Qeveria e Shqipërisë miratoi këtë të enjte projektligjin e Amnistisë Penale. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
Sipas ministrit, nga kjo amnisti përfitojnë 447 persona që lirohen menjëherë nga institucionet e vuajtjes së dënimit, ndërsa 853 të dënuar të tjerë përfitojnë ulje dënimi.
Mes përfituesve ka gra, të mitur dhe shtetas të huaj, raporton euronews.al
Lamallari bëri të ditur se, bazuar në të dhënat e përditësuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Shërbimi i Provës dhe Prokuroria e Përgjithshme, 5077 persona të dënuar me masa alternative amnistohen nga Shërbimi i Provës. Po ashtu, duke nisur nga viti 2024, pushohet ndjekja penale për rreth 14 mijë procedime për vepra penale të lehta.
Ministri i Drejtësisë theksoi se amnistia ka si qëllim uljen e mbipopullimit në burgje dhe fokusimin e sistemit të drejtësisë në rastet me rrezikshmëri reale shoqërore, duke respektuar standardet evropiane dhe rekomandimet e Këshillit të Evropës.
Lamallari u shpreh se pret që Kuvendi ta shqyrtojë projektligjin pa vonesa, në mënyrë që efektet e amnistisë të nisin sa më shpejt. Ai theksoi se nga kjo amnisti përjashtohen subjektet e Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Projektligji i amnistisë pritet të depozitohet në Kuvend, ku do të shqyrtohet fillimisht në komisionet parlamentare dhe më pas në seancë plenare.
Delegacioni i Forcës Ajrore Shqiptare, i kryesuar nga Gjeneralmajor Ferdinant Dimo, zhvilloi një vizitë zyrtare në Turqi.
Në njoftim thuhet se gjatë vizitës, delegacioni u prit nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Turke, si dhe nga Komandanti i Forcës Ajrore Turke.
“Takimet u fokusuan në mundësi konkrete bashkëpunimi në fushat e aviacionit ushtarak, teknologjive moderne dhe mbështetjes teknike, si dhe në rritjen e ndërveprueshmërisë dhe zgjerimin e partneritetit strategjik mes dy forcave ajrore”, thuhet në njoftim.
Delegacioni zhvilloi gjithashtu vizita në kompani kryesore të industrisë së mbrojtjes, ku u njoh nga afër me teknologjitë më të avancuara në aviacion, sisteme pa pilot dhe mbështetje logjistike.
Këto aktivitete u tha se hapin mundësi konkrete për projekte të përbashkëta dhe modernizimin e kapaciteteve operacionale të Forcës Ajrore Shqiptare. /Telegrafi/
Më 17 shkurt do të mbahet marshi “Drejtësi, jo politikë” organizuar nga platforma “Liria ka emër” në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
E sot, Sindikata e Bashkuara e Arsimit, Shkencës, Kulturës (SBASHK) u ka bërë thirrje anëtarësisë së tyre që të marrin pjesë në këtë marsh, për të dhënë sipas tyre, një mesazh të fuqishëm uniteti dhe kërkese për drejtësi të paanshme.
Lexoni të plotë njoftimin:
Për mobilizim qytetar dhe sindikal
Të nderuar anëtarë të SBASHK-ut, arsimtarë, mësues, profesorë dhe punëtorë të arsimit në të gjitha nivelet, Kryesia e SBASHK-ut, pas konsultimeve me strukturat sindikale në të gjithë vendin, ju fton për mobilizim qytetar dhe sindikal në përkrahje të Marshit qytetar “Drejtësi, jo politikë!”, të organizuar nga platforma “Liria ka Emër”, më 17 shkurt, në Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në Prishtinë.
Ky marsh është jo politik dhe përfaqëson një thirrje të ndershme për drejtësi të paanshme, si dhe për respektimin e sakrificës së çlirimtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët prej më shumë se pesë vitesh po mbahen padrejtësisht në paraburgim. Për SBASHK-un, kjo çështje ka peshë të veçantë sindikale dhe historike.
