Qeveria gjermane planifikon të porosisë dronë sulmues me vlerë 536 milionë euro (638 milionë dollarë) nga startup-et gjermane Helsing dhe Stark Defense.
Dhe këto porosi, thuhet se janë pjesë e një shtytjeje për riarmatim pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.
Kontratat për municione dronë që qëndrojnë pezull mbi një zonë të mundshme sulmi përpara se të fluturojnë drejt objektivave janë pjesë e një marrëveshjeje më të madhe kornizë me vlerë 4.3 miliardë euro.
Kontratat, pritet gjerësisht të miratohen nga komiteti i buxhetit të dhomës së ulët të parlamentit.
Ato u raportuan për herë të parë nga revista Spiegel.
Dronët fillimisht synojnë të mbështesin Brigadën e 45-të të Tankeve të Gjermanisë, e cila është e vendosur në Lituani, shkruan Abcnews.al.
Sipas dokumenteve, kontratat me dy kompanitë do të kenë një afat prej shtatë vjetësh dhe grupi fillestar është planifikuar të dorëzohet deri në fillim të vitit 2027.
Janë liruar me kusht nga Gjykata Speciale edhe Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu.
Lajmin e ka konfirmuar Specialja.
Njoftimi i Gjykatës Speciale:
Në vendimet e tij të 3 shkurtit 2026, Gjykatësi konstatoi se rrethanat kishin ndryshuar që prej rishikimit të paraburgimit të z. Smakaj dhe z. Fazliu në dhjetor 2025 dhe se mbajtja e tyre në paraburgim nuk ishte më e arsyeshme apo proporcionale. Megjithëse Gjykatësi konstatoi se ende ekzistonte njëfarë rreziku që, në qoftë se lirohen, si z. Smakaj ashtu edhe z. Fazliu mund të pengojnë ecurinë e procesit, ai arriti në përfundimin se e drejta themelore e tyre për liri peshon më shumë se këto rreziqe.
Ndër faktorë të tjerë, Gjykatësi mori parasysh se koha që z. Smakaj dhe z. Fazliu kanë kaluar deri tani në paraburgim tejkalon dënimin minimal që do të merrnin sipas ligjit në qoftë se do të shpalleshin fajtorë. Gjykatësi mori parasysh gjithashtu se faza e paraqitjes së provave në çështjen gjyqësore Prokurori i Specializuar k. Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, dhe Jakup Krasniqit tashmë ka përfunduar dhe se nuk ka gjasa që ndonjë veprim i mundshëm pengimi i tentuar nga z. Smakaj ose z. Fazliu të mos zbulohet. Gjykatësi konstatoi gjithashtu se nuk ka rrezik që z. Fazliu dhe z. Smakaj të arratisen, sidomos duke pasur parasysh shumën e dorëzanisë financiare të ofruar prej tyre, të cilën do ta humbisnin në rast se arratisen.
Z. Smakaj dhe z. Fazliu mbeten të akuzuar në gjykimin aktual dhe për lirimin e tyre janë caktuar një numër kushtesh.
Versionet e redaktuara publike të vendimeve për z. Smakaj dhe për z. Fazliu gjenden në faqen e internetit të Dhomave të Specializuara.
Në përputhje me standardet ndërkombëtare të gjykimit të drejtë dhe me Kushtetutën e Kosovës, të akuzuarit mund të mbahen në paraburgim para shpalljes së fajësisë vetëm kur gjykatësit konstatojnë ekzistencën e rreziqeve që përligjin paraburgimin. Për çdo person të paraburgosur, gjykatësit rivlerësojnë çdo dy muaj nëse këto rreziqe ende ekzistojnë, nëse ato mund të trajtohen nëpërmjet masave alternative, dhe nëse vazhdimi i paraburgimit është ende i domosdoshëm dhe proporcional.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar se, sipas raporteve të fundit nga Organizata Botërore për Shëndetin e Kafshëve dhe Komisioni Evropian, datuar më 09.02.2026, është konfirmuar rast i tërbimit në një fermë familjare në rajonin Maramureș të Rumanisë.
Si masë parandaluese, në përputhje me Ligjin për Veterinarinë, AUV ka vendosur ndalimin e importit të kafshëve të gjalla, përfshirë gjedhët, delet, dhitë dhe derrat, si dhe produkteve të tyre nga kjo zonë e infektuar në Rumaninë.
