Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 25 January 2026Main stream

QKMK: Nga nesër ndërprehet qarkullimi i kamionëve në të gjitha pikat kufitare me Serbinë

25 January 2026 at 22:31


Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMK) ka njoftuar se nga nesër, më 26.01.2026, me fillim nga ora 12:00, do të ketë ndërprerje të qarkullimit të kamionëve në të gjitha pikat e kalimit kufitar me Serbinë.

Sipas informatave të pranuara nga zyrtarët kufitarë të palës serbe, ndërprerja vjen si pasojë e protestave të shoferëve të kamionëve në territorin e Serbisë, të organizuara për shkak të masave të ndërmarra nga Bashkimi Evropian për shoferët e rajonit. Protestat pritet të zgjasin deri në shtatë ditë.

QKMK paralajmëron se këto protesta do të ndikojnë drejtpërdrejt në qarkullimin e mjeteve të transportit dhe mallrave, si dhe mund të shkaktojnë mbingarkesë të trafikut në zonat kufitare të Republikës së Kosovës me vendet e rajonit të përfshira në protesta.

Autoritetet u rekomandojnë shoqatave të transportit të mallrave dhe shoferëve të kamionëve që të mbajnë kontakte të vazhdueshme me homologët dhe kolegët e tyre në rajon, për t’u informuar me kohë mbi zhvillimet.

Për informata shtesë, qytetarët dhe operatorët e transportit mund të kontaktojnë Qendrën Kombëtare për Menaxhim Kufitar në numrat:
📞 +383 45 198 000, +383 45 198 606, si dhe në numrin pa pagesë 0800 500 95.


Kriza e blegtorisë në Shqipëri, fabrikat e qumështit furnizohen nga Kosova e rajoni

25 January 2026 at 21:58


Rënia e blegtorisë në Shqipëri dhe mungesa e teknologjisë në ferma bën që industria e përpunimit të qumështit të mos furnizohet gjithnjë më lëndë të parë nga fermat shqiptare.

Vetëm gjatë vitit 2025, fabrikat kanë blerë 8 mln litra qumësht nga shtete si: Kosova, Hungaria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Sllovenia dhe Austria. Nga ky import jashtë kufijve kanë dalë 5 mln euro.

Treguesi rënës në blegtori është një trend që ka nisur prej dekadash. Nëse bëjmë një krahasim në 10-vjeçarin e fundit sipas të dhënave nga INSTAT, në Shqipëri në vitin 2014 në fermat shqiptare numëroheshin 500 mijë krerë gjedhë, ndërsa në 2024 numri i tyre pothuajse është përgjysmuar duke shkuar në 272 mijë.

I njëjti bilanc negativ është edhe tek kategoria e të imtave, ku brenda të njëjtës periudhë, në stabilimet blegtoriale ka 1 mln dele dhe dhi më pak.

Ndërsa numri i shpendëve gjatë kësaj dekade ka rënë me 2 mln 501 mijë. Të vetmet vlera pozitive shihen tek bletaria, ku numri i familjeve të bletës është rritur me 3,000 koshere. Braktisja e blegtorisë është pasojë e politikave të gabuara që ka ndjekur Ministria e Bujqësisë ndër vite për këtë sektor.

Subvencionimi për krerë nuk i ka bindur njerëzit e fshatit të merren me mbarështimin e tyre, sepse kjo formë mbështetje nuk i justifikon kostot e prodhimit të qumështit, ndërkohë që fabrikat kërkojnë ta marrin qumështin me një çmim shumë herë më të ulët, që kap vlerën e 54 lekëve (55 centë).

Përballë këtyre kushteve, nënproduktet e qumështit në tryezën shqiptare si vend origjine kanë shtetet e rajonit, ku 1 L qumësht importi kushton afërsisht 10 lekë (10 centë) më pak se 1 L qumësht nga Lushnja./Top Channel

- YouTube youtu.be


Instituti Hidrometeorologjik: Reshje intensive ditën e hënë, shmangni udhëtimet e panevojshme

25 January 2026 at 21:31


Gjatë javës së ardhshme në Kosovë pritet të mbajë mot i ndryshueshëm, kryesisht i vranët dhe i shoqëruar me reshje shiu.