Shumë nga çlirimtarët ishin edhe arsimtarë e punëtorë arsimi, të larguar dhunshëm nga vendet e punës gjatë regjimit të Millosheviqit. Në vitet e okupimit, ishin mësimdhënësit ata që mbajtën gjallë arsimin shqip, dinjitetin kombëtar dhe shpresën për liri. Falë sakrificës së tyre, falë luftës së drejtë të UÇK-së dhe përkrahjes së aleatëve tanë ndërkombëtarë, sot jetojmë në një shtet të lirë dhe sovran.
Sot, kur ata që sakrifikuan për lirinë po përballen me padrejtësi të zgjatura, heshtja nuk është opsion. Dalja në këtë marsh nuk është akt politik, por akt moral dhe qytetar.
Është shprehje e ndërgjegjes sonë kolektive dhe vazhdimësi e misionit sindikal për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor dhe të së vërtetës. SBASHK-u qëndron qartë në anën e drejtësisë, të dinjitetit dhe të solidaritetit shoqëror. I ftojmë të gjithë anëtarët e SBASHK-ut që, në mënyrë vullnetare, pa asnjë detyrim dhe larg çdo angazhimi politik, t’i bashkohen Marshit “Drejtësi, jo politikë!”, për të dhënë një mesazh të fuqishëm uniteti dhe kërkese për drejtësi të paanshme.
Pjesëmarrja juaj është: zë për drejtësinë, respekt për sakrificën, dhe përgjegjësi ndaj historisë sonë. /Telegrafi/
Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq shtatë persona pas humbjes së jetës së 3-vjeçarit, Brian Spahiu pas një ndërhyrje dentare në një klinikë në kryeqytet.
Përfundimi i hetimeve dërgoi në gjyq shtetasit Roland Xhaxho dhe M.G., për veprën penale ‘Vrasje nga pakujdesia’ dhe ‘Mashtrim’ e kryer në bashkëpunim dhe shtetasen Ina Xhaxho për veprën penale ‘Vrasje nga pakujdesia’, ‘Mashtrim’ e kryer në bashkëpunim dhe ‘Ushtrim i aktivitetit të paligjshëm’; shtetasit E.S. dhe E.A. për veprën penale ‘Shpërdorim detyre’ si dhe shtetasit D.A. dhe V.H. për veprën penale ‘Neglizhenca në trajtimin mjekësor’.
“Më datë 28.09.2023, i mituri B.S., iu nënshtrua një ndërhyrjeje dentare në 14 dhëmbë, tek Klinika “Splendent” drejtuar nga mjekët Roland dhe Ina Xhaxho, raporton euronews.al.
Pas ndërhyrjes i mituri kthehet në shtëpi dhe brenda pak orësh dërgohet në gjendje të rëndë shëndetësore (koma dhe insuficiencë respiratore akute), në Spitalin e Pediatrisë në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, Tiranë, ku dhe më pas në datën 01.10.2023, ndërroi jetë.
Sipas aktit të riekspertimit mjekoligjor dhe ekspertimit mjekoligjor shtesë, nga ana e grupit ekspertëve italianë, u arrit në konkluzionin se: Shoku septik i rëndë, që solli më pas insufiçencën progresive shumëorganore, është shkaku kryesor i vdekjes të pacientit të mitur B.S. Grupi i ekspertëve arriti në përfundimin se gjatë ndërhyrjes dentare dhe procedurës së anestezisë, nga ana e anestezistit dhe stomatologeve që trajtuan të miturin, u konstatuan shkelje të rënda të protokolleve mjekësore ndërkombëtare dhe praktikave më të mira mjekësore, të cilat kanë një lidhje shkakësore të drejtpërdrejtë me vdekjen e tij.
Këto shkelje kanë konsistuar në:
– moszbatimin, moskryerjen e kontrolleve dhe verifikimeve të nevojshme për identifikimin e saktë të gjendjes klinike para operacionit të pacientit; mosformulimin në mënyrë adekuate të diagnozës para operacionit dhe mostrajtimin e duhur profilaktik para operacionit dhe në vazhdim, i mituri iu nënshtrua një procedure kirurgjikale pa u vizituar në mënyrë adekuate, pa një diagnozë të saktë, pa një indikacion të arsyetuar, pa specifikuar alternativat dhe pa kryer testet e nevojshme dhe të detyrueshme për gjendjen klinike të pacientit;
– ndërhyrje e kryer, e cila ishte më e gjerë se sa lejohej për një fëmijë të moshës 3 vjeç dhe induksioni i anestezisë së përgjithshme për një periudhë prej rreth 5 orë, për të trajtuar njëkohësisht shumë dhëmbë, mes të cilëve disa me infeksion të pulpës me rreziqet që lidhen me anestezinë e përgjithshme dhe kontrollin e vështirë të infeksioneve postoperative, evidenton përgjegjësinë për trajtim të tepërt.
