Aquafade mund të jetë zgjidhja për të kapërcyer problemin e mbetjeve plastike nga pajisjet elektronike. Është një material plastik i tretshëm që shpërbëhet plotësisht brenda gjashtë orëve kur vendoset në ujë.
Ai mund të përdoret për të mbështjellë pajisjet elektronike si kompjuterët apo tastierat dhe të tretet kur pajisja nuk duhet më duke lehtësuar riciklimin ose ripërdorimin e elementëve më të vlefshëm dhe duke pakësuar mbetjet elektronike.
“Ne zbuluam një material që është si ngjitës, quhet PVOH ose alkool polivinil. Një ngra kriteret është që duhet të jetë i sigurt si produkt ushqimor, nëse fëmijët e lëpijnë, duhet të jetë plotësisht i biodegradueshëm në sistemin e tubacioneve”, tha Samuel Wangsaputra.
Sfida ishte te krijimi i një mbulese kundër ujit që mund të shpërbëhet, por edhe shumë rezistente.
Shtresa, gjithashtu e prodhuar nga një polimer plastik, aplikohet vetëm në pjesën e jashtme duke e bërë produktin kundër ujit deri në 5 metra për 30 minuta duke mbuluar kështu rastet e ndonjë incidenti apo në mot të lagësh.
“Por nëse heq vetëm një vidë, kjo krijon rrjedhje. Më pas e fut në ujë. Pas 5-6 orësh, do të tretet dhe ajo që mbetet është ujë i bardhë dhe pjesët më të vlefshme të pajisjes elektronike.”
Uji thjesht mund të derdhet në lavaman apo tualet dhe dekompozohet në sistemin e tubacioneve.
Zbatimi i parë në rang komercial i Aquafade mund të jetë shtresa mbështjellëse e shiritave të dorës me LED që përdoren në koncerte.
Momentalisht, Aquafade kushton sa dyfishi i plastikës që synon të zëvendësojë. Por kjo kosto i shtohet totalit me 5-10% dhe prodhimi në masë do të ulë çmimin./KM
Takimi i tyre mund të zhvillohet në Ditën e Shën Valentinit, por gjithçka tjetër pritet të jetë larg romantikës! Danimarka dhe Shtetet e Bashkuara, marrëdhëniet e të cilave janë më të ftohta se asnjëherë më parë, do të përballen muajin e ardhshëm në një ndeshje hokeji mbi akull.
Sipas programit zyrtar, një javë pas nisjes së Lojërave Olimpike Dimërore Milano–Cortina në Itali, përfaqësuesja e Danimarkës, e njohur si “Luanët Danezë”, do të luajë kundër ekipit amerikan në një ndeshje të raundit paraprak, më 14 shkurt, në arenën e hokejit në Santagiulia të Milanos.
Marrëdhëniet dypalëshe diplomatike janë tensionuar deri në pikën e thyerjes nga përpjekjet agresive të Donald Trump për të marrë kontrollin e Groenlandës, territor gjysmë-autonom që i përket Mbretërisë së Danimarkës. Presidenti amerikan ka deklaruar se ishullin do ta marrë “një mënyrë ose një tjetër”.
Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, e ka kritikuar ashpër atë që e quajti “presion krejtësisht të papranueshëm” nga SHBA-të, duke theksuar se “kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë dhe vendet e vogla nuk duhet të kenë frikë nga vendet e mëdha”.
Trump i ashpërsoi më tej qëndrimet gjatë fundjavës, duke kërcënuar me vendosjen e tarifave të reja ndaj tetë vendeve evropiane, përfshirë Danimarkën, nëse ato nuk do të hiqnin dorë nga kundërshtimet ndaj planeve të tij. Po ashtu, ai i tha kryeministrit të Norvegjisë se SHBA-ja kishte nevojë për “kontroll të plotë dhe total mbi Groenlandën”.
Dhjetëra mijëra qytetarë danezë, së bashku me grenlandezë, dolën të shtunën në protesta në mbarë mbretërinë kundër ambicieve territoriale të presidentit amerikan për ishullin arktik. Ata mbanin pankarta me mbishkrime si “Duart larg Groenlandës dhe “Groenlanda nuk është në shitje”.
Hokeji mbi akull, një sport i shpejtë dhe fizik, ku tensionet shpesh shpërthejnë, nuk është i panjohur për përballje me ngarkesë politike. Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 1980 shënuan të ashtuquajturin “Mrekullia mbi Akull”, kur një ekip i ri dhe kryesisht amator i SHBA-së mposhti Bashkimin Sovjetik, kampionin në fuqi me katër medalje ari radhazi.
Sporti dhe diplomacia janë përplasur shpesh, si në ndeshjen e famshme të polo-s në ujë mes Hungarisë dhe Bashkimit Sovjetik në Lojërat Olimpike të Melburnit më 1956, kur ekipi hungarez mori vesh për pushtimin e Budapestit nga tanket sovjetike.
Dy ekipet u takuan në gjysmëfinale, ku Hungaria fitoi 4-0 pas një ndeshjeje të dhunshme dhe të tensionuar, e shënuar nga goditje, gërvishtje dhe grushte nga të dyja palët. Pesë lojtarë u përjashtuan dhe takimi hyri në histori si ndeshja “Gjak në Ujë”.
Shtetet e Bashkuara kryesojnë renditjen botërore të hokejit mbi akull për vitin 2025 dhe konsiderohen ndër favoritët e turneut. Danimarka, e cila merr pjesë në garat olimpike të hokejit për meshkuj vetëm për herë të dytë, renditet e teta dhe shihet gjerësisht si skuadër më pak e favorizuar.
Rëndësia e turneut është rritur edhe nga përfshirja e lojtarëve të Ligës Kombëtare të Hokejit të Amerikës së Veriut (NHL) për herë të parë që nga viti 2014, çka do të thotë se shumë nga lojtarët më të mirë në botë, përfshirë disa danezë do të jenë pjesë e garës.
Hokejisti danez Nikolaj Ehlers, i cili luan për Carolina Hurricanes në NHL, e cilësoi pjesëmarrjen si “një moment krenarie” dhe tha se “do të jetë shumë argëtuese”. Ndërsa bashkëkombësi i tij, Mads Søgaard nga Ottaëa Senators, u shpreh se ishte “krenar të përfaqësonte vendin e tij”.
