Ambasada e Gjermanisë në Kosovë promovon edukimin qytetar dhe të drejtat e njeriut përmes bashkëpunimit me Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut.
Ambasadori i Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, është pritur në një takim nga drejtoresha ekzekutive Marigona Shabiu.
Gjatë vizitës, u diskutua mbi rëndësinë e promovimit të vlerave qytetare, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe edukimit të të rinjve, elemente që konsiderohen thelbësore për funksionimin e demokracisë, njofton kjo ambasadë.
Ambasadori Rudolph pati gjithashtu një vizitë në Muzeun e Fëmijëve të Luftës, i cili është pjesë e punës së Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut. Ekspozita paraqet përvojat e fëmijëve gjatë periudhave të konfliktit dhe synon të ndërgjegjësojë publikun për ndikimet emocionale dhe sociale të luftës.
Përmes këtij aktiviteti, u theksua kontributi i organizatës në shoqërinë civile të Kosovës gjatë më shumë se dy dekadave, duke përfshirë edhe angazhimin në promovimin e dialogut dhe të drejtave të njeriut.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Enkel Rexhepi ka vlerësuar padinë e ngritur ndaj Serbisë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, për pasivizimin e adresave të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës.
“Regjistrimi i padisë kundër Serbisë në Gjykatën e Strasburgut për pasivizimin e adresave përbën hap të rëndësishëm në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve shqiptarë në Luginën e Preshevës”, ka vlerësuar Rexhepi.
Ai më tej ka thënë se kjo është një iniciativë që vjen si vazhdimësi e angazhimit institucional nga Këshilli.
“Rasti është iniciuar dhe mbështetur nga zyra e Këshillit Kombëtar Shqiptar, me përgatitjen profesionale të avokatit Drin Grazhdani dhe përfaqësimit të Teuta Fazliut. Mbetemi të përkushtuar që këtë çështje ta ndjekim deri në fund në mbrojtje e barazisë para ligjit dhe ndalimit të praktikave diskriminuese që ndodhin në Serbi”, ka thënë ai.
Sot Teuta Fazliu, banore e Luginës së Preshevës, ka paditur Serbinë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, duke pretenduar diskriminim përmes shlyerjes së adresës së vendbanimit. Ajo tha se kjo është hera e parë që Gjykata e Strasburgut shqyrton një lëndë të tillë.
“Kam ndjekur të gjitha procedurat ligjore, të gjitha mekanizmat i kam shtjerr në Serbi deri në instancën më të lartë, Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit ka nxjerrë një vendim që nuk ka shkelje të të drejtave të njeriut. Ndërsa si pasojë e këtij pasivizimi më kanë larguar edhe nga lista e votuesve që s’kam mundur nga nga 2020 më të votoj as në zgjedhjet lokale dhe ato parlamentare dhe pas një zvarritje të gjatë pesëvjeçare domethënë në qershor bëhen gjashtë vite të gjykatave të Serbisë unë kam marrë përgjigjen e fundit dhe kam vazhduar në Gjykatën e Strasburgut”, tha ajo për RTK-në.
Ndonëse Qeveria e Kosovës ka shtuar katër ministri të reja, dhe buxheti për 2026 u dekretua nga Presidentja, problematike mbetet buxheti për to. Sipas partive opozitare, mungesa e planifikimeve buxhetore si dhe ajo e pasqyrës financiare rrezikon të kthehet në barrë për vendin. Ndërkaq, njohës të ekonomisë paralajmërojnë se kjo mund të ndikojë negativisht edhe në jetën e qytetarëve.
Themelimi i katër ministrive të reja nga Qeveria “Kurti 3” ka ngritur sa konfuzion po aq sa edhe debate mbi procedimin e punës së tyre.
Ministria e Administratës Publike dhe Digjitalizimit, ajo për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit dhe ajo për Sport dhe Rini janë shtuar si dikastere të reja.
Sipas deputetes së PDK-së, Ariana Shoshi-Musliu ka paqartësi për këto ministri dhe rrezik që të jenë barrë për buxhetin e shtetit.
”Pa një pasqyrë të detajuar financiare, është e paqartë sa vende të reja pune do të hapen dhe cili do të jetë ndikimi real në buxhet. Çdo zgjerim i administratës duhet të bazohet në analiza të mirëfillta të kostos dhe nevojës, jo në vendime të nxituara që mund të rrisin barrën për taksapaguesit. Nëse parashihen rialokime, ato duhet të jenë transparente dhe të arsyetuara, sepse zhvendosja e mjeteve nga sektorë të tjerë mund të rrezikojë projekte prioritare dhe shërbime thelbësore për qytetarët. Nëse funksionojnë pa mbështetje të qartë buxhetore dhe pa plan konkret, ekziston rreziku që këto ministri të kthehen në barrë për buxhetin e shtetit. Prandaj, përgjegjësia kryesore është që çdo strukturë e re të jetë financiarisht e qëndrueshme dhe e justifikuar me rezultate konkrete për qytetarët”, ka deklaruar Ariana Musliu Shoshi – deputete e PDK-së.
Të njëjtat shqetësime i kanë edhe deputet tjerë të opozitës.
”Kërkuam disa amendamente të përgatiten në emër të komisionit por nuk është mbështet kjo për shkak se ende nuk po dihen ministritë dhe kjo është joseriozitet i punës së qeverisë sepse nëse ministritë nuk i dinë ende buxhetin atëherë ç’ka do bëjmë më tutje. Do ketë rishikim të buxhetit, të shohim si do ecë më tutje”, ka thënë Albana Bytyqi, deputete e AAK-së.