Sipas parashikimeve meteorologjike nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, reshjet më intensive priten ditën e hënë, lokalisht me intensitet mesatar deri të lartë.

Autoritetet rekomandojnë kujdes të shtuar në komunikacion, veçanërisht në zonat urbane dhe ato me rrezik për grumbullim të ujit në rrugë.

"Sugjerim për popullatën: Të hënën shmangni udhëtimet e panevojshme gjatë reshjeve intensive. Përshtatni shpejtësinë me kushtet e rrugës. Tregoni kujdes të shtuar në zonat me mjegull gjatë mesjavës", thuhet në njoftimin e institutit.

Temperaturat minimale gjatë javës do të lëvizin nga -1 deri në 5 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 6 deri në 10 gradë Celsius.

Të mërkurën parashikohen kushte për mjegull në disa zona, kryesisht në viset mesatare, lugina dhe përgjatë relievit malor, çka mund të zvogëlojë dukshmërinë në orët e mëngjesit.

Era do të fryjë nga drejtime të ndryshme, me shpejtësi deri në 5 m/s.

Parashikimi ditor i motit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës

E hënë
Mot i vranët dhe me reshje shiu, lokalisht mesatare deri të larta.
Në viset malore pritet shi me borë.
Temperaturat: minimale 3–5°C, maksimale 6–8°C.
Era do të fryjë nga juglindja me shpejtësi 1–5 m/s.

E martë
Mot i vranët, vende-vende me riga shiu.
Temperaturat: minimale 2–4°C, maksimale 5–8°C.
Era nga verilindja, 1–5 m/s.

E mërkurë
Mot i vranët me intervale me diell.
Në mëngjes mjegull në zonat mesatare dhe pranë relievit malor.
Temperaturat: minimale -1–1°C, maksimale 6–9°C.
Era nga verilindja, 1–4 m/s.

E enjte
Mot i vranët, vende-vende me riga shiu.
Temperaturat: minimale 1–4°C, maksimale 7–10°C.
Era nga verilindja, 1–5 m/s.

E premte
Mot i vranët, me riga shiu në disa zona.
Temperaturat: minimale -1–1°C, maksimale 6–9°C.
Era nga veriperëndimi, 1–3 m/s.


Policia në veri të Mitrovicës ndalon një veturë me mall të kontrabanduar

25 January 2026 at 21:16


Policia e Kosovës ka ndaluar një automjet me mall të kontrabanduar në Mitrovicë të Veriut.

Sipas njoftimit, më 25 janar rreth orës 15:20, zyrtarët policorë nga Stacioni Policor Mitrovicë Veri kanë ndaluar për kontroll një automjet me targa vendore në rrugën “Knjaz Milosh”.

Gjatë kontrollit, në automjet është gjetur një sasi pantallonash, për të cilat drejtuesi i automjetit, me inicialet E.G., nuk ka prezantuar dokumentacionin përkatës.

Rasti, sipas procedurave ligjore, është dërguar për trajtim të mëtejshëm në Doganën e Kosovës.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë me kontrolle të rregullta për parandalimin e kontrabandës dhe ka ftuar qytetarët të raportojnë çdo veprim të dyshimtë në numrin 192 ose në stacionin më të afërt policor.


Era e fortë rrëzon disa pisha në Pyllin e Sodës, bllokohet përkohësisht rruga drejt Zvërnecit

25 January 2026 at 20:56


Një erë e fortë ka shkaktuar rrëzimin e disa pishave në Pyllin e Sodës, duke bllokuar përkohësisht qarkullimin drejt Zvërnecit dhe duke rrezikuar automjetet që kalonin në zonë mbrëmjen e kësaj të diele.

Në vendngjarje kanë ndërhyrë Policia Rrugore dhe zjarrfikësit, të cilët kanë prerë pemët e rrëzuara dhe kanë liruar rrugën, duke rikthyer qarkullimin normal.

Autoritetet apelojnë për kujdes nga drejtuesit e mjeteve, pasi kushtet e motit mbeten të vështira.

