Reading view

Ksamili dhe Dhërmiu dominohen nga plazhet private

Nga Jona Cenameri

Më 4 korrik 2026, kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale një video me mbishkrimin “Plazhet publike në Ksamil”. Pamjet tregonin një hapësirë të organizuar nga Bashkia Sarandë, me çadra në dispozicion të pushuesve.

Në video, hapësira publike dukej e kufizuar në katër rreshta me nga gjashtë çadra secila, ndërsa menjëherë ngjitur shtrihej një plazh privat dukshëm më i madh.

Nën postimin e kryeministrit reagoi edhe Aleksandër Trajçe, drejtues i PPNEA, i cili ngriti pikërisht çështjen e raportit mes hapësirës publike dhe asaj private: “Sa qesharake të lësh 20 metra plazh publik dhe gjithë pjesën tjetër privat. A mos duhej të ishte e kundërta?”

Por videoja vinte pas një premtimi shumë më të gjerë të bërë nga kryeministri në vitin 2025 për sezonin pasardhës.

Premtimi 

Më 4 shtator 2025, gjatë një takimi për ecurinë e turizmit dhe objektivat për vitin 2030, Rama kritikoi mënyrën se si ishin administruar disa prej plazheve më të frekuentuara të jugut.

Për Ksamilin ai përdori termin “plazh i dhunuar”, duke iu referuar dendësisë së çadrave, çmimeve të larta dhe cilësisë së shërbimit në hapësirat private. Sipas tij, nuk kishte më arsye që plazhi i Ksamilit të vazhdonte të ishte në duart e privatëve.

Edhe për Dhërmiun, Rama kritikoi praninë e subjekteve private që vendosnin çadra, shezlongë dhe beach bar-e, ndërsa solli si shembull administrimin nga Bashkia Himarë të një hapësire publike me çadra të identifikuara me logon e bashkisë.

Në fund të fjalës së tij kryeministri e konkretizoi edhe më tej planin:

“Shumë shpejt do të nxjerrim edhe gjithë planin e ri për bregdetin dhe në bashkëpunim me gjithë bashkitë, do të kuptojmë ekzaktësisht se cilat plazhe bashkitë do t’i marrin tërësisht, por dy njëherë janë të sigurta, Ksamilin dhe Dhërmiun”

Ksamili dhe Dhërmiu ishin dy zonat për të cilat Rama referonte shumë shpejt plan për kalimin tërësisht nën administrimin e bashkive respektive, nëse gjithnjë i referohemi qëndrimit që ai kishte për dy plazhet në fjalë 

“Po marr Ksamilin sepse është një ndër plazhet më të bukur të botës dhe nuk mund të jetë më pre e injorantëve që e shikojnë si një tokë për t’ u pushtuar dhe pastaj për t’u sjellë me turistët dhe me vizitorët si të ishin skllevër që mund të hanë edhe shkopin e çadrës në kokë, apo për të vendosur çmime për të qëndruar në një dendësi të paimagjinueshme në plazh, që janë çmime që vetëm lëndojnë imazhin e turizmit shqiptar dhe nga ana tjetër, në tërësi ne duhet të shërojmë plazhet e dhunuara, t’ua heqim nga dora privatëve. Nuk ka arsye më, që plazhi i Ksamilit të jetë një plazh privat ku dendësia është e lidhur me stresin, e lidhur me çmime marramendëse, e lidhur me një shërbim mizerabël”, u shpreh Rama para se të shkonte tek premtimi konkret. 

I njëjti interpretim edhe për Dhërmiun.

“Plazhi i Dhërmiut nuk ka nevojë fare të ketë subjekte që vijnë nga zona të tjera, për të vendosu çadra, për të vendosur shezlongë dhe për të vendosur beach-bar që çmendin dynjanë me muzikën e tyre dhe që derdhin ujërat e zeza në det. Nuk ka nevojë. Kryetari i bashkisë së Himarës e ka treguar me një shembull konkret se si bashkia mund të administrojë një plazh në përmasa modeste në Himarë, jo thjesht duke hapur zonën që të shkosh dhe të shtrihesh në rërë, por duke pasur çadra të loguara me ngjyrat e bashkisë së Himarës dhe një shërbim absolutisht të pastër dhe absolutisht të këndshëm pa salltanete të mëdha, po pa asnjë stres”, shprehej Rama duke bërë dallimin me plazhet e tjera që kanë shumë me shumë vijë bregdetare. 

“Natyrisht që plazhe si plazhi i Durrësit, si plazhi i Shëngjinit apo si plazhi i Velipojës që janë plazhe të mëdha nuk mund të kthehen në plazhe 100% të administruara nga bashkia, por duhet të vazhdojnë në shembullin më të mirë dhe me praktikat më të mira, të rrisin kërkesën për një shërbim cilësor që i përgjigjet asaj që qytetari paguan…” 

Ksamili 2026

Gati një vit më pas, Faktoje shkoi në terren për të parë se çfarë kishte ndodhur.

Më 29 korrik 2026, në kulmin e sezonit turistik, Faktoje verifikoi në terren hapësirën publike të promovuar nga kryeministri në Ksamil. 

Plazhi ishte i mbushur me pushues, mes të cilëve kishte edhe shumë turistë të huaj.

Në këtë pjesë të plazhit ishin vendosur 24 çadra nga Bashkia Sarandë, të organizuara në katër rreshta me nga gjashtë çadra secila. Qëndrimi ishte falas dhe pushuesit mund të vendosnin edhe çadrat apo tendat e tyre personale.

Në një tabelë informuese, qytetarëve u kërkohej të mbanin pastër plazhin dhe të merrnin me vete çadrat personale kur largoheshin. 

Po aty, njoftohej se në këtë hapësirë nuk kishte roje plazhi.

Hapësira publike ishte e mbingarkuar. Përveç vendeve nën çadrat e bashkisë, disa pushues ishin ngjeshur në skajet e plazhit apo në hapësirat mes çadrave, ku kishin vendosur peshqirë, çadra dhe tenda personale. 

Në të dyja anët e kësaj hapësire publike shtriheshin plazhe private me rreshta çadrash dhe shezlongësh, të cilëve nga ai pozicion nuk u dukej fundi.

Pamja në terren tregonte një hapësirë publike falas të kufizuar, të vendosur mes sipërfaqeve të gjera të administruara privatisht. 

Faktoje i kërkoi Bashkisë Sarandë informacionin konkret mbi numrin dhe sipërfaqen e plazheve publike dhe private në Ksamil për sezonin 2026. Deri në publikimin e këtij shkrimi, Bashkia Sarandë nuk ka kthyer përgjigje.

Foto e shkeputur ne Ksamil
Foto e shkeputur ne Ksamil

Dhërmiu 2026

Më 29 korrik, një punonjëse e një kioske udhëtimesh pranë bregut i tha Faktoje se në Dhërmi “çdo gjë është private”. Ajo tregoi si përjashtime një plazh publik në skajin e vijës bregdetare, pranë Havanës, si edhe disa hapësira të lira mes Lucianos dhe platformës ku niseshin varka dhe motorë uji, ku sipas saj pushuesit mund të vendosnin çadrat e tyre personale.

Pikërisht aty, pushuesit kishin vendosur peshqirë apo çadrat e tyre personale. 

Nuk kishte tabela që i identifikonin si plazhe publike. 

Një tabelë e verdhë paralajmëronte vetëm për hyrje-daljen e skafeve.

Terreni ishte shkëmbor, i parregulluar dhe ndodhej mes dy hapësirave të shfrytëzuara nga biznese private, ndërsa në mes të kësaj hapësire publike funksiononte edhe platforma për mjetet lundruese.

Më tej, duke ndjekur drejtimin e treguar nga punonjësja, Faktoje gjeti në anën tjetër të vijës bregdetare hapësirën e identifikuar me tabelën “Plazh publik-Bashkia Himarë”. 

Zona ishte më e gjerë, por nuk kishte çadra apo shezlongë të vendosur nga bashkia dhe, në momentin e verifikimit, përdorej nga pak pushues.

Foto e shkeputur ne Dhermi

Në përgjigjen e dërguar për Faktoje më 7 gusht 2026, Bashkia Himarë bëri të ditur se në zonën e Dhërmiut funksionojnë gjithsej 91 stacione plazhi, të cilat institucioni i ndan në tre kategori:

  • 23 parcela janë plazhe publike;
  • 48 parcela janë dhënë me kontratë subjekteve private;
  • 20 parcela administrohen nga Bashkia Himarë pa kontratë.

Bashkia nuk specifikoi vendndodhjen, sipërfaqen apo kufijtë e këtyre parcelave, ndaj në terren nuk ishte e mundur të kuptohej se cilat hapësira përkonin me 23 parcelat publike dhe cilat me 20 parcelat e administruara nga bashkia pa kontratë. 

Në terren, ndarja mes këtyre kategorive nuk ishte e dallueshme. Dhe vetem një hapësirë në gjithë vijën bregdetare të Dhërmiut shoqërohej me një tabelë identifikuese “Plazh publik”  

Foto e shkeputur ne Dhermi
Foto e shkeputur ne Dhermi

Ajo që mbetet e qartë nga terreni dhe të dhënat zyrtare është se as Dhërmiu nuk ka kaluar tërësisht në administrimin e Bashkisë Himarë, siç kishte deklaruar kryeministri.

Përfundim

Në shtator 2025, Kryeministri Edi Rama deklaroi se, shumë shpejt do të nxirrej plani i ri për bregdetin në bashkëpunim me gjithë bashkitë për të  kuptuar ekzaktësisht se cilat plazhe bashkitë do t’i marrin tërësisht, por dy njëherë, sipas tij ishin të sigurta, Ksamili dhe Dhërmiu. 

Verifikimi i Faktojes konkretisht në Ksamil dhe Dhërmi tregon se ky synim nuk është realizuar. 

Në të dyja plazhet administrimi privat vijon të zërë pjesën dërrmuese të bregdetit, ndërsa hapësirat publike mbeten të kufizuara, në disa vende madje të paidentifikueshme qartë përmes tabelash. 

Ndërkohë zyrtarisht, Bashkia Sarandë nuk iu përgjigj kërkesës së Faktojes brenda afateve ligjore, ndërsa ajo e Himarës ofroi një panoramë që nuk i përgjigjej planit të premtuar nga Rama.    

Për këtë arsye, Faktoje e vlerëson premtimin e kryeministrit Edi Rama deri më tani si të pambajtur.

The post Ksamili dhe Dhërmiu dominohen nga plazhet private appeared first on Faktoje.al.

  •  

E gjeneruar kjo foto e Albin Kurtit në uniformën e gjeneralit serb

Pretendimi: Kjo foto shfaq kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me uniformën e ushtrisë serbe

Vlerësimi: Foto e gjeneruar me AI

Barbara Halla

Në rrjetet sociale po qarkullon një imazh ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, paraqitet i veshur me uniformë ushtarake serbe. Pamja duket se është krijuar përmes inteligjencës artificiale dhe përdoret për të përcjellë një mesazh politik që e paraqet Kurtin si të lidhur me Serbinë, në një përpjekje për të dëmtuar imazhin e tij tek publiku shqiptar. 

Duke verifikuar detajet e uniformës ceremoniale të ushtrisë serbe mund të konstatohet disa detaje që konfirmojnë se bëhet fjalë për një imazh të gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale. Më konkretisht, stema zyrtare në krahun e majtë është një mbivendosje e flamurit serb me stemën e kryqit dhe katër C-ve, një gabim logjik i programeve të gjenerimit të fotove. 

Uniforma e drejtuesve të lartë serbë, siç mund të konstatohet në fotot e faqes zyrtare të Forcave të Armatosura të Serbisë, mban stemën e kryqit dhe 4 C-ve në krahun e majtë dhe flamurin serb në atë të djathtë. 

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Milan Mojsiloviç (në mes të fotos) me uniformën e gjeneralit

Detaje të tjera zbulojnë se uniforma ku shfaqet kryeministri Kurti ka shumë medalje, shirita dekorativë ceremonial në kapele si dhe stil të ngarkuar, jo tipik për uniformën zyrtare serbe.

Imazhi shoqërohet me një tekst që e quan Kurtin dhe mbështetësit e tij “antishqiptarë” dhe e vendos pretendimin në kuadër të përplasjeve politike mes Tiranës dhe Prishtinës. Postimi kritikon Edi Ramën për qëndrimet e tij ndaj Kosovës, ndërsa pretendon se Kurti dhe institucionet e Kosovës nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë në çështjet e Shqipërisë. Megjithatë, këto janë vlerësime politike dhe nuk përbëjnë prova që lidhen me autenticitetin e fotografisë.

Në fakt, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës kanë vazhduar të jenë të ndërthurura përmes bashkëpunimit institucional, edhe pse Rama dhe Kurti kanë pasur mosmarrëveshje të dukshme politike. Në shkurt 2026, dy kryeministrat u takuan në Prishtinë dhe diskutuan forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, përfshirë projekte në infrastrukturë, energji, arsim dhe ekonomi.

Imazhi duhet parë edhe në kontekstin e një vale më të gjerë materialesh të fabrikuara që synojnë ta lidhin Kurtin me Serbinë. Një verifikim i mëparshëm nga Kallxo/Krypometër konstatoi se një fotografi tjetër ku Kurti shfaqej me Aleksandar Vuçiqin dhe Vojislav Sheshelin ishte gjeneruar me inteligjencë artificiale, ndërsa një raportim i vitit 2026 dokumenton edhe imazhe të tjera të manipuluara që e paraqesin Kurtin me simbole nacionaliste serbe.

The post E gjeneruar kjo foto e Albin Kurtit në uniformën e gjeneralit serb appeared first on Faktoje.al.

  •  

Giorgia Meloni nuk u konvertua në besimtare islame me emrin Aishe

Pretendimi: Kryeministrja italiane njoftoi papritur konvertimin në fenë myslymane

Vlerësimi: E pavërtetë, Foto e manipuluar AI

Barbara Halla

Disa imazhe po qarkullojnë në rrjete sociale në Shqipëri, ku kryeministrja italiane Giorgia Meloni shfaqet e mbuluar me shami në Mekë, dhe shoqëruar nga një mesazh, sipas të cilit ajo është konvertuar në fenë islame. Në fakt, nuk ka asnjë deklaratë zyrtare që Meloni të ketë marrë një vendim të tillë dhe imazhi vetë duket se është krijuar përmes inteligjencës artificiale. 

Në postimin në Facebook, thuhet se Meloni e ka bërë deklaratën e saj në X/Twitter, dhe më pas lajmi është shpërndarë më tej nga Rai Uno, një nga kalanet televizive shtetërore të Italisë. Një kërkimi i thjeshtë si në faqen e Melonit dhe në arkivat e Rai-t nuk nxjerr në pah asnjë deklaratë të tillë. Imazhi vetë duket të jetë gjeneruar duke marrë si bazë foto të grave myslymane që shkojnë në Mekë për pelegrinazhin vjetor.

Për më tepër, teksti vijon me pretendime se Giorgia do të quhet tashmë Aisha dhe se po kërkon një bashkëshort mysliman, elemente që e bëjnë të duket më shumë si material satirik sesa si lajm i mirëfilltë. 

Faqja në fjalë ka publikuar dhe një imazh të ngjashëm të zëvendëskryeministrit Matteo Salvini, po me të njejtin tonë sarkastik, duke treguar që kemi të bëjmë me një narrativë të koordinuar. 

Rasti është veçanërisht domethënës, pasi në maj 2026 Giorgia Meloni paralajmëroi publikisht për rrezikun e deepfake‑ve, pas shpërndarjes së imazheve të rreme të saj të krijuara me inteligjencë artificiale. Ajo u bëri thirrje qytetarëve të verifikojnë çdo përmbajtje përpara se ta besojnë ose ta shpërndajnë.

Përdorimi i temës së fesë dhe referimi ndaj konvertimit fetar të dy politikanëve të djathtë italianë shton një ngarkesë të fortë ideologjike, duke e bërë manipulimin më të ndjeshëm dhe më të lehtë për t’u instrumentalizuar. 

The post Giorgia Meloni nuk u konvertua në besimtare islame me emrin Aishe appeared first on Faktoje.al.

  •  

Asnjë provë për vizitat e kryeministrit izraelit Netanyahu në ishullin e Epstein

Pretendimi: Kryeministri izraelit Netanyahu ka vizituar “890 herë” ishullin e skandaleve seksuale të Jeffrey Epstein

Vlerësimi: E paprovuar

Barbara Halla

Një pretendim po qarkullon në Facebook se Benjamin Netanyahu ka vizituar “890 herë” ishullin privat të Jeffrey Epstein. Mes shumë akuzave që i vishen kryeministrit izraelit pas luftës në Gaza, ky “mëkat” i ri nuk mbështetet nga dokumentet publike të publikuara deri tani. Nuk ka prova të besueshme që Netanyahu të ketë vizituar ishullin Little Saint James, apo që të ketë udhëtuar atje i shoqëruar nga financieri famëkeq amerikan. 

Epstein, i lidhur me rrjete të fuqishme politike e biznesore, u arrestua për trafik seksual të të miturve dhe vdiq në burg në vitin 2019, duke lënë pas një sërë hetimesh dhe akuzash të pazgjidhura që vazhdojnë të ngjallin debat publik.

Dokumentet e publikuara në kuadër të çështjes Epstein përmbajnë referenca ndaj Netanyahu-t. Këtu bëhet fjalë për gjashtë referenca dhe asnjëra nuk përmend numrin e “890” vizitave. Për më tepër, prania e një emri në këto materiale nuk do të thotë se personi ka vizituar ishullin apo ka kryer ndonjë vepër penale. Një indeks i dokumenteve të publikuara deri më tani e liston emrin e Netanyahu-t në disa materiale, ndërsa nuk e përfshin atë në regjistrat e fluturimeve të Epstein-it.

Ndërkohë, lidhja e dokumentuar mes Epstein-it dhe ish-kryeministrit izraelit Ehud Barak është e një natyre krejt tjetër. Dokumentet tregojnë kontakte të shpeshta mes tyre dhe vizita të Barakut në apartamentin e Epstein-it dhe në ishullin e tij. Associated Press ka raportuar se Barak ka pranuar vizitat dhe kontaktet e tij me Epstein-in, ndërsa ka mohuar të ketë parë apo marrë pjesë në sjellje të papërshtatshme.

Vetë Netanyahu, në shkurt 2026, reagoi ndaj publikimit të dokumenteve duke thënë se marrëdhënia e ngushtë mes Barakut dhe Epstein-it nuk provon se Epstein ka punuar për Izraelin, por sipas tij të kundërtën. The Times of Israel raportoi gjithashtu se nuk kishte prova për lidhje të Epstein-it me shërbimet inteligjente izraelite.

The post Asnjë provë për vizitat e kryeministrit izraelit Netanyahu në ishullin e Epstein appeared first on Faktoje.al.

  •  

Shqipëria nën sulme çdo sekondë, FIMI besimi dhe demokracia

Manipulimi dhe ndërhyrja e informacionit të huaj (FIMI) është një sfidë e madhe për Shqipërinë, e cila pas sulmit masiv kibernetik të Iranit në vitin 2022 kuptoi se është po aq e ekspozuar sa vendet e tjera të Evropës. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, në podcast me Drejtoreshën Ekzekutive të Faktoje.al, Klodiana Kapo, thekson se rreziku kryesor në këtë rast nuk lidhet vetëm me institucionet, por me besimin e qytetarëve tek demokracia dhe rrugëtimi europian. Ministri Hoxha thotë se Shqipëria sot ka çdo sekondë një sulm relativisht të madh, shumë të madh ose masiv nga jashtë. Ndërkohë strategjia kombëtare kundër dezinformimit e miratuar një vit më parë mbetet e paplotësuar pa akte nënligjore dhe buxhet konkret. Hoxha nënvizon se është shumë e rëndësishme të kemi mekanizma që shkojnë tek faktet, sepse, siç shprehet ai, e vërteta është vetëm një, ndërsa narrativat janë shumë. Në intervistë, ministri Hoxha ndalet edhe tek debati për hapjen e konsullatës serbe në Shkodër, duke e cilësuar veprim diplomatik bazuar në reciprocitet. Ai thekson se interesi kryesor i Shqipërisë është hapja e konsullatës në Luginën e Preshevës për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve atje.

The post Shqipëria nën sulme çdo sekondë, FIMI besimi dhe demokracia appeared first on Faktoje.al.

  •  

Qendra e Monitorimit të Trafikut, ende në pritje

Esmeralda Topi

Gjatë fushatës për zgjedhjet e fundit parlamentare, kryeministri Edi Rama premtoi se Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut do të vihej në funksion brenda vitit 2025, “për një lëvizshmëri më të sigurt dhe efikase”.

Majin e kaluar, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) e prezantonte Qendrën e Re të Kontrollit të Trafikut si një strukturë që do të mundësonte monitorimin 24/7 të rrugëve dhe koordinimin me Policinë Rrugore, Urgjencën Kombëtare Mjekësore dhe Emergjencat Civile. Në fazën fillestare, sipas ARRSH-së, ishin lidhur me kamera 200 kilometrat e parë të rrjetit rrugor. 

(Autoriteti Rrugor Shqiptar)

Por një vit më vonë, të dhënat zyrtare tregojnë se premtimi për funksionimin e qendrës nuk është realizuar.

Ecuria e projektit

Qendra e Monitorimit të Trafikut u prezantua për herë të parë nga ish ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në shtator 2023. Në atë kohë, drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi, deklaroi se godina do të dorëzohej në janar 2024. Afati nuk u respektua.

Në shtator 2024, Balluku u rikthye në godinën e qendrës dhe deklaroi se po hidheshin hapat e fundit për dorëzimin e saj. Në të njëjtën kohë, ajo parashikoi se monitorimi i 200 kilometrave të parë do të niste në fillim të vitit 2025. Në prill 2025 u njoftua nisja e testimeve në terren.

Megjithatë, verën e shkuar, kur Faktoje verifikoi ecurinë e projektit, ARRSH konfirmoi se sistemi ishte ende në proces testimi dhe dorëzimi. Për pasojë, megjithëse sistemi mund të evidentonte shkelje, procedurat për marrjen e masave administrative nuk kishin përfunduar. 

Qendra ende nuk është marrë në dorëzim

Edhe një vit më pas, ARRSH pranon se procesi ende nuk ka përfunduar.

“Qendra e monitorimit nuk është marrë në dorëzim nga ARRSH”,  pohon për Faktoje Autoriteti Rrugor Shqiptar.

