Reading view

Ledion Krisafi: Konflikti në Iran po merr përmasa më të gjera, SHBA synon të shmangë përshkallëzimin e luftës

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ledion Krisafi, vlerëson se regjimi iranian po shfaq një nivel të lartë vetëbesimi në zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, ndërsa paralajmëron se konflikti po merr përmasa gjithnjë e më të gjera.

Në një intervistë në emisionin “War Report” në ABC News, Krisafi u shpreh se sulmet e ndërmarra nga Irani tregojnë besimin e regjimit në kapacitetet e tij, duke theksuar se ato kanë shkaktuar edhe dëme.

“Ky regjim në Iran, për momentin, duket me shumë vetëbesim. Fakti që kreu një sulm të parë e tregon këtë vetëbesim, por edhe se sulmet e tyre kanë shkaktuar dëme. Po shohim një përhapje të luftës në të gjithë Lindjen e Mesme dhe duket sikur po zhvillohet një betejë për dominimin e rajonit”, u shpreh ai.
Sipas Krisafit, Shtetet e Bashkuara mund të jenë duke ushtruar presion ndaj Izraelit për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.

“Për të mos e përhapur luftën më shumë se kaq, ndoshta amerikanët po i kërkojnë Izraelit të qëndrojë i përmbajtur. Sipas disa informacioneve, kryeministri Benjamin Netanyahu u ka kërkuar disa herë amerikanëve leje për të eliminuar krerë të regjimit iranian”, deklaroi Krisafi.

Ai theksoi se zhvillimet e ardhshme do të varen nga vendimet e aktorëve kryesorë ndërkombëtarë dhe rajonalë, të cilët po përpiqen të balancojnë interesat strategjike me rrezikun e një konflikti më të gjerë.

/abcnews.al/

  •  

Eksperti i Sigurisë: Konflikti në Lindjen e Mesme po merr një dimension të ri

Profesori i asociuar i çështjeve të sigurisë, Xhavit Shala, deklaroi se zhvillimet e fundit tregojnë se konflikti në Lindjen e Mesme po hyn në një fazë të re, me përfshirje gjithnjë e më të gjerë të aktorëve rajonalë.

Në një intervistë për emisionin “War Report” në ABC News, Shala u shpreh se Arabia Saudite po përfshihet gradualisht në konflikt edhe në aspektin ushtarak.

“Konflikti po merr një pamje tjetër në Lindjen e Mesme. Arabia Saudite ka marrë pjesë direkt në sulme të armatosura dhe po përfshihet gradualisht në konflikt. Ka edhe një thirrje për ndërtimin e një koalicioni. Konflikti tashmë po del edhe jashtë kornizave të vendeve të Gjirit”, u shpreh Shala.

Sipas tij, zgjerimi i përfshirjes së vendeve të rajonit mund të ndikojë në dinamikën e konfliktit dhe të rrisë rrezikun e përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme.

/abcnews.al/

  •  

Koloneli Neziri: Irani lufton për mbijetesë, negociatat me SHBA do të mbeten të vështira

Koloneli Sami Neziri, i ftuar në emisionin “War Report” në ABC News, analizoi zhvillimet e fundit në raportet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke theksuar se Teherani po përballet me sfida të mëdha ushtarake dhe politike.

Sipas Nezirit, Irani ka arritur t’u rezistojë sulmeve të zgjatura të SHBA-së dhe Izraelit, por vazhdon të ketë mangësi në aftësinë për të goditur me saktësi objektivat.

Ai theksoi se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se Rusia i ka ofruar Iranit informacione të gatshme për objektiva në Lindjen e Mesme, duke shtuar se kjo çështje është përmendur edhe gjatë takimeve të Zelenskyt me presidentin amerikan Donald Trump.

Në analizën e tij, Neziri u ndal edhe te qëndrimi i Iranit ndaj negociatave me SHBA-në. Sipas tij, deklaratat e Teheranit se nuk është i gatshëm të negociojë janë pjesë e një strategjie të qëllimshme, pasi regjimi iranian e sheh pranimin e kushteve amerikane si një rrezik për legjitimitetin e tij të brendshëm.

