Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka pritur sot Përfaqësuesin Special të Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, ambasadorin Anzhej Frangesh.
Gjatë takimit, Hamza shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë ndaj Kosovës, duke vlerësuar rolin konstruktiv të partnerëve ndërkombëtarë në proceset e dialogut dhe në ruajtjen e stabilitetit rajonal.
“Ne diskutuam edhe për rëndësinë e një qasjeje të koordinuar ndërmjet BE-së dhe SHBA-së për forcimin e paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Hamza.
Kryetari i PDK-së më tej theksoi se Kosova ka nevojë për mbështetje të vazhdueshme dhe për procese të drejta, gjithëpërfshirëse dhe të orientuara drejt rezultateve konkrete, në funksion të stabilitetit afatgjatë dhe integrimit euroatlantik të vendit. /Telegrafi/
Korporata Energjetike e Kosovës thekson se që nga 19 dhjetori, ka operuar në një regjim të jashtëzakonshëm prodhimi, duke mbajtur 3 blloqe të TC Kosova A paralelisht në operim për plot 31 ditë.
KEK njofton se ky nivel operimi përfaqëson një ngarkesë të jashtëzakonshme teknike dhe njerëzore për termocentralin më të vjetër në vend.
Tutje bëhet e ditur se standardi operativ i KEK që nga paslufta ka qenë operimi me 4 njësi gjeneruese 2 njësi nga Kosova A dhe 2 njësi nga Kosova B.
“Një njësi ka shërbyer gjithmonë si rezervë e nxehtë, për siguri të sistemit dhe reagim emergjent”, thuhet në njoftim.
KEK më tej bën të ditur se nga 19 dhjetori ka kaluar në operim të jashtëzakonshëm, me 5 njësi gjeneruese.
“Për shkak të rritjes së konsumit dhe nevojës për siguri energjetike, nga 19 dhjetori KEK ka kaluar në operim të jashtëzakonshëm duke arritur me sukses të operoje me 5 njësi gjeneruese për 30 ditë në punë njëkohësisht, duke përfshirë 3 njësi nga Kosova A dhe 2 njësi nga Kosova B”, thuhet në njoftim.
Sipas KEK-ut, ky nivel operimi përfaqëson një ngarkesë të jashtëzakonshme teknike dhe njerëzore për termocentralin më të vjetër në vend. /Telegrafi/
Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në mbledhjen e së shtunës të 31 janarit nuk i shpallën rezultatet përfundimtare për Listën serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Pas kësaj, kjo parti ka dorëzuar ankesë në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Çka ndodhi pastaj?
PZAP kishte konfirmuar për Telegrafin se kishte pranuar gjithsej 7 ankesa lidhur me publikimin e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 28 dhjetorit nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Sipas të dhënave të publikuara ankesat ishin paraqitur nga subjekte të ndryshme politike dhe kandidatë, kryesisht për parregullsi në procesin e votimit dhe vendimmarrjen e KQZ-së.
Ankesat janë dorëzuar nga: Lista Serbe – ankesë ndaj vendimit të KQZ-së; Nova Demokratska Stranka (NDS) – dy ankesa për parregullsi gjatë votimit; koalicioni PAI–PDAK–LPB – ankesë për parregullsi me fletëvotime; Bekim Haxhiu – dy ankesa, njëra lidhur me shpërndarjen e ulëseve në Kuvend dhe tjetra për parregullsi gjatë numërimit të votave me postë dhe Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK) – ankesë për parregullsi gjatë procesit të votimit.
Lidhur me këto ankesa, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), më 03.02.2026, ka aprovuar vetëm ankesën e Listës Serbe, kurse i ka refuzuar gjashtë ankesa të tjera.
PZAP ka vendosur që të shpallet rezultati përfundimtar për këtë parti dhe kandidatët e saj.
Sipas vendimit, PZAP bën të ditur se pas shqyrtimit të shkresave të lëndës si dhe arsyetimit të KQZ-së të përmbajtur në vendimin e ankimuar të datës 31.01.2026, me numër protokolli Nr.01/156/2026, vlerëson se një qëndrim i tillë nuk mund të pranohet si i drejtë dhe i ligjshëm, pasi është në kundërshtim me dispozitat ligjore të Ligjit për Zgjedhjet e përgjithshme.
Reagimet ndërkombëtare?
E pas këtij vendimi të PZAP-it, ka reaguar Ambasada Britanike.
Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka vlerësuar se vendimi i Panelit riafirmon të drejtën e komuniteteve jo-shumicë dhe të gjitha subjekteve politike për të marrë pjesë plotësisht në procesin demokratik, siç garantohet nga Kushtetuta dhe legjislacioni përkatës.
“Ne presim që përfaqësuesit e zgjedhur në mënyrë legjitime të jenë në gjendje të marrin detyrën dhe t’u shërbejnë qytetarëve që i kanë zgjedhur”, thuhet në deklaratën e ambasadës.
