuar nga policia sapo kanë marrë vesh se janë kosovarë për të mundur me akuzuar edhe qytetarët e Kosovës për pjesëmarrje në protesta.

“E vërteta është që këta të dy kanë ardhur si turistë. Kanë qenë këtu pas protestës. Kanë bërë foto. Njëri më tha, që jam djali i një luftëtari të UÇK, dhe unë e përqafova, bëra një foto me të. Tani këtë e kanë arrestuar”, tha Berisha.

Berisha shtoi se protestuesit po luftojnë kundër hajdutëve të kombit.

“Kërkoj lirimin e menjëhershëm të tyre dhe paralajmëroj policinë të mos prekë me dorë protestuesit se ata po luftojnë kundër hajdutëve të kombit, kriminelëve në detyrë. Të mendohen mirë, të qëndrojmë më mirë me ligjin se me kriminelin, të lirojnë menjëherë personat e arrestuar”, tha Berisha.

/m.q/a.f/

The post Berisha: Të lirohen të arrestuarit nga protesta, dy prej tyre ishin turistë nga Kosova appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjyqtari Dhimitër Lara zgjidhet zëvendëskryetar i Apelit të Posaçëm

TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e mbajtur nën drejtimin e zëvendëskryetarit të Gjykatës, Saida Dollani, zgjodhi sot zëvendëskryetarin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Dhimitër Lara.

Gjyqtari Dhimitër Lara, merr detyrën në përfundim të mandatit të Zëvendëskryetarit Saida Dollani, e cila ushtroi detyrën e Zëvendëskryetarit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kompetencat e Kryetarit nga data 23.12.2022 deri më datë 23.12.2025.

Magjistrati Dhimitër Lara ushtron funksionin e gjyqtarit të gjykatës së apelit që nga data 05.04.2004, fillimisht si gjyqtar në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda (05.04.2004-19.12.2019) dhe nga data 19.12.2019 e në vazhdim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

/m.q/a.f/

The post Gjyqtari Dhimitër Lara zgjidhet zëvendëskryetar i Apelit të Posaçëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha publikon librin për zgjedhjet: 11 maji, farsë elektorale

TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në konferencën për mediet, prezantoi publikimin e PD-së,  “Farsa e madhe e majmur të zgjedhjeve në Shqipëri”, një libër që sipas tij “fakton farsën elektorale të 11 majit”.

Së bashku me nënkryetarin Oerd Bylykebashi, deputetët Albana Vokshi, Ivi Kaso dhe Gent Strazimiri, Berisha tha se “ky dokument i pashembullt në historinë e një farse elektorale në Evropë dhe në botë, i hartuar me mbi 1500 faqe, dhe mbi 2 mijë e sa prova, dokumente, video, fotografi, të gjitha”.

Sipas Berishë publikimi i PD-së vjen pas “një punë e jashtëzakonshme në radhë e strukturave të PD, të cilat kanë mbrojtur votën duke identifikuar çdo shkelje ligjore, çdo dhunim të votës, çdo ndërhyrje të krimit dhe me radhë”.

“Një punë e jashtëzakonshme nga ekipi që keni këtu para, që ka ndjekur, ka shqyrtuar, ka analizuar të gjitha këto dokumente dhe që janë dërguar online në qendrat ndërkombëtare të raporteve për zgjedhjet në Shqipëri, sapo paraqiteshin këtu.

Berisha shtoi se vëzhguesit e përgjegjshëm dhe të guximshëm nuk u tërhoqën.

“Ne u përpoqëm të japim modestisht kontributin tonë duke u dërguar atyre mijëra dokumente autentike, video, fotografi, procesverbale, në mënyrë që raporti i tyre të ishte raporti që damkosi në zgjedhjet përfundimtare. Natyrisht ata kishin edhe të vetat, pa diskutim, të shumta, shumë të rëndësishme, por edhe ky raport, këto 1500 faqe që janë dërguar sapo shqyrtoheshin, kanë pasur vlerën e vet”, tha ai.

/m.q/a.f/

The post Berisha publikon librin për zgjedhjet: 11 maji, farsë elektorale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bardhi kërkon mbledhjen Këshillit të Mandateve për Ballukun: Po pengohet drejtësia me urdhër politik

TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Partia Demokratike kërkoi sot mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.

Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi bëri të ditur se anëtarët e Partisë Socialiste nuk janë paraqitur në mbledhje, edhe pse Rregullorja e Kuvendit e ka të parashikuar thirrjen e mbledhjes nga opozita.

Sipas Bardhit, po pengohet drejtësia me urdhër politik, ndërsa shtoi se sipas Prokurorisë së Posaçme, ekziston mundësia që të prishen provat dhe të intimidohen dëshmitarët.

“Pengimi i drejtësisë me urdhër politik është akti më i rëndë që ka kryer ky Kuvend gjatë këtyre viteve demokraci. Nuk mundet që një kryeministër të urdhërojë Kuvendin, që mos të mbledhë Këshillin e Mandatave, të mos mbledhë seancën plenare dhe të pengojë prokurorinë që të ushtrojë detyrën e vet kushtetuese”, tha Bardhi.

Bardhi theksoi se sipas prokurorisë “gjendja e lirë e të pandehurës, parashikon rrezik real për mbledhjen e provave për shkak të detyrës që ajo ushtron. Ekziston mundësia që ajo mund të ndërhyjë në prishjen ose asgjësimin e provave. Është evident fakti që tashmë e pandehura ka bërë përpjekje për të ndikuar tek dëshmitarët. Rreziku që ajo të largohet është evident.

“Ekziston rreziku i largimit, nisur nga sanksionet dhe marzhi i lartë i dënimit që parashikon ligji, në lidhje me veprat penale që dyshohet se ka kryer e pandehura. E pandehura menaxhon në vazhdimësi fonde të konsiderueshme publike, për investime publike të tjera, të parashikuara në institucionet qendrore që ajo drejton”, tha Bardhi.

Sipas Bardhit, çështja e datës 22 janar në Gjykatën Kushtetuese, nuk ka lidhje me kërkesën e sjellë nga Prokuroria e Posaçme në Kuvend.

“Pushteti ekzekutiv nuk mund t’i thotë pushtetit legjislativ se t‘i do të presësh se unë kam një gjyq dhe kur të mbarojë gjyqi t’i vepron. Ç’lidhje ka pushteti ekzekutiv, që Kuvendi të ushtrojë detyrat e veta. Kuvendi ka shtyrë pa afat shqyrtimin e kësaj kërkesë të ngutshme të Prokurorisë. Kuvendi dhe Edi Rama po pengon drejtësinë që të kenë mundësi të prishin provat dhe të intimidojnë dëshmitarët. Ky është një puç i rëndë kushtetuese, ndaj edhe fshihen sot”, tha Bardhi.

Bardhi bëri të ditur se opozita do të rithërrasë mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin ditën e premte ora 11:00.

/m.q/

The post Bardhi kërkon mbledhjen Këshillit të Mandateve për Ballukun: Po pengohet drejtësia me urdhër politik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Etika” shqyrton kërkesën e PS-së për përjashtimin e 29 deputetëve të PD-së

TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën është mbledhur sot për të shqyrtuar kërkesën e grupit parlamentar të Partisë Socialiste për marrjen e masave disiplinore për 29 deputetë të opozitës, pas incidenteve të ndodhura gjatë seancës plenare të 18 dhjetorit.

Në mbledhjen e sotme, deputetët e Partisë Demokratike janë shfaqur duke protestuar me pankarta në duar.

PS kërkon marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare” për 60 ditë ndaj deputetëve Belind Këlliçi, Fidel Kreka, Albana Vokshi, Ledina Alolli dhe Denisa Vata, të cilët kanë futur dhe përdorur lëndë apo mjete piroteknike, tymuese brenda sallës së zhvillimit të punimeve të Kuvendit.

Gjithashtu, PD kërkon përjashtimin për 60 ditë ndaj deputetëve Klevis Balliu, dhe Flamur Noka, të cilët nuk kanë pranuar të dalin nga salla, kanë kryer veprime të qëllimshme duke dëmtuar pajisjet dhe hequr funksionalitetin e tyre në sallën e seancave.

