Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Forca të shumta të sigurisë patrullojnë rrugët e kryeqytetit të Venezuelës

Policë të armatosur janë parë duket patrolluar në rrugët e kryeqytetit të Venezuelës, Karakas, të martën, një imazh që është ndarë nga ministri i Brendshëm venezuelias, Diosdado Cabello.

Në një video të ndarë në internet, forcat e sigurisë janë filmuar duke bërtitur “gjithmonë besnikë, kurrë tradhtarë”.

Shumë figura nga regjimi i rrëzuar i Nicolas Maduros janë ende në krye teksa frikësimi dhe frika mbeten, ka thënë një grua venezueliane për BBC-në.

Maduro dhe gruaja e tij Cilia Flores u kapën nga kompleksi i tyre në Karakas të shtunën dhe u dërguan me aeroplan në SHBA si pjesë e një operacioni të forcave speciale amerikane.

Udhëheqësja e opozitës në mërgim e vendit, Maria Corina Machado, e ka përshkruar arrestimin e Maduro-s si “një hap të madh për njerëzimin, për lirinë dhe dinjitetin njerëzor”.

Partia e saj, Vente Venezuela, që atëherë ka bërë thirrje për lirimin e të gjithë të burgosurve politikë në vend.

Zyrtarët zviceranë pranojnë se nuk u kryen inspektime në barin që u përfshi nga zjarri

Autoritetet zvicerane kanë pranuar se inspektimet për siguri nga zjarri nuk ishin kryer në pesë vjetët e fundit në barin ku 40 persona vdiqën pas shpërthimit të flakëve në Vitin e Ri.

Zjarri në barin Le Constellation në një resort skijimi në Crans-Montana la të plagosur 116 persona, 83 prej të cilëve ende janë të hospitalizuar. Shumica e të vdekurve ishin adoleshentë.

Prokurorët kanë thënë se besojnë se zjarri nisi kur njerëzit po festonin Vitin e Ri dhe kishte shampanja me fishekzjarrë, duke ndezur shkumën izoluese në tavanin e podrumit të barit.

Edhe pse inspektimet, përfshirë ato për sigurinë nga zjarri, janë kryer në vitet 2016, 2018 dhe 2019, “inspektimet periodike nuk u kryen në periudhën mes vitit 2020 dhe 2025. Për këtë na vjen keq shumë”, tha kryetari i Crans-Monatanas, Nicolas Feraud, në një konferencë për media pesë ditë pas zjarrit vdekjeprurës.

Ligji kërkon që departamenti komunal i zjarrit të kryejë inspektime vjetore në vendet e hapura për publikun, tha ai, duke pranuar se nuk e dinte pse inspektimet nuk ishin kryer.

Në një deklaratë, komuna tha se zbuloi këtë dështim pasi shqyrtoi dokumentet e dërguara te prokuroria e kantonit Uallis.

“Gjykatat do të vendosin për ndikimin që pati një dështim i tillë në zinxhirin e ngjarjeve që çuan në tragjedi. Komuna do të marrë përgjegjësinë e plotë sipas vendimit të gjykatave”, u tha në njoftim.

Këshilli tha se do të angazhojë një agjenci të jashtme të specialistëve për të inspektuar të gjitha vendet publike dhe do të ndalojë përdorimin e pajisjeve piroteknike brenda ambienteve të mbyllura. Çifti francez Jacques dhe Jessica Moretti janë pronarë dhe menaxherë të Le Constellation, i cili ishte i mbushur me të rinj që festonin kur zjarri shpërtheu rreth orës 01:30 të mëngjesit të së enjtes.

Ndaj tyre ka nisur një hetim penal. Çifti akuzohet për vrasje nga pakujdesia, lëndime trupore nga pakujdesia dhe zjarrvënie nga pakujdesia. Le Constellation u themelua në vitin 1967. Dokumentet komunale përmendin një kapacitet maksimal prej 100 personash në katin përdhesë dhe 100 në podrum, thanë autoritetet.

Autoritetet në Zvicër kanë njoftuar se mosha mesatare e personave që vdiqën nga zjarri ishte 19. Tetë nga viktimat ishin nën moshën 16-vjeçare. Shumica e të vdekurve ishin zviceranë, nëntë francezë dhe gjashtë italianë.

