Kur videot e vrasjes së Alex Pretti-t u shfaqën në të gjitha rrjetet televizive më 24 janar, Donald Trump, i mbyllur në Zyrën Ovale ndërsa jashtë kishte stuhi bore, ndezi televizorin dhe nuk i pëlqyen ato që pa.
Për javë me radhë ai përsëriste se mediat duhet të përqendroheshin tek kriminelët e arrestuar, jo tek vrasjet e qytetarëve amerikanë nga agjentët federalë të anti-emigracionit.
Pak orë më vonë, ministrja e Sigurisë së Brendshme, Kristi Noem, deklaroi në televizion se Pretti ishte terrorist,. Shefi i policisë kufitare, Greg Bovino, tha se ai mbante armë, ndërsa zëvendës shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Stephen Miller shkroi në rrjet se Pretti ishte “një vrasës që u përpoq të vriste agjentët federalë”.
Trump ishte i frustruar, sepse ishte e qartë që ky rrëfim nuk qëndronte përballë imazheve.
Madje, edhe aleatët e tij e thonin në televizion…
“Sigurisht që nuk duhet ta quajmë terrorist që synon të ekzekutojë policët, nuk ka prova për këtë”, tha ish-deputeti i Karolinës së Jugut, Trey Gowdy, i cili herë pas here luan golf me Trump. “Nuk jam dakord me reagimin e nxituar të Noem: të thuash diçka para se të dihen faktet vetëm ul besimin”, shkroi në rrjet senatori i Utah, John Curtis. “Jam e tronditur nga dhuna në Minneapolis”, deklaroi senatorja Susan Collins. Të gjithë këta të fundit republikanë.
Disa prej tyre e telefonuan të dielën, 25 janar. Senatori Lindsey Graham i Karolinës së Jugut i tha se një mesazh i tillë në televizion mund të lërë në hije operacionet e suksesshme në luftën kundër emigrantëve të paligjshëm.
Trump frikësohej se po dukej kaotik dhe jo i fortë. Në këtë situatë u shtua edhe protesta e NRA-së, lobit të armëve. Edhe Susie Wiles, drejtuesja e stafit të Shtëpisë së Bardhë, mori shumë thirrje nga politikanë dhe udhëheqës biznesi. Kështu që linja duhej ndryshuar.
Më pas, Trump deklaroi për Wall Street Journal se po mendonte të reduktonte numrin e agjentëve federalë në Minneapolis dhe më vonë propozoi se nëse autoritetet lokale bashkëpunonin me ICE, do të tërhiqte disa agjentë të Policisë Kufitare nga shteti. Të hënën në mëngjes, 26 janar, presidenti foli në telefon me Tom Homan, i njohur ndryshe si “sherifi i kufirit”, për t’i propozuar të merrte drejtimin e operacioneve në Minneapolis.
Kjo tërheqje e Trump brenda 48 orëve nga vrasja e Alex Pretti-t është e jashtëzakonshme, sepse është një pranim i gabimit në menaxhimin e një prej premtimeve kryesore elektorale, ai për emigracionin.
Ai ndryshoi personel dhe strategji.
Homan është agresiv në idenë e dëbimeve masive, por jo aq sa zëvendës shefi i stafit, Stephen Miller. Qasja e tij është më e ngadaltë dhe metodike, nuk i pëlqejnë aksionet masive.
Prej muajsh kishte debate brenda Shtëpisë së Bardhë midis dy fraksioneve: ata që duan masa më agresive si Miller, Kristi Noem dhe këshilltari i saj Corey Lewandowski, dhe ata që preferojnë qasjen e Homan dhe drejtorit të përkohshëm të ICE, Todd Lyons. Për tani Trump duket se ka zgjedhur këtë të fundit.
Zëdhënësja Karoline Leavitt ripërsëriti besimin te Kristi Noem, edhe pse qarkullojnë thashetheme se e ardhmja e saj mund të jetë e pasigurt: një nga arsyet që presidenti e mbajti në post, pavarësisht kritikave të brendshme, ishte se ishte e mirë në televizion, por papritmas ndaloi së qeni e tillë. Sa i përket Stephen Miller, është e pamundur të ketë pasoja për të.