ARRSH shpjegon se afati fillestar dyvjeçar i fazës së parë është ndikuar nga “kompleksiteti dhe shtrirja e projektit në disa akse rrugore”. Sipas institucionit, gjatë zbatimit ka qenë e nevojshme koordinimi i komponentëve infrastrukturorë, teknikë dhe teknologjikë, si dhe ndërveprimi me institucione dhe operatorë të ndryshëm. Megjithatë, përgjigjja nuk specifikon se cilët komponentë kanë shkaktuar vonesën, sa kohë ka shtuar secili prej tyre apo cila është data e re e përfundimit të fazës së parë.

Sistemi ende në testim

Autoriteti Rrugor pranon gjithashtu se sistemi për evidentimin e shkeljeve është “aktualisht në proces implementimi dhe testimi”.

Një pjesë e komponentëve teknologjikë është vënë në funksion, por vijon puna për integrimin dhe verifikimin e elementëve të tjerë. ARRSH shton se procesi i testimit dhe kalibrimit duhet të përfundojë përpara kalimit në funksionimin e plotë të sistemit.

Pra, një vit pas premtimit për vënien në funksion të Qendrës gjatë vitit 2025, sistemi ende nuk është plotësisht funksional.

214 kilometrat e fazës së dytë?

Projekti 4.2 miliardë lekë nuk kufizohet vetëm te 200 kilometrat e fazës së parë.

Në gusht 2024, ARRSH tenderoi fazën e dytë të projektit, e cila parashikon monitorimin e 214 kilometrave të tjera rrugë. Kontrata iu dha të njëjtit grup operatorësh që kishte fituar fazën e parë dhe ka një vlerë prej rreth 1.5 miliardë lekësh.

Një vit më pas, ARRSH thotë se puna për fazën e dytë “vijon”, duke u fokusuar në komponentët e infrastrukturës dhe elementët teknikë e teknologjikë. Por institucioni nuk jep një përqindje konkrete të realizimit të punimeve dhe përfundimi nuk shoqërohet me një datë të përcaktuar.

ARRSH thotë se afatet e përfundimit dhe dorëzimit do të varen nga ecuria e punimeve dhe përmbushja e procedurave përkatëse. Objektivi përfundimtar i projektit është mbulimi i të gjithë rrjetit kombëtar rrugor prej rreth 3,650 kilometrash brenda vitit 2029.

Faza e parë ka tejkaluar afatin fillestar dyvjeçar, ndërsa për fazën e dytë ARRSH nuk jep një afat konkret për përfundimin. Edhe fazat e tjera të projektit, të nevojshme për mbulimin e 3,650 kilometrave deri në 2029, mbeten për t’u planifikuar dhe zbatuar.

Përfundim

Qendra e Monitorimit të Trafikut ende nuk është marrë në dorëzim, ndërsa sistemi është ende në implementim dhe testim. Nisur nga këto të dhëna, premtimi për vënien në funksion të Qendrës Kombëtare të Monitorimit të Trafikut gjatë vitit 2025 mbetet i pambajtur, edhe pse një pjesë e sistemit është vënë në funksion për testim.

The post Qendra e Monitorimit të Trafikut, ende në pritje appeared first on Faktoje.al.

  •  

Reagimet e qëndrimit të vjetër të Zelenskyt në Beograd

Fetah Salliu 


Gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Beograd më 7-9 gusht 2026, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, rikonfirmoi se qëndrimi i vendit të tij ndaj pavarësisë së Kosovës mbetet i pandryshuar. 

“Ne respektojmë tërësinë territoriale të partnerëve tanë dhe ligjin ndërkombëtar. Prandaj, qëndrimi ynë lidhur me shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës mbetet i pandryshuar”, tha Volodymyr Zelensky. 

Kjo deklaratë e tij u interpretua përmes reagimesh të mëvonshme si qëndrim i ri  duke shkaktuar reagime politike dhe veprime simbolike në rajon, përfshirë heqjen e flamurit ukrainas në Prishtinë apo protesta e zhvilluar në Tiranë para ambasadës së Ukrainës. 

Në anën tjetër, përpos qëndrimit të njohur të Kievit për Kosovën, vendi ku u bë deklarata, Beogradi, aleati i Moskës dhe vendi që s’ka vendosur sanksione ndaj Rusisë në këto më shumë se 4 vite luftë në Ukrainë ishte e gabuara sipas shumicës së analistëve në rajon

Deklarata 

Eksperti për marrëdheniet ndërkombëtare, Ledion Krisafi tha për Faktoje se, “nga këndvështrimi i Ukrainës, qëndrimi i Zelenskyt është i logjikshëm sepse Ukraina ka nevojë për armët dhe municionet e Serbisë si një prodhuese e konsiderueshme në Evropë. Për shkak se rusët kanë përdorur shpesh rastin e Kosovës për të justifikuar veprimet e tyre në Krime dhe Donbas, Ukraina nuk mund të njohë Kosovën pa u zgjidhur cështja e Krimesë dhe Donbasit sepse thjeshtë do t’i jepte një shkas më shumë Rusisë” 

Pra, riafirmimi nuk përbënte një pozicionim të ri, porse deklarata e Zelenskyt u instrumentalizua nga aktorë të ndryshëm (në Serbi apo Ukrainë) për axhenda të brendshmepolitike.

Serbi 

Presidenti i Partisë së Re Demokratike të Serbisë, Milosh Jovanoviq është shprehur se, “ardhja e Volodymyr Zelenskyt në Serbi është pjesë e një strategjie perëndimore për t’i paraqitur të dyja vendet si vende që ndjekin një kurs perëndimor, ndërkohë që synohet largimi i ndikimit rus nga Ballkani”. 

Ai paralajmëron se, “një vizitë e tillë do t’i dobësojë më tej marrëdhëniet e Serbisë me Federatën Ruse dhe do të vërë në pikëpyetje mbështetjen që Rusia i jep Serbisë, veçanërisht në mbrojtjen e integritetit territorial dhe në sektorin e energjisë”. 

Ukraina 

Deputeti opozitar ukrainas Oleksiy Goncharenko, e konsideroi qëndrimin e Zelenskyt si një “gabim politik”

Ndërsa kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Ukrainas, Oleksandr Merezhko,  shprehu “skepticizëm ndaj argumenteve ligjore që përdoren kundër njohjes së Kosovës, duke theksuar se Serbia mbetet e ndikuar nga propaganda ruse”.

Kosova    

Pas deklaratës së Zelenskyt  reagoi  Prishtina përmes Kryetarit të Komunës Përparim Rama. Duke shpërndarë një video ku dallohej heqja e flamurit të Ukrainës që varej në qendër të kryeqytetit që nga viti 2022, (kur filloi lufta Rusi – Ukrainë),  Përparim Rama deklaroi ndër radhë se, “kur Kosova nuk respektohet, Prishtina përgjigjet”.

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, shprehu gjithashtu keqardhje duke kujtuar se: “Ndërsa Kosova ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, Serbia nuk është rreshtuar  me sanksionet e BE-së”.

Eksperti Krisafi nënvizon se, “reagimi në Kosovë ishte emocional dhe nuk kishte pse të ndodhte i tillë sepse herët a vonë Ukraina do e njohë Kosovën dhe reagime të tilla emocionale dhe publike nuk ndihmojnë asgjë” 

Por pse ngjalli kaq shumë reagim një deklaratë e përsëritur e Zelenskyt?  

“Zelensky bëri më shumë sesa thjesht përsëriti qëndrimin e Ukrainës për mosnjohjen e Kosovës. Ai lejoi që pavarësia e Kosovës të përfshihej në narrativën e Serbisë për humbjen territoriale dhe, në mënyrë të nënkuptuar, e vendosi atë në të njëjtën kornizë konceptuale me pushtimin nga Rusia të territorit ukrainas”, shkroi eksperti i sigurisë Ramadan Ilazi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë më 10 gusht. 

Eksperti Krisafi, në anën tjetër, argumenton se, “pa përfunduar lufta dhe pa patur një zgjidhje përfundimtare për të ardhmen e Krimes dhe Donbasit, Ukraina nuk do e njohë Kosovën”. 

Sipas tij, “vizita e Zelenskyt në Beograd ka shumë arsye pragmatike për Ukrainën dhe nuk ka asnjë lidhje me Kosovën dhe të ardhmen e marrëdhënieve Kosovë – Ukrainë”

Tirana

Përpos faktit se Kosova nuk duket prioritet diplomatik për Ukrainën në këtë moment, pasi vendimet e saj varen nga zgjidhja e konflikteve të brendshme, reagimet për vizitën e Zelenskyt në Serbi, dhe ajo çfare ai tha, pati edhe në Tiranë. 

Në marshimin e 71 të protestës qytetare në Tiranë protestuesit u ndalën pranë Ambasadës së Ukrainës duke bërë thirrje kundër Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Por në platformën X kryeministri Edi Rama përcolli një qëndrim ekuilibrues: “Ukraina mund të jetë dhe po, është gabim për Kosovën, por e drejta e saj për të qenë e lirë mbetet e padiskutueshme. Të luftosh për këtë të drejtë do të thotë të luftosh edhe për Evropën dhe për veten tonë. Këto të vërteta mund të bashkëjetojnë fare mirë në të njëjtën fjali. Shqipëria është mjaftueshëm e pjekur për t’i mbajtur të dyja, dhe do t’i mbajë të dyja”. 

The post Reagimet e qëndrimit të vjetër të Zelenskyt në Beograd appeared first on Faktoje.al.

  •  

Dhunë dhe abuzim, shifrat alarmante tek të miturit në Shqipëri

Nga Anila Hoxha

Fenomeni i grupeve të miturive që mblidhen për t’u përplasur në rrugë është kthyer në shqetësim serioz për rendin publik.

Policia e Komisariatit Nr. 6, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, ndërhyri të mërkurën në Kombinat duke lokalizuar disa grupe adoleshentësh dhe i shoqëroi më pas në komisariat për të shmangur konfliktin.

Veprimet procedurale u kryen në prani të prindërve dhe psikologëve, ndërsa pas komunikimit me prokurorin nisi procedimi në gjendje të lirë për 28 të mitur, të moshave 13–17 vjeç.

“Gjatë kontrollit fizik, disa prej tyre iu gjetën armë të ftohta (thika), kaçavida, si dhe disa maska, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Konflikti dyshohet se ka nisur në rrjetin social TikTok. Shkak është bërë pretendimi i njërit prej të miturve se motra e tij ishte ngacmuar në rrjetet sociale.  

Por çfarë po ndodh sot me të miturit, dhe pse i drejtohen gjithnjë e më shumë dhunës si zgjidhje?! 

Krimet që nuk parandalohen

Qysh prej hyrjes në fuqi të Kodit Penal për të Miturit, në rastet kur ata evidentohen në konflikt me ligjin, shumë nga masat e parashikuara rezultojnë të pazbatueshme 

Sipas gjyqtares së Apelit, Edlira Petri, edhe pse Kodi për të Miturit (për nga fryma) synon të mbrojë fëmijët nga përgjegjësia penale dhe e shpall burgun si masë të fundit, në praktikë mbetet një boshllëk i madh detyrimesh që nuk plotësohet 

“Pavarësisht miratimit të Kodit të Drejtësisë Penale për të mitur mbetet ende i diskutueshëm efikasiteti i masave në funksion të arritjes së qëllimit të riedukimit të të miturve në konflikt me ligjin dhe të parandalimit të përgjithshëm. 

Një aspekt shqetësues është mungesa e institucionit për ekzekutimin e një prej dënimeve penale për të miturit që është kufizimi i lirisë. 

Në Kavajë dërgohen të miturit që dënohen me burgim, kurse institucioni që duhet të ishte funksional, nuk është një IEVP, por është një institucion ku kufizohet liria, le të themi që ju hiqet përkohësisht prindërve. Nëqoftëse sot gjykata jep një vendim me kufizim lirie, nuk mund të them se ku ekzekutohet”, tha për Faktoje gjyqtarja e Apelit, Edlira Petri.

Pezull 

Ai që do të duhej të ishte Instituti Multidispilinor për Edukimin dhe rehabilitimin e të Miturve, vazhdon të jetë një kantier ndërtimi në zonën e Mëzezit, jo shumë larg qendrës së Tiranës. 

I vizituar deri me tani nga tre ministra drejtësie, njoftimi më i fundit lidhet me vizitën e ministrit aktual, Toni Gogu, në datë 30 prill ku u raportua se punimet kishin arritur në rreth 70% dhe mbyllja e tyre do të bëhet në nëntor 2026 

Si drejtoreshë e Qendrës për Parandalimin e Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve, që funksionon nën varësinë e Ministrisë së Drejtësisë, Klaudia Hasanllari thekson për Faktoje se për të parandaluar kriminalitetin tek fëmijët, së pari duhet të fuqizohen mekanizmat e drejtësisë restauruese. 

Sipas saj, po aq të domosdoshme janë mbështetja e shërbimeve komunitare dhe koordinimi mes institucioneve të drejtësisë, mbrojtjes sociale, arsimit dhe pushtetit 

Raporti 

Prokuroria e Përgjithshme raporton se 961 fëmijë u morën nën hetim dhe të pandehur gjatë vitit, ndërsa 31 përfunduan në burg. Shumica u shmangën nga dënimi ose u trajtuan me masa më të lehta, këshillime, paralajmërime verbale dhe me shkrim. Megjithatë, raporti pranon se këto masa alternative po rriten ngadalë, duke lënë të hapur pyetjen mbi efektivitetin e sistemit 

Gjyqtarja e Apelit, Edlira Petri, shpjegon se të miturit përballen kryesisht me akuza për vjedhje, të thjeshta ose me dhunë, si dhe për mbajtje dhe shpërndarje narkotikësh. 

Nuk mungojnë, sipas saj,  edhe shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor, apo veprat kundër jetës dhe shëndetit, si vrasjet dhe plagosjet e rënda.

Sipas gjyqtares, nuk mund të hartohet një “hartë” e saktë për shpërndarjen e kriminalitetit tek fëmijët pa një studim gjithëpërfshirës, që të mbledhë të dhëna nga policia, prokuroria dhe gjykatat e shkallës së parë. 

Shifrat 

Strategjia ndërsektoriale e drejtësisë për të mitur, përveç planeve, e shfaq panoramën përmes shifrave ku 60% e rasteve të abuzimit seksual kryhen ndaj fëmijëve; 48% e fëmijëve në Shqipëri kanë qenë subjekt i të paktën një forme agresioni psikologjik ose fizik; 33.9% raportojnë se janë përfshirë në përleshje fizike të paktën një herë gjatë vitit të fundit, me djemtë më të ekspozuar se vajzat, ndërsa 83% e nxënësve deklarojnë se kanë përjetuar forma të ndryshme dhune, ku 20% janë ngacmuar të paktën dy herë në dy muajt e fundit. 

Çdo vit policia merr nga 5,000 deri në 20,000 referime për materiale të abuzimit seksual të fëmijëve në internet nga agjencitë ndërkombëtare, por në tre vitet e fundit janë hetuar vetëm 12 raste të ”pornografisë për fëmijë” dhe vetëm një ka përfunduar me sukses. 

Një në dhjetë fëmijë raporton se ka përjetuar të paktën një përvojë seksuale të padëshiruar në internet, shpesh të iniciuar nga persona që fëmija i njihte 

Rrëfimi 

…Për 37 vjeçaren Arvisa R. erdhi dita kur ajo duhet të kërkonte ndihmë. U ndje e pafuqishme për të birin që sapo kishte mbushur 13 vjeç. 

Ai largohej vazhdimisht nga banesa, kthehej vonë dhe mësuesit i thanë se fëmija shfaqej i përgjumur në klasë. E vërteta për nënën ishte e hidhur. I biri ishte përdorues hashashi.

“Telefonova policinë, – thotë shkurt për Faktoje nëna, – ju thashë djali pi drogë, po kuptoj që lekët që i jap për ushqim i mban për drogë” 

Ishte polcia që e referoi më pas rastin e të miturit pranë Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës. Aktualisht minoreni po trajtohet në një qendër rehabilituese kundër varësisë nga droga. 

Drejtuesja e kësaj agjencie, Alma Tandili, thekson se të miturit shpesh nisin të përdorin drogë në ambiente të përbashkëta.

“Së fundmi, nga rastet e fëmijëve në konflikt me ligjin që janë referuar për menaxhim dhe monitorim nga strukturat e mbrojtjes së fëmijëve në 61 bashki, kemi hasur situata të vështira. Mes tyre ka edhe fëmijë që u thonë prindërve se do të rrinë tek shokët, largohen nga banesa pa adresë dhe përfundojnë duke përdorur drogë”, thotë Tandili 

Gjyqtarja Petri thekson se pyetja nuk është vetëm: “Çfarë ka bërë?”, por edhe “Pse ka arritur deri në këtë sjellje dhe çfarë ndërhyrjeje mund ta largojë nga përsëritja e saj?” 

Për këtë arsye, sipas saj, duhet të ekzistojnë programe rehabilituese të përshtatshme, psikologë dhe punonjës socialë të specializuar, mbikëqyrje efektive nga strukturat përgjegjëse, mundësi për rikthim në arsim dhe formim profesional, mbështetje për familjen si dhe bashkëpunim ndërmjet institucioneve.

Policia e Shtetit 

Kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, e sheh parandalimin e krimeve tek të miturit si një detyrë që nuk i takon vetëm policisë.

“Që në ditët e para të marrjes së detyrës kam urdhëruar kontrollin sistematik të territorit, me fokus të veçantë mjediset përreth shkollave, si dhe ndalimin e praktikës së ndalimit pa shkak të automjeteve në akset rrugore kombëtare. Këto ishin masa emergjente, sepse siguria e fëmijëve dhe ofrimi i një shërbimi profesional e të denjë për qytetarët janë dhe do të mbeten prioritet absolut i Policisë së Shtetit. Ky vendim u mbështet në indikatorë të qartë, konkretisht në analizat e riskut të kryera nga strukturat tona, rastet e goditura në vijimësi të tentativave për shpërndarjen e lëndëve narkotike pranë shkollave, informacionet e siguruara në rrugë operative”, shpjegon për Faktoje, Hita

The post Dhunë dhe abuzim, shifrat alarmante tek të miturit në Shqipëri appeared first on Faktoje.al.

  •  

Rrëfimet e banorëve, pse Klosi dhe Dimali janë kundër “shkrirjes” së bashkive

Nga Megi Iskurti

Me të dalë nga Tuneli i Murrizit, aty ku dikur udhëtimi drejt Tiranës ishte një pengesë e përditshme, sot sheh të lëvizin më shpejt njerëzit, mallrat dhe shpresat për një ekonomi të re.

Por ndërsa Rruga e Arbrit po vizaton një hartë të re ekonomike për këtë zonë, ndarja e re administrative pritet ta vendosë Klosin në një tjetër realitet.

Bashkimi me Burrelin do të zhvendosë qendrën e vendimmarrjes rreth 40 kilometra larg, duke i përfshirë banorët në dilemë se do të humbasin zërin në vendimet për territorin, investimet dhe zhvillimin e zonës së tyre.

“Për ne, Burreli është një kundra-tabelë”.

Fjalia e Ç.E., punonjës administrate në sektorin e energjisë elektrike, përmbledh ndjesinë e shumë prej atyre që kanë dalë në protestë kundër shkrirjes së Bashkisë Klos me atë të Matit.

Për ta, çështja nuk është thjesht një vijë e re në hartën administrative, por frika se një zonë që sapo ka nisur të marrë frymë nga Rruga e Arbrit mund të humbasë zërin e saj në vendimmarrje.

Rruga e re ka ndryshuar llogaritë e vjetra të distancës. 

Tuneli i Murrizit e ka afruar zonën me Tiranën, vetëm rreth 18 kilometra larg, duke transformuar jo vetëm distancat fizike, por edhe drejtimin ekonomik e social të zonës.

Banorët, të cilët janë të zëshëm kundër këtij ndryshimi, thonë se sot nuk e shohin më veten të orientuar drejt një qendre tjetër administrative, por drejt një tregu shumë më të madh ekonomik.

Pikërisht mbi këtë argument ndërtohet një pjesë e kundërshtimit të tyre: frika se një bashkim me Matin mund të ndodhë pikërisht në momentin kur Klosi po përpiqet të ndërtojë një identitet të ri ekonomik.

“Kjo është arsyeja pse ne jemi kundër bashkimit. Ata në Burrel do dominojnë, sepse këshilli bashkiak do të jetë me numër më të madh dhe fondet do vendosen atje. Kur bashkohen dy bashki bashkë, çfarë autonomie kemi ne për veten tonë?”, vëren Ç.E. për Faktoje.al.

A do të ikë vendi i punës bashkë me bashkinë?

Kjo pyetje nuk është vetëm e Klosit. 

Në Dimal, protesta qytetare kundër bashkimit me Beratin po artikulon një shqetësim të ngjashëm: se pas shkrirjes së një bashkie nuk zhduket vetëm një strukturë administrative, por mund të lëvizin edhe shërbimet, aktiviteti ekonomik dhe, në fund, vetë njerëzit.

Vilson Shehu, aktivist i shoqërisë civile dhe një prej organizatorëve të protestës në Dimal, thotë për Faktoje.al se qytetarët kërkojnë që shërbimet të qëndrojnë aty ku janë. 

Bashkia, sipas tij, ka rreth 35 mijë banorë dhe një aktivitet ekonomik që e bën atë një prej zonave më të rëndësishme të qarkut Berat.

Dimali, sipas Shehut, nuk mbahet vetëm nga administrata. Ai vëren për Faktoje.al se 20 biznese merren me eksportin e frutave dhe perimeve, deri në tregje si Dubai. 

Shehu thotë se vlera e eksporteve arrin rreth 50 milionë euro.

Ai përmend gjithashtu sektorin e hidrokarbureve, ku sipas tij rreth 70% e bizneseve të qarkut Berat zotërohen nga sipërmarrës nga Dimali. 

Në zonë operojnë edhe fabrika të arkave, ujit dhe vajit, si dhe organizata që thithin fonde nga Bashkimi Europian.

Për Shehun, kjo ekonomi është një nga arsyet pse shkrirja e bashkisë nuk mund të shihet thjesht si një ndryshim në hartë. Frika është se largimi i shërbimeve dhe dobësimi i strukturave lokale do të prodhojë të njëjtin efekt që, sipas tij, solli reforma territoriale e vitit 2014: shpopullimin.

“Reforma territoriale e vitit 2014 ishte një nga shkaqet kryesore të shpopullimit, sepse largoi shërbimet nga njerëzit”, thotë Shehu.

Ai sjell si shembull edhe koston konkrete për banorët e zonave të thella. 

“Për një vërtetim të thjeshtë në Berat, një banor mund të përballet me të paktën një orë rrugë dhe shpenzime të konsiderueshme, sidomos për shkak të mungesës së transportit publik.