Tutje, ambasada britanike ka theksuar se Mbretëria e Bashkuar mbështet proceset zgjedhore transparente dhe të bazuara në rregulla në Kosovë, duke inkurajuar institucionet dhe aktorët politikë të respektojnë vendimet e institucioneve demokratike dhe të mbështesin integritetin e kornizës zgjedhore.
“Një proces zgjedhor i besueshëm dhe gjithëpërfshirës është thelbësor për stabilitetin demokratik të Kosovës dhe për forcimin e besimit midis të gjitha komuniteteve”, përfundon reagimi.
Si shkon procedura tani?
Tash, pas përfundimit të çështjes së ankesave pritet edhe certifikimi i zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Neni 106 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme thotë se KQZ-ja certifikon rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, pas përfundimit të të gjitha procedurave në vendvotime dhe qendrat e numërimit si dhe kur të gjitha ankesat që u përkasin votimit dhe numërimit të vendosura nga PZAP-i dhe çdo ankesë ndaj vendimeve të PZAP-ja lidhur me to të jetë vendosur nga Gjykata Supreme e Kosovës.
Tutje, në ligj thuhet rezultatet e zgjedhjeve janë përfundimtare dhe detyruese atëherë kur janë certifikuar nga KQZ-ja.
Ndryshe, sipas të dhënave të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar 51.10 për qind të votave, apo 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, 20.19 për qind të votave apo 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës, 13.24 për qind të votave apo 15 ulëse, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, 5.50 për qind të votave apo gjashtë ulëse. /Telegrafi/.
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se Shqipëria të mërkurën ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.
SHMU njofton se moti parashikohet fillimisht me kthjellime e alternime vranësirash mesatare dhe hera-herës deri të dendura.
Duke filluar prej orëve të mesditës reshje shiu me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit.
Pas orëve të pasdites reshjet e shiut të herëpashershme dhe lokalisht të vazhdueshme me intensitet të ulët deri mesatar në të gjithë territorin.
Në orët e vona të mbrëmjes në zonën e Alpeve, verilindje– lindje – juglindje në lartësitë mbi 900-1000 metër reshje dëbore me intensitet të ulët e lokalisht mesatar.
Era me drejtim juglindje – verilindje me shpejtësi mesatare 10 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era me shpejtësi deri në 25m/s
NATO njoftoi të martën se “planifikimi është në vazhdim” për një mision në Arktik, disa javë pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tensionoi aleancën strategjike duke pretenduar se SHBA-ja duhet të kontrollojë Groenlandën për të shmangur shqetësimet e paverifikuara të sigurisë nga Rusia dhe Kina. Kjo vjen në një kohë kur integriteti i aleancës mbrojtëse ishte vënë në pikëpyetje. Martin O’…
Dy ish-emisarë të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Federica Mogherini dhe Miroslav Lajçak, janë përfshirë në skandale që kanë tërhequr vëmendjen ndërkombëtare.
Mogherini, ish-Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme (2014–2019) dhe aktualisht drejtuese e kolegjit pasuniversitar “College of Europe”, u arrestua në dhjetor 2025 në Bruksel, bashkë me zyrtarë të tjerë të lartë, si pjesë e një hetimi mbi një skemë të dyshuar mashtrimi që lidhej me fondet për trajnime diplomatike diplomatike. Hetimi përfshiu ambientet e kolegjit dhe zyrat e Shërbimit Diplomatik të BE-së.
Lajçak, ish-dërguar i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, dha dorëheqje pas publikimit të dokumenteve nga SHBA-të që zbardhnin shkëmbime mesazhesh të tij lidhur me Jeffrey Epstein. Ai ka pranuar se komunikimi ishte i papërshtatshëm dhe e ka përshkruar atë si “gjykim të dobët”, por nuk e konsideron akt kriminal. Bashkimi Evropian ka theksuar se kjo nuk e komprometon procesin e dialogut Kosovë-Serbi, që ai e ndërmjetësoi për pesë vjet.
Skandalet nënvizojnë sfidat e transparencës dhe përgjegjësisë në diplomacinë evropiane, ndërsa hetimet për Mogherinin dhe kritikat ndaj Lajçak vazhdojnë. Rastet e tyre pasqyrojnë ndikimin e figurave të larta evropiane dhe ndjeshmërinë e rolit të tyre në proceset ndërkombëtare./mxh
Cristiano Ronaldo , i cili po i afrohet ditëlindjes së 41-të, thuhet se nuk është i lumtur në Al Nassr dhe mund të largohet nga klubi i Ligës Profesionale Saudite në qershor.
Sipas gazetës portugeze Record, sulmuesi ndihet i keqtrajtuar nga Fondi i Investimeve Publike (PIF), i cili zotëron Al Nassr së bashku me Al Hilal, Al Ittihad dhe Al Ahli.