– nxjerrjen plotësisht e papërshtatshme nga spitali i të miturit, duke mos marrë parasysh gjithashtu rreziqet që lidhen me anestezinë dhe patologjitë nga të cilat vuante fëmija, e sidomos arsyet për një kohë të zgjatur zgjimi, pas ndërhyrjes si dhe shenja të tjera klinike”, bën me dije Prokuroria.
Gjithashtu nga hetimi rezultoi e provuar se dy stomatologët Ina Xhaxho dhe M.G. kanë mashtruar prindërit e të miturit duke i marrë pagesën për mbushjen e 14 dhëmbëve, ndërkohë që nga autopsia rezultoi se 6 prej tyre ishin hapur por nuk ishin mbushur.
Ndërkohë, nga hetimi, u provua që stomatologia Ina Xhaxho pas ngjarjes ka vazhduar ushtrimin e aktivitetit të saj në mënyrë të paligjshme, pasi nuk ka rinovuar, në përputhje me procedurat ligjore, licencën si stomatologe nga Urdhri i Stomatologut.
Gjatë hetimeve u konstatuan shkelje të rënda të protokolleve mjekësore në kryerjen e autopsisë dhe ekspertizës mjekoligjore edhe nga ana e ekspertëve të I.M.L.-së, shtetasit E.S dhe E. A.
Gjithashtu, shkelje u konstatuan edhe tek mjekët roje të pediatrisë V.A. dhe D.S. në momentin që i mituri u dërgua në spital. Mjekët nuk zbatuan protokollet mjekësore në drejtim të përcaktimit të diagnozës së duhur, evidentimin e shkaqeve më të zakonshme të shokut tek fëmijët dhe trajtimin e terapisë së përshtatshme me antibiotikë. Si rrjedhojë edhe moskryerja e veprimeve të tyre ka shkaktuar dëmtimin e rëndë të të miturit, edhe pse ai ishte në gjendje të rëndë, fakt që rezultoi nga akti i riekspertimit, pasi vdekja e tij nuk erdhi nga mosveprimet e tyre, por nga shkaku kryesor dhe i drejtpërdrejtë, që ishin veprimet dhe mosveprimet e të pandehurve R.Xh., I.Xh dhe M.G. /euroenews.al/
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka kujtuar sot 27-vjetorin e fillimit të Konferencës së Rambujesë, duke e cilësuar atë si një nga momentet më vendimtare në historinë moderne të Kosovës.
Hamza në një postim në Facebook shkruan se Kosova në Rambuje për herë të parë foli dhe vendosi për vetveten, duke u rreshtuar qartë në anën e paqes, lirisë dhe vlerave perëndimore, nën udhëheqjen e Hashim Thaçit.
“Më 6 shkurt 1999 filloi Konferenca e Rambujesë, një moment vendimtar në historinë tonë. Kosova foli dhe vendosi për vetveten. Nën udhëheqjen e Hashim Thaçit, si kryesues i delegacionit, zgjodhëm paqen, lirinë dhe anën e drejtë të historisë. Nëntë vjet më vonë, shpallëm edhe Pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar kryetari Hamza.
Ai ka shtuar se kjo rrugë drejt lirisë dhe shtetndërtimit nuk do të ishte e mundur pa sakrificën e heronjve dhe mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë.
“Sot nderojmë heronjtë tanë dhe falënderojmë të gjithë aleatët, që na mbështetën në çdo hap të lirisë dhe shtetndërtimit”, ka theksuar kreu i PDK-së.
Në fund të reagimit të tij, Hamza ka nënvizuar se perspektiva euroatlantike e Kosovës lidhet ngushtë edhe me drejtësinë për ish-krerët e luftës që po mbahen në Hagë.
