Një sulm me thikë i regjistruar këtë të hënë ka lënë të vdekur 49-vjeçarin shqiptar, Jani Aliaj.
Viktima humbi jetën teksa vuante dënimin në burgun e Koridhallos, në Greqi.
Autori është një grek 28-vjeçar, i cili me një thikë të improvizuar vrau shqiptarin brenda Krahut të 3-të të burgut më të madh të vendit.
Sipas informacioneve nga mediat greke, oficerët e policisë që po merren me çështjen besojnë se kjo është një “kontratë vdekjeje” ndaj 49-vjeçarit pasi dyshohet se 28-vjeçari e ka kryer vrasjen me urdhër të një tjetër krimineli shqiptar.
Sipas të njëjtave burime, trafiku i drogës në Athinë është një tjetër pistë e mundshme. 49-vjeçari kishte kryer dy vrasje në Shqipëri, për të cilat ishin lëshuar urdhër-arreste ndërkombëtare. E para ndodhi në qytetin e tij të lindjes, Tepelenë, në vitin 2005 dhe e dyta u krye në vitin 2016.
Ai ishte anëtar i një bande të fortë në jug të Shqipërisë të përfshirë në trafikun e drogës. Nga ana tjetët edhe 28-vjeçari grek ka kryer dy vrasje.
E para disa muaj më parë në Agios Panteleimonas, kur qëlloi me gjakftohtësi në kokë një burrë nga Shqipëria, i cili kishte qenë në shënjestër të policisë për grabitje dhe vjedhje me thyerje, raporton Euronewsal.
Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka reaguar pas padisë së parashtruar ndaj saj nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), duke e cilësuar atë si tentativë frikësimi dhe përndjekje politike.
Në reagimin e saj publik, Ymeri fillimisht ka sqaruar pozicionin nga aspekti ligjor, duke theksuar se deri më tani nuk ka pranuar asnjë njoftim zyrtar apo ftesë nga Gjykata.
Ajo ka bërë të ditur se, derisa të njoftohet formalisht sipas procedurave ligjore, do të përmbahet nga përgjigjet juridike, por se ndihet e obliguar të reagojë publikisht, pasi padia tashmë është bërë publike.
“Sipas Ligjit, unë nuk jam njoftuar ende zyrtarisht. Megjithatë, kjo padi është publikuar për të më frikësuar dhe për këtë arsye po reagoj publikisht”, ka deklaruar Ymeri.
Ajo ka theksuar se, bazuar në Ligjin Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes, autoritetet publike ndalohen shprehimisht të kërkojnë dëmshpërblim për shpifje.
Sipas saj, KEK-u është një ndërmarrje 100 për qind shtetërore dhe juristët e kësaj korporate e dinë, ose do të duhej ta dinin, këtë dispozitë ligjore.
Ymeri ka akuzuar KEK-un se padia është dorëzuar me qëllim frikësimi dhe përndjekjeje, duke shtuar se kjo dëshmohet edhe nga publikimi i qëllimshëm i adresës së saj të banimit, të cilin ajo e ka cilësuar si shkelje flagrante të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Duke e cilësuar KEK-un si një ndërmarrje të menaxhuar nga të emëruar politikë, Ymeri ka deklaruar se padia përbën një akt përndjekjeje politike të orkestruar nga kryeministri Albin Kurti dhe, siç është shprehur ajo, “sejmenët e tij në KEK”.
Ajo ka theksuar se analizat dhe deklaratat e saj publike janë të bazuara në fakte që mund të verifikohen lehtësisht dhe që, sipas saj, qytetarët i kanë përjetuar drejtpërdrejt përmes ndërprerjeve të energjisë dhe rritjes së çmimit të rrymës.
“Nuk po flasim për akuza të pabazuara. Po flasim për një korporatë, ish-kryeshefi i së cilës, Nagip Krasniqi, aktualisht po gjykohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Po flasim për ‘dështime teknike’ të çuditshme që ndodhin pikërisht kur çmimet e importit janë në kulm. Të ngresh zërin për këtë nuk është shpifje, është detyrë”, u shpreh Ymeri./Telegrafi.
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka parashtruar padi ndaj Janina Ymerit, anëtare e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke pretenduar se kjo është bërë për të ndaluar përhapjen e informatave të rrejshme dhe propagandës lidhur me sektorin e energjisë.
Menjëherë pas kësaj, ka reaguar Hykmete Bajrami nga LDK, e cila ka kritikuar ashpër Qeverinë për mënyrën se si po trajton rastin.
Sipas saj, Qeveria nuk po lufton mafinë energjetike, por po e përqendron fuqinë e saj kundër Janina Ymerit.
Bajrami ka kujtuar se Bordi i ZRRE-së, i zgjedhur nga kryeministri Albin Kurti, ka licencuar EFT-në e Vuk Hamoviçit dhe kompaninë e njohur NOA, të cilat sipas saj janë pjesë e problemeve në sektorin energjetik.
“Albin Kurti në vitin 2019 thoshte se nuk je lider shqiptar nëse nuk e lufton mafinë energjetike. Sot, pas pesë vitesh qeverisje, ai nuk po e lufton mafinë energjetike. Përkundrazi, përmes veglave të tij, ka vendosur ta luftojë Janina Ymerin".
"Për rikujtim: Bordi i ZRRE-së, i zgjedhur nga Albin Kurti, e ka licencuar EFT-në e Vuk Hamoviçit dhe superkompaninë NOA. Këtu jemi! Pavarësisht rezultatit të 28 dhjetorit, nuk heshtim”, ka thënë Bajrami.
Korporata Energjetike e Kosovës ka parashtruar padi ndaj deputetes së zgjedhur nga radhët e LDK-së, Janina Ymeri.
Sipas njoftimit të KEK-ut, Ymeri “në mënyrë të vazhdueshme, ka shpërndarë informata të pasakta, propaganduese dhe të pavërtetuara lidhur me prodhimin e energjisë elektrike, duke krijuar konfuzion te opinioni publik dhe duke tentuar t’i atribuojë KEK-ut përgjegjësi që nuk i përkasin.”
“Në mënyrë të papranueshme, në paraqitjet e saj të fundit, ajo ka denigruar edhe punonjësit dhe përfaqësuesit e KEK sh.a., duke shkelur standardet profesionale dhe etike të komunikimit publik. Kjo sjellje është e dëmshme për imazhin institucional të Korporatës dhe nuk mund të tolerohet.
