Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

10:50 Sekuestrohet sasi e madhe fishekzjarrësh në Tiranë, 3 në pranga

Policia e Tiranës thotë se ka sekuestruar një sasi të madhe lëndësh piroteknike që mbahej dhe shitej në dyqane, makina apo dhe në rrugë, duke cenuar kriteret. Gjatë operacionit janë arrestuar 3 persona dhe janë proceduar penalisht 9 të tjerë.

“Si rezultat i kontrolleve të pandërprera që po kryhen gjatë këtyre ditëve, në kuadër të planit operacional “Fireëorks”, në subjekte/ndaj shtetasve që shesin pa autorizim, lëndë piroteknike, veprimtari e cila rrezikon shëndetin e qytetarëve dhe qetësinë publike, shërbimet e Policisë së Tiranës evidentuan 7 raste të tjera të kësaj paligjshmërie.

Konkretisht:

-specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Finanaciare, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, arrestuan shtetasin I. Xh., 28 vjeç, si dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. H., 25 vjeç, pasi gjatë kontrollit në automjetin e tyre, u gjetën lëndë piroteknike që posedoheshin nga 28-vjeçari, me qëllim shitjen, si dhe një sasi e vogël Cannabisi që posedohej nga shtetasi i proceduar;

-specialistët për Hetimin të Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin B. L., 22 vjeç, pasi gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit të tij, u gjet sasi të konsiderueshme fishekzjarresh;

-shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit M. B., 18 vjeç dhe L. P., 20 vjeç, pasi nga kontrolli në bagazhin e automjetit të tyre, nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, u gjet një sasi lëndësh piroteknike;

-specialistët për Hetimin të Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasit F. J., 55 vjeç, si dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit B. J., L. T. dhe E. V., pasi nga kontrollet u konstatua se shtetasi F. J. dhe djali i tij, shtetasi B. J. shitnin fishekzjarrë në marketin e tyre në rrugën “Myslym Keta”, ndërsa 2 të proceduarit e tjerë u kapën duke blerë lëndë piroteknike;

-specialistët për Hetimin të Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit A. P., 25 vjeç, A. H., 30 vjeç dhe R. Ll., 25 vjeç, pasi iu gjetën sasi fishekzjarrësh”, tha policia.

Kontrollet vijojnë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. “Policia e Tiranës apelon sërish për të gjithë qytetarët që të mos përdorin dhe tregtojnë lëndë piroteknike në kundërshtim me rregullat dhe kriteret e përcaktuara, pasi kjo veprimtari, me rrezik për jetën dhe shëndetin e tyre, ndëshkohet konform ligjit”./KM

10:40 Mbi 13 mijë familje do të përfitojnë kompensimin financiar për pronat e tyre

Mbi 13 mijë familje shqiptare do të marrin sot dhe në ditët e ardhshme kompensimin financiar për pronat e tyre nga Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP). Lajmin e ka bërë të ditur Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, përmes një video-mesazhi.

Ministri Lamallari shpjegon se fondi prej rreth 1.4 miliardë lekësh do të transferohet në llogaritë bankare të pronarëve. Ky është pjesa e mbetur prej 30% e kompensimit që u takonte subjekteve, duke e plotësuar shlyerjen përfundimtare si pronarë.

Ai thekson se ka kërkuar nga ATP-ja që procesi të kryhet me shpejtësi, transparencë dhe respekt rigoroz të ligjit, duke përmbushur detyrimin ndaj pronarëve dhe duke e avancuar standardin evropian për një shtet të së drejtës, ku prona dhe të drejtat themelore janë të garantuara.

Në fjalën e tij, Lamallari shprehet:
“Ky është një tjetër lajm i mirë për shumë familje që përfitojnë sipas ligjit kompensimin financiar nga shteti. Shteti shqiptar shlyen tani plotësisht të drejtën që u takon. Me fondin prej rreth 1.4 miliardë lekësh, mbi 13 mijë familje do të përfitojnë drejtpërdrejt. Ky nuk është vetëm një akt financiar, por një akt drejtësie dhe respekti për pronën, ligjin dhe qytetarin.”

Lamallari shton se kompensimi i sotëm për këto familje konsiderohet i kryer plotësisht dhe shënon mbylljen e një kapitulli të vjetër. Ai garanton se procesi i kompensimit për të gjithë pronarët do të vazhdojë, në përputhje me ligjin dhe me synimin për t’u përafruar me standardet evropiane.

Ministri përfundon duke theksuar rëndësinë e këtij procesi si pjesë të përparimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe si përmbushje e zotimit të qeverisë ndaj të drejtave ligjore të qytetarëve./KM

10:30 Rituali i thjeshtë i mëngjesit që mund të përmirësojë sistemin imunitar gjatë dimrit

Nutricionistët rekomandojnë një kombinim të thjeshtë mëngjesi për të rritur mbrojtjen natyrale të trupit: ujë i vakët me limon, 15 minuta ekspozim në dritë natyrale dhe një vakt i pasur me proteina e yndyrna të mira.

Këto elementë ndihmojnë aktivizimin e metabolizmit, stabilizimin e hormoneve të stresit dhe mbështetjen e prodhimit të vitaminës D e cila është thelbësore për imunitetin. Mjekët sugjerojnë shtimin e probiotikëve natyralë si kosi, kefiri ose ushqimet e fermentuara si mbështetje për sistemin tretës.

Ky ritual nuk zëvendëson trajtimet mjekësore, por mund të ulë rrezikun e infeksioneve sezonale dhe të rrisë energjinë në mënyrë të shëndetshme./KM

10:20 Nata e ndërrimit të viteve, ja cilat janë vendet që do të mirëpresin të parat 2026-ën

Ndërsa bota përgatitet të festojë hyrjen e vitit 2026, disa vende në Paqësor do të jenë të parat që do ta përjetojnë momentin festiv të mesnatës.