“E ardhmja euroatlantike e Kosovës kërkon drejtësi e liri edhe për çlirimtarët tanë në Hagë, të cilët gjithnjë kanë qenë faktorë të stabilitetit dhe ndërtues të vizionit perëndimor të shtetit tonë”, ka përfunduar Hamza. /Telegrafi/
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në Emiratet e Bashkuara Arabe është takuar me presidentin e Emirateve, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan.
E para e shtetit theksoi se Kosova është e bekuar me mbështetjen e vazhdueshme të Presidentit Mohamed bin Zayed dhe të të gjithë popullit të Emirateve.
“E nderuar me mikpritjen dhe diskutimet gjithnjë përmbajtësore me Presidentin e Emirateve, Lartmadhërinë e Tij, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, të cilin e falënderova për lidershipin e tij vizionar dhe për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën, që nga ditët më të vështira e deri më sot. Përgjatë viteve, kemi hapur një epokë të re të partneritetit ndërmjet dy vendeve tona, nga liberalizimi i vizave e deri te kontributet e çmuara të Emirateve në fusha konkrete të zhvillimit”, theksoi Osmani.
Presidentja Osmani: Kosova është e bekuar me mbështetjen e Emirateve të Bashkuara Arabe telegrafi.com
Presidentja e vendit tha tutje se ka shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin e Emirateve në fushën e shëndetësisë, si dhe për vijimin me projektin e rëndësishëm të ndërtimit të spitalit të ri të gjinekologjisë, i mbështetur në dakordimin tonë të mëhershëm.
“Po ashtu, e vlerësoj lart mirëkuptimin e plotë dhe mbështetjen e Presidentit për projektet e reja në fushën e shëndetësisë dhe në fusha të tjera zhvillimore që i prezantuam dje. Kosova është e bekuar me mbështetjen e vazhdueshme të Presidentit Mohamed bin Zayed dhe të të gjithë popullit të Emirateve”, tha ajo. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka bërë të ditur për disa raste të dhunës në familje të raportuara në organet e rendit.
Rastet e dhunës kanë ndodhur në Pejë, në jug të Mitrovicës dhe në Malishevë.
Sipas raportit policor, në Malishevë janë sulmuar edhe policët që kanë intervenuar në rastin e dhunës në familje.
Më poshtë raporti policor:
Pejë / 04.02.2026 - 23:00. Është arrestuar i dyshuari kosovar nën dyshimin se i njëjti ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj viktimës femër kosovare. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor në spitalin e Pejës, ndërsa i dyshuari pas intervistimit, në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt.
Malishevë / 05.02.2026 - 11:00. Është arrestuar i dyshuari kosovar nën dyshimin se i njëjti ka ushtruar dhunë ndaj viktimës femër kosovare. Gjatë arrestimit i dyshuari ka qenë i dhunshëm ku si pasojë dy zyrtarë policor kanë pësuar lëndime. Lidhur me rastin zyrtarët policor kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në QKUK në repartin e psikiatrisë për tretman. Në lidhje me rastin është informuar dhe konsultuar edhe prokurori.
Mitrovicë Jug / 05.02.2026 – 17:59. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që dyshohet se kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare dhe më pas kishte kanosur viktimën mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një person, pasi i njëjti dyshohet se i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore viktimës, mashkull kosovar.
Rasti ka ndodhur në rrugën “Hoqë e Madhe” në Prizren, të enjten në ora 11:20.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që dyshohet se i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore viktimës mashkull kosovar. Viktima është dërguar në Spitalin e Prizrenit për tretman mjekësor”, thuhet në raport.
Gjatë kontrollit të shtëpisë së të dyshuarit, është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/
Një grup aktivistësh, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe organizata "Përpjekja", kanë bërë thirrje për protestë kundër paralajmërimeve për rritje të çmimit të energjisë elektrike.
Sipas njoftimit për media, protesta do të mbahet sot, duke filluar nga ora 13:00 pranë ndërtesës së KEDS-it, ndërsa do të përfundojë para Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Organizatorët e protestës kanë deklaruar se që nga viti 2022 faturat e energjisë elektrike janë shtrenjtuar në baza vjetore, duke theksuar se kërkesat e KEDS-it për rritje çmimesh po aprovohen nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) në dëm të qytetarëve.
Sipas tyre, qytetarët nuk po paguajnë vetëm koston reale të energjisë, por edhe humbjet dhe keqmenaxhimin e kompanisë, ndërkohë që përballen me ndërprerje të shpeshta të rrymës, mungesë ngrohjeje dhe rritje të vazhdueshme të kostos së jetesës.