“Kjo tragjedi ka mundur të shmangej”, tha në fillim të javës ambasadori italian në Zvicër, Gian Lorenzo Cornado./REL

Zelensky riorganizon shërbimin sekret të Ukrainës, largon Malyuk dhe emëron Khmara si drejtues të përkohshëm të SBU-së

Presidenti Volodymyr Zelenskiy zëvendësoi kreun e agjencisë së tij të fuqishme të sigurisë të hënën, duke vazhduar me një riorganizim të zyrtarëve të lartë.

Një veprim i tillë vjen ndërsa lufta e Rusisë në Ukrainë i afrohet katërvjeçarit, pa asnjë fund në horizont, pavarësisht diplomacisë intensive.

Shkarkimi i Vasyl Maliuk, i cili mbikëqyri një seri vrasjesh dhe një operacion të papritur me emrin e koduar “Rrjeti i Merimangës” që shkatërroi fluturaket luftarake ruse, trondit udhëheqjen e një agjencie të madhe sigurie në zemër të luftës së Ukrainës.

Zelenskiy emëroi Gjeneral Major Yevhenii Khmara si kreun në detyrë të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU), të cilin Maliuk e kishte drejtuar që nga viti 2022.

Agjencia e përshkroi Khmara si një komandant me përvojë i cili kishte shërbyer në njësinë elitare luftarake Alfa që nga viti 2011 dhe e kishte udhëhequr atë që nga viti 2023.

Zelenskiy tha në X se i kishte kërkuar Maliuk të përqendrohej në operacionet luftarake, duke shtuar: “Duhet të ketë më shumë operacione asimetrike ukrainase kundër pushtuesit dhe shtetit rus, dhe rezultate më të forta në eliminimin e armikut”.

Zelenskiy javën e kaluar emëroi shefin e spiunazhit ushtarak Kyrylo Budanov si shefin e tij të stafit për të zëvendësuar Andriy Yermak, i cili u shkarkua në nëntor për shkak të një skandali korrupsioni, por mohoi shkeljet.

Ministrat e rinj të mbrojtjes dhe energjisë do të emërohen gjithashtu në një riorganizim që ishte pezulluar gjatë negociatave për një marrëveshje të mundshme paqeje që nuk dha asnjë shenjë të një përparimi.

Rusia, e cila pushtoi Ukrainën në shkurt të vitit 2022, mban rreth një të pestën e territorit ukrainas, përfshirë Krimenë, të cilën e pushtoi në vitin 2014. Kievi thotë se përparimet kanë sjellë humbje të mëdha për Rusinë. Zelensky ka emëruar gjithashtu Zëvendësministrin e Parë të Jashtëm Serhiy Kyslytsia si zëvendës të parë të Budanov, duke sjellë një anëtar të ekipit negociator të Ukrainës në administratën e tij.

Udhëheqësit evropianë i përgjigjen Trump për Groenlandën

Udhëheqësit nga fuqitë kryesore evropiane shprehën mbështetje për Danimarkën dhe Groenlanda të martën në një deklaratë të përbashkët, duke thënë se ishulli Arktik i përket popullit të tij, pas interesit të përtërirë nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump për të marrë territorin danez.

“Grenlanda i përket popullit të saj. Është detyrë e Danimarkës dhe Grenlandës, dhe vetëm atyre, të vendosin për çështjet që kanë të bëjnë me Danimarkën dhe Groenlandën”, thuhet në deklaratën e udhëheqësve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë, Spanjës, Britanisë dhe Danimarkës.

Udhëheqësit thanë se siguria në Arktik duhet të arrihet kolektivisht me aleatët e NATO-s, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

“NATO e ka bërë të qartë se rajoni i Arktikut është një përparësi dhe aleatët evropianë po rrisin angazhimin”, thuhet në deklaratë.

“Ne dhe shumë aleatë të tjerë kemi rritur praninë, aktivitetet dhe investimet tona, për ta mbajtur Arktikun të sigurt dhe për të penguar kundërshtarët”.

Trump ka thënë vazhdimisht se dëshiron të marrë Grenlandën dhe i tha revistës The Atlantic të dielën: Ne kemi nevojë për Grenlandën, absolutisht. Ne kemi nevojë për mbrojtje.

Deklarata e tij vjen pas një operacioni ushtarak amerikan në fundjavë që çoi në kapjen e Presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro dhe që ka ringjallur më tej shqetësimet midis aleatëve të Uashingtonit në NATO se Grenlanda mund të përballet me një skenar të ngjashëm.