Ishulli Kiritimati në Kiribati, i vendosur në zonën kohore më përparimtare në botë (ora 11 me orën shqiptare), do të jetë vendi i parë i banuar që do të hyjë në 1 janar 2026, me festa që fillojnë sapo ora të shënojë mesnatën lokale.

Pas Kiribati, Chatham Islands të Zelandës së Re do të bëjnë festimet e tyre pak minuta më vonë, falë një zone kohore +13:45 orë. Ndjekin më pas Zelanda e Re, Samoa dhe Tonga, duke nisur një valë festivalesh që do të lëvizë gradualisht drejt perëndimit.

Në vendet si Fiji dhe pjesë të Australisë lindore, atmosfera e festës zakonisht kulmon me fishekzjarrë dhe mbledhje familjare ndërsa ora shënon mesnatën e parë për shumë prej qyteteve të mëdha në Paqësor./KM

10:10 E zhdukur prej një muaji nga shtëpia, gjendet e vrarë 19-vjeçarja/ Policia zbulon detajet e para

Një 19-vjecare është gjendur e vdekur në oborrin e një pallati në Milano.

Sipas familjarëve, Aurora Livoli, ishte larguar prej më shumë se një muaji nga shtëpia. Kontakti i fundit me të kishte qenë mëngjesin e 26 nëntorit, kur ajo u kishte thënë se ishte mirë dhe se nuk kishte ndërmend të kthehej, pa dhënë informacion mbi vendndodhjen e saj.

Karabinierët, publikuan dy pamje nga kamerat e sigurisë ku vajza shihet duke ecur në rrugë pak para se të hynte në një pallat në Via Paruta. Ajo paraqitet me flokë të errët deri në supe, e veshur me atlete dhe një xhaketë.

Sipas mediave, në pamje, 19-vjeçarja duket e qetë dhe nuk shfaq shenja shqetësimi. Pas saj shihet një burrë i gjatë dhe i dobët, i veshur me një bluzë të bardhë, i cili nuk shfaqet qartë në pamje. Ai është filmuar rreth një orë më vonë duke u larguar nga e njëjta zonë, këtë herë i vetëm. Sipas hetuesve, asgjë në pamje nuk sugjeron ndjekje apo dhunë në atë moment, duke lënë të kuptohet se dy personat mund të njiheshin.

Kur u gjet, Aurora nuk kishte me vete dokumente identifikimi, telefon apo shenja dalluese që mund të ndihmonin në identifikimin e saj. Verifikimet në arkivat e gjurmëve të gishtërinjve (AFIS), kërkimet në qendrat e pritjes dhe dëshmitë e banorëve të zonës nuk dhanë rezultat. Askush nuk deklaroi se e kishte parë më parë në atë lagje.

Për këtë arsye, Prokuroria autorizoi publikimin e pamjeve të kamerave të sigurisë, çka çoi më pas në identifikimin e saj.

Shkaku i vdekjes mbetet ende i paqartë. Autopsia, që pritet të kryhet në orët në vijim, do të përcaktojë nëse shenjat e vërejtura në qafë lidhen me vdekjen dhe nëse ato i paraprijnë apo jo asaj, si edhe nëse ka pasur dhunë.

Ndërkohë, hetuesit po punojnë për të identifikuar burrin e parë në shoqërinë e Aurorës dhe për të rindërtuar orët e fundit të jetës së saj./KM

10:00 Pse disa njerëz kanë gjithmonë “ndjesinë e déjà vu”? Shkencëtarët zbulojnë misterin e trurit

Fenomeni i déjà vu-së, ajo ndjesi e çuditshme sikur e keni jetuar një moment më parë, nuk është thjesht iluzion. Sipas neurospecialistëve, truri ynë nganjëherë ngatërron sinjalet mes kujtesës afatshkurtër dhe asaj afatgjatë, duke krijuar përshtypjen se e kemi përjetuar një situatë më parë. Kjo ndodh për shkak të mbivendosjes së informacionit në hippocampus, qendra e memories në tru.

Shkencëtarët theksojnë se déjà vu lidhet edhe me nivelin e stresit dhe mungesës së gjumit, pasi truri përpiqet të “këtej” informacionin më shpejt se zakonisht. Fenomeni është më i përhapur tek të rinjtë nën 30 vjeç dhe shfaqet më shpesh në periudha të lodhjes psikologjike.

Ekspertët theksojnë se déjà vu konsiderohet normal, për sa kohë që nuk shoqërohet me humbje kujtese ose simptoma të tjera neurologjike./KM

09:50 Netanyahu i vendosur: Pa çarmatim të plotë të Hamasit, plani i SHBA-së për Gazën nuk mund të vazhdojë

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka përshkruar çarmatimin e Hamasit si një pengesë kyçe dhe vendimtare për kalimin në fazën e dytë të planit të paqes të SHBA-së për Gazën, duke theksuar se pa dorëzimin e plotë të armëve dhe infrastrukturës ushtarake nëntokësore të organizatës, nuk mund të ketë përparim.

Duke folur për rrjetin televiziv amerikan Fox News, Netanyahu u pyet se cila është arsyeja që po e vështirëson kalimin në fazën e dytë të planit të Uashingtonit për Gazën.

“Një fjalë: çarmatim”, u përgjigj ai, duke shtuar se Hamasi ishte zotuar të çarmatosej, por refuzon ta bëjë këtë.

Zyrtarët amerikanë kanë pohuar se Hamasi ra dakord të çarmatoset pak para nënshkrimit të fazës së parë të marrëveshjes më 9 tetor. Megjithatë, organizata palestineze e ka mohuar vazhdimisht se ka bërë një angazhim të tillë. Kryeministri izraelit tha se Hamasi ende ka fuqi të konsiderueshme ushtarake.