Ronaldo beson se PIF po bllokon transferimet kyçe të Al Nassr për të penguar shanset e tyre për titull, pavarësisht se skuadra është vetëm një pikë prapa liderëve të ligës, Al Hilal.
Ai përmendi shembuj të tillë si transferimi i Karim Benzemas nga Al Ittihad në Al Hilal dhe nënshkrimi i sulmuesit të ri Georges Ilenikhena nga Monaco nga Al Ittihad, ndërsa Al Nassr shtoi vetëm mesfushorin irakian Abdulkareem nga Al Zaëraa në afatin kalimtar.
Në shenjë proteste, ai refuzoi të luante në fitoren e fundit 1-0 të Al Nassr ndaj Al Riyadh në ligë.
Sipas Fabrizio Romanos, Ronaldo pasi e bojoktoi ndeshjen dje (e hënë), sot ai nuk ka dal në stërvitje.
Kontrata e tij përfshin një klauzolë lirimi prej 50 milionë eurosh që mund të lehtësojë një largim, me destinacione të mundshme që përfshijnë Major League Soccer (MLS) ose një rikthim në Evropë./mxh
Kur Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kryen një fushatë intensive të bombardimeve në Iran vitin e kaluar, rrjeti i bashkëpunëtorëve dhe partnerëve të armatosur rajonalë të Iranit qëndroi kryesisht në heshtje.
Por, i ashtuquajturi bosht i rezistencës pritet të hyjë në lojë dhe të mbështesë Iranin nëse presidenti amerikan, Donald Trump, jetëson kërcënimet e tij dhe autorizon një veprim ushtarak kundër Republikës Islamike, thonë ekspertët.
Irani e sheh një konflikti të ri të mundshëm me SHBA-në si kërcënim ekzistencial, ndryshe nga lufta e qershorit 2025, tha Hamidreza Azizi, bashkëpunëtor në Institutin gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë.
Kjo nënkupton se Teherani është “gati të futet plotësisht në lojë dhe të përdorë çdo kapacitet që ka, në kuptim të kapaciteteve të veta ushtarake, dhe në të njëjtën kohë kapacitetin asimetrik të boshtit të rezistencës” për të siguruar mbijetesën e tij, tha Azizi.
Veçse ka sinjale që aleatët e Iranit në Irak, Liban dhe Jemen po përgatiten për luftë në rast të një sulmi të SHBA-së ndaj Teheranit.
Irani ka shpenzuar dekada duke e ndërtuar boshtin, që është një rrjet i bashkëpunëtorëve të armatosur dhe grupeve militante të mbështetura nga Teherani në Lindjen e Mesme. Anëtarët e boshtit përfshijnë Hezbollahun e Libanit, rebelët Huthi të Jemenit dhe milicitë proiraniane në Irak.
Ky rrjet ka qenë element kyç i strategjisë frenuese të Teheranit kundër kërcënimeve të perceptuara nga Shtetet e Bashkuara dhe kryesisht nga Izraeli.
Por, aleanca ka pësuar goditje të mëdha në vitet e fundit. Qeveria e presidentit sirian, Bashar al-Assad, aktorja e vetme shtetërore në këtë rrjet përveç Iranit, u rrëzua në dhjetor të vitit 2024.
Hezbollahu, ndërkaq, është dobësuar jashtëzakonisht shumë pas luftës njëvjeçare me Izraelin, gjatë së cilës u vra udhëheqësi i kamotshëm i grupit, Hassan Nasrallah.
Megjithatë, pavarësisht kapaciteteve të dobësuara ushtarake, rrjeti mund t’i ofrojë fuqi shtesë zjarri Iranit në rast të një konflikti me SHBA-në, thonë ekspertët.
Gjatë luftës 12-ditore me Iranin në qershor, Izraeli dhe më pas SHBA-ja bombarduan objektet kyç bërthamore dhe ushtarake iraniane. Teherani u përgjigj duke gjuajtur qindra raketa balistike dhe dronë drejt Izraelit, armikut të tij të përbetuar, si dhe duke shënjestruar një bazë amerikane në Katar.
Anëtarët e boshtit të rezistencës të Iranit nuk u përfshin në këtë konflikt të shkurtër.
“Irani nuk e tërhoqi këmbëzën gjatë luftës së qershorit”, tha Azizi. “Atëbotë, Irani erdhi në përfundim se mund ta menaxhonte vet konfliktin. Nuk deshi ta zgjeronte konfliktin dhe deshi që t’i jepte fund atij sa më shpejt që ishte e mundur”.
Por, një konflikt i ri i mundshëm me SHBA-në mund të ndryshojë kalkulimet e Iranit, thanë ekspertët.