I bindur në korrektësinë e plotë të njoftimeve të bazuara në të dhëna zyrtare, dhe duke besuar në funksionimin e shtetit ligjor, KEK sh.a. ka parashtruar këtë padi dhe është e vendosur që, edhe në të ardhmen, në çdo rast të keqinformimit tendencioz të parashtrojë padi pranë organeve kompetente të drejtësisë, për të përcaktuar qartë se kush po çorienton opinionin publik dhe për çfarë qëllimesh.”
Ish-ambasadori serb Sreçko Dukiq ka vlerësuar se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po e përfshin vendin e tij në konflikte globale përmes deklaratave të fundit lidhur me aktivitetin e shërbimeve të inteligjencës në Iran.
Vuçiq kishte pohuar se CIA dhe Mossadi janë aktivë në Iran, gjë që sipas Dukiq, mund të perceptohet si një mesazh politik nga Uashingtoni dhe Tel Avivi.
“Këto deklarata mund t’i shkaktojnë dëme politikës së jashtme Serbisë. Ajo nuk është aktore në konfliktet e Lindjes së Mesme, as nuk ka interes të përfshihet në interpretimet që akuzojnë dy shërbimet më me ndikim të inteligjencës perëndimore”, tha Dukiq në një intervistë për gazetën Nova.
Ai shtoi se pretendime të tilla publike “objektivisht mund të kuptohen si një narrativë armiqësore ndaj SHBA-së dhe Izraelit, duke e përfshirë kështu Serbinë në konflikte globale dhe luftëra inteligjence që e tejkalojnë atë shumë herë”.
Ish-ambasadori përmendi gjithashtu krahasimin që Vuçiq kishte bërë me vitin 1953 dhe përmbysjen e Kryeministrit iranian Muhamed Mossadegh, duke e cilësuar këtë si një “kornizë klasike propagandistike e diskutimit antiamerikan dhe antiperëndimor”, e cila mund të perceptohet si një mesazh politik në Uashington dhe Tel Aviv.
Ai paralajmëroi se “deklarata të tilla e ndërlikojnë më tej pozicionin e Serbisë dhe sjellin konfuzion në politikën e jashtme”.
Refuzimi për të takuar delegacionin e Parlamentit Evropian
Pak ditë më pas, gjatë vizitës së tij në Abu Dhabi, Vuçiq deklaroi se nuk dëshiron të takohet me një delegacion të Parlamentit Evropian që vizitoi Beogradin, duke i cilësuar ata si “të paftuar”.
Ai u shpreh se nuk do të jetë në Serbi gjatë ardhjes së tyre, pasi ka angazhime të tjera të planifikuara, por shtoi se “nëse do të isha në Beograd, nuk do të takohesha me ta gjithsesi”.
“Urrejtësit e Serbisë u ulën dhe ranë dakord që do të vinin në Beograd dhe nuk na pyetën dhe as nuk na informuan. Ne nuk i thirrëm. Ata erdhën të paftuar (...) Kam edhe angazhime të tjera të planifikuara në Davos. Nuk po i shmang, por edhe nëse do të isha në Beograd, nuk do të takohesha me ta”, citohet të ketë thënë Vuçiq.
Ai shtoi se dëshiron të takohet “vetëm me njerëz që i dëshirojnë të mirën Serbisë dhe se do ta bëjë këtë në Davos”. I pyetur për pasojat e mundshme të refuzimit të tij, Vuçiq tha se ato “do të jenë të tmerrshme” dhe se delegacioni do të mund të sjellë një deklaratë ose rezolutë tjetër.
Akuza ndaj Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë
Në një zhvillim tjetër, Vuçiq akuzoi të hënën Kroacinë për bashkëpunim me Kosovën dhe Shqipërinë me qëllim “shkatërrimin e Serbisë” dhe e përshkroi këtë bashkëpunim si një kërcënim ushtarak.
Ai bëri këto deklarata gjatë një vizite në Trebinje, Bosnjë e Hercegovinë, ku mori pjesë në hapjen e një spitali të ri, por fokusi i tij në fjalim ishte më shumë në analizat gjeostrategjike sesa në kujdesin shëndetësor.
Sipas Vuçiq, shqetësimi i tij i veçantë është Kroacia dhe bashkëpunimi i saj në mbrojtje me Kosovën dhe Shqipërinë.
Ai theksoi se kjo aleancë nuk është kundër Austrisë, por sipas tij është drejtuar kundër popullit serb.
“Në Beograd, ne e kuptojmë shumë mirë aleancën e re ushtarake të krijuar midis Zagrebit, Prishtinës dhe Tiranës. Ajo nuk u krijua kundër askujt tjetër, por kundër popullit serb”, tha ai.
Presidenti serb njoftoi gjithashtu për një forcim të ndjeshëm të kapaciteteve ushtarake të vendit.
“Ne jemi të dytët në botë për sa i përket përparimit të kapaciteteve tona ushtarake dhe brenda dy vjetësh do t’i dyfishojmë kapacitetet tona ushtarake”.
Ai akuzoi Kroacinë se po përpiqet të ndikojë në proceset në Mal të Zi, duke e cilësuar këtë si një komplot anti-serb.
Po ashtu, Vuçiq i lidh teoritë e tij të konspiracionit me protestat që zhvilloheshin në Serbi gjatë vitit të kaluar dhe kritikoi përpjekjet për rrëzimin e tij nga pushteti.
“Ata që mendojnë se ne jemi naivë dhe do të jemi në gjendje të bëjmë gjëra si në vitin 1941 dhe shumë herë në histori, le ta dinë: ju bëtë gjithçka vitin e kaluar për të më rrëzuar nga pushteti, me një miliard euro të investuara, dhe dështuat... Unë nuk jam Slobodan Millosheviqi, as naiv dhe as budalla që t’ju besoj”, deklaroi Vuçiq.
Në Liqenin e Ujmanit, është shënuar festa ortodokse e Bogojavlenjes përmes manifestimit tradicional të notimit për Kryqin.
Në këtë aktivitet, mbi 300 qytetarë serbë u hodhën në ujërat e ftohta të liqenit, pavarësisht temperaturave të ulëta, për të tentuar ta kapin kryqin, duke shënuar kështu një numër rekord pjesëmarrësish.
Manifestimi ka tërhequr një numër të madh të pjesëmarrësve dhe shikuesve, ndërsa gjatë organizimit janë vërejtur edhe flamuj me përmbajtje provokuese, përfshirë simbole shtetërore të Federatës Ruse.
Po ashtu janë parë të veshura bluza me fytyrat e terroristëve të Banjskës.
Kisha Ortodokse Serbe ka dalë me një deklaratë publike, duke bërë të ditur se për arsye sigurie dhe për shkak të kushteve të motit, nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë për organizimin e kësaj ngjarjeje, ndonëse manifestimi është mbajtur sipas traditës së viteve të kaluara.
