Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 26 January 2026Main stream

Shkon në 4 numri i viktimave, gjithçka e shkrumbuar nga shpërthimi i zjarrit në fabrikën në Greqi

By: Fax Web
26 January 2026 at 13:55

Ka shkuar në katër numri i viktimave nga shpërthimi i ndodhur në fabrikën  e biskotave në Trikala në Greqi.

Fillimisht u raportuan 3 viktima, ndërsa pas hetimeve është gjetur edhe një tjetër person i pajetë. Shpërthimi ndodhi në bodrumin e ndërtesës.

Të paktën 40 zjarrfikës dhe 15 automjete u angazhuar në vendngjarje për të neutralizuar flakët. Siç shihet edhe nga pamjet e publikuara nga mediat greke, zjarri ka shkrumbuar gjithçka.

Dallëndyshe Bici ikën nga IKMT, emërohet Adriatik Kupi

By: Fax Web
26 January 2026 at 13:48

Dorëhiqet nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, Dallëndyshe Bici, një largim ky që vjen në një kohë kur në gjithë vendin vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike.

Dallëndyshe Bici u riemërua në këtë detyrë në korrik të 2022-ës, pas një periudhe të shkurtër në krye të Kadastrës Shtetërore.

Në krye të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit është emëruar Adriatik Kupi. Ai ka qenë administrator i Njësisë së Petrelës në Tiranë dhe më vonë drejtor i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes.

Shqiptari në Itali kapet me 30 kg kokainë në makinë, e tradhtuan lëvizjet e dyshimta

By: Fax Web
26 January 2026 at 13:38

Një 28-vjeçar shqiptar është vënë në pranga nga karabinierët italianë pasi u kap duke transportuar një sasi të madhe kokaine me vlerë miliona euro në tregun e zi.
Operacioni u zhvillua tre ditë më parë në zonën e Milanos dhe u finalizua nga karabinierët e stacionit të Cologno Monzese të cilët dyshuan për lëvizjet e pazakonta të një automjeti të ndaluar në një zonë të izoluar pranë unazës Tangenziale Est në periferi lindore të qytetit.

Pas kontrollit të automjetit oficerët gjetën në bagazh 26 pako që përmbanin rreth 30 kilogramë kokainë të pastër. Sipas autoriteteve bëhet fjalë për një sasi të konsiderueshme lënde narkotike me fitime që kapin shifra milionëshe.

I riu u arrestua në flagrancë me akuzën e posedimit të lëndëve narkotike me qëllim shpërndarjen dhe me urdhër të Prokurorisë së Monzës u dërgua në burg ku do të qëndrojë në pritje të hetimeve dhe procesit gjyqësor. Ndërkohë autoritetet italiane po thellojnë hetimet për të zbuluar nëse pas kësaj ngarkese qëndron një rrjet i organizuar trafiku që vepron në zonën e Lombardisë.

Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe dëmtoi portën e një banese

By: Fax Web
26 January 2026 at 13:35

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Thanë, një shtetas kishte dëmtuar me automjet, portën e një banese, kanë kryer menjëherë veprimet hetimore për identifikimin e autorit. Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi O. L., 47 vjeç, banues në fshatin Thanë.

Ky shtetas dyshohet se për motive të dobëta, ka dëmtuar me një automjet që e drejtonte pa leje drejtimi, portën e banesës së shtetases S. H., 66 vjeçe, në fshatin Thanë.
Nga verifikimet rezultoi se 47-vjeçari kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkatërrimi i pronës”.

Protestë në Luz të Fushë-Krujës/ Kalaja: Rruga në gjendje lufte, punimet të bëhen sipas standardeve të BE-së

By: Fax Web
26 January 2026 at 13:27

Bllokojmë rrugën me banorët e Luzit, unaza e Fushë-Krujës skandal, rrezik fëmijët, të shtrohet rruga!

Banorët në fshatin Luz në Fushë Krujë kanë dalë sot në protestë për gjendjen e keqe të rrugës. Protestës së tyre i është bashkuar edhe Aulon Kalaja, i cili ngre shqetësimin për dëmtimin e rrugës pasi ka sjellë pasoja edhe me mjetet e vogla si edhe makinat e tonazhit të rëndë.

“Protesta e tyre është drejtë. Rruga është në gjendje lufte. Në trotuare mund të thyesh qafën nga lluci. Bizneset e kësaj rruge në faliment, se të gjithë e shmangin rrugën. Banorët që kanë shtëpitë aty përveçse i janë dëmtuar fasadat nga balta, por jetojnë në ndotje masive. Mjetet e vogla përfundojnë në servise në mënyrë sistematike. Makinat e tonazhit të rëndë po ashtu. Këta të fundit po përdorin rrugën e Fushë Krujës për kalim, natën. Nuk bëhet fjalë për rrugë fshati, por për unazën e Fushë-Krujës dhe rrugën ku kalojnë kamionët e fabrikave të çimentos dhe jo vetëm. Rreth 100 mijë banorë janë konsumatorë të këtij segmenti. Banorët duan zgjidhje. Kujdes, jo me çakull, por me asfalt në përputhje me punimet që bëhen në vendet e Bashkimit Europian”, theksoi ai.