“Ata ende kanë rreth 20,000 njerëz me kallashnikovë, të cilët i përdorin herë pas here për të ekzekutuar këdo që nuk dëshiron që tirania e tyre të vazhdojë”,tha ai.

Sipas tij, organizata ka rreth 60,000 armë të tipit AK në total.

“Kjo do të thotë çarmatim: marrja e të gjitha këtyre armëve, marrja e tyre nga duart dhe çmontimi i tuneleve terroriste që ata ende kanë – qindra kilometra tunele nëntokësore. Hamasi refuzon ta bëjë këtë”, tha ai.

I pyetur nëse besonte se faza e dytë e planit për Gazën mund të vazhdonte edhe nëse Hamasi nuk pranonte çarmatimin, Netanyahu u përgjigj se duhet t’i jepet një shans. Ai tha se plani i SHBA-së përfshin vendosjen e një force ndërkombëtare stabilizimi në Gaza.

“Po bëhen përpjekje për të formuar një forcë ndërkombëtare. Deri më tani nuk ka dhënë fryte, por ne do t’i japim një shans”, tha ai.

Në mbyllje, kryeministri izraelit la të hapur mundësinë e opsioneve alternative në rast të dështimit diplomatik.

“Nëse mund të bëhet në mënyrën e lehtë, në rregull. Nëse jo, do të bëhet në një mënyrë tjetër”, tha ai, duke nënvizuar se për Izraelin, çarmatimi i Hamasit është një kusht i panegociueshëm për çdo fazë tjetër në menaxhimin e Gazës pas luftës./KM

09:40 Mbante armë zjarri pa leje/ Arrestohet 31-vjeçari në Korçë, i përfshirë në ngjarje kriminale

Një aksion i komisariatit të policisë të Korçës, mbrëmjen e djeshme ka çuar në arrestimin e një 31-vjeçari. Gjatë një kontrolli në një lokal të qytetit, shërbimet e policisë konstatuan se i riu mbante armë zjarri pa leje.

I arrestuari është shtetasi Q.Xh, një emër i njohur për policinë për shkak të precedentëve penalë. Sipas burimeve zyrtare, 31-vjeçari ka qenë i përfshirë në disa ngjarje kriminale, ndërsa në vitin 2017 ka qëlluar me kallashnikov drejt një lokali nate ne periferi të qytetit të Korçës.

Ai rezulton gjithashtu i përfshirë edhe në veprimtari të paligjshme të trafikimit të lëndëve narkotike. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme, ndërsa policia vijon hetimet për dokumentimin e plotë të rastit./KM

09:30 Kukësi zbardhet nga dëbora, temperaturat shkojnë nën minus 16 gradë/ Autoritetet bëjnë thirrje: Përdorni goma dimërore dhe zinxhirë

Në ditën e fundit të vitit 2025, bora ka zbardhur fshatrat e zonave të thella të Kukësit. Reshjet e dëborës kanë përfshirë disa fshatra në njësitë administrative si Gryk-Çajë, Kalis, Bicaj, Topojan, Zapod dhe Shishtavec.

Fatmirësisht, bora nuk ka sjellë probleme me bllokimin e rrugëve në këto zona, pasi trashësia e saj ka qenë e vogël dhe e papërfillshme. Megjithatë, temperaturat e ulëta kanë ndikuar ndjeshëm në të gjithë qarkun.

Qarku i Kukësit është zgjuar këtë mëngjes i ngrirë, me temperatura që kanë zbritur deri në minus 3 gradë Celsius, ndërsa në zonat e thella malore termometri ka shënuar vlera ekstreme, duke arritur deri në minus 16 gradë Celsius. Këto temperatura kanë shkaktuar akull dhe ngrica në rrugë.

Drejtuesit e mjeteve duhet të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në rrugët rurale, pasi shtresa e hollë e borës ka mbuluar akullin e formuar mbi asfalt, duke e bërë qarkullimin të rrezikshëm.

Ndërkohë, në disa fshatra të njësive administrative të përmendura, banorët shprehen se dimrat në këto zona janë tradicionalisht shumë të ftohtë, por vitet e fundit moti dimëror nuk ka qenë aq i ashpër dhe reshjet e dëborës kanë qenë më të pakta.

Sa i përket akseve nacionale, në rrugët Kukës–Shishtavec, Kukës–Bushtricë, Kukës–Qafë Mali, Kukës–Krumë–Kamn–Tropojë, Tropojë–Qafë Morinë dhe Tropojë–Fierzë–Qafë Mali, është konstatuar prezencë e akullit dhe borës. Mjetet që lëvizin në këto segmente duhet të jenë të pajisura me goma dimërore ose zinxhirë.

Ndërkohë, firmat kontraktore janë në terren gjatë gjithë kohës, duke punuar për hedhjen e kripës dhe mbajtjen e rrugëve të hapura dhe të sigurta për qarkullim.KM

08:50 Lideri më i klikuar i vitit/ Eksperti: Si renditen Rama dhe Berisha. Surpriza… SPAK

Tomi Kallanxhi në një lidhje live në ka bërë një analizë të personazheve më të klikuar nga shqiptarët në 12 muajt e vitit.

Sipas tij, kryeministri Edi Rama dhe njëkohësisht kreu i Partisë Socialiste është lideri më i klikuar i vitit.

Pas tij në renditje, ndryshe nga sa mund të pritet është Prokuroria e Posaçme.

