Reading view

Euro e qëndrueshme përballë lekut, dollari forcohet lehtë

TIRANË, 24 gusht /ATSH/  Në tregun e këmbimit valutor vendas, këtë fillim jave, dollari amerikan forcoi lehtë pozitat, ndërsa euro shënoi qëndrueshmër përballë lekut, sipas të dhënave të përditësuara nga Banka e Shqipërisë.

Sipas BSH-së, dollari amerikan kuotohet në 79,33 lekë, me një rritje prej 0,27 lekësh krahasuar me një ditë më parë.

Euro mbetet e pandryshuar në 92,53 lekë, duke ruajtur të njëjtin nivel me fundjavën. Ndërkohë, paundi britanik është forcuar me 0,13 lekë, duke u ngjitur në kuotën 108,11 lekë.

Në kahun tjetër, franga zvicerane shënoi rënie dhe këmbehet me 98, 87 lekë, ose 0,12 lekë më pak se një ditë më parë.

Banka e Shqipërisë përcakton kursin zyrtar si një nivel reference, të llogaritur mbi bazën e kuotimeve në tregun ndërbankar dhe të përdorshëm për qëllime tregtare, vlerësuese, krahasuese dhe statistikore.

Monedha Kryesore Lekë për njësi të monedhës së huaj
Dollar Amerikan USD 79.33 +0.27
Euro EUR 92.53 0.00
Poundi Britanik GBP 108.11 +0.13
Franga Zvicerane CHF 98.87 -0.12
Jeni Japonez (100) JPY 49.84 -0.04
Dollari Australian AUD 56.82 +0.21
Dollari Kanadez CAD 57.34 -0.17
Korona Suedeze SEK 8.36 0.00
Korona Norvegjeze NOK 8.51 0.00
Korona Daneze DKK 12.38 0.00
SDR SDR 109.02 +0.39
Ari(OZ 1) XAU 367958.72 +5,374.54
Argjend(OZ 1) XAG 5453.14 -38.83
Juani Kinez (onshore) CNY 11.80 +0.04
Juani Kinez (offshore) CNH 11.80 +0.03
Lira Turke TRY 1.65 +0.01

/e.xh/ /a.g/

The post Euro e qëndrueshme përballë lekut, dollari forcohet lehtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Kategoritë prioritare që përfitojnë nga strehimi social, dokumentet që kërkohen

TIRANË, 24 gusht /ATSH/  Familjet me të ardhura të ulëta, familjet me shumë fëmijë, personat me aftësi të kufizuara, viktimat e dhunës në familje dhe jetimët janë ndër kategoritë që trajtohen me përparësi në programet e strehimit social.

Enti Kombëtar i Banesave ka hapur aplikimet për programet e strehimit social, ndërsa qytetarët mund të aplikojnë online përmes platformës e-Albania, në shërbimin “Kërkesë për të përfituar nga programet e strehimit social”.

Sipas përcaktimeve të Ligjit “Për strehimin social”, përparësia përcaktohet duke marrë në konsideratë jo vetëm të ardhurat e familjes, por edhe gjendjen sociale, përbërjen familjare dhe kushtet e banimit.

Në kategoritë prioritare përfshihen familjet me të ardhura të ulëta dhe familjet me shumë fëmijë, për të cilat vlerësohet gjendja ekonomike dhe numri i anëtarëve. Në këtë proces përdoren dokumente që dëshmojnë të ardhurat nga punësimi, vetëpunësimi, pensioni, ndihma ekonomike apo pagesa e papunësisë.

Personat me aftësi të kufizuara dhe jetimët përbëjnë gjithashtu kategori të veçanta, për të cilat kërkohet dokumentacion që vërteton statusin përkatës. Në skemën e kategorive në nevojë përfshihen edhe persona të mbetur të pastrehë si pasojë e lirimit të ish-pronave, persona me statusin “emigrant”, “punëtor emigrant” ose “azilkërkues”, si dhe familjet e punonjësve të rënë në detyrë.

Një kategori tjetër që merr trajtim të veçantë janë viktimat e dhunës në familje. Për aplikimin kërkohet urdhër mbrojtjeje ose urdhër i menjëhershëm mbrojtjeje, në varësi të rastit.

Legjislacioni parashikon gjithashtu marrjen në konsideratë të rrethanave të veçanta sociale, ku përfshihen ndër të tjera pjesëtarë të komuniteteve rome dhe egjiptiane, të mitur në konflikt me ligjin, persona që i përkasin komunitetit LGBTI dhe kategoria vajzë-nënë.

Pjesë e rëndësishme e vlerësimit është edhe situata e strehimit. Institucioni verifikon nëse familja disponon banesë dhe nëse ajo përmbush kushtet dhe normat e strehimit. Për këtë qëllim mund të kërkohen vërtetime mbi pronat e anëtarëve të familjes, sipërfaqen e banesës apo mungesën e një pasurie të përshtatshme për strehim.

