Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 February 2026Main stream

“Doja të merrja hak për plagosjen”, Henrik Hoxhaj dëshmon në GJKKO: Ja si nisi konflikti me Ismet Boriçin, doja ta vrisja

By: Fax Web
5 February 2026 at 13:56

Henrik Hoxhaj ka dëshmuar në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), duke rrëfyer në detaje konfliktin e tij me Ismet Boriçin, që sipas tij e ka zanafillën që në fund të viteve ’90 dhe është përshkallëzuar deri në tentativa për hakmarrje të armatosur.

Në dëshminë e tij, Hoxhaj deklaroi se konfliktet fillestare lidhen me një shok të fëmijërisë, Viron Kallanxhiun, i cili kishte pasur probleme të hershme me vëllezërit Boriçi. Ai rrëfeu se në vitin 2004 është plagosur me tre plumba, duke dyshuar se pas ngjarjes qëndronte Ismet Boriçi, për shkak të historisë së mëparshme mes këtij të fundit dhe Vironit.

“U krijua një situatë pa lidhje, ‘pse më sheh’. Ai nxori armën, unë ia kapa te tyta, por më qëlloi. Ika me vrap dhe më morën,” deklaroi Hoxhaj, duke shtuar se pas kësaj ngjarjeje vendosi të merrte hak. Ai pranoi para trupit gjykues se qëllimi i tij ishte vrasja e Ismet Boriçit. “Doja ta mbaroja punë me të, ta vrisja,” u shpreh hapur Hoxhaj gjatë dëshmisë. Sipas tij, në vitin 2018, së bashku me një person të quajtur Skerdi, organizuan një atentat ndaj Boriçit. Për këtë qëllim, ai tha se kishin siguruar një automjet Renault të vjedhur, armë zjarri, përfshirë një pistoletë Glock dhe një armë automatike, si dhe targa greke për të mos u identifikuar.

 

 

Hoxhaj rrëfeu se disa herë gjatë ditës patrullonin rreth pronës së Boriçit për ta vëzhguar. Në momentin e sulmit, sipas tij, Skerdi qëlloi nga vendi i pasagjerit, por arma iu bllokua, ndërsa ai vetë qëlloi nga timoni me pistoletë. Megjithatë, për shkak të xhamave të zinj të makinës, plumbat u ndalën dhe vëllezërit Boriçi pësuan vetëm gërvishtje të lehta.

“Ata na pikasën për shkak të xhamave të zinj dhe targave të huaja,” deklaroi Hoxhaj, duke shtuar se pas të shtënave, objektivat u futën në lokal dhe më pas në banesë, ndërsa ata nuk dolën nga makina.

Në dëshminë e tij, Hoxhaj theksoi se Viron Kallanxhiu nuk kishte dijeni për planin e atentatit dhe se ai nuk kishte komunikuar me të për këtë ngjarje. Ai gjithashtu deklaroi se disa persona të përmendur në proces, si Renato Çami, i njeh vetëm si emra dhe jo personalisht. Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit Behar Dibra, Hoxhaj përshkroi edhe vendndodhjen e ngjarjes, pranë një lokali në zonën e gjimnazit të ri, ku ndodhej edhe banesa e familjes Boriçi.

Zhupa kërkon ndryshime ligjore: Shteti të jetë garant i trashëgimisë kulturore, jo privati

By: Fax Web
5 February 2026 at 13:49

Deputetja Ina Zhupa prezantoi sot në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, nismën e saj për një ndryshim në ligjin “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”.

Zhupa shpjegoi se ndryshimi ka të bëjë me faktin se gjatë kohës së shqyrtimit kushtetues të marrëveshjes për Butrintin, Ligji i 2018-ës kishte kaluar kohën 2-vjeçare për të cilën mund të kundërshtohej për antikushtetutshmëri në lidhje me atë që paraqiste në kundërshtim me Konventën e Parisit.

“Sipas Gjykatës Kushtetuese, marrëveshja ishte në përputhje me ligjin, por ligji vetë ishte në kundërshtim me Kushtetutën”, tha Zhupa, sipas së cilës, kjo është arsyeja pse ajo propozon një ndryshim në ligj, në mënyrë që shteti shqiptar të mos ketë një ligj antikushtetues që nuk i shërben mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.

Deputetja e opozitës u shpreh se, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 5 të saj, shpreh detyrimin që çdo marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar përbën pjesë të sistemit të brendshëm juridik e zbatohet në mënyrë të drejtpërdrejtë.

“Ndryshimet synojnë çuarjen e këtij ligji konformon Konventës së Parisit, të cilën Shqipëria e ka ratifikuar”, tha Zhupa.

Nenet që Zhupa propozon të ndryshohen, tentojnë të krijojnë garancinë që kërkon Konventa e Parisit, që shtetet të jenë përgjegjës për trashëgiminë e tyre kulturore.

“Trashëgimia kulturore nuk mund t’i lihet në dorë një privati për ta interpretuar historinë e vendit tënd, për të interpretuar gjetjet arkeologjike dhe për të përfituar nga fonde publike që gjenerohen nga kjo trashëgimi”, u shpreh deputetja.

Zhupa theksoi se nuk është qëllimi për të hequr AADF nga Butrinti, por të mos lejohet që ky shembull të bëhet një precedent i rrezikshëm për çdo pasuri kulturore të shtetit shqiptar.

Pas debateve, mazhoranca me 8 vota rrëzoi nismën e propozuar nga deputetja e PD.

Balla: Thellësisht tronditëse ngjarja në Itali ku humbi jetën familja shqiptare

By: Fax Web
5 February 2026 at 13:37

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, njëherësh drejtuesi politik i PS-së për Diasporën, reagoi sot pas tragjedisë që i mori jetën katër anëtarëve të familjes shqiptare Kola në Itali.

Përmes një mesazhi, Balla e cilësoi ngjarjen si thellësisht tronditëse dhe shprehu ngushëllimet për humbjen e rëndë.

“Shumë, shumë i trishtë lajmi i tragjedisë së familjes shqiptare Kola, nga Grykshi i Peqinit, të cilët jetonin prej vitesh në Porcari, Lucchesia, Itali. U prehshin në paqe”, shkroi ai.

Familja shqiptare humbi jetën si pasojë e çlirimit të monoksidit të karbonit nga një kaldajë me defekt në banesën e tyre. Ngjarja ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali, ku babai 48 vjeç punonte në një kompani private, nëna 42 vjeçe ishte shtëpiake, djali 23-vjeçar punonte si elektricist dhe vajza 15-vjeçare ishte nxënëse.

Mediet italiane shprehen se familja shqiptare ishte prej vitesh e integruar dhe e respektuar në komunitetin lokal.

