Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

22:59 Nuk kam pasur asnjëherë lidhje, ish-banorja e Big Brother “nxjerr zbuluar” Brikenën: Ka qenë e lidhur me Atdheun!

Ish-banorja e “Big Brother”, Olta Sheta, ishte e ftuar në emisionin “Fan Club”, ku komentoi dinamikat dhe personazhet e edicionit aktual “Big Brother VIP 5”. Gjatë diskutimit, ajo bëri një deklaratë që ngjalli debat, duke aluduar për një lidhje të mëparshme sentimentale të banores Brikena me ish-konkurrentin e “Për’puthen”, Atdheun.

Sipas Oltës, kjo lidhje i përket një periudhe kur Brikena nuk ishte ende figurë publike dhe nuk mbante titullin Miss. Për të sqaruar situatën, në studio u realizua një lidhje telefonike me Atdheun, i cili mohoi kategorikisht çdo lidhje dashurie, duke thënë se mes tyre ka pasur vetëm një takim të vetëm, përmes një miku të përbashkët.

Ndërkohë, Brikena ka deklaruar që në hyrjen e saj në “Big Brother VIP 5” se nuk ka pasur kurrë një lidhje dashurie. Por situata mori një tjetër kthesë me hyrjen e Mateos, i cili zbuloi se në të kaluarën ka pasur komunikim dhe takime personale me Brikenën, fakt që u konfirmua edhe nga vetë ajo.

Së fundmi, Mateo ka shtuar se mes tyre ka pasur edhe puthje, një detaj që deri tani nuk ishte bërë publik dhe që ka ngritur pikëpyetje mbi raportin e tyre. Mbetet për t’u parë nëse këto deklarata do të sqarohen plotësisht në Prime-t e ardhshme./mxh

22:47 Monika Kryemadhi, “tone nostalgjike” për Iliri Metën? “E kam shijuar në maksimum dashurinë time”!

Gjatë një bisede mbi dashurinë, opinionistja Monika Kryemadhi u pyet nga moderatori Ledion Liço nëse beson ende në këtë ndjenjë. Në përgjigjen e saj, Kryemadhi u shpreh se dashurinë e ka përjetuar dhe e ka shijuar plotësisht, duke theksuar se ajo nuk humbet, pavarësisht asaj që ndodh mes dy personave.

“Unë e kam shijuar dashurinë time në maksimum. Dashuria nuk është vetëm fjalë, por edhe sjellje. Çfarëdo që ndodh mes dy njerëzve, dashuria mbetet brenda dhe nuk harrohet,” u shpreh ajo.

Sipas Kryemadhit, edhe përpjekjet e të tjerëve për ta prishur një lidhje mund të ndikojnë vetëm në pamjen e jashtme, por jo në ndjenjat e vërteta. “Mund ta prishin nga jashtë, por brenda zemrës nuk e prishin dot,” përfundoi ajo./mxh

22:37 “Ishte e dashuruar me mua”, Alba Pollozhani “shpërthen” ndaj Ludo Lee!

Një përplasje e fortë ka shpërthyer së fundmi në shtëpi mes Alba Pollozhanit dhe Ludo Lee-së, duke tensionuar ndjeshëm atmosferën mes tyre.

Gjatë debatit, Ludo i është drejtuar Albës duke deklaruar se në fillim ajo ka pasur pëlqim romantik për të dhe madje ka qenë e dashuruar. “Dy javët e para po. Ke qenë e dashuruar me mua”, tha ai.

Këto fjalë kanë shkaktuar menjëherë reagimin e ashpër të Albës, e cila i mohoi kategorikisht pretendimet dhe e akuzoi Ludon për keqpërdorim të situatës. “Si paskam pasur pëlqim romantik për ty? Si ma keqpërdor situatën këtu. Është çnjerëzore. Kurrë mos më fol më”, iu drejtua ajo me tone të forta.

Nga ana tjetër, Ludo nuk u tërhoq, duke shtuar se pëlqimi që Alba ka pasur ndaj tij ka qenë më i butë krahasuar me ndjenjat që ajo ka shfaqur për Lim Hotin. “Iluzioni që ka pasur ndaj meje ka qenë më i butë sesa ai ndaj Limit”, tha stilisti.