Në këtë logjikë, largimi i shërbimeve nuk është vetëm një problem administrativ. Është një kosto që mund t’i shtyjë njerëzit, veçanërisht të rinjtë, të kërkojnë një tjetër vend për të jetuar”, thotë  ai.

Shehu e lidh pikërisht këtë me rrezikun e shpopullimit: një zonë që ka biznese, eksporte dhe vende pune mund të humbasë gradualisht banorët nëse shërbimet dhe vendimmarrja largohen prej saj.

Në Klos, kjo dilemë ka marrë një formë edhe më konkrete. 

Banorët flasin për vendet e punës që mund të zhduken nëse bashkia shkrihet dhe për familjet që, në mungesë të tyre, mund të detyrohen të kërkojnë një të ardhme diku tjetër.

Në një qytet të vogël, ku administrata lokale është një prej burimeve kryesore të punësimit, ideja e reduktimit të strukturave administrative shihet pre tyre si një goditje që mund të ndihet përtej zyrave të bashkisë.

Ç.E. thotë se, sipas llogaritjeve (asgjë zyrtare) që qarkullojnë mes punonjësve, nga rreth 300 vende pune që lidhen sot me administratën lokale, mund të humbin rreth 100 deri në 150 prej tyre.

Përllogaritjet mes vedi mjaftojnë për të ndezur një tjetër debat tek banorët: nëse puna zhduket, sa prej atyre që jetojnë sot në Klos do të kenë arsye të qëndrojnë?

Në një zonë ku largimi i të rinjve ka qenë prej vitesh një realitet, humbja e vendeve të punës shihet si një shtysë tjetër për të ikur. Disa prej banorëve, në biseda, e lidhin drejtpërdrejt reformën  me frikën se familjet do të detyrohen të kërkojnë punë diku tjetër, edhe pse asgjë zyrtare nuk është sqaruar deri më tani se si do të funksionojë reforma e re territoriale.

Në parim, përtej numrit të vendeve të punës, pas çdo vendi që mund të humbasë është një familje që mund të largohet, një shtëpi që mund të mbetet bosh dhe një tjetër arsye që Klosi të humbasë banorë.

“Janë familje që mbahen me ato paga. Janë para që hyjnë në tregun tonë, në dyqane, në shërbime. Nëse ikin këto, largohet edhe një pjesë e ekonomisë së Klosit”, thotë Ç.E.

Ai e përllogarit ndikimin në rreth 1 milion euro në vit, duke argumentuar se humbja nuk do të prekë vetëm punonjësit, por gjithë zinxhirin ekonomik lokal.

Por shqetësimet e banorëve nuk ndalen vetëm te vendet e punës në administratë.

Për ta, shkrirja nënkupton edhe largimin e shërbimeve nga qytetari.

Ata kujtojnë se edhe më parë kanë përjetuar mbylljen e shërbimeve lokale, duke e përkthyer fjalën “shkrirje” jo si bashkim, por si humbje të një strukture që ishte më pranë tyre.

“Me rrugën e re ne mund të shkojmë më shpejt në Qendrën Spitalore Universitare (QSUT) në Tiranë për 20 deri në 25 minuta, prandaj nuk shoh asnjë arsye apo lidhje për të shkuar në Burrel, ku rruga zgjat 45 minuta. Unë nuk e kuptoj pse nuk na bashkojnë me Tiranën”, thotë Ç.E., i cili shton se me shkrirjen e bashkive, banorët do të detyrohen të shkojnë në Burrel për çdo gjë, përfshirë konsultat mjekësore, taksat dhe dokumentet e tokës, gjë që e konsideron një kthim prapa.

Një territor që kërkon të ruajë zërin e vet

Zenel Karaj, një prej banorëve që ka qenë ndër iniciatorët kryesorë për krijimin e Bashkisë Klos në vitet e para të demokracisë dhe anëtar i këshillit bashkiak nga viti ’92 deri në 2019, e sheh debatin nga një kënd tjetër.

Sipas tij, çështja kryesore duhet të rrahë diku tjetër: çfarë do të ndodhë me potencialin ekonomik të Klosit pas bashkimit.

Karaj thotë për Faktoje.al se Klosi ka një perspektivë zhvillimi që nuk e ka pasur më parë. Sipas tij, shkrirja po bëhet sepse Klosi ka më shumë resurse se Mati, ndërsa ndërmend këtu minierat, turizmin dhe afërsinë me Tiranën.

Ai argumenton se Burreli është zhvilluar historikisht si një qytet industrial, i lidhur me uzinën dhe ekonominë e dikurshme të industrisë së rëndë, ndërsa Klosi sot ka një tjetër mundësi përmes turizmit dhe burimeve natyrore.

Karaj e lidh kundërshtimin edhe me historinë e zonës. Ai thotë për Faktoje.al se Klosi nuk është një qendër e krijuar rishtazi, por një territor me një trashëgimi të vjetër administrative dhe historike.

Sipas tij, në arkivat e Tiranës ekzistojnë dokumente që tregojnë rëndësinë e hershme të kësaj zone. Ai përmend periudhën e Mbretit Zog, kur, ndonëse Burreli u zhvillua si qendër industriale, qendra e pushtetit në territor ishte e lidhur me Klosin.

Ai përmend gjithashtu Kalanë e Skënderbeut dhe Rrugën e Arbërit si pjesë të identitetit historik të zonës.

“Një zone nuk mund t’i hiqet historia dhe identiteti vetëm me një vendim administrativ”

“Një zone nuk mund t’i hiqet historia dhe identiteti vetëm me një vendim administrativ”, vëren me nerv ai.

Një mendje me të është edhe Ç.E.

“Mati është një nga trevat më të hershme të lidhura me Arbërinë mesjetare. Nëse bie Mati, ka rënë Shqipëria”, vëren me pezm ai.

Porta e re e turizmit malor

Për banorët e Klosit, një nga argumentet më të forta kundër bashkimit është ajo që ata e shohin si një moment të ri zhvillimi pas Rrugës së Arbërit.

Në zonë janë shtuar investimet private, veçanërisht në turizëm dhe struktura pritëse. 16 bujtina dhe lokale të reja kanë nisur të shfaqen në zona që më parë ishin jashtë vëmendjes së vizitorëve.

Shtigjet e kodrinave, kullat trekatëshe, urat me harqe me gurë zalli dhe lumi Mat janë ‘dritarja e re’ prej ku turistët duan që të shohin ato vise. Turizmi është bërë malli i ri për ta.

Flamur Bala, drejtori i turizmit në Bashkinë Klos, e konsideron Rrugën e Arbrit si një faktor që ka ndryshuar perspektivën e zonës, duke sjellë më shumë interes për turizmin lokal dhe duke hapur mundësi për investime të reja.

Sipas tij, Klosi ka potencial për t’u kthyer në një destinacion të turizmit malor, falë natyrës, historisë dhe pozicionit të tij pranë kryeqytetit.

“Numri i turistëve ka kaluar 120 mijë në vit”, thotë ai për Faktoje.al, ndërsa shpjegon se vetëm 20 mijë prej tyre vizituan Livadhet e Ketit, të cilat ofrojnë një nga lulet më unike që rriten në Shqipëri. Ka shumë emra për të.

Ndonëse prej shumicës njihet si lulja e Poetit, shumë syresh e njohin edhe si lulja Narcis apo lule Zoje. Ndërkohë, sipas të folmes klosiane ajo njihet si lule “batra”, prej ngjyrës së saj të bardhë.

“Kemi resurse, kemi turizëm, kemi pasuri natyrore. Ne kërkojmë që këto të zhvillohen këtu, jo të vendosen nga dikush që nuk e njeh zonën”

Pikërisht këtë potencial banorët thonë se duan ta menaxhojnë vetë.

“Kemi resurse, kemi turizëm, kemi pasuri natyrore. Ne kërkojmë që këto të zhvillohen këtu, jo të vendosen nga dikush që nuk e njeh zonën”, thotë Ç.E.

Përpos turizmit, ata kanë rizgjuar edhe tregtinë.

Pa shumë ojna, në disa stenda të improvizuara ndanë rrugës, vendasit ofrojnë frutat e bahçes, vezët e fshatit, gjalpin e bërë në shtëpi, fasulen, perimet e kopshtit.

Tani, ky qytet, i cili rrethohet nga 33 fshatra, ka rifituar statusin e dikurshëm si “porta e pasme e kryeqytetit”. Sakaq, edhe atë si “rrugë tregtie”.

Përshkallëzim deri në bllokimin e Rrugës së Arbrit

Banorët kanë zgjedhur protestën si mënyrën për të kundërshtuar shkrirjen me Bashkinë Mat.

Në ditët e fundit, ata janë mbledhur para institucioneve vendore, duke kërkuar që Klosi të ruajë statusin e bashkisë dhe të mos shkrihet në një njësi më të madhe administrative.

Në protestë, pakënaqësia nuk është drejtuar vetëm ndaj vendimit për ndarjen territoriale, por edhe ndaj mënyrës se si, sipas tyre, po merret ky vendim.

Ata thonë se për këtë çështje nuk janë pyetur mjaftueshëm dhe kërkojnë që zëri i komunitetit të merret në konsideratë.

Protesta nuk synon të mbetet vetëm në shesh.

Karaj paralajmëron për Faktoje.al se do të vijojnë kundërshtimin e tyre dhe, nëse kërkesat e tyre nuk dëgjohen, janë gati të përshkallëzojnë reagimin deri në bllokimin e Rrugës së Arbrit, duke lejuar në të vetëm kalimin e ambulancave dhe emergjencave.

Mandej thotë gjithashtu se, nëse Bashkia Klos do të bashkohet me Bashkinë Mat, ata mund të mos marrin pjesë në zgjedhjet e vitit 2027.

Debati për këtë temë nuk mbyllet me një protestë në mbrëmje.

Ai gjallon edhe të nesërmen në tavolinat e kafeneve, në dyqanet e vogla buzë rrugës dhe te njerëzit që rreken të tregojnë se çfarë mund të humbasë Klosi nga ky ndryshim.

Në ikje, rruga drejt Tiranës përshkohet për pak minuta, ndërsa mbrapa Klosi mbetet një vend që nuk të kërkon të rrish, por di ta bëjë të vështirë largimin.

The post Rrëfimet e banorëve, pse Klosi dhe Dimali janë kundër “shkrirjes” së bashkive appeared first on Faktoje.al.

  •  

Terminali i Sarandës ka përfunduar

Jona Cenameri

“Për herë të parë në qytetin e Sarandës do kemi një parkim publik këtë sezon dhe besoj bëhet gati në fund të qershorit, tek Terminali i ri që hapet, do jenë 90 poste parkimi”, tha kryebashkiaku i Sarandës Oltion Çaçi në mbledhjen e Këshillit Bashkiak më 5 maj të vitit të kaluar pak ditë para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. 

Faktoje.al udhëtoi drejt Sarandës më 11 shtator të një viti më parë dhe verifikoi në terren Terminalin e Autobusëve. 

Në objekt punohej ende, ndërsa duket larg përfundimit të veprës, ndonëse kishte kaluar çdo afat dhe premtim. Punimet nisën më 10 nëntor 2023, dhe si kohë e përfundimit ishte përcaktuar 14 muaj. Investitor ishte Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ndërsa vlera e objektit kap shumën 573.187.955.24 lekë. 

Faktoje u rikthye këtë vit në Sarandë, në fund të muajit korrik, për të parë nëse punimet kishin përfunduar.

Nga verifikimi në terren rezulton se terminali ka përfunduar, një fakt që e pohon edhe vetë Bashkia Sarandë pas dërgimit të kërkesës për informacion.    

Përfundimi 

Terminali është gjithashtu funksional, duke zhvendosur aty një pjesë të transportit që më parë operonte nga qendra. Për pasojë premtimin e kryebashkiakut te Sarandës, Oltion Çaçi, do ta konsiderojmë të mbajtur.  

Saranda përballet prej vitesh me trafik të rënduar gjatë sezonit turistik.  Para përfundimit të terminalit mungesa e tij shihej si një problem për trafikun. 

Megjithatë, mënyra e re e organizimit ka sjellë edhe ankesa të tjera. 

Në 10 gusht në raportimet mediatike u pasqyrua se drejtues të disa linjave të fshatrave ankohen se zhvendosja e ndalesave vështirëson udhëtimin sidomos për pensionistët, të cilët duhet të ndërrojnë mjet për të mbërritur në qytet. 

Në të njëjtën kohë, drejtues të linjave ndërqytetase e vlerësojnë terminalin pozitivisht, duke argumentuar se sjell më shumë rregull në transport.

Faktoje e verifikoi konkretisht situatën në terren. Autobusët që dalin nga terminali duhet të vazhdojnë deri te rrethrrotullimi për të ndryshuar drejtimin dhe më pas të rikthehen. 

Gjatë verifikimit pati edhe trafik në segmentin pranë terminalit, por ai nuk ishte i pranishëm gjatë gjithë kohës së qëndrimit tonë në terren.

The post Terminali i Sarandës ka përfunduar appeared first on Faktoje.al.

  •  

Reportazhi/ Fatura ditore në Jug për një familje, nga 20 mijë deri në 35 mijë lekë

Nga Jona Cenameri 

Pushimet e verës janë ditët që i presim gjithë vitin për t’u shkëputur nga gjithçka: pak qetësi dhe pa alarme zgjimi. 

Por, në realitet, përpara se të shijosh qetësinë, duhet të bësh llogaritë.

Genti, një djalë në të njëzetat nga Tirana, fillon të kërkojë një muaj përpara pushimeve për disa ditë pushimi në Jug. 

Hap Booking.com, vendos qytetin, ditët, numrin e personave dhe, më e rëndësishmja, tavanin e çmimit që mund të përballojë.

Nëse rezultatet nuk e bindin, kalon në Airbnb. Ndërkohë kërkon në Instagram e TikTok dhe, pas pak ditësh, nuk është më e nevojshme as të kërkojë shumë.

“Fillon algoritmi të të ndihmojë”, thotë ai. Hotelet, bujtinat, plazhet dhe videot nga jugu i dalin vetë përpara.

Por mes fotografive me ujë të kristaltë dhe mëngjeseve të servirura pranë pishinës vjen pjesa më pak romantike, çmimi.

Për Gentin, problemi i viteve të fundit nuk është vetëm se akomodimi është shtrenjtuar. Është se tregu, sipas tij, po ndahet gjithnjë e më fort në dy skaje.

Në njërën anë janë hostelet, camping-et dhe strukturat ku turistët me buxhet të vogël paguajnë kryesisht për një shtrat. 

Në anën tjetër po shtohen hotelet luxury dhe ultra-luxury.

Në këtë mes mbetet pushuesi që kërkon një dhomë normale, të pastër, me kushte të mira, por pa luks.

“Ajo që vërehet në jug është që ka gjithmonë e më shumë opsione lluksi për shtresën e lartë dhe opsione shumë ekonomike për ata që duan vetëm një vend për të fjetur. Të mesme ka gjithnjë e më pak”, thotë Genti.

Ai sjëll ndërmend një dhomë që sezonin e kaluar mund ta gjente për rreth 90 euro nata dhe që këtë verë i është ofruar për 120 euro. Nuk është matje e gjithë tregut, por eksperienca që fiton sa herë futet në Booking pa qenë i sigurt se çfarë çmimi do të gjejë.

Ndalemi në Vlorë. Jo sepse është domosdoshmërisht destinacioni më i shtrenjtë i jugut. Përkundrazi, më tej përgjatë rivierës, në zona si Dhërmiu, Palasa apo Ksamili, oferta përfshin edhe struktura me tarifa dukshëm më të larta. 

Vlora është një pikë e mirë për të parë se sa i kushton një pushim veror një familjeje të vogël apo një çifti që nuk po kërkon luks.

Çmimi i dhomës është vetëm fillimi.

Hoteli i lirë që nuk duhet të jetë shumë larg detit

Majlinda është mbi 50 vjeç dhe pushimet i mendon ndryshe nga Genti.

Edhe ajo e pëlqen jugun. Por kërkimi i saj nis duke hequr nga lista ato që e di paraprakisht se nuk mund ose nuk dëshiron t’i paguajë.

Palasa dhe komplekset e nivelit të lartë dalin të parat. Pastaj një pjesë e hoteleve buzë detit.

Fillon kështu kërkimi i kompromisit.

50 metra nga plazhi. 100 metra. 200 metra. 450 metra. 600 metra.

Në disa raste, një kilometër a më shumë.

Në hartën e Booking-ut këto janë vetëm numra. Në gusht, nën diell dhe me makinat e parkuara mbi trotuar, distanca matet ndryshe.

Majlinda kërkon dy gjëra që për të janë pothuajse po aq të rëndësishme sa dhoma: mëngjesi dhe parkingu.

Nga të dyja, thotë se është e gatshme të sakrifikojë mëngjesin.

“Po hajde, mëngjesin e eliminojmë. Pi një kafe të ftohtë, merr një ujë. Por makina është problem i madh”

Në një prej faturave të mbledhura gjatë qëndrimit në Vlorë, tre kafe të ftohta (freddocappuccino) kushtojnë 900 lekë. Në raste më ekonomike, tre kafe mund të kushtojnë rreth 600 lekë.

Pak më tutje, një tabelë njofton: “Parkim me pagesë, 1,000 lekë dita”

Një mijë lekë për të mos kërkuar çdo mëngjes një cep rruge ku të lësh makinën.

Sepse gjatë sezonit, makina është një nga shqetësimet që e ndjek pushuesin edhe kur ka ardhur për të mos pasur shqetësime.

Në disa pjesë të vijës bregdetare, automjetet zënë trotuaret. Në segmente të tjera, trotuari mungon ose ndërpritet. Për të kaluar nga hoteli në plazh, këmbësori përfundon herë pas here në të njëjtën hapësirë me makinat.

“Me temperaturën 40 gradë dhe makinat mbi trotuar, është pak të thuash çmenduri”, e përshkruan Majlinda.

Pastaj duhet paguar edhe vendi ku do të rrish pranë detit

Mëngjesi mbaron. Makina është sistemuar. Tani mund të fillojë plazhi.

Por edhe aty duhet të zgjedhësh.

Përgjatë bregdetit të Vlorës dhe drejt Orikumit, Bashkia Vlorë e ofron çadrën për 700 lekë.

Në plazhet më ekonomike, çadra me dy shezllone kushton 1,000 lekë.

Shumica e plazheve kanë tarifa nga 1,500 në 2,000 dhe 3,000 lekë.

Në vëzhgimin në terren, tarifa prej 2,000 lekësh për një çadër me dy shezllone ishte ndër më të hasurat.

Brenda së njëjtës zonë turistike, çmimi i disa orëve nën çadër ndryshon ndjeshëm.

Majlinda ka edhe një problem tjetër.

Nëse janë tre veta, çadra përsëri vjen me dy shezllone.

“Thua po paguaj edhe një shezlong tjetër. Jo gjithmonë mundesh. Duhet të marrësh edhe një çadër tjetër”

Një pushim familjar ndërtohet kështu nga shumë pagesa që veçmas mund të duken të vogla. Bashkë, fillojnë të ndryshojnë faturën e ditës.

Genti e sheh këtë si pjesë të një pasigurie më të madhe.

Për të, nuk është më vetëm pyetja “sa kushton?”, por “çfarë marr për këtë çmim?”

Ka parë dhoma me tarifa të ngjashme dhe kushte shumë të ndryshme. E njëjta gjë, thotë, përsëritet me shërbimet gjatë pushimeve.

“Çmimi dhe cilësia nuk ecin gjithmonë bashkë”

Dreka që nis me menunë dhe vazhdon me “nuk ka”

Rreth mesditës, disa orë plazh të çojnë te shpenzimi tjetër i ditës, ushqimi.

Çmimet

Në letër, zgjedhjet janë të shumta. Në restorante të ndryshme në Vlorë dhe Radhimë, sallatat kushtojnë përgjithësisht 400-600 lekë, pastat rreth 700-1,000 lekë e më shumë, ndërsa picat fillojnë nga 500 lekë dhe shkojnë mbi 1,000 lekë. Pjatat me mish nisin rreth 1,100 lekë e më shumë. Për peshkun dhe frutat e detit, çmimet nisin nga 1,500-1,600 lekë.

Por në kulmin e sezonit, ajo që shkruhet në menu nuk është domosdoshmërisht edhe ajo që mund të porosisësh.

Kjo është një nga gjërat që Majlinda thotë se i ndodh shpesh gjatë pushimeve.

Ulesh, hap menunë dhe zgjedh.

“Kjo nuk është”

Provon një pjatë tjetër.

“As kjo nuk ka”

Në ditët me fluks të madh, restorantet nuk arrijnë gjithmonë të përballojnë numrin e klientëve me të njëjtin ritëm. Disa produkte mungojnë, porositë vonohen dhe stafi punon nën presionin e një sezoni të përqendruar në pak muaj.

Majlinda thotë se në disa raste ka parë edhe menaxherë që u bërtasin kamarierëve në sy të klientëve. Nuk e di nëse kjo lidhet me lodhjen, temperaturat e larta apo mënyrën se si menaxhohet stafi, por për të bëhet pjesë e eksperiencës për të cilën po paguan.

Kur zgjedh ku të hajë, ajo përpiqet të largohet nga restorantet ku pozicioni buzë detit rëndon fort në faturë.

“Restorantet më të leverdishme janë ato me ushqim tradicional, me mish të pjekur ose me peshkun e kapur gjatë ditës”, thotë Majlinda.

Sipas saj, këto restorante përgjithësisht ofrojnë edhe porcione më të bollshme.

Majlinda kujton një pjatë miks me fruta deti që kushtonte rreth 1,600 lekë, por ku sasia i ishte dukur shumë e vogël për çmimin.

“Të vijnë me numër frutat e detit”, e përshkruan me ironi.

Katër pjata kryesore mund të shkojnë rreth 4-6 mijë lekë. Nëse shtohen sallatat apo antipastat, uji, pijet dhe ndonjë pjatë për t’u ndarë, një drekë për katër persona mund t’i afrohet 8-10 mijë lekëve.

Dhe dita nuk përfundon me drekën.

Në mbrëmje, e njëjta familje duhet të hajë përsëri. Një darkë për katër persona, pa zgjedhur domosdoshmërisht restorantet më të shtrenjta të vijës bregdetare, mund të kërkojë sërish disa mijëra lekë dhe, me katër pjata, sallata e pije, t’i afrohet sërish 8-10 mijë lekëve.

Ndërmjet dy vakteve janë edhe ndalesat e vogla që zakonisht nuk mendohen kur prenotohet hoteli. Një kafe. Një akullore. Një pije për të luftuar dehidratimin, apo edhe një birrë, një koktej ose një tjetër pije alkoolike, tek e fundit, jemi me pushime.

Shpenzimet

Sa kushton një ditë e zakonshme pushimi?