Ehlers shtoi se synimi i Danimarkës është “të bëjë gjithçka që mundet dhe të luftojë fort”, duke theksuar se “nëse e bëjmë këtë, gjërat e mira do të vijnë”. Asnjëri prej lojtarëve nuk komentoi për ndonjë ndjesi politike lidhur me përballjen ndaj SHBA-së./K.M
Përpara festave të nëntorit, vitin e kaluar, Korporata e Investimeve Shqiptare hapi zyrtarisht procedurën konkurruese për zgjedhjen e partnerit privat që do të marrë përsipër rivitalizimin e Pallatit të Kongreseve dhe ndërtimin e një godine të re multifunksionale në truallin ngjitur, që parashikohet të jetë një kullë në lulishten që ndodhet aktualisht pas Pallatit të Kongreseve. Bëhet fjalë për një nga projektet më simbolike dhe më të ndjeshme urbanisht në kryeqytet, jo vetëm për shkak të vendndodhjes në një zonë të lakmuar, por edhe për ndërthurjen mes trashëgimisë kulturore, interesit publik dhe zhvillimit imobiliar.
Por më 19 Janar, pa shumë bujë dhe vetëm përmes një postimi në “story” në Facebook, Korporata njoftoi shtyrjen e afatit për pranimin e propozimeve nga 26 Janar 2026 në 16 Shkurt 2026. Kjo shtyrje afati nënkupton se interesi i privatit ka qenë i vakët, duke vënë kështu në rrezik dështimi të vetmen thirrje të Korporatës në seksionin e “thirrjeve të hapura”.
Dy site, një projekt: monument kulture dhe “kullë” shumëfunksionale
Ekofin raportoi në nëntor, pasi konsultoi dokumentat e konkursit dhe se zona është e ndarë në dy “site”. I pari është vetë Pallati i Kongreseve, me truall 11,740 metra katrorë dhe një sipërfaqe ekzistuese ndërtimi prej 5,604.8 metra katrorë. Ky objekt, i ndërtuar në vitet 1982–1986 dhe i shpallur Monument Kulture i Kategorisë II, është jo vetëm skenë qendrore për kongrese, festivale dhe evente shtetërore, por edhe një nga shembujt më domethënës të arkitekturës monumentale të asaj periudhe.
I dyti është trualli për sipërmarrje në kufi me Pallatin, me një sipërfaqe totale 4,760 metra katrorë, i përbërë nga parcelat 7/74 dhe 7/88 në zonën kadastrale 8160. Pikërisht këtu parashikohet ndërtimi i një objekti të ri multifunksional me përdorim të përzier, ku mund të ndërthuren funksione akomodimi, biznesi, zyra, tregti, shërbime dhe parkim nëntokësor. Sipërfaqja maksimale e lejuar ndërtimore mbi tokë është 50,000 metra katrorë, ndërsa minimumi 40,000 metra katrorë, duke e pozicionuar projektin në kategorinë e zhvillimeve të mëdha urbane.
Dy strukturat – Pallati ekzistues dhe godina e re – duhet të funksionojnë në mënyrë të pavarur, secila me identitetin e vet, por në harmoni arkitektonike dhe funksionale. Sfida për projektuesit është që ndërtimi i ri të mos “mbytë” apo relativizojë siluetën e Pallatit të Kongreseve, por ta theksojë dhe ta vërë në dukje si pikë reference në një ansambël të ridimensionuar.
Modeli i sipërmarrjes: rivitalizim pa barrë direkte në buxhet
Kuadri ligjor mbi të cilin mbështetet projekti është vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 137, datë 06.03.2024, që rregullon përdorimin e pronës shtetërore nëpërmjet qirasë, enfiteozës, leasing apo partneriteteve të tjera publike-private, si dhe vendimi nr. 503, datë 10.09.2025, që transferon pronat shtetërore te Korporata e Investimeve Shqiptare për realizimin e projektit.
Në termat praktikë, kjo do të thotë se financimi i rivitalizimit të Pallatit të Kongreseve nuk planifikohet si investim klasik buxhetor, por si pjesë e një pakete që “shlyhet” përmes zhvillimit imobiliar të truallit ngjitur. Partneri privat do të investojë në restaurimin dhe modernizimin e monumentit dhe, në këmbim, do të marrë një pjesë të caktuar të sipërfaqes së zhvillimit në godinën e re multifunksionale.
Kriteri bazë financiar është i qartë: pjesa takuese e Korporatës nuk mund të jetë më pak se 45 për qind e sipërfaqes totale të zhvillimit në objektin multifunksional. Fituesi, megjithatë, duhet të ofrojë përqindjen më të lartë mbi këtë prag minimal. Sa më e lartë të jetë pjesa që i mbetet Korporatës, aq më “i shtrenjtë” konsiderohet kontributi i partnerit privat në rivitalizimin e Pallatit dhe aq më e favorshme llogaritet marrëveshja për palën publike.
Procedurë në dy faza me konkurs ndërkombëtar arkitekturor
Përzgjedhja e partnerit privat bëhet përmes një procedure konkurruese me pikëzim, të strukturuar në dy faza dhe tre zarfa. Në fazën e parë, të kualifikimit, subjektet e interesuara dorëzojnë dokumentacionin ligjor e profesional, si dhe dy projekt-ide paraprake arkitekturore. Këto projekt-ide vlerësohen në bazë të Termave të Referencës të përgatitura nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, e cila garanton edhe standardin teknik dhe urbanistik të konkursit.
Nga kjo fazë përzgjidhen pesë kandidatë të renditur të parët, të cilët konsiderohen të kualifikuar. Ata jo vetëm duhet të kenë projekt-ide të vlerësuara arkitektonikisht, por edhe të marrin përsipër një sërë detyrimesh paraprake: të financojnë shpenzimet e konkursit ndërkombëtar, të paguajnë vlerën e projektit të detajuar arkitekturor të koncept-idesë fituese, të sigurojnë ambiente pune provizore për institucionet publike që sot ndodhen në truall, të përballojnë taksat e tarifat e lejeve të zhvillimit dhe ndërtimit, të mbulojnë kostot e regjistrimit të pronave të reja dhe të Korporaës, si dhe të garantojnë zhvillimin e vetë projektit të Rivitalizimit të Pallatit të Kongreseve nga pjesa takuese e Korporatës në godinën e re.
