TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot në fjalën e tij para protestuesve, se opozita do t’i shpallë “luftë” kryeministrit Edi Rama.
Kreu i PD-së nënvizoi se “opozita ia doli t’i dëshmojë botës se çfarë përfaqëson narkoshteti shqiptar”.
“Ndaj dhe ne jemi këtu sot, jam i bindur se me të drejtë, jo pa të drejtë, ka qytetarë këtu në shesh, ka edhe të tjerë që na ndjekin, që thonë se çfarë do bëjnë këta. E keni shumë të drejtë pyetjen. Por u jap fjalën që ne do bëjmë atë, ja do vdesim, ja do rrojmë për liri”, u shpreh Berisha.
“Mjerë ai që provohet me ne. Dhe dijeni mirë se kur ne kemi dalë me këtë zotim, kurrë nuk kemi humbur, kemi fituar, kemi fituar, do fitojmë. Nuk mundet kurrë një grusht hajdutësh të na nëpërkëmbë ne. Nuk mundet kurrë një grusht hajdutësh, narkotrafikantësh të shkelmojnë mbi dinjitetin tonë, mbi të ardhmen tonë, të nxijnë Shqipërinë, të na përzënë nga Shqipëria. Nuk të ndahemi këtu, po të jap fjalën se nuk të ndahemi as në Surrel. Ai na ka shpallur luftë, ne i shpallim luftë. Ai i ka shpallur luftë shqiptarëve, ne i shpallim luftë armikut të shqiptarëve”, tha Berisha.
Ndër të tjera, Berisha tha se PD është e vendosur të bashkëpunojë me çdo faktor, me çdo qytetar, me çdo forcë politike në një front më të gjerë opozitar.
“Në emër tuaj ftoj të gjitha forcat politike opozitare, ftoj çdo opozitar, ftoj çdo guximtar të bashkohet në këtë betejë. Në këtë betejë vendimtare për fatin e këtij kombi që po shuhet, që po shkretohet, për fatin e këtij vendi të bekuar, nga i cili po largohen bijtë dhe bijat e saj sepse nuk i besojnë më, pavarësisht se ka pasuri përrallore”, deklaroi kreu i PD-së.
“Iu bëj thirrje intelektualëve shqiptarë, hiqeni mantelin e konformizmit, intelektuali ka armik numër 1 konformizmin, është virusi më shkatërrimtar i tij. Dilni në shesh si në vitin 1991, dilni të përballemi se kem detyrime ndaj familjeve tona, ndaj qytetarëve që na besojnë. PD qëndron e vendosur të bashkëpunojë me çdo faktor, me çdo qytetar, me çdo forcë politike në një front më të gjerë që Shqipëria ka parë”, tha Berisha.
Ai u shpreh në fund të fjalës së tij se demokratët duhet të kenë besim se siç “e shpëtuam opozitën kur donin ta zhduknin, do shpëtojmë Shqipërinë, do shpëtojmë shqiptarët, do u japim vendin që meritojnë”.
/m.q/j.p/
The post Berisha: Ne do i shpallim luftë Ramës, opozitarët të na bashkohen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.