 

 

 

;

Protesta 3-ditore për resortin në Rrjoll të Velipojës, banorët paraqiten në dyert e SPAK

By: Fax Web
5 February 2026 at 10:22

Pasi protestuan për tre ditë radhazi në zonën e Rrjollit, në Velipojë, banorët e këtij fshati janë paraqitur këtë herë në ambientet e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve për ndaljen e punimeve ndërtimore që po kryhen për ndërtimin e një restoranti në pronësi të Bashkim Ulajt.

Sipas banorëve, investimi në fjalë po realizohet në toka që ata i pretendojnë si prona të trashëguara familjare, ndërsa theksojnë se ndërtimi po vijon pa zgjidhur më parë konfliktin e pronësisë. Ata shprehen se janë dëmtuar drejtpërdrejt nga këto punime dhe kërkojnë verifikim të plotë të dokumentacionit ligjor mbi bazën e të cilit është lejuar ndërtimi.

Kjo nuk është hera e parë që banorët i drejtohen SPAK-ut. Kujtohet se më 25 mars të vitit të kaluar, ata kanë depozituar një kallëzim penal ndaj firmës ndërtuese, si edhe ndaj personave që, sipas tyre, dyshohet se kanë falsifikuar dokumentet e pronësisë për parcelat në zonën Baks–Rrjoll. Banorët kërkojnë zbardhjen e plotë të çështjes dhe vënien para përgjegjësisë të çdo personi të përfshirë në këtë proces.

Identifikohen 4 anëtarët e familjes shqiptare qe humben jeten në Itali

By: Fax Web
5 February 2026 at 10:21

Kryetari i komunës së Porcarit në Itali, Leonardo Fornaciari ka bërë publik emrat e 4 anëtarëve të familjes shqiptare, të cilët humbën jetën si pasojë e rrjedhjes së gazit në banesën e tyre.

Sipas tij, bëhet fjalë për familjen Kola, e cila u shua në mënyrë tragjike mbrëmjen e djeshme (4 shkurt).

Ai thotë se viktimat janë babai Arti Kola, nëna Jonida dhe dy fëmijët Hajdari 22 vjeç dhe Xhesika 15 vjeç.

“Jemi të gjithë të mërzitur dhe të trishtuar nga kjo ngjarje tragjike që më kujtoi menjëherë tragjedinë e familjes Malanca, madje edhe atë që ndodhi në shkurt të vitit 1992. Komuniteti ynë, qëndron i bashkuar rreth të afërmve dhe miqve në një përqafim ideal për këtë zi të rëndë që ka prekur Porcarin. U prehshin në paqe”, shkruan Fornaciari.

NGJARJA

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës (4 shkurt) në rrethana ende të paqarta, ndërsa ka dyshime se rrjedhja është shkaktuar nga një defekt në kaldajën e banesës së tyre.

Viktimat janë babai 48 vjeç, nëna 43 vjeçe dhe dy fëmijët, përkatësisht 22 dhe 15 vjeç, por ende nuk kanë identifikuar. Një person i pestë, vëllai i kryefamiljarit raportohet se ka mbetur i lënduar dhe ndodhet në spital.

Po ashtu edhe dy karabinierë, të cilët mbërritën në vendngjarje për të dhënë ndihmën e parë, pësuan një intoksikim të lehtë, por janë jashtë rrezikut për jetën.

Sipas autoriteteve, tragjedia ka ndodhur rreth orarit të darkës. Gjatë hyrjes në banesë, ekipet e shpëtimit kanë gjetur tryezën të shtruar, çka tregon se familja ishte përgatitur për të ngrënë.

Alarmin e ka dhënë pikërisht vëllai i kryefamiljarit, i cili njoftoi karabinierët. Pasi mbërritën në banesën trekatëshe dhe nuk morën asnjë përgjigje pas trokitjeve të shumta, ata u detyruan të thyejnë derën.

Brenda banesës, forcat e rendit u përballën me një skenë dramatike, katër trupa të pajetë të shtrirë në dysheme. Pak çaste më vonë, edhe familjari i pestë humbi ndjenjat për shkak të monoksidit të karbonit, nën sytë e karabinierëve, të cilët arritën të dalin në kohë nga banesa dhe të japin alarmin. Ai u transportua me urgjencë në spitalin e Cisanellos.

Sekuestrimi i sendeve personale, Apeli i GJKKO merr vendimin për ish-zyrtaren e Policisë, Ervina Gjana!

By: Fax Web
5 February 2026 at 10:20

Gjykata e Posaçme e Apelit ka marrë sot vendimin për ankimimin e ish-zyrtares së Policisë së Shtetit, Ervina Gjana, në lidhje me sekuestrimin e sendeve personale që lidhen me një hetim që SPAK po zhvillon për një dosje penale.

Trupa gjyqësore e kryesuar nga Florjan Kalaja mori vendimin që të pranonte pjesërisht kërkesën në fjalë, duke ndaluar publikimin e të dhënave që lidhen me materialet e sekuestruara dhe që i përkasin ankimuesit.

Shkalla e parë e GJKKO-së kishte marrë vendimin për sekuestron e këtyre materialeve që SPAK i cilësonte me rëndësi për hetimin.

Vendimi i Apelit të GJKKO:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtar Florjan Kalaja, sot më datë 05.02.2026, disponoi për çështjen penale nr. 40 akti, datë 27.01.2026 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankueses E.Gj: “Ankim kundër vendimit nr. 834, datë 30.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Kërkesë për verifikimin e ligjshmërisë së ekzekutimit të vendimit nr. 812, datë 15.12.2025, për lejimin e kontrollit personal dhe të vendeve, përsa i përket sekuestrimit të sendeve personale të një personi të tretë, si dhe kthimin e sendeve të sekuestruara pa bazë ligjore”, duke pranuar pjesërisht ankimin e znj. E.Gj, ndryshoi vendimin nr. 834, datë 30.12.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Gjithashtu, disponoi për ndalimin e publikimit apo dekonspirimit të këtij vendimi deri në mbylljen e hetimeve paraprake, në zbatim të nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale”.

Shiste ora kontrabandë dhe imitime të markave të ndryshme, e pëson tregtari në Berat

By: Fax Web
5 February 2026 at 09:41

Policia e Beratit ka zbuluar një subjekt tregtar në lagjen “10 Korriku” që ushtronte aktivitet të paligjshëm, duke shitur ora dore të kontrabanduara dhe imitime të markave të ndryshme, pa fatura tatimore dhe pa lëshuar kuponë fiskalë, si në dyqan ashtu edhe online.

Si rezultat i kontrolleve të ushtruara në kuadër të goditjes së informalitetit dhe tregtimit të produkteve të kontrabanduara, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare konstatuan shkeljet dhe referuan materialet në Prokurori. Për këtë rast nisi procedimi penal ndaj pronarit të subjektit, shtetasit me inicialet A. D., 39 vjeç.