Udhëheqja klerikale e Iranit ndodhet në pikën e saj më të dobët në dekada, duke u përballur me trazira dhe kolaps ekonomik në vend si dhe me një grumbullim masiv ushtarak amerikanë pranë kufijve të Iranit. Duke luftuar për mbijetesë, sundimtarët e Iranit janë të gatshëm të përdorin të gjitha mjetet në arsenalin e tyre, sipas ekspertëve.
“Ne veçse po shohim sinjale që boshti i rezistencës – çfarëdo që ka mbetur nga ai – po aktivizohet”, tha Azizi.
Udhëheqësi i Hezbollahut tha më 26 janar se grupi po përgatitet për “një agresion të mundshëm dhe është i vendosur të mbrojë” veten, por nuk tregoi se si do të reagojë nëse Irani sulmohet.
Hezbollahu, që për një kohë të gjatë ka qenë bashkëpunëtori më i fuqishëm i Iranit, vazhdon të jetë kërcënim i madh, thanë ekspertët.
“Hezbollahu është goditur rëndë, por nuk është eliminuar”, tha Sascha Bruchmann, analist për çështje ushtarake dhe të sigurisë në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike me seli në Londër. “Ai ka humbur një pjesë të madhe të kapaciteteve të tij strategjike, një pjesë të konsiderueshme të arsenalit të raketave, punëtorive për prodhimin e dronëve dhe tunelet përgjatë kufirit me Izraelin që i përdorte për sulm, por ai mbetet një milici e fuqishme”.
Në Irakun fqinj, milicitë proiraniane kanë nisur një fushatë për rekrutimin e luftëtarëve, përfshirë edhe sulmuesve vetëvrasës.
Udhëheqësi i Kataib Hezbollah, që është një nga milicitë, lëshoi një deklaratë të ashpër më 25 janar, duke i bërë thirrje luftëtarëve të tij të përgatiten për luftë.
I themeluar më 2007, Kataib Hezbollah është një nga anëtarët më të fuqishëm të Forcave të Mobilizimit Popullor (PMF), një organizatë ombrellë e grupeve të armatosura, kryesisht shiite, të mbështetura nga Irani, që është pjesë e Ushtrisë së Irakut që nga viti 2016. PMF është një aktor i rëndësishëm ushtarak dhe politik në Irak.
“Përfshija e Irakut në këtë konflikt mund t’i kushtojë politikisht”, tha Bruchmann. “Por, të gjitha bastet bien poshtë nëse [udhëheqësi suprem i Iranit, ajatollah Ali] Khamenei vritet ose nëse regjimi beson se po rrëzohet, pasi disa nga milicitë shiite irakiane kanë shpallur besnikëri ndaj Khameneit”.
Në Jemen, rebelët Huthi kanë kërcënuar se do të tërhiqen nga një marrëveshje armëpushimi që u arrit me SHBA-në vitin e kaluar. Rebelët jemenas u pajtuan të ndalnin sulmet e tyre me raketa dhe dronë ndaj transportit ndërkombëtar në Detin e Kuq. Në këmbim, SHBA-ja u zotua për ndalim të sulmeve ajrore që kishin për shënjestër grupin.
Colin Clarke, drejtor ekzekutiv i Qendërs Soufan, një institut kërkimor me seli në Nju Jork, tha se nëse boshti i rezistencës do të mbetet sërish i heshtur pas një sulmi tjetër kundër Iranit, ai mund të “rrezikojë të humbasë rëndësinë”.
“Këta bashkëpunëtorë janë dizajnuar si mekanizma pengues për ta mbrojtur regjimin, prandaj përdorimi i tyre në kohë krize do të dukej thelbësor”, tha ai./mxh
Pas muajsh polemikash, skandalesh publike dhe përmbajtjesh shpërthyese, rrjetet sociale të Fabrizio Corona-s janë mbyllur. Meta ka çaktivizuar llogaritë e ish-paparacit dhe të formatit të tij online “Falsissimo”, duke konfirmuar se masa është marrë për “shkelje të shumta të Standardeve të Komunitetit”.
Në vitin e fundit, Fabrizio Corona është shndërruar në një nga figurat më destabilizuese të showbiz-it italian, pasi bëri publike krizën martesore mes Fedez dhe Chiara Ferragni-t, duke publikuar video, audio, mesazhe private dhe prapaskena të marrëdhënies së çiftit më të famshëm të Italisë.
Zbulimet e Corona-s kanë thyer narrativën publike të “familjes perfekte” dhe kanë shkaktuar një stuhi mediatike, me pasoja të rënda në imazhin publik të Ferragni-t dhe në marrëdhënien e saj me sponsorët dhe opinionin publik. Ky episod shënoi pikën e kthesës, duke e vendosur Corona-n sërish në qendër të vëmendjes kombëtare.