Ps kërkon përjashtimin me 30 ditë për deputetët Sali Berisha, Elda Hoti dhe Gazment Bardhi dhe me 10 ditë për deputetët Besart Xhaferri, Xhelal Mziu, Bledjon Nallbati, Luçiano Boçi, Saimir Korreshi, Edi Paloka, Ina Zhupa, Klodiana Çapja, Oerd Bylykbashi, Enno Bozdo, Tomorr Alizoti, Ivi Kaso, Gent Strazimiri, Luan Baçi, Bledi Himçi, Greta Bardeli, Manjola Luku, Flamur Hoxha, Kliti Hoti.

(Vijon…)

/a.f/

The post “Etika” shqyrton kërkesën e PS-së për përjashtimin e 29 deputetëve të PD-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hodhën molotovë në protestë, 4 në pranga dhe 7 të proceduar

TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Policia e Tiranës njoftoi se ka arrestuar katër persona dhe ka proceduar penalisht shtatë të tjerë për hedhjen e lëndëve djegëse dhe kundërshtimin e forcave të policisë mbrëmjen e djeshme, gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë nga Partia Demokratike.

Sipas njoftimit të Policisë, është proceduar penalisht edhe përfaqësuesi organizativ i subjektit politik që zhvilloi tubimin, pasi nuk ka zbatuar detyrimet për identifikimin e personave përgjegjës për mbarëvajtjen e tubimit.

Policia bëri të ditur se tre punonjës policie u dëmtuan, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

“Si rezultat i veprimeve hetimore, u identifikuan 11 shtetas që kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit. Në vijim, u arrestuan në flagrancë shtetasit: A. K., 39 vjeç; E. S., 36 vjeç; Xh. D., 38 vjeç dhe A. H., 38 vjeç. Gjithashtu, nisi procedimi penal për shtetasit: B. F., E. M., M. M., Sh. D., K. P., R. B. dhe një 16-vjeçar.

“Po ashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. M., me detyrë sekretar organizativ i subjektit politik Partia Demokratike, pasi, në cilësinë e përfaqësuesit organizativ të këtij subjekti, nuk ka zbatuar detyrimet për identifikimin e personave përgjegjës për mbarëvajtjen e tubimit, në bazë të ligjit nr. 8773, “Për tubimet”, neni 10”, njoftoi policia.

Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

/a.f/m.q/

The post Hodhën molotovë në protestë, 4 në pranga dhe 7 të proceduar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balliu: 10 protestues të shoqëruar

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Partia Demokratike njoftoi se janë shoqëruar në komisariatin e policisë 10 protestues, pjesëmarrës pasditen e sotme në protestën e thirrur nga kjo parti përpara Kryeministrisë.

Në një deklaratë nga mediet nga Komisariatin e Policisë në Tiranë, deputeti Klevis Balliu bëri të ditur se mes të arrestuarve është edhe një i mitur. Sipas tij, protestuesit po mbahen të shoqëruar për t’i frikësuar.

“Janë 10 të shoqëruar, një nga të cilit ishte i mitur dhe është goditur me grusht. Sot praktikisht kemi një polici tërësisht të inkriminuar që arreston protestuesit sepse po protestojnë kundrejt një qeverie që është kapur në flagrancë duke vjedhur dhe duke cenuar sigurinë e jetës së çdo qytetari shqiptar”, u shpreh Balliu.

“Kërkojnë t’i vendosin frikë qytetarëve shqiptarë që mos të revoltohen ndaj këtyre. Deputetët e PD-së janë në mbështetje të qytetarëve, nuk kanë bërë asgjë”, tha Balliu.

Tek Komisariati numër 1, gjithashtu ishin edhe deputetë të tjerë të PD-së, Bledion Nallbati, Klodjana Çapja, Ledina Alolli dhe Kastriot Piroli, si dhe dy avokatë, Marash Logu dhe Eda Grimci, të cilët po kërkojnë lirimin e protestuesve të shoqëruar.

Në mbyllje të protestës së sotme, protestuesit hodhën dhjetëra koktejle molotov në drejtim të Kryeministrisë, të cilat shpërthyen në flakë. Kjo ishte protesta e parë kombëtare e PD-së pas disa foltoreve të organizuara para Kryeministrisë.

/m.q/j.p/

The post Balliu: 10 protestues të shoqëruar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali, kurorë tek busti i Skënderbeut në komunën e Çairit në Shkup

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, në kuadër të vizitës dyditore në Maqedoninë e Veriut, u ndal mbrëmjen e sotme edhe në komunën e Çairit në Shkup, ku vendosi kurora me lule pranë bustit të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.