Mashtronin të huajt për të investuar në bursa/ “Policia, mos lëviz!”, dalin pamjet nga arrestimet në call-centre në Tiranë

By: Fax Web
26 January 2026 at 13:18

Dalin pamjet nga aksioni i SPAK, që zbarkoi në zemër të Tiranës, në një kullë ku ishin zyrat e një call-centre që akuzohet se mashtronte qytetarë të huaj për të investuar në bursa. Ka qenë emisioni investigativ “Le Iene” në Mediasete që ka publikuar pamjet nga aksioni policor.

Organizata dyshohet se fitonte midis 20 dhe 30 milionë euro në muaj përmes qendrave të koordinuara të thirrjeve në Evropë dhe me seli në Shqipëri.

“Policia, mos lëviz. Duart mbi tavolinë”, dëgjohen teksa bëhen arrestimet e punonjësve të këtij call-centre, ndërsa ata janë shoqëruar në polici me pranga në duar.

MASAT E DHENA NGA GJKKO
Remir Gjoligaj- arrest me burg

Endri Gjata- arrest me burg

David Qerimi- arrest me burg

Elis Merkaj- arreat me burg

Rentjan Peposhi – arrest me burg me afat 20 ditw

Odeas Kuqi- arrest me burg me afat 20 ditw

Hysen Xhepexhiu- arrest me burg

Klaudio Kaçupi – arrest me burg

Rama në Izrael, takohet me kryeministrin Benjamin Netanyahu

By: Fax Web
26 January 2026 at 13:08

Kryeministri Edi Rama, po zhvillon një vizitë në Jeruzalem ku do të marrë pjesë në në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit.

Rama është takuar me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

Gjithashtu kryeministri Rama këtë të hënë ka zhvilluar edhe një vizitë në “Murin e Lotëve”, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda Rama.

Tronditëse në Gjirokastër: 12-vjeçarja denoncon njerkun për abuzim seksual

By: Fax Web
26 January 2026 at 12:54

Një 12-vjeçare në Gjirokastër ka kallëzuar në polici se është abuzuar seksualisht nga njerku i saj, shtetasi Kelmend Kursa. Denoncimi është bërë ditën e djeshme, kur vajza është paraqitur në Komisariatin e Policisë e shoqëruar nga e ëma.

Sipas burimeve zyrtare, nëna dhe vajza ishin paraqitur edhe një ditë më parë në komisariat, por ishin tërhequr pa depozituar kallëzim. Pas denoncimit të bërë, policia ka nisur procedurat hetimore për rastin. I dyshuari ndodhet aktualisht në masën e sigurisë “arrest shtëpie” për një tjetër çështje penale, konkretisht për përfshirje në vrasjen e babait të vajzës. Pas kallëzimit të fundit, ndaj tij është regjistruar një procedim i ri penal.

Kelmend Kursa, i datëlindjes 13.02.1987, banues me qira në Gjirokastër, është i njohur për hetime të mëparshme, pasi së bashku me të vëllanë binjak është vënë nën akuzë edhe në lidhje me vrasjen e babait të vajzës së mitur, Artur Lleshi në vitin 2018.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se familja jetonte në kushte të vështira ekonomike. Nëna e të miturës nuk ishte e punësuar, ndërsa i dyshuari punonte në mënyrë të rastësishme.

Prokuroria, në bashkëpunim me strukturat e policisë për mbrojtjen e të miturve, po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes

Kryeministri Rama vizitë në Izrael, fjalim historik në Knesset

By: Fax Web
26 January 2026 at 12:09

Kryeministri Edi Rama, do të zhvillojë një vizitë pune në Jeruzalem, Izrael, më 25–27 janar, me rastin e pjesëmarrjes së tij në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit.

Në këtë vizitë, Kryeministri shoqërohet nga delegacioni shqiptar dhe bashkëshortja e tij, Linda Rama.

Ditën e hënë, më 26 janar, ora 11:00 – 12:30 Kryeministri Rama do të zhvillojë një takim kokë më kokë me Kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili do të pasohet nga takimimes dy delegacioneve, në përfundim të të cilit do të ketë edhe deklaratë për shtyp.

Paralelisht, znj. Linda Rama, në shoqërinë e znj. Herzog, bashkëshortes së Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog, do të zhvillojë një vizitë në Bibliotekën Kombëtare.