Për njohës të ekonomisë, bartja e mjeteve nga dikasteret tjera mbeten opsione të pashmangshme.
”Definitivisht do jenë barrë deri në rishikimin e buxhetit sepse janë dikastere të dala së fundmi. Në kabinet të kryeministrit ekzistojnë pasqyra financiare që kanë fleksibilitet. Do ketë bartje të mjeteve që të kenë mundësi të funksionalizohen, mjete që do jenë si infusion fillestar për fillimin dhe krijimin e këtyre dikastereve”, ka thënë Safet Gërxhaliu, njohës i ekonomisë.
Por, edhe një formë e tillë, po u aplikua, vlerësohet se nuk paraqet zgjidhje.
”Është barrë sepse kur nuk planifikohet, nuk organizohet, burkoracia lind vetvetiu. Barra e buxhetit të shtetit bazohet drejtpërdrejt në shpenzimet publike që nuk prodhojnë produktivitet. Nëse do ishte rritja e popullatës marramendëse atëherë kisha thanë se krijohet nevoja me i rrit ministritë por përderisa vendet e botës shkurtojnë shpenzimet publike, Kosova, vendi më i varfër i rrit…E para, ndikon drejtpërdrejtë sepse investimet që janë paraparë në infrastrukturë nuk mund të realizohen. E dyta, në momentin që rrit shpenzimet publike kanë me u rrit. Kjo ndikon në kosto të jetës. Shpenzimet publike të pamatura krijojnë inflacion sepse nuk rezulton me produktivitet të punës”, ka thënë Shkumbin Misini – profesor i ekonomisë.
Në seancën e fundit që mbajti Kuvendi, ministri i Financave Hekuran Murati ka deklaruar se buxheti do të rishikohet më së voni muajin e ardhshëm dhe aty do të qartësohen edhe këto dilema./Tv Dukagjini
Deputeti Eman Rrahmani, në një lidhje direkte në emisionin “Debat Plus”, ka deklaruar se e respekton dhe e vlerëson punën e presidentes Vjosa Osmani, por vota e tij për çështjen e presidentit do të jetë në koordinim të plotë me Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
“Eman Rrahmani e respekton dhe e vlerëson punën e Presidentes Vjosa Osmani, ndërsa vota është në koordinim të plotë me grupin parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës”, ka thënë ai.
Rrahmani ka theksuar se vendimi për votimin lidhur me zgjedhjen e presidentit do të jetë i përbashkët me PDK-në, pavarësisht se kush do të jetë kandidati.
“Është vendim i përbashkët me grupin parlamentar të PDK-së që do të jetë rreth votimit për çështjen e presidentit të Kosovës ose presidentes, pavarësisht se kush është”, është shprehur ai.
Ai ka shtuar se është pjesë e Grupit Parlamentar të PDK-së, ku edhe ka garuar në kuadër të këtij subjekti politik, dhe se marrëveshja paraprake si koalicion ka qenë që të ketë qëndrime të përbashkëta edhe për çështjen e presidentit, ashtu si edhe për tema të tjera politike.
Arian Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Kuvendin e Kosovës, ka folur për zhvillimet e fundit politike në vend, në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, në kohën kur kanë mbetur pak ditë deri në zgjedhjen e presidentit të ri.
Tahiri është shprehur se nuk është mirë për shoqërinë dhe demokracinë që të krijohet pushtet autoritar.
“Nuk është mirë për demokracinë, nuk është mirë për shoqërinë, nuk është mirë për vendin me u bë pushtet dhe sistem autoritar që udhëhiqet prej një njeriu”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se roli i PDK-së ka qenë mbrojtja e institucionit.
“Roli jonë prap ka qenë me mbrojt institucionin”, ka deklaruar Tahiri.
Më tej, ai ka theksuar se mbi bazën e marrëveshjeve pozitive duhet të zgjidhet një president i propozuar nga PDK-ja, por jo vetëm një emër.
Tahiri ka folur edhe për presidenten aktuale, Vjosa Osmani.
“Emri i Vjosa Osmanit nuk mundet me kanë konsensual për shkak që Vjosa Osmani ka pas qasje të njëanshme çdoherë…”, ka thënë ai.
“Vjosa Osmani nuk e ka problem PDK-në. Vjosa Osmani e ka problem Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen, asaj nuk i vjen rendi me ardh te PDK-ja hiq”, është shprehur Tahiri.
Ai ka theksuar se shoqëria dhe shteti kanë nevojë për bashkim dhe unifikim më shumë se asnjëherë më parë.
Në fund, Tahiri ka thënë se PDK e ka pranuar rezultatin zgjedhor dhe se është subjekt konstruktiv në proceset politike.
Ndërtimi i hidrocentraleve dhe operimi i tyre në mënyrë të pakontrolluar vazhdon të jetë kërcënim për ujërat dhe lumenjtë, sidomos për rrjedhën e tyre natyrore dhe biodiversitetin.
Banorët thonë se ndalja e ujit për veprimtari të ndryshme po bëhet çdo ditë në dëm të mjedisit.
“Dje nuk kishte as 10 për qind të këtij uji, sot është pak më mirë. Është krejtësisht si një përrua i vogël. Ndonjëherë nuk ka ujë ose ka shumë pak, madje mund të shihen disa peshq duke notuar”, thotë një nga banorët.