Grenlanda, ishulli me një popullsi prej 57 mijë banorësh, nuk është anëtar i pavarur i NATO-s, por mbulohet nga anëtarësimi i Danimarkës në aleancën ushtarake perëndimore.

Vendndodhja strategjike e ishullit midis Evropës dhe Amerikës së Veriut e bën atë një vend kritik për sistemin e mbrojtjes nga raketat balistike të SHBA-së.

Pasuria e tij minerale përputhet gjithashtu me ambicien e Uashingtonit për të zvogëluar varësinë nga eksportet kineze.

Kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, tha të hënën se qeveria e tij po kërkonte të forconte lidhjet me Shtetet e Bashkuara dhe se qytetarët nuk duhet të kenë frikë nga një marrje e afërt e kontrollit nga SHBA-ja.

“Zëri i shqiptarëve”: Partitë e mëdha në rënie, PS mbetet maxhorancë. 24 % e shqiptarëve do votonin një parti të re

Partia Socialiste e cila drejton qeverinë, ka një rënie prej 8%, nga 51.2 në zgjedhjet e 11 majit në 44.2% sot.

E njëjta rënie edhe për Partinë Demokratike me 8%, nga 34.3 në 26.3%, si dhe për partitë aktuale të vogla opozitare, nga 13.5% në 5.5%.

Por, nëse PS vijon të mbetet mazhorancë edhe me kaq, dhe PD vijon të tkurret si partia më e madhe opozitare, partitë e reja duket se janë drejt shuarjes, pa u rritur akoma. Rritet pritshmëria e shqiptarëve rritet vetëm tek krijimi i një partie të re.

24% e tyre presin, dhe në rast se ndodh, do të ishte një lajm i keq si për të rinjtë si për të vjetrit e politikës, por veçanërisht për Berishën, i cili aktualisht po mban vendin e dytë komod me vetëm 26%./abcnews.al

“Zëri i shqiptarëve”, sondazhi: Shqiptarët optimistë, 2026 vit pozitiv për familjet e tyre

Ndërsa 2026 sapo ka hyrë, shqiptarët kanë pritshmëri 55.8% e shqiptarëve kanë pritshmëri pozitive, për familjet e tyre.

Pyetjes: Si është pritshmëria për familjen tuaj në vitin 2026? Iu përgjigjën pozitivisht 55.8% apo rreth 1,059,000. Për 31.5 % të tjerë, apo 600 000 shqiptarë, pritshmëritë për 2026 për familjet e tyre janë negative, ndërsa të dyzuar, janë 12.7%.

Linku i pyetësorit u shpërnda me SMS të rastësishme në mënyrë proporcionale në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë.

Kampioni i përpunuar është, 1234 banorë të rritur të vendit. Pyetësori u plotësua elektronikisht në mënyrë anonime nga të anketuarit, ndërsa marzhi i gabimit statistikor përllogaritet +/- 2.8%./abcnews.al

Pozitiv apo negativ, si ishte 2025 për Shqipërinë? Ja si e mendojnë shqiptarët

Ndërsa pjesa dërrmuese e shqiptarëve të anketuar në sondazhin ‘Zëri i Shqiptarëve’, e konsiderojnë një vit pozitiv 2025 për familjet e tyre, ndryshe e mendojnë për Shqipërinë.

Pyetjes Si ishte viti 2025 për Shqipërinë? 43.2% apo 821,000 shqiptarë e konsiderojnë atë pozitiv, ndërsa 39.6% apo 752,000 shqiptarë thonë se 2025, ishte një vit negativ për Shqipërinë. Të dyzuarit, përbëjnë rreth 17.2% e të anketuarëve ose, në një ekstrapolim të shifrave 327,000 shqiptarë.

Linku i pyetësorit u shpërnda me SMS të rastësishme në mënyrë proporcionale në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë. Kampioni i përpunuar është, 1234 banorë të rritur të vendit. Pyetësori u plotësua elektronikisht në mënyrë anonime nga të anketuarit, ndërsa marzhi i gabimit statistikor përllogaritet +/- 2.8%./abcnews.al

“Zëri i Shqiptarëve”/ Sondazhi: Si ishte viti 2025 për familjen tuaj?