Dokumentacioni ndryshon në varësi të situatës së çdo aplikanti. Qytetarët duhet të identifikojnë kategorinë në të cilën bëjnë pjesë dhe të paraqesin dokumentet që provojnë gjendjen ekonomike, familjare, sociale dhe të strehimit.

Në këtë mënyrë, programet e strehimit social synojnë të orientojnë mbështetjen drejt familjeve dhe individëve që kanë nevojën më të madhe për një banesë, duke krijuar akses më të drejtë në skemat publike të strehimit.

/e.xh/ /a.g/

The post Kategoritë prioritare që përfitojnë nga strehimi social, dokumentet që kërkohen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

AZHBR: Kredi e butë deri në 200 milionë lekë për 5 sektorë të bujqësisë dhe agrobiznesit

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ Fermerët dhe agrobizneset në vend mund të përfitojnë financim deri në 200 milionë lekë për subjekt, përmes skemës së kredisë së butë me garanci sovrane, njoftoi Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR).

Sipas AZHBR-së, kjo formë financimi synon të rrisë aksesin e fermerëve dhe agrobizneseve në kredi për investime, duke ofruar kushte më të favorshme dhe kosto më të ulët financimi.

Në kuadër të marrëveshjes së re të Garancisë Sovrane, shteti garanton 70% të kredisë, ndërsa financimi mund të shkojë deri në 200 milionë lekë për subjekt. Kredia ofrohet me normë interesi 2% dhe afat shlyerjeje deri në 10 vite.

Skema shtrihet në disa sektorë të bujqësisë dhe agrobiznesit, përfshirë bujqësinë, blegtorinë, agropërpunimin, mekanizimin bujqësor, agroturizmin dhe akuakulturën detare.

Aplikimi bëhet pranë 11 bankave të nivelit të dytë, ndërsa afati për aplikim është deri më 20 nëntor 2027.

AZHBR thekson se instrumenti synon të krijojë më shumë mundësi për investime, zgjerimin e aktivitetit dhe zhvillimin e mëtejshëm të sektorit bujqësor dhe agrobiznesit në vend.

/e.xh/ /a.g/

The post AZHBR: Kredi e butë deri në 200 milionë lekë për 5 sektorë të bujqësisë dhe agrobiznesit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

INSTAT: 32 mijë të huaj me leje qëndrimi në Shqipëri

TIRANË, 24 gusht /ATSH/  Numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri vijoi rritjen gjatë vitit 2025, duke arritur në 32 163 persona në fund të vitit, ose 46,6% më shumë krahasuar me vitin 2024.

Sipas publikimit më të fundit të INSTAT, meshkujt përbëjnë 65% të të huajve me leje qëndrimi, ndërsa femrat 35%. Grup-mosha më e përfaqësuar është ajo 30–39 vjeç, me 24,5% të totalit.

Evropa mbetet kontinenti me numrin më të madh të shtetasve të huaj me leje qëndrimi në Shqipëri, me 17 022 persona ose 52,9% të totalit. Krahasuar me vitin 2024, numri i tyre është rritur me 18,5%.

Rritje të ndjeshme është regjistruar edhe te shtetasit nga Azia, me 117,6%, duke arritur në 9 891 persona. Ndërkohë, numri i të huajve nga Amerika, Afrika dhe Oqeania u rrit me 73,4%, në 5 250 persona.

Punësimi është arsyeja kryesore e qëndrimit në Shqipëri, duke përbërë 55,1% të lejeve të qëndrimit. Pas tij renditen bashkimi familjar me 19,8%, arsye të tjera me 14,1%, qëllimet humanitare me 7,9% dhe studimi me 3,1%.

Sipas INSTAT edhe aplikimet për leje qëndrimi shënuan rritje. Në vitin 2025 ato u shtuan me 43,5% krahasuar me vitin 2024, ndërsa shtetasit nga India dhe Filipinet përbënë së bashku 26,6% të aplikimeve.

Sa i përket origjinës, Kosova dhe Italia kryesojnë listën e shtetasve të huaj me leje qëndrimi në Shqipëri, me përkatësisht 19,5% dhe 12,6% të totalit. Më pas renditen India me 9% dhe Filipinet me 7,5%.

Në shifra absolute, në vitin 2025 rezultojnë 6 284 shtetas nga Kosova, 4 065 nga Italia, 2 886 nga India dhe 2 401 nga Filipinet. Rritjen më të madhe krahasuar me vitin 2024 e kanë shënuar shtetasit nga Filipinet, me 136,1%, dhe nga India, me 87,6%.

INSTAT bën të ditur gjithashtu se gjatë vitit 2025 janë identifikuar 1 926 të huaj të parregullt, nga 1 540 në vitin 2024.

Të dhënat janë publikuar në kuadër të botimit “Të huajt në Shqipëri, 2025”, bazuar në informacionet e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe të përpunuara nga INSTAT.