Kamerat e sigurisë në kryeqytet rrisin efektivitetin në trafikun rrugor

25 January 2026 at 20:40


Monitorimi përmes kamerave të sigurisë, sipas njësisë së trafikut në kryeqytet, po rezulton efikas. Për kundërvajtje, në baza ditore raportohet se ndëshkohen nga 50 deri në 100 persona. Policia vazhdon të bëjë thirrje që ngasësit të shmangin përdorimin e telefonit gjatë vozitjes dhe t`i respektojnë rregullat e trafikut rrugor, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe ruajtjes së jetës së qytetarëve. Kamera të sigurisë pritet të vendosen edhe në shumë pjesë të tjera të kryeqytetit.

Kamerat e sigurisë, të vendosura muaj më parë nga drejtoria e policisë në kryeqytet, japin edhe efikasitetin në ndëshkime për shkelësit në trafik, duke u konsideruar të rëndësishme për sigurinë në komunikacion dhe në përgjithësi. Shqiptimi i gjobave, përmes monitorimit të kamerave, tashmë ka filluar, duke ndëshkuar mbi 1 mijë e më shumë kundërvajtës gjatë një jave.

“Gjobat variojnë, vetëm përmes kamerave, mund ta konfirmoj se diku prej 50- deri ne 100 gjoba brenda ditës, ky është trendi”, thotë Vedat Zuka, shef i operatives së trafikut në kryeqytet.

Njësiti i trafikut të kryeqytetit vazhdon të realizojë shqiptimin e gjobave bazuar në monitorimin e kamerave të sigurisë, si edhe gjatë zbatimit të detyrave të rregullta në terren, duke shënuar kështu edhe përmirësim të gjendjes.

“Prej vendosjes se tyre e deri me tash, unë konsideroj që kanë qenë shumë efikase, kanë ndikua jashtëzakonisht mirë edhe të populli që njëkohësisht shfrytëzoj rastin t’i falënderoj edhe vozitësit të cilët i kanë respektua këshillat sugjerimet, por edhe vetë kamerat, konsideroj që gjendja është përmirësua me një përqndje jashtëzakonisht të dukshme”, thotë Zuka.

Ndërkohë ekspertë të komunikacionit nënvizojnë se vendosja e kamerave të sigurisë që synon parandalimin e aksidenteve, pritet të japë rezultate pozitive edhe në sigurinë e përgjithshme. Madje nga këndvështrimi i ekspertëve të kësaj fushe gjobat duhet të jenë më të larta dhe pa përjashtim.

“Vendosja e kamerave, nëpër kryqëzime të rrugëve, ose edhe në semaforë, sigurisht që do ta jep edhe rezultate më të mëdha të sigurisë, në komunikacion rrugor, kamerat do ta luajnë, rolin e sigurisë në komunikacion por edhe të sigurisë në përgjithësi”, thotë Nol Dedaj, ekspert i komunikacionit.

“Funksionalizimi i kamerave, është kanë shumë i nevojshëm, dhe shumë i mirë, Duhet të merren ato kamera, duhet të merren aty gabime që i bëjnë, të iu shqiptohen dënime”, thotë Lavdim Hamiti, ekspert i komunikacionit.

Kamerat e sigurisë pritet të vendosen edhe në shumë pjesë të tjera të kryeqytetit. Ndërkohë, policia u bën thirrje ngasësve që të shmangin përdorimin e telefonit gjatë dhe të respektojnë rregullat e trafikut rrugor, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe ruajtjes së jetës së qytetarëve./RTK

Zjarr i përmasave të mëdha në Orikum

25 January 2026 at 20:14


Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë në orët e mbrëmjes zonën e kënetës në Orikum, pranë bazës së Pashalimanit.

Flakët kanë djegur shkurre dhe pemë në një sipërfaqe të gjerë, ndërsa era e fortë ka favorizuar përhapjen e tyre, duke e bërë më të vështirë ndërhyrjen e zjarrfikësve.

Në ndihmë të forcave zjarrfikëse të Vlorës janë angazhuar edhe mjete dhe efektivë nga Himara.

Aktualisht, në vendngjarje po vijon puna intensive për shuarjen e flakëve dhe për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit.