“Irani i ka rezistuar sulmeve të zgjatura të SHBA dhe të Izraelit. Por Irani nuk ka kapacitete për të përcaktuar saktë objektivat. Dhe presidenti Zelensky e ka treguar vazhdimisht që Rusia i jep informacion të gatshëm rreth objektivave në gjithë Lindjen e Mesme. Këtë Zelensky e theksoi edhe në takimin me Trump. Por Irani nga ana tjetër deklaronte të kundërtën që nuk po negocion, pra është një politikë e ndjekur nga Irani, dhe mendoj që ka treguar që është i vështirë në negociata. Por Irani është një regjim që lufton për mbijetesë dhe nëse do shkojë në negociata dhe do pranojë kërkesat dhe kushtet e SHBA, i bie që regjimi në sytë e opinionit të brendshëm është i dështuar dhe kjo mendoj që e mban larg Iranin për negociatat. Dhe kjo gjë do vazhdojë për aq kohë sa Iranit t’i mbarojnë rezervat”, tha ai.

/abcnews.al/

  •  

Ekspertja e Sigurisë: Lufta SHBA-Iran ka hyrë në një fazë të zgjatur, Hormuzi mbetet pikë e rëndësishme

Ekspertja e sigurisë, Juxhina Sotiri, ka analizuar zhvillimet e fundit në konfliktin mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke paralajmëruar se përplasja mes dy vendeve mund të zgjasë dhe të marrë përmasa të reja.

Në një intervistë për emisionin “War Report” në ABC News, Sotiri u shpreh se konflikti ka hyrë në një fazë të zgjatur, ndërsa theksoi se Irani ka në dispozicion një mjet presioni më të fuqishëm sesa programi i tij bërthamor.

“Jemi në muajin e pestë dhe të dyja këto vende kanë hyrë në një konflikt të përhershëm. Mendoj se mund të jetë një konflikt i zgjatur. U kuptua se Irani nuk kishte nevojë vetëm për programin bërthamor si mjet kërcënimi, por ka edhe një levë shumë më të rëndësishme, siç është Ngushtica e Hormuzit, e cila duket se është një instrument i fuqishëm në duart e Teheranit,” tha ajo.

Sotiri u ndal edhe te dimensioni politik i konfliktit, duke theksuar se zhvillimet e luftës ndikojnë drejtpërdrejt në komunikimin dhe mbështetjen elektorale të liderëve politikë.

“Trump ka nevojë të ndërtojë një narrativë të re dhe të ndryshojë komunikimin me elektoratin e tij. Po ashtu, e njëjta gjë vlen edhe për Benjamin Netanyahun, pasi rritja e pëlqyeshmërisë ndaj tij ka ecur paralelisht me zgjatjen e luftës. Kemi të bëjmë me dy dinamika kontradiktore që ndikojnë edhe në zhvillimin e konfliktit,” u shpreh ekspertja.

/abcnews.al/

  •  

Eksperti Krisafi: Një marrëveshje mes Trump dhe Iranit ende e vështirë për t’u arritur

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ledion Krisafi, deklaroi se një marrëveshje mes ish-presidentit amerikan Donald Trump dhe regjimit iranian do të ishte shumë e vështirë për t’u arritur, duke argumentuar se Teherani mbetet një partner kompleks në negociata.

Në një intervistë në emisionin “War Report” në ABC News, Krisafi u shpreh se, pavarësisht përpjekjeve dhe presionit ndërkombëtar ndaj Iranit, edhe Shtetet e Bashkuara përballen me kufizime në raport me regjimin iranian.

“E kam të vështirë të mendoj nëse Trump mund të arrijë një marrëveshje me regjimin iranian. Ky është një regjim me të cilin është shumë e vështirë të arrihet një marrëveshje. Pavarësisht se Irani është dënuar apo është vënë nën presion, edhe amerikanët ndodhen në njëfarë disavantazhi,” tha ai.

Duke komentuar zhvillimet ushtarake në rajon, Krisafi u ndal edhe te përdorimi i armëve dhe teknologjisë në konfliktet e fundit.

Sipas tij, ushtritë po përpiqen të përshtaten me sistemet e mbrojtjes kundër dronëve, ndërsa për goditjen e objektivave strategjikë janë përdorur kryesisht raketa balistike.