Kjo situatë bëri që ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, së bashku me inspektorë dhe zyrtarë të tjerë përgjegjës të ministrisë, të ndërmarrin inspektime rutinë në disa zona të Shtërpcës për të verifikuar nëse hidrocentralet po veprojnë në përputhje me ligjin dhe kushtet mjedisore.
Inspektimet përfshinë rrjedhën e ujit, turbinat e hidrocentraleve, si dhe verifikimin e detajuar të dokumentacionit.
Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, tha se mbrojtja e lumenjve dhe ujërave është fokusi kryesor i institucionit që ajo drejton.
“Ne jemi një ekip i ri në ministri dhe kemi disa plane. Është e rëndësishme të vendoset ligjshmëri dhe të sigurojmë që ligji të respektohet në të gjithë sektorët që mbulon ministria. Një ndër sektorët më të rëndësishëm janë ujërat. Do të fokusohemi që ujërat e shtetit të shfrytëzohen në mënyrën më të qëndrueshme të mundshme dhe të mos keqpërdoren apo keqmenaxhohen. Mbrojtja e lumenjve dhe ujërave është fokusi ynë kryesor”, ka thënë ajo.
Gjatë inspektimit u hasën mungesa në dokumentacion dhe disa mangësi të tjera, të cilat sipas ministres, duhet të evidentohen dhe të analizohen më tej nga inspektorët mjedisorë. Ndërkaq, në ditët në vijim u tha se do të përpilohet raporti përkatës, përmes të cilit pala do të njoftohet për vërejtjet dhe hapat që do të ndërmarrë institucioni.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me Gjermaninë për forcimin e rendit dhe ligjit në vend.
Sveçla u takua me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ku diskutuan mbi prioritetet e mandatit të ri të Ministrisë së Brendshme dhe thellimin e bashkëpunimit bilateral.
Ai rikonfirmoi përkushtimin për avancimin e projekteve konkrete në fushën e sigurisë, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe koordinimin e vazhdueshëm për adresimin e sfidave të përbashkëta.
“Së bashku, institucione tona do të vazhdojnë të japin rezultate të prekshme në shërbim të qytetarëve dhe stabilitetit afatgjatë të vendit tonë,” tha Sveçla, duke vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për Kosovën.
Një aksident i rëndë ka ndodhur në Itali ku dy të rinj nga Mitrovica kanë humbur jetën.
Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci ka njoftuar për aksidentin.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për humbjen tragjike të dy të rinjve mitrovicas, Fidan Peci (27 vjeç) dhe Ardian Avdyli (21 vjeç), të cilët humbën jetën në një aksident të rëndë trafiku në Itali”, ka shkruar Peci.
Ai ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjeve Peci dhe Avdyli, miqve dhe të gjithë atyre që i njohën.
“Humbja e jetëve të reja është dhimbje e madhe për familjet, por edhe për mbarë qytetin tonë dhe Kosovën”, ka shkruar kryetari i Mitrovicës.
“Në këto momente të rënda, jemi pranë jush me mendje dhe zemër, duke ndarë dhimbjen dhe lutjet tona për shpirtin e tyre”, thuhet tutje në reagimin e Pecit./Telegrafi/
Në mungesë të njërit nga të akuzuarit ka dështuar të mbahet në Gjykatën e Prishtinës seanca e paraparë për të hënën (02.03.2026) ndaj dy klerikëve fetarë – shtetas të Shqipërisë.
Në këtë rast të akuzuar janë Niko Bllazhde dhe Lejdi Zagalli, të cilët nga Prokuroria Speciale po akuzohen se më 27.11.2023 kanë hyrë pa autorizim dhe e kishin hapur në mënyrë të dhunshme portën në kishën “Shën Mihaili” në fshatin Rakinicë të komunës së Podujevës.
Qëllimi i thyerjes së kishës, sipas aktakuzës, ishte që kisha të shpallej kishë shqiptare me emrin “Fan Noli”, dhe e njëjta sipas të akuzuarve do t’i përkiste Kishës Ortodokse Kombëtare Shqiptare nga Elbasani.
Me të filluar seanca, gjyqtari Kushtrim Shyti konstatoi mungesën e të akuzuarit Lejdi Zagalli, për të cilin tha se jeton në Republikën e Shqipërisë dhe se nga Policia shqiptare kanë marrë konfirmimin se ai nuk gjendet në Shqipëri dhe se për herë të fundit më 17.03.2025 përmes pikës kuftare në Rinas ka udhëtuar për në Athinë dhe nuk është kthyer më në Shqipëri.
Më tej gjyqtari tha se Policia ka kontaktuar me babanë e të pandehurit dhe e kanë njoftuar se djali i tij ka seancë gjyqësore dhe se duhet të jetë i pranishëm, mirëpo i njëjti nuk është paraqitur në Gjykatë.
Mbrojtësi i të akuzuarit Lejdi Zagalli, avokati Jeton Ademi, tha se disa herë ka tentuar të komunikojë me të pandehurin në numrin e tij të telefonit por i njëjti ka qenë i paqasshëm.
Ndërsa i pandehuri tjetër në këtë rast, Niko Bllazhde, lidhur me të pandehurin Lejdi Zagalli tha se kur ka biseduar me të i njëjti i ka thënë se nuk është i interesuar të paraqitet në seancë.