Gjatë kontrollit në ambientet e subjektit u sekuestruan 191 ora dore, të dyshuara të kontrabanduara, të cilat rezultonin imitime të markave të ndryshme. Nga verifikimet rezultoi se shtetasi nuk dispononte fatura blerjeje për mallrat dhe nuk lëshonte kuponë tatimorë gjatë shitjes së tyre.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Beratit për veprime të mëtejshme, ndërsa kontrollet kundër paligjshmërive në fushën ekonomike vijojnë në të gjithë territorin e qarkut.

Kriza e blegtorisë, importet e bulmetit u rritën me 62% ndërmjet 2021-2025

By: Fax Web
5 February 2026 at 09:27

Bilanci tregtar i Shqipërisë për produktet e shportës po dëshmon një varësi gjithnjë e më të theksuar nga importet jashtë vendit. Sipas të dhënave të INSTAT nga tregtia e jashtme, kategoria “Produkte bulmetore, vezët dhe mjalti” ka pësuar një rritje të fortë të vlerës së importit, duke u ngjitur nga 6.8 miliardë lekë në vitin 2024, në rreth 7.7 miliardë lekë në vitin 2025.

Ky zgjerim prej rreth 14% brenda një viti kalendarik dhe 62% që nga viti 2021, po tregon se prodhimi vendas po humbet terren me shpejtësi përballë produkteve që vijnë kryesisht nga vendet e Rajonit dhe Bashkimit Evropian. Kjo rritje e importeve vjen si pasojë e drejtpërdrejtë e një krize strukturore që ka mbërthyer sektorin e blegtorisë në Shqipëri. Prej vitesh, numri i krerëve në blegtori po pëson rënie sistematike, e nxitur nga braktisja e fshatit, plakja e popullsisë rurale dhe mungesa e interesit të të rinjve për të trashëguar fermat familjare.

Nga ana tjetër kostoja e prodhimit vendas është shtrenjtuar për shkak të rritjes së çmimeve të inputeve bujqësore dhe bazës ushqimore. Blegtorët shqiptarë po e gjejnë veten të pafuqishëm për të konkurruar me prodhuesit e huaj, të cilët mbështeten nga skema subvencionimi dhe teknologji më efikase.

Sakaq, tregu po reagon duke u orientuar drejt mbushjes së vakumit të krijuar nga prodhimi vendas përmes importeve. Ndërsa konsumi i brendshëm mbetet relativisht i qëndrueshëm dhe kërkesa nga sektori i turizmit po rritet vit pas viti, mungesa e qumështit dhe nënprodukteve të tij “Made in Albania” po plotësohet nga fabrikat e huaja. Forcimi i monedhës vendase e ka bërë importin e djathit, qumështit apo gjalpit nga vendet e Bashkimit Evropian shumë më të lirë sesa vitet e kaluara. Për një tregtar, sot është me më leverdi të sjellë një maune me qumësht nga Italia apo Hungaria, sesa të grumbullojë sasi të vogla qumështi nëpër fshatrat e Shqipërisë me kosto logjistike të lartë. Leku i fortë po godet rëndë prodhuesin vendas që nuk konkurron dot me çmimet e huaja.

Kjo situatë krijon një rreth vicioz ku, sa më shumë rriten importet, aq më shumë ulet presioni mbi institucionet për të mbështetur blegtorinë lokale, duke e lënë këtë të fundit në mëshirë të fatit dhe të zhvlerësuar përballë konkurrencës rajonale. Ekspertët e fushës paralajmërojnë se nëse kjo tendencë e reflektuar në shifrat e vitit 2025 do të vijojnë me të njëjtat ritme. Shqipëria rrezikon të humbasë sovranitetin ushqimor në produktet bazë. Rritja e importeve me plot 10 milionë euro brenda një viti po tregon se politikat e subvencionimit nuk kanë arritur të frenojnë tkurrjen e stallave./ Monitor

“Pamë katër trupat në dysheme”/ Tragjedi në Itali, u helmuan nga monoksidi i karbonit, shuhet familja shqiptare

By: Fax Web
5 February 2026 at 09:21

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e së mërkurës komunën e Porcarit, në fushën e Luccës, në Itali, ku katër anëtarë të së njëjtës familje humbën jetën si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit.

Viktimat janë babai 48-vjeçar, bashkëshortja e tij 43 vjeçe dhe dy fëmijët e tyre, 22 dhe 15 vjeç, me origjinë shqiptare. Një person i pestë, vëllai i kryefamiljarit, u shpëtua por ndodhet në gjendje kritike i shtruar në Spitalin Cisanello, pasi humbi ndjenjat për shkak të helmimit sapo mbërriti në banesë.

Corriere raporton se sipas autoriteteve, ishte pikërisht vëllai i kryefamiljarit ai që ngriti alarmin, pasi familja nuk po u përgjigjej telefonatave. Pasi mbërritën në shtëpinë trekatëshe dhe nuk morën përgjigje, ai dhe dy oficerë të karabinierëve hynë me forcë brenda, ku u përballën me një skenë të rëndë: katër trupat e pajetë të shtrirë në dysheme.

Ngjarja mendohet të ketë ndodhur rreth orës së darkës. Kur ekipet e shpëtimit hynë në banesë, gjetën tryezën të shtruar, çka tregon se familja ishte përgatitur për të ngrënë. Dy karabinierët që ndërhynë për ndihmën e parë pësuan gjithashtu shenja të lehta helmimi, por fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të rrjedhjes së monoksidit të karbonit dhe për të verifikuar gjendjen e sistemit të ngrohjes në banesë.

Gaza në flakë, 24 të vrarë nga sulmet izraelite

By: Fax Web
5 February 2026 at 09:10

Sulmet izraelite goditën Gazën të mërkurën, duke vrarë të paktën 24 palestinezë, mes të cilëve edhe dy foshnja, sipas zyrtarëve të shëndetësisë në territor, ku armëpushimi i brishtë po vihet gjithnjë e më shumë në pikëpyetje.

Izraeli tha se vrau tre udhëheqës militantë dhe të tjerë që paraqisnin kërcënim për forcat e tij, dhe se disa sulme erdhën si përgjigje ndaj një sulmi të Hamasit që plagosi rëndë një nga ushtarët e tij.

Sulmet vdekjeprurëse izraelite kanë ndërprerë vazhdimisht armëpushimin që nga hyrja e tij në fuqi më 10 tetor. Rritja e numrit të viktimave palestineze ka bërë që shumë në Gaza të ndjejnë se lufta po vazhdon pa ndërprerje.

