“Plagët” që hapi rinumërimi/ Abazi: Çarje brenda sistemit politik. Rinumërimi i votave ‘maja e ajsbergut’
Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi, ka ngritur shqetësime serioze mbi gjendjen e demokracisë në vend, gjatë një interviste në emisionin “Balkan Update” në ABC News.
Ai deklaroi se Kosova ndodhet në një situatë tejet delikate politike, ku proceset zgjedhore po vihen në pikëpyetje për shkak të parregullsive dhe mungesës së transparencës.
Sipas Abazit, shkeljet në numërimin e votave janë vetëm “maja e ajsbergut”, ndërsa mungesa e dialogut politik dhe institucional po thellon krizën. Ai akuzoi kryeministrin Albin Kurti se po e çon vendin drejt një përplasjeje të re politike, në prag të zgjedhjeve për president, duke rrezikuar më tej stabilitetin demokratik të Kosovës.
“Jemi në një situatë mjaft delikate. Ishte krijuar bindja se ishim në një proces vërtet demokratik, por ka disa palë zgjedhje që nuk janë vërtet të rregullta dhe demokratike. Këto shkelje, procesi i numërimit të votave janë vetëm maja e ajsbergut. Kosova po rrëshqet në një demokraci të vërtetë. Nuk po lejohet që demokracia dhe integriteti të dominojë. Është një moment kritik të çarjes brenda sistemit politik të Kosovës. Të gjitha partitë duan të dinë se çfarë po ndodh, se kush do ketë pushtet. Ka munguar dialogu partiak mes partive, por edhe dialogu mes shoqërive civile.
Çështja e mungesës së ligjit, disa elementë brenda Partisë Demokratike të Kosovës kanë qenë pak më të guximshme. Në fakt unë mendoj që kriza është këtu dhe rrjedhja e afateve po shkon pa asnjë lloj urgjence. Urgjenca nuk shihet, përkundrazi po shohim një relaksim. Kjo është një nga qëllimet e Kurtit për ta përplasur vendin në një krizë tjetër përpara zgjedhjeve për president. Kurti po e mban afër Vjosa Osmanin për t’i futur thikë pas shpine”, tha Abazi.