“E di që është mbyllur si murg në një manastir në Athinë… Kur kam biseduar me atë dhe i kam thënë se duhet të vish se ke gjyq, fjalia që ma ka thënë: ‘Unë nuk do të paraqitem, nuk më intereson, bëni çfarë të doni’” – tha i akuzuari Niko Bllazhde.
Gjyqtari më tej ka konstatuar edhe mungesën e dy dëshmitarëve.
Në mungesë të të pandehurit Lejdi Zagalli si dhe të dëshmitarëve, Gjykata konstatoi se nuk ka kushte për mbajtjen e seancës.
Kësisoj në mungesë të kushteve ligjore seanca e sotme (02.03.2026) u ndërpre dhe e radhës u caktua për në muajin maj 2026./Kallxo.com
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se ai është takuar dy herë me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, pa ofruar asnjë propozim konkret apo emër për president.
Sipas Bajramit, këto takime kanë shërbyer vetëm për të konfirmuar se partitë nuk përkrahin kandidatë partiakë, ndërsa përgjegjësia kryesore për sigurimin e votave bie mbi Lëvizja Vetëvendosje, e cila së bashku me minoritetet ka 66 deputetë në Kuvend.
Ajo ka thënë se LVV ka pasur dy mundësi për të siguruar zgjedhjen e presidentit: duke përfshirë një parti politike në qeveri për të garantuar votat, ose duke propozuar një kandidat apartiak.
“Kurti as s’e ka bërë të parën, as s’po e bën të dytën. Nëse mendon që ka me zgjedhë president me shantazh duhet të mendohet dy herë, se gjasat janë reale që nuk përsëritet më 2021-ta,” ka shkruar Bajrami në Facebook.
Ajo paralajmëroi se shkuarja në zgjedhje do të sillte muaj të tërë pa institucione funksionale, kosto të larta financiare dhe rikthim në pikën ku vendi gjendet sot, duke e quajtur këtë qasje “papërgjegjësi totale”.
Bajrami u bëri thirrje qytetarëve të vëzhgojnë sjelljen e Kurtit, duke thënë se “ai veç hallin e tyre nuk e ka”, dhe kritikoi ambicien e tij për, siç shkroi ajo, kontroll të plotë institucional.
“Kosova nuk guxon të mbetet peng i dy apo tre emrave për president. Ka burra e gra me dije e integritet jashtë partive politike më shumë se brenda tyre – duhet vetëm vullnet dhe guxim,” përfundoi ajo.
Deputeti i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka reaguar lidhur me situatën politike para votimit për president, duke thënë se vetëm 48 orë para seancës, fituesi i zgjedhjeve ende nuk ka as emër, as propozim konkret për kandidatin.
Tahiri ka kritikuar takimet mes partive, duke i cilësuar ato si “konsum publik” dhe deklaratat për konstruktivitet si “fasadë”.
“Edhe 48 orë kanë mbetur deri te votimi i presidentit, ndërsa fituesi i zgjedhjeve ende nuk ka as emër e as propozim konkret. Takimet duken më shumë për konsum publik, fjalët për ‘konstruktivitet’ janë vetëm fasadë, sepse këtu veç konstruktivitet nuk ka,” ka shkruar ai.
Sipas Tahirit, situata aktuale po prodhon vetëm skenarë hipotetikë që çojnë nga një krizë në tjetrën. Ai e ka quajtur këtë qasje “papërgjegjësi pa kufi”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se prioriteti kryesor politik në këtë moment është shmangia e zgjedhjeve të parakohshme, duke theksuar se ekzistojnë mundësi reale për t’i evituar ato.
Pas takimit me kryetarin e Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ai tha se atmosfera me opozitën “kurrë s’ka qenë më konstruktive” dhe se në dy ditët e ardhshme do të intensifikohen diskutimet për të gjetur një zgjidhje.
Kurti sqaroi se Lëvizja Vetëvendosje me 30 nënshkrime mund të propozojë vetëm një kandidat për president, ndërsa me përfshirjen e votave të pakicave që janë pjesë e mazhorancës mund të propozohen dy kandidatë. Ai tha se edhe partitë opozitare kanë të drejtë të propozojnë një kandidat të tyre.
“Kushtetuta na obligon t’i evitojmë zgjedhjet. Duhet të angazhohemi maksimalisht që të mos shkojmë në zgjedhje. Kushtet janë ideale për t’i pasur tre kandidatë, e aktualisht s’kemi asnjë”, deklaroi ai, duke shtuar se komunikimi me subjektet politike do të vazhdojë.
Sipas tij, ende nuk ka as figurë konsensuale e as marrëveshje politike me ndonjë parti të opozitës. Ai vuri në dukje se qëndrimi i Partia Demokratike e Kosovës, që propozimi duhet të jetë partiak, e vështirëson arritjen e një marrëveshjeje.
“Duhet të kemi së paku 80 deputetë në sallë për votim, por nuk mund të rrezikojmë të shkojmë me vetëm 80 sepse, nëse disa largohen, vendi automatikisht shkon në zgjedhje. Evitimi i zgjedhjeve është prioritet absolut”, u shpreh Kurti.
Ai paralajmëroi se edhe pse ekzistojnë mundësitë për të shmangur zgjedhjet e parakohshme, “nuk do të ishte hera e parë që në Kosovë ndodhin gjëra të paarsyeshme”.
Kurti kujtoi se në të kaluarën ka tentuar të zgjidhet kryeministër me 65 deputetë, por nuk ka qenë e mundur — ndërsa tani, sipas tij, situata është edhe më e ndërlikuar, pasi mazhorancës i mungojnë 14 vota për siguri.