/e.xh/ /a.g/

The post INSTAT: 32 mijë të huaj me leje qëndrimi në Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

AIDA: Deri në 400 mijë euro financim për projekte në turizëm dhe kulturë

TIRANË, 24 gusht /ATSH/  Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) ka publikuar thirrjen e 7-të për propozime për projekte të vogla në kuadër të Objektivit Specifik 4.6 të Programit IPA CBC Greqi–Shqipëri, duke sjellë një tjetër mundësi financimi për projektet që synojnë zhvillimin dhe bashkëpunimin ndërkufitar.

Sipas të dhënave të publikuara në kuadër të thirrjes, fondi total në dispozicion është 2 milionë euro, ndërsa financimi për një projekt varion nga 120 mijë deri në 400 mijë euro. Financimi mbulohet në masën 80% nga fondet e Bashkimit Evropian dhe 20% nga financimi kombëtar.

Thirrja fokusohet në projekte që lidhen me turizmin e qëndrueshëm dhe kulturor, trashëgiminë kulturore dhe natyrore, digjitalizimin, inovacionin social dhe zhvillimin rajonal, duke synuar forcimin e bashkëpunimit mes zonave ndërkufitare të Shqipërisë dhe Greqisë.

AIDA vijon të informojë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme dhe palët e interesuara për mundësitë e financimit përmes portalit “Akses në Financë”, ku janë të aksesueshme thirrjet, kriteret e pranimit dhe kushtet e aplikimit.

Sipas kushteve të thirrjes, financimi i projekteve lidhet me partneritete dhe nisma të bashkëpunimit ndërkufitar Shqipëri–Greqi, ndaj subjektet e interesuara duhet të verifikojnë kriteret e pranueshmërisë përpara aplikimit.

Afati i aplikimit për këtë thirrje është 30 shtator 2026 dhe platforma për më shumë informacion është në linkun:https://aida-smefinance.gov.al/…/7th-open-call-for..

Përmes publikimit të këtyre mundësive, AIDA synon të lehtësojë aksesin e biznesit dhe institucioneve të interesuara në instrumentet financiare të Bashkimit Evropian dhe të nxisë projekte që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik, turistik dhe social të zonave ndërkufitare.

/e.xh/ /a.g/

The post AIDA: Deri në 400 mijë euro financim për projekte në turizëm dhe kulturë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Festa e Koranit në Pogradec, hidhen 2 milionë rasate në liqenin e Ohrit

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ Dy milionë rasate të koranit janë hedhur këtë fundjavë në liqenin e Ohrit, në Pogradec, në kuadër të nismave për pasurimin e faunës ujore dhe mbrojtjen e kësaj specieje endemike me rëndësi të veçantë për ekosistemin dhe ekonominë e zonës.

Hedhja e rasatit u zhvillua në kuadër të Festës së Koranit, një aktivitet që tashmë është kthyer në traditë për qytetin e Pogradecit dhe që ndërthur promovimin e biodiversitetit, traditës së peshkimit dhe gastronomisë lokale.

Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Arjan Jaupllari, deklaroi se këtë vit në ujërat e liqenit kemi hedhur 2 milionë rasate korani, duke nënvizuar rëndësinë e vijimit të kësaj nisme edhe në të ardhmen.

Jaupllari u shpreh se synohet gjithashtu që pala e Maqedonisë së Veriut të vijojë me hedhjen e rasateve të peshqve të veçantë të ujërave liqenore të Ohrit, në funksion të mbrojtjes dhe pasurimit të biodiversitetit të liqenit që shtrihet mes dy vendeve.

Bashkia Pogradec ndau momente nga aktivitetet e organizuara në kuadër të Festës së Koranit, ku përfaqësues të shoqatës së peshkimit në Pogradec u shprehën optimizëm për rezultatet e kësaj nisme, duke theksuar se hedhja e rasatit ka dhënë efekte pozitive në shtimin e koranit. Sipas tyre, kjo është reflektuar edhe në rritjen e zënies së peshkut nga viti në vit, me koranin që po shënon një tendencë në rritje.

Në kuadër të festës, në shëtitoren buzë liqenit u promovua edhe gastronomia tradicionale e Pogradecit. Restorantet dhe shefat e kuzhinës prezantuan për vizitorët e shumtë që kanë mbushur Pogradecin në këtë sezon veror, gatime të ndryshme me produkte të zonës, me tavën e koranit që vijon të mbetet ndër gatimet më të kërkuara nga turistët e qytetit liqenor.

Në sheshin kryesor të Pogradecit, ku u organizua edhe panairi tradicional, kuzhinierë dhe amvisa prezantuan gatime të ndryshme tradicionale me bazë koranin, duke e kthyer aktivitetin në një festë të gastronomisë, traditës dhe identitetit të qytetit, ndërsa festa vijoj me shfaqe të spektaklit artistik ku performuan këngëtar të njohur dhe u shfaq spektakël me drita dhe muzikë të zgjedhur.

Festa e Koranit synon të promovojë njëkohësisht mbrojtjen e pasurisë natyrore të liqenit të Ohrit, ruajtjen e koranit dhe zhvillimin e turizmit gastronomik në Pogradec.