Mes palestinezëve të vrarë të mërkurën ishin të paktën pesë fëmijë, shtatë gra dhe një mjek në detyrë, sipas zyrtarëve të spitaleve.

“Ku është armëpushimi? Ku janë ndërmjetësit?” shkroi Dr. Mohamed Abu Selmiya, drejtor i Spitalit Shifa në Gazë, në një postim në Facebook.

Sulmet vdekjeprurëse vazhdojnë pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit

Armëpushimi synonte të ndalte luftën mbi dyvjeçare, e cila filloi me sulmin vdekjeprurës të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023. Edhe pse luftimet më të rënda janë zbutur, ato janë shoqëruar nga shpërthime të përsëritura dhune.

Gjithsej 556 palestinezë, gjysma gra dhe fëmijë, janë vrarë nga Izraeli që kur armëpushimi hyri në fuqi, sipas zyrtarëve të shëndetësisë në Gaza. Ushtria izraelite thotë se katër ushtarë të saj janë vrarë që nga fillimi i armëpushimit.

Izraeli ka thënë se sulmet e tij janë përgjigje ndaj shkeljeve të armëpushimit nga Hamasi ose sulmeve militante ndaj ushtarëve të tij. Tetë vende arabe dhe myslimane, përfshirë ndërmjetësit Egjiptin dhe Katarin, së fundmi dënuan atë që e quajtën “shkeljet e përsëritura” të marrëveshjes nga Izraeli.

Një zyrtar ushtarak izraelit, duke folur në kushte anonimiteti, tha për Associated Press se sulmet e fundit ishin përgjigje ndaj të shtënave militante që plagosën rëndë një ushtar rezervist të mërkurën në mëngjes.

Sulmi i mëngjesit vret 11 persona, përfshirë dy fëmijë

Trupat izraelite qëlluan një ndërtesë në lagjen Tuffah në veri të Gazës, duke vrarë të paktën 11 persona, shumica nga e njëjta familje, tha Spitali Shifa, i cili pranoi trupat. Mes të vrarëve ishin dy prindërit, vajza e tyre 10-ditëshe Wateen Khabbaz, kushërira e saj 5-muajshe Mira Khabbaz dhe gjyshja e fëmijëve.

Ushtria izraelite tha se sulmi ishte një përgjigje në kohë reale ndaj të shtënave që kishin në shënjestër ushtarët e saj.

Sulmet vazhdojnë të mërkurën

Një sulm ndaj një tende në zonën Muwasi të Khan Younis vrau të paktën tre persona dhe plagosi 10 të tjerë, sipas një spitali të Kryqit të Kuq Palestinez. Mes të vrarëve ishte një mjek i shërbimit të urgjencës në detyrë.

Ushtria izraelite tha se sulmi kishte në shënjestër dhe vrau komandantin e një toge të Hamasit, Bilal Abu Assi, i cili udhëhoqi një sulm vdekjeprurës në Kibbutz Nir Oz gjatë ofensivës së vitit 2023.

Një sulm tjetër në Khan Younis vrau tre persona, përfshirë një djalë 12-vjeçar, sipas Spitalit Nasser.

Një tjetër sulm goditi kampin e refugjatëve Al-Shati në Gazë, duke vrarë një person dhe plagosur një tjetër. Ushtria izraelite tha se kishte vrarë udhëheqësin e një celule të Hamasit përgjegjëse për vrasjen e një ushtari të rrëmbyer gjatë sulmit të tetorit 2023.

Izraeli tha se militanti i tretë i vrarë të mërkurën ishte një udhëheqës i Xhihadit Islamik në veri të Gazës.

Në total, të paktën 38 palestinezë u plagosën nga sulmet të mërkurën, tha Ministria e Shëndetësisë në Gaza.

Kalimi në kufirin Rafah është minimal

Hapja e kalimit kufitar Rafah të hënën u përshëndet si një hap përpara për armëpushimin e brishtë. Por që atëherë, kalimi i palestinezëve është shoqëruar me vonesa, marrje në pyetje dhe pasiguri mbi ata që lejohen të kalojnë.

Të mërkurën, 15 pacientë nga Gaza dhe 31 të afërm të tyre ishin planifikuar të kalonin në Egjipt, por më shumë se gjysma e grupit u kthyen mbrapsht.

Marrëveshja e armëpushimit ecën ngadalë

Edhe pse luftimet nuk kanë ndaluar plotësisht, disa pjesë të marrëveshjes kanë përparuar. Hamasi ka liruar të gjithë pengjet që mbante, dhe në këmbim Izraeli ka liruar mijëra palestinezë. Ndihma humanitare është shtuar dhe një komitet teknokrat është emëruar për të administruar punët e përditshme të territorit.

Kryqi i Kuq tha të mërkurën se kishte ndërmjetësuar dorëzimin e 54 trupave palestinezë të kthyer në Gaza. Spitali Shifa tha se kishte marrë gjithashtu mbi 60 kuti me mbetje të tjera. Ekspertët mjeko-ligjorë do të fillojnë punën për identifikimin e tyre në një territor ku mijëra persona ende konsiderohen të zhdukur.

Elementët kryesorë të marrëveshjes duket se kanë ngecur, përfshirë vendosjen e një force sigurie ndërkombëtare, çarmatosjen e Hamasit dhe rindërtimin e Gazës.

Në sulmin e vitit 2023 që nisi luftën, mijëra militantë të Hamasit hynë në jug të Izraelit pas një breshërie raketash, duke vrarë 1 mijë e 200 persona, shumica civilë, dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë.

Mbi 71 mijë e 800 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i luftës, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e cila nuk dallon mes luftëtarëve dhe civilëve. Ministria, pjesë e qeverisë së udhëhequr nga Hamasi, mban regjistra të detajuar viktimash që konsiderohen përgjithësisht të besueshëm nga agjencitë e OKB-së dhe ekspertë të pavarur.

Shefi i OKB: Bota po përballet me një moment shumë serioz

By: Fax Web
5 February 2026 at 09:09

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u bëri thirrje Uashingtonit dhe Moskës të nisin pa vonesë negociata për arritjen e një marrëveshjeje të re për çarmatimin bërthamor, pasi marrëveshja e fundit e mbetur mes dy fuqive ka skaduar, një zhvillim që ai e cilësoi si “një moment jashtëzakonisht serioz për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”.

“Përfundimi i dekadave të tëra arritjesh në kontrollin e armëve nuk mund të vinte në një kohë më të keqe. Rreziku i përdorimit të armëve bërthamore është sot në nivelin më të lartë në dekada,” deklaroi Guterres, duke i bërë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë “të kthehen pa vonesë në tryezën e negociatave dhe të bien dakord për një kornizë të re”.