Ndërsa i treti në radhë është kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha./KM

08:40 VIDEO/ Dy metra bore, rrugët e kthyera në korridore akulli dhe temperatura -50 gradë Celcius! Pamje nga stuhia e fuqishme që përfshiu Arktikun

Rrugët në vendbanimin arktik të Tiksi-t, në rajonin e Jakutisë, janë mbuluar plotësisht nga dëbora si pasojë e stuhive të fuqishme që kanë përfshirë zonën. Moti ekstrem ka sjellë temperatura të ashpra që zbresin deri në -50 gradë Celsius, duke e bërë jetesën tepër të vështirë për banorët.

Shtresat e dëborës kanë arritur deri në dy metra lartësi, duke kthyer rrugët në korridore të ngushta akulli.

Vendasit janë të detyruar të lëvizin mes “labirinteve” të krijuara nga dëbora, ndërsa autoritetet po përballen me sfida të mëdha për të mbajtur të hapura rrugët dhe shërbimet bazë./KM

08:30 Nga ekzekutimi në sallën e gjyqit të gjyqtarit Kalaja, tek atentati në Rinas, ngjarjet e rënda kriminale që tronditën 2025-ën

Viti 2025 u shënua nga disa ngjarje të rënda kriminale që tronditën publikun dhe rendin në vend.

Gjatë periudhës 1 janar-30 nëntor 2025, janë regjistruar 39 vrasje në territorin e Shqipërisë, ndërsa 8 prej tyre mbeten ende me autorë të paidentifikuar, kryesisht në zonat e Shkodrës dhe Lezhës. Më poshtë listohen ngjarjet kriminale më të bujshme të vitit që sapo lëmë pas.

SKEDAT E KRIMIT

-Në 6 janar 2025, u regjistrua vrasja e Ramzan Matajt në Dragoç, Shkodër, i gjetur i vrarë brenda makinës së tij. Për krimin u arrestuan Arjon dhe Klisman Hasaj.
-Në 12 janar të 2025-ës u vra Bujar Nasufi në Tiranë, krim për të cilin u arrestuan vëllezërit përmetarë Voltan e Jugert Xhani. Ata dyshohen të jenë të implikuar ne cilësinë e organizatorëve dhe financuesve në vrasjen e biznesmenit, ngjarje që ndodhi në afërsi të zonës së njohur si Pallati me Shigjeta në Tiranë.
-Në 13 janar u vra Kristian Marku në Vlorë. Dosja e tij penale përmbante një sërë akuzash që lidhen kryesisht me përfshirjen në konfliktin e përgjakshëm mes fiseve Reçi, Gjini dhe Bardhi në qytetin e Rrëshenit.
-Në 24 janar vritet Lulzim Visha në Tiranë. Në pranga për krimin përfundoi Eduart Lami, 37-vjeç.
27 shkurt 2025 solli një tjetër vrasje të rëndë në Shkodër, ku u vra Pavlin Preka, krim për të cilin janë arrestuar Vasel Koçeku, 43 vjeç dhe Klaudio Lisaj, 20 vjeç.
-Më 17 prill 2025 u regjistrua vrasja e Gjovalin Prendit në Lezhë, edhe ky rast pa autorë të arrestuar, ndërsa si motiv dyshohet se është hakmarrja.
-Sakaq, një tjetër krim u regjistrua më 1 qershor 2025, ku u vra Pjetër Kazës, në Lezhë. Edhe ky krim dyshohet se ka ndodhur për shkak të gjakmarrjes që daton në 1994 mes fiseve Gjini dhe Kaza.
-Më 4 qershor 2025, në qytetin e Durrësit, u vra Ermir Dedja (29 vjeç), ngjarje e cila çoi në arrestimin e dy personave, Erion Ndoni dhe Klodian Berisha, ndërsa një tjetër i shpallur në kërkim Xhuljano Dyrmishi, dyshohet për përfshirje në këtë vrasje dhe në organizimin e saj kriminal.
-Një tjetër ngjarje e rëndë ndodhi më 4 gusht 2025 në Vau të Dejës, kur u vra Frrok Lleshaj, edhe ky rasti mbetet i pazbardhur nga policia. Ndonëse nuk ka të arrestuar, pista kryesore e vrasjes për policinë mbetet ajo e gjakmarrjes. Hasmëria mes familjes Lleshaj dhe dy familjeve të tjera ka prodhuar që nga fillim vitet ’90, 5 viktima deri më tani. Frrok Lleshaj është i treti që vritet pas djalit dhe vëllait të tij në fillim vitet ’90 ndërsa të vrarë janë edhe kushëriri i tij Dodë Lleshaj me të cilin lindi konflikti dhe një shtetas tjetër nga Puka. Gjithçka nisi në vitin 1991 kur djali i 65-vjeçarit u vra në Greqi.
-Më 14 gusht mbeti i vrarë 14-vjeçar. I mituri Erald Xhejo u vra me thikë nga një bashkëmoshatar, pas një sherri për motive banale.
-Pirro Prroni (61 vjeç), u vra më 28 gusht 2025 në Abat i Postribë, ndërsa autori Ndoc Maçaj u dorëzua në polici.
-Kristian Kola (34 vjeç), u vra më 4 shtator 2025 pas një sulmi me armë në Shkodër.
-Armando Pali dhe Liridon Kraja (alias Lusha), u vranë më 8 shtator 2025 në një bar pranë Shkodrës në një sulm me armë, ku u plagosën edhe të tjerë. Autor Ragip Gila u arrestua.
-Më 18 shtator u nxor pa jetë në një humnerë Mirel Çokaj, ndërkohë familjarët e tij pretendojnë se ai është vrarë për parcelat e kanbanisit. Prokuroria e Shkodrës ka nisur hetimet.
-Ndërkohë, ngjarja më kriminale e këtij viti padyshim ishte vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja më 6 tetor 2025 në sallën e gjyqit. Kalaja u qëllua për vdekje brenda sallës së Gjykatës së Apelit në Tiranë nga një i pandehur gjatë një seance për një konflikt pronësie. Dy persona të tjerë u plagosën, ndërsa për krimin u arrestua Elvis Shkambi, ndërsa për përkrahje të autorit u arrestua xhaxhai i tij, Gjon Shkambi. Akti tronditi sistemin e drejtësisë dhe pati reagime nga institucionet më të larta të shtetit.