“Në përgjithësi po mundohen të përshtaten me sistemin e kapjes së dronëve. Një pjesë e madhe e bazave amerikane janë goditur me raketa balistike. Dronët përdoren më shumë për të goditur rafineritë e naftës, ndërsa për bazat amerikane janë përdorur raketa balistike. Suksesi më i madh i iranianëve gjatë javëve të fundit kanë qenë koordinatat që kanë ardhur nga rusët,” u shpreh Krisafi.

/abcnews.al/

  •  

“Miliona euro në dispozicion të bujqësisë”/ Rrapaj: Banka e Zhvillimit do t’u japë përparësi fermerëve

Në një intervistë për emisionin “Sheshi i Dollarit”, kryetari i Këshillit të Agrobiznesit, Agim Rrapaj, deklaroi se bujqësia disponon burime të rëndësishme financimi si fondet IPARD, skemën kombëtare prej 52 milionë eurosh dhe linja kredie me mbrojtje garancie.

Megjithatë, ai vuri në dukje se sfida kryesore mbetet procesi i ngadaltë i disbursimit nga sistemi bankar tradicional. Për të kapërcyer këtë pengesë dhe për të përpejtuar mbështetjen ndaj fermerëve, Rrapaj theksoi nevojën marrjes së masave të shpejta administrative.

Në këtë kuadër, ai pret që deri në fund të vitit të japë rezultatet e para Banka Kombëtare e Zhvillimit. Kjo instuticion jofitimprurës shihet si një mundësi kyçe për t’i dhënë përparësi sektorit bujqësor pa i rënduar më tej fermerët.

“Burimet e financimit është IPARD-i, burimi i dytë është skema kombëtare 52 milionë euro. Burim tjetër financimi ku ka kredi dhe interesa të tjera të është kredia e Bankës së Shqipërisë me 250 milionë euro me garanci 30 milionë euro.

Po njëkohësisht janë 250 milionë euro të tjera me tendencë për t’u rritur, për projektin dyfisho sipërmarrjen tënde. Këtu tashmë ndryshon edhe shumë e parave. Në sektorë të veçantë ne kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi programe që japin një impakt shumë të madh për garancinë ushqimore dhe për cilësinë. Të gjitha këto kanë një problematikë disburisimi.

Pritshmëritë janë të mëdha, por për  të realizuar këto pritshmëri duhen masa shumë të shpejta për të cilat sistemi bankar nuk shquhet për masa të tilla. Prandaj është e domosdoshme që ne ta përqendrojmë vëmendjen pikërisht te ato aspekte që janë të lidhura ngushtë me disbursimin.

Banka Kombëtare e Zhvillimit është një bankë të cilën ne e presim dhe besoj që fundit i viti do të jetë ai i cili do të japë rezultatet e para nga aktiviteti. Është një bankë jofitimprurëse, nuk do të futë veprimet që do të rëndojnë fermerët. Shpresojmë që prioritet të ketë bujqësinë”, tha Rrapaj.

  •  

Takimi Rubio-Lavrov në Filipine/ Kamberi: Zgjidhja e konfliktit është e largët. Shala: Nuk u dha një dritë jeshile

Në kuadër të samitit në Filipine, Sekretari i Shtetit amerikan Rubio dhe Ministri i Jashtëm rus Lavrov zhvilluan një takim diplomatik i cili shërbeu si platformë për të rihapur diskutimet mbi luftën në Ukrainë.

Gjatë këtij shkëmbimi, Rubio e cilësoi luftën si një “konflikt të pakuptimtë”, ndërsa Lavrov nënvizoi se armatimi i Ukrainës mbetet i papranueshëm për Moskën, e cila kërkon zgjidhje diplomatike vetëm sipas kushteve të saj.

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Geron Kamberi vlerësoi se zgjidhja e konfliktit mbetet ende e largët për sa kohë mungon një tryezë e mirëfilltë negociatash gjithëpërfshirëse.

Nga ana tjetër, eksperti Xhavit Shala theksoi se, ndonëse takimi shërbeu për të mbajtur hapur kanalet e komunikimit për të ardhmen, ai nuk solli asnjë dritë jeshile apo zhvillim të ri konkret. Prania e qëndrimeve të tilla të prera tregon se atmosfera diplomatike rreth kësaj çështjeje vazhdon të mbetet tepër e paqëndrueshme.