Që nga Lufta e Ftohtë, Uashingtoni dhe Moska kanë arritur një sërë marrëveshjesh për kontrollin e arsenaleve të tyre bërthamore, dy vendet që zotërojnë rreth 80% të kokave bërthamore në botë. Marrëveshja më e fundit, START i Ri, e nënshkruar në vitin 2010, kufizonte arsenalin e secilës palë në 800 raketa lëshuese dhe bombardues strategjikë, si dhe në 1.550 koka bërthamore të vendosura për përdorim, duke parashikuar gjithashtu shkëmbime të rregullta të të dhënave dhe mekanizma verifikimi.

Inspektimet e parashikuara nga START i Ri ishin pezulluar tashmë në vitin 2023, si pasojë e luftës së Rusisë në Ukrainë, e cila nisi në shkurt të vitit 2022.

“Për herë të parë në më shumë se gjysmë shekulli, bota përballet me mungesën e çdo kufizimi detyrues mbi arsenalet strategjike bërthamore të Federatës Ruse dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës,” paralajmëroi shefi i OKB-së.

Shtetet e Bashkuara ishin tërhequr më herët, në vitin 2019, nga një tjetër marrëveshje kyçe për çarmatimin bërthamor, Traktati për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi (INF), i cili ishte nënshkruar në vitin 1987 me Rusinë, atëherë Bashkimin Sovjetik.

Tragjedi! Tre motra u hodhën nga kati i nëntë i pallatit, më e vogla vetëm 12 vjeç

By: Fax Web
5 February 2026 at 09:03

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Indinë, ku tre motra të mitura, të moshës 12, 14 dhe 16 vjeç, kanë humbur jetën pasi u hodhën nga kati i nëntë i pallatit ku banonin. Tragjedia dyshohet se ndodhi pasi babai i tyre u kishte ndaluar përdorimin e telefonit celular dhe lojën e një të ashtuquajture “lojë dashurie” koreane.

Sipas mediave indiane, viktimat janë identifikuar si Vishikha (16 vjeç), Prachi (14 vjeç) dhe Patsi (12 vjeç). Ato lanë pas një shënim vetëvrasjeje prej tetë faqesh, në të cilin shprehnin lidhjen e tyre të fortë me kulturën koreane. Në shënim thuhej, ndër të tjera: “Babi, më vjen keq. Koreja është jeta jonë, Koreja është dashuria jonë më e madhe. Pavarësisht se çfarë thua, ne nuk mund të heqim dorë. Kjo është arsyeja pse po kryejmë vetëvrasje”. Shënimi përfundonte me fjalët: “U përpoqët të na distanconit nga koreanët, por tani e dini sa shumë i duam”.

Babai i vajzave, i tronditur nga ngjarja, deklaroi se nuk kishte qenë në dijeni të lojës që ato po luanin. “Kjo nuk duhet t’i ndodhë asnjë prindi apo fëmije. Nuk e dija për lojën, përndryshe nuk do t’i kisha lejuar kurrë ta përdornin”, tha ai për mediat.
Megjithatë, raportime të fundit sugjerojnë se rrethanat e ngjarjes mund të jenë më komplekse. Sipas policisë, dy nga motrat mund të kenë tentuar ta ndalonin të tretën nga ndërmarrja e aktit fatal, çka ngre dyshime se rënia mund të ketë ndodhur gjatë një përpjekjeje për ta parandaluar atë.

 

Babai i përshkroi vajzat si të varura në mënyrë ekstreme nga gjithçka që lidhej me Korenë, përfshirë filmat, muzikën dhe serialet televizive. Ai tha se kjo varësi kishte filluar gjatë pandemisë COVID-19, ndërsa mediat lokale raportojnë se vajzat nuk ishin kthyer më në shkollë që nga ajo periudhë.

Një zëdhënës i policisë bëri të ditur se ditët e fundit vajzave u ishte ndaluar përdorimi i telefonave celularë, një vendim që, sipas tij, duket se i ka ndikuar ndjeshëm emocionalisht.
Sipas Daily Mail, në murin e dhomës së tyre ishin shkruar fraza si “Jam shumë, shumë e vetmuar”, duke sugjeruar gjendje të rënduar psikologjike. Ngjarja tragjike ndodhi pak pas orës 02:00 të mëngjesit të së mërkurës.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe ende nuk ka identifikuar lojën specifike që dyshohet se ka ndikuar në reagimin ekstrem të vajzave.

U helmuan nga monoksidi i karbonit, shuhet familja me katër anëtarë

By: Fax Web
5 February 2026 at 09:02

Një ngjarje rëndë është shënuar në Itali ku katër anëtarë të një familje që dyshohet të jetë shqiptare, kanë humbur jetën nga helmimi me monoksid karboni në një shtëpi në Rughi, një qytet në provincën e Luccës në Itali.

Tragjedia ndodhi mbrëmjen e së mërkurës, kur familja u gjet e pajetë nga helmi vdekjeprurës që ishte shkaktuar nga shpërthimi i monoksidit të karbonit.

Viktimat janë babai 48-vjeç, nëna 43-vjeçe dhe dy fëmijë, të moshës 22 dhe 15 vjeç, por emrat e tyre nuk janë zbuluar ende nga autoritetet. Sipas Corriere della Sera  vëllai i 48-vjeçarit, i cili shkoi për t’i kontrolluar pasi asnjë nuk po përgjigjej, u transportua në Spitalin Cisanello në Piza në gjendje kritike. Ndërkohë edhe dy oficerë që shkuan në vendngarje u helmuan, por fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Makina e shpëtimit nga Lucca, ambulancat, si dhe shërbimet e zjarrfikësve, reaguan menjëherë, duke hyre në shtëpi për të shpëtuar ata që mund të ishin ende të gjallë.

“Familja e viktimave dyshohet të jetë me origjinë të huaj, me shumë mundësi nga Shqipëria”, shkruanCorriere. Tragjedia ka tronditur komunitetin, ndërsa hetimet vazhdojnë për të zbuluar shkaqet e plota të këtij helmimi fatal.

“Ndriço mendjet tona”, Rama ka një lutje për popullin shqiptar nga bazilika e Zojës së Këshillit të Mirë

By: Fax Web
5 February 2026 at 09:00

Kryeministri Edi Rama ka vizituar bazilikën e famshme të Zojës së Këshillit të Mirë gjatë vizitës së tij zyrtare në Vatikan. Mëngjesin e kësaj të enjteje, ai ka ndarë në rrjetet e tij sociale disa momente nga vizita e tij, duke e shoqëruar bashkë me një mesazh ku i drejtohet me lutje nënës Mari.