Paralelisht me çështjen Fedez–Ferragni, Corona ka intensifikuar sulmet ndaj asaj që ai e ka quajtur “sistemi mediatik i Alfonso Signorini-t”, duke akuzuar ish-moderatorin e Grande Fratello-s se disa të rinj kanë përfituar hyrjen në program në këmbim të favoreve seksuale. Një nga ish-konkurrentët, Antonio Medugno, deklaroi në “Falsissimo” se kishte përjetuar afrime të padëshiruara në vitin 2021 dhe formalizoi kallëzimin për dhunë seksuale dhe zhvatje.
Në disa episode të “Falsissimo”, Corona ka përdorur gjuhë të ashpër dhe akuza personale, të cilat janë konsideruar nga palët e përmendura si shpifje dhe shkelje e rëndë e të drejtave personale. Këto përmbajtje kanë çuar në ankesa ligjore, të dërguara drejtpërdrejt te platformat online.
Pse iu mbyllën profilet
Meta ka sqaruar se heqja e profileve nuk lidhet me një urdhër penal të menjëhershëm, por me shkelje të përsëritura të rregullave të platformës, që përfshijnë:
– përmbajtje potencialisht shpifëse
– publikim materialesh private pa pëlqim
– shkelje të privatësisë dhe dinjitetit personal
– përdorim të përsëritur të gjuhës agresive dhe denigruese
Vendimi është marrë pas sinjalizimeve të shumta dhe vlerësimeve të brendshme, në përputhje me politikat e kompanisë.
Pak ditë para mbylljes së profileve, Gjykata Civile e Milanos kishte vendosur një masë ndaluese ndaj disa përmbajtjeve të “Falsissimo”, duke i kërkuar Corona-s të ndalojë publikimin e materialeve që cenojnë reputacionin e Alfonso Signorini-t. Megjithatë, Meta ka theksuar se veprimi i tyre është autonom dhe i bazuar në standardet e platformës, jo thjesht në vendimin gjyqësor.
Reagimi i Corona-s
Përmes avokatit të tij, Corona e ka cilësuar vendimin si “censurë” dhe ka folur për një rrezik serioz për lirinë e shprehjes, duke pretenduar se mbyllja e profileve është pasojë e presioneve të fuqive mediatike dhe ekonomike që janë ndier të kërcënuara nga zbulimet e tij./mxh
Nëse ke hyrë ndonjëherë në shtëpinë e një burri dhe ke menduar se duket sikur nuk ka ndodhur asgjë interesante që nga viti 2012, ka shumë mundësi që ai të bëjë një jetë… shumë të mërzitshme. Jo domosdoshmërisht në kuptimin e keq të fjalës, por në atë mënyrën e qetë të të jetuarit, të parashikueshme dhe pa asnjë surprizë.
Mbetet në dorën tënde nëse kjo është diçka që e vlerëson te një burrë ose jo, gjithsesi, ja 11 detaje në shtëpinë e një burri që tregojnë se ai bën një jetë të tillë:
1. Enët e kuzhinës janë shumë bazike
Nëse në kuzhinë ka vetëm minimumin e domosdoshëm, ka gjasa që ai të mos jetë i interesuar të eksperimentojë me receta apo shije të reja. Erëza bazë, enë standarde dhe receta të njëjta, gjithçka tregon një rutinë të qëndrueshme dhe pa surpriza.
2. Dekori i shtëpisë është i përgjithshëm
Burrat që jetojnë jetë të sigurta dhe të parashikueshme, shpesh zgjedhin ambiente neutrale. Pa elementë trendi apo objekte që “bien në sy”, shtëpia e tyre reflekton qetësi, qëndrueshmëri dhe rehati.
3. Televizori është pika qendrore
Kur hapësira është e ndërtuar rreth televizorit, e jo rreth mikpritjes për shembull, kjo mund të tregojë një jetë më të izoluar. Por jo domosdoshmërisht të keqe, filmat dhe serialet shpesh janë mënyra më e thjeshtë për t’u çlodhur pas një dite të ngarkuar.
4. Çdo dhomë është vetëm funksionale
Nëse shtëpia duket më shumë si vend për “të mbijetuar” sesa për të shijuar jetën, ka gjasa që rutina e tij të jetë e pandryshueshme. Mungojnë hapësirat spontane, personale apo sociale, gjithçka është praktike.
5. Shtëpia duket sikur ka mbetur në kohë
Mobilje të vjetra, objekte familjare dhe sende të ruajtura prej vitesh tregojnë një lidhje me të shkuarën dhe mungesë interesi për ndryshime. Për këta burra, ajo që kanë është e mjaftueshme.
6. Nuk ka kafshë shtëpiake apo bimë
Pa kafshë dhe pa bimë, jeta në shtëpi mbetet thuajse në vijë të drejtë. Këta burra nuk kanë nevojë për përshtatje apo për të treguar kujdes të vazhdueshëm ndaj një individi tjetër, gjithçka ndjek rregullat e tij dhe vetëm të tijat.