Të pranishëm gjatë kësaj feste kanë qenë edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës, të cilët kanë monitoruar situatën dhe janë angazhuar për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë publike gjatë gjithë kohëzgjatjes së aktivitetit.
Notimi për Kryqin në Liqenin e Ujmanit organizohet tradicionalisht që nga viti 2011 dhe zhvillohet në një distancë simbolike prej 33 metrash nga bregu, distancë kjo që përfaqëson vitet e jetës së Jezu Krishtit.
Sipas traditës, pjesëmarrësi që arrin i pari te kryqi shpërblehet duke e marrë atë si simbol të besimit dhe festës së Bogojavlenjes, raporton KP.
Të gjithë personat që cenuan vullnetin e lirë të qytetarëve duke manipuluar me votat qofshin komisionerë apo edhe kandidatë për deputetë, të cilëve iu shtuan votat do të intervistohen nga prokuroritë përkatëse.
Kështu ka deklaruar koordinatorja nacionale e zgjedhjeve, prokurorja, Laura Pula, e cila vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rinumërim të plotë e konsideron veprim të duhur.
Rinumërimi i plotë në dhjetë komuna, si dhe disa tjera me 10 përqin, zbuloi parregullësi në numërimin e votave. Aty u zbuluan “dallavere”, brenda votave të partive, ku disa kandidatëve u mungonin votat, e disa të tjerëve iu shtuan.
Kjo ka bërë që të ketë shumë reagime, madje u kërkua edhe rinumërim i plotë, gjë që edhe do të ndodh pas vendimin që sot mori Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Në një intervistë për KosovaPress, prokurorja, Pula thotë se pas përfundimit të procesit të rinumërimit në shumicën e komunave lidhur me dyshimet për manipulim të votave pas zgjedhjeve ka urdhëruar grumbullimin e provave dhe nisjen e hetimeve penale.
Pula tha se procesi zgjedhor i 28 dhjetorit 2025 shkoi mirë, por pas rinumërimit u evidentuan mospërputhje të votave mes kandidatëve brenda të njëjtit subjekt politik, çka sipas saj përbën “manipulim brenda llojit”, pasi nuk janë prekur votat mes subjekteve politike, por votat për deputetë brenda një partie.
Ajo theksoi se bëhet fjalë për vepër penale të falsifikimit të dokumentit të votave, e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
“Kjo dukuri që ndodhi pas zgjedhjeve, të cilat zgjedhje shkuan shumë mirë, mirëpo pas numërimit të votave dhe evidentimit se ka mospërputhje mes kandidatëve të subjektit të njëjtë, çka nënkupton se votat mes subjekteve fare nuk janë prekur, janë prekur votat e deputetëve brenda një subjekti që është manipulim brenda llojit, kështu quhet. Atëherë, jemi vënë në lëvizje dhe në momentin kur kemi kuptuar se deri dje kanë përfunduar pothuajse një mori e komunave me rinumërimin e votave, atëherë sot unë si koordinatore nacionale e zgjedhjeve, kam udhëzuar të gjithë kryeprokurorët e prokurorive respektive që të merren me grumbullimin e provave dhe të fillojnë hetimet në ato vende ku ka elementet e veprës penale. Kemi të bëjmë me një vepër penale të falsifikimit të dokumentit të votave, dhe kjo është në kuadër të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe do të hetohen të gjithë ata persona të cilët kanë prekur në vullnetin e lirë të qytetarit për ta zgjedhur deputetin”, tha ajo.
Prokurorja Laura Pula tha se hetimi do të jetë i mirëfilltë dhe se do të intervistohen të gjithë komisionerët që kanë marrë pjesë në numërim, si dhe të gjithë kandidatët të cilëve u janë shtuar votat, për të sqaruar arsyet e mospërputhjeve dhe përgjegjësitë eventuale.
“Atëherë, hetimi ka me qenë i mirëfilltë. Në momentin kur do të intervistohen të gjithë komisionerët të cilët janë përfaqësues të gjitha subjekteve politike në momentin kur kanë numëruar dhe kanë rinumëruar votat dhe votat nuk përputhen tashti me numërimin nga QNR-ja, ata do të intervistohen dhe do të tregojnë pse ia kanë shtuar votat një kandidati të caktuar, apo pse ia kanë munguar votën një kandidati të caktuar. Prandaj, kur themi hetim i mirëfilltë nënkuptojmë se hetimi do të vazhdojë dhe do të marrim informata për aq sa do të është e mundur që të marrim informata nga komisionerët, të cilët do të na udhëzojnë se a kanë qenë të shtyrë dhe arsyeja pse i kanë shtuar vota një kandidati të caktuar. Arsyet mund me qenë të ndryshme, të kuptohemi, prandaj vetëm me një hetim mund ta zbulojmë arsyen e saktë se pse ju kanë shtuar vota kandidatit të caktuar.. 03’11 Do të intervistohen të gjithë ata kandidatë të cilët ju kanë prekur votat dhe ju kanë shtuar votat. Nëse dikush del thotë që unë nuk jam fajtor për shtim të votave, atëherë duhet me dalë komisioneri i subjektit të tij konkretisht dhe të tregojë pse ja ka shtuar votat atij kandidati”, deklaroi prokurorja Pula për KP.
Sipas prokurores, Pula, një rast i ngjashëm me këtë të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ndodhi në vitin 2010, kur pas zgjedhjeve u evidentuan mospërputhje të votave dhe u akuzuan rreth 1,500 persona, duke theksuar se raste të tilla dëmtojnë reputacionin e shtetit.
Ajo tha se rinumërimi në të gjitha komunat është i nevojshëm për rikthimin e besimit të qytetarëve dhe për të sqaruar nëse është cenuar vullneti i tyre.
“Vetëm në vitin 2010 kemi pasur një rast të tillë, ku pas përfundimit të zgjedhjeve dhe pas certifikimit të tyre, kemi hasur në mospërputhje të numrit të votave të kandidatëve, për çka, sa më kujtohet, diku kanë qenë 1500 persona të akuzuar për këto, në ato zgjedhje…. Prandaj ato kanë qenë zgjedhjet unë konsideroj që e kanë prishur reputacionin e Republikës së Kosovës si shoqëri, mirëpo fatmirësisht ndër vite ne patëm evoluar shumë mirë duke u mburrur si shtet me zgjedhje demokratike. Mua më vjen keq se pas vërtet një procesi shumë të mirë që kaluam me 28 dhjetor, tani duhet të ballafaqohemi edhe me hetime të mirëfillta për të zbuluar të vërtetën…05’41 Konsideroj se me numërimin e përgjithshëm të të gjitha, në të gjitha komunat, 28 komunat, është shumë më mirë…me qëllim që mos të lihet ndonjë shkas që të mendohet se ka mundur që mos edhe në komuna të tjera ka, manipulim, me qëllimin e vetëm që të kthehet besimi i publikut te institucionet të cilat merren me drejtësisë dhe institucionet e tjera të sigurisë. E, nëse është cenuar tani më vullneti i qytetarëve ne duam ta themi haptas, është cenuar në një farë mënyre”, deklaroi ajo.