“O Mari, Nënë e ëmbël e Këshillit të Mirë, kaq e dashur për bijtë e Shqipërisë në atdhe dhe jashtë atdheut! Sot po vijmë tek ti, edhe një herë, të ta besojmë popullin tonë, familjet tona, rininë tonë. Ti që je Zojë e Shkodrës dhe e mbarë Shqipërisë, na udhëhiq në rrugën e së mirës, na jep dritë në dyshime dhe ngushëllim në provat e jetës. Nën mbrojtjen tënde kërkojmë strehë, o Virgjër e bekuar.

Mbroje Shqipërinë, ndriço mendjet tona dhe na bëj të jemi gjithmonë besnikë ndaj Birit tënd, Jezusit. O Zoja e Këshillit të Mirë, lutu për ne!”, shkruan Rama.

Yesterday — 4 February 2026Main stream

Ndoka-Rraja/ Si nisi hasmëria mes dy ish-deputetëve të PS

By: Fax Web
4 February 2026 at 21:06

Xhelal Rraja, vëllai i ish-deputetit socialist, Rrahman Rraja ka lënë qelinë këtë të mërkurë për të vijuar me masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

“Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” caktuar ndaj të pandehurit Xhelal Rraja, me vendimin Nr. 49, datë 15.05.2024 dhe me vendimin Nr.78, datë 12.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Gjykatës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO).

Arsyet shëndetësore janë bërë shkak për ndryshimin e masës së sigurisë.

ARRESTIMI DHE AKUZAT

Rraja u arrestua në maj 2024 në kuadër të dosjes “Revanshi”, i akuzuar për veprat penale grup të strukturuar kriminal dhe sigurim kushtesh për të kryer vrasjen e ish-deputetit Arben Ndoka.

Vëllai i ish deputetit socialist ishte mes 14 të pandehurve që u arrestuan nga operacioni që goditi 7 grupe kriminale që vepronin në Shqipëri.

Ai akuzohet për “Sigurim të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 80 e 28/4 të Kodit Penal; “Grup i strukturuar kriminal”, në formën e krijimit, organizimit ose drejtimit të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi 1 i Kodit Penal; “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga neni 334 pika 1 i Kodit Penal.

Por si nisi hasmëria mes dy deputetëve socialistë?

Në dosjen e SPAK thuhet se organizatori në planin për vrasjen e Arben Ndokës, që nuk u realizua, ka qenë Xhelal Rraja.

Rraja, sipas SPAK ishte pjesë e grupeve të Durim Bamit e Endrit Dokles që tentuan vrasjen e ish ligjvënësit tjetër socialist, Arben Ndoka.

Nga hetimet e SPAK rezulton se Arben Ndoka ishte planifikuar të ekzekutohet në janar 2021, kur ky të shkonte për kafe dhe qokë në Rrugën e “Elbasanit”, pasi kishte vdekur një gjyqtar nga Lezha. Por, Ndoka nuk shkoi për ngushëllim, ndaj edhe plani dështoi.

Në dosjen hetimore, Prokuroria e Posaçme thotë se Durim Bami dhe Endrit Dokle, në bashjkëpunim me Xhelal Rrajën, vëllain e ish deputetit socialist dhe Marklen Hakën, thurën planin për të vrarë deputetin socialist Arben Ndokën.

Ky i fundit kishte tentuar disa herë më ndihmën e Ervis Martinaj, Emiljano Shullazin dhe pjesëtarë të grupit kriminal Avdulaj, Aldo dhe Astrit Avdylaj, të vriste Durim Bamin, pasi dyshonte se ishte i implikuar në vrasjen e vëllait të tij Aleksandër Ndoka. Pavarësisht se e ndoqën e vëzhguan për një kohë të gjatë, ata nuk e arritën dot Bamin, pasi lëvizte me makine të blinduar dhe merrte masa të lartë sigurie në cdo lëvizje.

Sipas SPAK, Endrit Dokle kishte marrë përsipër të siguronte informacionin për lëvizjen e ish deputetit Ndoka, Durim Bami dhe Xhelal Rraja ishin organizatorë, ndërsa Marklen Haka kishte marrë përsipër të gjente vrasësit e ish deputetit.

Në dosjen e SPAK theksohet se “pasi ka pritur deri në orën 16:04 duke marrë informacion nga Marklen Haka për ardhjen e shtetasit Arben Ndoka, është larguar, pasi ai e ka informuar që të mos rrijë më aty pasi ai nuk do të vinte”.

Kujtojmë se, Arben Ndoka kishte tentuar disa herë, edhe me ndihmën e Ervis Martinajt, Emiljano Shullazit dhe pjesëtarë të grupit kriminal Avdulaj, të vriste Durim Bamin pasi dyshonte se ishte i implikuar në vrasjen e vëllait të tij Aleksandër Ndoka.

Por pavarësisht se e ndoqën e vëzhguan për një kohë të gjatë, ata nuk arritën të përfundonin planin pasi Bami lëvizte me makine të blinduar dhe merrte masa të lartë sigurie në cdo lëvizje.

EMRI/ E kafshon qeni, humb jetën 65-vjeçarja në Belsh

By: Fax Web
4 February 2026 at 21:03

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në fshatin Çërragë, bashkia Belsh.

65-vjeçarja Emine Agolli është sulmuar nga qeni që mbante në oborrin e shtëpisë familja e kunatit të saj duke pësuar dëmtime të mëdha trupore.

Edhe pse u dërgua me urgjencë drejt spitalit ajo nuk mundi ti shpëtojë dot plagëve të marra.

Autoritetet policore kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa është shoqëruar personi përgjegjës për mbajtjen e kafshës, kunati i viktimës.

Dërgohet me urgjencë në QSUT ish-Presidenti Alfred Moisiu

By: Fax Web
4 February 2026 at 20:14

Dërgohet me urgjencë drejt Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ish presidenti i Republikës Alfred Moisiu.

Mësohet se, Moisiu ka shfaqur shqetësime shëndetësore dhe është shtruar pranë Pavionit të Kardiologjisë në QSUT.

Sipas raportimeve nga spitali, gjendja aktuale e ish presidentit shfaqet stabile.

Alfred Moisiu ka lindur në Shkodër më 1 dhjetor 1929.

Ai ka qenë ushtarak karriere dhe President i Republikës nga 24 qershori 2002 deri më 24 korrik 2007.

Greqia shihej si “laborator financiar”, çfarë zbulohet nga dosja “Epstein”

By: Fax Web
4 February 2026 at 19:52

Dosjet e reja të publikuara nga autoritetet amerikane për Jeffrey Epstein zbulojnë një dimension të panjohur deri tani: interesin e fortë dhe sistematik të tij për Greqinë gjatë viteve të krizës ekonomike.

Sipas qindra email-eve dhe dokumenteve të brendshme, Epstein, i cili u vetëvra në burg në vitin 2019 ndërsa priste gjyqin për trafik seksual, e shihte Greqinë si një “laborator financiar” për spekulime dhe investime me rrezik të lartë.