Në orën 14:00, Kryeministri Rama, i shoqëruar nga znj. Linda Rama, do të mbërrijë në Knesset “Plaza”, Parlamenti i Izraelit, ku do të pritet me një ceremoni të posaçme shtetërore nga Kryetari i Knessetit. Ceremonia përfshin rojet e nderit, ekzekutimin e himneve kombëtare, si dhe vendosjen e kurorave në monumentin e ushtarëve të rënë dhe në monumentin e viktimave të terrorit.

Më pas, Kryeministri Rama do të firmosë Librin e Përshtypjeve në Hollin Shagall.

Në orën 14:30, Kryeministri Rama dhe delegacioni shqiptar do të zhvillojnë një takim me Kryetarin e Knessetit, Amir Ohana.

Në orën 16:15, do të nisë seanca plenare speciale e Knessetit, e shoqëruar nga hyrja ceremoniale në sallë. Gjatë kësaj seance do të mbajnë fjalën Kryetari i Knessetit, z. Amir Ohana, Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, Lideri i Opozitës, Yair Lapid, si dhe Kryeministri Edi Rama, i cili do t’i drejtohet Parlamentit të Izraelit me një fjalim historik sipas protokollit të posaçëm që Knesseti u ka rezervuar një numri të kufizuar udhëheqësish të huaj dhe së fundmi Presidentit të SHBA, Donald J. Trump.

Në orën 17:15, do të zhvillohet një pritje zyrtare në nder të Kryeministrit Rama, me pjesëmarrjen e ambasadorëve dhe të ftuarve të posaçëm, në Jerusalem Hall të Knessetit.

Ndërsa, znj. Linda Rama do të ketë një takim të veçantë me gratë parlamentare.

Më 27 janar, Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit, ku do të mbajë një fjalë, në praninë e Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog.

Gjatë qëndrimit në Jeruzalem, Kryeministri Rama do të kryejë gjithashtu vizita simbolike në Western Wall (Muri i Lotëve) dhe në Kishën e Varrit të Krishtit.

Dalin mesazhet e Altin Meçaj duke ngacmuar me mesazhe ‘seksiste’ vajzën e familjes Lamaj

By: Fax Web
26 January 2026 at 11:51

Për herë të parë, motra e Fredi Lamajt ka reaguar publikisht për akuzat e bëra së fundmi në media, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe të pabazuara.

Ajo sqaron se vëllai i saj nuk ka qenë i përfshirë në asnjë akt dhune apo konflikt dhe thekson se deklaratat e përsëritura të shtetasit Altin Mecaj kanë dëmtuar rëndë dinjitetin familjar.

Në reagimin e saj, ajo flet edhe për mesazhe private të vazhdueshme dhe insistuese, të cilat i konsideron si përndjekje, për të cilat ka depozituar kallëzim penal.

Përshëndetje

Kjo është hera e parë që flas publikisht dhe në media, dhe po e bëj vetëm sepse ndihem e detyruar të sqaroj disa të pavërteta që po përsëriten prej ditësh.

Unë jam motra e Fredi Lamaj dhe dua të sqaroj se akuzat e shtetasit Altin Mecaj, sikur vëllai im e ka dhunuar, nuk janë të vërteta.

Fredi Lamaj nuk ka marrë pjesë në asnjë rrahje apo konflikt, dhe kjo mund të faktohet.

Po flas sepse prej më shumë se 6–7 ditësh ky shtetas po del vazhdimisht në media, duke dhënë deklarata të pavërteta dhe duke u paraqitur padrejtësisht si viktimë.

Në mënyrë të veçantë, ai ka deklaruar publikisht se ndaj meje ka bërë vetëm një koment në Facebook, si një kompliment, gjë që nuk është e vërtetë.

Në realitet, unë kam qenë subjekt i mesazheve të shumta private, të vazhdueshme dhe insistuese, të cilat përbëjnë ngacmim dhe përndjekje.Dua të theksoj qartë se nga ana ime nuk ka pasur asnjë përgjigje ndaj këtyre mesazheve.

Nuk kam komunikuar dhe nuk kam pasur mundësi t’i kthej as përgjigjen e merituar, pasi Facebook nuk më lejonte t’i shkruaja, çka e bën edhe më të qartë faktin se komunikimi ka qenë i njëanshëm dhe i padëshiruar.Këto sjellje më kanë shkaktuar shqetësime serioze emocionale dhe familjare, si për mua, ashtu edhe për familjen time.

Për këtë arsye, kam ardhur ditën e djeshme nga Italia, ku jetoj, për të depozituar kallëzim penal për përndjekje ndaj këtij shtetasi, pasi veprimet e tij kanë sjellë pasoja të rënda në jetën time familjare dhe kanë prekur edhe vëllain tim.

Po ashtu, nga informacione që na janë komunikuar nga persona të ndryshëm, rezulton se këto sjellje nuk janë të izoluara, por të përsëritura edhe ndaj vajzave të tjera.