Koordinatorja nacionale e zgjedhjeve, Laura Pula bëri të ditur se për hetim janë të nevojshme procesverbalet e numërimit dhe rinumërimit, listat me nënshkrime të komisionerëve dhe dokumentet verifikuese, të cilat do të krahasohen për të identifikuar dallimet në vota.
“Neve na interesojnë lista e librave, ku janë nënshkruar të gjithë komisionerët. Na intereson procesverbali i verifikimit të numërimit të votave ku nënshkruhet nga të gjithë komisionerët e përfaqësuesve të subjekteve politike dhe ndër të tjera na intereson tani procesverbali i ri i rinumërimit për ta bërë krahasimin se sa vota më kanë marrë ty dhe t'i kanë qit ty. Dhe kur këto janë prova relevante. Po, ndërkohë mund të kemi dhe prova të tjera, për të cilat prokurorët e rasteve në komunat, në shtatë komunat e Republikës së Kosovës, do të merren me këto raste, me, me verifikim. Për atë thashë, duhet të informohemi dhe të grumbullojmë prova e pastaj të vazhdojmë me hetime të tjera…09’10(Hetimi) Do të jetë në shtatë prokurori themelore, të cilat i mbulojnë edhe me kompetencë territoriale dhe komunat e tjera”, deklaroi koordinatorja nacionale e zgjedhjeve.
Në mbledhjen e sotme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të rinumërohen votat për kandidatë në tërë Kosovën. Përveç rinumërimit edhe në 28 komuna tjera, u është ndërprerë mandati përfaqësuesve të subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Prizrenit.
Ndërsa, më herët ishte marrë vendim për rinumërim në gjithsej 10 komuna, ku doli se në Prizren ishte bërë manipulim i madh i votave brenda listës zgjedhore të një partie.
Qytetarët e Kosovës më 28 dhjetor 2025 iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës e më pas edhe qeverinë e re.
Sot, ka qenë dita e fundit që Gjykata Speciale ka pranuar prova nga Prokuroria apo palët mbrojtëse në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Kjo tregon se gjyqi i madh për katërshen e UÇK-së është para fazës përfundimtare.
Në një intervistë për KosovaPress, profesori i të Drejtës Kushtetuese, Arsim Bajrami thotë ky proces ka qenë i komplikuar dhe i shoqëruar me “shumë shkelje të standardeve evropiane për të drejtat e njeriut”.
“Gjykata Speciale: mes të vërtetës dhe mashtrimeve”, është libri i botuar vitin e kaluar nga profesor Bajrami, i cili ofron një analizë kritike mbi funksionimin, legjitimitetin dhe ndikimin e Gjykatës Speciale në shoqërinë kosovare.
“Praktikisht sot përfundon koha kur edhe prokuroria por edhe palët mbrojtëse do të mund të dorëzojnë prova të shkruara apo prova video-incizime apo prova të tjera dhe pas ditës së sotit nuk ka prova të reja. Çka kjo tregon se procesi po konkludohet, po finalizohet dhe mbetet vetëm fjala përfundimtare. Tani është në trupin gjykues, në panelin gjykues që të vlerësojë secilën provë, të peshojë kredibilitetin e secilës provë, ta shohë relevancën, ta shohë lidhjen kauzale të provave, dhe duke besuar se këta janë gjyqtarët janë nën betim, që do të, janë betuar që do të respektojnë ligjin, jam thellësisht i bindur që në fund nuk ka epilog tjetër përpos një aktgjykimi lirues, sepse në fakt nuk është vërtetuar asnjë element i aktakuzës, një aktakuze e cila bazohet në një fiksion të një ndërmarrje të përbashkët kriminale”, deklaron Bajrami për KosovaPress.
Ndër tjera, akademik Bajrami thotë se trupi gjykues duhet të marrë parasysh provat bindëse të dëshmitarëve të mbrojtjes, të cilët gjatë dëshmisë së tyre kanë mohuar se UÇK-ja ka pasur strukturë organizative.
“Fatkeqësisht nga fillimi gjykata është shoqëruar me shkelje të njëpasnjëshme, me shkelje materiale, procedurale. Nuk ka respektuar standardet ndërkombëtare për një gjykim të drejtë. Nuk ka respektuar fare institucionet e Kosovës, asnjë prej institucioneve të Kosovës nuk ka qenë partner i kësaj gjykate, derisa kjo gjykatë publikisht ka deklaruar se ka bashkëpunuar vazhdimisht me Serbinë, në radhë të parë me Prokurorinë e Serbisë, por edhe me Shërbimin Sekret Serb i cili gjithmonë ka dhënë prova të fabrikuara. Dua të besoj që të gjitha këto prova duhet të vlerësohen si prova të një shteti armiqësor, të një shteti armik dhe gjykata do t'i hudhë komplet domethënë, komplet do t'i hudh. Nuk do të marrë për bazë as provat e dëshmitarëve të Serbisë, as dëshmitarëve të cilët janë përgatitur apo i kanë paguar, por do të bazohet në prova autoktone edhe do t'i marrë parasysh ato prova të cilat vijnë nga personalitete shumë kredibile botërore”, shprehet ai.
Doktori i shkencave juridike Bajrami thekson se pas dorëzimit të këtyre dosjeve, procesi hyn në fazën e fjalëve përfundimtare, të cilat pritet të mbahen nga 9 deri më 18 shkurt. Me përfundimin e kësaj faze, procesi gjyqësor konsiderohet zyrtarisht i mbyllur.
“Fjala përfundimtare është faza finale e një procesi të procedurës penale. Janë shumë të rëndësishme, sepse ne do të dëgjojmë rrëfimin përfundimtar të prokurorisë, e cila sigurisht që do të mbetet pranë aktakuzës dhe do të kërkojë dënime, dhe pastaj të gjithë të akuzuarit, përfshirë edhe avokatët e tyre, do të deklarojnë pafajësinë e vet dhe kjo do të jetë një momentum i konkludimit të këtij gjykimi, i cili ka shumë peshë sepse gjatë kësaj fjale, në fakt, mbrojtja me siguri do të ofrojë përsëri prova që prokuroria nuk arriti këto pesë vite absolutisht të dëshmojë apo të konfirmojë asnjë prej pikave të aktakuzës. Dhe secila pikë e aktakuzës mund të rrëzohet lehtësisht në qoftë se gjykata do të jetë plotësisht e përkushtuar në parimet e drejtësisë dhe jo në motive të tjera”, shprehet ai.