7. Ka një librari të pasur
Ironikisht, një jetë “e mërzitshme” mund të jetë shumë e pasur nga brenda. Burrat që lexojnë shumë dhe kalojnë kohë vetëm, shpesh janë më empatikë dhe më të lidhur me botën sesa duken në pamje të parë.
8. Mobiljet janë zgjedhur për rehatinë e tij
Nëse gjithçka në shtëpi është menduar për komoditetin personal dhe jo për mysafirët, kjo tregon se ai vlerëson vetminë dhe qetësinë. Dhe e vërteta është se vetmia e zgjedhur me vetëdije është jashtëzakonisht e shëndetshme.
9. Mungon arti
Një shtëpi pa piktura, fotografi apo objekte personale shpesh reflekton mungesë shprehjeje emocionale. Megjithatë, nëse ai krijon art, por e mban për vete, kjo mund të jetë e vlefshme për mirëqenien e tij.
0. Dhoma e gjumit duket si hotel
Dhoma shërben vetëm për gjumë: çarçafë perfektë, ndriçim i matur dhe asgjë personale. Një hapësirë e pastër, e kontrolluar dhe e pandarë me askënd tjetër.
11. Banjoja ka vetëm gjërat bazë
Pa produkte trendi, pa rutina të ndërlikuara. Vetëm ato që i duhen vërtet. Një rutinë e qëndrueshme, e cila sipas studimeve, lidhet edhe me mirëqenie mendore më të mirë./mxh
Marie Poradeci, vajza e poetit të shquar Lasgush Poradeci, ka shprehur publikisht indinjatën e saj, duke rrëfyer se familja e shkrimtarit nuk është përfshirë në një aktivitet përkujtimor që pritet të zhvillohet në Vjenë.
Ajo bëri të ditur se është informuar vetëm në mënyrë zyrtare për vendosjen e një pllake përkujtimore në banesën ku Lasgush Poradeci ka jetuar për rreth dhjetë vite, por pa marrë një ftesë për të qenë e pranishme në ceremoni. Sipas saj, ky veprim është fyes dhe i pajustifikueshëm, veçanërisht kur bëhet fjalë për familjen e një figure të tillë kombëtare.
Marie Poradeci theksoi se informacionet për vendndodhjen e pllakës dhe detaje të tjera janë siguruar prej saj, çka sipas saj e bënte të domosdoshme përfshirjen e familjes në aktivitet. Ajo tregoi se, edhe pse i është ofruar mbulimi i shpenzimeve të udhëtimit, kjo nuk mund të zëvendësojë mungesën e një ftese zyrtare dhe respektin institucional.
Në deklaratën e saj, ajo kritikoi ashpër Bashkinë e Pogradecit, duke e akuzuar për trajtim të padrejtë dhe neglizhent ndaj figurës së babait të saj ndër vite. Sipas saj, prej më shumë se 35 vitesh janë marrë vendime që kanë fshirë gradualisht emrin dhe trashëgiminë e Lasgush Poradecit nga hapësirat publike të qytetit.
Ajo përmendi heqjen e emrit të poetit nga Pallati i Kulturës, degradimin e monumenteve përkujtimore dhe dështimin për ta kthyer banesën e tij në muze, duke e cilësuar gjithë procesin si një seri premtimesh të pambajtura dhe keqmenaxhimi.
“Ndjej se figura e babait tim është përdorur dhe keqpërdorur për interesa të tjera, ndërsa familja është lënë në harresë”, u shpreh ajo, duke theksuar se zhgënjimi i saj vjen jo vetëm si vajzë, por edhe si qytetare që sheh se si trajtohet trashëgimia kulturore në Shqipëri./mxh
Ukraina ka rënë dakord me partnerët e saj perëndimorë se çdo shkelje e vazhdueshme e një marrëveshjeje të ardhshme armëpushimi nga Rusia do të shkaktojë një përgjigje të koordinuar ushtarake nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara, raportoi sot Financial Times.
Sipas raportit, të cilin Reuters nuk mundi ta verifikonte menjëherë, plani u diskutua vazhdimisht në dhjetor dhe janar midis zyrtarëve ukrainas, evropianë dhe amerikanë dhe parashikon një përgjigje shumështresore ndaj çdo shkeljeje të një armëpushimi të rënë dakord nga Rusia.
Të dërguarit nga Kievi, Moska dhe Uashingtoni do të takohen në Abu Dhabi të mërkurën dhe të enjten për bisedime që synojnë përfundimin e luftës, raportoi Financial Times. Sipas propozimit, çdo shkelje e armëpushimit nga Rusia do të shkaktonte një përgjigje brenda 24 orëve, fillimisht me një paralajmërim diplomatik dhe, nëse është e nevojshme, me veprime nga ushtria ukrainase për të ndaluar shkeljen.