Geron Kamberi: Takimi i sotëm në kuadër të samiti të vendeve Filipine, u përdor një platformë tjetër për të ringjallur diskutimin, por edhe një atmosferë që herë ngrohet dhe herë ftohet lidhur me luftën në Ukrainë. Nga deklaratat e tyre dukej që zgjidhja është e largët. Rubio e quajti një konflikt të pakuptimtë dhe nga ana tjetër kundërpërgjigjja e ministrit të jashtëm rus, Lavrov, ishte se për Rusinë ishte e papranueshme armatimi i Ukrainës. Për aq kohë sa konfliktit Rusi-Ukrainë nuk ka një tavolinë me katër këmbë unë e shikoj shumë të largët zgjidhjen e konfliktit.

Xhavit Shala: Lavrov e tha edhe në takim që ne jemi për zgjidhje diplomatike dhe politike, por sipas kushteve tona, të Rusisë. Takimi ishte një vazhdimësi, është mirë kur takimet diplomatike mbahen të hapura. Synimi këtu është tashmë që për ndonjë takim për të ardhmen. Por nuk ka ndonjë dritë jeshile, apo për diçka të re.

  •  

Kriza politike në Kosovë/ Krasniqi: Është një polarizim ekstrem. Ka një “luftë” të madhe brenda partive

Kriza politike në Kosovë vijon të mbetet pa një zgjidhje, ndërsa polarizimi mes forcave politike po thellohet.

Njohësi i zhvillimeve politike, Dardan Krasniqi, në një intervistë për “Balkan Update” vlerëson se vendi ka nevojë urgjente për institucione funksionale dhe stabilitet, por mungesa e besimit po pengon arritjen e një kompromisi.

Sipas tij, përplasjet brenda dhe mes partive politike po e rëndojnë situatën, ndërsa mungon një vullnet i sinqertë për tejkalimin e krizës. Krasniqi shprehet pesimist se palët do të arrijnë një marrëveshje në të ardhmen e afërt.

Është një polarizim ekstrem. Sot kur kemi shumë nevojë që vendi të ketë institucione dhe stabilizim, atëherë mosbesimi është shumë i madh. Unë besoj që arroganca ka një fund. Dhe në momentet e fundit të kemi një logjikë të kompromisit.

Deri tani nuk e kemi parë këtë dhe nuk jam optimist për më tutje. Janë dy pozicione të kundërta të LDK dhe të PDK. Në LDK kemi një luftë të brendshme. PDK ka bërë të qartë një qëndrim të tyre, i cili duket se ka ardhur pas diskutimeve që kanë bërë me Kurtin. Ka një luftë të madhe brenda partive. Më shumë bëhet beteja e vazhdueshme, sikurse dhe herët e tjera për të gjetur një fajtor për shkuarjen edhe një herë në zgjedhje, por nuk ka një zgjidhje të sinqertë për zgjidhjen e krizës politike”, tha Krasniqi.

  •  

SHBA marrëveshje me Arabinë Saudite/ Krisafi: Strategji e Trump për investime. Mema: SHBA nuk merr garanci…

Politika e Donald Trump në Lindjen e Mesme bazohet në një qasje transaksionale për të afruar investimet saudite dhe për të frenuar ndikimin e Kinës në rajon.

Sipas ekspertit të marrëdhënieve ndërkombëtare Ledion Krisafi, kjo lëvizje nuk është ndonjë kthesë drastike, por i dërgon një sinjal Iranit për të vijuar programin e tij bërthamor civil.

Nga ana tjetër, profesori Medlir Mema nënvizon se SHBA nuk merr garanci të veçanta dhe se një marrëveshje e tillë nuk e stabilizon Izraelin. Mema ngre shqetësimin se Arabia Saudite mund ta përdorë programin e saj civil në të ardhmen për synime të sigurisë rajonale.