Aktivistët përmendin rritjen prej 16.1 për qind të çmimit të energjisë elektrike vitin e kaluar, duke paralajmëruar se sivjet po diskutohet një rritje tjetër rreth 20 për qind, të cilën e cilësojnë si të papranueshme.
Organizatorët kanë ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës që t’u bashkohen në protestë, duke theksuar se vetëm përmes reagimit qytetar mund të ndalet, siç thonë ata, “hajnia shumëvjeçare” dhe të mbrohet interesi publik.
Shqipëria të premten do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se moti parashikohet me vranësira mesatare e të dendura.
Reshjet e shiut priten të jenë prezentë që në orët e para të 24-orëshit përgjatë vijës bregdetare dhe ultësirës perëndimore me intensitet të ulët.
Gradualisht pas orëve të mëngjesit reshjet e shiut shtrihen në të gjithë vendin me intensitet të ulët deri mesatar, ndërkaq hera-herës shtrëngata afatshkurtra.
Në zonën e veriperëndimit, qendrës nga orët e mesditës dhe deri në orët e vona të mbrëmje reshje shiu të herëpashershme me intensitet mesatar deri të lartë, në intervale të shkurtra kohore reshje shiu në formën e shtrëngatave shoqëruar me shkarkesa elektrike.
Era do të fryjë me drejtim kryesor juglindje-jugperëndim me shpejtësi mesatare deri në 9m/s, e cila hera-herës pritet të fitoi shpejtësi deri në 18m/s, kryesisht përgjatë vijës bregdetare si dhe në momentin e zhvillimit të vranësirave.
Presidenti amerikan Donald Trump bëri thirrje të enjten për një traktat të ri bërthamor, në vend të zgjatjes së kufizimeve mbi dislokimet e armëve bërthamore me Rusinë. Kjo deklaratë erdhi disa orë pasi skadoi pakti që kishte mbajtur nën kontroll dy arsenalet më të mëdha bërthamore të botës për më shumë se dy dekada. Trump theksoi se traktati New START ishte “negociuar keq” dhe “po shkelet rëndë”.
Një ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shtetas i Kosovës, është arrestuar nga autoritetet në Serbi paraditen e 5 shkurtit, thanë nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) dhe avokati Arianti Koci.
Nënkryetari i OVL të UÇK-së, Gazmend Syla, tha për Radion Evropa e Lirë se Lozhani u arrestua në kufirin mes Serbisë dhe Kroacisë dhe gjatë kontrollit i është gjetur në xhep kartela e anëtarësisë së veteranit të UÇK-së.
Syla shtoi se ai ka marrë pjesë në disa stërvitje në Shqipëri dhe nuk ka informacione të ketë qenë në vijat e frontit në Kosovë.
Ndërkaq, Koci tha se arrestimi ndodhi rreth orës 11:00 të 5 shkurtit.
Sipas tij, ky rast nuk është i izoluar, pasi arrestime të shtetasve të Kosovës që kalojnë nëpër Serbi po përsëriten.
Koci kërkoi nga autoritetet e Kosovës që të reagojnë për këto arrestime, pa përjashtuar edhe masa politike, “përfshirë edhe mbylljen 24-orëshe të kufirit, nëse arrestimet vazhdojnë”.
“Nga ana ime në cilësinë e avokatit, po bëhet maksimumi i mundshëm. Megjithatë, mbrojtja efektive e qytetarëve të Kosovës nuk mund të mbetet vetëm në nivel individual. Kjo është përgjegjësi e shtetit, brenda dhe jashtë kufijve të tij”, shkroi ai.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ende nuk kanë reaguar për këtë rast.
Ende nuk dihet se nën çfarë pretendimesh është arrestuar Lozhani.
Por, Serbia ka arrestuar vazhdimisht shtetas të Kosovës nën pretendime për krime lufte në Kosovë më 1998-’99, dhe vetëm në vitin 2025 u regjistruan disa arrestime të tilla.