Kjo masë hyn në fuqi menjëherë.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë do të vazhdojë monitorimin e situatës dhe informimin e rregullt të publikut dhe operatorëve ekonomikë për çdo zhvillim të ri. AUV mbetet e përkushtuar për bashkëpunimin e ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit të përhapjes së kësaj sëmundjeje dhe mbrojtjes së shëndetit publik dhe atij veterinar”, thuhet në njoftim.
Cristiano Ronaldo ka vendosur të përfundojë grevën e tij në Ligën Profesionale Saudite dhe pritet të rikthehet në fushë këtë të shtunë për të luajtur me Al Nassr, sipas raportimeve të Sky Sports.
Sulmuesi portugez kishte munguar për dy javë, duke humbur dy fitore të rëndësishme për ekipin e tij, ndaj Al Riyadh dhe Al Ittihad.
Sipas burimeve, Ronaldo kishte protestuar ndaj trajtimit të ligës saudite ndaj klubit të tij, duke kritikuar çështjet financiare, transferimet dhe trajtimin e disa prej punonjësve të tij, të cilët ishin lënë jashtë dhe nuk ishin paguar.
Megjithatë, situata ka marrë një zgjidhje dhe Ronaldo do të jetë i gatshëm për të luajtur në ndeshjen e ardhshme kundër Al Fateh.
Pavarësisht rikthimit, Ronaldo pritet të mungojë në sfidën e Ligës së Kampionëve kundër Arkadag që do të zhvillohet gjatë javës.
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, pret që akuzat në Dhomat e Specializuara në Hagë, ndaj krerëve të UÇK-së të dështojnë, sepse, sipas tij, janë shpifje që e ofendojnë në palcë luftën e UÇK-së, raporton KosovaPress.
Konjufca pret që drejtuesit e UÇK-së të dalin të pafajshëm.
“Nuk kanë bërë krime, kanë qenë në krye të një ushtrie, e cila është çlirimtare, ka dhënë dëshmorët e saj. Kushdo që mundohet ta ndryshojë këtë vërtetë do të humbë dhe shpresoj që të gjithë ata që po gjykohen në Hagë do të dalin të pafajshëm”, tha Konjufca.
Ai bëri të ditur se ka aplikuar që të jetë në ditën përfundimtare në Hagë.
“Prapë do të shkoj në Hagë, do të jem aty në ditën përfundimtare, kam aplikuar me qenë atje dhe do të përfaqësoj popullin e Kosovës në atë proces… Pres që ky proces, këto akuza të dështojnë. Janë të paqëndrueshme, shpifje, gënjeshtra që e ofendojnë në palcë luftën tonë çlirimtare dhe pikërisht se do të dështojnë mendoj se Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi do të dalin të pafajshëm”, tha Konjufca.
Mbyllen polemikat për çështjen e medaljeve të thyera në Lojërat Olimpike. Komiteti Organizator i kompeticionit ka reaguar duke theksuar se menjëherë e hetoi problematikat e ngritura për një numër të kufizuar medaljesh dhe në bashkëpunim me Zecca dello Stato, përgjegjës për prodhimin e medaljeve.
Organizatorët e Milano-Cortina deklaruan se është gjetur një zgjidhje dhe është bërë një ndërhyrje e saktë duke iu kërkuar sportistëve që ishin ankuar që të dërgojnë medaljet e tyre në mënyrë që ato të riparohen dhe më pas t’iu kthehen.
E gjithë kjo zhurmë nisi nga skiatorja amerikane Breezy Johnson. ‘Mos kërceni nëse keni medalje’-kishte shkruar Johnson në një postim të saj në rrjetet sociale pasi iu thye medalja e artë e fituar në garën e zbritjes së lirë në Cortina d’Ampezzo. Gjatë festimeve, medalja e atletes u thye sepse ra në tokë pasi u këput nga shiriti për ta varur në qafë. ‘Jam e sigurt se dikush do ta sistemoj sepse nuk është shkatërruar tamam’-komentoi Johnson.
Por me këtë problem u përball edhe patinatorja artistike, Alysa Liu teksa tregoi medaljen e saj të artë. ‘E kisha rregulluar, por më ra edhe njëherë-tregon Lucia Dalmasso, fituese e medaljes së bronztë në slalomin gjigant paralel në snowboard.
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka bërë të ditur se në mbledhjen e saj të sotme të kryesuar nga Myftiu Naim Tërnava, ka shpallur mbështetje të fuqishme për marshin protestues cili do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë.