-Krim i dyfishtë u regjistrua në 22 tetor, ku pas një sherri banal u vranë Flori Paluçi dhe Aranit Kurti. Ngjarja ndodhi jashtë një lokali në Manzë, ndërsa sherri nisi për një kafe.
-Një tjetër ngjarje e rëndë ishte ajo e ndodhur më 28 tetor të vitit që sapo lëmë pas, ku 42-vjeçari Keli Hoxha u vra nga Kristo Mema. Sherri nisi për kalin e autorit të dyshuar të krimit. Ky i fundit u arrestua pasi tentoi të arratisej.
-Po në këtë ditë, më 28 tetor, Filip Shehu, 41 vjeç, vrau kuzhinierin Indrit Ismaillari, 34 vjeç, i cili ndërroi jetë në spital pas goditjeve fatale me thikë.
Ndërkohë, një tjetër ngjarje e rëndë pasoi atë ditë, ku 25-vjeçari Marjan Kodheli vrau me thikë në banesën e tyre babanë, Pjetër Kodhelin. Ndonëse tentoi të arratisej, ai u arrestua nga policia.
-Më 11 nëntor 2025 u regjistrua atentati në afërsi të Rinasit, ku u vra Gilmando Dani dhe agjenti i AMP-së, Muçi Shaliani (Sheqeri).
-Më 26 nëntor, në Durrës mbeti i plagos pas një sherri për motive të dobëta 15-vjeçari Erion Boba. Ai ndërroi jetë në spital pas 9 ditësh, ndërsa një bashkëmoshatar u arrestua për krimin që zanafillën e sherrit e kishte në TikTok.
-Më 30 nëntor vritet në ambientet e biznesit të tij, brenda makinës Mondi Mëhall, në Elbasan, krim për të cilin janë arrestuar disa persona./KM

08:20 Aksident hekurudhor në Machu Picchu/ Një person ndërron jetë dhe 40 të tjerë plagosen nga përplasja kokë më kokë e dy trenave

Një person ka humbur jetën dhe të paktën 40 të tjerë janë plagosur pas një përplasjeje ballë për ballë të dy trenave pranë Machu Picchu, atraksionit më të njohur turistik të Perusë.

Sipas autoriteteve lokale, aksidenti ndodhi të martën në një shinë të vetme që lidh stacionet Ollantaytambo dhe Aguas Calientes, qyteti më i afërt me qytetin e lashtë Inka. Në vendngjarje mbërritën rreth 20 ambulanca, ndërsa të plagosurit u transportuan drejt spitaleve në qytetin fqinj Cusco.

Një zyrtar shëndetësor deklaroi se të paktën 20 nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë. Ambasada amerikane në Peru njoftoi se mes të plagosurve ka edhe shtetas amerikanë, megjithëse identitetet e tyre nuk janë konfirmuar ende nga policia.

Media raporton se qindra turistë mbetën të bllokuar në vendngjarje, ndërsa evakuimi u vështirësua nga terreni i thyer dhe aksesi i kufizuar në zonë.

Dy trenat e përfshirë në aksident operoheshin nga kompanitë PeruRail dhe Inca Rail. PeruRail shprehu keqardhje për ngjarjen dhe deklaroi se stafi i saj ofroi menjëherë ndihmën e parë për pasagjerët dhe personelin e përfshirë. Shkaku i aksidentit mbetet ende i paqartë dhe po hetohet.

Ngjarja ndodh në një kohë tensionesh mes operatorëve të transportit drejt Machu Picchu, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi procesin e tenderimit dhe tarifat e larta të transportit, të cilat janë burim i rëndësishëm fitimi për shkak të aksesit të kufizuar.

I ndërtuar në shekullin e 15-të në Andet Peruviane, Machu Picchu është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe një nga Shtatë Mrekullitë Moderne të Botës. Autoritetet kanë vendosur prej vitit 2011 kufizime ditore për numrin e vizitorëve, megjithatë shqetësimet për turizmin e tepërt vazhdojnë./KM

08:10 Bota e Hollywood-it në zi/ Ndërron jetë në moshën 71-vjeçare aktori i njohur, dyshohet se…

Aktori amerikan Isiah Whitlock Jr, i njohur për rolet e tij të paharrueshme në serialet “The Wire” dhe “Veep”, ka ndërruar jetë në moshën 71-vjeçare.

“Me hidhërim të thellë ndaj lajmin për ndarjen nga jeta të mikut dhe klientit tim të dashur, Isiah Whitlock Jr.”, shkroi menaxheri Brian Liebman në Instagram.

“Nëse e njihnit, do ta donit. Një aktor i shkëlqyer dhe një njeri edhe më i mirë. Kujtimi i tij qoftë një bekim i përjetshëm”, tha ai.

Sipas deklaratave për mediat amerikane, Whitlock ndërroi jetë në Nju Jork për shkak të një sëmundje.

Regjisori Spike Lee, bashkëpunëtor i hershëm i aktorit, i bëri homazh përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Sot mësova për ndarjen nga jeta të vëllait tim të dashur, ISIAH WHITLOCK. Zoti të bekoftë”, shkroi ai, duke publikuar një foto të tyre së bashku.