Në korrespondencën e tij, ai merrte informacion të drejtpërdrejtë nga banka ndërkombëtare, si JPMorgan dhe Deutsche Bank, për blerjen e bonove shtetërore greke, aksioneve bankare dhe produkteve financiare të lidhura me rimëkëmbjen e ekonomisë greke.

Në një email të vitit 2011, një drejtues i JPMorgan i propozon blerjen e obligacioneve greke me interes mbi 11 për qind, ndërsa Epstein përgjigjet shkurt: “ma kujto javën tjetër”, duke lënë të kuptohet se po shqyrtonte seriozisht bastin mbi borxhin grek.

Por interesi i tij nuk ishte vetëm financiar. Epstein kërkonte informacione politike në nivelet më të larta: nga referendumi i vitit 2015, te largimi i Varoufakis dhe skenarët për një dalje të mundshme të Greqisë nga eurozona.

Në arkiva rezulton se fjala “Greqi” përmendet mbi 1.500 herë, kryesisht në periudhën 2012–2015, kulmi i krizës.

Paralelisht, Epstein interesohej edhe për antikitetet greke, për familje të mëdha armatorësh të diasporës dhe madje për ndërtimin e një vile “në stil grek” në ishullin e tij privat në Karaibe.

Ekspertët theksojnë se dosjet nuk provojnë përfshirje kriminale të personave të përmendur, por zbulojnë qartë mënyrën se si elita globale e shihte krizën greke: jo si tragjedi sociale, por si mundësi për fitim dhe ndikim.

Një tjetër faqe e errët në historinë e Epstein, këtë herë, me sytë nga Athina.

Dosja “Kurum”/ Dhjetëra mijëra ton mbetje u zhdukën pa gjurmë në Elbasan

By: Fax Web
4 February 2026 at 19:33

Me 33 fletë-arresti të firmosura, 26 për burg dhe 7 për arrest shtëpie, prokuroria e Durrësit i dha fund hetimeve që nisën për 2800 ton mbetje të rrezikshme të prodhuara nga Kurum International në Elbasan dhe u nisën me anije drejt Tajlandës duke përdorur dokumenta të falsifikuara.

Por sipas asaj që shkruan Lapsi.al jo vetëm se 2800 ton mbetje ishin të rrezikshme, por nxjerr në dritë një skandal të përmasave të frikshme, shumë herë më i madh se ai që denoncoi “Basel Action Network”, organizata mjedisore me qendër në Shtetet e Bashkuara.

Nga hetimet del se Kurum prodhoi qindra mijëra tonelata mbetje në vitet e fundit, që u menaxhuan në mënyrë kriminale, madje disa dhjetëra mijëra prej tyre humbën pa gjurmë në Elbasan.

Faktet tregojnë se 2800 ton mbetjet e nisura drejt Tajlandës ishin vetëm maja e ajsbergut. Sepse në realitet tonelatat me mbetje të rrezikshmë në Shqipëri magazinohen në mjedise të papërshtatshme, trafikohen me dokumenta të falsifikuara, madje edhe zhduken pa lënë asnjë gjurmë.

Zyrtarja më e lartë e arrestuar është ish-drejtoresha e Autoritetit Kombëtar të Mjedisit, Arta Dollani. Në media ajo përflitet si një nga njerëzit e besuar të ish-ministres Mirela Kumbaro, por është e lehtë të kuptohet se lidhjet e biznesmenëve që merren me transportin e mbetjeve të Kurum shkojnë shumë më lart. Nuk është rastësi që ata veprojnë në një mjedis të pakontrolluar, ku shteti nuk ekziston dhe ku ligji përkulet duke toleruar një treg kriminal të transportit të mbetjeve.

Në faqen 70 të dosjes, prokuroria shkruan se Agjencia Kombëtare e Mjedisit “rezulton se nuk ka kryer inspektime në përputhje me ligjin pranë shoqërisë Kurum International sha, Alliance Resource shpk, Sokolaj shpak dhe ESM APO” Për pasojë, vazhdojnë hetuesit, është lejuar grumbullimi, transportimi dhe më pas kontrabandimi e mbetjeve të rrezikshme, të cilat “sipas të dhënave të administruara nga Prokuroria, në të paktën 4 vitet e fundit janë transportuar me qindra mijëra tonelata në vit“.

Sasia gjigande me mbetje që përmendin prokurorët është tronditës, por tregon përmasat e vërteta të paligjshmërisë në këtë fushë.

Në letër rezulton se kompania turke Kurum International ka prodhuar vetëm 1000 ton mbetje të rrezikshme, por sqaron prokuroria e Durrësit “nga të dhënat rezulton se ka tregtuar vetëm tek Sokolaj shpk nëpërmjet 4 faturave në vitin 2023 dhe 2024 mbi 4122 Ton mbetje te rrezikshme”. Kjo përplasje shifrash me 4 mijë herë më shumë se sa deklarohej, është dëshmi se sa larg ka shkuar abuzimi me dokumentat shtetërorë.

Kurum prodhoi 30 mijë ton mbetje të rrezikshme në 4 vjet

Ekspertimi kimik mjedisor i përmendur në aktet e prokurorisë sillet kryesisht në dy përbërje të materialit tregtar, një përzierje tipike e pluhurit të furrës elektrike të çelikut, EAF dust, e cila përmban metale të rënda, oksid hekuri apo oksid zinku.

Vlen të citohet një dëshmi brenda uzinës e një personi të quajtur Rami Bunga, i cituar si specialist pranë zyrës së mjedisit te Kurum International. Ai shpjegon se prodhimi i oksidit të zinkut, “për 4 ose 5 vitet e fundit ka qenë rreth 25.000 deri në 30.000 ton”.

Sasitë e mëdha që prodhohen çdo vit tregojnë se rasti i denoncuar i Tajlandës ishte thjesht një destinacion ku u ndez sirena.

Mbi këtë sfond, Prokuroria ka ngritur akuza për drejtues të Kurum International, të kompanive që merreshin me transportin e lëndëve kimike dhe për zyrtarë të Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Doganës, Autoritetit Portual dhe operatorit të terminalit.

Në të njëjtën kohë, sipas strukturës së dosjes, tre kompani dalin si nyje ku mbetjet kalonin përpara se të humbnin gjurmët ose të dilnin jashtë, Alliance Resource sh.p.k., Bajrami N sh.p.k., Sokolaj sh.p.k..

“Alliance Resource” dhe “Sokolaj shpk”, falsifikimet për eksportin e mbetjeve

Sokolaj sh.p.k. është kompania që falsifikoi dokumentat për 2800 ton mbetje të rrezikshme që ishin nisur drejt Tajlandës por sipas prokurorisë së Durrësit, kjo ishte një skemë që zbatohej prej vitesh.