Kjo deklaratë e fundit e tensionoi edhe më shumë Albën, duke qenë se pëlqimi i saj për Lim Hotin, i cili gjithashtu ndodhet në shtëpi, ka qenë i dukshëm. Përplasja mes tyre ka hapur debate të reja mes banorëve dhe pritet të ndikojë në dinamikat e lojës në vijim./mxh

22:26 “Këlliçi u pyet në SPAK për financimin e Kuvendit të 11 dhjetorit nga Rithemelimi”, Lala: SPAK po heton pasurinë e Berishës, do të pyeten edhe…

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Studio24” ka folur në lidhje me paraqitjen e deputetit të PD Belind Këlliçi ditën e sotme në SPAK. Sipas saj ai u paraqit në kuadër të një hetimi pasuror që lidhet me dosjen “Partizani” dhe ish-kryeministrin Sali Berisha.

Sipas Lalës, paraqitja e Këlliçit në SPAK lidhet me hetimet që po zhvillohen ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe familjarëve të tij. Ajo sqaroi se çdo person i pandehur për korrupsion i nënshtrohet verifikimit pasuror, ndërsa në këtë kuadër, hetimet kanë shtrirje edhe te aktivitetet politike të lidhura me procesin e Rithemelimit të Partisë Demokratike.

Deputeti Këlliçi është marrë në pyetje nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) lidhur me organizimin dhe financimin e një aktiviteti politik, konkretisht Kuvendin Kombëtar të Rithemelimit të PD-së, të mbajtur më 11 dhjetor 2021. Ky aktivitet përkoi me përplasjen mes Sali Berishës dhe ish-kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, për çështjen e vulës së partisë.

Sipas Lalës, Këlliçi është pyetur mbi mënyrën e organizimit të Kuvendit, burimet e financimit dhe nëse këto janë kryer në përputhje me legjislacionin në fuqi. Në kuadër të të njëjtit hetim, pritet që në SPAK të paraqiten edhe deputetët Flamur Noka dhe Albana Vokshi.

Sipas gazetares, SPAK po heton pasurinë e Berishës dhe, në këtë kontekst, hetimet janë zgjeruar edhe drejt aspekteve që lidhen me aktivitetet e Partisë Demokratike. Mbetet për t’u parë nëse ky proces hetimor do të çojë në zhvillime apo rezultate të reja në vijim./mxh

22:17 Itali, 17 fëmijë të helmuar në një festë në Xhenova, shkak dyshohet monoksidi i karbonit

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin Gjenovë ku 17 fëmijë dhe 7 të rritur janë helmuar nga monoksidi i karbonit pas përdorimit të një ngrohësi me defekt gjatë një feste fetare në Gjenova të Italisë.

Fillimisht u ndjenë keq fëmijët më të vegjël, më vonë, edhe të rriturit filluan të shfaqin simptoma të helmimit.

Fëmijët u shtruan në Spitalin Gaslini në Genova, ku disa prej tyre iu nënshtruan terapisë me oksigjen.

Spitali njoftoi se “gjendja e të gjithë pacientëve është e qëndrueshme, ata janë nën mbikëqyrje dhe monitorim të vazhdueshëm, dhe jeta e tyre nuk është në rrezik.”

Ndërkaq, të rriturit u shtruan në Spitalin San Martino, ku morën terapi për të trajtuar helmimin nga monoksidi i karbonit.

Autoritetet lokale po hetojnë për shkakun e defektit të ngrohësit dhe për të konfirmuar nëse mund të ketë pasur shkelje të rregulloreve të sigurisë./mxh

22:10 Asllani “mban peng” Torinon, klubi nuk mund të lëvizë pa i gjetur një sistemim mesfushorit të Kombëtares

E ardhmja e Kristjan Asllanit është në udhëkryq, pasi aktualisht mesfushori i Kombëtares shqiptare nuk e di ende se ku do të vazhdojë karrierën e tij në pjesën e dytë të këtij sezoni.

Torino nuk e ka më në plane dhe po mendon largimin e tij në janar, teksa është i interesuari kryesor për të zgjidhur sa më parë situatën e lojtarit që duhet të gjejë një destinacion të pëlqyeshëm.