“Sonte, në zemër të Shkupit të vjetër, aty ku guri flet me histori dhe koha merr frymë krenarie, ndaluam për të nderuar simbolin e qëndresës, të dinjitetit dhe të shpirtit evropian, duke vendosur kurorën e nderit pranë bustit të Gjergj Kastriot Skënderbeut”, shkruan Spiropali.

Në këtë moment kujtese dhe respekti, Spiropali u shoqërua nga zëvendëskryeministri Arben Fetai dhe kryetari i Çairit Izet Mexhiti, si dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit lokal në Komunën e Çairit.

Pas ceremonisë, sipas Spiropalit dita u mbush me ngjyra dhe emocione duke iu referuar aktiviteteve të organizuara me këtë rast si shfaqja artistike, ritmi i tupanëve dhe fëmijët me veshje e simbole kombëtare.

“Një kujtesë e përbashkët për rrënjët tona të forta dhe përkatësinë tonë natyrore në Europë”, shkruan Spiropali.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali po zhvillon një vizitë dyditore në Maqedoninë e Veriut. Më herët gjatë ditës, ministrja u prit nga krerët më të lartë të vendit, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, ministri i Punëve të Jashtme, Timčo Mucunski si dhe kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashin.

/m.q/j.p/

The post Spiropali, kurorë tek busti i Skënderbeut në komunën e Çairit në Shkup appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla reagon ndaj Berishës: Ti nuk e djeg dot më Shqipërinë

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Socialiste, Taulant Balla, reagoi në lidhje me protestën e zhvilluar sot nga opozita në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë.

Ndërsa publikoi foto të Berishës ku në sfond duken zjarret e shkaktuara nga hedhja e molotovëve përpara Kryeministrisë, Balla iu drejtua kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berishës: Sali ti nuk e djeg dot më Shqipërinë!.

Në mbyllje të protestës, pas përfundimit të fjalës së Berishës, protestuesit hodhën dhjetëra koktejle molotov në drejtim të Kryeministrisë, të cilat shpërthyen në flakë.

Kjo është protesta e parë kombëtare e PD-së pas disa foltoreve të organizuara para Kryeministrisë. /m.q/j.p/

The post Balla reagon ndaj Berishës: Ti nuk e djeg dot më Shqipërinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Protestat nuk do të ndalen, opozita me mision

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Pas përfundimit të protestës, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga selia blu, falënderoi protestuesit për pjesëmarrjen dhe që iu përgjigjën thirrjes së opozitës.

Kreu i PD-së theksoi se “në qoftë se në protestat e para 11 majit, ne u ngritëm për të shpëtuar PD-në, për të shpëtuar pluralizmin politik, tani ne jemi në këmbë për shpëtuar Shqipërinë, për të shpëtuar demokracinë, për të shpëtuar familjen”.

“Ky është misioni më i lartë, më sublim i jetës tonë. Ky është mision edhe më i lartë, edhe më i rëndësishëm se ai që përmbushëm në 90-ën. Ky është mision që do përcaktojë fatin e Shqipërisë, fatin e demokracisë në Shqipëri, fatin e familjes shqiptare. Ndaj dhe duhet të përulem para secilit prej jush, para të gjithë atyre që erdhën dhe të betohemi ta vazhdojmë këtë betejë deri në fitore”, u shpreh Berisha.

Berisha nënvizoi se aksioni i opozitës nuk do të ndalet deri me largimin e Edi Ramës.

Kreu i PD-së theksoi se tre do të jenë drejtimet e protestës së PD-së, Kryeministria, Parlamenti dhe Surreli.

“Tre do jenë drejtimet e protestës tonë, kryeministria, ndërtesa e krimit ky kryehajdutë të paimagjinueshëm në histori mbrojnë njëri-tjetrin, firmosin me duart e tyre të zeza shkresa për të vjedhur qytetarët shqiptarë, mesazhe për të vjedhur qytetarët shqiptarë. Parlamenti që asgjëson pluralizmin. Surreli, pallati tjetër i krimit, sepse rrënjët e AKSHI-t janë në Surrel”, tha Berisha.

Berisha shtoi se opozita do të shpëtojë demokracinë shqiptare.

