Olivia Dean, Lola Young dhe Lily Allen, artistët më të nominuar në “Brit Awards 2026”
LONDËR, 21 janar /ATSH-DPA/- Olivia Dean dhe Lola Young janë artistët më të nominuar në edicionin e këtij viti të “Brit Awards”, me nga pesë secila.
Grupi britpop “Pulp” ndërkohë ka marrë nominimin e tyre të parë në 30 vjet, në kategorinë e grupit më të mirë.
Nominimet u njoftuan sot gjatë një eventi, të transmetuar drejtpërdrejt nga “Co-op Live” në Mançester, ku Sam Fender, fituesi më i fundit i çmimit “Mercury”, mori katër nominime.
Çmimet, të prezantuara nga komediani dhe aktori Jack Whitehall, do të ndahen më 28 shkurt.
Lily Allen, albumi i së cilës “West End Girl” shkaktoi trazira kur u publikua vitin e kaluar, është nominuar në tre kategori – për albumin më të mirë, artisten e vitit dhe artisten pop më të mirë.
Albumi i saj i parë në shtatë vjet, thuhet se flet për pabesinë e supozuar të ish-bashkëshortit të saj, aktorit amerikan David Harbour.
Kantautorja Olivia Dean është kandidate për çmimin “vepra më e mirë pop”, “artistja e vitit”, “albumi më i mirë” për “The Art of Loving” dhe “kënga më e mirë” për “Man I Need”.
Young, hiti i së cilës “Messy” i siguron gjithashtu një nominim në kategorinë për këngën më të mirë, është gjithashtu kandidate për çmimin “vepra më e mirë pop” dhe “artistja e vitit”, si dhe “vepra e suksesshme”.
Fender është nominuar gjithashtu për artistin e vitit, artistin alternativ rock dhe albumin më të mirë për “People Watching”, si dhe për këngën më të mirë për “Rein Me In” – në bashkëpunimin e tij me Dean.
Aktorja dhe këngëtarja e lindur në Londër, Cynthia Erivo, është nominuar për këngën më të mirë për “Defying Gravity”, me Ariana Grande, kolona zanore e filmit “Wicked”.
Dean dhe Young përballen me konkurrencë të fortë në kategorinë e artistit të vitit, e cila dominohet nga artistet, përfshirë Jade, Pink Pantheress dhe Self Esteem.
Këngëtarja e “Wolf Alice”, Ellie Rowsell, tha se ishte “e mahnitur” nga tre nominimet e grupit, duke shtuar: “Kam punuar si kamariere te Brits kur isha adoleshente, i shërbeja tavolinës së “Pussycat Dolls”.
Në kategorinë e albumit më të mirë, Dave është nominuar për “The Boy Who Played The Harp”, së bashku me Wolf Alice për “The Clearing”.
Reperi Legxacy është gjithashtu e nominuar për artistin më të mirë hip hop dhe rap – së bashku me Dave, Central Cee, Little Simz dhe Loyle Carner – ndërsa ai është nominuar edhe në kategorinë artisti më i mirë R&B.
Në këtë kategori janë nominuar gjithashtu, Kwn, Mabel, Sasha Keable dhe Sault.
Në kategorinë e këngës së vitit, kënga “Azizam” e Ed Sheeran do të konkurrojë përballë Lewis Capaldi me “Survive”, Raye me “Where Is My Husband?” dhe Newman me “Family Matters”.
Kënga “Ordinary” e Alex Warren do të konkurrojë me yje të muzikës pop amerikane, përfshirë Taylor Swift, Chappell Roan dhe Sabrina Carpenter në kategorinë e këngës ndërkombëtare të vitit. //a.i/
The post Olivia Dean, Lola Young dhe Lily Allen, artistët më të nominuar në “Brit Awards 2026” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.