/e.xh/ /a.g/

The post Festa e Koranit në Pogradec, hidhen 2 milionë rasate në liqenin e Ohrit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Rihapen regjistrimet në e-Albania për klasat I dhe X deri më 7 shtator

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ Ministria e Arsimit njoftoi sot më 24 gusht, rihapjen e regjistrimeve për nxënësit që ende nuk kanë përfunduar procedurat për vitin e ri shkollor.

Sipas njoftimit të ministrisë, aplikimet në platformën e-Albania do të jenë të hapura nga sot deri më 7 shtator 2026, duke u dhënë mundësi prindërve dhe nxënësve që nuk kanë përfunduar regjistrimin të kryejnë procedurat brenda afatit.

Regjistrimet e rihapura përfshijnë klasën e parë, klasën e dhjetë, si dhe shkollat artistike dhe sportive.

Ministria e Arsimit u ka bërë thirrje prindërve dhe nxënësve të mos e humbasin këtë afat dhe të përfundojnë regjistrimin brenda periudhës së përcaktuar, për të garantuar vijimin normal të procedurave të regjistrimit në institucionet arsimore.

Aplikimi kryhet online përmes platformës e-Albania, ndërsa afati përfundimtar është 7 shtator 2026.

 

/e.xh/ /a.g/

The post Rihapen regjistrimet në e-Albania për klasat I dhe X deri më 7 shtator appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Rikonstruksioni i Shërbimit të Djegie-Plastikës, Koçiu: Investim në cilësinë e shërbimit për qytetarët

TIRANË, 24 gusht /ATSH/  Vijojnë punimet për rikonstruksionin e godinës së Shërbimit të Djegie-Plastikës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT), një investim që synon modernizimin e ambienteve dhe përmirësimin e kushteve të trajtimit për pacientët.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Albana Koçiu, ndau në rrjetet sociale pamje nga ecuria e punimeve, duke theksuar se ndërhyrja po realizohet sipas standardeve bashkëkohore.

Në pamjet e publikuara pasqyrohet transformimi i godinës, e cila më parë paraqitej e amortizuar dhe me ambiente që nuk plotësonin kushtet e kërkuara për ofrimin e shërbimit, ndërsa aktualisht punimet po vijojnë për rikonstruksionin dhe modernizimin e hapësirave.

Projekti parashikon krijimin e ambienteve të reja dhe modernizimin e kapaciteteve për trajtimin e djegieve dhe ofrimin e shërbimeve të kirurgjisë plastike.

“Ky është investim në cilësinë e shërbimit, por mbi të gjitha investim tek njerëzit. Një tjetër pjesë e ozaikut të transformimit të sistemit shëndetësor, për ta afruar çdo ditë e më shumë me standardet europiane ”, u shpreh Koçiu.

Rikonstruksioni i godinës synon të krijojë kushte më të përshtatshme për pacientët dhe stafin mjekësor, duke përmirësuar infrastrukturën dhe cilësinë e shërbimeve të ofruara në një prej strukturave të specializuara të QSUNT-së.

/e.xh/ /a.g/

The post Rikonstruksioni i Shërbimit të Djegie-Plastikës, Koçiu: Investim në cilësinë e shërbimit për qytetarët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Nga emigracioni te sukses në vendlindje, fermeri investon në bimët aromatike e medicinale

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ Nga Pojani në Maliq, Ervis Xhihani zgjodhi të rikthehej në vendlindje pas shumë vitesh emigrimi dhe të investonte në një aktivitet të lidhur ngushtë me tokën dhe potencialin bujqësor të zonës: kultivimin dhe grumbullimin e bimëve aromatike e medicinale.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ndau historinë e Xhihanit, duke vënë në dukje potencialin ekonomik të sektorit të bimëve mjekësore, të cilat kanë kërkesë të lartë si në tregun vendas, ashtu edhe në tregjet e huaja.

Xhihani kultivon dhe grumbullon disa lloje bimësh aromatike e medicinale, mes tyre kandilën, qumështoren, mullagën dhe erodhën. Sipas tij, aktiviteti është orientuar ndjeshëm drejt eksportit, ndërsa rreth 80% e prodhimit të kompanisë dërgohet në tregjet e huaja, kryesisht në SHBA, Gjermani, Holandë e Suedi.

Bimët mjekësore po shndërrohen gjithnjë e më shumë në një mundësi për rritjen e të ardhurave në zonat rurale, falë kërkesës së qëndrueshme të tregut dhe mundësive për eksport.

Për Xhihanin, rikthimi nga emigracioni dhe investimi në vendlindje është shoqëruar me krijimin e një aktiviteti ekonomik që lidh prodhimin bujqësor me tregjet ndërkombëtare, duke i dhënë vlerë tokës dhe burimeve të zonës së Maliqit.

Salla thekson se zhvillimi i sektorit të bimëve aromatike dhe medicinale përbën një mundësi konkrete për fermerët dhe sipërmarrësit që zgjedhin të investojnë në bujqësi dhe në prodhime me kërkesë të lartë në tregjet e huaja.