Whitlock u bë veçanërisht i njohur për rolin e politikanit të korruptuar në serialin “The Wire”, ku spikati edhe për një frazë karakteristike, të cilën e kishte krijuar vetë dhe që u kthye në një shprehje ikonike për fansat e serialit. Ai tregonte se frymëzimi për të vinte nga xhaxhai i tij dhe se e kishte përdorur edhe në role të mëparshme.

Në serialin satirik “Veep”, Whitlock interpretoi një version komik të sekretarit amerikan të Mbrojtjes, rival politik i personazhit kryesor të luajtur nga Julia Louis-Dreyfus.

Gjatë karrierës së tij, ai u shfaq në gjashtë filma të Spike Lee, përfshirë “25th Hour”, “She Hate Me”, “Red Hook Summer”, “Chi-Raq”, “BlacKkKlansman” dhe “Da 5 Bloods”. Gjithashtu, ai pati role në filma të njohur si “Goodfellas”, “Pieces of April”, “Enchanted”, “Cars 3” dhe “Lightyear”, si edhe në seriale televizive përfshirë “Law & Order” dhe “The Chappelle Show”.

Isiah Whitlock Jr. lindi në South Bend, Indiana, dhe la pas një trashëgimi të pasur artistike në film dhe televizion./KM

08:00 Trendi i “micro-joy”: lumturia në doza të vogla po zëvendëson obsesionin për suksesin e madh (lifestyle)

Në epokën ku të gjithë kërkojnë rezultate të mëdha dhe arritje të menjëhershme, po lind një qasje e re e quajtur “micro-joy”, që synon gjetjen e gëzimit në momente të vogla të përditshme. Kjo metodë po përhapet veçanërisht tek gjenerata e re, e cila është e lodhur nga presioni për të qenë perfektë dhe kërkon një mënyrë të shëndetshme për të menaxhuar stresin.

Sociologët shpjegojnë se micro-joy përfshin gjëra të thjeshta: të pish kafenë në qetësi, të mbash një ditar mirënjohjeje, të ecësh pa telefon ose të shijosh diellin për 5 minuta. Këto detaje të vogla aktivizojnë hormonet e dopaminës dhe serotoninës, duke balancuar humorin dhe energjinë ditore.

Psikologët e konsiderojnë këtë trend si një kthim te humanizmi emocional, ku lumturia nuk matet me para, ndjekës apo statuse, por me qetësinë e mendjes dhe përjetimin e momenteve reale./KM

07:50 Kursi i këmbimit valutor, 31 dhjetor 2025

Këtë të mërkurë, një dollar amerikan do të blihet me 81.2 lekë dhe shitet me 82.7 lekë.

Euro blihet me 95.7 lekë dhe do të shitet me 97.1 lekë.

Franga zvicerane blihet me 102.5 lekë dhe shitet me 104 lekë.

Paundi britanik blihet me 109 lekë dhe shitet me 110.5 lekë.

Dollari kanadez këmbehet me 59 lekë në blerje dhe me 60.5 lekë në shitje.

Për kursin e monedhave të tjera shihni tabelën e mëposhtme./KM 

07:40 Qeveria “bllokon” shpenzimet/ Buxheti hyn në dhjetor me tepricë 500 mln euro

Last Updated on 31/12/2025 by Klara

Në fund të muajit nëntor 2025 balanca buxhetore (diferenca mes të ardhurave e shpenzimeve) ishte me suficit 49,1 miliardë lekë rreth 500 milionë euro, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave.

Kjo shumë ishte me e lartë se plani në buxhetin fillestar që parashikonte deficit prej -23,1 miliardë lekësh ose -230 milionë euro.

Në vend që suficiti të reduktohej në përputhje me ligjin e buxhetit, u zgjerua me tej nëntor, duke devijuar jo vetëm nga plani, por duke u bërë shkak për keq-menaxhim financiar.

Ministria e Financave pret të shpenzojë në dhjetor të gjithë tepricën buxhetore prej 49 miliardë lekësh të krijuar në 11 muajt e vitit dhe 61 miliardë lekë të tjera në formën e deficitit buxhetor të programuar për tu shpenzuar në dhjetor, gjithsej rreth 1,2 miliardë euro.

Përqendrimi në muajin dhjetor i shpenzimeve buxhetore ndër të tjera është tregues i keq-menaxhimit të ciklit buxhetor ka vërejtur edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit në auditimet e posaçme për buxhetin.

Në vend që shpenzimet të ndjekin një ritëm të qëndrueshëm gjatë vitit, buxheti krijon një efekt kaskadë gjatë gjithë vitit që lëshohet me nxitim në fund, duke krijuar një valë shpenzimesh që nuk lidhen me nevojat reale të ekonomisë në atë moment.

Të dhënat mujore nga Ministria e Financave tregojnë se suficiti buxhetor përmirësohet vazhdimisht përgjatë vitit. 2025 nisi me suficit, rreth 18 miliardë lekë në janar, teksa ky nivel u rrit gradualisht nga muaji në muaj. Në tremujorin e parë, suficiti pothuajse dyfishohet, duke arritur mbi 33 miliardë lekë në mars, ndërsa në prill dhe maj zgjerimi vijon me ritme të shpejta.

Gjatë verës, suficiti, mbi 30–40 miliardë lekë, duke reflektuar rritje të të ardhurave dhe dobësi në shpenzime.

Në terma kumulativë, deficiti pritet të jetë – 68 miliardë lekë në fund të dhjetorit nga +49 miliardë lekë në nëntor.

Ne fund të vitit pagesat buxhetore përshpejtohen, si investimet publike, likuidime detyrimesh, subvencione apo shpenzime të mbartura nga muajt e mëparshëm. Njëkohësisht, dhjetori është zakonisht muaji kur bëhen rregullime përfundimtare të buxhetit dhe mbyllen angazhime financiare.