Ledion Krisafi: Është një mënyrë për t’i mbajtur pas vetes vendet e Lindjes së Mesme, sepse Kina është larg. Është një mënyrë për Trump, që Arabia Saudite të investojë në SHBA. Është mënyra se si Donald Trumpo i vendos marrëdhëniet ndërkombëtare. U jep diçka, për t’u marrë diçka tjetër. Nuk është një ndryshimi shumë i madh. Për Iranin është një sinjal që nuk kanë se përse të heqin dorë nga programi i vet, sepse gjithmonë thonë që kanë një program civil bërthamor. Nuk ndihmon në luftën me Iranin por nuk është diçka e jashtëzakonshme.

Medlir Mema: SHBA nuk marrin ndonjë garanci të veçantë nga Arabia Saudite, Izraeli nuk stabilizohet nga marrëveshja me Arabinë Saudite. Nuk ka asnjë problem, sepse është e drejta e çdo vendi në botë, pasi kanë program bërthamor civil. Problemi kryesor është që Arabia Saudite nuk bën vetëm për të pasur një program civil, por që ta përdorë në të ardhmen për sigurinë rajonale.

  •  

Euro, monedhë zyrtare pas hyrjes në BE/ Civici: Zëvendësimi i lekut mund të zgjasë nga 7-12 vjet

TIRANË– Shqipëria ka nisur zyrtarisht përgatitjet ligjore për adoptimin e euros si monedhë kombëtare. Projektligji i ri “Për Bankën e Shqipërisë”, i publikuar për konsultim publik, parashikon kuadrin ligjor që do të zbatohet pas anëtarësimit të vendit në Eurozonë.

Sipas draftit, euro do të bëhet monedha zyrtare e Republikës së Shqipërisë, duke zëvendësuar lekun. Banka e Shqipërisë do të jetë institucioni përgjegjës për emetimin, hedhjen në qarkullim dhe administrimin e kartëmonedhave dhe monedhave euro, në përputhje me rregullat e Bashkimit Evropian dhe të Bankës Qendrore Evropiane.

Zhvillimi u komentua nga eksperti i ekonomisë, Adrian Civici, i ftuar në emisionin “Sheshi i Dollarit”, në ABC News.

“Ky është një projektligj i pritur prej një kohe relativisht të gjatë, pasi ligji i fundit daton në vitin 1997. Që prej asaj kohe kanë ndryshuar shumë gjëra dhe janë shtuar kërkesa të reja. Këtë herë, projektligji pasqyron edhe fazën shumë të rëndësishme ku ndodhet Shqipëria në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Kapitulli 17, që lidhet me Bankën Qendrore, sistemin bankar, sistemin monetar dhe atë financiar, është një nga kapitujt më të rëndësishëm të negociatave. Ky draft, i hedhur për konsultim publik, vjen në momentin e duhur dhe adreson sfidat me të cilat duhet të përballemi”, tha Civici.

Sipas tij, hapi i parë mbetet anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe pastaj vjen dhe zëvendësimi i lekut me euron.

“Realizimi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE, që pritet të ndodhë brenda tre ose katër viteve të ardhshme, është hapi më i rëndësishëm. Më pas, Shqipëria do të integrohet në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore, do të bëhet pjesë e sistemit bankar evropian, do të përfaqësohet në Bankën Qendrore Evropiane dhe do të nisë procedurat për përfshirjen në Eurozonë dhe zëvendësimin e lekut me euron”, u shpreh ai.

Eksperti theksoi se bëhet fjalë për një proces afatgjatë dhe jo për një ndryshim që mund të ndodhë menjëherë.

“Ky është një proces relativisht i gjatë. Nuk është diçka që mund të ndodhë nesër. Fillimisht, Shqipëria duhet të bëhet anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Evropian. Kjo fazë është shumë e rëndësishme, pasi kërkon përshtatjen e legjislacionit dhe të sistemit bankar me standardet evropiane.

Procesi i zëvendësimit të lekut me euron, edhe në skenarin më optimist, mund të realizohet brenda shtatë viteve. Në raste të tjera, siç ka ndodhur në disa vende të BE-së, ai mund të zgjasë 10 deri në 12 vjet. Gjithçka varet nga ritmi dhe aftësia e Shqipërisë për të përmbushur reformat e kërkuara”, përfundoi Civici./abcnews.al

  •  

Protesta nën “petkun” e Diasporës/ Minxhozi: Regjistrimi i Vetëvendosjes si parti politike në Shqipëri është një faull

TIRANË- Analisti Skënder Minxhozi, i ftuar në emisionin “Real Story”, ka komentuar përfshirjen e subjekteve politike nga rajoni, konkretisht Lëvizja Vetëvendosje, në protestat në Shqipëri.