Kostoja e një dite ndryshon ndjeshëm edhe pa ndryshuar destinacion. Një familje mund të zgjedhë një mëngjes të plotë në lokal ose të marrë byrek; të pijë freddocappuccino e pije gjatë ditës ose të kufizohet te kafja e thjeshtë dhe uji; të zgjedhë një plazh me çadër 700-1,000 lekë ose një tjetër ku i njëjti shërbim kushton 2 mijë lekë e më shumë.

Për këtë arsye, më shumë sesa një shumë e vetme, llogaria mund të shihet përmes dy skenarëve: një ekonomik dhe një mesatar.

Për akomodimin, një familje që kërkon një alternativë më ekonomike, jo domosdoshmërisht buzë detit apo me të gjitha shërbimet e hotelit, mund ta nisë llogarinë nga rreth 7 mijë lekë nata.

Për një akomodim të kategorisë së mesme në pikun e sezonit, marrim si referencë rreth 13 mijë lekë nata.

Edhe mëngjesi mund të ndryshojë shumë. Në skenarin ekonomik, një familje që zgjedh byrek dhe kafe të thjeshtë mund ta mbajë shpenzimin rreth 800-1,200 lekë. Një mëngjes më i plotë në lokal mund të shkojë deri në rreth 3 mijë lekë.

Për dy ndalesa gjatë ditës, nëse konsumohen vetëm kafe të thjeshta dhe ujë, mund të llogariten rreth 600-800 lekë. Me kafe të ftohta, pije apo alkool, shpenzimi mund të kalojë 2 mijë lekë.

Në plazh, dy çadra me nga dy shezllone mund të kushtojnë rreth 1,400-2,000 lekë në alternativat më ekonomike. Nëse merret si referencë tarifa prej 2 mijë lekësh për secilin set, shpenzimi arrin në 4 mijë lekë.

Parkimi shton edhe rreth 500-1,000 lekë në ditë.

Foto e cmimit te parkingut

Diferenca më e madhe krijohet te ushqimi. Një familje që zgjedh restorante me gatime tradicionale dhe porosi të thjeshta mund ta mbajë një drekë rreth 4-5 mijë lekë. Një tavolinë me më shumë pjata, sallata, pije apo produkte peshku mund të shkojë në 8-9 mijë lekë. E njëjta logjikë vlen edhe për darkën.

Pastaj janë shpenzimet që bëhen thuajse pa u vënë re: ujë, fruta, akullore, cigare apo produkte të vogla nga minimarketi. Në një ditë të kursyer mund të jenë rreth 1 mijë lekë, ndërsa me më shumë blerje mund të arrijnë në 2,500 lekë.

Kështu, për një familje me katër persona, llogaria lëviz afërsisht në këto intervale:

  • Akomodimi: 7,000-13,000 lekë
  • Mëngjesi: 800-3,000 lekë
  • Dy ndalesa për kafe/pije: 600-2,000 lekë
  • Plazhi: 1,400-4,000 lekë
  • Parkimi: 500-1,000 lekë
  • Dreka: 4,000-9,000 lekë
  • Darka: 4,000-9,000 lekë
  • Ujë, akullore, fruta dhe blerje të vogla: 1,000-2,500 lekë

Në një skenar kursimi, ku familja zgjedh akomodim rreth 7 mijë lekë nata, ha byrek në mëngjes, pi kafe të thjeshtë, zgjedh çadrat më të lira dhe ha drekë e darkë tradicionale pa alkool apo porosi të shtrenjta, një ditë mund të kushtojë rreth 19-20 mijë lekë.

Në një skenar shpenzimi mesatar, duke marrë vlera të ndërmjetme brenda intervaleve të mësipërme, me akomodim rreth 13 mijë lekë, mëngjes më të plotë, kafe gjatë ditës, çadra me tarifë mesatare dhe vakte që nuk kufizohen vetëm te alternativat më ekonomike, fatura shkon në rreth 34-35 mijë lekë në ditë.

Foto e bere me AI

Për shtatë ditë, kjo do të thotë rreth 135 mijë lekë në skenarin me kursimtar dhe rreth 241 mijë lekë në skenarin mesatar.

Këto shifra nuk përfaqësojnë një mesatare zyrtare të pushimeve në Vlorë, por një përllogaritje orientuese të ndërtuar mbi çmimet e vëzhguara në terren dhe dy mënyra të ndryshme konsumi. Në to nuk përfshihen karburanti, aktivitetet, daljet e mbrëmjes apo shpenzime të paparashikuara.

Ajo që tregon llogaria është diçka tjetër: çmimi i pushimeve nuk mbaron te shifra që shfaqet në Booking.

Ai ndërtohet gjatë gjithë ditës.

Nga hoteli te parkingu. Nga çadra te dreka. Nga kafeja e pasdites te shishja e ujit që blihet rrugës.

Nëse hoteli është larg, mund të paguash më shumë për një tjetër më pranë detit. Nëse nuk gjen parking, mund të paguash një privat. Nëse një plazh nuk të përshtatet, mund të provosh një tjetër. Nëse një restorant është shumë i shtrenjtë, mund të kërkosh një alternativë.

Por ka edhe nevoja që nuk zgjedh kur do të të lindin.

“Mos të zëntë halli dhe të sëmuresh”, thotë Majlinda.

Në kulmin e sezonit, përgjatë vijës turistike nga Vlora drejt Radhimës dhe Orikumit, numri i njerëzve shumëfishohet. Baret, restorantet dhe strukturat turistike shtrihen pothuajse gjatë gjithë aksit. Shërbimet bazë nuk kanë të njëjtën dendësi.

Sipas listës së Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë sezonit veror funksionojnë qendra shëndetësore në Zvërnec, Plazhin e Vjetër, Radhimë dhe Orikum.

Por farmacia është një histori tjetër.

Baret, restorantet dhe plazhet vazhdojnë njëri pas tjetrit përgjatë bregut. Farmacitë jo. Në Google Maps, pikat e tyre grumbullohen në Vlorë, deri në zonën e Lungomares dhe Ujit të Ftohtë. Në vijën bregdetare nga aty drejt Radhimës e deri në Orikum nuk shfaqet asnjë farmaci. Nëse një pushuesi i duhet një ilaç i zakonshëm, kthimi drejt qytetit mund të bëhet pjesë e një dite që supozohej të kalonte pranë detit.

Dhe makina e kthen pushuesin te një nga problemet e para të ditës: trafiku.

Majlinda thotë se edhe alternativa për të lënë makinën nuk është gjithmonë e thjeshtë. Në kulmin e sezonit, sipas saj, një taksi nuk gjendet gjithmonë menjëherë dhe, kur gjendet, çmimi i udhëtimit është një histori më vete. Për një pushues në Radhimë apo Orikum që duhet të kthehet drejt Vlorës, edhe një nevojë e thjeshtë mund të kthehet në kohë të humbur dhe një tjetër shpenzim.

Ky është paradoksi i sezonit. I njëjti fluks që mban gjallë ekonominë e bregdetit vë në provë edhe kapacitetin e shërbimeve të tij.

Restorantet mbushen, por një pjesë e produkteve mungojnë.

Parkimet mbushen dhe makinat kalojnë në trotuare.

Plazhet mbushen dhe për një shezllon të tretë mund të duhet një çadër e dytë.

Rrugët mbushen dhe një lëvizje e shkurtër mund të kërkojë shumë më tepër kohë dhe para.

Genti dhe Majlinda e përjetojnë këtë nga dy pozicione të ndryshme.

Ai kërkon fleksibilitet. Kalon nga Booking në Airbnb, ndryshon standardin, kërkon ofertën më të mirë dhe është i gatshëm të bëjë kompromis me vendin ku fle.

Ajo kërkon më shumë siguri: një hotel të rregullt, parking, një mëngjes të thjeshtë, një plazh ku të kalojë ditën dhe një restorant ku ajo që shkruhet në menu të jetë edhe ajo që mund të porosisësh.

Megjithatë, të dy mbërrijnë te i njëjti shqetësim: përpara se të nisesh drejt jugut, duhet të parashikosh gjithnjë e më shumë gjëra.

Jo vetëm sa do të paguash.

Por edhe çfarë do të marrësh në këmbim.

The post Reportazhi/ Fatura ditore në Jug për një familje, nga 20 mijë deri në 35 mijë lekë appeared first on Faktoje.al.

  •  

Realiteti i hidhur i ujërave të Vlorës 

Nga Jona Cenameri

Pasditen e 29 korrikut, pikat e shkarkimit të ujërave të zeza pranë Plazhit të Ri në Vlorë nuk dalloheshin me syrin e lirë nga shëtitorja e Lungomares, duke fshehur kështu një problematikë të përsëritur prej vitesh.

Për t’i gjetur duhej të zbrisje në plazh dhe të ecje buzë detit.

Në këtë pjesë të Vlorës është përqendruar shumica e plazhit publik. 

Një çadër me dy shezllone aty kushton 700 lekë, dukshëm më lirë se në zonat përtej Ujit të Ftohtë. 

Atë ditë, bregu ishte i mbushur me familje, të moshuar, vendas dhe turistë të huaj. 

Pas një ecjeje të gjatë nën diell vendosa të pyes një kamarier të një prej beach-bareve të zonës.

“Këtu i ke tubacionet, tek plazhi i ish-Shkollës së Marinës. Ata i bëjnë derdhjet herët në mëngjes, para se të nisë plazhi. Tmerr janë”, tha kamarieri, duke treguar me gisht drejtimin.

Çmimet 

Ndërsa po bisedonim, dy turistë të huaj u afruan për të pyetur mbi çmimin e çadrave. “1500 lekë,” u përgjigj ai shkurt. 

Plazhi privat ku ndodheshin ishte vetëm pak metra larg tubacioneve.

Tubat ishin më pranë seç prisja. Ato dilnin nga rëra dhe shtriheshin drejt detit, ndërsa pushuesit laheshin krejt të qetë kah tyre. 

Prania e tubacioneve paralajmërohej nga aroma e pakëndshme që ndihej në zonë. 

Ishin dy tuba cilindrikë, ngjitur me njëri-tjetrin, pjesërisht të mbuluar nga rëra dhe që vazhdonin drejt detit. 

Foto nga plazhi i vjeter ne Vlore

Nuk binin menjëherë në sy, por për këdo që ndodhej në plazh afër tyre ishin plotësisht të dallueshëm.

Megjithatë, telefoni me të cilin bëja foto dhe video dukej se tërhiqte më shumë vëmendje sesa vetë tubat.

Dita e plazhit vijonte normalisht.

Kushdo notonte pranë vijës ku tubat hynin në det.

Në Plazhin e ri takova edhe një shtetas finlandez, i cili tha se jetonte në Vlorë prej afro një viti.

Shqetësimi që ai ngriti nuk lidhej vetëm me ujërat.

Sipas tij, çdo javë mblidhte nga deti rreth 200 ambalazhe plastike. 

Në lidhje me qasjen e Shqipërisë ndaj mjedisit, ai u shpreh skeptik, duke argumentuar se anëtarësimi në BE do të ishte i parakohshëm për sa kohë këto problematika mbeten të pazgjidhura.

Plazhi i vjetër

Nga Plazhi i ri u nisa drejt Plazhit të vjetër.

Këtu panorama ndryshonte. Pas portit, sa të hante syri kishte rërë, plazh dhe çadra. Nga ana e portit disa pushues qëndronin në rërë pa çadër, ndërsa më tej nisnin pa ndërprerje plazhet e organizuara deri pranë Pyllit të Sodës.

Rëra kishte një ngjyrë më të errët dhe gjithë zona të sillte ndër mend panoramën e plazheve të Durrësit. Ecja premtonte të ishte e gjatë: nga zona e portit, përmes Plazhit të Kabinave dhe Kampit të Pionierëve, deri tek kanali i madh pranë hyrjes së Pyllit të Sodës.

Një tub dilte nga poshtë një pllake betoni dhe vazhdonte drejt detit, duke krijuar një vijë uji në drejtim të bregut. Pranë tij, turistët laheshin të pashqetësuar.

Pavarësisht kësaj, atmosfera rreth orës 18:00 mbeti e pandryshuar; plazhi zhurmonte nga familjet dhe turistët që shijonin rrezet e fundit të diellit, në një kontrast të heshtur me problematikën që shtrihej nën hundën e tyre.

Plazhi i ri dhe i vjetër, për shumë vendas ishin jo vetëm më të lirë, por edhe më afër. 

Ishte edhe mundësia të mos paguaje asnjë lek: të vije me çadrën tënde ose thjesht të shtriheshe në rërë, siç bënin edhe disa turistë të huaj. 

Kanali

Rrugës, ndërsa vazhdoja të ecja përgjatë bregut drejt Pyllit të Sodës për të evidentuar pika të tjera shkarkimi, ndala dhe pyeta një të moshuar.

“Kanali i madh është te hyrja e Pyllit të Sodës. Të shoqëroj unë. Atje derdhen të gjitha”, më tha.

Këtë herë nuk vazhduam më buzë detit, por nga ana e pyllit.

Nuk ishte nevoja të arrije deri te kanali për ta kuptuar se po i afroheshim.

Era e rëndë ndihej shumë metra përpara. Sa më pranë shkoje, aq më e fortë bëhej.

Në fund të rrugës u shfaq një kanal i gjerë dhe i hapur që përfundonte drejtpërdrejt në det. Nuk ishte më një tub pjesërisht i fshehur në rërë, por një rrjedhë e dukshme që mbërrinte deri në vijën bregdetare.

Aroma ishte shumë më e rëndë se pranë tubacioneve që kisha parë më herët dhe mbulonte një zonë të gjerë përreth.

Një problem i vjetër

Sipas të dhënave të monitorimit për vitin 2023, të përfshira në auditimin e KLSH-së, Shkolla e Marinës, Plazhi i Kabinave dhe Kampi i Pionierëve në Vlorë rezultonin me cilësi “të keqe” të ujërave të larjes. 

Mes tyre, Shkolla e Marinës u rendit edhe mes dhjetë plazheve më të ndotura në Shqipëri.

Problemi në Shkollën e Marinës ishte më i hershëm se një sezon i vetëm. KLSH konstatoi se kjo pikë kishte rezultuar me cilësi “të keqe” për pesë vite të njëpasnjëshme. Sipas kuadrit rregullator të cituar në auditim, në një rast të tillë duhej të bëhej njoftimi i publikut dhe të vendosej ndalimi i përhershëm i larjes; KLSH konstatoi se këto masa nuk ishin marrë.

Kur audituesit verifikuan terrenin në korrik 2024, në Plazhin e Kabinave, Kampin e Pionierëve dhe Shkollën e Marinës mungonte gjithashtu sinjalistika që duhej të paralajmëronte pushuesit për cilësinë “e keqe” të ujërave të konstatuar nga monitorimi i vitit 2023. Sinjalistika ende mungon.

26 pika me cilësi “të keqe”

Të dhënat më të fundit të Agjencisë Evropiane të Mjedisit, të publikuara në qershor 2026 që i referohen sezonit 2025, tregojnë një përkeqësim të klasifikimit të ujërave bregdetare shqiptare. Nga 6 pika me cilësi të keqe në 2022 janë bërë 26 pika në 2025.

Me vetëm 15.9% të ujërave bregdetare të klasifikuara “të shkëlqyera”, Shqipëria kishte përqindjen më të ulët në krahasimin e EEA-së për vitin 2025. Mesatarja e BE-së ishte 88%; Estonia dhe Finlanda, dy vendet e tjera me përqindjet më të ulëta, regjistronin përkatësisht 40% dhe 55.1%. 

Në nivel kombëtar, duke përfshirë edhe ujërat e brendshme, 28 nga 119 pikat e raportuara, ose 23.5%, u klasifikuan me cilësi “të keqe”.

Klasifikimi bazohet në përqendrimin e Escherichia coli dhe enterokokeve intestinale, dy parametrat mikrobiologjikë të përcaktuar nga Direktiva Evropiane për Ujërat e Larjes.

KLSH shpjegon se këto baktere mund të shkaktojnë sëmundje dhe se zakonisht lidhen me ujëra të zeza të patrajtuara që përfundojnë në ujërat e larjes.

Edhe pse të 119 pikat ishin monitoruar, për sezonin 2025 asnjëra nuk kishte përmbushur të gjitha kërkesat e kalendarit të monitorimit të parashikuara nga Direktiva e EEA-së.

Ujërat e ndotura

Sipas Raportit Vjetor 2025 të Entit Rregullator të Ujit, SHRUK Vlorë ishte e licencuar për largimin e ujërave të ndotura, por jo për trajtimin e tyre. ERRU sqaron se impiantet e Vlorës dhe Orikumit nuk kishin plotësuar kërkesat për këtë kategori licence për shkak të mungesës së lejeve mjedisore. Edhe KLSH ka konstatuar se impianti i Vlorës operonte pa leje mjedisore.

Sipas auditimit të KLSH impianti kryente vetëm trajtim mekanik, ose primar, dhe jo trajtim sekondar në përputhje me kërkesat ligjore. Ujërat që dilnin prej tij ishin të trajtuara vetëm rreth 35%. Më pas ato bashkoheshin me ujëra të patrajtuara që vinin nga hidrovori dhe përfundonin në det.

Në fillim të vitit 2023, ministrja e atëhershme e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, deklaronte se synimi ishte “zerimi i ujërave larës problematikë” dhe kalimi drejt standardit të “flamurit blu”, premtimFaktoje e klasifikoi të pambajtur në tetor 2025.

Vera vazhdon

Në Plazhin e ri dhe Plazhin e vjetër, ndotja e ujrave nuk duket me sy të lirë. Pasditen e 29 korrikut, plazhi vijonte ritmin e tij të zakonshëm…Bashkë me  problematikën. 

The post Realiteti i hidhur i ujërave të Vlorës  appeared first on Faktoje.al.

  •  

Përplasjet për lumin Ibër

Nga Fetah Salliu 

Që me vizitën e Volodymyr Zelenskyt në Serbi, i cili deklaroi se Kievi zyrtar do të vazhdojë të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, të shumta kanë qenë reagimet pro dhe kundër. 

Kjo vizitë u përdor jo pa qëllim edhe nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç si pjesë e strategjisë së tij për të mbajtur në qendër të vëmendjes politike agjendën e Serbisë ndaj Kosovës. 

Serbia ndërkohë pritet të mbajë zgjedhjet e parakohshme parlamentare në tetor ose nëntor të këtij viti. 

Një ditë pas vizitës se Zelenskit, Presidenti Vuçiç lëshoi një deklaratë po aq polemizuese në raport më Kosovën. 

Të dielën e kaluar, gjatë një fjalimi në Beograd, Vuçiç deklaroi se Serbia ka angazhuar inxhinierë dhe ekspertë për të shqyrtuar mundësinë e devijimit të lumit Ibër. 

Ky paralajmërim ka nxitur reagime të ashpra jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, duke kaluar nga një çështje për menaxhim ujrash në narrativa nacionaliste

Por pse mbart një rëndësi kaq kritike kjo deklaratë për Kosovën dhe rajonin?

Sipas një artikulli të publikuar nga kossev.info, lumi Ibër buron në Mal të Zi, përshkon Serbinë dhe vijon rrjedhën në Kosovë, ku furnizon rezervuarin e Gazivodës/Ujmanit. 

Vlen të theksohet se rreth dy të tretat e këtij rezervuari ndodhen në territorin e Kosovës. 

Uji nga sistemi i Ujmanit dhe Ibër-Lepencit është jetik për shtatë komuna, duke shërbyer për ujitje dhe për ftohjen e termocentraleve në Obiliq, të cilat prodhojnë pjesën dërrmuese të energjisë elektrike në vend.

Për pasojë, Presidentja në detyrë e Kosovës, Albulena Haxhiu,  shprehu shqetësimin se devijimi i lumit Ibër ndikon në furnizimin me ujë, energjinë dhe nevojat e bujqësisë. 

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, reagoi gjithashtu me shqetësim lidhur me mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër. 

Për ministrin e jashtëm ndryshimi i rrjedhës së lumit nuk është një çështje e brendshme ose një vendim që mund të merret në mënyrë të njëanshme

Ministri Hoxha citoi Konventën e UNECE-së për Mbrojtjen, Përdorimin e Ujërave Ndërkufitare dhe Liqeneve Ndërkombëtare. 

Ai deklaroi se, parimi i përdorimit të drejtë të ujërave ndërkufitare, detyrimi për parandalim e reduktim dëmesh, si dhe bashkëpunimi e konsultimi për pasojat ndërkufitare, janë standarde të konsoliduara të së drejtës ndërkombëtare.  

Gjithashtu, Ferit Hoxha theksoi se duhet të trajtohet me transparencë dhe mbi bazën e të dhënave shkencore çdo projekt apo masë që mund të ndikojë në rrjedhën, sasinë apo cilësinë e ujërave që prekin Kosovën. 

Sipas tij, uji nuk mund të përdoret si instrument presioni politik dhe as si mjet për të ndëshkuar një vend apo një popullsi tjetër.

Nga ana tjetër, sipas Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, lumi Ibër është çështje e brendshme e Serbisë. “Nuk e di çfarë lidhje ka me Shqipërinë”, është shprehur ai.

Qëndrimit të Presidentit serb iu bashkua në një zë edhe ministri i Jashtëm i Serbisë Marko Gjuriç duke thënë se Serbia menaxhon burimet ujore në përputhje me detyrimet ndërkombëtare.

Ministri serb shkoi larg duke përdorur narrativën e vjetër nacionaliste kur tha se, nuk ka vend për një “Shqipëri të Madhe” apo “projekte të bazuara në zgjerim etnik dhe ndryshim kufijsh në të ardhmen evropiane të rajonit”. 

Duke futur në lojë Shqipërinë dhe një tezë të vjetër të Serbisë sa herë ajo ka zhvillime të brëndshme për shpërqendrim politik, pakenaqësi historike apo dhe ndasi në rajon, Kryeministri Edi Rama ka sqaruar se Shqipëria nuk ka asnjë pretendim mbi territorin serb dhe se reagimi i vendit tonë lidhet me respektimin e standardeve ndërkombëtare për menaxhimin e ujërave.

“Nuk ka nevojë për një ‘Shqipëri të Madhe’ për të qëndruar me Kosovën”, është shprehur Rama, duke e zhvendosur debatin nga Kosova tek Tirana  

Sipas tij, Serbia e ka humbur Kosovën. “Territori i Republikës së Kosovës nuk është territor serb dhe burimet natyrore që ndodhen brenda tij nuk janë burime të Republikës së Serbisë”.

Ndërkaq, Rama u shpreh se: “Ibri është sistem ujor ndërkufitar dhe Serbia mund të menaxhojë burimet brenda territorit të saj, por nuk mund të argumentojë se pasojat për një vend tjetër ndalen në kufirin serb”. 