Sa i përket dhunës që ky shtetas pretendon se ka pësuar së fundmi, kjo ngjarje nuk ka asnjë lidhje me familjen tonë, dhe sipas dijenisë sonë nuk është shkaktuar nga vëllai im apo persona të afërt me ne, por nga individë të tjerë për të cilët ne nuk kemi dijeni.

Nuk kam pasur asnjë interes të dal në media, por nuk mund të lejoj që gënjeshtrat e përsëritura të dëmtojnë dinjitetin e një personi të pafajshëm dhe të shtrembërojnë të vërtetën.

Kërkoj vetëm që kjo çështje të trajtohet me qetësi, paanshmëri dhe verifikim faktesh, duke respektuar ligjin dhe dinjitetin njerëzor.

Faleminderit për mirëkuptimin.

Me respekt,Motra e Fredi Lamaj

Ilir Rusi: Na ka shërbyer bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë

By: Fax Web
26 January 2026 at 11:28

Kreu i KLGJ, Ilir Rusi deklaroi se sistemi gjyqësor ka kaluar transformime të thella.
Në fjalën e tij, Rusi u shpreh se janë bërë hapa të rëndësishme, duke shtuar kapacitetin e burimeve njerëzore, modernizuar proceduar dhe digjitalizuar shërbimet.

“Ne forcojmë angazhimin tonë të përbashkët për t’iu shërbyer qytetarëve. Kjo ditë na jep mundësi të reflektojmë. Vitet e fundit, sistemi gjyqësor ka kaluar transformime të thella. Sistemi gjyqësor ka bërë hapa të rëndësishme, në kapacitetin e burimeve njerëzore, modernizimin e procedurave dhe digjitalizimit të shërbimeve. Një komponent është bashkëpunimi me partnerë ndërkombëtare. Bashkëpunimi me SHBA, BE na ka shërbyer.”, theksoi ai.

 

“Paraburgimi po grryen besimin te Drejtësia”- Ministri Lamallari: Gjysma e personave që ndodhen në qeli janë pa një vendim

By: Fax Web
26 January 2026 at 11:26

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, teksa foli për sistemin e Drejtësisë, është shprehur se një shqetësim shumë i madh është numri i lartë i të paraburgosurve. Lamallari tha se në Shqipëri mbi 50 % e personave në Institucionet e Vuajtjes së Dënimit janë aty pa një vendim të formës së prerë, gjë që sipas ministrit nuk ndodh në BE.

Lamallari ngriti edhe shqetësimin e mungesës së gjyqtarëve dhe ndihmësave ligjorë nëpër gjykata, që sipas tij ndikon drejtpërdrejt në rritjen e stokut të dosjeve.

“Le t’i themi gjërat siç janë, përtej vështirësive për plotësimin e vakancave, për të cilat janë ndërmarrë edhe veprime ligjore, nuk ka arsye bindëse që të justifikojë një numër kaq të ulët procedimesh disiplinore dhe mungesën e procedimeve proaktive. ILD ka një rol të pazëvëndësueshëm në garantimin e disiplinës dhe standardeve profesionale.  Dhe pavarësia nuk mund të kuptohet e shkëputur nga llogaridhënia.

Lidhur me stokun e dosjeve, Gjykata e Lartë ka dhënë një shembull pozitiv. Gjatë vitit 2025 totali i vendimeve gjyqësore të dhëna prej saj ka shënuar 6876 vendime. Kjo do të thotë se veprimtaria e Gjykatës së Lartë vitin e shkuar u karakterizua nga një përmirësim progresiv i situatës, lidhur me numrin e lartë të çështjeve gjyqësore të prapambetura. Por drejtësia nuk matet vetëm në majën e drejtësisë, por matet aty ku qytetari ka kontakt të drejtpërdrejtë me sistemin, në Shkallë të Parë dhe Apel, me kohën e gjykimit dhe zbardhjen në kohë të vendimeve. Mos-zbardhja edhe pas një vitit e vendimeve është e papranueshme.

Në shumë segmente, veçanërisht në Gjykatat e Apelit, normat e përfundimit të çështjeve janë minimale dhe numri i çështjeve të prapambetura është alarmant. Vetëm 1/10 e çështjeve përfundon brenda një viti. Stoku total po shënon shifrën në 19 mijë çështje për secilin nga Apelet.

Një tjetër realitet që nuk mund të anashkalohet është mungesa e burimeve njerëzore. Sistemi i Drejtësisë vijon të funksionojë me vakanca të konsiderueshme të gjyqtarëve dhe ndihmës-gjyqtarëve. Nuk mund të kërkojmë efektivitet dhe cilësi kur sistemi operon me kapacitete të kufizuara. Duhet një planifikim i mirë dhe i shpejtë i organikës dhe ndihmësave ligjorë. Miratimi nga viti në vit i një numri më të ulët kuotash për ndihmësat ligjorë, shkon në sensin e kundërt dhe çon në rritjen e stokut të dosjeve.