Faturat e gjetura në kompaninë Kurum dëshmonin për prodhimin e mbetjeve të rrezikshme, por në fund të procedurave, nga porti i Durrësit rezultonte se eksportohej mbetje e parrezikshme. Faturat manipuloheshin rrugës, por për të kuptuar sasitë e mëdha që ka eksportuar kjo kompani jashtë vendit prokuroria ka sekuestruar disa kontrata.

Në njërën prej tyre, që vlen të citohet në faqen 40 të dosjes thuhet: “Në kërkesën e datës 19.08.2022, Sokolaj shprehet se bazuar në kontratën me gjeneruesin e mbetjeve Kurum International sh.a., angazhohet ti blejë mbetjet me kod 10 02 07*, me sasi vjetore 25.000 ton në vit, me vend origjine Kurum, Elbasan.”

Bëhet fjalë për sasi mbetjesh të rrezikshme të cilat ishin stok pranë kompanisë Kurum në Bradashesh të Elbasanit. Prokuroria vazhdon: “Sokolaj nuk rezulton të ketë Autorizim për eksportim të mbetjeve të rrezikshme… për periudhën 2022,2024”.

E njëjtë është skema edhe tek kompania Alliance Resource sh.p.k. Vetëm se tek kjo kompani janë gjetur sasi të mëdha në stok në kushte të papështatshme për t’u ruajtur.

“Përveç faktit që nuk ka disponuar dokumentacionin, sasia e mbetjeve është gjendur në stok, ndërkohë që subjekti marrës i mbetjeve të rrezikshme ka detyrën e trajtimit të tyre dhe jo të magazinojë sasi të mëdha mbetjesh duke i lënë të patrajtuara duke shtuar efektet e rrezikut të lëshimit të gazrave toksikë në mjedis e në ajër” thuhet në dosje.

Hetuesit kanë kryer kontrolle në ambjentet e Alliance, por thonë se kompania nuk ka paraqitur dokumentacion provues se çfarë ka ndodhur me këto mbetje, si janë trajtuar, nëse janë transportuar a shitur tek të tretë, apo janë eksportuar.

Dyshimet janë se Kurum dhe Alliance “kanë shkelur legjislacionin për menaxhimin e mbetjeve duke i transferuar mbetjet tek të tretët në sasi shumë të mëdha, me kosto të ulët për të shmangur kostot e asgjësimit” thotë dosja.

“Bajrami N”, dhjetëra mijëra ton mbetje të zhdukura pa gjurmë

Por ndërsa dy kompanitë e tjera kishin synim t’i nxirrnin mbetjet jashtë vendit për t’u trajtuar, një krim akoma më i rëndë duket të jetë konsumuar nga një kompani tjetër “Bajrami N” sh.p.k. Kjo kompani përmendet në dosje për sasi të mëdha mbetjesh të parrezikshme, kryesisht skorje që janë zhdukur pa gjurmë.

Hetuesit kanë gjetur tre kontrata me gjithsek 40 mijë ton mbetje, të cilat kjo kompani synonte t’i trajtonte me impiant betoni dhe t’i përdorte si stabilizant të rrugëve.

Hetimet listojnë shifra të tilla si “ka shitur 15996 ton… 16253 ton… dhe 10359 ton”, por që shoqërohet me humbje të gjurmës, “nuk ka asnjë informacion… ku janë depozituar këto mbetje, dhe si janë trajtuar… nuk ka asnjë regjistër”.

Nga fashikulli i prokurorisë, kompania Bajrami N shpk del si “vrima e zezë” e hetimit, ku dhjetëra mijëra tonelata me mbetje janë zhdukur pa lënë gjurmë.

“Bajrami N” sh.p.k. ka lidhur kontratë me shoqërinë “Kurum International sh.a.” por shoqëria “Bajrami N” sh.p.k. nuk disponon leje për përpunimin/trajtimin e skorjeve… Asnjëri prej kodeve 100201 dhe 100202 nuk përfshihet në lejet mjedisore të kësaj shoqërie. Nga të dhënat e administruara nuk ka asnjë informacion se çfarë procesi pune ka ndodhur, ku janë depozituar këto mbetje, dhe si janë trajtuar pasi nuk ka asnjë regjistër të deklaruar mbi to” citohet prokuroria e Durrësit.

Një qeveri e shqetësuar për lajmet toksike

Institucioni që duhet të ishte gardiani i këtij tregu delikat dhe me pasoja të rënda për mjedisin, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, përshkruhet si një hallkë jofunksionale në tregun e mbetjeve të Kurum.

Drejtuesja e AKM, Arta Dollani akuzohet se “nuk e ka përmbushur detyrën… nuk ka kryer vlerësime të plota… dhe rezulton se nuk e ka monitoruar zbatimin e kritereve të lejes”.

Në një tjetër pasazh, prokuroria thotë se “nuk ka kryer inspektime në përputhje me ligjin” pranë subjekteve kryesore, Kurum International, Alliance Resource sh.p.k., Sokolaj sh.p.k., dhe ESM APO”.

Autoriteti Kombëtar i Mjedisit duket se ka kërkuar informacion vetëm “pasi është bërë publik rasti i eksportimit”, në Tajlandë, por më parë “nuk ka kryer asnjë lloj verifikimi në terren”.

Megjithatë kjo është fotografia e bllokimit të një mekanizmi të vogël, siç është Autoriteti Kombëtar i Mjedisit. Prokuroria e Durrësit është përqëndruar te ky mekanizëm, duke lënë jashtë dështimin e aparatit të madh shtetëror, si një organizëm që zgurdullon sytë vetëm kur skandali del në media, përpëlitet pak kur ndërhyn prokuroria, por rikthehet sërish në gjumë me idenë se çudia më e madhe tre ditë zgjat.

Akoma më rëndë ishte në fjalimin në parlament kryeministri Edi Rama. Fajin për mbetjet e rrezikshme që prodhohen dhe trafikohen, ai ia faturoi mediave dhe opozitës, me pretendimin se skandali u shpik nga kokat e sëmura që janë prekur nga “psikopatologjitë”, të atyre që shkruajnë “fletërrufe” dhe të atyre që udhëhiqen nga “fantazi malinje”, që kanë për qëllim “helmimin e shqiptarëve” përmes burimeve dixhitale.

A është kryer eksport i mbetjeve të rrezikshme? Sipas të dhënave të bëra me dije publikisht, në çdo deklaratë, e në çdo dokument të paraqitur nga subjektet private, si pjesë e procedurave të eksportit, është shumë e qartë se eksporti i mallrave në fjalë nuk është eksport mbetjesh të rrezikshme”, u shpreh kryeministri në parlament.

❌
❌