Vetëm këta pesë kandidatë ftohen në fazën e dytë, ku dorëzojnë një propozim të plotë të ndarë në dy zarfa: zarfi i parë përmban projekt-idetë arkitekturore të detajuara, ndërsa i dyti ofertën financiare. Vlerësimi kryhet në dy etapa në kuadër të një konkursi të hapur publik, në prani të një jurie ndërkombëtare, çka synon t’i japë procesit transparencë, kredibilitet profesional dhe një dimension konkurrues mbi standardin mesatar të tregut lokal.
Si përcaktohet fituesi: arkitektura dhe matematika e metro katrorëve
Formula e përzgjedhjes së fituesit është e dyfishtë. Fillimisht, juria vlerëson projekt-idetë arkitekturore dhe jep çmimet për pesë projektet e para, duke renditur konceptet më të mira nga pikëpamja e respektimit të trashëgimisë, integrimit urban, funksionalitetit dhe qëndrueshmërisë. Më pas, në etapën e dytë, në lojë hyn oferta financiare, ku çelësi është përqindja e sipërfaqes që partneri privat i ofron Korporatës mbi kriterin bazë 45 për qind.
Kontrata i jepet kandidatit që arrin të kombinojë dy elemente: të vlerësohet me çmimin e parë për projekt-idenë arkitekturore dhe, njëkohësisht, të ketë ofertën më të favorshme financiare mbi kriterin bazë, në terma të sipërfaqes së zhvillimit që i kalon palës publike. Praktikisht, kërkohet që cilësia arkitekturore dhe interesi publik në formën e pjesës takuese të shtetit në objektin e ri të jenë të balancuara.
Në kontratë formalizohet edhe detyrimi që, me kërkesë të Korporatës, fituesi të sigurojë zhvillimin e projektit të Rivitalizimit të Pallatit të Kongreseve sipas projekt-idesë fituese, ku vlera e këtij projekti mbulohet nga pjesa takuese e Korporatës në zhvillimin e ri multifunksional. Në teori, kjo krijon një mekanizëm ku monumenti përfiton një cikël të plotë restaurimi e modernizimi, i “paguar” nga të ardhurat e gjeneruara nga zhvillimi imobiliar i truallit ngjitur.
Pritshmëritë dhe pikëpyetjet: midis interesit publik dhe tregut
Nga perspektiva e politikës urbane dhe financave publike, ky model synon të marrë maksimumin nga një aset strategjik shtetëror: të ruajë një monument, ta bëjë atë funksional sipas standardeve bashkëkohore për konferenca, evente hibride dhe aktivitete kulturore, të krijojë hapësira pune moderne për administratën dhe, në të njëjtën kohë, të gjenerojë funksione ekonomike të qëndrueshme përmes godinës së re multifunksionale.
Megjithatë, pyetjet që ngrihen janë tipike për çdo projekt të kësaj natyre: sa do të mbizotërojë logjika e zhvillimit imobiliar ndaj kujdesit për trashëgiminë? A do të arrijë konkursi ndërkombëtar të prodhojë një zgjidhje të rafinuar arkitekturore, që e sheh Pallatin e Kongreseve jo si pengesë, por si vlerë qendrore të projektit? A do të jetë pjesa takuese e Korporatës realisht në proporcion me vlerën që po krijohet dhe me detyrimet që merr përsipër partneri privat?/K.M
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do të nisë një konsultim mbi një ndalim të mundshëm të përdorimit të mediave sociale nga fëmijët nën 16 vjeç, duke ndjekur modelin australian. Edhe pse kryeministri britanik Keir Starmer fillimisht kundërshtoi një ndalim të përgjithshëm për fëmijët nën 16 vjeç, linja e qeverisë ka filluar të ndryshojë ditët e fundit, me ministrat që tani njoftojnë zyrtarisht nisjen e një konsultimi mbi një kuadër rregullator më të rreptë.
Konsultimi do të shqyrtojë, ndër të tjera, nëse pragu i pëlqimit dixhital duhet të rritet, si mund të përmirësohet saktësia e teknologjive të verifikimit të moshës dhe nëse veçoritë që përforcojnë sjelljet varësisë, të tilla si “vijat” dhe lëvizja pafund e përmbajtjes, duhet të hiqen ose të kufizohen.
Lëvizja e qeverisë vjen përpara një votimi në Dhomën e Lordëve mbi një amendament të paraqitur nga ish-ministri konservator i arsimit, Lord Nass. Amendamenti do të kërkonte që platformat e mediave sociale të zbatojnë sisteme “shumë efektive” të kontrollit të moshës për të parandaluar aksesin nga fëmijët nën 16 vjeç.
Një deputet laburist tha se do të ishte e pamundur që udhëheqja të impononte disiplinë partiake mbi amendamentin, pasi kjo mund të çonte në një tjetër rebelim të brendshëm, të ngjashëm me atë për përfitimet sociale.
Lord Nash kritikoi iniciativën e qeverisë, duke thënë se ajo “nuk ofron asgjë thelbësore” për qindra mijëra prindër, mësues, mjekë, policë dhe ekspertë të sigurisë kombëtare që po bëjnë thirrje për rritjen e kufirit të moshës.
“Sa më shumë të vonojmë, aq më shumë fëmijë i lëmë të ekspozuar”, tha ai, duke i nxitur Lordët të mbështesin amendamentin e tij.
Ministrja e Teknologjisë Liz Kendall tha se qeveria synon të shkojë përtej kuadrit aktual të Aktit të Sigurisë Online, duke theksuar se shqetësimet e prindërve mbeten të forta.
“Ne duam që teknologjia të pasurojë jetën e fëmijëve, jo t’u shkaktojë atyre dëm”, tha ai, duke shtuar se qëllimi është të sigurohet që çdo fëmijë “të ketë fëmijërinë që meriton”.
Ndërkohë, Departamenti i Arsimit po forcon udhëzimet e tij mbi përdorimin e telefonave celularë në shkollat në Angli, duke sqaruar se ato duhet të funksionojnë si “hapësira pa celularë”, megjithatë pa vazhduar me një ndalim legjislativ.
Ofsted tani do të shqyrtojë nëse shkollat po i zbatojnë në mënyrë efektive politikat e tyre për telefonat celularë, si pjesë e inspektimeve të tyre të sjelljes.
