Napoli ka shënuar fitore komode në udhëtim te Cremonese, në kuadër të xhiros së 17-të në Serie A.
“Napolitanët” triumfuan me rezultat 0-2, që ishte ndeshja e parë pas fitimit të Superkupës së Italisë.
Rasmus Hojldund sërish ishte heroi i Napolit, ku këtë herë realizoi dy gola për ta ndihmuar klubin italian t’i merr pikët e plota.
Danezi fillimisht përfitoi nga një top i kthyer për ta zhbllokuar epërsinë (13’), kurse më vonë mori një asistim të bukur nga McTominay për ta vulosur fitoren (45’).
Cremonese nuk është që krijoi ndonjë rast të rrezikshëm, me kapitenin Amir Rrahmani, i cili sërish zhvilloi paraqitje solide për ta ndihmuar skuadrën ta mbajë portën e paprekur.
Napoli me këtë fitore shkon në kuotën e 34 pikëve ndërsa Cremonese qëndron në pozitën e 12-të me 21 sosh./Telegrafi
Ministri i ekonomisë Besar Durmishi disa herë ka thënë se nuk do të lejojnë që çmimet të rritet në mënyrë enorme dhe se vazhdimisht kontrollohen çmimet në treg nga inspekorati i tregut.
“Deri në fund të vitit inspekorati i tregut është në terren dhe bën kontrolle. Ju informoj se vetëm në vitit 2025 janë bërë rekord kontrolle, pra 25 mijë, ku janë regjistruar rreth 2,5 milionë euro dënime për tregtarët dhe të tjerëve në shtet që nuk e kanë respektuar ligjin”, deklaroi ministri i ekonomisë Besar Durmishi.
Por, derisa qeveria pretendon se i mban çmimet në kontroll, nga Lidhja e Sindikatave argumentojnë se çmimet e tregut janë të larta dhe se kërkesa për pagë minimale prej 500 eurove nuk qëndron. Me kostot e fundit të konsumit, kjo sindikatë përllogarit që paga minimale tashmë duhet të jetë mbi 600 euro.
“Paga minimale prej 500 eurove tash me inflacion është e pamjaftueshme për nevojat thelbësore për jetesë, dhe, punëtorët vlerësojnë se paga minimale duhet të jetë midis 600 dhe 700 eurove. Në mënyrë shtesë kemi nxjerrë argumentet nga Enti shtetëror i statistikave, Drejtoria për të Ardhura Publike, ku vërtetohet se nga vitit 2022 kur u ndryshua metodologja dhe rritja e pagës minimale, numri i kompanive të hapura është dyfish më i madh se numri i kompanive që janë mbyllur”, u shpreh Sllobodan Trendafilov nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.
Paga minimale të rritet ashtu siç bëjnë vendet e rajonit, porosin nga lidhja e sindikatave të Maqedonisë. Sipas tyre, është e turpshme të lëvdërohesh me rritje të minimales prej 1.500 denarësh.
Tezja e Selin Bollatit ka qenë së fundmi e ftuar në "Big Brother VIP Fan Club", ku ka folur për të dhe këto ditë të saj në shtëpinë më të famshme në Shqipëri.
Ajo ka komentuar raportin me Armir Shahinin, pas një sfide që kishin, për të ndarë shtratin bashkë.
E njëjta flet në emër të familjes duke thënë se ajo është e zgjuar dhe e di se si të veproj në secilin rast.
Foto: YouTube
"Situata mund të quhet ulje-ngritje, Prime i parë ishte shumë ndikues, një ide që jo ashtu siç u mor. Selin është nisur pa asnjë lloj plani, nuk di të ec me laps dhe letër, një vajzë e çiltër, shumë besnike. Kjo është një lojë. Nuk ishte zgjedhja e saj. Për këtë më vjen keq", u shpreh ajo.
Tezja e Selin ka folur edhe për atë nëse mund të ketë diçka më shumë me Mirin.
"Selin është rritur nga një familje shumë e madhe, me dashuri shumë të madhe. Prindërit e Selin i kanë falur dashuri shumë të madhe. Kategorikisht unë jam këtu për të mohuar dhe për të shuar disa zëra sepse kjo është një gjë, duke e njohur, është një gjë që duhet të shuhet. Mosha e babait të Selin është 47 vite dhe kurrsesi nuk jemi të rritur në atë frymë", u shpreh ajo.
Tutje theksoi: "Nuk mundet Selin të ketë pëlqim për babanë e vet dhe një burrë të martuar që gëzon familje të shëndetshme. Kjo duhet të ndalohet si gjë". /Telegrafi/
Zvicra nuk mund të mbrohet nga një sulm në shkallë të plotë dhe duhet të rrisë shpenzimet ushtarake duke pasur parasysh rreziqet në rritje nga Rusia.
Ky, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, është mesazhi i fundit nga kreu i forcave të saj të armatosura.
Vendi është i përgatitur për sulme nga "aktorë jo-shtetërorë" ndaj infrastrukturës kritike dhe për sulme kibernetike, por ushtria e saj ende përballet me boshllëqe të mëdha në pajisje, ka thënë Thomas Suessli për gazetën NZZ.
"Ajo që nuk mund të bëjmë është të mbrohemi nga kërcënimet nga distanca ose edhe nga një sulm në shkallë të plotë ndaj vendit tonë", citohet të ketë thënë Suessli, i cili do të largohet në fund të vitit.
"Është e rëndë të dish se në një emergjencë të vërtetë, vetëm një e treta e të gjithë ushtarëve do të ishin të pajisur plotësisht", ka shtuar ai, në një intervistë të botuar të shtunën.
Siç vënë në pah mediat, Zvicra po rrit shpenzimet e mbrojtjes, po modernizon artilerinë dhe sistemet tokësore dhe po zëvendëson aeroplanët luftarakë të vjetër me Lockheed Martin F-35A.
Por plani përballet me tejkalime të kostove, ndërsa kritikët vënë në pikëpyetje shpenzimet për artilerinë dhe municionet “mes financave të ngushta” federale.
Suessli tha se qëndrimet ndaj ushtrisë nuk kishin ndryshuar pavarësisht luftës në Ukrainë dhe përpjekjeve ruse për të destabilizuar Evropën.
Ai “fajësoi” distancën e Zvicrës nga konflikti, mungesën e përvojës së saj të fundit në luftë dhe besimin e gabuar se neutraliteti ofronte mbrojtje.
"Por kjo është historikisht e pasaktë. Ka disa vende neutrale që ishin të paarmatosura dhe u tërhoqën në luftë. Neutraliteti ka vlerë vetëm nëse mund të mbrohet me armë", tha ai.
Zvicra është zotuar të rrisë gradualisht shpenzimet e mbrojtjes në rreth 1% të PBB-së deri rreth vitit 2032, nga afërsisht 0.7% tani - shumë më poshtë nivelit prej 5% të rënë dakord nga vendet e NATO-s.
Dhe me atë ritëm, vlerësohet se ushtria zvicerane do të jetë plotësisht gati vetëm rreth vitit 2050.
"Kjo është shumë kohë duke pasur parasysh kërcënimin", ka paralajmëruar Suessli. /Telegrafi/
Mesfushori Toni Kroos ka zgjedhur Cristiano Ronaldon si futbollisti më i mirë që ka luajtur, ndërsa Carlo Ancelottin si trajneri më i preferuar.