Mbi 1 milionë shqiptarë, apo rreth 54.7% e tyre e konsiderojnë vitin 2025, një vit pozitiv për familjet e tyre.

Në sondazhin e parë për 2026, ‘Zëri i Shqiptarëve’, sjell përshtypjet dhe pritshmëritë e shqiptarëve për vitin që lamë pas, por edhe për Vitin e ri që sapo ka hyrë.

Lidhur me 2025, rreth 30% e shqiptarëve, apo 570,000 e tyre në një ekstrapolim të shifrave, mendojnë se viti që lamë pas ishte një vit negativ.

Linku i pyetësorit u shpërnda me SMS të rastësishme në mënyrë proporcionale në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë. Kampioni i përpunuar është, 1234 banorë të rritur të vendit. Pyetësori u plotësua elektronikisht në mënyrë anonime nga të anketuarit, ndërsa marzhi i gabimit statistikor përllogaritet +/- 2.8%./abcnews.al

Delcy Rodriguez betohet si presidente e përkohshme e Venezuelës

Zëvendëspresidentja e Venezuelës, Delcy Rodriguez është betuar zyrtarisht si presidente e përkohshme.

Ajo u betua nga vëllai i saj Jorge Rodriguez, i cili, më herët sot, u betua vetë si president i Asamblesë Kombëtare, transmeton Telegrafi.

Rodriguez ka ftuar SHBA-në të bashkëpunojë me Venezuelën, por tha se vendi ruan të drejtën e tij për “paqe, zhvillim, sovranitet dhe një të ardhme”.

Më parë, djali i udhëheqësit të rrëzuar të Venezuelës, Nicolas Maduro, foli para asamblesë kombëtare të vendit.

Nicolas Maduro Guerra e quajti babanë e tij “president Maduro” dhe bëri thirrje për lirimin e tij.

Pse Trump arrestoi Maduron?/ Çika: Nafta bruto arsyeja më e rëndësishme. Mema: Lojë gjeopolitike

Debati mbi rolin e naftës dhe interesat gjeopolitike në ndërhyrjen e SHBA-së ndaj Venezuelës, me arrestimin e Nicolas Maduro u diskutua në emisionin “Real Story” në ABC News, ku pedagogu Emilio Çika dhe eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Medlir Mema theksuan se, ndonëse nafta mbetet një faktor i rëndësishëm, ajo nuk është elementi i vetëm nxitës.

Sipas tyre, ndërhyrjet amerikane historikisht kanë qenë të motivuara nga interesa politike dhe strategjike, të shoqëruara me përfitime ekonomike, ndërsa situata në Venezuelë lidhet ngushtë edhe me rivalitetet globale dhe ndikimin e aktorëve si Kina, Rusia, Irani dhe Kuba.

Emilio Çika: Nafta ishte një nga arsyet më të rëndësishme. Tregon që Amerika ka nevojë për naftën bruto, e cila sa po vjen dhe po shteron. Mënyra se si funksionon në jugun amerikan, janë rafineri që kërkojnë naftën bruto. Megjithatë nuk duhet thënë që është i vetmi element nafta. Ajo që kanë treguar ndërhyrjet amerikane ndër vite kanë qenë gjithmonë ndërhyrje politike dhe strategjike me një përfitim ekonomik nga pas.

Medlir Mema: As nuk bëhet fjalë që nafta luan një rol shumë të rëndësishëm të ndërhyrjes së Trump. Nga an tjetër nuk është nafta i vetmi faktor nxitës. Kjo çështje nuk është krye këput çështje nafte, edhe kompanitë e naftës nuk janë shprehur për këto çështje të fundit, pasi e dinë që duhet të presin disa vite për të sjellë përfitime nga nafta e Venezuelës. E gjithë kjo lojë është gjeopolitike. Kina mbështetet nga nafta venezuelase, Irani dhe Kuba po ashtu. Ndonëse nafta është një element i rëndësishëm, fokusi është se çfarë do të bëjë Amerika me naftën e Venezuelës. Një saktësim i dytë që doja të bëja, është që Trump ka kërkuar më parë shumë herë bashkëpunimin e Maduros, por ky i fundit për shkak të presionit rus nuk ka pranuar, kurse tani është nervozuar nga sjellja e tij./abcnews.al

Arrestimi i Maduros nga SHBA/ Eksperti: Demokratët, kritika Trump. Nuk ishte një aksion ushtarak

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Medlir Mema, ka komentuar në emisionin “Real Story” në ABC News zhvillimet më të fundit në arenën globale, lidhur me arrestimin nga Shtetet e Bashkuara të Presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro.