Serbia gjatë viteve ’90 e karakterizoi UÇK-në si organizatë terroriste, ndërsa për Kosovën, UÇK-ja është organizata që mbrojti popullsinë lokale nga represioni i forcave të armatosura jugosllave./mxh
urora e Mbretëreshës Eugenie, bashkëshortes së Napolonit III, një prej thesarëve më të çmuar të Luvrit, u gjet e shtypur pas grabitjes spektakolare që tronditi muzeun më 19 tetor të vitit të kaluar.
Megjithëse grabitësit vodhën bizhuteri me vlerë rreth 88 milionë euro (£76 milion, $104 milion), kurora e dekoruar me diamante mbeti pas, e dëmtuar, por sipas muzeut është gati e paprekur dhe mund të rikthehet në gjendjen e saj origjinale.
Fotografitë e para të publikuara nga muzeu tregojnë se kurora ishte lënë “shumë e deformuar”, pasi grabitësit përpiqeshin ta nxirrnin nga një vrimë e ngushtë në vitrinën e saj prej qelqi. Kurora ka humbur një nga tetë shqiponjat prej ari që e zbukuronte, por ruan 56 smeralde dhe pothuajse të gjitha diamantet e saj (vetëm 10 nga 1,354 diamantet mungojnë). Sipas muzeut, rikthimi do të bëhet pa nevojën për rindërtim, duke ruajtur kështu pamjen dhe strukturën origjinale të shekullit XIX.
Rikthimin e kurorës do ta mbikëqyrë një komitet ekspertësh i udhëhequr nga presidentja e Luvrit, Laurence des Cars, që do të sigurojë se çdo detaj historik do të rikthehet me kujdes maksimal. Grabitja e tetorit të kaluar ishte mjeshtërisht e planifikuar. Grabitësit përdorën një ngritës mekanik të vjedhur për të hyrë në Galerinë e Apollonit përmes një ballkoni pranë lumit Sena.
Ngjarja tronditi jo vetëm muzeun, por edhe publikun ndërkombëtar, duke nxjerrë në pah pasurinë e jashtëzakonshme të Luvrit dhe rrezikun që i kanoset objekteve të rralla historike. Kurora e Mbretëreshës Eugenie mbetet një simbol i madhështisë dhe elegancës franceze të shekullit XIX, dhe rikthimi i saj i plotë do të jetë një fitore e madhe për trashëgiminë kulturore dhe për muzeun më të vizituar në botë./mxh
Të paktën 16 persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë lënduar pas një shpërthimi të ndodhur në një minierë Meghalaya-s në Indi. Raportohet se shumë persona të tjerë kanë mbetur të bllokuar, ndërsa dyshohet se miniera ishte e paligjshme.
Shpërthimi ndodhi rreth orët e para të mëngjesit, ndërsa tunelet e ngushta vështirësonin punën e autoriteteve për t’ia ardhur në ndihmë të lënduarve.
Miniera të tilla dikur ishin shumë të zakonshme në shtetet verilindore të Indisë, por u ndaluan në vitin 2014 për shkak të numrit të lartë të aksidenteve dhe shkatërrimit mjedisor që ato shkaktojnë./mxh
Sllovenia po përgatit një projektligj që do të ndalojë aksesin në mediat sociale për fëmijët nën 15 vjeç, tha zëvendëskryeministri slloven Matej Arkon në një konferencë për shtyp të martën. Sllovenia, me një popullsi prej rreth 2 milionë banorësh, ndjek shembullin e Spanjës dhe vendeve të tjera që kanë propozuar ndalimin e përdorimit të mediave sociale nga adoleshentët , në një shenjë të një forcimi të qëndrimeve në Evropë ndaj teknologjisë që disa thonë se është projektuar të krijojë varësi.
Arkon tha se Ministria e Arsimit ka marrë iniciativën, duke u mbështetur në përvojën e vendeve të tjera, dhe se ekspertë në arsim dhe teknologji dixhitale do të përfshihen gjithashtu në hartimin e projektligjit që synon mbrojtjen e fëmijëve dhe adoleshentëve.
“Ka qenë një çështje shumë ‘e nxehtë’ në të gjithë botën dhe në Evropë në javët dhe muajt e fundit, dhe me këtë, ne si qeveri po tregojmë se kujdesemi për fëmijët tanë”, tha Arkon pas një mbledhjeje të kabinetit.