Për fat të keq, Shqipëria vijon të mbajë një nga përqindjet më të larta të paraburgimit në Europë. Mbi gjysma e personave që ndodhen në institucionet e vuajtjes së dënimit janë ende pa një vendim të formës së prerë. Ky realitet tregon mungesën e alternativave efektive. Hezitim në vendimmarrje dhe një kulturë gjyqësore zgjedh rrugën më të lehtë dhe jo më të drejtë. Paraburgimi grryen besimin e qytetarëve te Drejtësia. 62 të të dënuarve në Shqipëri u caktohet një masë nga 5 deri në 20 vite burgim. Ndërsa në BE ka një marzh burimi nga 1 deri në 10 vite burgim. Duhet të afrojmë politikën penale me Bashkimin Europian”, tha mes të tjerash Lamallari.

Berisha: Kauza e opozitës, në Asamblenë e Përgjithshme të KiE

By: Fax Web
26 January 2026 at 11:12

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndodhet sot në selinë e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, në Strasburg të Francës, së bashku me deputeten Albana Vokshi.

Në një videomesazh për qytetarët, Berisha deklaroi se opozita po vijon betejën e saj kundër keqqeverisjes.

“Kjo betejë po e çon kauzën e saj në arenën ndërkombëtare dhe në vëmendjen e institucioneve europiane”, u shpreh Berisha.

Në kërkim nga SPAK për trafik droge drejt vendeve të BE-së, arrestohet në Dubai Bujar Sefa

By: Fax Web
26 January 2026 at 10:54

Bujar Sefa, i njohur edhe me mbiemrin Xaka, është arrestuar në Dubai. Ai ishte shpallur në kërkim nga SPAK nën akuzën e trafikut të drogës drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Sefa i kishte shpëtuar më herët arrestimit nga policia gjatë një operacioni në fshatin Nojë, ku u sekuestruan 145 kilogramë hashash dhe municion luftarak. Bëhet me dije se Sefa është një emër i njohur për autoritetet italiane, pasi është dënuar në Itali me 12 vjet e 9 muaj burg, ndërsa i janë konfiskuar pasuri me vlerë deri në 346 mijë euro.

Nga dosja hetimore rezulton se Bujar Sefa, i njohur edhe si Xaka, kishte rol drejtues në një grup kriminal që merrej me kultivimin e lëndëve narkotike. Nga përgjimet e kryera, mësohet se ai kujdesej për punëtorët e angazhuar në parcelat e kanabisit.

NJOFTIMI I POLICISE
Vijon operacioni i koduar “The Wanted”, kapet 1 shtetas në kërkim ndërkombëtar. Akuzohet si drejtuesi i një grupi kriminal që ka kultivuar bimë narkotike, në Krujë, kapet në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Shqipëri, 39-vjeçari.

Si rezultat i bashkëpunimit të strukturave të Policisë së Shtetit me homologët, në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, u bë e mundur kapja në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe arrestimi me qëllim ekstradimin në Shqipëri, i shtetasit:

-B. S. alias B. X., 39 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendimin e datës 23.05.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitje e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Shtetasi B. S. alias B. X. akuzohet se ka qenë drejtuesi i një grupi kriminal, i cili në vitin 2020 ka kultivuar bimëve narkotike në fshatrat e njësisë administrative Cudhi, Krujë.

Interpol Tirana dhe Interpol Abu Dhabi po bashkëpunojnë për të kryer procedurat e ekstradimit të këtij shtetasi, në Shqipëri.

Malaj: Bizneset të aplikojnë për statusin OEA për procedura më të thjeshtuara doganore

By: Fax Web
26 January 2026 at 10:30

Ministri i Financave, Petrit Malaj, së bashku me drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Genti Gazheli, zhvilluan një vizitë pune në dy kompani shqiptare, të cilat kanë përfituar statusin e Operatorit Ekonomik të Autorizuar, kompaninë “Everest” dhe “Albaelettrica”.

Gjatë vizitës, ministri Malaj u njoh nga afër me aktivitetin e kompanive dhe me përfitimet që ka sjellë statusi i Operatorit Ekonomik të Autorizuar për to. Kompania Everest ushtron aktivitetin e saj ekonomik prodhues dhe eksportues në sektorin e profileve të duraluminit dhe industrisë së automotivës, ka rreth 530 punonjës dhe operon në të gjithë zinxhirin e prodhimit, nga përpunimi i aluminit deri te produktet e gatshme për tregun vendas dhe eksport. Rreth 60–65% e prodhimit të saj eksportohet në tregje si Italia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe vendet e rajonit.Administratori i kompanisë “Everest” vlerësoi përfitimet që statusi OEA i ka sjellë biznesit, duke theksuar thjeshtimin e procedurave doganore, reduktimin e kontrolleve, përshpejtimin e transportit dhe kursimin e kohës, element kyç për rritjen e eficiencës dhe konkurrueshmërisë.