Ai përsëriti se partitë pozicionohen përballë një obligimi kushtetues për të gjetur kandidatë dhe për të shmangur zgjedhjet, duke e cilësuar mungesën aktuale të kandidatëve si sfidën kryesore të momentit.
Një ngjarje e rëndë është shënuar pak minuta më parë në fshatin Peshtan Bregas, Bashkia Fier. Një 36-vjeçar i identifikuar si H.Duraj , ka humbur jetën tragjikisht gjatë punës në tokat bujqësore.
Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes mësohet se 36-vjeçari kishte dalë për të punuar tokën me frezë, kur dyshohet se është penguar aksidentalisht dhe ka rënë në tokë. Në ato momente, mjeti bujqësor i ka kaluar sipër trupit, duke i shkaktuar plagë fatale dhe vdekje të menjëhershme.
Trupi i pajetë është gjetur nga familjarët, të cilët ishin shqetësuar pasi ai nuk po u përgjigjej thirrjeve telefonike. Ata kanë njoftuar menjëherë shërbimet e emergjencës.
Në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e policisë dhe ambulanca, e cila e ka transportuar 36-vjeçarin drejt Spitalit Rajonal të Fierit, por fatkeqësisht ai kishte ndërruar jetë që në vendin e ngjarjes.
Aktualisht, trupi ndodhet në morgun e Spitalit Rajonal Fier, ku pritet të kryhet ekspertiza mjeko-ligjore. Më pas, familjarët do të tërheqin trupin për të kryer ceremoninë mortore gjatë ditës së nesërme./Tv Klan
Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar për Dukagjinin se Kosova është në proces të përgatitjeve për dërgimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Gaza, në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza, një mision i autorizuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara mbi bazën e Rezolutës 2803.
Fillimisht dërgimi i trupave u bë i ditur në takimin e themelimit të Bordit të Paqes nga gjenerali amerikan Jasper Jeffers, i cili ka bërë të ditur se Kosova është ndër shtetet që ka shprehur zyrtarisht vullnetin për të kontribuar në këtë mision shumëkombësh, së bashku me dhjetëra vende të tjera partnere, njofton Dukagjini.
Ministria e Mbrojtjes për Dukagjinin bëri të ditur se më 10 dhjetor të vitit të kaluar kanë pranuar ftesën nga Komanda Amerikane e Qendrës për t’u përfshirë në procesin e themelimit të kësaj force stabilizuese. Takimi i parë koordinues është mbajtur në Doha të Katarit, ku kanë marrë pjesë përfaqësues nga rreth 40 shtete.
Po ashtu nga ministria thuhet se me miratimin e kryeministrit Albin Kurti, në këtë forum ndërkombëtar ka marrë pjesë Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjeneral-lejtënant Bashkim Jashari, i cili konfirmoi vullnetin politik të Kosovës.
Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se kontributi i mundshëm i Kosovës do të përfshijë kapacitete të specializuara të Forcës së Sigurisë së Kosovës, përfshirë njësi për deminim, ekipe për kërkim-shpëtim, si dhe kapacitete të tjera profesionale që ndërlidhen me stabilizimin dhe garantimin e sigurisë në terren.
“Me aprovim të Kryeministrit Kurti, Komandanti i FSK-së, Gjeneral-lejtënant Bashkim Jashari ka marrë pjesë në këtë forum ndërkombëtar, ku kemi kemi shprehur dhe vullnetin politik që në mesin e 40 shteteve pjesëmarrëse, Kosova të ofrojë gatishmërinë për të kontribuar në këtë Forcë me një kombinim kapacitetesh, pra jo vetëm kapacitete tipike ushtarake apo vetëm kapacitete që kanë të bëjnë me deminim dhe kërkim-shpëtim, por dhe kapacitete relevante të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, thuhet nga Ministria e Mbrojtjes për Dukagjinin.
Aktualisht, procesi ka kaluar nga faza e shprehjes së vullnetit politik në atë të ndjekjes së procedurave ligjore dhe institucionale.
Në përputhje me Ligjin për Dërgimin e FSK-së Jashtë Vendit, po shqyrtohen aspektet operative dhe financiare, përfshirë koston e misionit në varësi të numrit të trupave dhe kohëzgjatjes së angazhimit.
Pas përfundimit të këtyre procedurave, vendimi do të dërgohet për miratim në Qeveri, më pas në Kuvendin e Kosovës dhe do të kërkojë autorizimin formal nga Presidentja e Republikës, sipas kornizës kushtetuese.
“Nga vullneti politik në zbatim praktik, tani jemi duke ndjekur hapat proceduralë që përcaktohen sipas Ligjit për Zbarkimin e FSK-së Jashtë Vendit, që përfshin edhe çështjen e kostos financiare në përputhje me numrin e trupave. Procesi më pas do të kalojë në Qeveri për vendim, dhe më pas për miratim në Kuvend, si dhe për dhe autorizim nga e Presidentja e Republikës”, thotë Ministria e Mbrojtjes.
Ministria e Mbrojtjes konfirmon për Dukagjinin se pjesëmarrja e Kosovës në këtë forcë stabilizuese përbën një vendim strategjik me rëndësi të veçantë për politikën e jashtme dhe të sigurisë së vendit.
Ky angazhim konsiderohet dëshmi e partneritetit të qëndrueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe e rolit në rritje të Kosovës si shtet kontribues në misione ndërkombëtare të sigurisë dhe paqes.