/e.xh/ /a.g/

The post Nga emigracioni te sukses në vendlindje, fermeri investon në bimët aromatike e medicinale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Rama pas takimit në Pogradec: Në fokus “Besa” dhe “Pasqyrë Albania”, kërkesat e qytetarëve të ndiqen në kohë reale

TIRANË, 23 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, pas takimit me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste, bëri të ditur fokusin e diskutimeve, duke vënë theksin te komunikimi me qytetarët, prania në terren dhe krijimi i një sistemi më efikas për ndjekjen e kërkesave të tyre.

Përmes një videomesazhi nga Pogradeci, Rama tha se në takim u diskutua për “Besën”, praninë besnike dhe ekosistemin e ri të komunikimit të qeverisë, duke e cilësuar këtë të fundit jo thjesht si komunikim publik, por si një mënyrë të re komunikimi me qytetarin.

“Ne u përpoqëm të mbledhim së bashku reflektimet e një periudhe pushimesh aktive, të lidhur me sezonin e ri politik”, u shpreh kryeministri.

Një nga çështjet kryesore të diskutimit ishte edhe “Pasqyrë Albania”, e cila, sipas Ramës, do të shërbejë si një platformë unike ku qytetarët do të kenë të pranishme të gjitha institucionet.

Kryeministri tha se ambicia është që çdo kërkesë, shqetësim apo hall i qytetarëve drejtuar institucioneve të mund të ndiqet në kohë reale, duke përdorur si shembull statusin e një pakoje postare.

“Ambicia është që, më herët se vonë, të arrijmë pikën që çdo kërkesë, çdo shqetësim, çdo hall i qytetarit drejtuar institucioneve të jetë si një pako postale, statusi i së cilës ndiqet në kohë reale nga dërguesi”, deklaroi Rama.

Sipas tij, përmes këtij mekanizmi synohet që shteti, qeveria dhe institucionet të kenë të qarta përgjegjësitë për çdo kërkesë, ndërsa çdo shkelje e afateve të jetë e evidentueshme dhe të ndiqet me kujdes.

Rama theksoi se këto janë pjesë e përgatitjeve për sezonin e ri politik, me synim forcimin e marrëdhënies së institucioneve me qytetarët dhe përmirësimin e mënyrës së ofrimit të shërbimeve publike.

/e.xh/

The post Rama pas takimit në Pogradec: Në fokus “Besa” dhe “Pasqyrë Albania”, kërkesat e qytetarëve të ndiqen në kohë reale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Protesta e 85-të në Tiranë për Zvërnecin

TIRANË, 23 gusht/ATSH/  Qytetarë u mblodhën këtë të diel në sheshin “Skënderbej”, në protestën e 85-të kundër investimit të planifikuar në zonën e Zvërnecit.

Pas grumbullimit në qendër të kryeqytetit, protestuesit marshuan përgjatë bulevardit drejt godinës së Kryeministrisë, duke shprehur kundërshtimin ndaj projektit, ndërsa parashtruan edhe kërkesa lidhur me politikat për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.

Në podiumin e improvizuar, protestuesit morën fjalën dhe paraqitën kërkesat e tyre, mes të cilave dorëheqjen e kryeministrit dhe të gjithë qeverisë, si dhe krijimin e një qeverie teknike tranzitore.

Ata kërkuan gjithashtu ndryshime kushtetuese dhe miratimin e tyre përmes referendumit, përfshirë ndryshime në Kodin Zgjedhor dhe kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate.

Pas fjalimeve, protestuesit vijuan marshimin në rrugët e Tiranës, duke përsëritur kundërshtimet ndaj projektit në Zvërnec dhe kërkesat e tyre drejtuar institucioneve.

/e.xh/j.p

The post Protesta e 85-të në Tiranë për Zvërnecin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Dy të vrarë me armë zjarri dhe një i plagosur rëndë në Dukagjin

TIRANË, 23 gusht/ATSH/ Një ngjarje e rëndë është shënuar pasditen e sotme në fshatin Mgull, në Njësinë Administrative Pult, në Dukagjin, ku dy persona, babë e bir, dyshohet se janë vrarë me armë zjarri, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë.

Sipas informacionit paraprak të Policisë së Shkodrës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:20. Viktimat janë shtetasit me inicialet L. Gj. dhe P. Gj., ndërsa i plagosur rëndë ka mbetur shtetasi A. P.

Pas marrjes së njoftimit, drejt vendngjarjes janë nisur forca të shumta të Policisë Vendore dhe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër.

Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili po punon në vendngjarje për zbardhjen e plotë të rrethanave, dokumentimin ligjor të ngjarjes, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit apo autorëve.

Policia vijon veprimet hetimore për të përcaktuar dinamikën dhe motivet e ngjarjes së rëndë.

/e.xh/j.p/

The post Dy të vrarë me armë zjarri dhe një i plagosur rëndë në Dukagjin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Pushuesit shijojnë bukurinë e Vjosës, lumit të egër të Evropës

TIRANË, 23 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje nga lumi Vjosa, duke sjellë në vëmendje bukurinë natyrore të një prej pasurive më të çmuara të Shqipërisë.