“Kryesia e BIK-ut, gjyqin në Hagë e konsideron një proces me prapavijë politike, që ka për qëllim atakimin e vlerave të UÇK-së. Për popullin e Kosovës, UÇK-ja mbetet vlera më sublime për popullin e Kosovës, e mishëruar me lirinë, pavarësinë dhe dinjitetin e vendit tonë”, thuhet në njoftimin e BIK.
Për të shprehur qëndrimin e saj, Kryesia ka vendosur që hytbeja e xhumasë, që do të mbahen më 13 shkurt në të gjitha xhamitë e Kosovës, të kushtohet Ditës së Pavarësisë, 17 Shkurtit, dhe tema kryesore të jetë mbështetje për luftëtarët e lirisë.
Përveç kësaj, kryesia e BIK-ut ka shprehur mbështetje për deklaratën e Myftiut Tërnava kundër kërkesës së prokurores së Dhomave të Specializuara, e cila ka kërkuar dënim për çlirimtarët kosovarë.
“Presim lirimin e çlirimtarëve tanë dhe besojmë se drejtësia do të fitojë. Ftojmë të gjithë që të marrin pjesë në marshin protestues në mbështetje të çlirimtarëve tanë më 17 shkurt në Prishtinë”, thuhet tutje në njoftim e tyre.
14 persona janë intervistuar në Gjilan nën dyshimin për falsifikim të rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit.
Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i policisë rajonale të Gjilanit, Ismet Hashani.
“Janë intervistuar 14 persona dhe varësisht nga të gjeturat, Policia Rajonale e Hetimeve me koordinim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit do të vazhdojë edhe intervistimin e personave të tjerë”, tha ai.
Auto Mita ka ngritur kureshtjen e publikut me një paralajmërim të shkurtër, pa dhënë detaje konkrete rreth risisë që pritet të prezantohet.
Showroom-i, i njohur për përzgjedhjen e veturave dhe standardin e prezantimit në tregun automobilistik, ka lënë të hapur mundësinë për disa skenarë - nga një model i ri veture, te një ofertë apo koncept i ri për klientët.
Ajo që dihet me siguri është koha. Më 13 shkurt 2026, në ora 18:00, pritet të zbulohet ajo që aktualisht po mbahet sekret.
Deri atëherë, mbetet e hapur pyetja: çfarë po përgatit Auto Mita?
Një përplasje e ashpër ka ndodhur brenda shtëpisë së Big Brother VIP Kosova, ku Londrimi dhe Labi janë përfshirë në një debat të fortë.
Situata u tensionua kur Londrimi iu drejtua Labit me akuza të drejtpërdrejta, duke analizuar ashpër lojën e tij dhe mënyrën se si po sillet me banorët e tjerë.
Ai theksoi se Labi, sipas tij, ka humbur imazhin dhe famën që kishte jashtë shtëpisë, duke e cilësuar sjelljen e tij si fyese dhe bullizuese.
Foto: Instagram
Gjatë përplasjes, Londrimi u shpreh se kurrë nuk do ta lejonte veten të sillej në mënyrën që po sillet Labi, duke e quajtur këtë sjellje të turpshme.
Në vijim, shtoi se Labi nuk po përfaqëson asnjë vlerë dhe se qëndrimi i tij në BBVK nuk ka më kuptim.
Foto: Instagram
Debati u mbyll me deklaratën e Londrimit, i cili shprehu pritjen që Labi të largohet nga gara këtë të premte, duke thënë se ai nuk ka asgjë tjetër për të ofruar përveç ofendimeve.
Veç kësaj, u zbulua se finalja e madhe e Big Brother do të jetë më 27 shkurt. /Telegrafi/
Njëri nga liderët e VLEN-it, Izet Mexhiti sot tha se studentët do të japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.
"Qeveria ka kapacitet, dhe studentët shqiptarë do ta kenë provimin në gjuhën shqipe", tha Mexhiti duke u përgjigjur në pyetjen se a ka VLEN-i kapacitet të përballet me ministrin Filkov.
Më herët kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se është i gatshëm ta rregulloj me ligj, që provimi të i jurisprudencës të jetë edhe në gjuhën shqipe./Telegrafi/
Pas lirimit me kusht të Haxhi Shalës, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë vendosur lirimin me kusht edhe të Bashkim Smakajt dhe Fadil Fazliut.