/m.q/j.p/

The post Berisha: Protestat nuk do të ndalen, opozita me mision appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Ne do i shpallim luftë Ramës, opozitarët të na bashkohen

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot në fjalën e tij para protestuesve, se opozita do t’i shpallë “luftë” kryeministrit Edi Rama.

Kreu i PD-së nënvizoi se “opozita ia doli t’i dëshmojë botës se çfarë përfaqëson narkoshteti shqiptar”.

“Ndaj dhe ne jemi këtu sot, jam i bindur se me të drejtë, jo pa të drejtë, ka qytetarë këtu në shesh, ka edhe të tjerë që na ndjekin, që thonë se çfarë do bëjnë këta. E keni shumë të drejtë pyetjen. Por u jap fjalën që ne do bëjmë atë, ja do vdesim, ja do rrojmë për liri”, u shpreh Berisha.

“Mjerë ai që provohet me ne. Dhe dijeni mirë se kur ne kemi dalë me këtë zotim, kurrë nuk kemi humbur, kemi fituar, kemi fituar, do fitojmë. Nuk mundet kurrë një grusht hajdutësh të na nëpërkëmbë ne. Nuk mundet kurrë një grusht hajdutësh, narkotrafikantësh të shkelmojnë mbi dinjitetin tonë, mbi të ardhmen tonë, të nxijnë Shqipërinë, të na përzënë nga Shqipëria. Nuk të ndahemi këtu, po të jap fjalën se nuk të ndahemi as në Surrel. Ai na ka shpallur luftë, ne i shpallim luftë. Ai i ka shpallur luftë shqiptarëve, ne i shpallim luftë armikut të shqiptarëve”, tha Berisha.

Ndër të tjera, Berisha tha se PD është e vendosur të bashkëpunojë me çdo faktor, me çdo qytetar, me çdo forcë politike në një front më të gjerë opozitar.

“Në emër tuaj ftoj të gjitha forcat politike opozitare, ftoj çdo opozitar, ftoj çdo guximtar të bashkohet në këtë betejë. Në këtë betejë vendimtare për fatin e këtij kombi që po shuhet, që po shkretohet, për fatin e këtij vendi të bekuar, nga i cili po largohen bijtë dhe bijat e saj sepse nuk i besojnë më, pavarësisht se ka pasuri përrallore”, deklaroi kreu i PD-së.

“Iu bëj thirrje intelektualëve shqiptarë, hiqeni mantelin e konformizmit, intelektuali ka armik numër 1 konformizmin, është virusi më shkatërrimtar i tij. Dilni në shesh si në vitin 1991, dilni të përballemi se kem detyrime ndaj familjeve tona, ndaj qytetarëve që na besojnë. PD qëndron e vendosur të bashkëpunojë me çdo faktor, me çdo qytetar, me çdo forcë politike në një front më të gjerë që Shqipëria ka parë”, tha Berisha.

Ai u shpreh në fund të fjalës së tij se demokratët duhet të kenë besim se siç “e shpëtuam opozitën kur donin ta zhduknin, do shpëtojmë Shqipërinë, do shpëtojmë shqiptarët, do u japim vendin që meritojnë”.

/m.q/j.p/

The post Berisha: Ne do i shpallim luftë Ramës, opozitarët të na bashkohen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Rama nuk ikën me vota, do ta heqë populli opozitar

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se opozita është më e vendosur se kurrë për të përmbysur, sipas tij, narkodiktaturën.

Gjatë fjalës së tij para protestuesve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë, Berisha theksoi se “jemi sot, më të fuqishëm se kurrë, më të vendosur se kurrë në ekzistencën tonë për të përmbysur këtë narkodiktaturë siç përmbysëm etërit e tij 35 vjet më parë”.

Sipas Berishës, kombi është në momentin e tij më kritik.

“Pasi shndërroi zgjedhjet në farsë elektorale, duke organizuar me paratë tuaja mijëra veprimtari të paligjshme në periudhë elektorale, duke arrestuar liderët kryesorë të partive opozitare, duke përdorur tonelatat e drogës të karteleve, duke shndërruar nëpunësit e shtetit në policë të votës së lirë, duke falur 2 miliardë euro gjoba dhe kamata vetëm për karrigen e tij, ai në një revansh të paparë bëri gjithçka që të mbyllë çdo hapësirë opozitës. Ai mendoi se projektin e tij Shqipëria pa opozitë, tani do e realizojë”, u shpreh Berisha.