Ai vuri në dukje se qeveria dëshiron të rregullojë rrjetet e mediave sociale ku ndahet përmbajtja, duke përmendur ndër të tjera TikTok, Snapchat dhe Instagram.
Spanja dëshiron të ndalojë mediat sociale për adoleshentët nën moshën 16 vjeç. Vende të tjera, përfshirë Britaninë dhe Francën, po shqyrtojnë gjithashtu masa më të ashpra në mediat sociale, pasi Australia në dhjetor u bë vendi i parë që ndaloi aksesin në platforma të tilla për fëmijët nën moshën 16 vjeç./mxh
Administrata Trump do të lançojë sot ‘TrumpRx’, një faqe interneti që do t’i ndihmojë pacientët të blejnë ilaçe me recetë direkt nga prodhuesit me një çmim të zbritur, në një kohë kur kujdesi shëndetësor dhe kostoja e jetesës janë shqetësime në rritje për amerikanët.
Faqja e internetit e organizuar nga qeveria nuk pritet të jetë një platformë për blerjen e ilaçeve, por përkundrazi do të krijohet si një lehtësues.
Zbulimi i faqes, i planifikuar për të enjten në mbrëmje, u njoftua nga sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt, e cila në një postim në ‘X’ e quajti “një faqe interneti të teknologjisë së fundit për konsumatorët amerikanë për të blerë ilaçe me recetë me kosto të ulët”.
Sekretarja tha se Presidenti Donald Trump do ta bëjë njoftimin së bashku me Administratorin e Qendrave për Shërbimet Medicare dhe Medicaid, Dr. Mehmet Oz, dhe Joe Gebbia, drejtor i Studios Kombëtare të Dizajnit të Trump.
Presidenti e paralajmëroi për herë të parë TrumpRx në shtator ndërsa njoftonte të parën nga më shumë se 15 marrëveshjet e tij me kompanitë farmaceutike për të ulur çmimet e ilaçeve në përputhje me çmimin më të ulët të ofruar në vendet e tjera të zhvilluara./mxh
Një djalë 15-vjeçar u arrestua sot në 5 shkurt nga policia nën dyshim për tentativë vrasjeje pas një incidenti në Milford Haven Comprehensive School në Pembrokeshire, Uells. Incidenti ndodhi të enjten rreth orës 15:20, kur nxënësi tentoi të sulmonte një mësues me armë.
Policia e Dyfed-Powys tha se menjëherë pas ngjarjes, shkolla u vendos nën bllokadë, për të siguruar nxënësit dhe stafin. Mësuesi i sulmuar po merr trajtim mjekësor për lëndimet e marra. Asnjë nxënës nuk u dëmtua dhe shumica tashmë kanë shkuar në shtëpi. Një zëdhënës i Shërbimit të Ambulancës në Uells tha se u thirrën në vendngjarje dhe një pacient u transportua në spital. Policia vijoi të qëndrojë në shkollë për hetime.
Këshilli i Pembrokeshire konfirmoi se të gjithë nxënësit janë të sigurt dhe se çdo aktivitet pas shkollor për këtë mbrëmje është anuluar. Incidenti është nën hetim dhe se oficerët po punojnë për të kuptuar të gjitha rrethanat e ngjarjes. Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal. Autoritetet po bëjnë thirrje që prindërit dhe komuniteti të qëndrojnë të qetë dhe të lejojnë policinë të kryejë hetimin.
Djali 15-vjeçar u la në paraburgim, ndërkohë që hetimet vazhdojnë për të përcaktuar motivin dhe mënyrën sesi ndodhi incidenti. Policia dhe autoritetet shkollore po bashkëpunojnë ngushtë për të siguruar që të gjithë nxënësit dhe stafi të ndihen të mbrojtur dhe për të parandaluar çdo incident të ngjashëm në të ardhmen./mxh
Një sulm i egër nga piranhat ka lënë dhjetëra notarë të plagosur në një plazh lumi të njohur në Argjentinë. Të paktën 46 persona u lënduan të dielën e kaluar ndërsa notonin në lumin Paraná, pranë qytetit Victoria, sipas raportimeve të “The Sun”. Viktimat, përfshirë të rritur dhe fëmijë, pësuan kafshime të rënda. Një roje plazhi deklaroi se të gjitha plagët që ai trajtoi ishin serioze…