Sipas të dhënave nga departamenti, 99.9% e shkollave fillore dhe 90% e shkollave të mesme dhe të larta tashmë kanë një politikë përkatëse, megjithatë, 58% e nxënësve të shkollave të mesme deklarojnë se telefonat celularë përdoren pa leje në mësime, një përqindje që arrin në 65% për 14-16 vjeçarët./K.M
Mblidhet sot Byroja e Kuvendit, ku do të shqyrtohet ankimi i deputetëve të Partisë Demokratike lidhur me përjashtimin e tyre nga seancat plenare. Mësohet se mbledhja do të mbahet në orën 11:00.
Sakaq, përmes një shkrese, firmosur nga anëtari i grupit parlamentar të PD-së, Belind Këlliçi, kërkohet që mbledhja të jetë e hapur për mediat.
“I Nderuar Z. Kryetar, Në cilësinë e anëtarit të Byrosë së Kuvendit, në kuadër të transparencës dhe interesit të opinionit publik, si dhe ndjeshmërisë së çështjeve për diskutim, kërkoj që mbledhja e sotme e Byrosë së Kuvendit, në orën 11:00, të zhvillohet me praninë e mediave dhe gazetarëve. Duke ju falënderuar për bashkëpunimin.”, sqarohet në kërkesë, drejtuar kryeparlamentarit Niko Peleshi./K.M
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu priti në një takim homologun e tij belg Theo Francken, i cili zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë.
Gjatë takimit, mësohet se dy ministrat diskutuan mbi forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në fushën e Mbrojtjes, me fokus të veçantë në stërvitjet e përbashkëta, rritjen e ndërveprimit operacional dhe zhvillimin e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes. Këto elemente konsiderohen thelbësore për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe për forcimin e sigurisë rajonale.
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu vlerësoi partneritetin me Belgjikën dhe rolin e saj si aleate e besueshme në kuadër të NATO-s, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me vendet mike dhe aleate:
“Kënaqësi të prisja në Tiranë homologun belg Theo Francken, një mik i vyer i vendit tonë. Me Belgjikën po punojmë për të thelluar bashkëpunimin në stërvitje të përbashkëta, ndërveprim operacional dhe industrinë e mbrojtjes, si pjesë e përpjekjes për të rritur kapacitetet tona dhe sigurinë rajonale”, – u shpreh ministri Vengu.
Në këtë takim u ritheksua se thellimi i partneritetit me aleatët mbetet një prioritet strategjik për Shqipërinë, në funksion të stabilitetit, sigurisë rajonale dhe perspektivës europiane të vendit./K.M
Qepa, një nga perimet më të vjetra të kultivuara nga njerëzimi, nuk është vetëm një përbërës i zakonshëm në kuzhinë, por ka edhe vlera të shumta shëndetësore. Historia tregon se egjiptianët e konsideronin qepën simbol të përjetësisë për shkak të formës së saj rrethore. Sot, shkenca po zbulon se kjo perime mund të ofrojë përfitime të ndryshme për trupin.
Përveç se ka pak kalori, qepa është e pasur me ujë dhe vitaminë C, duke e bërë një ushqim ideal për forcimin e sistemit imunitar. Përmbajtja e saj sulfurike i jep aromën karakteristike dhe mund të ndihmojë në uljen e tensionit të gjakut dhe mbrojtjen e zemrës. Studimet sugjerojnë gjithashtu se disa përbërës aktivë të qepës, si kurcetina dhe fitokimikatet, mund të ofrojnë mbrojtje ndaj disa formave të kancerit.
Eksperimentet e hershme tregojnë se qepa mund të ndihmojë edhe në parandalimin e rënies së flokëve, kontrollin e sheqerit në gjak tek personat me diabet dhe reduktimin e peshës tek individët mbipeshë ose obezë. Aplikimi i ekstrakteve të qepës në lëkurë mund të zvogëlojë celulitin dhe shenjat e lindjes. Për më tepër, qepa është përdorur tradicionalisht për përmirësimin e gjendjeve si astma, bronkiti, dhimbjet e stomakut, ftohja dhe inflamacioni në fyt.
Megjithatë, ekspertët këshillojnë se nevojiten më shumë studime për të konfirmuar efektet e saj të plota dhe për të kuptuar mënyrat më të sigurta dhe efektive të përdorimit. Megjithatë, qepa mbetet një aleat i shëndetit që mund të shtohet në dietën e përditshme pa frikë./KM
Zbardhen detaje nga tragjedia që i mori jetën rreth 40 personave në Spanjë. Një çarje prej më shumë se 30 centimetra në shinën e djathtë, në kilometrin 318.7 të linjës së shpejtësisë së lartë Madrid–Andaluzi, është bërë fokusi kryesor i hetimeve paraprake për aksidentin e rëndë hekurudhor që ndodhi të dielën në zonën Adamuth, në Kordobë. Aksidenti përfshiu një tren të kompanisë private Iryo, që udhëtonte drejt Madridit, dhe një tren Alvia të Renfe, i cili po lëvizte në drejtim të kundërt. Deri tani, bilanci tragjik ka arritur në 40 viktima, duke e bërë këtë ngjarje aksidentin hekurudhor më të rëndë në Spanjë në vitet e fundit.
Sipas hetimeve, megjithëse përplasja ballore ishte shkaku i drejtpërdrejtë i numrit të lartë të viktimave, autoritetet po përqendrohen në arsyet që çuan në daljen nga shinat të trenit Iryo, e cila solli më pas përplasjen fatale. Ministri spanjoll i Transportit, Óscar Puente, e cilësoi incidentin si “të çuditshëm”, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për një aksident tipik hekurudhor. Të dielën pasdite, vagonët 6, 7 dhe 8 të trenit Iryo Frecciarossa 1000 dolën nga shinat ndërsa treni po udhëtonte me mbi 200 km/orë në një seksion të drejtë të linjës në Adamo. Vagonët e fundit kaluan në shinën e kundërt dhe u përplasën me trenin Renfe Alvia, i cili ishte nisur nga stacioni Atocha në orën 18:05, me një shpejtësi rreth 205 km/orë.