- YouTube youtu.be

Shëndeti mendor në fokus: Radio Dukagjini filloi seri të re emisionesh

25 January 2026 at 19:59


Radio Dukagjini dhe emisioni Radar filloi një seri të re dokumentare–rrëfyese.

“Mes katër muresh”, nën moderimin e Edita Doli, filloi transmetimin javor, ku trajtohen tema të lidhura me shëndetin mendor dhe mirëqenien emocionale, duke ofruar një hapësirë të rëndësishme publike për diskutim të hapur dhe profesional mbi këtë fushë ende të stigmatizuar në shoqërinë tonë.

Çdo episod sjell rrëfime të sinqerta të individëve që ndajnë përvojat e tyre personale në përballje me ankthin, depresionin, traumën dhe vështirësi të tjera emocionale.

Sonte në këtë episod rrëfejnë çifti që për 13 vite tentuan tetë herë të bëhen prindër por nuk ia dolën.

Nëpër çka kaluan? Si duhet të sillemi në raste të tilla? A kërkuan ndihmë profesionale? A janë dorëzuar?

Ndiqeni më poshtë

MES KATËR MURESH | Për 13 vjet, 8 herë provuan fëmijë me frytëzim të asistuar mjekësor www.youtube.com

Batalioni i Forcave Speciale të Shqipërisë, stërvitje dimërore 72-orëshe

25 January 2026 at 19:14


Efektivat e Batalionit të Forcave Speciale të Forcave të Armatosura të Shqipërisë po zhvillojnë stërvitjen dimërore 72-orëshe “Shigjeta Ilire-26” në kushte ekstreme malore, me dëborë dhe temperatura nën zero.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjenerallejtnant Arben Kingji, bëri të ditur se stërvitja ka për qëllim forcimin e aftësive fizike dhe psikologjike të trupave në kushte mbijetese, testimin e armatimit dhe pajisjeve të reja, si dhe rritjen e gatishmërisë dhe qëndrueshmërisë operacionale për veprime në mjedise të vështira.

Stërvitja synon përgatitjen e trupave për përmbushjen e çdo misioni me profesionalizëm të lartë, duke garantuar gatishmërinë maksimale në kushte të paparashikueshme dhe të rrezikshme.


Përmbytjet në Shqipëri, dëmet  llogariten 300 milionë euro

25 January 2026 at 17:43


Me rreth 12 mijë hektarë tokë të përmbytur, vlera e dëmit në bujqësi nga prodhimi me shumicë te çmimet e tregut varion nga 14 deri në 30 miliardë lekë (300 milionë euro), sipas vlerësimeve paraprake të ekspertëve.

Të dhënat e posaçme nga burimet brenda Ministrisë së Bujqësisë tregojnë se përmbytjet e fundit në nivel kombëtar kanë dëmtuar rreth 3,598 hektarë drithëra, foragjere rreth 3,148 hektarë, kultura të tjera bujqësore rreth 4,151 hektarë perime dhe luleshtrydhe 480 hektarë, kryesisht në serra, ndërsa pemë frutore, vreshta dhe ullinj, rreth 790 hektarë. Mbi 1570 banesa janë dëmtuar dhe infrastruktura e transportit ka pësuar shumë dëme. Si po rritet fatura nga mungesa e përgjegjësisë institucionale për të frenuar kostot nga ndryshimi i motit

Dy hektarë serra të shkatërruara. Rreth 40 mijë euro investime të humbura dhe mbi 100 mijë euro mall që nuk do të dalë kurrë në treg është fatura e fermës me serra perimesh të Mirlind Saraçit në Kosovë të Vogël të Lushnjës.

Përmbytjet e ditëve të fundit i kanë shkaktuar dëme rreth 150 mijë euro, për rikuperimin e të cilave duhen vite punë, pasi uji dhe llumi kanë prishur edhe cilësinë tokës dhe ndikojnë negativisht për mbjelljet e ardhshme.

Zhgënjimi i tij shkon përtej dëmit material. Pas 15 vitesh emigracion në Itali, ai u kthye në Shqipëri rreth 12 vite më parë, me bindjen se përvoja dhe kursimet do të mjaftonin për të ndërtuar një fermë funksionale. Sot, kthimin e quan “gabimin e jetës”, jo sepse bujqësia nuk funksionon, por sepse rreziku mbetet i pambuluar dhe përgjegjësia shpesh mbetet pa adresë.