“Pjesëmarrja e Kosovës në këtë Forcë, është vendim strategjik, është dëshmi e partneritetit të palëkundur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe e rolit tonë si shtet kontribues e i përgjegjshëm në sigurinë ndërkombëtare”, thuhet në përgjigjen e MM-së.
Në Prizren, ujërat atmosferikë po shkaktojnë telashe në lagjen "Dardania". Ka kohë që banorët dhe nxënësit e Qendrës së Kompetencës duhet të kapërcejnë rrugën me ujë për të shkuar në shkollë. Deri më tani janë sanuar vetëm problemet sipërfaqësore, pa e eliminuar rrjedhën e ujërave, të cilat, sipas banorëve, zbresin nga mali.
Ujërat që përshkojnë rrugën në lagjen "Dardania", përveç dëmtimit të infrastrukturës rrugore, po shkaktojnë telashe te nxënësit e shkollës "Kopetenca" dhe banorët e kësaj zone.
“Shpeshherë po kërcasin gypat e ujit. Normal po vjen ujësjellësi dhe po e kryjnë punën e vet, por prap i njëjti problem është edhe lart. Dimrit është ngricë, s’mundemi me u ngjit deri lart, duhet me i lënë pak më poshtë dhe me vazhdu lart,” tha Edrin Qylangjiu, transportues.
Kjo gjendje mbetet problem në çdo stinë, edhe pse vitin e kaluar komuna intervenoi në sanimin e saj, ndërkohë që rruga përshkohet vazhdimisht nga nxënësit.
“Janë sanuar vetëm kockat që kanë qenë të lëvizura nga vendi, ndërsa është mbushur me zhavor. Rrjedha e ujit nuk është ndalur, dhe në momentin që ka reshje ose shkrirje të akullit, rrjedha vazhdon në gjithë asfaltin nga kthesa e poshtme”, theksoi Edona Turtulla Rada, drejtoreshë e Shkollës së Kopetencës.
Sipas zyrtarëve të Hidroregjionit Jugor, pas inspektimit në terren është konstatuar se uji që rrjedh nuk vjen nga ujësjellësi. Ndërkohë, drejtoria e shërbimeve publike pritet të intervenojë brenda javës.
“Ne kemi konstatuar se aty duhet të intervenohet menjëherë. I kemi dhënë urdhëresën operatorit dhe brenda dy ditëve do të ndalohet uji në atë rrugë. Menjëherë pas ndaljes së ujit, do të fillojmë rregullimin e kubzave ku është bërë dëmtimi në atë pjesë të rrugës”, tha Islam Ukimeri, drejtor i shërbimeve publike në Prizren.
Gjendja në këtë rrugë përkeqësohet sidomos gjatë motit të keq, kur reshjet janë të pandërprera./RTK
Ekstradohen nga Gjermania dhe Italia tre shtetas të akuzuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, ndihmë për kalim të paligjshëm dhe korrupsion.
Policia njofton se në vijim të bashkëpunimit të ngushtë me homologët, specialistët e Drejtorisë së Interpolit, në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, finalizuan procedurën për ekstradimin në Shqipëri të shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar Ibrahim Anxhara alias Ibrahim Potka, 27 vjeç. Në vitin 2024, Gjykata e Korçës e ka dënuar këtë shtetas me 3 vjet e gjysmë burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Po kështu u krye ekstradimi nga Milano, Itali, i shtetasit Samoel Terolli alias Jetmir Hysenaj, 46 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, në qershor të vitit 2023, e ka dënuar me 5 vjet burgim, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.
Ndërkohë nga Italia u krye ekstradimi drejt vendit tonë i shtetasit Genci Balla, 51 vjeç, banues në Durrës.
Shtetasi Genci Balla ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës e ka dënuar me 2 vjet e 8 muaj burgim (pjesa e mbetur e dënimit 2 vjet, 2 muaj e 23 ditë burgim), për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë një funksion publik”.
Sipas policisë operacioni ndërkombëtar i koduar “The Wanted” vijon.
Përveç trafikut, edhe projektet e tjera kapitale në kryeqytet po shihen si shumë të rëndësishme për përmirësimin e jetesës së qytetarëve. Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar buxhetin në vlerë prej 151 milionë eurosh. Sipas njohësve të qeverisjes lokale, fakti që ato janë në buxhet, nuk do të thotë që automatikisht edhe do të realizohen.
Javë më parë, Kuvendi Komunal i Prishtinës miratoi buxhetin për vitin 2026, në vlerë prej 151 milionë eurosh. Njohës të qeverisjes lokale thonë se pavarësisht ndarjes së buxhetit, realizimi i projekteve varet nga shume faktorë.
“Procedurat e tejzgjatura, të prokurimit, ankesa në tender, probleme teknike rreth tenderit. Cështjet e shpronësimit“, tha Valmir Ilazi, njohës i qeverisjes lokale.
E nga Vetëvendosje në Prishtinë thonë se qytetarët nuk duhet të kenë pritje të mëdha, pasi sipas tyre, ka projekte jetike të cilat ose janë paraparë me shuma minimale ose nuk janë paraparë fare.
“Janë ndarë buxhete të mëdha, për projektet të cilat kanë ndalesa gjyqësore, vërejtje nga ministritë e ndryshme , me probleme të natyrës ligjore o procedurale. Këto tregojnë se edhe realizimi i këtij buxheti do të jetë negative”, theksoi Feim Osmani nga LVV.