Sipas Memës, reagimet politike në SHBA kanë qenë të forta, veçanërisht nga Partia Demokratike dhe një pjesë e kampit të Donald Trump, ndërsa ai theksoi se veprimi i administratës amerikane është justifikuar ligjërisht dhe nuk përbën një krizë kushtetuese, por një ndërhyrje policore të mbështetur nga ushtria amerikane.

“Reagimi ka qenë shumë i ashpër, më shumë nga opozita në SHBA. Por nga ana tjetër edhe brenda kampit të zotit Trump, sepse mos harrojmë që ka një kamp që e kanë kundërshtuar këtë lloj ndërhyrje megjithatë nga mbështetësit e tij ka pasur më pak kritika, por nga Partia Demokratike ka pasur më shumë.

Sa i takon çështjet së autorizimit, Trump ka një justifikim për këtë, duke theksuar që Maduro është i paligjshëm, ka një urdhër gjykate nga Gjykata Federale amerikane dhe sigurisht që kjo nuk ishte një ndërhyje ushtarake, por një ndërhyje policeske e mbështetur sigurisht nga ushtria amerikane. Në këto konture  nuk kemi një krizë Kushtetuese”, tha eksperti./abcnews.al

VIDEO/ I armatosur kryen tre vjedhje brenda pak orësh, policia e Fushë-Krujës dhe Tiranës në kërkim të të riut

Policia e Fushë-Krujës dhe Tiranës janë vënë në ndjekje të një personi, i cili dyshohet se ka kryer të paktën 3 vjedhje me dhunë përgjatë pak orëve. Sipas burimeve të gazetares së ABC News, Bleona Sari, i riu, i cili rezulton me precedent të mëparshëm penal, ka marrë një taksi në zonën e Tajvanit në Tiranë dhe ka kërkuar të shkojë në Fushë-Krujë. Sapo është afruar drejt Tapizës, me anë të një arme zjarri ka kërcënuar taksistin dhe ka marrë drejtimin e makinës vetë, ndërsa këtë të fundit e ka lënë në një zonë të largët; i ka marrë edhe paratë dhe celularin taksistit.

Më pas ka shkuar pranë një pike karburanti në afërsi të Milotit dhe, sërish me kërcënimin e armës së zjarrit, i ka marrë punonjësit paratë e xhiros ditore.
Më pas ka lënë mjetin në afërsi të një xhamie në Fushë-Krujë dhe është arratisur i armatosur, ndërkohë që është ende në kërkim.
Burimet thanë se i riu është identifikuar plotësisht nga policia dhe po vijojnë kërkimet. Në bazë të verifikimeve rezulton se i riu ka qenë i dënuar më herët dhe ka precedent penal në fushën e mashtrimit./abcnews.al

Sekretari i OKB-së i shqetësuar për ngjarjet në Venezuelë: Po shkelet ligji ndërkombëtar

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres sot në 5 janar, shprehu shqetësim të thellë për mosrespektimin e ligjit ndërkombëtar në lidhje me veprimet e SHBA-ve në Venezuelë.

Në një seancë emergjente të Këshillit të Sigurimit, zëvendëssekretarja e përgjithshme, Rosemary DiCarlo, lexoi një deklaratë në emër të Guterres, ku theksohet shqetësimi për mundësinë e rritjes së paqëndrueshmërisë në vend dhe ndikimin potencial në rajon.

Sekretari i OKB-së gjithashtu paralajmëroi për precedentët që këto veprime mund të krijojnë për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe mënyrën se si shtetet bashkëveprojnë me njëri-tjetrin. Ai bëri thirrje për respektimin e rregullave ndërkombëtare dhe për zgjidhje paqësore të krizave, për të shmangur destabilizime më të gjera.

Situata në Venezuelë është tensionuar pas operacioneve të SHBA-ve, duke çuar n ë arrestimin e Nicolás Maduros, një veprim që ka shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare.