Shoferi i trenit Alvia kishte vetëm 20 sekonda për të reaguar, duke e bërë përplasjen të pashmangshme. Lokomotiva dhe vagonët e parë të Alvia përfunduan në një shpat aty pranë, ndërsa treni Iryo u ndal në kilometrin 317.6, me disa vagonë të përmbysur dhe shinat midis dy trenave të shkatërruara plotësisht. Gjatë ekzaminimeve paraprake, hetuesit gjetën një shinë të thyer dhe traversa të dëmtuara në një pikë specifike të linjës. Sipas vlerësimeve teknike, çarja mbi 30 centimetra mund të ketë ardhur nga saldimi i dëmtuar ose nga një defekt që është përkeqësuar me kalimin e kohës për shkak të trafikut të trenave të rëndë dhe kushteve atmosferike. Burime pranë hetimit e cilësojnë këtë si një “shkak veçanërisht të mundshëm të daljes nga shinat”.
Ndërkohë, Adif, menaxheri i infrastrukturës hekurudhore, ka nisur kontrolle tejzanore për të përcaktuar nëse defekti ishte paraekzistues apo u shkaktua si pasojë e daljes nga shinat. Pyetja nëse çarja ishte shkak apo pasojë e aksidentit është thelbësore për përcaktimin e përgjegjësive penale dhe civile, si për menaxhimin e infrastrukturës ashtu edhe për operatorin e trenit. Presidenti i Iryo-s, Carlos Bertomeu, e përshkroi ngjarjen si një “aksident të pazakontë”, duke theksuar se treni po lëvizte në një vijë të drejtë, me shpejtësi brenda parametrave të projektimit. Ai shtoi se Frecciarossa 1000 është një tren i teknologjisë së fundit, më pak se tre vjeç, me mirëmbajtje të rregullt dhe me një inspektim të fundit të kryer më 15 qershor në punishten Santa Catalina në Madrid./K.M
Karol G dhe Feid, një nga çiftet më të fuqishme dhe më të dashura të muzikës latine, i kanë dhënë fund lidhjes së tyre pas tre vitesh. Pas muajsh spekulimesh nga fansat, ndarja është konfirmuar nga TMZ, ku thuhet se gjithçka ka ndodhur në mënyrë miqësore dhe pa drama.
Burime pranë çiftit kanë bërë të ditur se artistët kolumbianë e kanë përfunduar lidhjen “në heshtje” disa muaj më parëdhe se vazhdojnë të jenë në marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin. Dyshimet për ndarjen kishin nisur që në tetor 2025, kur fansat vunë re se Karol G dhe Feid nuk postonin më foto së bashku në rrjetet sociale që nga muaji maj.
Edhe pse ata u panë për herë të fundit së bashku me pushime në korrik, kjo duket të ketë qenë paraqitja e fundit publike e çiftit. Megjithatë, të dy vazhdojnë ta ndjekin njëri-tjetrin në Instagram.
Karol G dhe Feid e kanë mbajtur gjithmonë lidhjen e tyre larg vëmendjes mediatike. Karol ka treguar më herët për Rolling Stone se fillimisht nuk kishin shumë kontakt me njëri-tjetrin. Marrëdhënia e tyre u konfirmua publikisht në qershor 2023, kur u fotografuan duke u mbajtur për dore në Miami.
Si çift dhe bashkëpunëtorë muzikorë, ata lanë gjurmë me këngë si “FRIKI”, “+57” dhe “Verano Rosa”, kjo e fundit e publikuar në qershor 2025. Në një intervistë për USA Today, Karol G e kishte quajtur Feid një “bekim” në jetën dhe karrierën e saj./KM
Një tërmet me magnitudë 4 ballë të shkallës Rihter u regjistrua mëngjesin e së martës, më 20 janar, në rajonin e Lakonisë, në Greqi.
Sipas të dhënave paraprake sizmologjike, thellësia fokale e tërmetit ishte rreth 22.6 kilometra, ndërsa epiqendra e lëkundjes u lokalizua 117 kilometra në jug-jugperëndim të Gerolimenas, në Lakoni.
Deri më tani nuk raportohet për dëme materiale apo persona të lënduar, ndërsa autoritetet vijojnë monitorimin e situatës. Lëkundjet janë ndjerë lehtë edhe në zonat përreth./K.M
Deputeti i PD-së Saimir Korreshi ka komentuar zhvillimet e fundit politike në seancën e djeshme parlamentare, e cila ndonëse ishte e para për vitin 2026, u shoqërua me debate të ashpra.
I ftuar në emisionin Kafe Shqeto, Korreshi u shpreh se seanca ishte e turpshme. Ai shthuri fjalorin duke u shprehur se, sallës i vinte era m*t.
“Ka qenë një seancë e turpshme, asaj salle dje i vinte era m*t”, tha deputeti.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në fjalën e mbajtur në Kuvend i ka bërë ultimatum opozitës se nëse nuk merr pjesë javën e ardhshme në komisionet për Territorialen dhe atë Zgjedhore do të ketë ndryshime.
Balla tha se opozita është e mirëpritur në komisione, por nëse nuk paraqiten do të bëhen ndryshime pasi nuk ka më kohë për të humbur.
Numri i të vdekurve nga aksidenti hekurudhor i së dielës në Spanjë ka arritur në 41. Bilanci i të plagosurve është 122, nga të cilët 41 janë në spital.
Në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Cordoba, janë kryer 23 autopsi. Një total prej 27 mjekësh ligjorë po marrin pjesë në to. Identifikimet po kryhen duke përdorur gjurmët e gishtërinjve. Deri më tani janë identifikuar 7 prej tyre, raporton RTVE.
Përveç kësaj, Garda Civile ka ngritur pesë pika në Madrid, Kordoba, Sevilje, Huelva dhe Malaga për mbledhjen e mostrave të ADN-së.
Vijojnë punimet për nxjerrjen e trupave të tre personave që kanë mbetur të bllokuar brenda njërit prej vagonëve të trenit Alvia, në të cilët ende nuk është arritur të hyhet dhe pritet të fillojnë punimet me makineri të rëndë për të larguar vagonët.
Një tren i kompanisë Iryo, që mbulonte linjën Malaga–Madrid me 317 persona në bord, doli nga shinat në orën 19:40 të së dielës në tre vagonët e fundit dhe pushtoi linjën ngjitur, në të cilën qarkullonte një tjetër tren, një Alvia i Renfe-s me rreth 184 pasagjerë, i cili ishte nisur nga Madridi dhe po drejtohej për në Huelva. Shkaqet e aksidentit janë nën hetim.