Lidhja e Arbërisë me Pallatin e Rinisë, nënkalimi Agim Ramadani e sheshi Xhorxh Bush po shihen nga ekzekutivi i Komunës së Prishtinës, të domosdoshme për t`u realizuar.
“Të gjitha këto projekte gjendën në unazën e brendshme të qytetit, dhe mundësojnë gjithashtu këtë tollovi në trafik. “E kemi edhe vazhdimin e rrugës A e cila pritet që deri në maj apo qershor të këtij viti, Pastaj kemi edhe deportimin e Veternikut, që e lidh rrugën A me lagjen Emshir”, theksoi Gëzim Kastrati, drejtor i transformimit.
Kuvendi i Kosovës ditë më parë ka miratuar rekomandimin që buxheti për Prishtinën të përfshihet në planifikimin buxhetor të këtij viti./RTK
Në kuadër të fazës përmbyllëse të transformimit 10-vjeçar, Forca e Sigurisë së Kosovës ka hapur konkurs për 320 ushtarë të rinj, të moshës 18–25 vjeç, të cilët mund të aplikojnë nga 2 deri më 27 mars. Sipas ekspertëve të sigurisë, zgjerimi i radhëve të personelit përfaqëson një investim të drejtpërdrejtë në të ardhmen e mbrojtjes së vendit, duke forcuar kapacitetet njerëzore dhe teknike dhe duke avancuar profesionalizimin e FSK-së.
Përgjatë vitit 2028, Forca e Sigurisë pritet të përmbyllë fazën e transformimit 10-vjeçar, gjatë së cilës ushtrisë i mbetet të vazhdojë me forcimin e kapaciteteve ushtarake, pajisjen me armatim modern dhe rritjen e numrit të trupave të saj.
Në kuadër të kësaj faze vendimtare, rritja dhe forcimi i kapaciteteve njerëzore dhe teknike përbën prioritet strategjik.
Hapja e konkursit për ushtarë të rinj, në këtë rast, nuk është vetëm një thirrje për rekrutim, por një ftesë për angazhim, përgjegjësi dhe shërbim ndaj atdheut.
Ndaj, 320 nga aplikantët do të kenë mundësi t’i bashkëngjiten ushtrisë së Kosovës për shërbim. Aplikimi është i hapur për personat e moshës 18–25 vjeç, nga data 2 deri më 27 mars.
Ky zgjerim i radhëve të personelit të FSK-së, sipas njohësve të çështjeve të sigurisë, përfaqëson investim të drejtpërdrejtë në të ardhmen e mbrojtjes së vendit, duke përmbushur në mënyrë aktive obligimet sipas konceptit të tranzicionit dhe duke bërë hapa të qëndrueshëm drejt forcimit të kapaciteteve ushtarake.
“Çdo konkurs që hapet për ushtarë, oficerë ose për pozita të ndryshme është për të plotësuar kapacitetin përfundimtar dhe për të treguar profesionalizmin e madh, me të cilin kjo forcë po shndërrohet në një ushtri të mirëfilltë. Ky është hapi më pozitiv që i ka ndodhur Republikës së Kosovës”, tha Arben Dashevci, njohës i çështjeve të sigurisë.
“Vetë FSK-ja është duke treguar kapacitete dhe aftësi të ndryshme. Çdo pjesëmarrje që po e demonstron në vende të ndryshme të botës, duke përfshirë SHBA-në dhe vendet e tjera mike, tregon se investimi dhe periudha 10-vjeçare nga 2018 deri më 2028 pritet të përmbyllet në formën më të mirë”, thaksoi Gurakuq Kuqi nga Instituti “Octopus”.
Të dhënat e Ministrisë së Mbrojtjes për gjendjen aktuale të personelit tregojnë se komponenti aktiv është afër përmbushjes së kapacitetit të planifikuar, me 4,469 ushtarakë aktivë nga 5,000 sa parashihet deri në fazën përmbyllëse, që përbëjnë 89.5% të objektivit strategjik./RTK
Nga nafta e energjia, te tregtia dhe tregjet e kapitalit, bashkë me kriptomonedhat, konflikti në Lindjen e Mesme po përcjell efekte të drejtpërdrejta e të tërthorta në tregjet globale. Me Iranin që mbylli ngushticën e Hormuzit pas sulmeve nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çmimi i naftës së papërpunuar bruto në tregje po rritet. Nga rreth 65 dollarë më 25 shkurt, një fuçi naftë po kushton më shumë se 67 dollarë.
“Pamë një rritje me 2 dollarë në pak orë. kjo edhe si pasojë spekulimeve. Gjykoj se nuk do të zgjasë shumë kjo luhatje”, theksoi Maksim Caslli, ekspert i tregjeve të investimeve.
Me frikën gati në panik për një “krizë globale” në horizont, nga Azia, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përshirë Europën, tregjet financiare në veçanti dhe bota në përgjithësi mbesin të shqetësuar. “Standard and Poor's 500”, Doë Jones apo edhe Nasdaq kanë pësuar tronditje nga frika e përshkallëzimit të konfliktit.
“Tregjet çakordohen në momentin ku diçka nuk e kanë të qartë. Kur e ka të qartë shkakun tregu di të sillet. Në këtë rast ka shumë paqartësi. Dhe sa të gjenden shkaqet e qarta duhet kohë, Ndërkohë spekulantët në tregje lëvizin. Kjo shkakton një reaksion zinxhir në bursat e gjithë botës duke ngjallur frikë”, theksoi Maksim Caslli, ekspert e tregjeve të investimit.