Kroos u pensionua vitin e kaluar ndërsa në një intervistë së fundi me Romarion, komentoi në pika të shkurtër karrierën.
“Lojtari më i mirë që kam luajtur ishte Cristiano Ronaldo. Cristiano shënoi më shumë gola sesa ndeshje që zhvilloi për Real Madridin, nuk ka asgjë për të shtuar”.
Kroos pastaj dha lëvdata të mëdha për Carlo Ancelottin, i cili po drejton kombëtaren e Brazilit.
“Ancelotti është trajneri më i mirë që kam punuar. Ai di si të menaxhojë një skuadër të madhe më mirë se të gjithë të tjerët, jo vetëm në perspektivën e futbollit por në të gjitha aspektet”.
Duke zgjedhur lojën më të mirë të karrierës, Kroos e përmendi finalen e Ligës së Kampionëve të vitit 2017, ku Reali e demoloi Juventusin me rezultat 4-1.
Në fund, ai shtoi se gjithçka ka qenë si ëndërr dhe është krenar që ka luajtur për një dekadë në fanellën galaktike.
“Real Madridi ishte klubi më i madh për të cilin kam luajtur. Isha më fat që luajta për 10 vite aty. Ishte si një familje e madhe dhe shumë herë më e suksesshme. Gjithçka që kam pasur ka qenë sikur të ishte ëndërr”, nënvizoi ai.
Ndërkohë, gjermani tani ka një shkollë futbolli ku iu mëson fëmijëve hapat e parë të karrierës./Telegrafi
Aktorja legjendare franceze, simbol seksi dhe ikonë e filmit të viteve ’60, ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare. E njohur për rolin në filmin And God Created Woman, por edhe si aktiviste për të drejtat e kafshëve
Brigitte Bardot nuk ishte vetëm fytyra e valës së re franceze të kinematografisë, por edhe simbol i fuqisë së bukurisë, hijeshisë dhe personalitetit të papërmbajtshëm. Karriera e saj në modelim, aktrim dhe këndim në Evropën e viteve ’50 dhe ’60 e shndërroi në një “bombë” të vërtetë të asaj kohe. Megjithatë, pas shkëlqimit dhe dritave të reflektorëve fshihej një jetë e mbushur me trauma, konflikte familjare dhe sprova personale, të cilat formësuan reputacionin e saj rebel dhe skandaloz.
1. Ishte një vajzë e pasur, por e varfër shpirtërisht
Brigitte Bardot lindi më 28 shtator 1934 në Paris, në një familje që kishte gjithçka që paratë mund të ofronin. Babai i saj ishte një inxhinier i suksesshëm dhe i pasur, ndërsa nëna vinte nga një familje e kamur, vajza e drejtorit të një kompanie sigurimesh. Gjithçka që një vajzë mund të dëshironte ishte në dispozicion: shtëpi luksoze, qasje në shkollat më të mira dhe të gjitha privilegjet materiale.
profimedia
Megjithatë, paratë dhe statusi shoqëror nuk mundën të zëvendësonin ftohtësinë emocionale dhe pakënaqësinë brenda familjes. Jeta në shtëpi ishte e tensionuar, e distancuar dhe e mbushur me disiplinë të rreptë. Brigitte e re e kuptoi shumë herët se luksi nuk sjell lumturi dhe se pasuria materiale nuk mund të zëvendësojë dashurinë, vëmendjen dhe ndjenjën e përkatësisë. Rritja në një ambient të tillë formësoi nevojën e saj për liri dhe pavarësi, por gjithashtu shkaktoi plagë të thella emocionale që e shoqëruan gjatë gjithë jetës.
2. U rrit nën rregulla tepër të rrepta
Brigitte dhe motra e saj, Mijanou, u rritën nën një edukim shumë të rreptë, konservator dhe thellësisht katolik. Çdo hap i tyre ishte nën vëzhgimin e vazhdueshëm të prindërve dhe pritshmëritë ishin të qarta: vajzat duhej të silleshin me përmbajtje, të respektonin rregullat formale të sjelljes dhe të lëviznin si kukulla në një botë ku dëshirat personale shuheshin që herët.
Nëna e saj nuk i lejonte as zgjedhjen e shoqërisë, gjë që e bëri fëmijërinë e Brigitte-s të izoluar dhe të vetmuar. Dëshira për liri dhe për shprehje të individualitetit filloi të zgjohej në heshtje, e fshehur pas buzëqeshjes së një vajze të bindur. Ky edukim krijoi një kontrast të thellë mes paraqitjes së jashtme të hijshme dhe betejës së brendshme, e cila më vonë u bë pjesë e karrierës dhe imazhit të saj publik.
3. Përjetoi zemërimin e dhunshëm të babait
Një nga ngjarjet më traumatike të fëmijërisë së Brigitte Bardot ishte përplasja me të atin, e cila la gjurmë të thella emocionale. Kur ajo dhe motra e saj thyen aksidentalisht vazon më të shtrenjtë të familjes, babai reagoi me dhunë të skajshme. Ai shpërtheu në zemërim dhe i goditi brutalisht rreth 20 herë. Më pas u soll sikur asgjë nuk kishte ndodhur dhe i trajtoi si “të huaja”.
Këto përvoja e formësuan natyrën e saj rebele – sa më shumë e urrente autoritetin prindëror, aq më fort dëshironte ta sfidonte dhe të gjente rrugën e saj. Ky episod mbeti i gdhendur thellë në psikikën e saj dhe shpesh konsiderohet momenti që përcaktoi personalitetin e saj të patrembur dhe nevojën për t’u përballur me rregullat dhe pritshmëritë e të tjerëve, transmeton Telegrafi.
4. Kishte potencial për t’u bërë balerinë
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Brigitte e kalonte pjesën më të madhe të kohës brenda shtëpisë. Për të kaluar orët e izolimit, ajo pëlqente të dëgjonte pllakat e saj të preferuara dhe të kërcente nëpër dhomë. Nëna e saj vuri re shpejt hijeshinë natyrore dhe talentin e vajzës dhe vendosi ta regjistronte në mësime baleti.
Nëna ëndërronte një karrierë të begatë baleti për të bijën, por fati kishte plane të tjera. Mësimet e baletit, në vend që ta çonin drejt skenave të teatrove të baletit, ia hapën rrugën jetës publike dhe industrisë së filmit, duke vendosur themelet e një karriere të stuhishme, skandaloze, por njëkohësisht të parezistueshme për Brigitte Bardot.
5. Ishte e pakundërshtueshme në bukurinë e saj
Deri në vitin 1949, Brigitte studionte balet në Konservatorin prestigjioz të Parisit, nën udhëheqjen e koreografit rus Boris Knyazev. Bukuria dhe hijeshia e saj nuk mund të kalonin pa u vënë re. Fytyra e saj e butë dhe prania tërheqëse tërhoqën vëmendjen e Hélène Gordon-Lazareff, drejtoreshë e revistës Elle. Pikërisht atëherë ajo mori një ofertë që do t’i ndryshonte jetën përgjithmonë, duke i hapur dyert e botës së filmit dhe duke e shndërruar në simbol seksi dhe elegance në Evropë.