Sipas një investigimi të publikuar nga Reuters, është gjetur një shkëputje në shina. Vagonët që dolën nga shinat u përplasën me trenin që po vinte përballë, duke e shtyrë atë jashtë shinave dhe poshtë një dige.
Teknikët në vendngjarje, teksa analizonin shinat, thanë se bëhet fjalë për konsumim në lidhjen midis segmenteve të shinës, të njohur si “fishplate”, për të cilin thanë se tregonte se defekti kishte qenë aty prej disa kohësh, tha burimi.
Lidhja e dëmtuar kishte krijuar një hapësirë midis segmenteve të shinës, e cila ishte zgjeruar me kalimin e trenave mbi atë linjë. Burimi, i cili kërkoi të mbetej anonim për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, tha se teknikët besojnë se kjo lidhje e dëmtuar është kyçe për të identifikuar shkakun e saktë të aksidentit.
Deri më tani nuk ka asnjë reagim nga autoritetet apo institucionet.
Álvaro Fernandez Heredia, president i Renfe-s, e cila operon trenin e dytë që doli nga shinat, tha për radion Cadena Ser se ishte ende herët për të folur për shkakun. Megjithatë, ai shtoi se aksidenti ndodhi në “rrethana të çuditshme” dhe se “gabimi njerëzor është praktikisht i përjashtuar”.
Vagonët e parë të trenit të operuar nga kompania spanjolle Iryo kaluan mbi hapësirën në shina, por vagoni i tetë, dhe i fundit, doli nga shinat, duke tërhequr me vete edhe vagonët e shtatë dhe të gjashtë, tha burimi.
Iryo është një operator privat hekurudhor, në shumicë në pronësi të grupit hekurudhor italian të kontrolluar nga shteti, Ferrovie dello Stato. Prodhuesi i trenit Iyro, Hitachi Rail, kreu një inspektim të trenit më 15 janar si pjesë e mirëmbajtjes rutinë dhe nuk gjeti asnjë anomali, tha burimi. Treni është një Freçiarossa 1000, i njëjti model që përdoret në rrjetin e trenave me shpejtësi të lartë në Itali./K.M
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar mbi procesin e integrimit europian, duke theksuar se anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk matet me numrin e ligjeve të miratuara formalisht në Kuvend, por me standardet reale që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve.
Sipas Tabakut, integrimi europian nënkupton më shumë arsim cilësor, shëndetësi më të mirë, siguri ushqimore, ekonomi funksionale dhe infrastrukturë sipas standardeve të BE-së, fusha në të cilat Shqipëria, sipas saj, mbetet ende shumë larg.
Ajo theksoi se vetë qeveria shqiptare ka pranuar këtë realitet, duke iu referuar deklaratës së kryeministrit Rama për të kërkuar një periudhë ndërmjetme për të plotësuar kriteret e BE-së për sigurinë ushqimore.
“Vetëm për sigurinë ushqimore janë kërkuar të paktën 5 vite shtesë për përmbushjen e standardeve. Për infrastrukturën nevojiten rreth 15 vite investime, ndërsa për ekonominë një dekadë e plotë,” u shpreh Tabaku.
Sipas saj, këto kërkesa tregojnë qartë se Shqipëria nuk është gati për anëtarësim real dhe se problemet nuk janë të reja.
“Këto nuk janë detyrime që Shqipëria po i mëson sot. Janë çështje të njohura prej vitesh, por të injoruara sistematikisht nga qeveria gjatë 12 viteve të fundit,” deklaroi ajo.
Tabaku nënvizoi se në total janë rreth 15 periudha të ndërmjetme që qeveria shqiptare ka kërkuar nga Bruksel, një tregues i qartë, sipas saj, i dështimit për të ndërtuar standardet europiane brenda vendit.
“Në fund të ditës, Europa nuk është në letra dhe në raporte propagandistike. Europa është në cilësi dhe standarde. Fatkeqësisht, këto standarde ende nuk i kemi arritur – dhe me këtë ritëm, rrezikojmë të mos i arrijmë as në vitet që vijnë,” përfundoi Tabaku.
Tabaku thotë se Integrimi europian nuk është votim ligjesh ‘shkel e shko’, por standarde reale që sot Shqipëria nuk i përmbush./K.M
Vdekja e stilistit ikonik Valentino (Valentino Clemente Ludovico Garavani), i cili ndërroi jetë më 19 janar në moshën 93-vjeçare, lë pas një boshllëk të pazëvendësueshëm në botën e modës së lartë, por edhe një pasuri të pabesueshme që vlerësohet se tejkalon një miliard dollarë.
Burri që e identifikoi emrin e tij me elegancën, duke veshur legjenda të tilla si Jacqueline Kennedy dhe Sophia Loren, ndërtoi një kolos financiar gjatë karrierës së tij, e cila u konsolidua që në vitin 1998 me shitjen e markës së tij te kompania Hdp e familjes Agnelli për 300 milionë dollarë.
Portofoli i Valentino-s përfshin rezidenca ikonike që pasqyrojnë estetikën e “Perandorit të Fundit”, siç është vila historike në Appia Antica në Romë – e dekoruar me një portret të rrallë të tij nga Andy Warhol -, kulla Wideville pranë Parisit dhe vila luksoze në Gstaad, Zvicër. Në të njëjtën kohë, shtëpia ka kaluar nëpër trazira të rëndësishme biznesi, duke kulmuar me blerjen e saj nga fondi sovran i pasurisë së Katarit, Mayhoola, në vitin 2012, dhe hyrjen e fundit të grupit francez Kering me 30% të aksioneve në vitin 2023. Sot, Valentino vazhdon rrugën e saj me Alessandro Michele në krye krijuese, duke regjistruar një xhiro vjetore prej 1.3 miliardë eurosh./K.M
Ish-kandidati për deputet i PD-së Aulon Kalaja ka bërë një deklaratë të fortë në emisionin Kafe Shqeto. Kalaja ka denoncuar se brenda perimetrit të sigurisë të aeroportit të Rinasit, në fshatin Qerek kemi laborator droge.
Sipas tij kjo cenon sigurinë kombëtare. Kalaja thekson se nuk njeh një tjetër vend që të përmbushë kushtet për të qenë narkoshtet i Europës.
“Pika e parë kush do e kishte imagjinuar që në përvjetorin e shtetit shqiptar ne të urohemi si një vend që duhet të luftojmë kartelet e drogës.