Sipas njoftimit zyrtar, më 10 shkurt 2026, Smakaj dhe Fazliu u liruan me kusht dhe u kthyen në Kosovë, pas rishikimit të fundit të paraburgimit nga Gjykatësi i Vetëm në çështjen gjyqësore të Prokurorit të Specializuar kundër Hashim Thaçit dhe të tjerëve, e njohur si “Çështja gjyqësore 12”.
Në vendimet e marra më 3 shkurt 2026, gjykatësi konstatoi se rrethanat kishin ndryshuar që nga rishikimi i fundit i paraburgimit në dhjetor 2025 dhe se vazhdimi i mbajtjes së tyre në paraburgim nuk ishte më i arsyeshëm dhe proporcional.
Edhe pse u vlerësua se ende ekziston një rrezik i kufizuar për pengim të procesit gjyqësor, gjykatësi arriti në përfundimin se e drejta themelore për liri peshon më shumë se këto rreziqe.
Si faktorë shtesë, u mor parasysh se koha e kaluar në paraburgim nga Smakaj dhe Fazliu tejkalon dënimin minimal që do të mund të shqiptohej në rast të shpalljes së fajësisë.
Po ashtu, gjykata theksoi se faza e paraqitjes së provave në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së tashmë ka përfunduar, duke vlerësuar se çdo tentativë eventuale për pengim të procesit do të ishte e zbulueshme.
Gjykatësi konstatoi gjithashtu se nuk ekziston rrezik arratisjeje, veçanërisht duke pasur parasysh shumën e dorëzanisë financiare të ofruar nga të akuzuarit, e cila do të konfiskohej në rast shkeljeje të kushteve të lirimit.
Smakaj dhe Fazliu mbeten të akuzuar në gjykimin aktual dhe lirimi i tyre me kusht shoqërohet me një sërë masash dhe kufizimesh. Versionet e redaktuara publike të vendimeve janë publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Nga DHSK-ja u rikujtua se, në përputhje me standardet ndërkombëtare të gjykimit të drejtë dhe Kushtetutën e Kosovës, paraburgimi para shpalljes së fajësisë lejohet vetëm kur ekzistojnë rreziqe konkrete dhe se këto rreziqe rishikohen çdo dy muaj nga gjykata. /Telegrafi/
E ardhmja e Dani Carvajal te Real Madridi po hyn në një fazë vendimtare.
Mbrojtësi i djathtë veteran po i afrohet fundit të kontratës pa sinjale të qarta rinovimi, ndërsa ndjesia e lodhjes sportive dhe mungesa e protagonizmit kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi vazhdimin e tij në “Santiago Bernabeu”.
Edhe pse është rikuperuar nga dëmtimi, minutat në dispozicion kanë qenë minimale, duke shtuar spekulimet për një largim të mundshëm në verë.
Situata aktuale sportive nuk është aspak e favorshme për Carvajal.
Nën drejtimin e Alvaro Arbeloas, lojtari nuk ka gjetur hapësirën që pret, një realitet që ka krijuar pakënaqësi të dukshme.
Ai e kupton konkurrencën dhe procesin e rinovimit të skuadrës, por e konsideron të padrejtë rolin dytësor, duke pasur parasysh përvojën dhe kontributin e tij ndër vite.
Në mungesë të një ndryshimi, gjithnjë e më shumë po përforcohet ideja e një ndarjeje.
Në këtë kontekst, drejtuesit e Real Madridit kanë nisur të eksplorojnë tregun për një zëvendësues të denjë në krahun e djathtë të mbrojtjes.
Klubi po analizon disa profile me karakteristika të ndryshme, duke kombinuar përvojën me potencialin për rritje.
Një nga emrat më të përfolur është Pedro Porro, aktualisht te Tottenham, një mbrojtës modern me prirje të forta sulmuese dhe eksperiencë në nivele të larta.
Një alternativë tjetër është Wesley França, talent 22-vjeçar i Romës, i cili shihet si një investim për të ardhmen.
Profili i tij ka marrë vlerësime pozitive edhe nga lojtarë brazilianë brenda dhomës së zhveshjes së Madridit, të cilët besojnë në zhvillimin e tij afatmesëm.
Krahas tij, në skenë ka hyrë edhe Konrad Laimer, lojtar i Bayern Munich, i njohur për polivalencën dhe disiplinën taktike.