Nga këndvështrimi fiskal, një zhvillim i tillë krijon presion mbi financat publike në fund të vitit dhe nënkupton mungesë serioziteti në muajt e tjerë të vitit. Për ekspertët dhe Kontrollin e lartë të shtetit kjo nuk është praktikë e shëndetshme.

Në shumicën e vendeve me administrim fiskal të konsoliduar, shpenzimet janë të shpërndara relativisht njëtrajtshëm.

Përqendrimi i shpenzimeve në dhjetor lidhet kryesisht me vonesa kronike në planifikim dhe prokurime, sidomos për investimet publike. Projektet që duhej të niseshin në pranverë ose verë shtyhen për arsye administrative, burokratike ose politike, dhe kur viti fiskal mbyllet, institucionet përballen me presionin për të mos humbur fondet e alokuara. Pagesat bëhen sepse afati po mbaron.

Pasoja kryesore është ulja e cilësisë së shpenzimeve publike. Kontratat lidhen me nxitim, mbikëqyrja dobësohet.

Në këtë klimë, rreziku për vendime jo optimale dhe për keqpërdorim të fondeve rritet ndjeshëm.

Nga ana makroekonomike, një injektim kaq i madh fondesh në fund të vitit shton presionet inflacioniste lokale, sidomos në sektorë si ndërtimi dhe shërbimet, ku kapacitetet janë të kufizuara. Bizneset nuk arrijnë të planifikojnë normalisht, ndërsa ekonomia merr impulse të forta që nuk përkthehen në rritje të qëndrueshme. /Monitor KM

07:30 Rikthehet dëmtimi? Broja i tremb të gjithë, panik për shqiptarin

Last Updated on 31/12/2025 by Klara

Armando Broja shkaktoi shqetësim në minutën e 89-të të ndeshjes mes Burnley dhe Newcastle, pasi pësoi një goditje që u duk e rëndë.

Sulmuesi i Kombëtares shfaqi dhimbje të mëdha në fushë dhe loja u ndërpre për disa çaste.

Trajneri i Burnleyt, Scott Parker, fillimisht e inkurajoi lojtarin të vazhdonte ndeshjen. Pas një përpjekjeje për të qëndruar në lojë, stafi mjekësor ndërhyri për t’i dhënë ndihmën e parë.

Pas vlerësimit mjekësor, Broja u rikthye në fushë në minutën e 92-të. Megjithatë, në disa momente ai u pa duke çaluar.

Pavarësisht episodit, Broja zhvilloi një paraqitje të mirë.

Burnley u mposht me rezultatin 3-1 nga Newcastle, ndërsa goli i vetëm i vendasve u asistua nga sulmuesi shqiptar./K.M

07:00 Horoskopi, 31 dhjetor 2025

Dashi

Sot do ja kaloni aq mire ne krahët e atij qe keni ne krah saqë do ju duket sikur jeni ne ëndërr. Shume gjera kane për te ndryshuar për ju. Edhe beqaret do kenë një dite te veçante dhe te mbushur me surpriza. Shfrytëzoni çdo sekonde. Financat nuk do jene ne gjendjen me te mire kështu qe bëni kujdes me shpenzimet apo me dhëniet e huave.

Demi

Marrëdhënia juaj ne çift do thellohet edhe me tepër gjate kësaj dite. Do iu jepet mundësia për te folur lirshëm me te dhe për te diskutuar gjere e gjate edhe mbi tema delikate. Beqaret do jene te parrezistueshem dhe do e gjejnë sa hap e mbyll sytë princin e tyre te kaltër. Dite goxha delikate kjo e sotmja për financat. Po nuk u treguar te matur do keni goxha vështirësi.

Binjaket

Te dashuruarit duhet te hapin rruge here pas here ne mënyrë qe jeta ne çift te ece me se miri. Beqaret do kenë mundësi pa fund për aventura kalimtare dhe nuk do i lënë këto mundësi te mira, t’iu shpëtojnë nga duart. financat nuk do jene njësoj për te gjithë. Ata qe kane treguar kujdes gjithë këto kohe do ndihen te qete dhe nuk do kenë probleme.

Gaforrja

Planetët do ju bëjnë me te kthjellet gjate kësaj dite ne jetën tuaj ne çift dhe do e konsolidoni tej mase lidhjen qe keni. Do i shihni gjerat me më tepër optimizëm. Beqaret do takohen me persona te cilët nuk ja vlejnë aq shume sa për te krijuar një lidhje. Mos u nxitoni. Ne planin financiar asgjë nuk do jete ashtu si e kishit menduar. Kujdes me çdo shpenzim.

Luani

Do jeni shume xheloze sot për atë qe keni ne krah dhe do kërkoni gjithë kohës ta kontrolloni. Ndryshoni strategji sepse ne këtë mënyrë do jeni gjithë kohës ne ankth dhe nuk do ndiheni mire. Beqaret realizojnë takimet e ëndrrave dhe do fillojnë një jete te re. Me financat mos u tregoni te paarsyeshëm sepse do keni vështirësi me vone.

Virgjeresha

Nuk do ketë surpriza te mëdha gjate kësaj dite për ju qe jeni ne një lidhje, kështu qe merrini gjerat sa me shtruar qe te mundeni. Dëgjojeni me kujdes njeri-tjetrit. Beqaret do ndihen serish vetëm sepse nuk do mund te realizojnë asnjë lloj takimi. Ne planin financiar tregohuni vigjilente dhe shpenzoni me sa me shume kujdes. Ruajeni qëndrueshmërinë.

Peshorja

Do kërkoni me shume qëndrueshmëri sot ne jetën tuaj ne çift sesa pasion. Me ne fund do gjeni kohen e duhur për te diskutuar gjere e gjate me partnerin për disa tema te veçanta. Beqaret nuk do e gjejnë princin e kaltër, por disa takime do i realizojnë. Financat do varen nga mënyra sesi ju do i menaxhoni. Qëndroni gjithmonë me këmbë ne toke.