Nga ana tjetër, Marko Gjuriç pretendoi se çështja po diskutohet pasi “qeveria e Albin Kurtit po rrënon shtëpitë serbe përgjatë brigjeve të liqenit të Ujmanit dhe Ibrit pa proces të rregullt, duke privuar njerëzit nga prona dhe mjetet e jetesës përmes veprimeve etnike diskriminuese”.

“Qëndrimi i Serbisë për Kosovën/Metohinë nuk është folklor. Ajo është e bazuar në Kushtetutën tonë, të drejtën ndërkombëtare dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Lumi Ibër është një rrjedhë ujore ndërkufitare, por Shqipëria nuk është një shtet breglumor i tij”, tha Marko Gjuriç, duke e kaluar debatin nga ujërat tek sovraniteti  

Përplasjet 

Pala shqipëtare thekson se qëndrimi serb duhet të jetë në proporcion me UNECE, të drejtën ndërkombëtare dhe fqinjësinë e mirë. 

Ndërsa pala serbe përqendrohet tek nocioni i “Shqipërisë së Madhe”, pronave serbe dhe Rezoluta 1244. 

Gjuriç thekson se e shikon Shqipërinë ndarazi nga kjo çështje. 

Sipas tij, kjo tematikë nuk e lidh Shqipërinë me tematikën e brendshme të Serbisë. 

Pse përmendet Rezoluta 1244?

Në qëndrimet e të dy palëve përmendet edhe Rezoluta 1244.  ministri i jashtëm serb e ka referuar Rezolutën si një dokument të rëndësishëm, të cilës duhet t’i përmbahen në raport me Kosovën. 

Ministri për Integrimin Europian të Serbisë Nemanja Staroviç ka theksuar më tej se nuk mund të shmanget një element i rëndësishëm si Karta e OKB-së dhe Rezoluta 1244 e Kosovës së OKB-së. 

Si kundër përgjigje, ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja Majlinda Dhuka sjell një rikujtesë për Rezolutën 1244.

Sipas saj, Rezoluta 1244 nuk rivendosi sovranitetin serb mbi Kosovën: “Ajo vendosi administrimin ndërkombëtar, largoi forcat e sigurisë Serbe, krijoi një proces të vecantë politik për statusin e ardhshëm të Kosovës dhe nuk e përcaktoi rezultatin e atij procesi. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është përgjigjur se pavarësia së Kosovës nuk e shkel të drejtën ndërkombëtare”.

The post Përplasjet për lumin Ibër appeared first on Faktoje.al.

  •  

Statistikat, si po “humbasin” në gjykata dosjet e zjarrvënieve

Nga Anila Hoxha

Skënder P. i duhen edhe tre muaj që të përfundojë dënimin e dhënë nga gjyqtari Taulant Banushaj, i cili e gjeti fajtor për zjarrvënie nga pakujdesia. 

Tre vjet më parë, Skënder P. rrezikoi disa banesa në fshatin Kus. 

Ai u dënua me 32 muaj dënim me kusht, me detyrimin që të mbajë kontakte me zyrën vendore të Shërbimit të Provës në Tiranë. 

Mes detyrave që 58-vjeçari ka, është jo vetëm të mos kryejë vepër penale, por duke u paraqitur e duke u intervistuar, duhet të japë prova se ka reflektuar në raport me kujdesin që duhet të ketë me zjarrin.

Burri nga Vora thotë shkurt për “Faktoje” se shprehja: “kujdes nga zjarret dhe shteti” është e vërtetë, duke qenë se prej të parit për pak u dogj, ndërsa prej të dytit ai po shlyen dënimin.

Për një bisht cigare iku gati një pyll    

Ashtu siç ka pohuar edhe para drejtësisë, Skënderi kujton: “Po pija duhan dhe në një moment më zuri gjumi. Dëgjova të bërtitura dhe pashë njerëz që po përpiqeshin të fiknin zjarrin. Nuk e kuptova si ndodhi”. 

Ai insiston se gjithçka ndodhi nga pakujdesia. 

Lidhur me këtë pohim, gjykata shprehet ndër të tjera se: “I pandehuri duhet të kishte parashikuar pasojën që mund të vinte, por nuk e ka parashikuar se, duke pirë duhan, do të mund të shkaktonte zjarr në këtë zonë për shkak të llojit të bimësisë dhe periudhës (muaji korrik) kur është shkaktuar zjarri”

Prokuroria e Tiranës i adresoi atij akuzën “Shkatërrimi nga pakujdesia me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor” 

Kësaj radhe autoriteteve nuk iu desh shumë punë për të provuar autorësinë, e cila pasqyrohet në një procesverbal të kapjes në flagrancë, ku përshkruhet 58-vjeçari teksa përpiqej bashkë me banorët të shuante zjarrin. 

Djegia në shtrirje lineare e gati 5 mijë metrave pyll (njësia administrative Kashar) u konsiderua “pasojë e rëndë që cenon ekosistemin në atë zonë, duke e bërë të panevojshme përllogaritjen në vlerë monetare të pasojës së ardhur”

Nga 5 vite burgim në shërbim prove 

Shtetasi O.D. u dënua me pesë vite burgim, por përfitoi nga gjykimi i shkurtuar duke iu konvertuar koha prej 3 vitesh në shërbim prove. 

Përpara gjyqtares Vjollca Spahiu, i riu tha vetëm një fjali: “Mëshirë, falje, jam i penduar”. 

Akuza ndaj tij ishte shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor. 

Ai donte të pastronte përmes djegies një sipërfaqe prej 50 metrash në fshatin Kutreq, por situata i doli nga dora dhe vatra shpërtheu, duke dëmtuar afro 3 hektarë, kryesisht dru pishe dhe shkurre që gjendeshin në territorin e zonave të mbrojtura. 

Dëmi i llogaritur në këtë rast ishte 1 050 000 lekë, që, sipas VKM-së nr. 558, datë 29.07.2022, u vlerësua si shkelje me pasoja të rënda.

Situata 

Ndërkohë, zjarret janë rikthyer kërcënueshëm edhe këtë vit. 

Gentian Mullaj, zëdhënës i Policisë së Shtetit, tha për Faktoje se: “Si rezultat i reagimit në kohë të strukturave të Policisë gjatë periudhës 01.06.2026–11.08.2026, në të gjithë vendin janë vënë në pranga 21 shtetas të dyshuar si autorë, ku një pjesë janë kapur në flagrancë; 44 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë dhe 3 shtetas janë shpallur në kërkim” 

Kruja pa autor

Mes tyre rezultoi të ishte edhe 74-vjeçari Q.B. i arrestuar më 9 gusht për kryerjen e veprës penale “shkatërrim i pronës me zjarr”, pas një vatre që nisi në lagjen Abazaj të Bashkisë Krujë dhe që rrezikoi gjithë qytetin.

Në procesverbal, oficerët shkruajnë se e gjetën 74 vjeçarin duke u munduar të shuante zjarrin me kova.

Gjatë hetimeve prokuroria konstatoi se i moshuari nuk ishte autor i zjarrvënies ndaj urdhëroi lirimin e tij dhe shpalli ndalimin e paligjshëm. 

“Në dosjen e procedimit penal të administruar në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë nuk është administruar asnjë provë direkte apo indirekte, se shtetasi Q.B. me dashje i ka vënë zjarrin pronës në afërsi të banesës së tij, e cila theksojmë do të ishte e para që do të dëmtohej nga zjarri për shkak të afërsisë me vendin ku ka rënë zjarri.

E vetmja indicie është afërsia e banesës me vendin ku ka filluar zjarri si dhe fakti se ky shtetas kalonte në këtë rrugë dy herë në ditë për shkak se punonte në depon e ujit që furnizonte lagjen e tij dhe qytetin e Krujës.

Organi i akuzës ka regjistruar procedimin penal pa autor dhe do vazhdojë kryerjen e hetimeve të hollësishme, të gjithanshme, të pavarura dhe objektive me qëllim administrimin e të gjitha provave të nevojshme dhe zbulimin e ngjarjes së ndodhur nëse ajo ka qenë e qëllimshme apo aksidentale duke vendosur kështu përpara përgjegjësisë personin /personat përgjegjës”

Çfarë nuk shkon me gjetjen e autorëve? 

Mihallaq Qirjo, kreu i REC Albania dhe drejtues i një prej studimeve të pakta mbi drejtësinë mjedisore në qytetet Korçë, Elbasan dhe Tiranë, thotë se zinxhiri i hetimit nuk funksionon siç duhet.

“Hallka më problematike është ajo e oficerëve të policisë gjyqësore, që është përgjegjëse për grumbullimin e provave edhe për rastet kur ato raportohen nga policia, individë apo organizata të tjera. 

Vonesat gjatë grumbullimit të provave të mjedisit dhe mungesa e një qartësie në kuadrin ligjor mjedisor në nivelin e dëmit  dhe efektet që krimet mjedisore shkaktojnë mbi shëndetin, ekosistemin dhe biodiversitetin, bëjnë që problematika të shoqërohet gjatë dhënies së drejtësisë mjedisore”

Gjyqësori me dosjet dëng 

Një udhëzim të KLGJ-së i datës 6 maj 2026  i kërkon Gjykatës së Apelit që të shqyrtojë me prioritet, edhe çështjet me objekt mbrojtjen e mjedisit dhe klimës. 

Në dijeni të plotë të këtij udhëzimi, i cili vendos në prioritet të kalendarit të gjyqtarëve gjykimet mjedisore, veç atyre që lidhen me interesin e fëmijëve, kujdesin ushqimor, paditë e divorceve dhe ato të marrëdhënieve të punës, kancelarja e kësaj gjykate, Lertida Balili, e sheh si një ogur të mirë këtë lëvizje.

Por ajo shton se, “stoku deri në fund të muajit korrik ka mbërritur në 46,679 çështje, të cilat duhet të gjykohen nga vetëm 41 gjyqtarë. 

Është fakt se në Gjykatën e Apelit po shqyrtohen ende çështjet e vitit 2018, mes tyre ato me afat dhe ato për të cilat kërkohet përshpejtimi. Përderisa sipas këtij udhëzimi mund të kërkohet përshpejtimi edhe për këtë kategori, natyrisht që është një sinjal i mirë. Por, në dijeninë time, për këtë kategori nuk ka pasur deri më tani kërkesë për t’i përshpejtuar”.

Në një kohë kur drafti i Kodit të Ri Penal është ende në proces dhe kur parashikohet një gamë më e madhe veprash penale për drejtësinë mjedisore, në paketën aktuale janë të dënueshme 19 vepra 

Mes tyre përfshihen edhe dispozitat për zjarrvënien, shkatërrimin e pronës me zjarr.

Të dhënat zyrtare: Shumë proçedime pak të dënuar  

Nga të dhënat zyrtare zyrtare që Prokuroria e Përgjithshme vuri në dispozicion të Faktojes për krimet mjedisore gjatë pesë viteve të fundit, vërehet se numri i referimeve është i lartë për veprat e shkatërrimit me zjarr të pyjeve (neni 206/a) dhe shkatërrimit nga pakujdesia me zjarr i pyjeve (neni 206/b). 

Konkretisht, të dhënat  tregojnë se nga 314 krime mjedisore (95 prej të cilave të pushuara), 40 procedime për vitin 2021 ishin për zjarret, por në gjykatë u dërguan vetëm dy të pandehur, të cilët u dënuan. 

Njëmbëdhjetë çështje u pushuan, ndërsa të tjerat u referuan për hetime të mëtejshme dhe më pas u pezulluan për mungesë autorësh.

Në vitin 2022 trendi vijon i njëjtë: u regjistruan 34 procedime penale për këto krime, u regjistruan shtatë emra nën hetim dhe në përfundim dolën para gjykatës dy të dënuar që morën fajësi. 

Për këtë vit, në total në të gjithë vendin u regjistruan 372 procedime penale, nga të cilat 130 u pushuan

Në vitin 2023, të dhënat ekskluzive të vëna në dispozicion të Faktoje tregojnë sërish hetime mjedisore që humbasin rrugës për procedurë; u regjistruan 343 procedime si krime mjedisore, nga të cilat 146 u pushuan dhe 79 u pezulluan. 

Gjatë këtij viti u hetuan 26 çështje të zjarrëvënies me dashje dhe nga pakujdesia, por me akuzat në gjykatë u përballën vetëm tre shtetas.

Në vitin 2024 u regjistruan 299 procedime penale si krime mjedisore, prej të cilave 53 kishin lidhje me hetimet ndaj zjarreve. 

Në gjykatë përfunduan 5 zjarrvënës që të pestë të dënuar. 

Në të gjithë spektrin e çështjeve mjedisore të këtij viti 225 çështje u pushuan

Në vitin 2025 u regjistruan 330 çështje mjedisore nga të cilat 58 ishin hetime ndaj zjarrvënies. 

Gjashtë persona u morën të pandehur. 

Për këtë vit u pezulluan 140 hetime për mungesë autorësh dhe 80 u pushuan 

Grafik i perpunuar me AI

Krimi që vërehet se ka volum më të lartë në këtë pesëvjeçar është ai i prerjes së paligjshme të pyjeve, menaxhimi i mbetjeve dhe ndotja e ajrit, ujit dhe tokës

  • Në total, gjatë pesë viteve të fundit janë regjistruar 1,658 procedime mjedisore, ku më shumë se gjysma janë pushuar ose pezulluar.
  • Ndërkohë, për krimet e zjarrvënies janë regjistruar 211 procedime, por vetëm 18 persona kanë dalë para gjykatës dhe janë dënuar. 

Pasojat 

Zoti Qirjo thotë për Faktoje se gjatë analizës së thelluar të gjithë zinxhirit të drejtësisë mjedisore është konstatuar se hetimi penal dhe administrativ është mjaft i ulët . “Procedura është mjaft e gjatë”, thekson Qirjo sipas të cilit arma më e fortë mbetet ende komuniteti për ta mbrojtur mjedisin

The post Statistikat, si po “humbasin” në gjykata dosjet e zjarrvënieve appeared first on Faktoje.al.

  •  

Si brenda grupeve në WhatsApp, FB dhe IG po organizohet një kalim i ri në Ceuta nga Maroku më 15 gusht

Shkurtimisht: 

Natën e 30-31 korrikut, mijëra njerëz kaluan kufirin nga Maroku në Ceuta (Spanjë), disa nëpërmjet valëpritëses Tarajal, të tjerë duke hapur gardhin që ndan qytetin nga Castillejos (Fnideq, Marok). 

Por ditët në vijim, postimet e grupeve në WhatsApp, Facebook-ut dhe Instagramit po diskutojnë masat e reja për kalimin e kufirit në Spanjë për 15 gushtin, si nëpërmjet Tarajal ashtu edhe nëpërmjet pikave të tjera përgjatë kufirit jugor me Ceutën, ndërsa egziston mundësia që kjo të ndodhë edhe më herët.


Maldita.es hyri në katër grupe WhatsAppi, dhjetë grupe Facebooku dhe identifikuam më shumë se 50 llogari në Instagram që diskutonin një kalim nga Maroku në Ceuta më 15 gusht.

Në Facebook ata bëjnë thirrje, në Instagram mblidhen ndërsa në WhatsApp organizohen: kjo është rruga sesi po koordinohet kalimi i 15 gushtit

“A është ende e hapur dera apo jo?” Ky është mesazhi i një përdoruesi të Facebook-ut që pyet, para se ata të hynin në Ceuta më 30 korrik 2026, në lidhje me situatën në kufirin midis Maroku-t dhe Ceutës. 

Në këtë grup, disa përdorues postojnë anonimisht dhe bisedat e tyre përqendrohen kryesisht në koordinimin e “hedhjeve”, por ka edhe thirrje për veprim, dëshmi nga njerëzit që kanë kaluar tashmë duke raportuar për situatën që kanë gjetur, këshilla për transportin dhe itinerarin… Gjithashtu atje gjen edhe disa postime që përhapin dezinformim, siç janë kërkesat e rreme për “azil nga Komisioni Evropian”, “ata që kanë një zanat/profesion nuk do të kthehen” që “dera është e hapur” ose duke supozuar se ky kalim është aprovuar nga Spanja.

Në WhatsApp, toni i bisedës ndryshon. Nëse Facebook funksionon si një dritare që i bën thirrje njerëzve për të vepruar dhe mobilizuar, WhatsApp funksionon më shumë si një “qendër operacionesh”, ku përdoruesit ndajnë numrat e tyre të telefonit me të gjithë pjesëmarrësit. Kështu ata mund të shtojnë emra në këtë grup, të dërgojnë ftesa, linqe për të tjerët me qëllimin e vetëm të bashkohen. 

Këtu biseda përqendrohet në teknikat e koordinimit dhe informacionin për kalimin e 15 gushtit

Një link për tu bashkuar me një grup Facebook-u është shpërndarë me një mesazh: “Vëllezër, në muzg dhe në agim më 15 të gjithë hyjmë brenda”. 

Krahas referencave për kryerjen e kalimit më 15 gusht, ka disa mesazhe që propozojnë të lëvizin “përpara datës 15” sepse në këtë ditë do të ketë “shumë njerëz”. Përveç logjistikës së kalimit, përdorues të tjerë pyesin për detaje rreth atyre që janë tashmë në Ceuta: gjithësesi ato janë fshehur, ndaluar ose janë transferuar në qendrat e pritjes. Madje flitet edhe për njerëz që thuhet se kanë kaluar disa ditë të fshehur. 

Disa mesazhe gjithashtu tregojnë shqetësim për mungesën e ushqimit dhe ujit, ndaj dhe ata që kalojnë më 15 gusht të sjellin furnizime të mjaftueshme.

Mesazh në të cilin një person pyeti në një grup më 2 gusht 2026: ”Vëllezër, cfarë u ndodhi atyre pak njerëzve që mbetën të fshehur në Ceuta dhe që nuk janë kthyer pas? Cfarë u bë me ata? Një tjetër përgjigje:”Të gjithë kanë ikur, as nuk qëndruan në qendër vëllezër, burimi WhatsApp.

Pas hyrjes së 30 korrikut, ka edhe mesazhe që i inkurajojnë njerëzit të zhvendosin bisedat në biseda private nga frika e infiltrimit në grupe. Përveç logjistikës, ka mesazhe inkurajimi midis anëtarëve të grupit, si dhe mesazhe dekurajimi nga ata që kanë pritur ditë për të kaluar.

Në Instagram, ka postime të përziera me profileve personale me të tjerë të dedikuar posaçërisht për të shpjeguar se si të kalohet kufiri, por me ton më personal: shumica ndajnë fotot e tyre me datën 15 gusht 2026 me postime të tilla si “Fenideq”, “Fnidaq ” ose “FENIDG CEUTA” për të treguar pikën e nisjes, Castillejos (Marok). 

Shumë nga profilet e identifikuara nuk kishin postuar kurrë më parë për migracionin dhe postuan mbi këtë temë për herë të parë midis 31 korrikut dhe 3 gushtit. Komentet janë inkurajuese, kërkohet kujdes dhe maturi, ndërsa shumë përdorues shpërndajnë numrat e tyre të telefonit dhe kërkojnë të shtohen në grupet e WhatsApp-it.

Profilet që tregojnë datën dhe pikën e nisjes drejt Ceuta.

Në të njëjtën platformë, ekzistojnë edhe lloje të tjera llogarish me fotografi profili të flamurit spanjoll ose të Bashkimit Evropian që janë të dedikuara për migrimin në këto vende. 

“Vëllezër, në muzg dhe në agim të datës 15 të gjithë hyjmë”: mesazhet ku përdoruesit njoftojnë se do të kalojnë në Ceuta më 15 gusht

“Vëllezër, në muzg dhe në agim të datës 15 të gjithë hyjmë” Ky është mesazhi që një përdorues shkroi më 3 gusht në një grup në Facebook të quajtur ” Alhucemas” ” puerta de Ceuta”, Alhucemas , porta hyrëse për në Ceuta. Pas hyrjes së mijëra njerëzve në Ceuta, përdorues të tjerë pyesnin për këtë: “Çfarë do të ndodhë më 15/8/2026 ?” shkroi një përdorues anonim më 31 korrik 2026 në orën 8:52 të mëngjesit (ora spanjolle). “Cili është plani për datën 15?” shkruan një tjetër, ku një anëtar tjetër i përgjigjet duke kërkuar kujdes: “Kini kujdes, ky nuk është një sulm i rastësishëm. Ky nuk është i njëjti sulm me atë të djeshmin”

Përgjigja e një mesazhi që pyet se cili ishte plani për 15 gusht në një nga grupet që diskutonin një hyrje në Melilla atë ditë. Burimi: Facebook.

Por ky nuk është mesazhi i vetëm, as platforma e vetme: në Telegram identifikuam një grup që ridrejton një tjetër në WhatsApp me mesazhin “Futuni të gjithë këtu”. Në këtë grup, të krijuar më 13 shkurt 2025, diskutohen çështje logjistike, siç është fakti që këtë herë është më e rëndësishme të sjellim ujë dhe ushqim për të mbijetuar në Ceuta, ose frika se do të ketë një prani më të madhe policore në kufi. Është pikërisht për shkak të këtij përforcimi kufitar që përdoruesit e tjerë sugjerojnë përshpejtimin e hyrjes.

“Kushdo që dëshiron, le ta bëjë para datës 15, rreth dy ditë para… data 15 do të jetë plot me njerëz” 

Kjo reflektohet nga një përdorues që kërkon ta zhvendosë bisedën në biseda private: “Vëllezër, ka një takim para datës 15; data 15 do të jetë plot me njerëz. Kushdo që dëshiron të shkojë, le të dërgojë një mesazh privat. Pas kësaj, anëtarë të tjerë të grupit dërgojnë mesazhe zanore duke përmendur “ndërprerje” midis Marokut dhe Spanjës, në atë që mund të jetë referencë për mbylljen e kufijve, paralajmërime për një prani të shtuar të policisë dhe paralajmërime se nuk do të gjejnë ndihmë për të kaluar. 

Është pikë që një përdorues tjetër pyet, në një mesazh audio, në lidhje me barrierën lundruese që qeveria spanjolle ka instaluar në valëthyesin Tarajal: “Vëllezër, sa e madhe është rrjeta poshtë vendit ku kanë vendosur një barrierë midis Ceutës dhe Fnideqit, Castillejos, për këdo që dëshiron të zhytet poshtë saj? ” Por kjo pyetje mbetet pa përgjigje.

Në orën 16:28 të 3 gushtit, një person me prefiks telefoni danez shkruan në Darija (dialekti arab që flitet në Marok): “Gjithçka është gati për hedhjen e re sonte në orën 22:00” (duke iu referuar 3 gushtit 2026). Menjëherë pas kësaj, një person tjetër pyet: ky me një numër maroken – pyet: “Ku do të bëhet hedhja?” Disa minuta më vonë, mesazhi ishte fshirë.