Përzierja e bukurisë natyrore, hijeshisë dhe shpirtit rebel e bëri Brigitte-n të parezistueshme për publikun, por edhe burim të vazhdueshëm polemikash, pasi ajo kurrë nuk i fshehu mendimet dhe qëndrimet e saj, pavarësisht reagimeve të rrethit shoqëror.
profimedia
6. U shndërrua në “mall të kërkuar”
Që në moshën 15-vjeçare, Brigitte Bardot u bë një emër shumë i kërkuar. Hélène Gordon-Lazareff, drejtoreshë e atëhershme e revistës Elle, e njohu potencialin e saj dhe e përzgjodhi si modele shumë të re. Vitin pasues, fytyra e Brigitte-s zbukuroi kopertinën e revistës, edhe pse ajo ishte ende vetëm një vajzë.
Për një moshë kaq të re, këto mundësi ishin njëkohësisht magjepsëse dhe frikësuese. Bota e modës i hapi dyert dhe e rriti ndjeshëm dukshmërinë e saj, por shumë shpejt u shfaq edhe industria e filmit, e cila dëshironte ta angazhonte. Ky kombinim i shkëlqimit dhe ofertave filmike ia ndryshoi jetën brenda natës. Vajza që deri dje jetonte nën një përditshmëri të rreptë dhe të kufizuar, tani gjendej përballë gjithë botës dhe bota donte ta shihte.
Për Brigitte-n, ky ishte momenti kur kuptoi sa shumë mund ta ndryshonte jetën fuqia e bukurisë. Njëkohësisht, ishte hera e parë që ajo u detyrua të përballej drejtpërdrejt me pritshmëritë dhe kontrollin prindëror.
7. Nuk e kaloi audicionin
Prindërit e Brigitte-s u tronditën dhe u kundërvunë fort idesë që vajza e tyre, ende e mitur, të hynte në botën e filmit. Për ta, industria kinematografike ishte sinonim i rrezikut moral dhe i ekspozimit të padëshiruar. Megjithatë, Brigitte kishte një aleat brenda familjes, gjyshin e saj, i cili kishte një këndvështrim tjetër dhe shprehej hapur: “Nëse kjo vajzë bëhet prostitutë, nuk do të jetë për shkak të filmit.”
Pavarësisht këtij qëndrimi mbështetës, Brigitte dështoi në audicionin e saj të parë. Megjithatë, fati i rezervoi një kthesë të papritur, personi që i komunikoi lajmin e keq ishte i ri, i pashëm dhe sharmant, gjë që vetëm sa e shtoi emocionin dhe shënoi fillimin e natyrës së saj rebele. Ky episod hodhi themelet e karrierës së saj të ardhshme dhe të identitetit personal: dështimi nuk ishte fundi, por vetëm fillimi i rrugës drejt suksesit të parë të madh.
8. Kishte një adhurues të padëshiruar
Edhe pse e humbi rolin në filmin Les Lauriers sont coupés, Brigitte fitoi zemrën e skenaristit dhe regjisorit të ri Roger Vadim. Vadim ishte gjithçka që prindërit e saj nuk donin: bohem, shpirt i lirë dhe pa kufizime morale, ashtu siç i konceptonin ata normat “e pranueshme”.
Për Brigitte-n, Vadim përfaqësonte një aventurë të re dhe emocionuese, një mundësi për të përjetuar jetën jashtë rregullave të rrepta dhe kufizimeve që i ishin imponuar që nga fëmijëria. Lidhja me të ishte një nga hapat e parë të rebelimit të hapur. Ajo e shijonte faktin se prindërit vuanin për shkak të saj, ndërsa vetë po eksploronte lirinë personale dhe identitetin e saj seksual. Kjo përvojë formësoi reputacionin e saj të mëvonshëm si “bombë seksi rebele” dhe tregoi qartë se ishte e gatshme të ndiqte zemrën e saj, pa marrë parasysh pritshmëritë shoqërore.
profimedia
9. Krijonte situata të pakëndshme
Sa herë që Brigitte sillte Vadim-in në darkë, nëna e saj binte në një gjendje paranoje. Ajo numëronte lugët e argjendta, kontrollonte çdo send dhe ishte e bindur se Vadim po përpiqej t’u vidhte pasurinë. Ndërkohë, pas dyerve të mbyllura, Brigitte dhe Vadim jetonin një lidhje pasionante dhe intensive, e cila e provokonte edhe më shumë babain e saj.
Brigitte e shijonte këtë lojë pushteti dhe vëmendjeje. Ndërsa prindërit përpiqeshin ta mbanin nën kontroll, ajo po mësonte si të bëhej e pavarur dhe e vendosur. Kjo dinamikë mes prindërve dhe vajzës së re formësoi karakterin e saj, e mësoi të ishte e guximshme, e patrembur dhe të përdorte atributet e saj për të arritur atë që dëshironte.
10. Mësoi aftësitë e joshjes
Roger Vadim nuk ishte vetëm i dashuri i saj; ai u bë edhe mentori i Brigitte-s, i cili e futi në botën e pasionit dhe joshjes. Ai e mësoi me sekretet e romancës, sensualitetit dhe vetëbesimit në dashuri, duke e bërë të vetëdijshme për hijeshinë e saj dhe për aftësinë që kishte të ndikonte te burrat. Brigitte ndihej e çliruar, për herë të parë në jetën e saj po bënte diçka që ishte plotësisht në kundërshtim me edukimin e rreptë dhe shtypës të babait.
Babai u zemërua thellë nga ky ndryshim dhe vendosi të ndërmarrë masa të ashpra: planifikoi ta dërgonte Brigitte-n në Angli për arsimim të mëtejshëm, me qëllim që ta shkëpuste nga Vadim. Reagimi i saj ndaj këtij kërcënimi ishte i prerë dhe tregoi qartë se sa e vendosur ishte të luftonte për lirinë dhe dashurinë e saj.
11. Tentoi t’i japë fund gjithçkaje
E thyer plotësisht nga mendimi se do të ndahej nga Vadim, Brigitte, në një çast dëshpërimi, vuri kokën në furrë ndërsa ajo ishte e ndezur. Ndërhyrja e prindërve e pengoi tragjedinë, por ngjarja i tronditi thellë. Në fund, ata u detyruan ta pranonin lidhjen, duke vendosur vetëm një kusht: që ajo të mos martohej para se të mbushte 18 vjeç.
Brigitte dhe Vadim e shfrytëzuan këtë periudhë me mençuri nisën të bashkëpunonin profesionalisht, duke zhvilluar projekte të përbashkëta krijuese dhe duke e forcuar edhe më shumë lidhjen e tyre. Ky ishte fillimi i asaj që mund të quhej “rebelim në çift” kundër pritshmërive familjare dhe mësimi i parë se si dashuria dhe karriera mund të ndërthuren.
12. I dashuri i saj e formësoi karrierën
Vadim dëshironte që Brigitte të bëhej një yll i vërtetë dhe mori mbi vete rolin e mentorit dhe të “krijuesit” të imazhit të saj. Strategjia e tij ishte e qartë: ekspozim i vazhdueshëm publik. Në ngjarje shoqërore, ai qëndronte gjithmonë pranë saj dhe këmbëngulte që fotografët të kapnin këndet më të mira. Filloi ta rekomandonte te regjisorë të tjerë dhe shkroi një skenar që i përshtatej në mënyrë të përkryer talenteve dhe paraqitjes së saj.