Së dyti duhet të kuptojmë kontektin, 8 muaj më parë kur u mbyllën zgjedhjet e 11 Majit ne nuk kishim një mesazh urimi nga SHBA. Ata uruan vetëm popullin shqiptar kjo nuk kishte ndodhur kurrë. Ky është konteksti i ngjarjeve që po ndodh.
Pika e tretë është se në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit, brenda aeroportit, në fshatin Qerek, aty kemi laborator droge, kjo vendos në pikëpyetje sigurinë kombëtare. Nuk njoh një vend që të përmbushë kushtet për të qenë narkoshteti i Europës”, tha Kalaja./K.M
Në kohën kur dukej se Kosova po shkonte drejt formimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, procesi zgjedhor u kthye disa hapa prapa.
Zbulimi i mospërputhjeve serioze në votat e kandidatëve për deputetë e detyroi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të marrë vendim për rinumërim të plotë të të gjitha votave në vendvotimet e rregullta.
Vendimi i marrë më 19 janar pasoi rinumërimin e pjesshëm nga java e kaluar, gjatë të cilit u evidentuan shkelje dhe dallime të theksuara, si dhe thirrjet e vazhdueshme të partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile për një rinumërim tërësor të votave.
Për vëzhguesit e proceseve zgjedhore dhe zhvillimeve politike në Kosovë, ky vendim ishte i domosdoshëm për mbrojtjen e integritetit të votës, por njëkohësisht hap rrezikun e vonesave të gjata procedurale dhe të një krize të mundshme institucionale.
Roli i KQZ-së dhe mundësitë për përshpejtim
Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë se zvarritja e rinumërimit përtej javës së parë të shkurtit mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta në certifikimin e rezultateve përfundimtare dhe, rrjedhimisht, në konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.
Ai thekson se rinumërimi i votave pasohet edhe me procedura të tjera ligjore, përfshirë afatin prej dhjetë ditësh për ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) – çka e ngushton edhe më shumë hapësirën kohore për përmbylljen e procesit.
Megjithatë, sipas tij, gjithçka mund të përshpejtohet nëse KQZ-ja rrit kapacitetet teknike dhe njerëzore për rinumërim.
“Kësisoj, besoj se me një dinamikë të tillë, KQZ-ja mund të vijojë me rinumërim të plotë… sepse deri më tash janë rinumëruar gati 600 kuti të votimit, që nënkupton se mbeten edhe rreth 2 mijë të tjera. Në rast se dyfishohet numri i tavolinave për rinumërim, procesi mund të përmbyllet më shpejt”, shpjegon Cakolli për Radion Evropa e Lirë.
Pasojat e mundshme
Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, thekson se zbardhja e çdo manipulimi eventual të votave duhet të jetë prioritet i institucioneve të rendit dhe ligjit. Sipas tij, keqpërdorimet e votave ngrenë dyshime serioze se ato mund të kenë ndodhur pa udhëzime nga strukturat e partive politike.
Duke iu referuar përvojës së zgjedhjeve të 9 shkurtit – pas të cilave formimi i institucioneve u zvarrit për disa muaj, për të përfunduar me zgjedhje të parakohshme më 28 dhjetor – Muhaxhiri paralajmëron se partitë politike mund t’i shfrytëzojnë afatet ligjore për bllokada të reja institucionale.
“… sepse edhe partitë duhet të sqarohen për çështjen e komisionerëve, për çështjen e manipulimit të votave. Do të krijohen pengesa të mëdha përbrenda partive – gjë që, pastaj, do të ndikojë edhe në dobësimin e tyre në raport me krijimin e koalicioneve të mundshme, ose të ndonjë strategjie në raport me Qeverinë [e ardhshme]dhe zgjedhjen e presidentit”, thotë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.
“Politikanët kosovarë e kanë dëshmuar se kanë kapacitete të pafundme për bllokada dhe për krijimin e pengesave në funksionimin normal të institucioneve. Prandaj, rreziku që kjo situatë të përsëritet mbetet real”, shton ai.
Të dy analistët paralajmërojnë se nëse zinxhiri i vonesave vazhdon – nga rinumërimi tek ankesat, certifikimi dhe konstituimi i Kuvendit – vendi mund të përballet me një krizë të thellë institucionale, duke përfshirë edhe rrezikun për zgjedhjen e presidentit të ri.
Afatet ligjore dhe rreziku për zgjedhjen e presidentit
Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti i ri duhet të zgjidhet nga Kuvendi i Kosovës jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Presidentes Vjosa Osmani, mandati i skadon më 4 prill, që do të thotë se afati për zgjedhjen e presidentit të ri ose të Osmanit edhe për një mandat të ri është 4 marsi.
Cakolli paralajmëron se në situatën aktuale, me vonesat që pritet të shkaktojë rinumërimi dhe procedurat pasuese, Kuvendi mund të mos arrijë të konstituohet deri në atë kohë, “e lëre më të zgjidhet Qeveria e re dhe të votohet presidenti i ardhshëm”.
Shqetësim të ngjashëm ndan edhe Muhaxhiri.
“… do të hyjmë në një kaos ligjor, sepse as Kushtetuta e Kosovës nuk e parasheh një skenar të tillë. Do të futemi në një tunel pa asnjë dritë, sepse askush nuk do të ketë mundësi institucionale ta zhbllokojë situatën”, thekson Muhaxhiri.
Ai shton se krijimi ose jo i një krize të tillë institucionale mbetet “në ndërgjegjen e partive politike”, të cilat mund të ndikojnë në përshpejtimin ose vonesën e të gjitha procedurave.
Reagimet e partive politike
Partitë kryesore politike e mbështetën rinumërimin e plotë të votave si mënyrë për të rivendosur besimin publik në procesin zgjedhor. Fituesja e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje mbështeti rinumërimin e plotë. Anëtari i saj në KQZ, Sami Kurteshi, tha se kjo është “një gjendje faktike” kur votoi për vendimin.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, e përshkroi rinumërimin si “hap të domosdoshëm dhe të drejtë” për mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor.
Udhëheqësit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj, kërkuan më herët gjithashtu rinumërim të plotë, duke theksuar se vetëm ashtu mund të garantohet legjitimiteti i rezultateve.
Si mund të shmanget kriza?
Ekspertët e proceseve zgjedhore paralajmërojnë se për të shmangur një krizë institucionale, partitë politike duhet t’i përshpejtojnë procedurat e rinumërimit dhe të shmangin përdorimin e afateve për bllokada.