Një bisedë në WhatsApp ku një person shkruan: “Gjithçka është gati për kalimin e ri sonte në orën 22:00.” Pyetja tjetër: “Ku do të bëhet kalimi?” Burimi: WhatsApp.

Si të kalohet në Ceuta në pika larg Tarajal

Në WhatsApp ofrohen gjithashtu këshilla dhe rekomandime se si të kalohet në Ceuta pa kaluar nëpër pikën kufitare Tarajal. Më 2 gusht një përdorues ndau një video që tregonte një rrugë në Google Maps që të çonte në Embalse del Infierno (Rezervuari Infierno), në jug të Ceutës. Kjo video shoqërohet me tekstin: “ata dolën nga ajo anë”. Rruga fillon në rrugën P-4701, në qytetin Beliones (Belyounech), i cili kufizohet me Ceutën, por në pikën përballë valëpritësit të Tarajal. Kalimi në Ceuta do të zhvillohej në një zonë të pyllëzuar që shtrihet përgjatë N-632 për të arritur në Torre de Anyera dhe më pas për të anashkaluar kazermat García Aldave, një bazë e Legjionit në qytetin autonom.

Videoja përfundon në një zonë të pyllëzuar, gjë që përputhet me komentet e tjera në këto grupe rreth fshehjes nga policia në këto pika.

Udhëzimi për të kaluar: shërbime me pagesë dhe të kenë parasysh që të sjellin  ushqim dhe ujë

Strategjitë e përdorura për të tërhequr ata që dëshirojnë të kalojnë në Spanjë ndryshojnë dhe në shumë raste përpiqen të kalojnë pa u vënë re, pa tekst të publikuar, duke e bërë më të vështirë gjurmimin ose zbulimin e tyre nga vetë rrjeti social.

Në Facebook, grupe dhe profile të ndryshme promovojnë emigrimin në Ceuta dhe pjesë të tjera të Evropës duke përdorur foto të motorëve të anijeve ose të barkave të vogla dhe llojeve të tjera të mjeteve lundruese.

Një faqe e kësaj natyre, e krijuar në korrik 2025, poston shpesh imazhe të një motori, kajakëve të fryrë ose distancës që ndan kufirin detar midis Marokut dhe gardhit në plazhin Tarajal në Ceuta, si një joshje për ata që duan të emigrojnë në qytetin autonom.

Imazhet e postuara në grupet e Facebook-ut.

Profili i një individi tjetër, i cili u bashkua me Facebook në shkurt të këtij viti, që nga 3 qershori ka postuar foto të të gjitha llojeve të transportit detar: varka, ski uji ose gomone.

Në raste të tjera, nga i njejti profil postohet një imazh i flamurit spanjoll me një numër telefoni, që tregon se ata ndodhen në Marokun verior.

I njëjti person gjithashtu shpërndan numrin e tij të telefonit në grupe të tjera në të njëjtin rrjet social ku ndahen foto të mbërritjes së mijëra njerëzve në Ceuta në fund të korrikut.

Këto grupe promovojnë gjithashtu “Haraga”, që do të thotë “ata që djegin” dhe përshkruan si emigrantët e parregullt ashtu edhe një fenomen viral në mediat sociale që i inkurajon të rinjtë të kalojnë në mënyrë të parregullt në Spanjë. Në disa postime mund të shohim hashtagje si #fastmoney. Disa nga këto grupe veprojnë në format shumëplatformësh – domethënë, të njëjtat profile me të njëjtat postime mund të gjenden në platforma të ndryshme si Instagram, Facebook dhe Threads.

Një përdorues i Facebook-ut reklamon shërbime për varka dhe mjete të tjera lundruese në Facebook.

Në grupet e WhatsApp-it, përdoruesit që planifikojnë të vijnë më 15 gusht këshillohen të sjellin furnizime dhe ujë. “Uji është gjithçka dhe është i detyrueshëm”, thotë një përdorues. Në mesazhet audio ka gjithashtu paralajmërime se uria dhe etja janë rreziqet më të mëdha për ata që përpiqen të qëndrojnë të fshehur para se të hidhen.

Në një grup në Facebook, dikush postoi një foto të grepave të punuar me dorë me mbishkrimin: “Kushdo që ka grepa për të shitur, të më dërgojë mesazh”.

Një përdorues tjetër, këtë herë në Instagram, postoi gjithashtu një video të tij me një çantë shpine dhe disa grepa në dorë, duke dhënë këshilla për “harraga”-n (një term i përdorur në disa vende të Amerikës Latine për t’iu referuar një lloji specifik të pajisjeve të peshkimit), siç është mbajtja e veglave në një çantë në vend të një çante shpine, ose që ata që udhëtojnë në grupe duhet të udhëtojnë veçmas për të shmangur kapjen.

Ka edhe nga ata që pyesin nëse lopatat e këmbëve apo një rrip noti me shkumë e lidhur në mes ia vlen: “Djema, çfarë mendoni për këtë? … Mund të hyjmë/kalojmë me këtë, unë dhe një person tjetër, natën, pak nga pak, derisa të arrijmë atje”, pyet një përdorues tjetër.

Burimi i fotove me siper: Facebook

Disa duan të largohen, të tjerë janë të shqetësuar për ata që kanë kaluar dhe nuk kanë marrë asnjë lajm prej tyre

“Djema, Zoti ju ruajttë. A e ka parë ndokush këtë djalë? Kanë kaluar 10 ditë nga hera e fundit që dikush dëgjoi për të”, komenton Yassine, xhaxhai i Zakarias, një 26-vjeçari i parë për herë të fundit në qytetin e Villa Cisneros, në Saharën Perëndimore, në një nga këto grupe në Facebook. “Ai u largua me një grup prej rreth 40 të rinjsh, përfshirë edhe vajza”, shpjegon xhaxhai i tij për Maldita.es, duke shtuar se “ata u larguan për të emigruar më 14 korrik dhe që atëherë nuk ka pasur asnjë lajm për ta”

Të afërm që kërkojnë persona të zhdukur në grupe ku festohet mbërritja e njerëzve që kanë kaluar nga Maroku në Ceuta. Burimi: Facebook.

Gjithashtu gjetëm foto të Aymen, i cili u zhduk më 14 korrik dhe u pa për herë të fundit midis Alcazarseguer dhe Tarfaya duke u drejtuar drejt Spanjës; dhe të Abdelghanit, 17 vjeç, i cili u nis nga Algjeria me një varkë të motorizuar. Ky është realiteti tjetër – ai i atyre që përpiqen të emigrojnë dhe nuk arrijnë kurrë në destinacionin e tyre, dhe i të afërmve të tyre që i kërkojnë ata në grupe ku historitë e atyre që ia dalin të shpërndahen dhe madje përdoren për të inkurajuar të tjerët. Shumica janë të rinj nën 30 vjeç.

Postime në grupet e Facebook-ut nga të afërm që kërkojnë të dashurit e tyre.

Në grupet e WhatsApp-it ka gjithashtu shqetësim të dukshëm: “Çfarë u ndodhi atyre pak njerëzve që qëndruan në Ceuta, duke u fshehur apo që nuk u kthyen?” pyet një përdorues.

Të tjerë kërkojnë kujdes ose shpresojnë të kenë të njëjtin fat kur ta provojnë: “O zot, shpresoj ta bësh të lehtë për mua. Qëllimi im nuk është vetëm të iki nga mjerimi; qëllimi im është të ndërtoj një të ardhme në këtë vend”, thotë një përdoruese femër në Facebook.


*Ky artikull u përditësua më 5 gusht 

Marrë nga maldita.es. Përshtati në shqip: Fetah Salliu

The post Si brenda grupeve në WhatsApp, FB dhe IG po organizohet një kalim i ri në Ceuta nga Maroku më 15 gusht appeared first on Faktoje.al.

  •  

Azili i gazetarëve shqiptarë, rrëfimet ekskluzive

Nga Anila Hoxha dhe Pandi Gjata

Pas 13 vitesh në vijën e parë të gazetarisë së përditshme, si reporter i rendit dhe kriminalitetit në Shqipëri, ai u ndje seriozisht i rrezikuar për jetën një ditë.

Ishte 17 qershori i vitit 2014.

Ai u fut për të raportuar në Lazarat të Gjirokastrës, zonë që atëbotë njihej si “fshati i kanabisit”, ku prej vitesh nuk shkelte këmba e njerëzve të shtetit. 

Ndonëse mjeti kishte logon e dallueshme të A1 Report, (medias për të cilën punonte) ai u qëllua me armë zjarri, ndërsa makinës së punës iu vu flaka.

Për Gerti Xhajën, ngjarja e Lazaratit ishte momenti më kritik dhe më i rëndë për të si gazetar.

”Ishte hera e parë që u ndjeva realisht i frikësuar. Ndoshta sepse tashmë nuk isha më vetëm gazetar, por edhe prind e kryefamiljar. Përgjegjësia ishte shumë më e madhe dhe nuk mund të përballeshe më njësoj me njerëz që kishin specialitet dhunën dhe krimin”, e nis rrëfimin e tij për ”Faktoje”.

Gjatë karrierës së tij si gazetar, Gerti Xhaja u bë i njohur për investigimin e trajtimit diskriminues të pagave të misioneve ushtarake shqiptare në zonat e luftës, si dhe, për ekspozimin e një rrjeti trafikantësh të vajzave drejt Greqisë. 

Gjithashtu, ai raportoi dhunimin e tij nga policia lokale në Lushnjë, një çështje që atë kohë nxiti debate të forta edhe në Parlament.

Por, Gerti nuk hoqi dorë deri ditën kur, duke raportuar aksionin e parë anti-kanabis të policisë në Lazarat, ai u gjend përballë një kërcënimi serioz.

”Ishte dita e tretë e përplasjes mes policisë dhe personave të armatosur në Lazarat. Në atë kohë flitej për tentativa negociatash për nxjerrjen e parave dhe largimin e personave të kërkuar (përpara hyrjes së policisë në fshat). Ne vendosëm të futeshim për të raportuar nga afër. Pa hyrë ende në brendësi të fshatit, automjeti ynë u godit me armë, u ndalua dhe më pas u dogj. Na nxorën nga makina ndërsa qëllonin mbi kokat tona. Ishte e pabesueshme që kishim dalë gjallë, pasi plumbat kishin përshkuar mjetin ku ndodheshim. Në një moment na vendosën të katërt përballë një muri për të na ekzekutuar. Ka qenë momenti më i vështirë i jetës sime. Ndihesha përgjegjës për tre kolegët e mi dhe në të njëjtën kohë, mendoja për djalin tim, që mund të mbetej jetim”, rrëfen Gerti.

Ne foto: Makina e djegur e AiReport ne Lazarat ne vitin 2014

Edhe sot, pas 12 vitesh, nga Suedia ku jeton, ai kujton me mirënjohje ndërhyrjen e disa banorëve të zonës, që i shpëtuan jetën.

“Ata argumentuan se vrasja e gazetarëve do ta përshkallëzonte situatën në një konflikt të përgjakshëm me policinë. Pas rreth një ore pengmarrjeje dhe kërcënimesh, na lanë të lirë”, tregon ai.

Duke u kthyer pas në kohë, Gerti kujton se atëkohë policia përcolli një njoftim zyrtar për ngjarjen.

“Por më vonë nuk kam pasur asnjë informacion tjetër. Përveç deklarimeve që dhashë atë ditë, nuk jam kontaktuar më as nga policia dhe as nga prokuroria”,  thotë Gerti Xhaja.

“Ka qenë momenti më i vështirë i jetës sime. Ndihesha përgjegjës për tre kolegët e mi dhe në të njëjtën kohë, mendoja për djalin tim, që mund të mbetej jetim” – Gerti Xhaja

Tani, pas më shumë se një dekade që nga marrja e azilit me familjen e tij, Xhaja ka ndryshuar profesion. 

Ai vijon të ketë bindjen se rreziku që i kanosej për shkak të raportimeve, ka prekur drejtpërdrejt edhe bashkëshorten e tij, Mirjeta Ngjela gjithashtu gazetare, si dhe, të birin.

Shifrat kokëforta

Në një përgjigje zyrtare për “Faktoje”, Kostaq Beluri, Drejtor i Koordinimit Institucional në Prokurorinë e Përgjithshme, konfirmon se përgjatë vitit 2026 janë regjistruar pesë kallëzime të reja penale, nga të cilat një nuk ka filluar, një tjetër është në proçes verfikimi, ndërsa për tre të tjera janë regjistruar procedime penale.

“Sa i takon të dhënave për procedimet penale që lidhen me sulme dhe kërcënime të gazetarëve dhe punonjësve të medias, për periudhën e viteve 2023- 2025 referuar të dhënave statistikore rezultojnë pesë procedime penale të dërguara për gjykim dhe pesë procedime penale që vijojnë në fazë hetimit”, thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Përgjithshme.

Ndërkohë, Blerjana Bino sjell shifra të tjera, duke theksuar se Prokuroria nuk ka një sistem të unifikuar të mbledhjes  dhe ruajtjes të të dhënave mbi këto sulme.

“Të dhënat që kemi janë 22 raste për sulme direkte për 2024 dhe 2025, por asnjë vendim fajësie” – Blerjana Bino

“Të dhënat që kemi janë 22 raste për sulme direkte për 2024 dhe 2025, por asnjë vendim fajësie”, deklaroi për “Faktoje” Drejtoresha Ekzekutive e SCiDEV, Blerjana Bino.

Hezitimi

Gjatë këtij investigimi, disa gazetarë që janë larguar nga vendi për shkak të kërcënimeve gjatë ushtrimit të detyrës dhe që kanë fituar azilin, zgjodhën të mos i bëjnë publike historitë e tyre.

Dashamir Biçaku, gazetar me një karrierë të gjatë në Shqipëri, i cili u largua befas nga vendi, insiston se nuk ka kërkuar azil. 

Megjithatë, arsyet e largimit të tij nga profesioni, ku spikatej si një ndër zërat më premtues të gazetarisë investigative, mbeten ende enigmë.

“Sfida e ardhjes në Francë dhe instalimi këtu për ne nuk lidhen me subjektin, me kërcënimet dhe me frikën. Nëse ika unë, dikush tjetër duhet të më ketë zëvendësuar po aq denjësisht, kështu që frika s’mund të ketë rol kur jemi të zëvendësueshëm. Padrinot janë të pazëvendësueshëm”, thotë Biçaku për “Faktoje”, i cili e vazhdon gazetarinë nga shteti ku aktualisht jeton bashkë me familjen.

Vendimi  

Për Ledia Canaj, kërkimi i azilit dhe jeta në kampet e emigrantëve ishte bileta e saj e shpëtimit. 

Me një karrierë të nisur në 2004, ajo e ndjeu rrezikun për jetën gjatë vitit 2015.

“Gjatë raportimeve për korrupsion zgjedhor dhe shit-blerje vote në Tiranë ne siguruam dëshmi dhe filmime konkrete. Pas publikimit, presionet u bënë më të forta dhe kaluan përtej kufijve normalë të profesionit. Në atë moment kuptova se rreziku për një gazetar nuk është gjithmonë vetëm fizik. 

Vrasja e një gazetari mund të ndodhë edhe duke i mbyllur gojën, duke e izoluar, duke e kërcënuar, duke e bërë të ndihet i pambrojtur, i vetëm dhe i panevojshëm për sistemin”, tregon për “Faktoje”, Ledia.

“Kampi është një vend ku njeriu humbet kontrollin mbi jetën e vet. Pret. Hesht. Vëzhgon. Por unë nuk pushova së menduari si gazetare” – Ledia Canaj

Ky ishte pikërisht momenti kur ajo vendosi. 

Mori vajzën e vogël dhe kërkoi azil në Belgjikë, “për sigurinë e saj dhe të familjes”.

Si fillim provoi jetën në kampe.

“Periudha si azilkërkuese ishte shumë e vështirë. Kampi është një vend ku njeriu humbet kontrollin mbi jetën e vet. Pret. Hesht. Vëzhgon. Por unë nuk pushova së menduari si gazetare. Fillova të studioj ligjin europian, sistemet e migracionit dhe historitë e njerëzve që, si unë, kërkonin mbrojtje”, thotë Ledia.

Në Belgjikë, rrëfen ajo, rasti u trajtua brenda një kuptimi më të gjerë të rrezikut ndaj gazetarëve.

“Për mua, kjo ishte shumë e rëndësishme: sepse tregonte se kërcënimi ndaj gazetarit nuk matet vetëm me plagë në trup, por edhe me presion sistemik, me frikë të organizuar dhe me sabotim të fjalës së lirë”

Arsyet

“Tregu multimedial në Shqipëri numëron mbi 5,200 punonjës, nga të cilët mbi 2,170 ushtrojnë detyrën e gazetarit apo redaktorit” – Aleksandër Çipa.

Duke theksuar pasigurinë ekonomike dhe mungesën e garancive në median shqiptare, kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa, vëren se numri i punonjësve të medias dhe gazetarëve që kanë kërkuar azil ndër vite mbetet i lartë.

“Në dijeninë tonë mbi 30 punonjës mediash kanë kërkuar azil ekonomik dhe social. Disa raste për arsye hakmarrjeje dhe disa për arsye kërcënimesh nga struktura kriminale dhe persona me pushtet. Ka edhe raste që e kërkojnë azilin për arsye të përndjekjes gjinore të tyre”, thotë Çipa për “Faktoje”.

Sipas studimeve të Unionit, tregu multimedial në Shqipëri numëron mbi 5,200 punonjës, nga të cilët mbi 2,170 ushtrojnë detyrën e gazetarit apo redaktorit.

Të dhënat që disponon Unioni i Gazetarëve tregojnë se në rastet e gazetarëve të kërcënuar janë ndeshur me dy kategori hetimesh.

Kategoria e parë përfshin hetimet e kryera nga vendet pritëse, ku kanë mbërritur gazetarët dhe punonjësit e medias shqiptare, si Franca, Suedia apo Holanda.

“Ndërsa nga organet shqiptare ka pasur interesim përmes kontaktesh dhe kërkesash informuese prej organizatave të gazetarëve, edhe pranë UGSH” , argumenton Çipa, i cili e ka një shpjegim për largimin e njerëzve të medias.

“Presioni i grupeve kriminale mbi raportues të tillë që vijojnë të këmbëngulin në çështje kriminale, që kanë tronditur opinionin publik, që implikojnë persona me pushtet dhe që zotërojnë asete të shumta financiare prej jetës dhe botës kriminale, janë arsye që disa reporterë të tillë të zgjedhin emigrimin, duke kryer procedura të azilit”, deklaron kreu i Unionit të Gazetarëve.  

Azili politik i gazetarëve nga Ballkani

Ndërkohë që në Shqipëri largimi i gazetarëve për të kërkuar azil politik në vendet e Bashkimit Europian apo në SHBA është një dukuri e njohur, në Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut organizatat e gazetarëve atje nuk raportojnë statistika apo raste të ngjashme.

Në Kosovë rasti më i njohur dhe publik është ai i gazetares së njohur Arbana Xharra, që prej vitesh jeton në SHBA për shkak të kërcënimeve për jetën gjatë ushtrimit të detyrës së saj. 

Maqedonia e Veriut

I kontaktuar nga “Faktoje”, Mlladen Cadikovski nga Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut e vlerësoi temën si shumë të rëndësishme dhe me interes.

“Do të kontrolloj se çfarë të dhënash mund të kemi në lidhje me rastet e gazetarëve nga Maqedonia e Veriut që kanë kërkuar azil politik jashtë vendit. Megjithatë, duhet të theksoj se nuk jam i sigurt nëse ka statistika të konsoliduara ose zyrtare që ndjekin posaçërisht gazetarët në këtë kontekst, pasi raste të tilla zakonisht nuk regjistrohen sistematikisht si një kategori e veçantë.

Do ta shqyrtoj më tej këtë dhe do t’ju kontaktoj nëse gjej ndonjë informacion ose shembull përkatës që mund të jetë i dobishëm për artikullin tuaj”, ishte përgjigja e Mlladen Cadikovskit për “Faktoje”.

Por deri në publikimin e këtij artikulli kolegu nga Shkupi nuk gjeti një shembull apo informacion në lidhje me kërkesat e gazetarëve në RMV që kanë ikur dhe kanë kërkuar azil politik jashtë vendit.

Mali i Zi

Pavarësisht se Mali i Zi është shteti më i vogël në Ballkan, aty veprojnë disa shoqata dhe organizata të gazetarëve.

Marijana Camoviq Velickoviq, e cila ka mbajtur postin e kryetares së Sindikatës së Gazetarëve të Malit të Zi deri në vitin 2022, aktualisht shërben si nënkryetare.

Ajo kërkoi ndjesë për vonesën në përgjigje, duke shpjeguar se u desh kohë për t’u konsultuar me kolegët mbi tematikën e ndjeshme që po trajtonim.

“Kërkoj ndjesë për përgjigjen e vonuar por meqenëse nuk isha në dijeni se kishte pasur ose se ka raste që gazetarët në Mal të Zi kanë kërkuar azil politik, pyeta kolegët e mi. Askush nuk është në dijeni të diçkaje të ngjashme që i ka ndodhur dikujt”, thotë Marijana Camoviq Velickoviq për “Faktoje”.

Kosova

Xhemajl Rexha i Asosacionit të Gazetarëve të Kosovës tregon se organizata që ai drejton ka të regjistruar në databazën e vetë aktualisht 720 anëtarë, ku përfshihen gazetarë, kameramanë dhe fotografë. 

Por në Kosovë ka më shumë se aq, pasi anëtarësimi është vullnetar dhe jo të gjithë gazetarët duan të bëhen pjesë.

“Këtë shifër e kemi ndryshuar para më shumë se një 1 viti kur kemi bërë përditësimin kur kishim pak më shumë se 900 anëtarë. Ne dimë për një numër të vogël të gazetarëve që kanë ikur jashtë vendit duke kërkuar azil, me rastin më të njohur Arbana Xharra, që jeton në SHBA tash e disa vjet si pasojë e kërcënimeve për jetën për shkak të raportimeve të saj”, thotë për “Faktoje”, Rexha.

Në informacionet që ka Asosacioni, një numër i identifikueshëm i gazetarëve nga Kosova “kanë shkuar në vende të BE-së për perspektivë më të mirë ekonomike, kurse të tjerë për arsye krejtësisht private dhe familjare”.

“Rënia e numrit të anëtarëve lidhet edhe me faktin që ndër vite gazetarët e kanë lënë profesionin për t’iu bashkuar ekipeve të politikanëve, Qeverisë dhe institucioneve të tjera”, thotë Rexha.