Shqetësimi i Mirlindit nuk është vetëm me motin ekstrem, por edhe me funksionimin e shtetit. “Askush nuk njofton? As për reshjet e pritshme, as për hapjen e portave të HEC-eve”. Mirlindi thotë se nuk pati asnjë paralajmërim për hapjen e portave të digës.

Humbja nuk erdhi nga mungesa e informacionit dhe e koordinimit, që në zona të tilla shpesh rezulton po aq shkatërruese sa vetë përmbytja.

Historia e Mirlindit është e qindra fermerëve në zonë. Gentian Ziu, fermer nga Samatica e Beratit, thotë se dëmet janë përhapur në disa fshatra dhe përfshijnë serra, kultura në fushë dhe pemëtore, ndërsa një bilanc i saktë financiar mbetet ende i pamundur.

Në Samaticë, sipas tij, janë dëmtuar rreth 8 hektarë serra të sapombjella, ndërsa 3.5 hektarë lakër, gati për treg, janë shkatërruar plotësisht. Krahas tyre, dëme të konsiderueshme janë raportuar edhe në pemëtore, ku pjeshka, ulliri, mandarinat dhe portokajtë janë prekur në shkallë të ndryshme, pa mundësi për të dhënë ende një shifër përfundimtare. “Janë shumë”, thotë ai, duke theksuar se situata në terren ndryshon nga dita në ditë.

Në të gjithë Beratin, panorama është po aq e rëndë. “Dëmet në serra janë të pallogaritshme”, shprehet z. Ziu, duke shtuar se fermerët janë përballur jo vetëm me përmbytjet, por edhe me ngrica, me temperatura që kanë zbritur deri në minus 5 gradë. “Problem me ngricat, problem me përmbytjet”, përmbledh ai situatën, duke e cilësuar si një goditje të dyfishtë për prodhimin bujqësor.

Ilir Pilku, analist i të dhënave mbi bujqësinë, tha së dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e fundit në bujqësi janë rreth 150 milionë euro vetëm për prodhuesit. Ai e ka bërë këtë përllogaritje bazuar në sipërfaqen e përmbytur dhe llojet e kulturave të mbjella me çmimet e tyre të prodhimit.

Duke përllogaritur vlerën në tregun me pakicë dhe eksport, humbjet dyfishohen në 30 miliardë lekë dhe shpërndahen në të gjithë zinxhirin e bujqësisë nga fermeri, qendra e grumbullimit, eksporti dhe konsumatorët, të cilët do të paguajnë çmime më të larta dhe të investimeve të humbura në serra.

Ruzhdi Koni, i cili eksporton fruta dhe perime të freskëta nga serrat, me kompaninë e tij “Agrokoni”, tha se, përmbytjet kanë dëmtuar rëndë fermat e specializuara për eksport që janë të përqendruara në zonën e Beratit, Lushnjës dhe Fierit. Zoti Koni parashikon se këto dëme kanë efekte të gjëra në ekonomi dhe pritet të ndikojnë në uljen e eksporteve deri në 30%.

Përveç të mbjellave, dëme janë krijuar edhe në blegtori, në ushqimin e kafshëve, shpendë dhe pemëtari, banesa, rrugë dhe infrastruktura të tjera.

Fondet që qeveria ka në dispozicion nëpërmjet emergjencave civile nuk plotësojnë as 5% të dëmeve të deklaruara deri më tani në bazë të sipërfaqes së përmbytur.

Kryeministri Rama tha se fermerët do të dëmshpërblehen nga përmbytjet e fundit, por Ministria e Bujqësisë ende nuk e ka një faturë finale rreth dëmeve, kostove, pasi të dhënat janë në përditësim.

Në Shqipëri, humbjet për shkak të klimës përballohen tërësisht nga fermerët pasi nuk funksionojnë skemat e sigurimeve, teksa qeveria jonë ofron mbështetje shumë të ulët për prodhuesit e cila nuk mjafton as në kohë normale për kostot e larta që përballet sektori.