Laimer konsiderohet një opsion strategjik, pasi mund të luajë si mbrojtës i djathtë ashtu edhe në mesfushë.
Negociatat e vështira për rinovimin e kontratës me Bayernin mund të hapin derën për një transferim, ndërsa Real Madridi po monitoron nga afër situatën.
Ndërkohë, e ardhmja e Dani Carvajal mbetet e paqartë, me gjithçka që tregon se vera e ardhshme mund të shënojë një ndryshim cikli në krahun e djathtë të mbrojtjes madrilene. /Telegrafi/
Nga: Adam Scovell / BBC (titulli: 'It's about the loneliness we all feel': The painful scene that really makes Taxi Driver a classic) Përkthimi: Telegrafi.com
Edhe pas pesë dekadash popullariteti, ndikimi dhe vlerësimi, filmi klasik i Martin Scorseseit, Taksisti [Taxi Driver, 1976] ende mbahet më shumti mend për një frazë prej pesë fjalësh të aktorit të tij kryesor, Robert De Niro, i cili luan anti-heroin e trazuar, Travis Bikëll. “Me mua po flet?” [Are you talking to me?] - e pyet Bikëll veten, duke parë reflektimin e tij në pasqyrë. Ish-ushtari i marinës që u bë taksist, shpërbëhet shpejt në makthin ekzistencial të Nju-Jorkut të viteve ’70 të shekullit XX.
Është ky një moment i paharrueshëm kinematografik, por, ndërsa Taksisti mbush 50 vjet - pasi u doli në kinematë e SHBA më 8 shkurt 1976 - ajo frazë ka arritur të dominojë kujtesën kulturore të filmit kompleks të Scorseseit, ndonjëherë padrejtësisht duke e zbehur pjesën tjetër të tij.
Taksisti ndjek luftën prej ferri të Travisit për t'u përshtatur me jetën e përditshme, pas shërbimit në Luftën e Vietnamit. Kjo përshtatje pengohet nga pagjumësia, alkoolizmi dhe Nju-Jorku pambarimisht i zymtë, i mbushur me tregtarë droge, kinema pornografie, mbeturina dhe dhunë. Duke gjetur një punë si shofer taksie, ai bëhet i fiksuar, në aspektin romantik, pas Betsit (Cybill Shepherd) - një vajze e zgjuar që punon për të zgjedhur kandidatin demokrat për president, Çarls Palentejn (Leonard Harris). Kur ajo e refuzon atë pasi ai gabimisht e çon për të parë një film për të rritur në takimin e tyre, ai bëhet gjithnjë e më i përfshirë nga impulset e dhunshme, armatoset rëndë dhe stërvitet. Pas disa takimeve të rastësishme me një fëmijë të abuzuar dhe të varur nga droga, Irisën (Jodie Foster), Travisi bëhet i fiksuar pas shpëtimit të kësaj vajze nga krimineli keqdashës Sport (Harvey Keitel) i cili e shfrytëzon atë si prostitutë.
I njohur për momentet e tij të dhunshme dhe qasjen e tij avangarde vizuale, Taksisti është plot me skena të paharrueshme - përtej sfidës së famshme të Bikëllit në pasqyrë. Në veçanti, një skenë tjetër më e shkurtër qëndron vërtet si momenti më i rëndësishëm i idiosinkrazisë vizuale të filmit; duke shfaqur një ndjeshmëri qartësisht evropiane në atë që përfundimisht është një dramë shumë amerikane, si dhe duke përmbledhur trishtimin e vetmisë që përshkon gjithçka.
Një refuzim ndryshe
Duke ardhur në një të tretën e filmit dhe duke mbyllur aktin e parë, ajo përqendrohet në një telefonatë që Travisi i bën Betsit, pasi ai e ka mërzitur atë me zgjedhjen e papërshtatshme për takim. Ai e bën telefonatën nga një telefon publik në një korridor që duket i ndotur dhe lutet për një shans të dytë - por, pavarësisht përpjekjes së tij për të rregulluar gjërat, ajo nuk ndryshon.
