Ronaldo nuk e mbyll mundësinë për rikthim në Europë
Cristiano Ronaldo ka rihapur mundësinë e një rikthimi surprizë në futbollin evropian, teksa vazhdon ndjekjen e objektivit madhor prej 1.000 golash në karrierë.
Ylli portugez, i cili aktualisht luan për Al-Nassr, ka lënë të kuptohet se e ardhmja e tij nuk është e lidhur domosdoshmërisht me Lindjen e Mesme.
40-vjeçari numëron aktualisht 956 gola në karrierë, pas dopietës së realizuar në fundjavë me fanellën e Al-Nassr. Pavarësisht moshës, Ronaldo mbetet i vendosur të vazhdojë të luajë në nivel të lartë, duke theksuar se vendndodhja nuk është faktor vendimtar për të.
“Nuk ka rëndësi se ku luaj, qoftë në Lindjen e Mesme apo në Evropë. Pasioni im për futbollin është ende i madh dhe dua të vazhdoj,” ka deklaruar Ronaldo, fjalë që janë interpretuar si sinjal i qartë për një rikthim të mundshëm në kontinentin evropian.
Kontrata rekord e tij me Al-Nassr, me vlerë rreth 492 milionë funte, skadon në vitin 2026. Ndërkohë, vetë Ronaldo ka pranuar se Kupa e Botës e ardhshme do të jetë turneu i tij i fundit me Portugalinë, çka e bën edhe më të paqartë fazën përfundimtare të karrierës së tij.
Ronaldo ka ndërtuar një trashëgimi të jashtëzakonshme në Evropë, me dy periudha te Manchester United, nëntë sezone te Real Madrid, si dhe eksperiencë te Juventusi dhe Sporting Lisbona. Një rikthim eventual në Evropë do të ishte i bujshëm, sidomos duke pasur parasysh moshën e tij dhe faktin se ndodhet tashmë në sezonin e katërt larg futbollit evropian.
Të dielën, Ronaldo u nderua me çmimin “Lojtari më i Mirë i Lindjes së Mesme” në ceremoninë Globe Soccer Awards në Dubai, por pikërisht aty ai la të hapur derën për një kapitull të ri në karrierë, duke mos përjashtuar asnjë opsion për të ardhmen.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Ronaldo nuk e mbyll mundësinë për rikthim në Europë appeared first on Sinjali.