Qarkorja e Prokurorisë 

Nga tetori 2024 vazhdon të jetë në fuqi një qarkore e firmosur nga Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela “Për hetimin e çështjeve që lidhen me sigurinë e gazetarëve dhe të mediave”.

Ajo doli garant se do të mundësonte koordinimin e veprimtarisë mes institucioneve për mbrojtjen e  gazetarëve nga çdo akt kërcënimi, dhune apo çdo veprim i paligjshëm që synon pengimin e tyre në ushtrimin e profesionit.

Në këtë qarkore premtohet se prokurorët do të ndjekin me përparësi çështjet, që lidhen me sigurinë e gazetarëve dhe mediave dhe do të mbikëqyrin punën e oficerëve të policisë gjyqësore që i hetojnë këto çështje për të siguruar shpejtësi hetimore.

Blerjana Bino thotë se qarkorja ka dhënë një puls për vëmendje më të madhe ndaj sigurisë.

”Ndërkohë të dhënat e pyetësorëve me gazetarët tregojnë se nuk ka ende shumë njohuri nga gazetarët për protokollin e policisë dhe prokurorisë dhe niveli i kallëzimeve vazhdon të jetë më i ulët se rastet e raportuara”, deklaron Bino.

Skënder Hita: Policia në krah të gazetarëve

Por Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, thekson se protokolli i sigurisë për gazetarët është plotësisht funksional, duke ofruar pika kontakti për adresimin e menjëhershëm të çdo kërcënimi apo rreziku gjatë ushtrimit të detyrës.

“Bashkëpunimi me median është një element kyç për rritjen e besimit të qytetarëve te Policia dhe për forcimin e sigurisë në shoqëri. Në çdo rast kur një gazetar ndihet i kërcënuar, shantazhuar apo kur dëmtohet prona e tij ose e familjarëve të tij, Policia e Shtetit reagon me përgjegjësi dhe profesionalizëm, duke e trajtuar çdo rast me përparësi. Çdo rast ndiqet nga grupe të posaçme hetimore, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë, me angazhim maksimal dhe profesional për zbardhjen e ngjarjeve, identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve” thotë për “Faktoje”, kryepolici Skënder Hita.

Gazetarit që iu dogj makina në derën e shtëpisë

Qysh prej 26 prillit të këtij viti, kur automjeti iu dogj në derë të shtëpisë në Bulqizë, gazetari Sami Curri nuk ka marrë asnjë informacion lidhur me hetimet që po ndiqen nga prokuroria lokale.

Për Currin, i cili nisi të raportonte dhe të investigonte mbi minierat dhe prokurimet publike që kur ishte në vitin e dytë të Fakultetit të Gazetarisë, çështja e tij vështirë të duket se po trajtohet me përparësi.

“Ndihem i rrezikuar, besoj se do ketë një tentativë për shkatërrim prone prapë për të më dhënë mesazh dhe për të më përcjellë klime frike” – Sami Curri

“Ndihem i rrezikuar, besoj se do ketë një tentativë për shkatërrim prone prapë për të më dhënë mesazh dhe për të më përcjellë klime frike. Unë kam pasur mundësi të largohem nga Shqipëria dhe nga Bulqiza, po ndjesia ime është se duhet tu shërbej energji dhe forcë qytetarëve” nis rrëfimin e tij për “Faktoje” gazetari Curri.

Thotë se pas ngjarjes, pati mbështetje deklarative, por hetimet nuk kanë ecur.  “Nuk jam thirrur asnjëherë mbas ngjarjes për të më dhënë sqarime, nuk kam pasur asnjëherë ftesë. Hetimi është i vakët, e kam thënë që në momentin e parë që ata s’kanë kapacitete” shton gazetari Curri.

Në këtë situatë, ai është detyruar të ulet dhe të shkruajë një memo për prokurorin e çështjes për ta pyetur se çfarë po ndodh mbi hetimet.

Pista e gazetarit është vetëm një, sulmi për shkak të detyrës.

“Unë besoj që ka qenë e lidhur me një hulumtim mbi një tenderim, dhe duke qenë se nuk ia dolën, ata zgjodhën gjënë më të lehtë, i vunë flakën automjetit. Unë denoncova, i kam nisur letër prokurorit të çështjes se ku janë hetimet”, vijon Curri. 

“Problem nuk është ligji”

Kur sigurimi i provave bëhet i vështirë dhe gazetarët mbeten në pritje të organit të akuzës për zyrtarizimin e procedimeve gjyqësore, kreu i Asosacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Isa Myzyraj, thekson se problemi kryesor nuk qëndron te mungesa e ligjeve, por te zbatimi i tyre.

“Vetëm hetime të shpejta, të pavarura dhe me rezultate konkrete mund të rikthejnë besimin e gazetarëve se shteti është në gjendje t’u garantojë sigurinë dhe lirinë” – Isa Myzyraj

“Në shumë raste hetimet ecin me ritme të ngadalta, nuk ka transparencë mbi ecurinë e tyre dhe gazetarët mbeten pa informacion për atë që po bëhet. 

Kjo krijon mosbesim dhe perceptimin se autorët mund të mbeten të pandëshkuar. 

Ne kemi kërkuar vazhdimisht që çdo kërcënim ndaj një gazetari të trajtohet me prioritet, të hetohet në mënyrë profesionale dhe të ketë komunikim të rregullt me viktimën. Vetëm hetime të shpejta, të pavarura dhe me rezultate konkrete mund të rikthejnë besimin e gazetarëve se shteti është në gjendje t’u garantojë sigurinë dhe lirinë për të ushtruar profesionin” thotë për “Faktoje”, Myzyraj.

Epilog

Në këto 36 vite në Shqipëri, kemi parë një plejadë gazetarësh të talentuar, të cilët, përmes integritetit dhe përkushtimit të tyre, kanë zbuluar të vërtetën dhe skandalet, kanë denoncuar korrupsionin dhe ekspozuar rrjetet kriminale. 

Sot, një pjesë e tyre vazhdon ta përmbushë këtë mision me ndershmëri. 

Shumë të tjerë e kanë braktisur profesionin ose e kanë parë si një “trampolinë” karriere. 

Të tjerë janë detyruar të largohen jashtë vendit në kërkim të azilit ose një jetese më të mirë.

Breza të tërë kanë kaluar përmes këtij profesioni, por pasioni i patundur për të kërkuar të vërtetën dhe refuzimi për të bërë kompromise, edhe kur kërcënimi të troket në derën e shtëpisë ka mbetur jo për shumicën.

The post Azili i gazetarëve shqiptarë, rrëfimet ekskluzive appeared first on Faktoje.al.

  •  

Tre vite pa fondet IPARD në bujqësi

Esmeralda Topi

Në fillim të vitit, ministri i Bujqësisë, Andis Salla, deklaroi se fondet e programit IPARD III do të hapeshin brenda gjashtëmujorit të parë të vitit.

“Unë në datën 9 jam dhe në Bruksel bashkë me ekipin për të vazhduar hapat e mëtejshëm në mënyrë që ne brenda gjashtëmujorit të parë të vazhdojmë me çeljen dhe hapjen e këtij sektori kaq të rëndësishëm…” – premtoi Salla. 

Megjithatë, fondet IPARD III nuk u çelën dhe nuk ka pasur asnjë vendim të Komisionit Evropian që të autorizojë rifillimin e programit.

Çfarë tha Ministria pasi kaloi afati?

Në fillim të muajit korrik, pas përfundimit të afatit të përmendur nga ministri, Faktoje iu drejtua Ministrisë së Bujqësisë për të kuptuar mbi çfarë baze ishte bërë deklarata dhe në çfarë faze ndodhej procesi për rikthimin e fondeve IPARD në bujqësi.

“Deklarata e Ministrit mbështetet në vlerësimin e ecurisë së procesit të riakreditimit të masave të IPARD III dhe gatishmërinë e vazhdueshme të strukturave përkatëse të Bashkimit Evropian”, thuhet në përgjigjen zyrtare nga ministria e Bujqësisë.

Ministria nuk identifikoi (në përgjigje) asnjë vendim, shkresë apo komunikim zyrtar të Komisionit Evropian që të konfirmonte afatin e qershorit.

“Ministria është në komunikim të vazhdueshëm me Komisionin Evropian lidhur me procesin e delegimit të kompetencave për zbatimin e IPARD III. Objektivi ynë mbetet përmbushja e të gjitha kërkesave institucionale dhe teknike që do të mundësojnë çeljen e fondeve”, shtohet më tej.

Në përgjigjet zyrtare, institucioni konfirmon se Shqipëria kishte përditësuar dokumentacionin, kishte adresuar komentet teknike dhe po përgatiste procesin e auditimit, por procedurat vijonin ende dhe nuk rezultonte të ishte marrë vendimi për rifillimin e programit.

Me fjalë të tjera, ministria e Bujqësisë pranoi se premtimi i ministrit nuk ishte mbështetur në një konfirmim zyrtar të Komisionit Evropian.

Edhe vetë ministri Salla u detyrua të japë sqarime pasi kaloi qershori. Në një intervistë televizive në fillim të korrikut, ai nuk foli më për një datë konkrete të rikthimit të IPARD III, por e përshkroi procesin si ende në pritje të vlerësimit nga Komisioni Evropian.

“Për fondet IPARD jemi në një proces të vazhdueshëm me Komisionin Evropian. Javën e kaluar patëm në komisionin për fondet IPARD dhe jemi në fazën përfundimtare ku kemi bërë të gjithë detyrat që na janë kërkuar dhe jemi në fazën përfundimtare të vlerësimit”, deklaroi ministri.

Një histori afatesh të shkelura

Kjo nuk është hera e parë që autoritetet shqiptare shpallin një afat për hapjen e IPARD III. Që prej pezullimit të programit në vitin 2023, qeveria ka dhënë disa herë afate për rikthimin e fondeve, ndërsa Komisioni Evropian ka përsëritur se procesi varet nga përmbushja e kushteve dhe nuk ka një datë të përcaktuar për rifillimin e programit.

Edhe për afatin e fundit të dhënë nga ministri Andis Salla, “Faktoje” paralajmëroi se ai nuk mbështetej në një konfirmim zyrtar nga Brukseli. Në atë kohë, çdo pritshmëri për hapjen e programit brenda një periudhe të përcaktuar konsiderohej një parashikim i njëanshëm i autoriteteve shqiptare dhe jo një datë e konfirmuar nga pala evropiane.

Më tej, pak javë pas deklaratave të qeverisë shqiptare për një rikthim të afërt të fondeve, Komisioni Evropian konfirmoi për Faktoje se procedura me autoritetet shqiptare ishte ende në zhvillim dhe se nuk ekzistonte një afat i përcaktuar për rifillimin e programit IPARD III

Sipas Komisionit, vijonin diskutimet për përmbushjen e masave korrigjuese dhe vendosjen e mekanizmave të nevojshëm për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Evropian. 

Pse u pezullua IPARD?

Programi i mbështetjes në bujqësi IPARD ofron grante në ndihmë të sektorit bujqësor për të gjitha vendet që janë në proces anëtarësimi me Bashkimin Evropian. Shqipëria është një prej pesë vendeve përfituese të mbështetjes me grante.

Shqipëria përfitoi mbi 71 milionë euro grante gjatë periudhës 2014–2020 përmes IPARD II. Ndërsa vendi priste nisjen e programit IPARD III me rreth 146 milionë euro financim, në korrik 2023 Komisioni Evropian pezulloi fondet pas dyshimeve për parregullsi dhe korrupsion në administrimin e skemës. Vendimi u mbështet edhe në gjetjet e Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF).

Prej tre vitesh, autoritetet shqiptare kanë ndërmarrë një sërë masash për përmbushjen e kërkesave të Komisionit Evropian, përfshirë auditime, rishikim të procedurave dhe përgatitjen për riakreditimin e strukturave që administrojnë fondet.

Megjithatë, vendimi për rikthimin e programit mbetet në duart e Komisionit Evropian dhe deri më tani nuk është shpallur asnjë datë zyrtare për rifillimin e IPARD III.

Përfundim

Ministri i Bujqësisë Andis Salla premtoi publikisht se fondet IPARD III do të hapeshin brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2026. Afati ka kaluar dhe fondet nuk janë hapur.

Përgjigjet zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë për “Faktoje” si dhe komunikimi zyrtar me Komisionin Evropian rrëzojnë premtimin e ministrit, duke konfirmuar se procedura vijon dhe nuk ka një afat zyrtar për rifillimin e programit.

Për këto arsye, premtimi për rikthimin e fondeve IPARD III brenda qershorit, e kategorizojmë premtim të pambajtur. 

The post Tre vite pa fondet IPARD në bujqësi appeared first on Faktoje.al.

  •  

“Mallkimi” i parandjerë i Ramës, aeroporti i Vlorës drejt Arbitrazhit

Nga Esmeralda Topi 

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur procedurat për zgjidhjen e kontratës koncesionare të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke vënë në pikëpyetje fatin e një prej projekteve më të mëdha infrastrukturore të dekadës së fundit. 

“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur procedurat kontraktore për zgjidhjen e kontratës koncesionare të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, pas mosrespektimit të afateve të parashikuara për përfundimin dhe vënien në operim të projektit”,  konfirmoi ministria për Faktoje.

Më herët palëve u ishte lënë kohë për të zgjidhur mosmarrëveshjet tregtare që kishin bllokuar vijimin normal të punimeve, por pas përfundimit të këtij afati janë aktivizuar mekanizmat kontraktorë “për garantimin e interesit publik”

Vendimi vjen pas muajsh përplasjesh mes dy aksionerëve të kompanisë koncesionare, konflikt që çoi në pezullimin e punimeve dhe e largoi edhe më shumë projektin nga afatet e premtuara për përfundimin e tij.

Ne foto: Kryeministri Edi Rama dhe biznesmeni Behgjet Pacolli

Pacolli paralajmëron arbitrazh

Menjëherë pas njoftimit të ministrisë, biznesmeni Behgjet Pacolli reagoi duke paralajmëruar se kompania e tij, MABCO Construction SA, do t’i drejtohet arbitrazhit ndërkombëtar nëse procedura për ndërprerjen e kontratës konfirmohet. 

Pacolli deklaroi se deri në momentin e publikimit të lajmit nuk kishte marrë asnjë njoftim zyrtar nga autoritetet shqiptare.

“Për një investim strategjik të kësaj rëndësie, është e papranueshme që investitori të informohet nga mediat dhe jo nga institucionet e shtetit”

Sipas tij, MABCO është ekspozuar financiarisht me mbi 320 milionë euro, pa përfshirë humbjen e fitimit dhe kostot ligjore, ndërsa pretendon se në muajin maj kompania kishte përmbushur pothuajse të gjitha detyrimet kontraktore dhe ndodhej në fazën e certifikimit të aeroportit, kur u pengua të vijonte punimet. 

Pacolli akuzon institucionet shqiptare se, edhe pas një vendimi të Gjykatës së Lartë, e mbajtën kompaninë jashtë kantierit për muaj të tërë, duke shkaktuar dëmtimin dhe vjedhjen e pajisjeve.

“Paradoksi është i qartë: nga njëra anë institucionet penguan përfundimin e projektit, ndërsa nga ana tjetër përpiqen ta përdorin pikërisht këtë pengesë si arsye për zgjidhjen e kontratës”

Biznesmeni kosovar thotë se arbitrazhi është bërë i pashmangshëm.

“Arbitrazhi nuk është një kërcënim, është realiteti i krijuar si pasojë juridike e veprimeve të kundërligjshme dhe mosveprimeve të atyre që kishin detyrimin të mbronin investimin dhe interesin publik”

Në fund të reagimit të tij, Pacolli paralajmëron se përgjegjësia financiare nuk do të rëndojë mbi zyrtarët, por mbi taksapaguesit shqiptarë.

“Faturën, fatkeqësisht, do ta paguajnë qytetarët shqiptarë”

Faturat e arbitrazheve nga Beketi tek Behgjeti

Kërcënimi i Behgjet Pacollit për arbitrazh vjen në një moment kur Shqipëria po paguan ende faturat e proceseve të tjera ndërkombëtare. 

dhënat e fundit nga Ministria e Financave tregojnë se ekspozimi i buxhetit të shtetit nga arbitrazhet ka arritur në 183.57 milionë euro. 

Pjesa më e madhe e kësaj fature lidhet me çështjen “Hydro dhe të tjerët kundër Shqipërisë”, e njohur si çështja Becchetti. 

Vetëm ky proces llogaritet 108.3 milionë euro, ose rreth 59 për qind e totalit. Bashkë me kostot ligjore, vlera shkon në rreth 112.1 milionë euro.

Nëse edhe çështja e Aeroportit të Vlorës përfundon në arbitrazh, lista mund të zgjatet më tej. 

Pacolli ka deklaruar se MABCO do të kërkojë dëmshpërblim jo vetëm për investimin e kryer, por edhe për fitimin e munguar. 

Nëse këto pretendime pranohen, fatura për shtetin mund të arrijë në qindra milionë euro të tjera.

Nga “mallkimi” i Ramës te konflikti mes ortakëve

Projekti i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës është një nga premtimet më të hershme infrastrukturore të kryeministrit Edi Rama.

Kontrata koncesionare u nënshkrua më 20 prill 2021, vetëm pak ditë para zgjedhjeve parlamentare, mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe konsorciumit fitues të përbërë nga MABCO Construction SA, YDA Group dhe 2A Group.

ceremoninë e nënshkrimit, Rama pranoi se projekti ishte përballur vazhdimisht me pengesa.

Belinda (Balluku) e di shumë mirë, në një moment të caktuar, unë fillova t’i them, nuk ka mundësi, ka një mallkim. Dikush e ka mallkuar këtë projekt, sepse sapo zgjidhnim një problem, lindte një tjetër…”

Punimet nisën në ditën e flamurit, 28 nëntor të 2021, pak muaj pas nënshkrimit të kontratës.

Fillimisht, aksionet e kompanisë koncesionare u ndanë me 58 për qind për MABCO-n e Behgjet Pacollit, 40 për qind për kompaninë turke YDA Group dhe 2 për qind për 2A Group. Në vitin 2022, YDA Group u largua nga projekti me miratimin e Ministrisë së Infrastrukturës, duke ia shitur aksionet Pacollit. Pas kësaj, MABCO kontrollonte 98 për qind të kompanisë.

Por në fund të vitit 2025 shpërtheu konflikti mes MABCO-s dhe 2A Group për kontrollin e shoqërisë koncesionare. Mosmarrëveshja përfundoi në gjykatë dhe solli pezullimin e punimeve, ndërsa përpjekja e ministrisë për t’u dhënë palëve kohë që të gjenin një zgjidhje nuk prodhoi rezultat.

Nga një afat konkret te një premtim pa datë

Ne foto: Kryeministri Edi Rama

Përveç konfliktit mes aksionerëve, projekti është shoqëruar edhe nga shtyrje të vazhdueshme të afateve të hapjes. Sipas planit fillestar, aeroporti duhet të kishte nisur fluturimet pranverën e 2025. Me pas u premtua vjeshta e 2025.

Por afatet janë shkelur. Në fund të vitit të kaluar, kryeministri Rama deklaroi publikisht se aeroporti duhej të hapej brenda pranverës së vitit 2026.

“Dëshiroja shumë të respektohej fjala. Fjala nuk u respektua. Tani të respektohet kontrata, që është pranvera e vitit të ardhshëm” u shpreh Rama gjatë konferencës së fundvitit me gazetarët.

Por teksa edhe ky afat nuk u realizua, Rama ndryshoi qendrimin. Një muaj më parë nga Rinasi, gjatë një aktiviteti në Aeroportin ‘Nënë Tereza’ ai nuk përmendi më asnjë datë konkrete.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndërmarrë hapat e duhur në këtë drejtim dhe objektivi ynë mbetet i palëvizshëm që Aeroporti i Vlorës do të hapet me patjetër dhe nuk do të jetë pre e mosmarrëveshjeve brenda për brenda kompanisë”, tha Rama.

Përfundim 

Më shumë se pesë vite pas nënshkrimit të kontratës, aeroporti i Vlorës nuk ka nisur operimin dhe tashmë rrezikon të përfundojë në arbitrazh ndërkombëtar, duke sjellë një tjetër faturë të rëndë për financat publike. I vetmi fluturim mbetet ai i 8 majit 2025, në prag zgjedhjesh, kur një avion testues u ul në pistën e aeroportit të Vlorës.

The post “Mallkimi” i parandjerë i Ramës, aeroporti i Vlorës drejt Arbitrazhit appeared first on Faktoje.al.

  •  

Betejë për zonat e mbrojtura apo zonat e mbetura?

Nga Mimoza Picari

A po kthehen zonat më të mbrojtura të Shqipërisë në hapësirat e saj më të cenuara? Mbrojtja e natyrës po përplaset hapur me pretendimet për zhvillim ekonomik, duke e shndërruar debatin për zonat e mbrojtura në një nga testet më serioze të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Ndërsa qeveria deklaron përparim në negociatat e anëtarësimit në BE, debati mbi fatin e zonave të mbrojtura është kthyer në një sprovë kyçe të besueshmërisë politike të vendit. Amendamentet e kontestuara të shkurtit 2024 për Zonat e Mbrojtura kanë ndezur dritat “e kuqe” (red flags) në Bruksel. 

Në një reagim të prerë, Parlamenti Evropian i kërkoi së fundmi autoriteteve shqiptare përmes një rezolute “vendosjen e menjëhershme të një moratoriumi mbi të gjitha lejet e reja dhe punimet ndërtimore brenda zonave të mbrojtura, derisa të shfuqizohen amendamentet e vitit 2024”.

Ndërkaq një zëdhënës i Komisionit Evropian, në përgjigje interesit të Faktoje.al i kujton qeverisë shqiptare detyrimet për përmbylljen e negociatave për Kapitullin 27, dhe konfirmon se Komisioni po e monitoron nga afër situatën.

“Kriteret përmbyllëse për Kapitullin 27 u vendosën në shtator 2025. Aty kërkohet përafrim me legjislacionin e BE-së (EU acquis) për mbrojtjen e natyrës, shfuqizim i dispozitave të papërputhshme të miratuara përmes amendamenteve në ligjin për zonat e mbrojtura, si dhe shfuqizimin e legjislacionit të vitit 2015 për investimet strategjike”, thotë për Faktoje.al një Zëdhënës i Komisionit Evropian në përgjigjen me shkrim.

Foto nga Pishe Poro-Narte (Atdhe Mulla/Faktoje)

Përballja

Megjithatë, përballë shqetësimeve nga Brukseli, autoritetet në Tiranë thonë se pretendimet e kritikëve nuk bazohen në fakte ligjore. Në një përgjigje zyrtare për Faktoje.al, Agjencia për Media dhe Informim (MIA) e zbeh peshën e këtyre shqetësimeve, dhe nga ana tjetër thotë se sidoqoftë ligji në fjalë do të përputhet 100% me direktivën si pjesë e kalendarit të miratuar me Komisionin Evropian.