Megjithëse në distancë mbi 1 mijë e 700 kilometra, konflikti në Lindjen e Mesme pritet të përcjellë efekte ekonomike edhe në Shqipëri. Kjo kryesisht nga Izraeli, vend nga i cili Shqipëria importoi mallra me vlerë 27.7 milionë euro vjet, shifër kjo e përgjysmuar në raport me 2024-n.
Nga ana tjetër Shqipëria ka pak marrëdhënie tretarë me Iranin, vend nga i cili shifrat e importeve nuk e kanë kaluar shifrën e 4 milionë eurove në 3 vitet e fundit.
“Pak në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe kryesisht në mënyrë të tërthortë. Efektet po ndihen në tregjet europiane nga ku Shqipëria importon më shumë. Kjo rrjedhimisht na bën më të ekspozuar”, theksoi Caslli.
Bazuar “cikli i krizave” dhe “reaksioni zinxhir” i tyre, një kolaps i mundshëm ekonomik botëror do të përcillte efektet e tij edhe në Shqipëri, siç ndodhi me atë të vitit 2008. Vetëm se këtë herë, për shkak të lidhjeve më të ngushta me botën, përcjella e efekteve do të merrte më pak kohë. (A2 Televizion)
Mark Pjetraj, humbi shikimin e tij që në fëmijëri por jo edhe vizionin se si nga një sfidë personale të kthehej në forcë për të ndihmuar shumë të tjerë që gjenden në pozitën e tij. Ai tregon se si e bëri mision ta ndihmojë komunitetin e tij duke iu drejtuar edhe një mesazh shikuesve që të dinë të jenë pranues dhe mbështetës për të gjithë personat me nevoja të veçanta
Sfidat dinë t’i bashkojnë njerëzit por edhe t’i bëjnë ata të ngritin zërin për miqtë e tyre.
I tillë ka qenë Mark Pjetraj nga Gjakova i cili humbi shikimin qysh në moshën 8-vjeçare.
Ndonëse fëmijërinë e kujton plot sfida për t’iu përshtatur shoqërisë, ai gjeti forcë, për t’u kthyer në inspirim për të tjerët.
“Gjatë kohës kur isha në shkollën për të verbër, jo njëherë po disa herë më ka shkuar mendja t’iki të familje ngase unë asnjë ditë të jetës sime nuk e kam kaluar pa familjen. Rastisi të sfidohesha por jeta është vet sfidë, falë motivit të familjes që ma kanë dhënë çdo herë duke më bindur se ishte zgjidhja e vetme, ky është fati yt. Arrita të ndjek studimet edhe në kolegjin AAB. Ishte vështirë, s’kisha literaturë në shkrimin Brajt. Pas një dekade që përfundova studimet tash jam edhe i punësuar”, ka theksuar Mark Pjetraj, kryetar i Shoqatës së të Verbërve, Gjakovë.
Kur vlerësoi se u ngrit mjaftueshëm profesionalisht, Pjetraj vendosi të udhëheq atë që gjersa rritej, e kishte bërë të ndihej i përshtatur, Shoqatën e të Verbërve në Gjakovë.
“Me mua në krye, nga viti 2021 asnjë nuk e paguan as edhe një cent të vetëm pagesë anëtarësie meqenëse e kam në mendjen time që personin e verbër mos ta shikojë për t’i marrë asnjë cent po t’i krijojë mundësi dhe t’i ndihmojë të jenë të barabartë. Ata janë të parët në Kosovë që janë shërbyer me pajisje akustike shëndetësore në Gjuhën Shqipe, shëndeti ka qenë për ne mision. Kemi arrit t’i pajisim me termotera akustik në gjuhën shqipe, oksimetra në gjuhën shqipe. Nuk di të ketë pajisje tjetër por po pati, do mundohemi me partnerët tanë t’ua sigurojmë. Është i pari qytet që ka pajisje akustike për persona të verbër në infrastrukturë”, ka deklaruar Mark Pjetraj – kryetar i Shoqatës së të Verbërve, Gjakovë.
Përpos angazhimit në Shoqatë dhe punës në një kompani private që operon në Kosovë, Pjetraj ishte angazhuar vullnetarisht në dhjetëra aktivitetesh për personat e verbër.
Duke treguar qartë se mungesa e shikimit nuk i pengoi të përmbush dëshirat e tij, ai përcjell një mesazh tek shoqëria, si shtylla kryesore e integrimit të personat e verbër.
“Ju them prindërve të tyre që atë fëmijë ta trajtojnë si fëmijët e tjerë, të punojnë shumë, ta sjellin këtu, ta regjistrojnë në shkollë, ta mbështesin që të jetë o barabartë dhe rë ketë suksese në jetën e tij. Mesazhi im për të gjithë është që personat me nevoja të veçanta t’i konsiderojnë të barabartë në shoqëri. Nëse i konsideroni këtë formë, jo veç Marku po të gjithë do t’ia arrijnë. Jeta është sfidë, pate aftësi të kufizuara apo jo!”, ka deklaruar Mark Pjetraj – Kryetar i Shoqatës së të Verbërve, Gjakovë.
Nga një fëmijë që u përballë me gjithë ato vështirësi, Mark Pjetraj është shembulli se sfidat dinë të sjellin edhe gjëra të mira, falë punës e qasjes pozitive ndaj po atyre sfidave e jetës./Tv Dukagjini/