Në pamjet e publikuara prej tij shfaqet Vjosa me ngjyrat karakteristike të ujërave të saj, e rrethuar nga peizazhi i mrekullueshëm natyror, ndërsa në brigjet e lumit shihen edhe pushues që kanë zgjedhur këtë destinacion për t’u freskuar dhe për të shijuar ditët e nxehta të verës.

Vjosa, e njohur si një prej lumenjve të fundit të egër të Evropës, vijon të tërheqë gjithnjë e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj, falë natyrës së paprekur, ujërave dhe peizazheve unike.

Në vitin 2023, Parku Kombëtar i Lumit Vjosa u përfshi në rrjetin botëror të UNESCO-s, duke u bërë parku i parë kombëtar i një lumi të egër në Evropë i mbrojtur në këtë nivel.

Pamjet e ndara nga Rama përcjellin një tjetër dimension të turizmit natyror në Shqipëri, ku lumi dhe peizazhi përreth ofrojnë një alternativë të veçantë për pushuesit gjatë verës. /e.xh/j.p/

The post Pushuesit shijojnë bukurinë e Vjosës, lumit të egër të Evropës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Nufi: FA vijojnë betejën me zjarret në Palasë, Krujë, Pukë dhe Dajt

TIRANË, 23 gusht/ATSH/  Forcat e Armatosura vijojnë intensivisht angazhimin në terren për kontrollin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit në disa zona të vendit.

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, bëri të ditur se operacionet po vijojnë si në terren, ashtu edhe nga ajri, me angazhimin e efektivëve të Forcave të Armatosura dhe mjeteve ajrore.

“Në Malin e Çikës, mbi Palasë, vatra vijon në terren të thepisur dhe të paaksesueshëm, ndërsa sot operacioni për fikjen përfundimtare mbështetet nga 2 avionë Air Tractor”, deklaroi Nufi.

Sipas tij, në Krastë të Krujës, krahas forcave zjarrfikëse të Krujës, Kamzës dhe Vorës të angazhuara në terren, ndërhyrja po vijon edhe nga ajri me një helikopter.

Nufi informoi gjithashtu për situatën në Pukë, ku në zonën e Prozhemit operacioni po mbështetet nga 30 efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa në Gojan–Gjegjan situata është përmirësuar ndjeshëm.

“Vatrat janë të izoluara ose të fikura dhe vijojnë të jenë nën mbikëqyrje”, u shpreh ministri.

Ndërkohë, në Dajt, operacioni po vijon me mbështetjen e 30 efektivëve të Forcave të Armatosura dhe një helikopteri. Sipas Nufit, “nuk ka rrezik për zonat e banuara”.

Ministri theksoi se Forcat e Armatosura do të vijojnë angazhimin në terren në mbështetje të strukturave të emergjencave dhe për mbrojtjen e banorëve dhe territorit nga zjarret. /e.xh/j.p/

The post Nufi: FA vijojnë betejën me zjarret në Palasë, Krujë, Pukë dhe Dajt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Shtatë vatra aktive zjarri, ndërhyrje me mbi 200 forca dhe mjete nga ajri

TIRANË, 23 gusht /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes informon se deri në orën 14:00 të  ditës së sotme, në vend janë raportuar 15 vatra zjarri, nga të cilat 7 mbeten aktive dhe 8 janë nën mbikëqyrje.

Në operacionet e sotme janë angazhuar në total 213 forca, prej të cilave 153 forca operacionale dhe 60 efektivë të Forcave të Armatosura. Në dispozicion janë 10 mjete zjarrfikëse, 1 ekskavator i rëndë me zinxhir, ndërsa operacionet nga ajri mbështeten nga 2 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Ndër vatrat aktive, në Malin e Dajtit vijon ndërhyrja me 15 zjarrfikës dhe 30 efektivë të FA-së, të mbështetur nga 1 helikopter, pa rrezik për zonat e banuara.

Në Qafë të Helmes, Bulqizë, 11 efektivë të MZSH-së po punojnë për kontrollin e dy vatrave aktive në sipërfaqe pyjore.

Në Tenë, Mirditë, situata paraqitet e stabilizuar dhe në terren vijojnë 27 forca të MZSH-së, Shërbimit Pyjor dhe bashkisë, ndërsa në Shtuf vatra ka intensitet të ulët dhe po monitorohet nga strukturat vendore.

Në Prozhem, Pukë, vijon operacioni me 3 mjete zjarrfikëse dhe 15 efektivë, 13 forca të Shërbimit Pyjor dhe banorë të zonës, si dhe 30 efektivë të FA-së.

Situata në Gojan–Gjegjan ndërkohë është përmirësuar ndjeshëm, me vatrat të izoluara ose të fikura dhe nën mbikëqyrje.

Sipas njoftimit të MM-sé, vemendja kryesore është në Krastë të Krujës, ku vatra paraqitet me intensitet dhe pranë zonave të banuara. Në terren janë angazhuar forcat zjarrfikëse të Krujës, me mbështetje nga Kamza dhe Vora, ndërsa po ndërhyhet nga ajri me 1 helikopter.