Brigitte e shijonte pa masë këtë vëmendje, ndërsa prindërit e saj nuk mund ta injoronin më suksesin e saj gjithnjë në rritje. Vadim dinte saktësisht si ta ndërtonte karrierën e saj dhe ajo, ngadalë por me siguri, po shndërrohej në një fytyrë të njohur të kinematografisë evropiane.
13. Gjeti zhanrin e saj
Roli i parë më i vogël i Brigitte Bardot ishte në filmin Crazy for Love (1952), por kthesa e vërtetë ndodhi me filmin Manina, djevojka në bikini. Në pjesën më të madhe të filmit ajo shfaqej me bikini shumë të vogla, ndërsa kishte edhe një skenë të shkurtër në të cilën ishte lakuriq. Ky film e përcaktoi stilin e saj sensual dhe vendosi themelet e imazhit të saj si “bombë seksi”.
Ndërkohë, Brigitte kishte mbushur 18 vjeç dhe, në kundërshtim të hapur me dëshirat e prindërve të saj, u martua me mentorin e saj, Roger Vadim. Martesa ishte një shpatë me dy tehe, nga njëra anë i sillte siguri, por nga ana tjetër edhe kontroll, duke vënë në lëvizje një sërë sfidash personale dhe profesionale.
profimedia
14. U shndërrua në fantazinë përfundimtare
Martesa me Vadim i dha atij kontroll të plotë mbi karrierën e Brigitte-s, duke e shndërruar atë në “gruan e ëndrrave të tij” dhe njëkohësisht në idealin mashkullor. Brigitte ishte rebele, e pavarur dhe e gatshme ta shfaqte trupin e saj pa ndrojtje. Shumë shpejt ajo u bë një sensacion botëror, simbol seksi dhe shkëlqimi, fantazia përfundimtare e burrave në mbarë botën.
15. Luajti rolin që ia ndryshoi jetën
Një varg filmash të hershëm, si Naughty Girl dhe Plucking the Daisy, vendosën themelet e karrierës së saj, por kthesa vendimtare erdhi me filmin And God Created Woman (1956). I drejtuar nga Roger Vadim, filmi ishte njëkohësisht sensual dhe serioz, duke shënuar fillimin e rrugëtimit të saj drejt famës botërore.
Ky film ia ndryshoi jetën profesionale Brigitte-s, e forcoi imazhin e saj publik dhe e vendosi përfundimisht si një nga ikonat më të njohura dhe më me ndikim të historisë së kinemasë.
16. Ishte “fruti i ndaluar”
Në shikim të parë, filmi And God Created Woman mund të dukej si një tjetër film sensual francez. Në Francë, sensualiteti në film nuk ishte diçka e pazakontë, por për publikun në Angli dhe në Shtetet e Bashkuara kjo ishte një botë krejtësisht tjetër. Në një kohë kur Hollivudi censuronte rreptësisht skenat intime dhe paraqitjen e seksualitetit në film, Brigitte Bardot u shndërrua në “frutin e ndaluar” që të gjithë donin ta shijonin.
Popullariteti i saj jashtë Francës shpërtheu pothuajse brenda natës. Megjithatë, jo të gjithë ishin të kënaqur me paraqitjen e një gruaje të veshur kaq provokuese. Pavarësisht kundërshtimeve, skandali vetëm sa e shtoi kureshtjen e publikut dhe filmi u bë një sukses i madh në mbarë botën.
17. Tronditi besimtarët katolikë
Kisha Katolike e dënoi hapur filmin e Brigitte Bardot dhe deklaroi se shikimi i tij përbënte mëkat vdekjeprurës. Megjithatë, kjo nuk i dekurajoi shikuesit; përkundrazi, efekti ishte i kundërt, sallat e kinemave u mbushën plot dhe njerëzit u dyndën për ta parë filmin.
Pavarësisht nëse Zoti apo djalli e kishte krijuar gruan, në fund kjo u bë e parëndësishme: Brigitte Bardot u shndërrua në një fenomen të padiskutueshëm. Popullariteti i saj në rritje ndihmoi edhe në zbutjen e rregullave të rrepta të Hollivudit, ndërsa kritikët filluan ta vlerësonin këtë aktore 22-vjeçare për freskinë dhe guximin që solli në ekran. Më e rëndësishmja, Brigitte nuk kishte frikë të tregonte gjithçka që kishte, dhe pikërisht kjo patrembësi e formësoi imazhin e saj publik.
18. I zbuloi të gjitha
Brigitte ishte krenare për natyrën e saj rebele dhe fliste hapur për qëndrimin e saj ndaj jetës dhe aktrimit: “Unë solla një imazh të ri për mënyrën se si duhet të jetohet dhe si duhet të paraqitet gruaja në film: e re, bionde, e lirë, joformale, jo si një zonjë e vogël, pa korse, pa gjerdanë… plotësisht lakuriq.”
Ajo u bë e njohur për faktin se tregonte trupin e saj, veçanërisht vithet, në një kohë kur kjo ishte skandaloze dhe shoqërisht e papranueshme. Por kjo ishte vetëm maja e ajsbergut – pas kamerave, jeta e saj ishte edhe më provokuese dhe më tronditëse sesa ajo që shfaqej në ekran.
19. E tradhtoi bashkëshortin
Në momentin kur Brigitte Bardot u shndërrua në temë të përditshme të bisedave publike, martesa e saj me Roger Vadim-in ishte tashmë në lëkundje serioze. Gjatë xhirimeve të filmit And God Created Woman, mes Brigitte-s dhe kolegut të saj Jean-Louis Trintignant u krijua një kimi e fortë, të cilën asnjëri prej tyre nuk mundi ta injoronte. Madje, vetë Vadim i nxiste aktorët që skenat t’i luanin sa më bindshëm dhe sa më natyrshëm, gjë që vetëm sa i shtonte shkëndijat e marrëdhënies së tyre të pashmangshme.
Më vonë, Brigitte deklaroi për Vadim-in: “Ai më mësoi si të isha aq e lirë, saqë, si pasojë e kësaj, e lashë për një burrë tjetër. Kjo ishte çmimi që ai duhej të paguante.” Ajo dëshironte përvoja të reja dhe nuk hezitonte ta tradhtonte bashkëshortin e saj, pa u ndalur nga pasojat.
20. Kishte shumë dashnorë
Edhe pse Brigitte kaloi rreth dy vjet në një lidhje me Trintignant-in, marrëdhënia e tyre u përball vazhdimisht me pengesa. Trintignant ishte i martuar dhe shërbente në ushtri, ndaj mungesat e tij të shpeshta krijonin tension dhe pasiguri në lidhjen e tyre. Përveç kësaj, Brigitte vazhdoi të eksploronte lidhje të tjera dhe u përfshi edhe në një aferë me muzikantin Gilbert Bécaud.
Deri në vitin 1958, lidhja me Trintignant-in përfundoi. Reagimi i Brigitte-s ndaj ndarjes ishte jashtëzakonisht i fortë emocionalisht dhe aq i dhimbshëm, sa la gjurmë të pashlyeshme si në mediat e kohës, ashtu edhe në kujtesën e publikut, transmeton Telegrafi.
21. E urrente statusin e personazhit të famshëm
Pas ndarjes, Brigitte përjetoi një krizë të rëndë nervore dhe shumë zëra në shtyp sugjeronin se ajo kishte tentuar t’i jepte fund jetës duke marrë sasi të mëdha ilaçesh për gjumë. Megjithatë, jeta e trazuar sentimentale nuk ishte e vetmja barrë që ajo mbante. Deri në vitin 1959, presioni i vazhdueshëm i të qenit figurë publike kishte filluar të linte gjurmë të rënda mbi të, ndërsa kritikat ndaj saj nuk pushonin.