Nëse armiqësitë vazhdojnë përtej kësaj, plani parashikon një fazë të dytë, me ndërhyrjen e forcave nga i ashtuquajturi koalicion i të vullnetshmëve, i cili përfshin shumë shtete anëtare të BE-së, si dhe Mbretërinë e Bashkuar, Norvegjinë, Islandën dhe Turqinë. Publikimi shton se në rast të një sulmi më të gjerë, një përgjigje e koordinuar nga një forcë e mbështetur nga Perëndimi, e cila do të përfshijë edhe ushtrinë amerikane , do të aktivizohet 72 orë pas shkeljes fillestare./mxh
Një debat i fundit në shtëpinë e “Big Brother VIP” ka shkaktuar reagime të ashpra jashtë saj, pas një koment i rëndë nga Rogerti ndaj Stenaldos. Gjatë përplasjes, Rogerti tha se Stenaldo “e ka mallkuar Zoti” për shkak të aftësisë së tij të kufizuar në shikim, një deklaratë që ka shkaktuar indinjatë të menjëhershme.
Familjarët e Stenaldos, që menaxhojnë edhe llogarinë e tij zyrtare në Instagram, kanë dënuar publikisht këtë gjuhë, duke e cilësuar si thellësisht çnjerëzore dhe të papranueshme. Në një postim ku është shpërndarë edhe video e momentit të ofendimit, ata theksojnë se përdorimi i emrit të Zotit për të justifikuar fjalë urrejtjeje ndaj një personi me aftësi të kufizuara është një mungesë totale empatie dhe një nga nivelet më të ulëta të etikës njerëzore.
Familjarët bëjnë thirrje publike ndaj produksionit të “Big Brother VIP” dhe Top Channel, duke kërkuar që raste të tilla të mos normalizohen dhe të ketë përgjegjësi për gjuhën e përdorur brenda formatit. Ngjarja ka nxitur gjithashtu një debat të gjerë në rrjetet sociale, ku shumë përdorues shprehin shqetësim për kufijtë e etikës dhe mesazhet që transmetohen në prime-time./mxh
Pas daljes së publikimeve të dosjes së bujshme “Epstein”, policia ka nisur hetimet lidhur me pretendimet se Peter Mandelson i ka dhënë Epstein informacione të ndjeshme ndaj tregut, raporton “skynews”.
Në email dolën biseda mes Epstein dhe Mandelson për çështje qeveritare e politike, në kohën kur Lord Mandelson shërbente si sekretar biznesi dhe zëvendëskryeministër de facto në qeverinë e Gordon Broën.
Dokumentet e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë tregojnë se Epsteinit iu dërguan diskutime të brendshme të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar pas krizës globale financiare./mxh
Forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës njoftuan se kanë rrëzuar një dron që i përket Iranit në ujërat e Detit Arabik.
Incidenti vjen ndërsa prania ushtarake amerikane në rajon është rritur për t’iu kundërvënë kërcënimeve ajrore dhe për të siguruar rrugët e transportit detar, dhe tensionet midis Uashingtonit dhe Teheranit kanë hyrë në një fazë të re.
Zëdhënësi i CENTCOM-it, kapiteni Tim Hawkins, përshkroi detajet e dy përballjeve ushtarake të sotme. Sipas raportit, më 3 shkurt, një avion luftarak amerikan F-35C e rrëzoi atë pasi një dron iranian Shahd-139 me një regjim pushtimi u drejtua drejt aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln në Detin Arabik.
Anija transportuese ishte e stacionuar 500 milje larg bregdetit jugor të Iranit, dhe droni kishte vazhduar të përparonte pavarësisht përpjekjeve të SHBA-së për të ulur tensionet. Trupat dhe pajisjet amerikane nuk u dëmtuan në incident./mxh
Dyqind pasagjerë janë sëmurë pas një shpërthimi të dyshuar gastroenteriti në bordin e një anijeje lundrimi. Anija “Balmoral” e linjës “Fred Olsen Cruise Lines” po lundronte drejt Fjordëve norvegjezë në një udhëtim 10-ditor kur pasagjerët shfaqën “simptoma të gastroenteritit”, siç i tha një pasagjer “The Shetland Times”. Gastroenteriti, sipas “Mayo Clinic”, është një “infeksion intestinal që…
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka ka reaguar sërish sot lidhur me protestën e thirrur nga opozita më 10 shkurt.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Noka ka ndarë pamje nga një takim me demokratë, teksa thekson se para Kryeministrisë do të ketë pjesëmarrrës nga e gjithë Shqipëria kundër narkoshtetit.