Sipas Minxhozit, pjesëmarrja individuale e qytetarëve në një protestë nuk përbën problem, pasi lidhet me të drejtën e shprehjes së një bindjeje apo qëndrimi personal.

Por, sipas tij, situata ndryshon kur pas një aktiviteti qëndrojnë struktura politike të një vendi tjetër.

Më tej, Minxhozi u ndal edhe te roli i Lëvizjes Vetëvendosje, duke argumentuar se një parti politike duhet të veprojë brenda territorit dhe sistemit kushtetues ku është krijuar dhe nuk duhet të fusë “hundët” në vendet e rajonit.

Sipas tij, ndërhyrja e partive politike në hapësirat politike të vendeve të tjera mund të krijojë një situatë të ndërlikuar në rajon.

“Ku ndahet? Ndahet te ajo që a ka apo nuk ka organizim apo shtysë partiake nga pas. Nëse ai merr familjen e tij i pëlqejnë flamingot ose ka edhe idenë ekstreme se po shitet toka e Atdheut amë, ai vjen nuk ka asnjë problem nuk e ndalon dot sepse do vinte për të shkuar në Shëngjin, Vlorë apo Sarandë dhe bën një ndalin më protestë. Kur ka parti pas këtu fillon e kërcet çështja. Vetëvendosja është e regjistruar si parti politike në Shqipëri dhe kjo është një faull.

Pse? E gjithë Evropa e sotme është një mish mash i pleksur minoritetesh në territoret e njëri tjetrit. Shkon CDU gjermane të bëjë fushatë në komunitetet gjermanishtfolëse? Pra, partitë politike veprojnë në kriter territorial, dhe kriteri thotë PS dhe PD janë parti shqiptare, nuk shkojnë dot të hapin degë as në Pejë, as në Mitrovicë as në Shkup, se është skandal.

Sepse hapet një lojë që është e frikshme. Vetëvendosja është një parti e krijuar në territorin e Kosovës dhe duhet të veprojë në atë sistem kushtetues që quhet Republika e Kosovës”, u shpreh Skënder Minxhozi./abcnews.al

  •  

“Vetëvendosje kërkon të destabilizojë Shqipërinë”, Bislimi: Protestuesit janë kundër demokracisë, ky është problemi

TIRANË- Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Labinot Bislimi, komentoi ndikimin dhe përfshirjen e Lëvizjes Vetëvendosje në protestën në Shqipëri.

Ai theksoi se çështjet kombëtare janë legjitime që t’i bashkojë shqiptarët kudo ata ndodhen, por është e papranueshme që partitë politike të marrin pjesë në protestë kundër ardhmërisë së Shqipërisë.

Bislimi u shpreh se Lëvizja Vetëvendosje kërkon të destabilizojë Shqipërinë pasi në përbërjen e saj ka elementë fashizmi.

Kur një parti politike, siç është VV,  çon mercenarët e vet të organizuar, jo tani më më për Zvërnecin, sepse ajo çështje është “kamuflazh”, por në një frymë që hajde të rrëzojmë dhe të destabilizojmë Shqipërinë, shtetin shqiptar, qeverinë, në kohën kur është në fazën për të marrë investimet e reja nga jashtë, në kohën kur është në një moment të integrimit.

VV është parti, e cila mban një frymë, pavarësisht se nuk e identifikon veten, por të gjitha elementët përbrenda saj janë elementë fashiste dhe këtu kemi një strategji. Protestuesit janë kundër demokracisë dhe këtu e kemi problemin”, tha ai.

  •  

“Protesta, jo anomali”, Labinot Bislimi: PD dhe Sali Berisha duhet të reflektojnë, po zëvendësohen si opozitë

TIRANË- Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Labinot Bislimi, i ftuar në emisionin “Real Story”, komentoi zhvillimet politike në Shqipëri dhe protestën e zhvilluar prej më shumë se 40 ditësh.