Kritikët i demonizonin rolet e saj filmike, paparacët dhe adhuruesit e ndiqnin pa pushim çdo hap. Në këtë kaos, Brigitte arriti më në fund të gjente një vend ku mund të merrte frymë lirshëm dhe të kuptonte forcën e saj të brendshme.
22. Takoi shpirtin e saj binjak
Edhe gjatë këtyre ditëve të vështira, Brigitte arriti të nisë një romancë me kolegun e saj sharmant, Jacques Charrier. Ata u njohën gjatë xhirimeve të filmit Babette Goes to War dhe shumë shpejt ai arriti t’ia fitojë zemrën. Charrier ishte ndryshe nga dashnorët e saj të mëparshëm, vinte nga një familje e pasur dhe, ndryshe nga të tjerët, mund të ishte i pranueshëm për prindërit e saj, gjë që ishte e rrallë në jetën sentimentale të Brigitte-s.
Megjithatë, pikërisht në momentin kur gjithçka dukej premtuese dhe e qëndrueshme, ndodhi një e papritur që e tronditi thellë botën e saj.
23. U përball me një të papritur të padëshiruar
Kur Brigitte, në moshën 24-vjeçare, mësoi se ishte shtatzënë, bota e saj u përmbys plotësisht – dhe jo në kuptim pozitiv. Në atë moment, ajo nuk dëshironte të bëhej nënë. Vetëm këmbëngulja e Charrier-it e bindi që ta mbante fëmijën dhe të pranonte martesën. Që nga ai çast, marrëdhënia e tyre nisi të përkeqësohej, ndërsa edhe vetë dita e martesës u shndërrua në një katastrofë.
24. Dita e martesës ishte një makth
Sipas vetë Brigitte-s, paparacët ia shkatërruan ditën e martesës: “Ishte e tmerrshme. Një makth i vërtetë. Fotografët depërtuan në gjykatë dhe shkaktuan skandal.”
Megjithatë, kjo ishte asgjë në krahasim me presionin që ndiente për të rritur një fëmijë që në të vërtetë nuk e dëshironte. Në vitin 1960, lajmi për amësinë e Brigitte-s u shndërrua në objekt thashethemesh të ashpra dhe sulmesh të vazhdueshme mediatike.
25. Ishte një nënë e keqe sipas vetes
E mbingarkuar tashmë nga fama, Brigitte nuk dinte si të përballej siç duhet me rritjen e një fëmije. Kur lindi Nicolas, ajo u ndje plotësisht e humbur. Kjo nuk ishte jeta për të cilën ishte regjistruar. Për më tepër, shtypi e kritikonte pa pushim aftësinë e saj prindërore, pa mëshirë dhe pa marrë parasysh rrethanat në të cilat ndodhej. Pikërisht në momentin kur mendonte se nuk mund të bëhej më keq, presioni dhe kritikat vazhduan, duke e thelluar edhe më shumë ndjenjën e fajit dhe pasigurisë.
profimedia
26. Dashuria e parë në moshën 16-vjeçare
Në moshën vetëm 16-vjeçare, Brigitte Bardot njohu Roger Vadim-in, një asistent të ri regjisor, i cili po shqyrtonte mundësinë që ajo të merrte pjesë në filmin e tij të ri. Edhe pse ajo nuk e fitoi rolin, mes tyre lindi një dashuri e fortë dhe e fshehtë. Për shkak të kundërshtimit të prindërve, lidhja e tyre duhej të zhvillohej në fshehtësi.
Kjo dashuri ishte aq intensive, sa Brigitte tentoi për herë të parë t’i jepte fund jetës, sepse nuk mund të martohej para se të mbushte 18 vjeç. Pasioni dhe rebelimi i saj rinor treguan qartë se sa e gatshme ishte të luftonte për lirinë dhe ndjenjat e saj, madje edhe duke rrezikuar sigurinë personale.
Ajo u martua me Vadim-in në vitin 1952 dhe kjo martesë ia hapi dyert botës së filmit dhe shkëlqimit publik. Vadim, i cili punonte si fotograf dhe gazetar, përdori mediat për ta promovuar Brigitte-n, duke e bërë të pranishme vazhdimisht në kopertina revistash dhe në ekranet televizive. Para se të luante qoftë edhe një rol të vetëm filmik, ajo ishte tashmë “gruaja më e fotografuar në botë”.
27. Kishte mbi 100 dashnorë
Brenda katër vjetësh, Brigitte realizoi më shumë se 12 filma, ndërsa bukuria dhe tërheqja e saj nuk kaluan pa u vënë re. Kritikat për aftësitë e saj në aktrim ishin shpesh negative, por filmi And God Created Woman përbënte pikën e kthesës. Gjatë xhirimeve të këtij filmi, ajo u dashurua me kolegun e saj të martuar, Jean-Louis Trintignant, gjë që çoi në ndarjen përfundimtare nga Roger Vadim.
Pas lidhjes me Trintignant-in, Brigitte u përfshi në një aferë me këngëtarin Gilbert Bécaud, i cili gjithashtu ishte i martuar. Aventurat e saj sentimentale u bënë pothuajse të përditshme dhe gjatë jetës së saj Brigitte pati mbi 100 dashnorë, përfshirë edhe disa gra. Natyra e saj e lirë dhe rebele shpesh shkaktonte skandale, por ajo e jetonte identitetin e saj sensual pa komplekse.
28. Shtatzënia me Jacques Charrier
Brigitte mbeti shtatzënë me kolegun e saj Jacques Charrier, edhe pse nuk e dëshironte këtë shtatzëni. Lindja ishte e vështirë dhe u krye në shtëpi, sepse për shkak të pranisë së vazhdueshme të paparacëve ajo nuk mund të shkonte në spital. Në janar të vitit 1960, ajo solli në jetë djalin e saj, Nicolas, por nuk arriti të krijonte një lidhje të afërt emocionale me të.
Kujdestaria e fëmijës iu dha Jacques Charrier-it, ndërsa Brigitte, vetëm disa muaj më vonë, tentoi sërish t’i jepte fund jetës, e paaftë për t’u përballur me presionin e famës dhe me problemet e saj të thella personale.
29. Nuk ishte e lindur për të qenë nënë
Brigitte më vonë foli hapur dhe pa dorashka për ndjenjat e saj lidhur me amësinë:
“Nuk kam lindur për të qenë nënë. Nuk jam mjaftueshëm e pjekur. E di që është e tmerrshme ta pranosh një gjë të tillë, por unë nuk jam e aftë të kujdesem për një fëmijë. Mua më duhet dikush që të kujdeset për mua. Më vjen keq që e kam sjellë në jetë atë fëmijë.”
Pavarësisht pasurisë së madhe që kishte, Brigitte ishte jashtëzakonisht kursimtare dhe praktike. Ajo nuk shpenzonte para për luks të tepruar, si havjar apo diamante. Veshja e saj ishte e thjeshtë, por gjithmonë dalluese: xhinse, triko, bluza me jakë të lartë dhe këpucë baleti, të shoqëruara me flokë biondë të krehur me volum dhe vijëzim të zi rreth syve. Mendohet se ajo ishte një nga frymëzimet për dizajnin e kukullës Barbie, së bashku me Marilyn Monroe dhe kukullën gjermane Lilli.
