Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se gjatë mandatit të tij të parë ka parandaluar shpërthimin e tre luftërave bërthamore dhe u lavdërua për rindërtimin e fuqisë ushtarake dhe arsenalit bërthamor të Shteteve të Bashkuara.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendi më i fuqishëm në botë. Gjatë mandatit tim të parë, unë kam rindërtuar plotësisht ushtrinë tonë, përfshirë kryesisht kokat e reja dhe të rinovuara bërthamore. Kam themeluar gjithashtu Forcat Hapësinore dhe tani po vazhdojmë të rindërtojmë ushtrinë në nivele që nuk janë parë më parë. Po i shtojmë ushtrisë edhe anije luftarake, të cilat janë 100 herë më të fuqishme se ato që kanë lundruar në detet gjatë Luftës së Dytë Botërore – Iowa, Missouri, Alabama dhe të tjera”, shkroi 79-vjeçari.
Ai shtoi se ka parandaluar shpërthimin e luftërave bërthamore midis Pakistanit dhe Indisë, Iranit dhe Izraelit, si dhe Rusisë dhe Ukrainës.
“Në vend të zgjatjes së marrëveshjes New START, e cila është negociuar keq nga Shtetet e Bashkuara dhe, mbi të gjitha, po shkelet në mënyrë të egër, ne duhet të angazhojmë ekspertët tanë bërthamorë për të punuar në një marrëveshje të re, të përmirësuar dhe të modernizuar që mund të zgjasë gjatë në të ardhmen. Faleminderit për vëmendjen ndaj këtij çështjeje!”, shtoi Trump.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur ka skaduar marrëveshja “New START” midis SHBA-së dhe Rusisë, e cila ishte e fundit në fuqi që kufizonte arsenalet strategjike bërthamore të të dyja vendeve. Marrëveshja, e nënshkruar në vitin 2010, kufizon numrin e kokave bërthamore strategjike të vendosura dhe parashikon inspektime dhe shkëmbim të të dhënave. Megjithatë, marrëdhëniet midis dy vendeve janë përkeqësuar pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia.
Sipas analistëve, mbetet e pasigurt nëse Uashingtoni dhe Moska do të arrijnë të bien dakord për një kornizë të re për kontrollin e armëve bërthamore pas skadimit të marrëveshjes “New START”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
The post Trump: Kam parandaluar nisjen e tre luftërave bërthamore appeared first on Sinjali.