Sipas mediave italiane, drejtori sportiv Petraki është vënë në lëvizje për të kërkuar lojtarë të rinj në merkaton e janarit, por nuk mund të bëjë lëvizje në mesfushë pa zgjidhur situatën e Asllanit dhe liruar një vend në këtë repart. Ndaj torinezët janë në pritje të vendimit për të ardhmen e Asllanit, për të cilin ka pasur bisedime të Interit me disa klube, por jo oferta konkrete deri tani./mxh

21:59 Rritet numri i viktimave nga protestat në Iran, 648 të vdekur! Mbi 10 mijë protestues janë arrestuar

Të paktën 648 protestues janë vrarë në Iran gjatë demonstratave antiqeveritare, sipas Iran Human Rights, një grup për të drejtat e njeriut me seli në Norvegji, ndërsa pothuajse 10,700 persona janë arrestuar.

Grupi paralajmëron se numri i viktimave mund të jetë shumë më i lartë, por ndërprerjet e komunikimeve në të gjithë vendin po e bëjnë të vështirë verifikimin e informacionit.

Grupi për të drejtat e njeriut ka bërë thirrje për mbështetje ndërkombëtare për të ndihmuar në dokumentimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe ka kërkuar presion ndaj autoriteteve iraniane për të ndaluar përdorimin e forcës ndaj protestuesve paqësorë. Protestat filluan më shumë se dy javë më parë për shkak të përkeqësimit të situatës ekonomike.

Më herët, Presidenti i SHBA Donald Trump ka kërcënuar me ndërhyrje në Iran nëse vriteshin protestues. Pas komenteve të Trump, udhqëheqësi suprem i Iranit akuzoi SHBA për mashtrim dhe mbështetje të “mercenarëve tradhtarë”./mxh

21:47 “Ngelën vetëm njerëzit e shtëpisë dhe hyzmeqarët”/ Balla ironizon foltoren e opozitës

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka ironizuar përmes një reagimi në rrjetet sociale, foltoren e opozitës para Kryeministrisë.

Balla ka postuar një video të gjeneruar me Inteligjencë Artificiale, ndërsa shkruan se nga “krushqit” mbetën vetëm “njerëzit e shtëpise dhe hyzmeqarët”.

Postimi i plotë:

Eh si vajti kjo punë!? Po qeshnim me atë historinë e krushqve në dasëm në fillim. Pastaj krushqit erdhën për fejesë. Pastaj ngelën vetëm njerëzit e shtëpisë dhe hyzmeqarët. Sot e “thanë” vetë. Qenkan mbledh për ditëlindje./mxh

21:37 Situata në kampionat, Partizani me dy fytyra

Sezoni aktual ka nxjerrë në pah dy pamje të fytyra të Partizanit në kampionatin shqiptar.

Kryeqytetasit e mbyllën fazën e parë me vetëm 8 pikë në 9 ndeshje, me një mesatare alarmante prej 0.89 pikësh për takim. Kjo situatë çoi në shkarkimin e trajnerit Mlladen Milenkoviç dhe emërimin e Oltijon Kërnajës.

Tekniku 37-vjeçar, i ardhur nga Partizani B, arriti të ndryshojë ecurinë e skuadrës. Në fazën e dytë, të kuqtë grumbulluan 15 pikë në 9 ndeshje.

Mesatarja u rrit në 1.67 pikë për takim, duke reflektuar përmirësim të dukshëm në lojë dhe rezultate. Aktualisht Partizani është 7 pikë larg zonës “Final Four”. Vazhdueshmëria mbetet elementi kyç për objektivat e sezonit./mxh

21:26 Rama në Abu Dhabi/ Merr pjesë në forumin “Java e Zhvillimit të Qëndrueshëm”

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Abu Dhabi ku do të marrë pjesë në Javën e Zhvillimit të Qëndrueshëm. Rama ka ndarë në rrjetet e tij sociale, pamje nga mbërritja e tij në Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Abu Dhabi – Si gjithnjë të mikpritur vëllazërisht në Emiratet e Bashkuara Arabe, këtë herë me ftesë të Presidentit Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, për të diskutuar projektet e përbashkëta në Javën e Zhvillimit të Qëndrueshëm”, shkruan Rama krahas videos së postuar.

Forumi ndërkombëtar i Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm sjell së bashku kryetarë shtetesh dhe qeverish, liderë të biznesit dhe shoqërisë civile, për të diskutuar sfidat dhe perspektivat e zhvillimit të qëndrueshëm në nivel global./mxh

21:09 ZYRTARE/ Vendim drastik! Real Madrid shkarkon trajnerin Alonso

Xabi Alonso nuk është më trajner i Real Madrid. Klubi ka vendosur të ndërpresë bashkëpunimin me teknikun bask pas humbjes në finalen e Superkupës së Spanjës ndaj Barcelonës.