“E vërteta është se përpara kryeministrisë do të ketë pjesëmarrës nga e gjithë Shqipëria, nga veriu, jugu, mali dhe fusha, se protestuesit janë shqiptarë pa dallime dhe se kudo nëpër Shqipëri jeta është vështirësuar dhe po kudo vota blihet e manipulohet haptas. Narkoshteti aplikon një standard si në veri dhe në jug: Vjedhje, vjedhje dhe vetëm vjedhje. Shqiptarët i bashkon halli”,-shkruan ndër të tjera Noka./mxh
Në marrëveshjen e koalicionit midis konservatorëve dhe socialdemokratëve,qeveria gjermane i vendosi vetes objektivin e mëposhtëm: “Ne do të krijojmë një sistem pensioni të besueshëm për të gjitha brezat.” Për ta arritur këtë, Friedrich Merz beson se sistemi i pensioneve duhet të reformohet dhe kancelari gjerman dëshiron të përshpejtojë procesin.
Një “reformë gjithëpërfshirëse e pensioneve” do të nisë këtë vit
Këtë e njoftoi Friedrich Merz e deklaroi në pritjen vjetore të Bursës Gjermane (Deutsche Börse) në Eschborn, pranë Frankfurtit. Ideja e tij themelore për reformën e planifikuar është që sigurimi i detyrueshëm i pensioneve të ruhet, por të jetë vetëm një element ndër të tjerët në një nivel të ri gjithëpërfshirës mbulimi. Sigurimet private të pensioneve dhe pensionet e ndërmarrjeve, të cilat financohen me bazë kapitalizimi, duhet të luajnë një rol shumë më të rëndësishëm se më parë, theksoi Merz, duke iu referuar një “ndryshimi të afërt të paradigmës në politikën gjermane të pensioneve”.
Pensionet janë një prioritet në reformat sociale
Në një intervistë për gazetën Tagesspiegel, kreu i kancelarisë, Thorsten Frei, gjithashtu vendosi si qëllim nisjen e reformës së pensioneve në vitin 2026. “Deri në fund të vitit, ne do të kemi zbatuar reformat e para të mëdha sociale, dhe përparësi u kemi dhënë pensioneve,” tha politikani i CDU-së. Por gjithashtu është e qartë “se jo gjithçka do të jetë gati deri në dhjetor.” Aktualisht, një komision për pensionet po shqyrton propozime të mundshme. Ai duhet t’i paraqesë ato deri në fund të tremujorit të dytë. Sipas Frei-t, disa nga këto propozime mund të zbatohen mjaft shpejt, ndërsa të tjera do të kërkojnë një periudhë më të gjatë përgatitore.
Vitin e kaluar, pensionet ishin subjekt i polemikave të ashpra, edhe brenda partive konservatore unioniste. Organizata e rinisë e CDU-së, Junge Union (JU) protestoi kundër planeve për reformën e pensioneve të dakorduara midis partive unioniste dhe SPD-së dhe kërcënoi se do të refuzonte paketën ligjore që duhej të miratohej nga Bundestagu para fundit të vitit 2025. Në fund, projektligji u miratua, pas një premtimi të bërë për të rinjtë se do të nisë një reformë themelore e pensioneve në vitin 2026.
Këshilli Ekonomik i afërt me CDU-në kërkon shkurtime në sistemin e pensioneve
Këshilli Ekonomik i afërt me CDU-në, një shoqatë sipërmarrjesh, së fundmi paraqiti propozime për reformimin e sistemit të pensioneve. Për të reduktuar shpenzimet federale, Këshilli propozoi shkurtimin e pensionit të posaçëm për nënat dhe eleminimin e daljes në pension në moshën 63 vjeç. Në vend të kësaj, mosha e daljes në pension duhet të lidhet “në afat të mesëm” me pritshmërinë e jetës.
Ndërsa propozimet e Këshillit Ekonomik u kritikuan ashpër nga të gjitha partitë, tani ato kanë mbështetjen e ekonomistes Veronika Grimm. “Na duhen propozime që reduktojnë barrën mbi buxhetin federal, por edhe mbi landet federale dhe komunat,” tha ajo në emisionin e përbashkët të mëngjesit të ARD dhe ZDF. Sepse krahasuar me vendet e tjera evropiane, barra e taksave dhe e sigurimeve shoqërore ka arritur në “nivel rekord”.
Në fushën e sigurimeve të pensioneve, për shembull, shteti ka ecur kryesisht në drejtimin e gabuar, paralajmëroi Grimm. Dhe miliardat e parashikuara për vitet e ardhshme po ushtrojnë presion edhe më të madh mbi buxhetin federal. Prandaj, rritja e moshës së daljes në pension sipas saj, është një “faktor i rëndësishëm”. Në mënyrë të ngjashme, “dalja në pension në moshën 63 vjeç dhe pensioni për nënat duhet në fakt të vihen në diskutim”./mxh