Bislimi u shpreh se rritja e mirëqenies dhe zhvillimi shoqëror sjellin kërkesa të reja nga qytetarët, duke e cilësuar protestën si një tregues të ndryshimit të shoqërisë shqiptare.

Duke folur për reagimin e qeverisë, Bislimi tha se protesta nuk duhet parë si një anomali dhe vlerësoi mënyrën e reagimit të kryeministrit Edi Rama.

Sipas tij, protesta me kalimin e kohës është transformuar nga një lëvizje shoqërore në një lëvizje politike, që tashmë ngjan me një forcë opozitare.

Ai shtoi se Rama ndodhet në një pozicion të qëndrueshëm politik, pasi sipas tij ka fituar zgjedhjet dhe gëzon legjitimitetin për të qeverisur. Protesta për Bislimin, duhet të konsiderohet si  një sinjal alarmi për Sali Berishën dhe Partinë Demokratike.

“Në momentin kur rritet mirëqenia, kur bëhet zhvillimi, krijohen këto protesta dhe kjo tregon se Shqipëria po ndryshon. Kur të rritet mirëqenia, njerëzit kërkojnë më shumë. Jemi duke përjetuar një moment që Shqipëria nuk e ka përjetuar më parë.

Pse duhet të reflektojë qeveria? Qeveria duhet ta kuptojë se protesta nuk është anomali dhe këtë po e bën. Edi Rama, përveç se ka kundër-reaguar duke u kthyer përgjigje, ai nuk ka dalë duke i rrahur protestuesit.

Dalin aty prej 40 ditësh, janë bërë gjithmonë e më pak, që tani është përkthyer në lëvizje politike, që duket tamam opozitë. Kjo protestë më shumë po dëmton… Duhet të reflektojnë PD-ja dhe Sali Berisha, sepse po e zëvendësojnë si opozitë, sesa Edi Rama.

Ai është në një gjendje normale, i ka fituar zgjedhjet, e ka legjitimitetin dhe legalitetin dhe tani po pret që kjo lëvizje, që ishte shoqërore, u bë politike, po bëhet opozitë, ndoshta për ta zëvendësuar LSI-në”, tha ai./abcnews.al

 

  •  

“Tani kërkohet përgjigje nga shteti”, Bejko në “Real Story”: Pse përbërja e protestës është e çuditshme

TIRANË- Analisti Roland Bejko, i ftuar në emisionin “Real Story”, komentoi zhvillimet e fundit rreth protestës, duke u shprehur se ajo ka bashkuar njerëz me bindje të ndryshme politike dhe shoqërore dhe kjo tha ai i jep karakter të çuditshëm tubimit.

Duke komentuar pretendimet për përfshirje të faktorëve të huaj në protestë, Bejko tha se institucionet shtetërore duhet të japin përgjigje, duke përmendur rolin e strukturave të sigurisë dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.

“Kam qenë disa herë në protestë dhe e kam parë aty përbërjen, aty ka nga të gjitha krahët, edhe politikë dhe shoqëror, është një protestë e cila i ka bashkuar dhe i mban aty mbi 40 ditë, unitetit të kundërtave dhe kjo është ajo që e bën të çuditshme këtë protestë. Ka mbi 40 ditë që ne dëgjojmë, jo vetëm në këtë studio, edhe vetë qeverinë, por dhe faktorë jashtë qeverisë se këtu ka dorë Irani, armiqtë e Shqipërisë, Shteti punon me institucione, shteti ka SHISH, ka bashkëpunim me partnerë, është në partneritet me SHBA, me CIA-n, me agjenci të tjera, me Mosad tek e fundit, sepse duam apo s’duam ne, nëse është e vërtetë që Irani është i implikuar është për shkak të qëndrimeve që ka mbajtur Shqipëria me Izraelin.”, tha Bejko.

“Këto grupe të majta dhe të strukturuara kalojnë nga qëndresa në veprim dhe ne duam përgjigjen nga shteti tani. Nëse këto grupe të majta kanë filluar të godasin biznesin, ta dëmtojnë atë, janë në habitatin e tyre te e fundit”, tha ai./abcnews.al

 

  •  
❌