Vizita vijoi në kompaninë “Albaelettrica”, një tjetër subjekt përfitues i statusit Operator Ekonomik i Autorizuar, e specializuar në tregtimin me shumicë e pakicë të materialeve elektrike, civile, industriale, si dhe projektimin dhe instalimin e tyre. Edhe përfaqësuesit e kësaj kompanie theksuan se certifikimi OEA ka sjellë lehtësira të ndjeshme në procedurat doganore, duke ndikuar drejtpërdrejt në uljen e kostove dhe përmirësimin e performancës operacionale.

Nga ana e tij, ministri i Financave vlerësoi lehtësitë që sjell statusi iOperatorit Ekonomik të Autorizuar dhe i bëri thirrje të gjithë bizneseve që të aplikojnë për të përfituar këtë status.

“Jemi sot këtu për t’i bërë thirrje të gjithë bizneseve nëpër Shqipëri, të cilët kanë një aktivitet që i lidh me importin dhe eksportin në drejtorinë e Doganave, që të shohin mundësinë për të marrë certifikimin e Operatorit Ekonomik të Autorizuar, sepse ju jep procedura doganore më të thjeshtuara, më pak kontrolle nëpër doganë por, edhe në ato raste kur ka kontrolle, subjektet të cilët kanë këtë certifikim kanë një prioritet përsa i përket procesimit të procedurave doganore”, u shpreh  Malaj.

Nga ana e tij, drejtori i Përgjithshëm i Doganave vuri në dukje se statusi OEA bazohet në besim dhe bashkëpunim të ndërsjellë ndërmjet administratës doganore dhe bizneseve korrektë. Ai theksoi se përfitimet përfshijnë, ndër të tjera, më pak kontrolle dokumentare dhe fizike, zhdoganim lokal në ambientet e subjektit dhe kursim të ndjeshëm të kohës dhe kostove.

Gjatë vizitës, Malaj përfitoi nga rasti për të informuar se aktualisht Shqipëria po punon intensivisht për përafrimin e Kodit Doganor me legjislacionin e Bashkimit Europian, proces që pritet të përfundojë brenda këtij viti.

“Shqipëria po ecën me hapa të shpejtë drejt përafrimit të të gjithë kuadrit të saj ligjor me direktivat e Bashkimit Europian. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave është aktualisht duke punuar për të përafruar dhe për të harmonizuar të gjithë Kodin Doganor me kërkesat e direktivave të BE dhe brenda këtij viti ne do ta përfundojmë të gjithë këtë proces. Kodi Doganor shqiptar do të jetë njësoj si Kodi Doganor që aplikohet në Bashkimin Europian. Prandaj, këto fasilitete të cilat ju tashmë i keni përfituar duhet t’i përfitojnë edhe operatorët e tjerë, në mënyrë që të jenë edhe ata më efikasë dhe më konkurrues në tregun ku do të aderojmë shumë shpejt”, tha ministri i Financave.

Operatori Ekonomik i Autorizuar (OEA) është një status që u jepet operatorëve ekonomikë të besueshëm, të cilët përfitojnë nga thjeshtime dhe lehtësira doganore, si dhe nga një trajtim më i favorshëm nga administrata doganore. Deri më tani, këtë status e kanëpërfituar 18 kompani, të cilat operojnë në sektorë të ndryshëm në treg.Për të përfituar statusin OEA, operatorët duhet të plotësojnë kritere të caktuara, si: respektimi i legjislacionit doganor dhe tatimor, kapacitet i mirë financiar, sisteme të përshtatshme menaxhimi dhe, për OEA-S, standarde të larta sigurie dhe mbrojtjeje të zinxhirit tregtar.Përfitimet e statusit të OEA-ve jepen në varësi të llojit të autorizimit, si: një trajtim më i favorshëm në lidhje me vlerësimin e riskut dhe kontrollet; një akses i thjeshtuar apo ekskluziv në disa thjeshtime doganore; si dhe marrëveshje për njohje të përbashkët me shtete të tjera.

“500 milionë euro për AKSHI-n, shërbimet nuk funksionojnë”, Tabaku: Problemet, pasojë e korrupsionit dhe tenderave të paracaktuar

By: Fax Web
26 January 2026 at 09:53

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur alarmin mbi atë që e cilëson si një dështim të rëndë të politikave të digjitalizimit nga qeveria, duke theksuar se shpenzimet rekord nuk janë reflektuar në shërbime funksionale për qytetarët.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku thekson se vetëm brenda një viti buxheti i AKSHI-t është rritur me rreth 500 milionë euro, ndërkohë që administrata publike ka arritur në 184 mijë punonjës, rreth 20 mijë më shumë krahasuar me katër vite më parë. Sipas saj, kjo rritje justifikohet nga qeveria me digjitalizimin dhe përmirësimin e shërbimeve, por realiteti është krejt tjetër.