Në Malin e Çikës mbi Palasë, operacioni për fikjen përfundimtare mbështetet nga 2 avionë Air Tractor./e.xh/j.p/

The post Shtatë vatra aktive zjarri, ndërhyrje me mbi 200 forca dhe mjete nga ajri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Tiranë, kapen mbi 5.2 kg heroinë dhe kokainë, arrestohen dy persona

TIRANË, 23 gusht/ATSH/ Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Drejtimi”, duke parandaluar një rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike, ndërsa ka arrestuar në flagrancë dy persona dhe ka sekuestruar mbi 5.2 kilogramë heroinë dhe kokainë.

Drejtori i DVP Tiranë, Oliger Torba, bëri të ditur se në pranga janë vënë Mirand Herri, 51 vjeç, banues në Maminas, Durrës, dhe Luftim Hoxha, 41 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Maminas.

Sipas Policisë, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve kishte siguruar informacione operative se dy personat do të transportonin një sasi të konsiderueshme droge në zonën e “Treshit”, në afërsi të Nishtulla 3, në drejtim të Durrësit.

Operacioni u finalizua në rrugën “Kastriotët”, ku shërbimet policore ndaluan automjetin tip “Mercedes-Benz” me dy të dyshuarit.

Gjatë kontrollit në automjet u gjet një çantë me shtatë pako me lëndë të dyshuar narkotike. Policia sekuestroi katër pako me heroinë, me peshë 2 kilogramë e 123.6 gramë, dhe tre pako me lëndë të dyshuar kokainë, me peshë 3 kilogramë e 120.6 gramë.

Në total, sasia e sekuestruar ishte 5 kilogramë e 244.2 gramë lëndë narkotike.

Dy personat u shoqëruan në DVP Tiranë për veprime të mëtejshme procedurale, ndërsa hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.

Në konferencën për mediet, Torba foli edhe për parandalimin e një konflikti mes rreth 28 të miturve, të moshave 13 deri në 17 vjeç, të cilët dyshohej se do të përfshiheshin në një përplasje me mjete të ftohta.

Sipas tij, pas marrjes së informacionit në kohë, strukturat e Komisariatit nr. 6, Forcat Operacionale, “Shqiponjat” dhe strukturat e Hetimit të Krimit Kibernetik zhvilluan rreth 72 orë verifikime në rrjetet sociale dhe në terren, duke bërë të mundur parandalimin e ngjarjes.

Drejtori i Policisë së Tiranës u bëri apel prindërve të bashkëpunojnë me strukturat policore dhe të raportojnë në kohë çdo rast të dyshimtë që lidhet me fëmijët, për të parandaluar ngjarje që mund të rrezikojnë jetën e tyre.

Policia e Tiranës ftoi qytetarët të denoncojnë rastet e paligjshmërisë pranë strukturave policore ose në numrin 112. /e.xh/j.p

The post Tiranë, kapen mbi 5.2 kg heroinë dhe kokainë, arrestohen dy persona appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Rama takim në Pogradec me drejtuesit politikë të PS-së në qarqe

TIRANË, 23 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot në Pogradec një takim me drejtuesit politikë të PS-së së 12 qarqeve dhe kryetarët e komisioneve parlamentare.

Takimi nisi rreth orës 11:30 dhe, sipas medieve, diskutimet janë përqendruar fillimisht te dokumenti “Besa”, për të cilin pjesëmarrësit kanë dhënë sugjerimet e tyre.

Më tej, diskutimet janë fokusuar te forcimi i bashkëpunimit dhe koordinimit mes strukturave politike dhe administrative në nivel qendror e rajonal. Mediet bëjnë të ditur se Rama ka kërkuar mendimet e të pranishmëve për mënyrën se si mund të përmirësohet marrëdhënia mes ministrave, drejtuesve politikë, deputetëve dhe drejtorëve rajonalë.

Takimi në Pogradec zhvillohet në kuadër të diskutimeve të drejtimit politik të Partisë Socialiste, me fokus organizimin dhe bashkërendimin e punës në qarqe.

Ndërkohë, kryeministri pritet të mbledhë të hënën  ministrat, të cilët do të paraqesin një bilanc të punë. /e.xh/j.p/

The post Rama takim në Pogradec me drejtuesit politikë të PS-së në qarqe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Shqipëria përfaqësohet në kongresin Ndërkombëtar të Hortikulturës në Kyoto

TIRANË, 23 gusht/ATSH/ Në Kyoto të Japonisë ka nisur kongresi i 32-të Ndërkombëtar i Hortikulturës (IHC2026), një prej veprimtarive më të rëndësishme shkencore ndërkombëtare në këtë fushë, që do të zhvillohet deri më 28 gusht me pjesëmarrjen e studiuesve, akademikëve, ekspertëve dhe profesionistëve nga vende të ndryshme të botës.

Shqipëria përfaqësohet në këtë forum ndërkombëtar nga akademiku Nazim S. Gruda, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, i cili ka një rol të rëndësishëm në strukturat shkencore të Kongresit.