Vendimi është zyrtarizuar përmes një komunikate, ku bëhet e ditur se kontrata është mbyllur me mirëkuptim të dyanshëm. Rezultati 3-2 në favor të katalanasve ka ndikuar drejtpërdrejt në këtë vendim.

Largimi i Alonsos vjen pas një periudhe ku spekulimet për të ardhmen e tij kishin qenë të pranishme. Klubi ka falënderuar trajnerin për kontributin e dhënë gjatë mandatit të tij.

Nuk janë dhënë detaje mbi pasardhësin në stol. Aktualisht, drejtuesit e Real Madrid janë në proces përzgjedhjeje të trajnerit të ri./mxh

20:59 Në Peshkopi termometri regjistroi -11gradë celcius/ Sinoptikanët: Në mes të javës nis rritja e temperaturave

Kjo e hënë shënoi ditën më të ftohtë të vitit deri më tani. Sipas sinoptikanëve vendet më problematike janë verilindja dhe juglindja e vendit, aty ku edhe temperaturat regjistruan deri në -11 gradë në qytetin e Peshkopisë, ndërsa në Korçë termometri shkoi deri në -9. Pas motit të acartë, temperaturat do të pësojnë rritje, duke nisur nga e marta.

“Dita e sotme mund të themi që ka qenë dita më e ftohtë e periudhës së dimrit deri më tani ku termometri shënoi në qytetin e Peshkopisë deri më -11 gradë celcius, ndërsa në kryeqytet temperaturat arritën në -2 gradë. Duke nisur nga dita e nesërme kemi një tërheqje graduale të temperaturave, ndërsa nesër temperaturat do të arrijnë deri në -6 gradë celsus në zonat malore”, tha sinoptikania Besa Shellorari.

Sipas sinoptikanes Besa Shellorari, edhe më vlerat maksimale ne presim rritje të temperaturave në mes javë. Moti do të jetë i qëndrueshëm, kryesisht me diell, por, nuk do të mungojnë as vranësirat. Nuk priten reshje shiu.

“Të enjten dhe të premten temperaturat do të shkojnë deri në 17-18 gradë celsius kryesisht në zonat e ulëta dhe në bregdet. Ndërsa ato malore në -1 apo -2 ditën e premte. Përsa i përket motit gjithë këto ditë do të jetë më masa ajrore të qëndrueshme, të cilat do të sjellin kthjellime dhe vranësira të pakta kalimtare, por pa prezencën e reshjeve të shiut”, tha ajo.

Këtë të hënë në disa akse rrugore malore në vend u regjistrua edhe prezencë e ngricave, për të cilat sinoptikanët thanë që gradualisht edhe këto do vijnë në pakësim, pasi temperaturat do të vijnë në rritje./mxh

20:45 Akuzohet për abuzim me pushtetin, ish-ministri polak i Drejtësisë merr azil politik në Hungari

Një ish-ministër i lartë polak, i cili po hetohet për abuzim të dyshuar me pushtetin gjatë kohës kur ishte pjesë e qeverisë konservatore-nacionaliste të partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS), ka marrë azil politik në Hungari.

Zbigniew Ziobro, ish-ministër i Drejtësisë dhe një nga figurat më të fuqishme të qeverisë së PiS, luajti një rol kyç në reformat e debatueshme të sistemit gjyqësor. Kritikat ndaj këtyre reformave kanë qenë të ashpra, me akuza se ato minuan sundimin e ligjit dhe pavarësinë e gjykatave, duke shkaktuar përplasje të gjata mes Polonisë dhe Bashkimit Evropian.

Pas humbjes së pushtetit të PiS në vitin 2023, Polonia drejtohet nga një qeveri koalicioni pro-evropiane e udhëhequr nga Donald Tusk, e cila ka premtuar hetimin e korrupsionit dhe keqpërdorimeve të dyshuara gjatë tetë viteve të qeverisjes së mëparshme.