30. Depresioni i shpeshtë dhe përballja me famën
Për shkak të presionit të vazhdueshëm mediatik dhe jetës sentimentale të trazuar, Brigitte shpesh binte në depresion. Gjatë viteve gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar, shkëlqimi dhe popullariteti i saj ishin në kulm, por jeta personale ishte e mbushur me dhimbje dhe trazira.
Martesën e tretë e lidhi me milionerin Gunter Sachs në Las Vegas, ndërsa në vitin 1973 vendosi të tërhiqej përfundimisht nga bota e filmit. Më vonë, në vitin 1992, u martua për herë të katërt me Bernard d’Ormale, duke e mbyllur kapitullin e jetës së saj artistike dhe duke iu përkushtuar plotësisht aktivizmit për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve. /Telegrafi/
Një defekt në rrjetin e ujit të pijshëm ka lënë qytetin e Vlorës pa furnizim prej tre ditësh.
Situata ka krijuar shqetësim të madh te banorët, të cilët janë detyruar t’u drejtohen burimeve publike të ujit për të siguruar nevojat minimale ditore.
“Nga dita e djeshme realizuam një zgjidhje e cila dha sërisht problem. Pati një furnizim të shkurtër për zonën e Lungomares dhe zonën e bregdetit. Qyteti sërisht vuan furnizimin me ujë, avaria është shumë serioze, shumë e rëndë, e cila do kohën e vetë. Mendojm se në orën 5-6 mbazdite do filloj furnizimi, duke ardhur sërisht nga stacionet e prodhimit drejt Lungomares dhe më pas ti japim një zgjidhje depos së qytetit”, është shprehur një punonjës i Ujësjellësit të Kanalizimeve në Vlorë.
Me dhjetëra qytetarë shihen çdo ditë në radhë, duke pritur njëri pas tjetrit për të mbushur bidonë dhe enë me ujë, pasi në banesat e tyre mungon furnizimi. Sipas tyre, mungesa e ujit po vështirëson jetesën e përditshme, sidomos për familjet me fëmijë dhe të moshuar.
“Vlora ka një javë pa ujë, e meriton. Për një popull që nuk reagon që është “dele” kështu do vejë. Një popull që s’është opozitar për qeverinë, ka mbaruar”, është shprehur një qytetar i Vlorës për këtë situatë.
Ende nuk ka një njoftim zyrtar për afatin e riparimit të defektit, ndërsa qytetarët kërkojnë zgjidhje të shpejtë dhe furnizim të rregullt me ujë të pijshëm. Situata mbetet problematike dhe kërkon ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse.
“Kemi tre ditë pa ujë. Taksat i paguajmë, ujin s’na i bjenë. Tre ditë skemi pikë ujë, taksat i paguajmë, çdo gjë i paguajmë, por ujë skemi”, është shprehur një qytetar tjetër. /euronews/
Legjenda e kinemasë franceze dhe aktivistja, Brigitte Bardot, ka ndërruar jetë në moshën 92-vjeçare, pas një periudhe të gjatë me probleme serioze shëndetësore.
Javët e fundit të jetës së saj kanë qenë veçanërisht të vështira, të shoqëruara me qëndrime në klinika private dhe përkeqësim të gjendjes shëndetësore.
Pas një ndërhyrjeje të vogël kirurgjikale në fillim të tetorit, Bardot u kthye në shtëpinë e saj në Saint-Tropez, por diagnoza nuk u bë kurrë publike.
Brigitte Bardot
Më vonë, për shkak të përkeqësimit të gjendjes, ajo u shtrua sërish në një klinikë private në Toulon.
Gjatë kësaj periudhe, ajo u detyrua të përgënjeshtrojë thashethemet për vdekjen e saj, të përhapura gabimisht në rrjetet sociale.
Bardot kishte prej kohësh probleme me frymëmarrjen, gjë që kishte sjellë edhe ndërhyrje urgjente mjekësore në të kaluarën.
Përveç problemeve fizike, ajo zbuloi në një dokumentar të publikuar këtë vit se gjatë gjithë jetës kishte luftuar me depresion të rëndë, madje edhe në kulmin e famës, duke pranuar se trishtimi e shoqëroi deri në fund.
Ngushëllimin më të madh Bardot e gjente te kafshët dhe angazhimi për mbrojtjen e tyre, duke theksuar shpesh se ndihej më afër kafshëve sesa njerëzve.
Muajt e fundit të jetës së saj u shënuan edhe nga humbje personale të dhimbshme, përfshirë vdekjen e një miku të ngushtë dhe të ish-bashkëshortit, me të cilin kishte një djalë. /Telegrafi/
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë një konference për media ka deklaruar se procesi zgjedhor po shkon shumë mirë dhe dalja e qytetarëve është e kënaqshme.
“Kanë mbetur më pak se tre orë. I ftoj të gjithë ata që nuk kanë votuar ende ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre,” tha Haradinaj.
Ai shtoi se deri tani nuk ka pasur parregullsi të lajmëruara, por theksoi shqetësimin për ndërprerjet e energjisë.
“E dimë që ka pasur ndërprerje të energjisë, gjë që na shqetëson nëse ndodh tani kur të errësohet. I bëj thirrje KEDS-it dhe të gjitha institucioneve që të kenë kujdes që të mos ndërpritet rryma deri të mbyllet procesi i votimit, e po ashtu edhe gjatë numërimit, që të mos prishet ky proces zgjedhor", tha Haradinaj.
Haradinaj përfundoi duke uruar qytetarët dhe shtetin “I uroj Kosovës këto zgjedhje kaq të mira”, tha ai. /Telegrafi/
Ngjarjet e mëparshme mes motrave të ish-bashkëshortit të këngëtares Violetë Kukaj dhe Eni Çobanit po rikthehen në vëmendje.
Në një episode të programit “Shihemi në Gjyq” u diskutuan akuzat e forta të Remzijës ndaj Bahrijes, përfshirë pretendimin se vëllai i tyre, Faik Retkoceri, ishte shtruar në spitalin psikiatrik të Prishtinës me ndërhyrjen e Violetës, për t’iu shmangur borxheve.
Në studion e Eni Çobanit u zhvillua ky dialog i tensionuar:
Remzije: E ka marrë vëllain e ka çuar në spital.
Eni Çobani: Zonja Bahrije, të lutem tani. Hodhe një fjalë këtu që vëllai është në terapi. Kjo është shumë e rëndë. Pra zoti Faik është vëllai juaj i vetëm, ju jeni 4 fëmijë.
Bahrije: Babai im ka vdekur përpara 48 vjetëve.
Eni Çobani: Dhe vëllai juaj jeton sot me nënën apo jo? Zonja Bahrije, kush e shtroi Faikun në spitalin psikiatrik të Prishtinës?
Bahrije: Unë nuk e shtrova.
Remzije: Tregoje të vërtetën si ka ndodhur rasti!
Bahrije: Unë nuk e shtrova vëllain në spital, unë nuk e shtrova vëllain në psikiatri!
Eni Çobani: Si nuk e ke shtruar? Unë kam letrën këtu.