Shumë vende dhe organizata, përfshirë OKB-në, kanë shprehur shqetësim për legjitimitetin e këtyre veprimeve dhe për ndikimet e mundshme në stabilitetin rajonal. Këshilli i Sigurimit është mbledhur urgjentisht për të diskutuar kërcënimet “ndaj paqes ndërkombëtare” dhe për të vlerësuar situatën humanitare dhe politike në Venezuelë.

“Opozita s’ngjall më shpresë”/ Meçe: ‘Sekti Berishian’ është i ezauruar në Shqipëri

Analisti politik Arben Meçe, i ftuar në “Tirana Live” në ABC News, ka komentuar zhvillimet e fundit në opozitë dhe sjelljen politike të Sali Berishës, duke i cilësuar ato si të përsëritura dhe jashtë normales.

Sipas Meçes, opozita ndodhet në një fazë ezaurimi, ndërsa veprimet dhe deklaratat e Berishës nuk prodhojnë më shpresë apo alternativë për qytetarët, por synojnë vetëm krijimin e përditshëm të një ngjarjeje mediatike.

Ai theksoi se Partia Demokratike është e uzurpuar nga një “sekt”, çka po pengon mendimin opozitar dhe përfaqësimin real të qytetarëve, duke nënvizuar se ndryshimi në opozitë do të vijë vetëm me largimin e Berishës nga drejtimi i PD-së.

“Do të vazhdojë çdo ditë e njëjta skemë. Nuk e di se çfarë po prodhon. Nuk gjen më asnjë mekanizëm për të analizuar sjelljet e Berishës. Nuk ka një njeri normal që të dalë 3 herë në konferenca shtypi dhe thotë gjithmonë të njëjtat gjëra. Sot ngaqë s’kishte se çfarë të thoshte, në dyert e SPAK ka thënë çudira. Në këtë kuadër dhe në këtë logjikë, produkti do të jetë ky që pamë sot. Shenjat tregojnë që ‘sekti Berishian’ është i ezauruar në Shqipëri.

Opozita duhet të prezentë ndaj qytetarit, jo ndaj medias. Kjo situatë, e kësaj proteste/foltoreje nuk është normale. Vetëm një psikoanalist mund të zbërthejë këto veprime anormale të Berishës. Rëndësi për Berishën ka që çdo ditë të prodhojë një ngjarje. Nuk duhet të gëzojmë që kemi këtë opozitë. Nuk është në favorin tonë kjo opozitë. Uzurpimi i opozitës nga një sekt sjell këtë produkt. PD është një sekt, që nuk mbështetet nga asnjë moral. Berisha nuk, prodhon asnjë fije shprese tek qytetari shqiptar dhe po ndrydh mendimin opozitar. Ndryshimi do të vijë ditën që Berisha do largohet nga drejtimi i PD”, tha Meçe.

Starmer: Londra në krah të Danimarkës për Groenlandën

Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka shprehur mbështetjen e plotë të Londrës për Danimarkën, në përgjigje të pretendimeve të presidentit amerikan, Donald Trump, mbi sovranitetin e Groenlandës.

I pyetur nga Sky News UK në margjinat e një vizite në qarkun anglez Berkshire, lidhur me deklaratat e ashpra të kryeministres daneze Mette Frederiksen ndaj Trump, Starmer ka marrë një qëndrim të qartë dhe të pazakontë publik kundër presidentit amerikan.

“Jam në anën e saj. Frederiksen ka të drejtë për të ardhmen e Groenlandës”, deklaroi Starmer, duke riafirmuar se Mbretëria e Bashkuar mbështet pozicionin e Danimarkës mbi statusin dhe sovranitetin e territorit autonom.

Ky qëndrim duket se sinjalizon një distancim të rrallë të hapur të Londrës nga Uashingtoni në një çështje të ndjeshme gjeopolitike, duke nënvizuar rëndësinë e respektimit të sovranitetit dhe rendit ndërkombëtar.

Administrata e Presidentit amerikan ka në plan ta vendosë Groenlandën në autoritetin e Komandës Veriore të Shteteve të Bashkuara, e cila është përgjegjëse për mbrojtjen e territorit të SHBA.

Groenlanda, pjesë e NATO-s ka një rëndësi strategjike për ushtrinë amerikane dhe për sistemin e saj të paralajmërimit të hershëm të raketave balistike, pasi rruga më e shkurtër nga Evropa në Amerikën e Veriut kalon përmes ishullit Arktik.

❌