Pas përfundimit të fjalëve përfundimtare, gjykatësit do të kenë një afat prej tre muajsh për shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë, me mundësi shtyrjeje edhe për dy muaj të tjerë.
Akademik Arsim Bajrami thotë se “cilido verdikt tjetër që nuk është aktgjykim lirues, do të ishte një skandal ndërkombëtar”.
“Duke qenë se kam qenë shumë kritik ndaj kësaj gjykate, e kam përcjellë profesionalisht, madje kam bërë edhe botime, kam bërë studime, kam vizituar disa herë edhe Gjykatën Speciale, mund të themi se është një prej gjykimeve më të vështira dhe më të padrejta pas Luftës së Dytë Botërore. Madje këto gjykime kanë qenë shumë larg standardeve të Tribunalit për ish-Jugosllavi, i cili ka gjykuar krimet në Kroaci, në Bosnjë, por edhe në Kosovë. Dhe cilido verdikt tjetër që nuk është aktgjykim lirues, do të ishte një precedent apo një skandal ndërkombëtar, sepse në këto pesë vite ne nuk kemi parë asnjë provë e cila vërteton apo konfirmon akuzat se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë një ndërmarrje e përbashkët kriminale. Përkundrazi, ajo ka zhvilluar një luftë mbrojtëse, ajo ka luftuar në territorin e Kosovës, jo jashtë territorit, dhe ka qenë një luftë çlirimtare, politikisht e orientuar drejt mbrojtjes së popullsisë nga një gjenocid i organizuar, por edhe me qëllim të çlirimit të Kosovës dhe pavarësimit të saj”, përfundon Bajrami.
Në Gjykatën Speciale deri më tani janë gjashtë persona të akuzuar për krime të pretenduara lufte, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Pjetër Shala dhe Salih Mustafa. Shala është i dënuar me 13 vjet burgim, ndërkaq Mustafa me 15 vjet.
Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës por veprojnë me personel ndërkombëtar në Hagë të Holandës.
Bashkimi Evropian është financuesi kryesor i Gjykatës Speciale e cila u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, pas kërkesës së bashkësisë ndërkombëtare.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.
Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 - gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Një grup nxënësish nga Kosova ka përfaqësuar vendin në Neo Science Olympiad, e mbajtur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke arritur rezultate të shkëlqyera në disa fusha shkencore dhe teknologjike.
Nxënësit kosovarë u vlerësuan për sukseset e tyre në Shkencë, Matematikë, Biologji, Kimi, Inteligjencë Artificiale dhe Kodim, duke dëshmuar nivel të lartë të dijes dhe përgatitjes akademike.
Në mesin e fituesve të medaljeve është edhe Harun Hondozi, i cili në fushën e shkencës u shpërblye me çmimin “Best of the Best”, ndërsa në matematikë fitoi medaljen e artë, një arritje e veçantë në një garë ndërkombëtare me konkurrencë të lartë.
Nga Kosova Global Talent Center u tha se këto suksese janë rezultat i përkushtimit të vazhdueshëm të nxënësve dhe mbështetjes së prindërve dhe stafit profesional.
“Këto arritje janë rezultat i punës së palodhshme, talentit dhe përkushtimit të nxënësve tanë, si dhe mbështetjes së vazhdueshme të prindërve dhe stafit profesional nga secila shkollë ku nxënësit morën përgatitjet adekuate. Jemi jashtëzakonisht krenarë për secilin prej jush”, thuhet në postimin e Kosova Global Talent Center.
Pjesëmarrja dhe sukseset në Neo Science Olympiad konfirmojnë potencialin e nxënësve nga Kosova në arenën ndërkombëtare dhe dëshmojnë se investimi në arsim dhe talent të ri po sjell rezultate konkrete.
Ky nuk është suksesi i parë për Harunin.
Ai kishte zënë vendin e parë në matematikë në garat ndërkombëtare në Dubai në vitin 2023, në kuadër të Brainobrain Kosova./Telegrafi.
Kosova është renditur në vendin e 13-të në botë për nivelin më të ulët të kërcënimeve ndaj paqes dhe demokracisë, sipas Normandy Index 2025, raport i përgatitur nga shërbimi kërkimor i Parlamentit Evropian (EPRS).
Ky vlerësim e pozicionon Kosovën në mesin e 10 për qind të shteteve më reziliente globalisht dhe në vendin e parë në Ballkanin Perëndimor për siguri strategjike, duke lënë pas të gjitha vendet e rajonit.
Normandy Index nuk mat perceptimin e qetësisë së një shteti, por shkallën e ekspozimit ndaj rreziqeve reale si destabilizimi politik, dezinformimi, presioni i jashtëm, krizat ekonomike, pasiguria energjetike dhe kërcënimet hibride.
Ky instrument përdoret nga Bashkimi Evropian për të identifikuar dobësitë dhe kapacitetet reale të shteteve për t’u përballur me këto sfida.
Sipas raportit, Kosova dallon për reziliencë të lartë institucionale dhe shoqërore, ndërsa sfida kryesore mbetet përballja me dezinformimin, kryesisht atë që vjen nga jashtë.
Në krahasim rajonal, Shqipëria renditet në vendin e 20-të, me një performancë solide dhe rreziqe të menaxhueshme.
Mali i Zi, në vendin e 21-të, konsiderohet një nga surprizat pozitive të indeksit, duke shënuar përmirësim të dukshëm krahasuar me vitet e kaluara.
Maqedonia e Veriut renditet e 26-ta, me një rënie të lehtë të ndikuar nga tensionet politike të brendshme dhe dobësitë institucionale.
Serbia renditet në vendin e 41-të, dukshëm më poshtë se vendet e tjera të rajonit. Raporti evidenton probleme serioze në proceset demokratike dhe në reziliencën ndaj dezinformimit, duke theksuar gjithashtu lidhjet e ngushta strategjike të Beogradit me Rusinë dhe Kinën, faktorë që rrisin ekspozimin ndaj presioneve gjeopolitike dhe kërcënimeve hibride. Bosnja dhe Hercegovina, në vendin e 54-të, mbetet ndër shtetet më të brishta në rajon, me institucione të dobëta dhe rrezik të vazhdueshëm destabilizimi.