Akad. Gruda është anëtar i Komitetit Shkencor të IHC2026 dhe i Komitetit Shkencor të Simpoziumit S14, që i kushtohet vlerësimit të ndikimit dhe shtrirjes së inovacioneve për një hortikulturë të qëndrueshme.

Gjatë punimeve, akademiku shqiptar do të jetë ligjërues kryesor dhe do të drejtojë një sesion shkencor, duke prezantuar përvojën dhe ekspertizën e tij në sistemet inovative dhe të qëndrueshme të prodhimit hortikulturor.

Një tjetër moment i rëndësishëm i Kongresit pritet të jetë konfirmimi i akad. Grudës si kryetar i Seksionit të Hortikulturës në Mjedise të Mbrojtura (Greenhouse and Indoor Production Horticulture) të Shoqatës Ndërkombëtare për Shkencën e Hortikulturës (ISHS), për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.

Sipas Akademisë së Shkencave, përfshirja e akad. Grudës në strukturat shkencore dhe drejtuese të ISHS-së përbën një vlerësim të kontributit të tij në shkencën ndërkombëtare të hortikulturës dhe një përfaqësim të rëndësishëm të Shqipërisë në këtë forum global.

Kongresi IHC2026 zhvillohet nën kujdesin e ISHS-së, organizatë ndërkombëtare që bashkon komunitetin shkencor të hortikulturës dhe promovon kërkimin, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe shkëmbimin e njohurive në këtë sektor.  /e.xh/j.p/

The post Shqipëria përfaqësohet në kongresin Ndërkombëtar të Hortikulturës në Kyoto appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

OBP hap aplikimet për ekspertë të jashtëm dhe laboratorë të akredituar

TIRANË, 21 gusht/ATSH/ Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP) ka hapur aplikimet për ekspertë të jashtëm dhe laboratorë të akredituar, të interesuar për t’u angazhuar pranë këtij institucioni, sipas fushave përkatëse të ekspertizës.

Lajmin e bëri të ditur ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e cila u bëri thirrje profesionistëve me njohuri dhe përvojë të specializuar që të aplikojnë për t’u bërë pjesë e këtij bashkëpunimi.

Thirrja është e hapur deri më 1 shtator 2026.

Sipas saj, përfshirja e ekspertëve të jashtëm dhe laboratorëve të akredituar synon të kontribuojë në trajtimin e çështjeve që kërkojnë njohuri të posaçme profesionale, duke ndihmuar në rritjen e cilësisë dhe eficiencës së proceseve të prokurimit të përqendruar.

“Ekspertiza e jashtme ndihmon në rritjen e cilësisë dhe eficiencës së proceseve të prokurimit të përqendruar”, theksoi Ibrahimaj.

Ekspertët dhe laboratorët e interesuar, që zotërojnë kualifikimet dhe përvojën e kërkuar në fushat e përcaktuara në njoftim, mund të aplikojnë online përmes faqes zyrtare të OBP-së, në kategorinë “Njoftime”.

Nisma synon të zgjerojë bazën e profesionistëve të specializuar që mund të angazhohen në proceset e prokurimit të përqendruar, duke forcuar kapacitetet teknike dhe profesionale të OBP-së.

/e.xh/j.p/

The post OBP hap aplikimet për ekspertë të jashtëm dhe laboratorë të akredituar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Skema e Granteve, Ibrahimaj: Biznesi dyfishon klientët dhe punonjësit, rrit të ardhurat

TIRANË, 21 gusht/ATSH/ Mbështetja për sipërmarrjen përmes Skemës së Granteve 2024–2025 po sjell rezultate konkrete në bizneset përfituese, duke nxitur rritjen e aktivitetit ekonomik dhe zgjerimin e tyre.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se “Recycling Albania” është një prej shembujve të kësaj rritjeje, duke shënuar përmirësime të ndjeshme pas përfitimit nga skema e financimit.

Sipas të dhënave të publikuara nga ministrja, të ardhurat e kompanisë janë rritur nga 30% në 40%, ndërsa numri i klientëve është dyfishuar, nga 30 në 60. Paralelisht, edhe numri i punonjësve është rritur nga 3 në 6.

“Pas çdo financimi qëndron një histori rritjeje”, theksoi Ibrahimaj, duke vënë në dukje se mbështetja e orientuar drejt biznesit mund të përkthehet në rezultate konkrete dhe të matshme.

Rasti i këtij biznesi dëshmon ndikimin e skemave të mbështetjes në zgjerimin e aktivitetit të sipërmarrjeve, krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e kapaciteteve të tyre.

Ibrahimaj tha se , Skema e Granteve 2024–2025 synon të mbështesë sipërmarrjet në zhvillimin dhe konsolidimin e aktivitetit të tyre, duke kontribuar në rritjen e konkurrueshmërisë dhe zhvillimin e ekonomisë.

/e.xh/j.p/

The post Skema e Granteve, Ibrahimaj: Biznesi dyfishon klientët dhe punonjësit, rrit të ardhurat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  
❌