Akrepi

Do bashkëpunoni fort me partnerin tuaj gjate kësaj dite dhe se bashku do i kaloni shpejt e shpejt te gjitha sfidat qe do ju dalin para. Beqaret do kalojnë një dite normale dhe pa ndonjë takim interesant. Kjo e sotmja nuk është dita me e përshtatshme për ju. Ne planin financiar duhet te merrni masa strikte ne mënyrë qe gjendja te mos pësojë tronditje te mëdha.

Shigjetari

Duhet t’i kushtoni me shume vëmendje se kurrë partnerit tuaj gjate kësaj dite sepse po e late pas dore do ua rrëmbejnë përgjithmonë. Beqaret do ndihen mire me disa persona qe do takojnë dhe do pranojnë ta vazhdojnë njohjen. Qe te ardhurat mos kenë vështirësi duhet te kufizoni sa te mundni shpenzimet. Po nuk morët masa do keni vështirësi pa fund.

Bricjapi

Dite e këndshme dhe e mbushur me kënaqësi te shumta kjo e sotmja për te dashuruarit. Partneri do ua shprehe ndjenjat me mënyra te ndryshme. Beqaret do jene te zënë me pune dhe nuk do kenë mendje për jetën sentimentale. Me financat do keni shume fat dhe gjendja sa do vije e do përmirësohet. Do kryeni edhe investimet e menduara.

Ujori

Fati do ju buzëqeshë sot juve qe jeni ne një lidhje. Lidhja do marre drejtimin e duhur dhe do ndiheni te sigurte qe doni te vazhdoni me tej. Beqaret nuk do ndihen ende gati te fillojnë një histori dashurie edhe pse mundësitë nuk do mungojnë. Ne planin financiar gjendja nuk do jete aspak e mire. Do ju duhet patjetër ndihma e një specialisti për t’ia dale.

Peshqit

Dite shume e kënaqshme kjo e sotmja për ata qe janë ne një lidhje. Do bëni gjithçka ne bashkëpunim me partnerin tuaj dhe gjerat do ecin për mrekulli. Beqaret do dashurohen koke e këmbë me një person qe sapo është shfaqur. Financat nuk do jene delikate, mirëpo për te bere investime te mëdha do ju duhet ende te prisni edhe pak kohe./K.M

14:50 Rama: AKSHI është institucion krenarie! U dha fund 7 600 viteve pritje në radhë për shqiptarët

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), është institucion krenarie për kryeministrin Edi Rama.

“Jo për të ulur kokën”, theksoi ai në konferencën e fundvitit, 30 dhjetor, referuar gjithë zhurmës së krijuar me masën e sigurisë ndaj Mirlinda Karçanajt që e ka drejtuar atë institucion për shumë vite dhe hetimet për zyrtarë e biznesmenë, të dyshuar se kanë abuzuar me tenderat.

Kreu i qeverisë tha se transformimi digjital në vendin tonë ka ardhur pikërisht falë AKSHI-t, duke veçuar gjithë lehtësirat që ka krijuar platforma e-Albania për qytetarët.

“AKSHI është një institucion krenarie, që të jemi shumë të qartë bashkë, jo për të ulur kokën, por për të qenë krenar, sepse kemi qenë këtu ne, keni qenë edhe ju, kur duhet të shkonit të mbanit radha për çdo lloj letra. Kur ata që kishit jashtë duhet të vinin këtu se s’kishin shans të merrnin një copë letër, 620 miliardë lekë, që janë 620 milion euro ka kursyer AKSHI për shqiptarët, falë digjitalizimit.

Ky është studim ndërkombëtar. 7 600 vite pritje në radhë! 25 mijë rrotullime rreth Tokës, parafytyrojeni një radhë shqiptarësh që i shkon Tokës 25 mijë herë kështu.

33 milion euro kursime për shqiptarët jashtë vendit, është raport ndërkombëtar, 75 milion fletë letre të kursyera! Falë atij AKSHI-t, 3.4 mln shqiptarë janë përdorues të rregullt të e-Albania dhe vetëm në 2025-ën janë 17 milion shërbime të ofruara, 12 mln dokumente të gjeneruara, 1.45 milion shërbime në muaj. Njerëz që klikojnë dhe mbarojnë punë! Dikur jepnin lekë për të marrë një certifikatë.

Jemi vendi që një nga arsyet pse po ecim kaq shpejt me BE-në është AKSHI, kemi ndërtuar me “Diellën” një sistem që bën në një kohë të shkurtër atë që Krocisë iu deshën 7 vite ta bënte.

Skuadra e AKSHI-t ka një sërë garash të fituara brenda NATO-s dhe BE-së.

Rrini, prisni se shumë shpejt, besoj janar-shkurt do të dalim me e-Albania 2.0 falë AKSHI-t dhe do ketë shumë gjëra të reja në atë sistem për shqiptarët, prandaj ata e votojnë Partinë Socialiste. Nuk e votojnë patronazhistët! Në 2029-ën do llafosemi prapë, të tjerat, secili bën punën e vet. Shiu bën punën e vet, se sa pika ka këtu…”,deklaroi numri një i kabinetit qeveritar.

“Jeton në një shtëpi me qira, dikur e prindërve, apartament i kohës së komunizmit. Punon pa orar dhe ka udhëhequr gjithë transformimin digjital, e respektuar edhe ndërkombëtarisht. Ka respektin tim të padiskutueshëm”, tha ai për Karçanajn, e cila aktualisht ndodhet në “arrest shtëpie” dhe e ka deleguar postin e saj derisa të përfundojnë hetimet e SPAK./K.M

❌