Skena mund të ishte xhiruar në mënyrë tipike, melodramatike, me kamerën që qëndron mbi Travisin ndërsa ai më në fund kupton se shansi i tij me të kishte përfunduar - dhe, me këtë, rrezja e tij e vetme e shpresës për të shpëtuar nga ekzistenca e tij e tjetërsuar. Scorsesei, megjithatë, shmang të dukshmen. Në vend të kësaj, kameramani Michael Chapman fillon një lëvizje të ngadaltë larg Travisit, përfundimisht duke u ndalur te një korridor bosh me një derë të hapur në fund, që çon jashtë në rrugë. Korridori, që është hyrja e zyrave të Teatrit “Ed Sullivan” në Broduej, është i degraduar dhe pa shpresë, me pamje në errësirën e zhurmshme të qytetit natën.
Shikuesi dëgjon reagimin e Travisit ndaj refuzimit të pakëndshëm jashtë kamerës (edhe pse jo atë që Betsi i thotë atij), përpara se ai ta mbyllë telefonin dhe të rikthehet në pamje duke ecur përgjatë korridorit me shpinë kah kamera, teksa lë pas momentin e dhimbshëm.
Pamja është kaq shumë kundër rregullave të filmave klasikë të Holivudit, ku drama, në vend të gjuhës vizuale të një skene, merrte natyrshëm përparësi - dhe ajo shfaq mjeshtërisht si etosin krijues të filmit si një nga veprat themelore të revolucionit “Holivudit të Ri” të viteve ’70 të shekullit XX, ashtu edhe izolimin dhe trishtimin e protagonistit të tij. Travisi nuk duket kurrë më i pambrojtur sesa në këtë moment, në kontrast me trimërinë e tij të mëvonshme në skenën e pasqyrës. Këtu, kamera duket e paaftë të dëshmojë thyerjen e personazhit, edhe nëse Travisi është padyshim përgjegjës për të. Duke u larguar nga Travisi, pamja pothuajse i lejon atij një ruajtje të përkohshme të dinjitetit, diçka që shoqëria urbane në të cilën ai jeton rrallë ia jep.
Paul Schrader, i cili shkroi skenarin për Taksistin, kujton për BBC-në xhirimet e skenës, duke shpjeguar se si Scorsesei shkoi përtej konceptit të tij fillestar me zgjedhjen e kuadrit. “Ajo skenë ishte Marty”, kujton ai. “E pashë në xhirime dhe e pyeta Martyn pse e bëri atë [në atë mënyrë], sepse nuk ishte shkruar në skenar. [Ai tha] ishte kështu sepse ishte thjesht kaq e dhimbshme për ta parë atë, saqë ndjeu se donte të largohej. Pastaj mendoi, ‘Pse të mos e bëjmë me kamerën? Është e dhimbshme ta shohësh këtë djalë, kështu që pse të mos largohemi prej tij’”?
Pse është kaq thelbësore - dhe e fuqishme
Në janar 2024, Scorsese foli me Stephen Colbertin për këtë pamje në The Late Show të CBS-it (i cili, rastësisht, tani xhirohet në Teatrin “Ed Sullivan”), duke sugjeruar se i gjithë stili i Taksistit në të vërtetë rridhte nga kjo skenë dhe vendimet krijuese brenda saj. “Po mendoja se cili duhej të ishte stili i filmit”, i tha ai Colbertit, “dhe skena e parë që mendova ishte kur ai telefonon Betsin ... Ajo nuk ia kthen telefonatat, nuk pranon lule dhe ai po përpiqet të flasë me të ... Për shkak se ishte kaq e dhimbshme, vendosa që kamera të largohej dhe të shkonte drejt një korridori bosh, për shkak të ndikimit emocional që kishte. Ai do ta mbyllte telefonin, do të futej në kuadër dhe do të largohej. Ishte pamja e parë që mendova dhe ishte gjithë stili i filmit. Erdhi nga ajo skenë”.
Kjo zgjedhje vizuale ka rrënjët e saj në traditat evropiane të bërjes së filmave, siç vëren regjisori dhe historiani i filmit, Mark Cousins. “Melodrama futet brenda, Taksisti tërhiqet jashtë”, i thotë Cousins, BBC-së. “Është momenti më francez i Scorseseit. Ai kishte parë filmat e Jean-Luc Godardit - për shembull Kinezja [La Chinoise] - dhe kishte vënë re se, në momente ndjenjash dhe intensiteti të madh, kamera ndonjëherë tërhiqej mbrapsht në një vijë të drejtë, sikur të ishte e pavetëdijshme për atë intensitet, sikur të kishte mendjen e vet. Ne e shohim këtë gjithashtu në filmat e mëdhenj të Agnès Vardas, veçanërisht Vagabondi. Dhe, në Britani, Terence Davies përdori të njëjtën teknikë në Zëra të largët, natyrë e qetë [Distant Voices, Still Lives].