Bahrije: Ishte viti 2018. Të lutem dëgjomë. Më merr vëllai në telefon në orën 12 të natës dhe më thotë “të lutem, ti duhet të vish për Kosovë”. Unë kam marrë burrin tim dhe kemi udhëtuar, ka qenë ditë e diel, të hënën kemi mbërritur në Kosovë. Kur kemi mbërritur, kam takuar vëllain dhe nënën vetë në shtëpi. Nusja, Violetë Kukaj dhe fëmijët kanë dalë nga shtëpia. Vëllai ka qenë
vetëm me nënën.
Eni Çobani: Ju pretendoni që kjo martesë u prish për shkak të borxheve?
Bahrije: Për shkak të borxheve.
Remzije: Po pse moj ti e çoje vëllain?
Bahrije: Violeta, nuk ka dashur moj të të marrë ty.
E gjithë historia është përqendruar tek përpjekjet e Bahrijes për të ndihmuar vëllain, ndërsa Remzija akuzon për favorizim dhe fshehje. Sipas Eni Çobanit, spitali psikiatrik i Prishtinës ka lëshuar një raport mjekësor më 18 tetor 2018 që konfirmonte gjendjen e Faikut, ndërsa Bahrije pohon se veprimet e saj ishin të orientuara vetëm për të ndihmuar vëllain.
Pavarësisht debatit të ashpër dhe akuza të ndërsjella, këngëtarja Violetë Kukaj nuk ka dhënë asnjë reagim publik lidhur me ngjarjet. Historia, megjithatë, rikthehet sërish në qendër të vëmendjes dhe vijon të diskutohet gjerësisht në mediat shqiptare. /Telegrafi/
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani ka thënë se procesi zgjedhor në shtatë komunat e këtij rajoni po vijon pa incidente.
Hashani ka treguar për rastin e raportuar në një qendër votimi ne Zhegër, për çka tha se nuk ka rast policor, raporton KosovaPress.
"Një rast që është raportuar në Zhegër, po këtu nuk ka rast policor. Ku një person paska dashur të asistojë një familjar të vetin dhe ka pasur fjalosje verbale me personelin e pikës por nuk ka rast policor. Hetuesit dhe prokurorët kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe gjithçka është në rregull....nuk ka impakt në zgjedhje dhe është gjithçka në rregull", ka thënë ai.
Hashani tha se procesi zgjedhor po shkon qetë, teksa i ka ftuar qytetarët që të votojnë pa shkaktuar incidente.
"Që nga orët e hershme të mëngjesit janë hapur të gjitha pikat e votimit në shtatë komunat e rajonit të Gjilanit dhe në të gjitha këto pika, në të gjitha këto vendvotime në ofrojmë asistencë policore në mënyrë që të përcillet mbarëvajtja dhe rregulli në këto zgjedhje. Numri i policëve është i mjaftueshëm për t'i mbuluar të gjitha këto pika... Zgjedhjet janë duke shkuar në një proces shumë të rregullt dhe një proces shumë i mirë", tha ai.
Në Gjilan të drejtë vote kanë mbi 104 mijë qytetarë brenda Kosovës. Ndërkaq, mbi 5500 qytetarë janë të regjistruar jashtë Kosovës. Në Gjilan janë 37 qendra të votimit, në 130 vendvotime të rregullta. /kp/
Në prag të përmbylljes së vitit, Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se gjatë vitit shkollor 2025/2026 ka arritur të furnizojë të gjitha shkollat me tekste shkollore. Ky zhvillim tregon se, për herë të parë ose pas një periudhe të gjatë, të gjitha shkollat janë pajisur plotësisht me tekste shkollore.
Ministria shprehet e kënaqur me këtë arritje, veçanërisht pas periudhës së eksperimentimit kur tekstet shkollore u tërhoqën plotësisht nga përdorimi. Rikthimi i librave në shkolla vlerësohet si një hap pozitiv për përmirësimin e cilësisë se arsimit.
“Ne kemi arritur që tekstet shkollore t’i shpërndajmë me kohë në të gjitha shkollat. Nga ky vit është zgjidhur edhe një problem që ekzistonte me tekstet shkollore të gjuhëve të huaja. Tekstet e gjuhës angleze dhe gjermane janë shpërndarë dhe distribuuar nëpër shkolla për nxënësit. Po ashtu, për shkollat e mesme, për herë të parë janë sjellë tekstet e reja për gjimnazin e përgjithshëm. Mund të them se mbi 100 tituj janë miratuar për arsimin e mesëm profesional”, deklaroi zëvendës ministri i arsimit Lulzim Aliu.
Sipas Aliut, arsimi i mesëm profesional ka ende nevojë për tekste të tjera, proces që po vazhdon nga shërbimi pedagogjik, ndërsa gjatë vitit 2025 Ministria e Arsimit ka investuar rreth 30 milionë euro në projekte të infrastrukturës shkollore, përfshirë ndërtimin dhe rikonstruktimin e objekteve shkollore dhe sallave të sportit.
“Ajo që është e rëndësishme për nxënësit e arsimit të mesëm në nivel shteti, në veçanti për komunën e Kumanovës, është ndërtimi i objektit shkollor të shkollës së mesme “Sami Frashëri”. Thuajse investimi më kapital brenda këtij viti ka qenë ndërtimi i këtij objekti, i cili është në fazën përfundimtare dhe besoj se gjatë vitit 2026 do t’i dorëzohet komunës së Kumanovës. Uroj që të përfundojnë obligimet që i takojnë drejtorisë dhe komunës së Kumanovës, në mënyrë që në vitin shkollor 2026/2027 nxënësit të vazhdojnë mësimin në objektin e ri shkollor”, u shpreh Aliu.
Aliu përmendi edhe rikonstruimin e shkollës fillore “Sande Shterioski” dhe shkollës së mesme “Drita” në komunën e Kërçovës, si dhe rikonstruimin dhe pajisjen me rekuizite sportive në komunat e Çairit, Kërçovës dhe në disa komuna të tjera, gjithashtu zgjidhjen e problemit me shkollën në komunën e Çashkës.
Ai theksoi se për vitin e ardhshëm janë paraparë rreth 50 milionë euro për ndërtimin, rindërtimin dhe rikonstruimin e shkollave dhe sallave të sportit në nivel shtetëror. /rtvm2
Juventusi e ka bërë zgjatjen e kontratës së Kenan Yildiz një nga prioritetet kryesore, ndërsa klubi synon të sigurojë të ardhmen afatgjatë të një prej talentëve më të shquar të skuadrës.
Bisedimet aktualisht vazhdojnë midis Bianconerëve dhe përfaqësuesve të lojtarit, me fokus te një marrëveshje që pritet të zgjasë deri në vitin 2030 ose 2031.
Rinovimi i propozuar do të përfshijë gjithashtu një rritje të ndjeshme të pagës, me Yildizin që pritet të fitojë rreth 6 milionë euro në vit, duke reflektuar rëndësinë e tij në rritje brenda skuadrës dhe statusin e tij si një nga talentet më premtuese të futbollit evropian.
Juventusi e sheh sulmuesin turk si një gur themeli për projektin e tyre sportiv afatgjatë.
Pavarësisht interesit të fortë nga disa klube të mëdha evropiane gjatë muajve të fundit, Bianconerët e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre: Yildiz konsiderohet i patransferueshëm, dhe klubi është i vendosur të kundërshtojë çdo përpjekje për ta larguar, duke synuar nënshkrimin e një kontrate të re afatgjatë sa më shpejt të jetë e mundur. /Telegrafi/
Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Kreshnik Radoniqi ka mbajtur në konferencë për media për daljen e votuesve deri në ora 15:00.