Sipas tyre, edhe presidentja e vendit dhe partitë duhet të sigurojnë koncensus për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re. Përndryshe, vonesat në këto procese, theksojnë ata, mund të kenë edhe pasoja ekonomike për Kosovën.
Në këtë aspekt, rreziku më i madh lidhet me mosmiratimin e buxhetit të shtetit deri më 28 shkurt. Pas kësaj date, nuk mund të merren vendime për lëvizje të mjeteve financiare, përfshirë pagat, pensionet dhe pagesat për kategoritë sociale. Në rrezik mund të vihen edhe disa marrëveshje ndërkombëtare që kërkojnë dritën jeshile nga Kuvendi.
Për shembull, afati i fundit për hyrjen në fuqi të marrëveshjes me Bankën Botërore, e cila parasheh financimin e politikës zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër, është 13 shkurti.
“Barra e përgjegjësisë bie mbi vetë partitë politike, sepse, fundja, vetë KQZ-ja është trup politik i përbërë prej tyre. Vendimet për udhëheqjen dhe përmbylljen e procedurave sa më shpejt që është e mundur, janë në diskrecionin e tyre”, përfundon Cakolli./K.M
Parlamenti Evropian ka bërë thirrje për shtrëngimin e sanksioneve kundër Iranit dhe për përcaktimin e Trupave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) si një organizatë terroriste, në dritën e viktimave të shumta gjatë protestave në shkallë të gjerë.
Kjo u deklarua nga Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, në seancën plenare.
“Ky nuk është një gjest simbolik dhe do të kufizojë më tej aftësinë e tyre për të vepruar pa u ndëshkuar dhe për të prishur rrjedhën e financave”, tha ai.
Metsola kujtoi se javën e kaluar, pas konsultimeve me të gjitha grupet politike, u mor një vendim për të ndaluar çdo bashkëveprim që do t’u lejonte diplomatëve dhe përfaqësuesve të qeverisë iraniane të përdornin Parlamentin Evropian për të “legjitimuar brutalitetin e tyre në Evropë”./K.M
Pesë oficerë policie dhe një efektiv i RENEA-s, dyshohen për përfshirje në baste sportive të paligjshme.
Raportohet se ndaj këtyre personave janë vendosur masa sigurie. Tre prej oficerëve janë lënë në masën arrest shtëpie, ndërsa për dy të tjerët është vendosur masa ndalim për të dalë jashtë vendit.
Burime bëjnë me dije se hetimet janë në vijim dhe priten detaje të tjera lidhur edhe me identitetin e efektivëve./K.M
Psikiatri i njohur, Neli Demi ka reaguar pasi QSUT mbeti pa energji elektrike pas defektit në një linjë të OST-së. Neli Demi shkruan se në një vend normal reanimacioni nuk mbetet kurrë pa drita dhe kjo sipas tij nuk është defekt, por krim institucional.
Demi shkruan se ky nuk është problem teknik, por është problem përgjegjësie penale, administrative dhe morale.
Demi e mbyll postimin e tij duke thënë se duhet hetim i pavarur dhe publik, auditim urgjent i sistemeve UPS dhe gjeneratorëve, publikim i menjëhershëm i protokolleve të sigurisë, dhe largim i drejtuesve përgjegjës, pa justifikime dhe pa vonesa.
Postimi i plotë
Fakti që reanimacioni, urgjenca dhe shërbime jetike në Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza kanë mbetur pa energji elektrike është krim institucional, jo “defekt teknik”.
Kjo është vijë e kuqe e kaluar.
Në asnjë vend normal:
• reanimacioni
• terapia intensive
• sallat e operacionit
NUK MBETEN PA ENERGJI. KURRË.
As për sekonda. As për minuta. As “rastësisht”.
Nëse pacientët janë nxjerrë në korridore, kjo do të thotë se:
• sistemet rezervë nuk ekzistojnë realisht,
• ose janë jashtë funksioni,
• ose nuk janë testuar kurrë,
• ose drejtuesit nuk kanë besim te to.
Secila prej këtyre do ishte një dështim kriminal në menaxhimin e shërbimeve jetike.
Mos na flisni për:
• linja 110 kV,
• OSHEE,
• avari të papritura,
• “ishte për pak minuta”.
Në mjekësi “pak minuta” vrasin.
Në reanimacion sekondat vrasin.
Nëse sot nuk ka viktima, kjo nuk është sukses i sistemit, por fat i verbër.
Dhe një shtet që mbështetet te fati për të mbrojtur jetën e qytetarëve nuk është shtet, është rrezik publik.
Ky nuk është problem teknik.
Ky është problem përgjegjësie penale, administrative dhe morale.
Duhet
• hetim i pavarur dhe publik,
• auditim urgjent i sistemeve UPS dhe gjeneratorëve,
• publikim i menjëhershëm i protokolleve të sigurisë,
• dhe largim i drejtuesve përgjegjës, pa justifikime dhe pa vonesa.
Reanimacioni nuk është shërbim “i rëndësishëm”.
Është kufiri i fundit mes jetës dhe vdekjes.
Kush e ka lënë atë kufi pa energji,
ka dështuar në detyrën më bazike të shtetit: mbrojtjen e jetës njerëzore.
Vllaznia triumfoi 2-0 në supersfidën e javës së 20-të në Superiore ndaj Dinamos. Shkodranët ia dolën të marrin 3 pikë të arta në “Air Albania”, në një ndeshje shumë të luftuar.
Sfida nisi me raste në të dyja portat, ndërsa shkodranët kaluan në avantazh në minutën e 33-të. Bekim Balaj shënoi me penallti, duke mposhtur portierin Aldo Teqja.
Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, ndërsa fraksioni i dytë nisi me disa minuta vonesë, për shkak të problemeve me energjinë elektrike në stadium.
Pas rifillimit, Dinamo e kishte të vështirë për të reaguar, pasi nuk gjeti hapësira. Goditjen përfundimtare kryeqytetasve ua dha Kallaku në minutën e 84-t, i cili shënoi pas një kundërsulmi të Kastratit.
Me këtë fitore, Vllaznia ngjitet në vendin e dytë me 36 pikë, vetëm dy pikë më pak se Egnatia kryesuese.
Dinamo ka zbritur në vendin e katërt me 33 pikë të grumbulluara./K.M