Mënyra si Scorsesei e përdori skenarin e Schraderit si pikënisje për zbukurimet e tij regjisoriale, është e dukshme si në këtë skenë, ashtu edhe në skenën e pasqyrës, e cila u xhirua në një mënyrë të ngjashme improvizuese. “Mendoj se skena e pasqyrës është po aq e mirë sa çdo tjetër në film”, thotë Schrader. “Në skenar, thuhet vetëm se Travisi shikon veten në pasqyrë dhe luan [me armën] dhe flet me veten. Bobi më pyeti, ‘Çfarë thotë ai’? Dhe, unë i thashë, ‘Është thjesht sikur je tetë vjeç dhe qëndron aty me rripin e kaubojit në shtëpinë e nënës tënde, para pasqyrës dhe luan me armën’”.
Prodhimi organik i këtyre skenave mund të shpjegojë pse të dyja janë kaq të fuqishme - por, jo pse skena në korridor kujtohet më pak dhe, padyshim, çmohet më pak. Fantazia e pasqyrës e Travisit, e cila e vendos atë si një engjëll hakmarrës që vjen për të pastruar qytetin, mund të jetë thjesht më tërheqëse për audiencën. Kjo ka qenë veçanërisht e vërtetë gjatë shfaqjes së filmit: një epokë e dominuar nga narrativat e përqendruara te vigjilentët, si reagim ndaj përshkallëzimit të krimit të dhunshëm që shpërthente atëherë në rrugët amerikane. Heri i ndyrë [Dirty Harry] i Don Siegelit (1971) dhe Dëshira për vdekje [Death Wish] i Michael Winnerit (1974) të vijnë menjëherë në mendje si shembuj të tjerë. Për dallim, skena në korridor është më e sinqertë për realitetin e trishtuar të personazhit, përtej aspiratave të tij burrërore. Ajo gjithashtu përmbledh më mirë melankolinë ekzistenciale dhe të përjetshme që qëndron në zemër të filmit.
Cousinsi e përmbledh më së miri fuqinë e skenës së korridorit, duke reflektuar përse ajo mishëron kaq shkurtimisht temën thelbësore të Taksistit. “Ai xhirim që ndjek atë nuk është për vetminë e Travisit”, thotë ai, “është për tonën”. Travisi mund të jetë burri i poshtëruar, frustrimet e të cilit eventualisht shpërthejnë në një akt të tmerrshëm dhune. Por, në atë moment në korridor, ai nuk është i çrregullt dhe kërcënues, por shumë i ndjeshëm - dhe, duke e larguar kamerën, regjisori i jep atij një çast të vetëm për të përpunuar dhimbjen - të refuzimit dhe izolimit - që është universale. Mund të jetë një nga momentet më të qeta në të gjithë karrierën e Scorseseit, por është gjithashtu një nga më të ndjeshmit dhe më të kujdesshmit, si ndaj personazhit të tij ashtu edhe ndaj nesh, audiencës entuziaste. /Telegrafi/
Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) kanë dhënë detaje lidhur me vendimin për modifikimin e dënimit të Haxhi Shalës, i cili i hapi rrugë lirimit të tij me kusht.
Sipas njoftimit zyrtar, më 2 shkurt 2026, Kryetarja e DHSK-së, gjykatësja Ekaterina Trendafilova, vendosi të modifikojë dënimin e Shalës, duke përcaktuar kushte që do të zbatohen për pjesën e mbetur nga dënimi prej tre vjetësh.
Pas këtij vendimi, Haxhi Shala u lirua dhe u kthye në Kosovë më 10 shkurt 2026.
Sipas njoftimit thyhet se kryetarja Trendafilova mori parasysh disa faktorë, përfshirë shenjat e rehabilitimit të treguara nga Shala gjatë vuajtjes së dënimit.
Ajo theksoi se Shala i kishte drejtuar një letër personale, të shkruar me nismën e tij dhe pa ndihmë ligjore, në të cilën shprehte keqardhje për pasojat e veprimeve të tij ndaj personave që mund të kenë pësuar dëm.
Gjithashtu, u vlerësuan marrëdhëniet e tij pozitive familjare, mjedisi i qëndrueshëm i jetesës dhe rrjeti i gjerë shoqëror, të cilat, sipas gjykatës, tregojnë një perspektivë të arsyeshme për rehabilitim dhe riintegrim shoqëror.