“Administrata publike dhe AKSHI sot përbëjnë pothuajse 18% të buxhetit të shtetit, por asnjë nga shërbimet digjitale nuk funksionon,” deklaron Tabaku, duke shtuar se problemet nuk janë rastësore, por pasojë e korrupsionit, tenderave të paracaktuar dhe shpenzimeve që kanë dalë jashtë kontrollit.

 

Deputetja demokrate nënvizon se qeveria ka humbur çdo sens prioriteti publik, duke e zëvendësuar reformën reale me shpërndarjen masive të prokurimeve. “Nuk është rastësi që sot flitet për një ‘qeveri të prokurimeve’ dhe një ‘qeveri të të pandehurve’,” thekson ajo, duke kërkuar transparencë, përgjegjshmëri dhe një rishikim të plotë të mënyrës se si menaxhohen fondet publike në sektorin e digjitalizimit.

Tabaku riafirmon se digjitalizimi duhet të jetë mjet për shërbime më të mira dhe më pak burokraci për qytetarët, jo një justifikim për rritje shpenzimesh dhe abuzime me paratë publike.

Aksident rrugor në aksin Librazhd-Elbasan, dy të plagosur

By: Fax Web
26 January 2026 at 09:48

Një aksident në aksin Librazhd-Elbasan ka ndodhur mëngjesin e së hënës, te Kthesa e Murrashit. Nga pamjet, shihet se automjeti është kthyer përmbys nga goditja e fortë.

Mësohet se janë plagosur dy persona, të cilët janë dërguar në spital. Si shkak i aksidentit dyshohet lagështira në rrugë.

Policia po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Kishin përshtatur 3 ambiente për kultivimin e drogës, arrestohet 35-vjeçari

By: Fax Web
26 January 2026 at 09:16

Tre ambiente të përshtatura për kultivimin e lëndëve narkotike janë zbuluar në Malësi të Madhe. Në pranga është vënë një 35-vjeçar, në kërkim është shpallur një 36-vjeçar. Po ashtu të ndaluar janë edhe 4 punonjës të OSHEE-se, ndërsa një tjetër është vënë nën hetim.

35-vjeçari i arrestuar Kol Narkaj dhe personi tjetër i shpallur në kërkim akuzohen se kultivonin drogë në 3 ambiente ( një banesë dhe dy stalla) në fshatin Boriçi madh, nëpërmjet pajisjeve elektrike që i furnizonin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Punonjësit e OSHEE të ndaluar për shpërdorim detyre janë shtetasit Valentin Kuvendaj, Xhuljano Ceraj, Faik Muselaj, Fatmir Kajoshaj. Nën hetim u vu po ashtu edhe një tjetër punonjës i OSHEE.

Policia sekuestroi 771 bimë kanabis, 6 kg e 250 gr material bimor e dyshuar kanabis, 195 llamba, 21 copë aspiratorë dhe 20 copë filtra ajri, që shërbenin për kultivimin e tyre.

“Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë zbuluar 3 ambiente (1 banesë dhe 2 stalla) në fshatin Boriç i Madh, të cilat ishin përshtatur për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike kanabis. Nga kontrollet në këto ambiente u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 771 bimë të dyshuara narkotike kanabis, 6 kg e 250 gr material bimorë e dyshuar kanabis, 195 llamba, 21 copë aspiratorë dhe 20 copë filtra ajri, që shërbenin për kultivimin e tyre.”, njofton policia.

Yesterday — 25 January 2026Main stream

VIDEO/ Ekipi braktis fushën. Çfarë ndodhi në Teuta-Vora?

By: Fax Web
25 January 2026 at 15:47

Episodet e braktisjes së ndeshjes për disa minuta janë kthyer në modë në Superiore.

Pasi Tiranës, sot ishte radha e Vorës në javën e 21-të të Superiores.

Shkak u bë një penallti e akorduar nga gjyqtari Olsid Ferataj në favor të Teutës në minutën e 92-të.

Ferataj fillimisht sinjalizoi për pozicion jashtë loje, më pas ndryshoi vendimin duke dhënë penallti për Teutën.

Pas pesë minutave të mbushura me polemika ku nuk pati rishikim me VAR, lojtarët e Vorës vendosën të braktisin ndeshjen.

Më pas u kthyen dhe goli i Teutës erdhi rreth 10 minuta pas akordimit të penalltisë.

Teuta-Vora u mbyll në barazim 1 me 1.

