Vërshimet në veri të vendit, dëmtohet një urë në Leposaviq - mbyllet përkohësisht

Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë Veri ka bërë të ditur se pas situatës së krijuar si pasojë e vërshimeve të fundit, gjendja e sigurisë dhe rendit publik në veri të vendit është nën monitorim të vazhdueshëm.
Sipas njoftimit thuhet se Policia e Kosovës, në vazhdimësi ka qenë e angazhuar në terren dhe në koordinim të plotë me institucionet e tjera relevante, përfshirë komunat përkatëse, Njësinë e Zjarrfikësve dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, me qëllim të menaxhimit të situatës dhe parandalimit të rreziqeve të mundshme për qytetarët.
"Vërshime janë evidentuar në qytetin e Zveçanit dhe në Mitrovicë Veri. Ndërkaq, më datë 08.01.2025, Policia e Kosovës ka pranuar informatë se në fshatin Beluçe te Leposaviqit, si pasojë e vërshimeve, një urë ka pësuar dëmtime, ku njëra këmbë e urës është dëmtuar. Lidhur me këtë rast, Policia ka njoftuar zyrtarët komunal të Leposaviqit si dhe përfaqësuesit nga Ministria e Infrastrukturës, të cilët kanë dalë në terren dhe kanë konstatuar se, për shkak të rrezikut për sigurinë, ura duhet të mbyllet. Si rezultat, ura është mbyllur përkohësisht deri në një vendim të radhës", thuhet në njoftim.
Po ashtu, gjatë këtyre ditëve, në qytetin e Mitrovicës së Veriut janë evakuuar katër familje, pasi shtëpitë e tyre janë përmbytur si pasojë e vërshimeve.
Situata aktualisht është e menaxhueshme dhe Policia e Kosovës po vazhdon monitorimin e gjendjes në terren. Qytetarët për çdo vështirësi apo rast emergjent mund të kontaktojnë Policinë e Kosovës në numrin 192.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e shërbimeve, mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve, veçanërisht në situata emergjente kur vendi përballet me rreziqe natyrore. /Telegrafi/






















Foto: Korab Basha
Foto: Korab Basha
Foto: Korab Basha
Foto: Korab Basha