Ziobro po përballet me 26 akuza penale. Prokurorët pretendojnë se ai drejtoi një grup kriminal dhe keqpërdori burimet e një fondi të krijuar për të ndihmuar viktimat e krimit. Sipas mediave polake, fondet dyshohet se janë përdorur për patronazh politik dhe për blerjen e sistemit të përgjimit Pegasus, i cili thuhet se është përdorur kundër kundërshtarëve politikë.

Ish-ministri i mohon të gjitha akuzat. Në një reagim në rrjetet sociale, ai deklaroi se po lufton kundër “banditizmit politik” dhe se është viktimë e një “hakmarrjeje personale” nga kryeministri Tusk. Ziobro tha se do të qëndrojë jashtë Polonisë derisa, sipas tij, të rivendosen “garancitë reale të sundimit të ligjit”, duke falënderuar kryeministrin hungarez Viktor Orbán për dhënien e azilit.

Avokati i tij, Bartosz Lewandowski, deklaroi në Varshavë se klienti i tij nuk do të kishte një gjykim të drejtë në Poloni. Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Hungarisë, Péter Szijjártó, konfirmoi se Budapesti u ka dhënë azil “disa” personave që përballen me atë që ai e cilësoi si persekutim politik në Poloni.

Parlamenti polak i hoqi imunitetin parlamentar Ziobros në nëntor, ndërsa prokurorët kanë kërkuar arrestimin e tij të përkohshëm. Pasaportat e tij u shpallën të pavlefshme në dhjetor, në përpjekje për të parandaluar largimin nga vendi./mxh

20:37 Numri i fanellave të shitura, Yamal kalon edhe Messin. Ronaldo shumë larg

Fanella e Lamine Yamal ka qenë më e kërkuara nga tifozët gjatë vitit 2025. Plot 1 milion e 315 mijë bluza me emrin e tij janë shitur, duke e vendosur 18-vjeçarin në krye të renditjes.

Në vendin e dytë renditet Lionel Messi, tashmë me fanellën e Inter Miamit, me 1 milion e 278 mijë bluza të shitura. Treshja e parë plotësohet nga Robert Leëandoëski me 1 milion e 110 mijë fanella.

Më shumë se 1 milion fanella ka shitur edhe Kylian Mbappe. Cristiano Ronaldo renditet i shtati me 925 mijë bluza të Al Nassr.

Ai qëndron pas Giorgian De Arrascaeta, i cili ka shitur rreth 50 mijë fanella më shumë. Në dhjetëshen e parë përfshihen edhe Vinicius Junior, Bruno Fernandes, Harry Kane dhe Rodrygo./mxh

BE-ja në krah të popullit iranian për liri dhe dinjitet

Last Updated on 12/01/2026 by Monika

Nga Monada Mehmetaj

Bashkimi Evropian ka riafirmuar qëndrimin e tij të palëkundur në lidhje me situatën politike dhe shoqërore në Iran, duke shprehur solidaritet të plotë me popullin iranian dhe aspiratat e tij legjitime për një jetë të lirë, dinjitoze dhe me më shumë të drejta. Në deklaratat zyrtare të përfaqësuesve të lartë të BE-së, theksohet se respektimi i të drejtave të njeriut dhe lirive themelore përbën një parim thelbësor të politikës së jashtme evropiane.

BE-ja ka shprehur shqetësim të thellë për raportimet e vazhdueshme mbi viktimat gjatë protestave dhe për përdorimin e tepruar të forcës nga autoritetet iraniane. Sipas Bashkimit Evropian, dhuna ndaj demonstruesve paqësorë, ndalimet arbitrare dhe praktikat e frikësimit nga forcat e sigurisë përbëjnë shkelje serioze të standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Në këtë kontekst, BE-ja ka dënuar ashpër çdo formë represioni dhe ka bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të këtyre praktikave.

Një element qendror i qëndrimit të BE-së është kërkesa për lirimin e menjëhershëm të të gjithë personave të ndaluar padrejtësisht për shkak të ushtrimit paqësor të të drejtave të tyre themelore. Bashkimi Evropian nënvizon se liria e shprehjes, e shoqërimit dhe e tubimit paqësor janë të drejta universale, të garantuara nga konventat ndërkombëtare, të cilat Irani është i detyruar t’i respektojë si shtet nënshkrues.