Megjithatë, Kryetarja theksoi se veprat penale për të cilat Shala u shpall fajtor janë të rënda, por konstatoi se letra e tij përbënte një shenjë të distancimit të sinqertë nga veprimet kriminale, pas një periudhe reflektimi.
Nga DHSK-ja u sqarua gjithashtu se procedurat për uljen, modifikimin apo ndryshimin e dënimit, të parashikuara në nenin 51(2) të Ligjit për Dhomat e Specializuara, janë procedura individuale dhe se vuajtja e dy të tretave të dënimit nuk garanton automatikisht uljen apo ndryshimin e tij, por vetëm mundëson shqyrtimin e një kërkese të tillë.
Një forcë paqeruajtëse shumëkombëshe e propozuar për Gazën mund të ketë gjithsej rreth 20,000 trupa, me Indonezinë që vlerëson se mund të kontribuojë deri në 8,000, tha të martën zëdhënësi i presidentit Prabowo Subianto.
Megjithatë, zëdhënësi tha se nuk ishte rënë dakord për kushtet e vendosjes apo zonat e veprimit, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Prabowo është ftuar në Uashington më vonë këtë muaj për takimin e parë të Bordit të Paqes të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Vendi i Azisë Juglindore vitin e kaluar u zotua të përgatisë 20,000 trupa për vendosje për një forcë paqeruajtëse në Gaza, por ka thënë se po pret më shumë detaje rreth mandatit të forcës përpara se të konfirmojë vendosjen.
"Numri total është afërsisht 20,000 (në të gjitha vendet)... nuk është vetëm Indonezia", u tha gazetarëve të martën zëdhënësi presidencial Prasetyo Hadi, duke shtuar se numri i saktë i trupave nuk ishte diskutuar ende, por Indonezia vlerësoi se mund të ofrojë deri në 8,000.
"Ne thjesht po përgatitemi në rast se arrihet një marrëveshje dhe na duhet të dërgojmë forca paqeruajtëse", citohet të ketë thënë ai.
Prasetyo tregoi gjithashtu se do të ketë negociata përpara se Indonezia të paguajë 1 miliard dollarët që kërkohen për anëtarësim të përhershëm në Bordin e Paqes.
Ai nuk sqaroi se me kë do të zhvillohen negociatat dhe tha se Indonezia ende nuk e kishte konfirmuar pjesëmarrjen e Prabowos në takimin e bordit.
Nga ana tjetër, ministria e mbrojtjes e Indonezisë mohoi gjithashtu raportet në median izraelite se vendosja e trupave indoneziane do të ishte në Rafah dhe Khan Younis të Gazës.
"Planet e Indonezisë për të kontribuar në paqe dhe mbështetje humanitare në Gaza janë ende në fazat e përgatitjes dhe koordinimit", ka thënë zëdhënësi i ministrisë së mbrojtjes, Rico Ricardo Sirat, për Reuters në një mesazh.
"Çështjet operacionale (vendndodhja e vendosjes, numri i personelit, orari, mekanizmi) nuk janë finalizuar ende dhe do të shpallen pasi të jetë marrë një vendim zyrtar dhe të jetë sqaruar mandati i nevojshëm ndërkombëtar", shtoi ai. /Telegrafi/
Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Dibran Fetahut, duke e gjetur fajtor për veprën penale “Përvetësimi në detyrë”, sipas nenit 425, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, trupi gjykues i shqiptoi të pandehurit dënim me burg në kohëzgjatje prej tre (3) vjetësh, në të cilin përfshihet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.
Po ashtu, Fetahu u dënua edhe me gjobë në shumën prej 1 mijë euro, të cilën është i obliguar ta paguajë brenda 30 ditëve nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.
Gjykata urdhëroi gjithashtu që i pandehuri t’i kompensojë palës së dëmtuar, Postës së Kosovës – Mitrovica 1, shumën prej 71.572,26 euro, brenda afatit prej tre muajsh nga dita kur aktgjykimi merr formë të prerë, nën kërcënimin e përmbarimit me detyrim.
Në bazë të nenit 62, paragrafi 2, pika 2.3 të KPRK-së, Fetahut i ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik për një periudhë dyvjeçare, pas vuajtjes së dënimit me burg.
Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij aktgjykimi në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. /Telegrafi/