Vrasja me çekiç e 57-vjeçarit, gruaja e viktimës rrëfen detajet tronditëse: Vdiq për të mbrojtur 3 të moshuar

By: Fax Web
25 January 2026 at 15:40

Reagon bashkëshortja e Petrit Ndout, 57-vjeçarit që u vra nga çekiç nga Andi Vokri.

Në një mesazh të shkruar, Gjystina Ndou tregon se si u vra i shoqi.

“Petrit Ndou humbi jetën e tij duke shpëtuar 3 persona të moshuar që ndodheshin në rrezik”, thotë ajo.

Sipas dëshmisë së gruas së viktimës, Petrit Ndou dhe Gjystina Ndou kanë qenë duke u kthyer nga një festë familjare në Bushnes gjatë natës rreth orës 00:00.

Duke u kthyer tek rruga e vendngjarjes, Petrit Ndou bashkë me Gjystinën Ndou ndalojnë automjetin pasi shohin 2 automjete të bllokuara nga një automjet (i autorit të dyshuar), duke u ulëritur dhe duke i goditur automjetet, për arsyen se s’mundeshin t’i hapnin rrugën për të ecur mbrapsht.

Njëkohësisht, Petrit Ndou identifikon automjetet pasi ishin të njohur dhe ishin së bashku tek mbrëmja, dhe zbret direkt për t’i ndihmuar dhe për t’i drejtuar automjetet për të hapur rrugën.

“Pasi zbret, shikon autorin e dyshuar duke i goditur pasagjeren e njërës makinë që ndodhej brenda, Nikoll Aliaj dhe Lula Aliaj. Aty ikin dhe i thonë agresorit: ‘Janë të moshuar, çfarë po bën, s’të vjen zor?’ dhe i mbyllin derën e pasagjeres për të mos e goditur. Aty, agresori Andi Vokrri i kthehet Petrit Ndout me ofendime dhe donte të vazhdonte dhunën ndaj tyre.

Petrit Ndou orienton Nikoll Aliaj dhe makinën pas tij, Mhill Cypi, për t’u tërhequr dhe për t’u futur në një kthesë që të vazhdonin dhe të shpëtonin nga ngjarja dhe dhuna e ushtruar ndaj tyre. Në moment dhe ashtu ndodhi, i drejtoi dhe i la në vend të sigurt, ku ata qëndruan deri në fund të ngjarjes të pranishëm në automjetet e tyre.

Pas këtij momenti, dy persona të tjerë dalin nga automjeti i Andi Vokrrit për t’u konfrontuar me Petrit Ndou. Aty afrohet edhe Gjystina Ndou për t’i ndalur, duke u thënë të ndalojnë sherrin. Andi Vokrri vazhdonte sherrin, përsëri duke ikur dhe duke goditur makinën e Petrit Ndout, duke i marrë edhe çelësin e mjetit, njëkohësisht dhe duke shtyrë Gjystina Ndou.

Në ato momente, Gjystina Ndou me forcë dhe lutje i thotë Petrit Ndout të ikin për t’u fshehur diku aty afër, se ishin tre persona agresorë, sepse ata ikën në makinë për të marrë armë ose çfarëdo lloj mjeti për ta goditur. Ikën nga aty dhe fshihen për pak, njëkohësisht kanë njoftuar vëllezërit e Gjystinës Ndou dhe policinë për t’u ardhur në ndihmë, pasi ndodheshin afër rrugës, në shtëpi.

Petrit Ndou dhe Gjystina Ndou qëndrojnë disa minuta të fshehur dhe Petrit Ndou niset për të parë automjetin e tij me idenë se agresorët kanë ikur, duke i thënë Gjystina Ndou: ‘Të lutem, qëndro këtu, duhet të kenë ikur agresorët.’ Është nisur vetë, aty pas pak dal Gjystina Ndou për ta parë ku ndodhej. Në ato momente kanë arritur vëllezërit e Gjystinës.

Autorët, pasi kanë goditur Petrit Ndou, njëri nga autorët e krimit i është drejtuar drejt saj, ndërkohë që Gjystina Ndou po priste Petrit Ndou. Ka ardhur njeri nga agresorët me elektrik, duke e kërkuar Gjystina Ndou ku ndodhej, me shumë mundësi për ta eliminuar, por në ato momente kanë arritur vëllezërit e Gjystinës dhe ajo shikon agresorin dhe i thotë: ‘Ku është Petriti?’ Ai i thotë: ‘Është në tokë disa metra më tutje.’ Aty ndalojnë vëllezërit e Gjystinës dhe personi ikën.

Ndërkohë gjejnë në tokë Petrit Ndou të goditur pa ndjenja, pasi kishte humbur jetën. E kanë goditur në pabesi pas anësore në kokë me çekiçin që ndodhej pranë tij. Pas këtij momenti ka arritur edhe policia dhe është kapur në flagrancë Andi Vokrri”, thuhet në dëshminë e saj në polici./ TCH

❌
❌