Po ashtu, BE-ja ka theksuar rëndësinë e aksesit të lirë dhe të pakufizuar në informacion. Kufizimet e vendosura ndaj internetit dhe rrjeteve të komunikimit shihen nga Bashkimi Evropian si një përpjekje për të heshtur zërin e qytetarëve dhe për të kufizuar transparencën. Për këtë arsye, autoritetet iraniane nxiten të rivendosin plotësisht aksesin në internet dhe të garantojnë lirinë e medias dhe të informimit.

Në një plan më të gjerë diplomatik, BE-ja ka theksuar se dialogu mbetet rruga më e mirë për të adresuar tensionet dhe për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Megjithatë, ky dialog duhet të bazohet në respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe të drejtave themelore të njeriut. Bashkimi Evropian ka lënë të hapur mundësinë e përdorimit të instrumenteve politike dhe diplomatike në rast se shkeljet vazhdojnë, duke përfshirë edhe masa kufizuese ndaj individëve përgjegjës për dhunën.

Në përfundim, qëndrimi i Bashkimit Evropian ndaj Iranit pasqyron angazhimin e tij të vazhdueshëm për promovimin e vlerave demokratike, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit. Duke mbështetur popullin iranian dhe duke dënuar shkeljet nga autoritetet, BE-ja synon të kontribuojë në një zgjidhje paqësore dhe afatgjatë, që garanton stabilitet, siguri dhe respekt për dinjitetin njerëzor në Iran dhe më gjerë në rajon.

19:58 Askush si Pep Guardiola, fituesi që theu barrierën e 2 miliard eurove në merkato

Nuk ka të ndalur Pep Guardiola! Jo më kot, ai ka kaluar 2 miliardë euro shpenzime për afrime futbollistësh që kur erdhi në vitin 2016 te Mançester Siti.

Transferimi i sulmuesit Antuan Semenjo nga Burnemuth për 72 milionë e ka kaluar këtë kufi. Një shumë rekord, që po të shtosh edhe ato te Barcelona dhe Bajern Mynih, shkon thuasje 2,6 miliardë euro.

Natyrisht, afrimi rekord për Guardiola mbetet Grilish, i cili kushtoi thuajse 118 milionë euro në vitin 2021. Pep Guardiola lë pas Hoze Murinjo, i cili në karrierën e gjatë të tij ka shpenzuar më pak se 2 miliardë në merkato. Pesëshen e parë e plotësojnë Karlo Ançeloti, Max Alegri dhe Diego Simeone, që kalojë shifrën 1 miliardë e gjysmë euro.

Ndërkaq, blerja më e fundit e “Citizens”, Semenjo debutoi me gol në fitoren 10-1 ndaj Ekseter në “FA CUP”. Ishte një gol i bukur në minutën e 54-t. Kujtojmë që Semenjo, vetëm në mesjavë, bëri edhe një asist te goli i pestë i shënuar nga Ljuis. Transferimi i tij i kushtoi plot 72 milionë euro nga Bornmuth./mxh

19:47 Presidentja e Meksikës: Patëm një bisedë të mirë telefonike me Trump për sigurinë dhe trafikun e drogës

Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, deklaroi sot se ka zhvilluar një “bisedë të mirë” me presidentin amerikan Donald Trump, ku në fokus kanë qenë çështjet e sigurisë dhe lufta kundër trafikut të drogës.

Në një postim në platformën X, Sheinbaum bëri të ditur se dy liderët diskutuan për bashkëpunimin në fushën e sigurisë, duke theksuar respektimin e sovranitetit të Meksikës, si dhe për përpjekjet e përbashkëta kundër trafikimit të narkotikëve. Po ashtu, në bisedë u trajtuan edhe temat e tregtisë dhe investimeve mes dy vendeve.

Një ditë më parë, ministri i Jashtëm i SHBA-së, Marco Rubio, zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij meksikan, Juan Ramón de la Fuente, ku theksoi nevojën për bashkëpunim më të fortë për shkatërrimin e rrjeteve të dhunshme të narkotrafikut dhe për frenimin e trafikut të paligjshëm të fentanilit dhe armëve. Lajmi u konfirmua nga zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Tommy Pigott.

Këto zhvillime vijnë në një klimë tensionesh, pasi pak ditë më parë, në një intervistë për Fox News, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se kartelët e drogës “qeverisin Meksikën” dhe paralajmëroi se forcat e armatosura amerikane mund të godasin objektiva tokësore në kuadër të fushatës kundër trafikut të drogës. Kjo ishte një nga deklaratat më të forta në një seri kërcënimesh për ndërhyrje ushtarake amerikane brenda territorit meksikan.