Në nivel global, vendet e Bashkimit Evropian vazhdojnë të shfaqen më pak të rrezikuara se mesatarja botërore. Raporti vëren se Rusia dhe Kina kanë pësuar rënien më të madhe në profilin e sigurisë strategjike, ndërsa Shtetet e Bashkuara shënojnë një nga përmirësimet më të mëdha.
Mesatarja globale e Normandy Index për vitin 2025 është 5.79 nga 10, duke reflektuar një mjedis ndërkombëtar më të pasigurt krahasuar me vitet e mëparshme, por ende jo jashtë kontrollit.
Të dhënat janë publikuar nga hulumtuesi i lartë në Institutin Octopus për Studime të Luftës Hibride, Gurakuç Kuçi.
Gjykata Themelore në Mitrovicë, Dega në Skenderaj, ka shpallur aktgjykimin ndaj të pandehurit E.R., i cili është dënuar për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”, me pasojë vdekjen e tre personave.
Gjyqtari i vetëm gjykues, Leotrim Gashi, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, e ka shpallur fajtor E.R., sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë të datës 18 qershor 2025.
Vepra penale për të cilën është dënuar parashihet nga neni 370 paragrafi 9, lidhur me paragrafët 8 dhe 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, që parasheh dënim nga një deri në tetë vjet burgim.
Gjykata i ka shqiptuar të pandehurit dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë vjet e gjashtë muaj, si dhe dënim plotësues ndalim të drejtimit të automjeteve të kategorisë B për një periudhë prej dy vjetësh.
Ky ndalim do të fillojë të zbatohet pas përfundimit të vuajtjes së dënimit me burgim.
Sipas aktakuzës, më 26 janar 2025, rreth orës 18:45, në rrugën rajonale Mitrovicë–Pejë, në fshatin Qubrel të Komunës së Skenderajt, E.R. nga pakujdesia nuk e kishte përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës, duke shkelur dispozitat e Ligjit për Trafikun Rrugor. Si pasojë, ai kishte humbur kontrollin mbi automjetin, kishte kaluar në shiritin e kundërt dhe ishte përplasur me një veturë VW Golf IV.
Nga ky aksident kishin pësuar lëndime fatale A.G., G.G. dhe Z.G., ndërsa lëndime të rënda trupore kishte pësuar vetë i pandehuri, pasagjerët e tij D.E. dhe B.H., si dhe pasagjeri i veturës tjetër, fëmija L.G.
Arsyetimi i plotë i aktgjykimit pritet t’u dorëzohet palëve me vendimin e shkruar, ndërsa ndaj këtij aktgjykimi ekziston e drejta e ankesës brenda afatit ligjor, duke filluar nga dita e pranimit të tij.
Procesi i rinumërimit të votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të zgjasë edhe disa javë, ndërsa certifikimi i rezultateve përfundimtare mund të shtyhet deri në fund të shkurtit apo edhe në fillim të marsit, vlerëson Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).
Sipas Cakollit, me dinamikën aktuale të punës, KQZ-ja ka rinumëruar mesatarisht rreth 80 kuti votimi në ditë, duke operuar me rreth 20 tavolina numërimi në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
“Pas dyfishimit të kapaciteteve, KQZ-ja do të duhej tashmë të rinumërojë të paktën 150 kuti në ditë. Kjo nënkupton se për rinumërimin e plotë të të gjitha vendvotimeve do të nevojiten të paktën edhe deri në dy javë,” ka theksuar Cakolli.
Ai sqaron se pas përmbylljes së rinumërimit, fillojnë të rrjedhin afatet ligjore për ankesa lidhur me procedurat e administruara në QNR, të cilat mund të zgjasin deri në 12 ditë.
Sipas tij, brenda këtij afati, palët kanë 48 orë kohë për të parashtruar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ndërsa ky institucion ka tri ditë për të marrë vendim.
“Më pas, ekziston edhe afati tjetër 48-orësh për ankesë në Gjykatën Supreme, e cila ka deri në pesë ditë kohë për vendimmarrje,” ka sqaruar ai.
Cakolli thekson se vetëm pas shterimit të të gjitha këtyre procedurave dhe afateve ligjore mund të shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.
Edhe këto rezultate, sipas tij, mund të ankimohen, me afate të ngjashme si ato paraprake, çka në total mund ta zgjasë procesin edhe për rreth 13 ditë të tjera.
“Sipas të gjitha këtyre afateve, në skenarin më optimal, certifikimi i rezultateve mund të ndodhë gjatë mesit të muajit shkurt. Ndërsa në rastin më të keq, kjo mund të ndodhë në fund të shkurtit, apo edhe në fillim të marsit – në varësi të vendimmarrjes mbi ankesat potenciale,” ka përfunduar Cakolli.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), ka publikuar parashikimin e motit për javën e ardhshme, nga 19 deri më 23 janar 2026, duke paralajmëruar mot kryesisht të vranët, ngrica në orët e mëngjesit dhe vende-vende mjegull, me temperatura të ulëta në shumicën e territorit të vendit.
Sipas IHMK-së, gjatë javës do të ketë intervale të shkurtra me diell, ndërsa të enjten parashihen riga shiu në disa zona dhe fjolla bore në viset malore.
E hënë, 19 janar
Moti do të jetë i vranët me intervale me diell. Ngrica do të përfshijë gjithë territorin e Kosovës.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga -9 deri në -7 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga -1 deri në 3 gradë Celsius. Era do të fryjë kryesisht nga veriperëndimi me shpejtësi 1–3 m/s.
E martë, 20 janar
Parashikohet mot i vranët me intervale me diell. Në orët e mëngjesit priten mjegull dhe ngrica.
Temperaturat minimale do të jenë nga -9 deri në -7 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 1 deri në 5 gradë Celsius. Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1–4 m/s.
Sipas të dhënave për disa komuna për ditët 19 dhe 20 janar, temperaturat minimale dhe maksimale do të jenë:
Janë publikuar pamjet nga arrestimet dhe bastisjet e realizuara në 47 lokacione të ndryshme, në kuadër të hetimeve për keqpërdorimin e mbi 1 milion eurove në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BSK).
;Portali Kallxo ka sjell detaje nga përgatitja e aksionit të madh policor të zhvilluar më 8 janar 2026, i cili është shtrirë në gjashtë regjione të Kosovës, ku u arrestuan dhe u bastisën persona të dyshuar për përfshirje në këtë rast.
Po ashtu jepen informacione të detajuara se si mbi 1 milion euro janë transferuar nga llogaria e BSK-së në llogari të tjera bankare, si dhe shpjegohet mënyra se si janë mundësuar këto transfere dhe si ka funksionuar skema e dyshuar e keqpërdorimit të parave.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, flet për rrjedhën e hetimeve dhe konfirmon se ato janë zgjeruar edhe ndaj personave të tjerë të dyshuar, përveç atyre që tashmë janë arrestuar.
