HAPËSIRË – India lëshon në orbitë satelitin më të madh ndonjëherë në historinë e saj
NJU DELHI, 24 dhjetor /ATSH-AFP/ – Agjencia hapësinore e Indisë lëshoi sot ngarkesën më të madhe orbitale deri më sot, një veprim që kryeministri Narendra Modi e cilësoi si një hap të rëndësishëm për sektorin hapësinor të vendit.
Raketa “LVM3-M6“ vendosi në orbitë satelitin e komunikimit “AST SpaceMobile”, të ndërtuar në SHBA.
Organizata Indiane e Kërkimeve Hapësinore, ISRO, tha se kjo ishte “ngarkesa më e madhe e lëshuar ndonjëherë nga toka indiane”.
Lëshimi i këtij sateliti përforcon programin ambicioz dhe me kosto të ulët të Indisë në hapësirë, teksa vendi planifikon një mision orbital pa ekuipazh dhe fluturime me njerëz në vitet e ardhshme.
Sateliti peshon 6 100 kilogramë dhe u lëshua me një version të modifikuar të raketës që India synon të përdorë për misionet e saj të ardhshme hapësinore.
India po synon një pjesë më të madhe të tregut global në rritje të satelitëve komercialë, ndërsa kompanitë e telefonisë, internetit dhe shërbimeve të tjera kërkojnë zgjerim dhe kapacitete më të avancuara komunikimi.
Kryeministri Modi tha se lëshimi shënon një moment krenarie në udhëtimin hapësinor të Indisë.
India ka njoftuar se synon të kryejë një mision orbital pa ekuipazh përpara fluturimit të parë me njerëz në 2027, ndërsa Modi ka shpallur edhe plane për dërgimin e një astronauti në Hënë deri në 2040-n./ /Ad.Ab./ a.jor.
The post HAPËSIRË – India lëshon në orbitë satelitin më të madh ndonjëherë në historinë e saj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.