“Arrestohet” 5-vjeçari nga agjentët e emigracionit në Minnesota
Autoritetet amerikane të imigracionit kanë ndaluar këtë muaj të paktën katër fëmijë, përfshirë një 5-vjeçar, në zonën e Minneapolis, në kuadër të operacioneve të administratës së Trump kundër emigracionit të paligjshëm.
Sipas autoriteteve lokale, rreth 3 mijë agjentë federalë janë dislokuar në qytetin më të madh të Minesotës, duke rritur ndjeshëm tensionet mes komuniteteve emigrante.
Një nga rastet më tronditëse është ai i Liam Conejo Ramos, vetëm 5 vjeç, i cili pa babanë e tij të arrestohej nga agjentë të maskuar në oborrin e shtëpisë, ku sapo ishte kthyer nga kopshti.
Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare deklaroi se babai i fëmijës ndodhej ilegalisht në Shtetet e Bashkuara, por nuk dha detaje mbi ndonjë precedent penal.
Autoritetet theksuan se fëmijët nuk janë objektiv i drejtpërdrejtë i operacioneve dhe se prindërve u ofrohet mundësia të vendosin për kujdestarinë e tyre.
Megjithatë, drejtues të shkollave konfirmojnë edhe raste të tjera: një 17-vjeçar u ndalua nga agjentë të armatosur teksa shkonte në shkollë, një 10-vjeçare u ndalua dy javë më parë dhe ndodhet ende në një qendër ndalimi në Teksas, ndërsa një tjetër adoleshente u arrestua bashkë me nënën e saj në banesë.
“Është e qartë se ajo që po shohim në rrugët tona tani është diskriminim vetëm në bazë të racës. Pra, po, në Minneapolis, ne duam të zgjidhim krimin. Ne duam të arrestojmë vrasësit. Ajo që po shohim është se kjo ka më shumë të bëjë me hakmarrjen politike, me terrorizimin e njerëzve sesa me sigurinë”, tha Jacob Frey, kryetari i Bashkisë së Minneapolisit.
Ngjarjet kanë shkaktuar reagime të forta nga demokratët dhe autoritetet lokale, të cilët akuzojnë agjentët federalë për përdorim force të panevojshme dhe për krijimin e një klime frike mes komuniteteve emigrante.