Rasti konsiderohet një nga hetimet më të mëdha financiare në Kosovë në vitet e fundit dhe pritet të ketë zhvillime të tjera në ditët në vijim.
Të gjitha qytetet e Kosovës mund të përfshihen në një proces të plotë rinumërimi të votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, varësisht nga gjetjet që po dalin nga procesi aktual i rinumërimit.
Rinumërimi i votave deri më tani ka sjellë ndryshime të konsiderueshme në numrin e votave të kandidatëve individualë, ku disa kanë përfituar e disa kanë humbur vota, megjithëse balanca mes partive politike ka mbetur pothuajse e pandryshuar.
Mospërputhjet më të theksuara janë evidentuar në komunën e Prizrenit, duke ngritur shqetësime serioze për keqnumërim gjatë procesit fillestar.
Pas rinumërimit në disa komuna, ndryshimet më të mëdha janë vërejtur te kandidatët e tri partive kryesore politike, veçanërisht në rajonin e Prizrenit, ku dallimet kanë qenë më të theksuara krahasuar me komunat e tjera.
A do të ketë rinumërim në të gjithë vendin?
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka deklaruar për KosovaPress se KQZ nuk e përjashton mundësinë e një vendimi të ri për rinumërim të vendvotimeve të tjera, në varësi të gjetjeve që dalin nga procesi aktual.
“Aktualisht, KQZ nuk ka marrë ndonjë vendim tjetër”, ka thënë Elezi, duke shtuar se çdo hap i radhës do të varet nga rezultatet dhe evidencat që dalin nga rinumërimi në komunat e përfshira.
Sipas vendimit të KQZ-së të datës 13 janar 2026, rinumërimi i plotë i votave është paraparë të zhvillohet në 10 komuna, ndërsa në 28 komuna të tjera do të rinumërohen vetëm 10 për qind e vendvotimeve të tyre.
Prokuroria: Janë evidentuar keqpërdorime të votave
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se, si institucion i Prokurorit të Shtetit, ka monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, tani që procesi i rinumërimit po i afrohet fundit, janë evidentuar keqpërdorime të dukshme të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike, veçanërisht në rajonin e Prizrenit.
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon rinumërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të përfshihen në këtë proces.
Mbi gjysma e vendvotimeve tashmë janë rinumëruar
Sipas të dhënave zyrtare, nga fillimi i këtij procesi e deri më tani janë rinumëruar rreth 56 për qind e vendvotimeve, apo 509 nga gjithsej 914 vendvotime të parashikuara për rinumërim.
Rinumërimi ka përfshirë komunat: Deçan (5/5), Gjakovë (15/15), Gllogoc (7/7), Gjilan (13/13), Dragash (57/57), Istog (6/6), Kaçanik (45/45), Klinë (6/6), Fushë Kosovë (6/6), Kamenicë (5/5), Mitrovicë e Jugut (10/10), Leposaviq (25/25), Lipjan (9/9), Novobërdë (2/2), Obiliq (3/3), Rahovec (8/8), Pejë (14/14), Podujevë (11/11), Prishtinë (26/26), Prizren (232/235) dhe Skënderaj (4/72).
Sipas KQZ-së, deri më tani rinumërimi është përmbyllur në 19 komuna. Më pas, procesi do të vazhdojë edhe në komunat e tjera, sipas radhës së përcaktuar./Telegrafi.
“Kërcënimi i Kërshëndellave” i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë një moment vendimtar për Kosovën dhe një nga dokumentet më të forta të politikës amerikane ndaj regjimit të Slobodan Millosheviqit, ka thënë shkrimtari dhe aktivisti Blerim Shala.
Në bashkëbisedimin në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Shala ka kujtuar se gjatë viteve 1991–1992 kishte kontakte intensive dhe të drejtpërdrejta të përfaqësuesve politikë shqiptarë me diplomacinë amerikane, përfshirë Departamentin e Shtetit, Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe Kongresin amerikan.
Sipas tij, në vjeshtën e vitit 1992, pala amerikane i kishte informuar se po përgatitej një vendim i jashtëzakonshëm për Kosovën, i cili do të materializohej në atë që u quajt më vonë “Kërcënimi i Kërshëndellave” – një kërcënim unilateral i SHBA-së ndaj Serbisë, pa u thirrur në NATO apo në ndonjë mekanizëm tjetër ndërkombëtar.
Shala theksoi se ky kërcënim nuk erdhi “nga qielli”, por ishte rezultat i analizave strategjike të institucioneve më të larta amerikane, si dhe i zhvillimeve të reja politike në Serbi, ku paraqitja e Milan Paniqit krijoi rrezik real për humbjen e pushtetit nga Millosheviqi.
Ai ka thënë se kishte presion të madh nga senatorë amerikanë që shqiptarët e Kosovës të merrnin pjesë në zgjedhjet e dhjetorit 1992 në Serbi, me arsyetimin se demokratizimi i Serbisë do të sillte rrethana më të favorshme për Kosovën. Megjithatë, sipas Shalës, pjesëmarrja në zgjedhje ishte jashtëzakonisht problematike dhe u refuzua.
Në këtë kontekst, ai theksoi se në vitin 1992 nuk kishte asnjë shenjë që shqiptarët e Kosovës po përgatiteshin për luftë, përkundrazi, shenjat tregonin se Millosheviqi mund ta niste një konflikt në Kosovë për të shmangur humbjen e pushtetit.
“Kërcënimi i Kërshëndellave” u cilësua nga Shala si brutal, sepse për herë të parë SHBA-ja paralajmëroi drejtpërdrejt se do të ndërhynte ushtarakisht nëse Serbia do të ishte përgjegjëse për shpërthimin e luftës në Kosovë. Sipas tij, ky mesazh e tronditi Millosheviqin dhe shërbeu si faktor frenues.
Ai shtoi se ky kërcënim u la si amanet nga presidenti George H. W. Bush dhe u rikonfirmua më pas nga administrata e Bill Clintonit, duke mbetur një dokument bazë i politikës amerikane ndaj Kosovës deri në fund të viteve ’90.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar sonte lidhur me manipulime të supozuara të votës në disa komuna, duke akuzuar struktura të caktuara për tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve në dëm të kandidatëve të rinj dhe reformues.
Në një postim në Facebook, Abdixhiku ka shkruar se vota nuk është marrë kandidatëve të rinj për shkak të gabimeve të tyre, por sepse janë të rinj, të pastër dhe nuk i përshtaten një politike të ndërtuar mbi interesa personale.