Në reagimin e saj, presidentja Sheinbaum theksoi se “bashkëpunimi dhe partneriteti në një kuadër respekti të ndërsjellë japin gjithmonë rezultate”./mxh

19:35 Senatori demokrat: Aneksimi i Groenlandës nga Trump do të ishte fundi i NATO-s

Kërcënimi i presidentit amerikan Donald Trump për të aneksuar Groenlandën përfaqëson një krizë ekzistenciale për NATO-n, paralajmëroi senatori demokrat i SHBA-së, Chris Murphy.

“Do të ishte fundi i NATO-s, apo jo? NATO do të kishte një detyrim për të mbrojtur Groenlandën”, tha senatori i Connecticut, i cili është gjithashtu anëtar i komitetit të marrëdhënieve me jashtë të dhomës.

Murphy shtoi se kjo do të thoshte qartësisht se SHBA do të ishte në luftë me Evropën, me Anglinë dhe Francën. Komentet e Murphy vijnë ndërsa Trump ka rritur paralajmërimet për territorin e Arktikut, ku ka deklaruar se në një mënyrë ose në një tjetër, SHBA do ta ketë Groenlandën.

Groenlanda është një ish-koloni e Danimarkës dhe mbetet një pjesë autonome e mbretërisë daneze, me politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë nën kontrollin e Kopenhagenit.

Të dielën, Frederiksen akuzoi SHBA-në se i ka kthyer shpinën NATO-s dhe tha se takimi i së mërkurës në Uashington DC midis ministrave të jashtëm të Danimarkës dhe Groenlandës, Lars Løkke Rasmussen dhe Vivian Motzfeldt, dhe sekretarit të shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, do të ishte vendimtar.

“Jemi në një udhëkryq dhe ky është një moment kritik”, tha Frederiksen në një tubim politik.

Komentet pesimiste të Murphy dhe Frederiksen u mbështetën të hënën nga Andrius Kubilius, komisioneri i mbrojtjes i Bashkimit Evropian, i cili vuri në dukje se një traktat i BE-së “i detyronte” shtetet anëtare të vinin në ndihmë të Danimarkës nëse përballeshin me veprime ushtarake nga Trump./mxh

19:29 E quajti “pervers”/ Bashkëshortja e Mirit, gati t’i kundërpërgjigjej babait të Selin?!

Landi Hysa, miku i ngushtë i Mirit, ka folur së fundmi për rrugëtimin e këngëtarit në shtëpinë e “Big Brother VIP”, duke ndarë jo vetëm përjetimet e tij brenda lojës, por edhe reagimet e familjes jashtë saj. Në një intervistë për emisionin “Breaking” në Top News, Hysa u ndal te presioni emocional që ka shoqëruar këtë eksperiencë.

Ai komentoi deklaratat e bëra nga babai i Selin, të cilat, sipas tij, kanë shkaktuar shqetësim te bashkëshortja e Mirit. Hysa theksoi se reagimi i saj ishte i kuptueshëm, por shtoi se një kundërpërgjigje publike do të sillte vetëm tension dhe përshkallëzim të situatës.

“Ka pasur një reagim që ka sjellë shqetësim, por një kundër-reagim nuk do t’i bënte mirë askujt. ‘Big Brother VIP’ është si rakia: kush nuk e mban dot, nuk duhet t’i futet. Është i fortë, por ne po e përballojmë, njësoj si familja e Mirit,” u shpreh Hysa.

Ai bëri me dije se reagimi i parë ka ardhur nga bashkëshortja e Mirit, të cilën e ka këshilluar të tregojë përmbajtje. Sipas tij, situata u qetësua brenda 24 orëve dhe çdo reagim i mëtejshëm do ta kishte zmadhuar konfliktin.

“Nuk e kam ndaluar, vetëm e kam këshilluar. Nëse do të kishte pasur një tjetër kundër-reagim, gjithçka do të përshkallëzohej,” shtoi ai.

Në fund, Hysa theksoi se familja e Mirit po përpiqet ta përballojë gjithë situatën me maturi dhe qetësi, duke shmangur përplasjet publike, ndërsa Mirin e përshkroi si të përgatitur për presionin dhe sfidat që sjell një format si “Big Brother VIP”./mxh

❌