“Në 10 vitet e fundit të këtij regjimi, shqiptarët janë pakësuar më shumë se nga çdo epidemi, nga çdo pushtim, nga çdo zi buke dhe çdo gjë tjetër. Shqiptarët, në 10 vite të këtij regjimi, kanë shkuar mbrapa 100 vite për lindshmërinë e tyre”, vijoi kreu i PD-së.

Sipas Berishës, kryeministri Edi Rama nuk largohet me vota.

“Rama nuk ikën me vota dhe as me drejtësi! Edi Ramën do ta heqim ne, populli opozitar Mund të ketë tek-tuk njerëz që besojnë se mund të ikën me drejtësi. Naivitet. Jo, kurrë. Ai është i gatshëm ato 84 mandate t’i përdorë si bajoneta krimi kundër drejtësisë, kundër qytetarëve, kundër drejtësisë, kundër ligjeve. Atëherë vota jo, drejtësia jo, do jenë qytetarët, do jenë idealistët, do jenë guximtarët ata të cilët do hedhin në banesën e turpit të historisë”, tha Berisha. /j.p/

Protesta e opozitës para Kryeministrisë, foto: Florian Abazaj, Andrin Hoxha
1 nga 10

The post Berisha: Rama nuk ikën me vota, do ta heqë populli opozitar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Opozita, në protestë para Kryeministrisë

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Partia Demokratike zhvillon sot protestë kombëtare në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë.

Tashmë ka nisur grumbullimi i protestuesve që vijnë nga selia e PD-së drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i shoqëruar nga drejtues të tjerë të PD-së, iu bashkua protestës duke marshuar nga selia blu drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Protesta vjen pas disa foltoreve të zhvilluara para Kryeministrisë nga Partia Demokratike, pasi sipas opozitës në Kuvend iu mor çdo hapësire kushtetuese.

Përballë godinës së qeverisë është ngritur podiumi ku do të të flasin eksponentët e Partisë Demokratike dhe pjesëmarrës të tjerë në protestë, ndërsa pritet të zgjasë për rreth 3 orë.

Kreu i PD-së, Sali Berisha ka paralajmëruar se protesta do të ndalet vetëm me rrëzimin e qeverisë.

“Ne zbresim në fushë pasi kemi bërë çdo detyrë, pasi kemi faktuar çdo gjë, të betuar që do vazhdojmë luftën tonë deri në përmbysjen e regjimit”, tha Berisha.

Në lidhje me mbarëvajtjen e saj, policia ka ndërmarrë masa për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, ndërsa qindra efektivë policie janë në terren.

Në varësi të tubimit, sipas policisë, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore.

Protesta e opozitës para Kryeministrisë, foto: Andrin Hoxha, Florian Abazaj
1 nga 22

(Vijon…)

The post Opozita, në protestë para Kryeministrisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali pritet nga Presidentja e Maqedonisë së Veriut: Integrimi i Ballkanit Perëndimor e bën BE-në më të fortë

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Maqedoninë e Veriut, u takua më presidenten e Republikës së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.

Gjatë takimit, Spiropali bëri të ditur se biseduan për rrugëtimin e përbashkët të dy vendeve drejt vlerave perëndimore dhe përkushtimin për ta çuar përpara agjendën evropiane.

“Për Shqipërinë, integrimi në Bashkimin Evropian është më shumë se një prioritet kombëtar: është një aspiratë e përbashkët rajonale. Një Ballkan Perëndimor i integruar plotësisht e bën Bashkimin Europian më të fortë, më të bashkuar dhe më të aftë për t’u përballur me sfidat e sotme”, nënvizoi Spiropali.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali po zhvillon një vizitë dyditore në Maqedoninë e Veriut. Më herët gjatë ditës, ministrja u prit në një takim nga Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

Spiropali u takua gjithashtu edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Timčo Mucunski si dhe kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashin.

/m.q/j.p/

The post Spiropali pritet nga Presidentja e Maqedonisë së Veriut: Integrimi i Ballkanit Perëndimor e bën BE-në më të fortë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