“Rezolutat e Parlamentit Evropian nuk janë detyruese për asnjë shtet anëtar apo jo anëtar, ndërkohë që kush kërkon shfuqizimin e amendamenteve të vitit 2024 nuk ka sjellë asnjë provë se ato bien ndesh me direktivën evropiane” , thuhet në përgjigjen e Agjencisë për Media dhe Informim.

Opozita

Por Jorida Tabaku, deputete e opozitës dhe Kryetare e Këshillit Kombëtar të Integrimit, ka një qasje tjetër dhe është mjaft kritike.

“Është e vërtetë që rezoluta e PE-së nuk është drejtpërdrejt detyruese për parlamentin shqiptar, por ajo është sugjeruese në momentin kur merren vendime nga Parlamenti Evropian për Shqipërinë. Pra, edhe pse jo drejtpërdrejt, ajo bën ciklin e saj dhe kthehet në detyruese për vendin tonë”, argumenton Zonja Tabaku.

Foto nga Zverneci (Atdhe Mulla/Faktoje)

Kuadri ligjor dhe VKM-të ndër vite

Ndryshimet e vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura nuk ishin një incident i izoluar, por vazhdë e një politike qeveritare 10-vjeçare që e sheh territorin e zonave të mbrojtura si resurs për zhvillimin e turizmit. Kjo rrugë nisi me miratimin e Ligjit për Investimet Strategjike një dekadë më parë (me afat fillestar 3-vjeçar, por i shtyrë vazhdimisht deri në fund të këtij viti) me synimin e qeverisë për të forcuar turizmin elitar në bregdet, pasuar me disa VKM që prekin kufijtë e zonave të mbrojtura.

Eksperti i mjedisit Olsi Nika atakon tre vendime, atë për Parqet Kombëtare (Kategoria II) në vitin 2022 që konkludoi në rishikimin e përgjithshëm të kufijve të të gjitha Parqeve Kombëtare në Shqipëri. Ai thotë se sipërfaqeve të tëra brenda zonave të mbrojtura iu hoq regjimi i mbrojtjes.

Një tjetër vendim, siç thotë z. Nika, klasifikoi si Rezervate Natyrore të Menaxhuara edhe ato zona të mbrojtura që më parë gëzonin statusin e Rezervatit Strikt Natyror (Kategoria I), i pasuar me një nga vendimet më të debatuara atë për Peizazhin e Mbrojtur Pishë Poro Nartë të vitit 2024. Eksperti i mjedisit thotë se ky vendim, prek një nga ligatinat më të rëndësishme të Mesdheut dhe rrugën kryesore të shtegtimit të shpendëve (përfshirë flamingot e pelikanët). 

“Ai rishikon kufijtë e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë dhe Pishë Poro, dhe zonimin e saj të brendshëm”, argumenton eksperti Nika.

“Të tria këto vendime ne i kemi sfiduar në rrugë ligjore duke i adresuar në Gjykatën Administrative të Apelit. Proceset janë ende në vijim. Kur proceset filluan të bëheshin interesante, qeveria e ndjeu rrezikun dhe përdori parlamentin për të noterizuar aktin e fundit: Ligjin për Zonat e Mbrojtura. Ky ligj legjitimon zhvillimet intensive të natyrës urbane brenda zonave të mbrojtura”,  thotë për Faktoje.al Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i “EcoAlbania”.

Foto: Atdhe Mulla
Foto: Atdhe Mulla

Qëndrimi zyrtar i autoriteteve

Por nga ana tjetër, në një përgjigje sqaruese të posaçme me shkrim për Faktoje.al, Agjencia e Medias për Informim, i argumentoi këto vendime “me nevojën e modernizimit të rrjetit të zonave të mbrojtura sipas standardeve të BE dhe të IUCN-së, International Union for Conservation of Nature) duke reflektuar njohuritë më të fundit shkencore dhe realitetin në terren”.

Për autoritetet shqiptare – “në praktikë, zonat e mbrojtura shqiptare ishin krijuar në periudha të ndryshme, me kritere jo gjithmonë të njëjta dhe me kufij që në shumë raste nuk pasqyronin habitatet natyrore apo njësitë ekologjike”.

Në përgjigje sqarohet se “Për këtë arsye u krye një proces rishikimi, ku: u harmonizuan kategoritë e mbrojtjes me klasifikimin ndërkombëtar të IUCN (International Union for Conservation of Nature) u korrigjuan kufijtë për të ndjekur më mirë kufijtë ekologjikë dhe jo vetëm administrativë, u eliminuan mbivendosjet dhe pasaktësitë e krijuara ndër vite si dhe u përfshinë sipërfaqe të reja me vlera të larta natyrore duke i çuar në 22% këto sipërfaqe”

Këto ndryshime sipas zyrtarëve ishin produkte të një studimi kombëtar i kryer nga Shoqata Kombëtare e Parqeve të Shqipërisë me mbështetjen financiare të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.

Qëndrimet mbi ndryshimet në Ligjin për zonat e mbrojtura

Foto nga Butrinti

Drafti fillestar i një grupi deputetësh të PS mbështetur edhe në kërkesa të disa bashkive u konsultua sipas ekspertëve edhe me grupet e interesit, por me keqardhje ata thonë se parlamenti miratoi në shkurt të vitit 2024 draftin që reflektoi më së shumti ndërhyrjet e Qeverisë dhe të Ministrisë së Turizmit, të pakonsultuara me këto grupe.

Ligjvënës të shumicës qeverisëse në atë kohë mbrojtën idenë se ligji nuk do të lejonte “ndërtime pa kriter” apo masive, por vetëm struktura ekologjike të turizmit të nivelit të lartë (resorte me 5 yje), me argumentin se, turizmi elitar sjell të ardhura të mëdha për shtetin dhe nuk dëmton mjedisin sa turizmi masiv popullor.

Por argumentet e opozitës dhe organizatave mjedisore janë kryekëput të kundërta, duke e cilësuar atë një ligj ogurzi për mjedisin, ekosistemet kombëtare dhe biodiversitetin.

Jorida Tabaku veçon disa problematika të ligjit për Zonat e Mbrojtura ndërsa argumenton dhe idenë e shfuqizimit të Ligjit për Investimet Strategjike, kërkesë e Komisionit Evropian. Të dyja këto ligje, thotë ajo, ndërthuren me njëra tjetrën në dëm të mjedisit dhe tregut të lirë.

“Ndryshimet e vitit 2024 në Ligjin për Zonat e mbrojtura i hapin rrugën një përqindje të caktuar ndërtimesh (20% deri në 40%) në këto zona. Ligji centralizon kompetencat, heq disa përgjegjësi nga pushteti lokal dhe ia kalon ato Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT).

Gjithashtu, Ligji për Investimet Strategjike duhet anuluar sepse ndan asete publike pa garë dhe pa konkurrencë të lirë (jep favore dhe heq taksa) duke cenuar tregun e lirë. Nëse deri dje investimet strategjike nuk lejoheshin në zona të mbrojtura, tashmë ato lejohen”,  shprehet Jorida Tabaku.

E ndërsa Kryeministri Edi Rama është zotuar në Bruksel se Ligji i Investimeve Strategjike do të shfuqizohet, pasi siç u shpreh ai, e ka kryer misionin, debati mbi ndryshimet e Ligjit për Zonat e mbrojtura duket se do të vazhdojë gjatë. Ekspertët e mjedisit vijojnë të jenë mjaft kritikë.

“Pas amendimeve të vitit 2024, ligji, pa çka se titullohet ‘Ligji për Zonat e Mbrojtura’, në fakt është ‘Ligji për Zonat e Mbetura’. Mbrohen efektivisht vetëm ato zona që kanë mbetur jashtë interesit momental të ndonjë zhvilluesi apo investitori strategjik”, argumenton Olsi Nika, ekspert mjedisi.

Por në argumentet shtjelluese për Faktoje.al Agjencia e Medias për Informim thotë se “Ndryshimet e vitit 2024 nuk synojnë liberalizimin e pakontrolluar të ndërtimeve, por krijimin e një kuadri më të qartë ligjor për zhvillimin e aktiviteteve që konsiderohen të pajtueshme me objektivat e ruajtjes së natyrës” duke i mëshuar faktit se “ligji nuk krijon një të drejtë automatike për të ndërtuar në zonat e mbrojtura, pasi çdo projekt duhet të kalojë filtra të detyrueshëm si procedura e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis sipas rastit apo marrja e autorizimeve të parashikuara në legjislacion. Koncepti nuk është – ‘zhvillim në dëm të natyrës’, – por zhvillim i kontrolluar dhe i kushtëzuar, i ngjashëm me modelet që ekzistojnë në shumë shtete anëtare të Bashkimit Evropian. Këto ndryshime nuk përjashtojnë asnjë nga garancitë procedurale të kërkuara nga e drejta evropiane”, thuhet më tej në përgjigjen e Agjencisë për Media dhe Informim.

Kundërshtia  

Por për një nga zërat mbrojtës të turizmit, natyrës dhe trashëgimisë kulturore, Auron Tare, asgjë nuk ka qenë e rastësishme apo një rrjedhë brenda normalitetit:

“Të gjitha këto ligje të bëra me porosi tregojnë se qeveria gjatë këtyre viteve ka miratuar kuadër ligjor për qëllime të caktuara. Veçanërisht ‘Albania Files’ tregon se ekziston një vizion i Kryeministrit, i caktuar për t’i çuar përpara këto projekte pa konsultim publik dhe pa plotësuar detyrimet ligjore. Të gjitha këto janë anashkaluar në mënyrën më arrogante”,  thotë për Faktoje.al Auron Tare, Hulumtues / Anëtar i Këshillit Shkencor të UNESCO-s për Trashëgiminë Nënujore.

Rruga gjyqësore

Përkundrejt debatit politik dhe teknik mes Tiranës dhe Brukselit, ambientalistët kanë ndjekur një rrugë tjetër atë të Gjykatës, duke i atakuar ndryshimet e vitit 2024 në Ligjin e Zonave të Mbrojtura në Gjykatën Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese, në vitin 2025 përmes votimit 4 me 4, nuk arriti të marrë vendim për kërkesën e deputetëve të opozitës mbështetur dhe nga organizatat mjedisore për pezullimin e ligjit, ndërsa mori vendim 5 me 3 për rrëzimin e kërkesës për antikushtetueshmërinë e ligjit.

Organizata AOS dhe EcoAlbania e kanë dërguar vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese sa i përket ligjit të Zonave të Mbrojtura në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strazburg. 

Ndërkohë EcoAlbania ka dërguar një ankimim për projektet në zonën e Pishë-Poro Nartës (përfshirë dhe atë të Zvërnecit) dhe ndryshimet ligjore edhe në Konventën e Bernës.

Këto projekte janë tashmë dhe në fokusin e Brukselit. Në përgjigjen me shkrim të një Zëdhënësi të Komisionit Evropian për Faktoje.al thuhet se:

“Komisioni Evropian po e monitoron nga afër situatën, si dhe po siguron një kontakt të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare dhe shoqërinë civile. Në rastin e projektit në zonën Pishë Poro–Nartë – ashtu siç është rasti për të gjitha projektet që janë në vijim në Shqipëri, ai do të duhet të jetë në përputhje me kriteret e vendosura në kuadër të kapitullit të mjedisit (27) të procesit të anëtarësimit. Ky kapitull është aktualisht i hapur”,  argumenton për Faktoje.al përmes një zëdhënësi Komisioni Evropian.

Por autoritetet në Tiranë vijojnë të përsërisin se legjislacioni do përshtatet në kuadër të negociatave me atë të BE, por pa dhënë detaje konkrete se si, edhe pse nga ana tjetër i mbrojnë ndryshimet e atakuara në Ligjin për Zonat e Mbrojtura.

Agjencia për Media dhe Informim duke ju përgjigjur interesit Faktoje.al u shpreh se Ligji për Zonat e Mbrojtura do të përputhet 100% me direktivën si pjesë e kalendarit të miratuar me Komisionin Evropian. “Në fund do shohim se kush kishte të drejtë e kush kishte më pak të drejtë” , thuhet në përgjigjen e MIA-s.

Situata në terren dhe monitorimi i zonave

Foto nga Karaburuni

Por ekspertët mjedisorë aktualisht mendojnë se fundi duket i pafund, duke renditur disa zona të mbrojtura të prekura nga ligji, në të cilat kanë nisur apo janë në pritje projektet ndërtimore si në:

•      Zonën e Pishë Poro Nartë,

•      Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta

•      Parkun natyror Karaburun,

•      Parkun Kombëtar të Butrintit ( Gjiri i Manastirit / Aramerë)

•      Kompleksin ligatinor Kune –Vain –Tale

•      Në zonën Rana e hedhun, monument natyre kategoria e tretë.

•      Në Zonën Bunë Velipojë, rezervat natyror i menaxhuar.

Aktivistët mjedisorë argumentojnë se në këto zona shihet një përmbledhje ndërtimesh që përfshijnë komplekse rezidenciale, struktura për ankorim jahtesh e mjetesh detare, si dhe hotele me shumë kate që zëvendësojnë strukturat tradicionale apo mjedisore.

“Në ato zona që janë prekur, dëmi mjedisor është i jashtëzakonshëm sepse ato nuk mund të quhen më territore të mbrojtura, por janë kthyer në zona urbane. Te Gjiri i Manastirit shikon vetëm ndërtim, asnjë gjelbërim. E njëjta gjë në Rezervatin Natyror të Karaburunit apo me projekte në Parkun Kombëtar të Butrintit. Praktikisht s’ka më mbrojtje ligjore” , thotë për Faktoje.al Taulant Bino, Ornitolog / Drejtues i Shoqërisë Ornitologjike Shqiptare (AOS).

Organizatat mjedisore argumentojnë se ndryshimet në Ligjin për Zonat e mbrojtura nuk kanë krijuar thjesht një debat lokal, por e kanë vendosur shtetin shqiptar në pozita të forta përplasjeje me Këshillin e Evropës (Konventa e Bernës), Komisionin Evropian dhe rrjetet e konventave mjedisore globale.

“Ka pasur dy rrugë paralele: nga njëra anë rruga zyrtare me BE-në, ku u është thënë ‘po’ çdo kërkese; nga ana tjetër, rruga e ndjekur për interesa, qëllime dhe planifikime të caktuara. Këto dy rrugë nuk bashkohen. Tani që ka pasur reagime, BE-ja po e kupton se ajo që është premtuar në letër dhe ajo që po bëhet në terren janë dy gjëra plotësisht të kundërta,”  vijon Auron Tare.

Por nga ana tjetër edhe presioni i brendshëm gjithashtu është mjaft i lartë. Prej gati dy muajsh, një rezistencë e gjerë qytetare që nisi në kundërshtim të ndërtimit të një resorti luksoz në Zvërnec, “nën petkun” e Revolucionit të Flamingove është artikuluar qartë në ruajtjen e mjedisit, habitateve natyrore dhe ekosistemeve.

” Çdo lëvizje e qeverisë do të jetë në ‘sitën’ e BE-së. Nëse qeveria vazhdon kundër zonave të mbrojtura, atëherë i thotë ‘mirupafshim’ procesit të integrimit evropian. Protesta e shoqërisë civile ka dhënë mesazhe shumë të qarta, si: Shfuqizimin e Ligjit për Investimet Strategjike, shfuqizimin e amendamenteve dëmtuese të Ligjit për Zonat e Mbrojtura, transparencë mbi vendimmarrjen e sektorit të turizmit elitar dhe anulimin e projektit të Zvërnecit dhe projekteve simotra”, vijon Taulant Bino.

Debati mbetet i hapur 

Debati mbi Ligjin e Zonave të Mbrojtura tashmë ka kaluar kufijtë e një diskutimi lokal mjedisor, duke u kthyer në një nga sprovat më të vështira të Kapitullit 27 dhe test kyç për balancën mes zhvillimit ekonomik dhe detyrimeve integruese të Shqipërisë. Ndërsa institucionet shtetërore këmbëngulin se kuadri i ri do të përafrohet plotësisht me direktivat e BE-së sipas kalendarit të negociatave, sprova e vërtetë mbetet te zbatimi i tij në terren.

Në këtë udhëkryq, zotimi i qeverisë për harmonizim ligjor po përballet me presionin e Brukselit dhe atë të reagimit qytetar në vend. Në fund, suksesi apo dështimi i kësaj reforme nuk do të matet me deklarata politike apo kalendare negociatash, por me atë se çfarë do të mbetet realisht e mbrojtur në territorin dhe ekosistemet e Shqipërisë.

The post Betejë për zonat e mbrojtura apo zonat e mbetura? appeared first on Faktoje.al.

  •  

17 vite nën objektivin e NATO-s për mbrojtjen

Esmeralda Topi 

Miratimi i marrëveshjes së huasë 302 milionë dollarë për modernizimin e Forcave të Armatosua me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veç debatit procedurial që përfundoi në Gjykatën Kushtetuese nga Partia Demokratike, ndezi edhe diskutimet mbi detyrimet e Shqipërisë ndaj NATO-s. 

Javën e kaluar, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, përsëriti disa herë se qeveria e drejtuar nga Edi Rama nuk ka përmbushur për vite me radhë angazhimet e Shqipërisë ndaj NATO-s. 

Verifikimi i Faktoje tregon se pretendimi është i saktë sa i përket mosarritjes së angazhimit kryesor financiar të NATO-s, atë të shpenzimit të të paktën 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen.

Shqipëria nuk arriti objektivin 2% të NATO-s

Faktoje analizoi buxhetin e mbrojtjes që prej 2009, vitit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, për të sjellë një pasqyrë të plotë të shpenzimeve që nga qeverisja e demokratëve e deri këtë vit. 

Siç mund të shihet edhe nga grafiku, që prej anëtarësimit në NATO 17 vite më parë, Shqipëria ka pasur vështirësi për të arritur pragun e shpenzimeve të mbrojtjes të kërkuar nga Aleanca.

Gjatë qeverisjes demokrate (viteve 2009–2013) viti me shpenzimet e mbrojtjes më të larta ka qënë viti i anëtarësmit, me 21 miliardë lekë. Më pas shpenzimet janë ulur në 20 miliardë lekë dhe në 2013 kur demokratët humbën pushtetin në 19 miliardë lekë. Pas vitit 2013, buxheti i mbrojtjes sërish nuk ishte prioritet. Referuar llogaritjeve, tre vitet e para të qeverisjes socialiste me LSI-në buxheti për ministrinë e mbrojtjes ka qënë më i ulët se koha e demokratëve. 

Rritja graduale nis në 2017 por mbështetja e buxhetit ndaj mbrojtjes nis të bëhet domethënëse pas viti 2021. 

Pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, rritja e presionit ndërkombëtar u shtua kur NATO u kërkoi vendeve anëtare të rrisnin investimet në mbrojtje. Sipas vlerësimit të NATO-s, objektivi minimal ishte që shpenzimet për mbrojtjen të ishin të paktën 2% e prodhimit kombëtar. 

Të dhënat ndërvite tregojnë se as gjatë qeverisjes së Sali Berishës dhe as gjatë pjesës më të madhe të qeverisjes së Edi Ramës, Shqipëria nuk e arriti pragun prej 2% të PBB-së për mbrojtjen.

Madje, në qershor të këtij viti, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se Shqipëria ishte mes vendeve që nuk kishin përmbushur pragun e kërkuar gjatë vitit të kaluar. 

Rritja e buxhetit pas presionit të Aleancës

Deklarata e Rutte vinte pak ditë përpara samitit të NATO-s në Ankara dhe pasonte raportimin e Reuters që më herët kishte vënë në pikëpyetje organizimin e samitit të 2027 të NATO-s në Shqipëri për shkak të nivelit të shpenzimeve ushtarake.

Në një përgjigje për Faktoje, një zëdhënës i Aleancës konfirmoi deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm Mark Rutte, sipas së cilës Shqipëria, Çekia dhe Sllovenia nuk e kishin arritur objektivin 2% gjatë vitit 2025, edhe pse diferenca konsiderohej relativisht e vogël në raport me buxhetin total të Aleancës. 

Kështu, më 30 qershor 2026, qeveria shqiptare miratoi një akt normativ për ndryshimin e Buxhetit të Shtetit. Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2026 u rrit nga:

  • 58.9 miliardë lekë, sipas planit fillestar
  • 69.2 miliardë lekë pas ndryshimit buxhetor.

Shtesa ishte mbi 10.2 miliardë lekë, ose rreth 17.5% më shumë se parashikimi fillestar. Qeveria pranoi se shkak për ndryshimin ishte Aleanca. Kryeministri Edi Rama e lidhi këtë rritje me angazhimet e Shqipërisë ndaj NATO-s dhe nevojën për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse. Në përfundim të samitit në Ankara, Mark Rutte konfirmoi se samiti i ardhshëm i NATO-s do të zhvillohet në Shqipëri, ndërsa data mbetet ende për t’u përcaktuar.

Pretendimi

“Për vite me radhë qeveria e Shqipërisë nën drejtimin e Edi Ramës nuk përmbushi angazhimet e Shqipërisë ndaj NATO-s” - Gazment Bardhi, kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

Me këtë shtesë të buxhetit objektivi prej 2% të PBB-së u tejkalua. 

Përfundim

Deklarata e kryetarit të grupit të PD-së, Gazment Bardhi, se qeveria e drejtuar nga Edi Rama nuk ka përmbushur për vite me radhë angazhimet e Shqipërisë ndaj NATO-s është e vërtetë, duke iu referuar objektivit kryesor financiar të Aleancës për shpenzimet e mbrojtjes. 

Të dhënat tregojnë se Shqipëria nuk ka arritur pragun prej 2% të PBB-së për mbrojtjen gjatë pjesës më të madhe të periudhës së qeverisjes Rama dhe vetëm në vitet e fundit ka shtuar ndjeshëm financimin për këtë sektor.

Por ekzistojnë dallime në mënyrën e përllogaritjes së shpenzimeve. Llogaritjet bazuar vetëm në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe PBB-në shqiptare tregojnë se 2025 e ka arritur objektivin 2%. Ndërkohë, NATO përdor një metodologji më të gjerë, e cila përfshin edhe kategori të tjera të shpenzimeve të mbrojtjes, si pensionet ushtarake dhe kontributet në operacione ndërkombëtare. Pikërisht sipas kësaj metodologjie, Shqipëria mbeti nën objektivin 2% edhe vitin e shkuar.

The post 17 vite nën objektivin e NATO-s për mbrojtjen appeared first on Faktoje.al.

  •  
❌