Ai po ashtu bëri të ditur se probleme me energji elektrike po vazhdon të ketë, por që ka intervenuar KEDS-i.
“Sipas raportit të orës 15:00, në dhomën operative të KQZ-së nga qendrat e ndryshme të votimit jemi duke pranuar se si është duke shkuar procesi zgjedhor”, tha Radoniqi.
“Sipas këtij raporti, u bë e ditur se kishte mungesë të energjisë në tri qendra votimi në komunën e Skenderajt, dy në komunën e Malishevës dhe dy qendra të tjera në Obiliq dhe Novobërdë”.
“Për të gjitha këto raste është informuar KEDS-i dhe intervenimi ka qenë në kohë rekorde”.
“Nga të dhënat preliminare që kemi marrë nga 96 për qind e qendrave të votimit, dalja është 28.65 për qind”.
“Sipas të dhënave nga Zgjedhjet Parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, dalja ishte 28.32 për qind”, shtoi kreu i KQZ-së. /Telegrafi/
Çështja e Mal Retkocerit, pasi babai i tij shkoi në shtëpinë e Big Brother VIP Albania dhe nuk u takua me të, ka shkaktuar reagime të shumta dhe jehonë të madhe publike.
Situata u komentua gjerësisht edhe në emisionin Fun Club, ku u diskutua momenti i sikletshëm që u krijua live dhe mënyra se si u menaxhua.
I ftuar në studio, Julian Deda dha mendimin e tij mbi atë që ndodhi, duke e cilësuar situatën si jashtëzakonisht delikate.
Fun Club/YouTube
Ai u shpreh: “Ishte një situatë shumë e sikletshme ajo mbrëmë, dhe komplimente për Ledionin që e zgjidhi në mënyrën më njerëzore të mundshme, sepse, duhet thënë kjo, për moderatorin ajo është e tmerrshme. Moderator që mban emision 5 orë, të vijë një moment si ky është e sikletshme dhe nuk është fare e lehtë”.
Nga ana tjetër, Julian Deda ndau edhe këndvështrimin e tij lidhur me qëndrimin e Malit, duke theksuar se, sipas tij, situata mund të ishte menaxhuar ndryshe nga ana e banorit.
Ai tha: “Nga ana tjetër mundet mendoj që Mali, për këtë lloj kurioziteti që ka sjellë kjo histori, mundet të kishte bërë një veprim shumë të thjeshtë, që për të respektuar gjithë atë ndërmarrje, unë mendoj që Mali është një nga personazhet më interesante që ka Big Brother, mund ta kishte takuar babain e tij dhe t’i kishte dhënë dhe dorën, dhe t’i kishte thënë që ‘shiko, gjërat e tjera do t’i diskutojmë pa kamera, por për respektin që ke ardhur deri këtu, për respektin e këtij emisioni, për të treguar që këtu gjaku nuk bëhet ujë’, jo për ta sqaruar në television”. /Telegrafi/
Një burrë nga India ka nxjerrë në pah një iniciativë prekëse brenda një qendre tregtare të qytetit, pasi vuri re një vend parkimi të dedikuar për nënat shtatzëna.
Akshay Raina e ndau videon në Instagram nga një zonë parkimi e një qendre tregtare në Bengaluru, duke e quajtur atë një hap të thjeshtë por kuptimplotë.
Vdeoja tregon një tabelë që shkruan "E rezervuar për nënat e ardhshme", dhe vendi i parkimit është rozë.
Ngjyra dhe sinjalistika e veçantë e bëjnë vendin lehtësisht të dukshëm, veçanërisht në zonat e parkimit shpesh të mbushura me njerëz dhe konfuze të bodrumeve të komplekseve të mëdha tregtare.
Përdoruesit e rrjeteve sociale e lavdëruan qendrën tregtare për këtë iniciativë. /Telegrafi/
Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci ka deklaruar sot se dita e zgjedhjeve është e veçantë për demokracinë dhe të ardhmen e vendit, duke theksuar se deri në orët e fundit të procesit zgjedhor, të dhënat nga terreni janë pozitive për partinë e tij.
“Sot është një ditë e veçantë për demokracinë dhe për të ardhmen e vendit tonë. Qytetarët po vendosin me votë për drejtimin që duan t’i japin shtetit,” ka thënë Stavileci gjatë një konference për media.
Ai theksoi se më pak se katër orë para mbylljes së qendrave të votimit, pjesëmarrja dhe mbështetja për PDK-në po tregojnë trend pozitiv.
“Deri në këto momente, më pak se katër orë para mbylljes së qendrave të votimit, të dhënat nga terreni janë pozitive. Ka mbështetje të fuqishme për ndryshim,” u shpreh ai.
Sipas Stavilecit, rezultatet preliminare po e çojnë këtë ditë drejt një suksesi të rëndësishëm për Partinë Demokratike të Kosovës.
“Sipas të dhënave të deritanishme, kjo ditë po shkon drejt një rezultati të rëndësishëm për PDK-në, drejt një niveli mbështetjeje dhe numri votash që për ne janë historike,” tha Stavileci.
Në fund, ai u bëri thirrje qytetarëve që ende nuk kanë votuar, ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre.
“Nëse ende nuk keni votuar, mos e lini votën në shtëpi. Secila votë ka peshë, ju jeni ata që vendosni për veten dhe për të ardhmen tuaj,” përfundoi ai. /Telegrafi/
Thonë se pesha është armiku i performancës, por ajo dëmton edhe efikasitetin.
Në Panairin e Automobilave në Tokio të vitit 1991, Toyota donte të tregonte se “mund të bësh më shumë me më pak”.
Marka prezantoi AXV-IV, automjeti i katërt në një seri konceptesh eksperimentale që i bënë gjërat rrënjësisht ndryshe.
Qëllimi pas kësaj veture me stil të çuditshëm ishte të ulte peshën dhe madhësinë sa më shumë që të ishte e mundur.
Pothuajse e humbur në kohë, AXV-IV mori formën e një coupe-je jashtëzakonisht të vogël dhe të lehtë – e vogël krahasuar me pothuajse çdo veturë sportive moderne.
Si e mbajti Toyota peshën e ulët?
AXV-IV mbështetej shumë në panelet e karrocerisë prej alumini. Inxhinierët përdorën gjithashtu dhe plastikë të përforcuar me fibra, që modeli të peshonte më pak, gjithashtu edhe goma të holla.
Toyota nuk e quajti veturë sportive; përkundrazi, e përshkroi si një "veturë personale për në punë me performancë dhe rehati superiore në drejtim".
Aerodinamika luajti gjithashtu një rol kyç në efikasitet. /Telegrafi/
Një robot i zhvilluar nga një kompani kineze theu një rekord botëror Guinness duke luajtur badminton me ndihmën e disa prej lojtarëve më të mirë njerëzorë të vendit.
Roboti, i zhvilluar nga kompania teknologjike Zhejiang Shenchen Kaidong, u përball me disa nga lojtarët më të mirë të badmintonit në Kinë në Shaoxing, Zhejiang.
Roboti arriti të kthejë me sukses 1,452 goditje të njëpasnjëshme, duke vendosur rekord botëror. /Telegrafi/