“Parisit, dhe jo vetëm atij, por dhe politikanëve tjerë të rinj, ua tjetërsuan votën. Jo sepse gabuan, por sepse janë të rinj, të pastër dhe nuk u përshtaten atyre që e kanë kthyer politikën në strehë interesi. Kur goditet një i ri në politikë, nuk goditet vetëm një emër; goditet ideja e një gjenerate që beson te e ardhmja. Mbi të gjitha, goditet reforma”, shkruan ai.
Abdixhiku ka theksuar se LDK, krahasuar me partitë e tjera, ka më së paku parregullsi, por pikërisht për këtë ka përgjegjësi të dyfishtë ndaj qytetarëve dhe reformës brenda partisë.
Ai ka paralajmëruar se pas mbajtjes së Kuvendit të LDK-së do të ketë pasoja konkrete për ata që kanë cenuar procesin zgjedhor, jo vetëm në aspektin ligjor dhe publik, por edhe përgjegjësi politike brenda partisë.
“Prandaj, pasoja do të ketë. Për to, na prisni pas Kuvendit. Përtej turpit publik dhe ligjit të Republikës, do të ketë edhe përgjegjësi politike brenda shtëpisë sonë”, ka shkruar Abdixhiku.
Kreu i LDK-së ka kërkuar gjithashtu veprim të menjëhershëm nga institucionet e drejtësisë, duke theksuar se çdo shkelës i ligjit duhet të marrë përgjigjen e merituar.
“Përgjegjësi sipas ligjit, burg, për këdo që ka cenuar votën e lirë. Komisionerët manipulues kanë emra. Dihen të gjithë. Jepuni atyre dhe porositësve përgjigjen pa hezitim”, ka shkruar ai.
Në përfundim, Abdixhiku ka kërkuar rinumërim të plotë të çdo kutie në çdo qytet, duke theksuar se vota nuk duhet të tjetërsohet dhe duhet të mbrohet.
“Dhe për të hequr çdo dyshim, KQZ duhet të sigurojë rinumërim të plotë të çdo kutie në çdo qytet. Le të inkurajohen ata që kanë vlerësuar mirë, të zbulohen ata që kanë vjedhë. Vota nuk tjetërsohet. Vota mbrohet”, ka përfunduar kryetari i LDK-së.
Njëri nga ekspertët e politikave në Ballkanin Perëndimor, Dushan Janiq, ka thënë që në mars ose prill Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të paraqesin një dokument për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka shtuar se dokumenti në fjalë nuk do të jetë non-paper, dhe kjo i ka frikësuar serbët.
“Pra, në muajin prill, më së largu në muajin maj, është prezantuar draft-marrëveshja për njohjen reciproke nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka deklaruar Janiqi në podkestin DLZ.
“Le të më sqarojë dikush, edhe pse nuk duhet të më sqarojë asgjë, sepse kam biseduar me Gjuriqin dhe kurrë më…”.
“Çfarë kanë bërë administrata, e kush është ministri i Punëve të Jashtme? Çfarë ka bërë ai në Uashington nëse nuk e ka në duar këtë tekst që po bëhet një kohë të gjatë?”
“Po ju them që në muajin mars ose prill do të prezantohet dokumenti, prandaj ata po frikësohen, sepse kur kemi zgjedhur mënyrën e emërimit e kemi quajtur non-paper”.
“Ata frikësohen nga kjo sikur gjarpri kur e sheh bretkosën. Kjo nuk do të jetë non-paper dhe po punohet seriozisht në pikat më të larta. E njëra prej pikave është njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas artikullit të publikuar nga Bloomberg, i cili u shpërnda gjerësisht në mediat shqiptare, duke i cilësuar si të pavërteta pretendimet se Shqipëria do të paguajë 1 miliardë dollarë për të qenë pjesë e Bordit të Paqes të presidentit amerikan Donald Trump.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Rama ka mohuar gjithashtu zërat se palestinezët do të vendosen në Shqipëri, duke i quajtur këto raportime “gënjeshtra”.
“Tenxheret politike e mediatike të mexhelisit tonë janë teneqera të zhurmshme të Shqipërisë së vjetër”, ka shkruar Rama, duke shtuar se ajo që po ndërtohet sot është “një Shqipëri tjetër, e dinjitetshme ndërkombëtarisht dhe e respektuar botërisht”.
Kryeministri ka theksuar se për të personalisht rëndësi ka vetëm besimi i shumicës së shqiptarëve, të cilët, sipas tij, e kanë mbajtur katër herë në krye të shtetit, si dhe respekti i liderëve ndërkombëtarë dhe evropianë, të cilin e sheh si mjet për të nderuar dhe lartësuar Shqipërinë.
Në reagimin e tij të plotë, Rama ka renditur disa pretendime që i ka cilësuar si të pavërteta, përfshirë atë se në Bordin e Paqes janë ftuar të gjitha shtetet e OKB-së, se Shqipëria do të paguajë 1 miliardë euro dhe se palestinezët do të vijnë në Shqipëri.
Sipas Ramës, e vërteta është shumë më e thjeshtë sesa ajo që, sipas tij, prodhohet nga “mllefi i injorancës dhe inati i ligësisë”, sidomos në raste kur Shqipëria nderohet në arenën ndërkombëtare.
“Ky është një moment i jashtëzakonshëm i Shqipërisë, ku tërbimi i tenxhereve thjesht na siguron se sa më shumë lehin qentë, aq më përpara është duke shkuar karvani”, ka përfunduar Rama.
Një gjest shembullor qytetar është shënuar në Ferizaj, ku një qytetar ka gjetur një portofol me para dhe dokumente personale dhe e ka dorëzuar menjëherë në Polici.
Sipas njoftimit, më 18 janar 2026, rreth orës 16:00, qytetari A. Rexhepi, 32 vjeç nga Ferizaj, në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, përkatësisht në parkingun e “Viva Fresh Store”, ka gjetur një portofol që përmbante para dhe dokumente personale.
Në portofol ndodheshin 1,133.50 euro, 10 franga zvicerane, 5 dollarë amerikanë, si dhe dokumente personale në emër të B. Ç., 29 vjeçe. Pas identifikimit, pronarja e portofolit është kontaktuar nga Policia dhe është paraqitur në Stacionin Policor në Ferizaj, ku i janë kthyer të gjitha paratë dhe dokumentet.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka falënderuar qytetarin A. Rexhepi për veprimin e tij human dhe shembullor, duke vlerësuar lart ndershmërinë dhe përgjegjësinë e tij qytetare.