Kulturat e dëmtuara në 12 mijë ha sipas qarqeve, 5791 fermerë të prekur

Për momentin nuk ka një vlerësim zyrtar kombëtar total për humbjet monetare, por sipas të dhënave nga operativë nga dikasteri i Bujqësisë, deri më datë 16 janar reshjet, përmbytjet dhe ngricat e janarit kanë prekur rreth 5,791 fermerë dhe rreth 12,172 hektarë sipërfaqe bujqësore, si dhe 5,551 krerë bagëti dhe 147 koshere bletësh. Të dhënat janë provizore dhe pritet të përditësohen.

Në Fier janë dëmtuar gjerësisht perimet 151 ha, drithërat 1,250 ha dhe foragjeret 1,700 ha. Janë raportuar edhe dëme shumë të mëdha në pemë frutore (rreth 300,000 rrënjë), si dhe sipërfaqe me vreshta dhe ullinj. Fieri është një nga qarqet me goditjen më të fortë në bujqësi.

Qarku i Beratit ka dëme të shpërndara në disa kultura – 247 ha drithëra, 368 ha foragjere, 270 ha kultura të tjera dhe 192 ha pemë frutore.

Korça ka një nga sipërfaqet më të mëdha të prekura me drithëra 1,360 ha dhe foragjere 415 ha, duke u renditur ndër qarqet më të goditura për këto kultura.

Në Gjirokastër, dëmet janë më të kufizuara me rreth 85 ha drithëra, 9 ha foragjere, si dhe dëme në pemë frutore 5,700 rrënjë dhe vreshta 24,000 rrënjë.

Në Vlorë janë prekur kryesisht drithërat 80 ha, foragjeret (25 ha) dhe një sipërfaqe e vogël me perime 2 ha, si dhe pemë frutore 12,000 rrënjë.

Në Elbasan janë raportuar dëme më të kufizuara 36 ha drithëra, 23 ha foragjere, si dhe dëme në pemë frutore 1,600 rrënjë dhe vreshta 280 rrënjë.

Në Shkodër dhe Lezhë dëmet janë përqendruar kryesisht në drithëra, foragjere dhe perime dimërore, për shkak të përmbytjeve. Shumë sipërfaqe kanë qenë nën ujë për disa ditë, duke rritur rrezikun e humbjes së prodhimit.

Në Tiranë dhe Durrës janë dëmtuar drithëra, foragjere dhe perime, si dhe pemë frutore dhe vreshta.

Në disa zona të Durrësit, dëmi ka arritur deri në 96% për disa kultura.

Një nivel kombëtar, drithërat janë dëmtuar në rreth 3,598 ha, foragjeret rreth 3,148 ha, kultura të tjera bujqësore rreth 4,151 ha, perime dhe luleshtrydhe rreth 480 hektarë, kryesisht në serra, ndërsa pemë frutore, vreshta dhe ullinj, rreth 790 hektarë.

Blegtoria, 5551 krerë të prekur

Përmbytjet dhe ngricat e janarit 2026 kanë goditur rëndë jo vetëm kulturat bujqësore, por edhe blegtorinë dhe bletarinë. Drithërat, foragjeret dhe pemëtaria janë ndër sektorët më të prekur, ndërsa në blegtori, problemi kryesor mbetet humbja e ushqimit dhe dëmtimi i stallave.

Në bletari, dëmet janë më të kufizuara në numër, por me ndikim të madh ekonomik për fermerët e vegjël. Situata mbetet dinamike dhe pritet që shifrat të rishikohen me raportime të reja nga terreni.

Të dhëna operative nga Ministria e Bujqësisë, tregojnë se janë raportuar edhe dëme në blegtori, me rreth 5,551 krerë të prekur në rang vendi. Dëmet përfshijnë humbje të pjesshme të bagëtive nga përmbytjet ose shembja e stallave në disa zona.

Dëmtim të bazës ushqimore për bagëtinë, sidomos në qarqet ku janë përmbytur foragjeret dhe drithërat (si Fier, Korçë, Berat, Lezhë dhe Shkodër) dhe rrezik për shëndetin e gjësë së gjallë nga lagështia, të ftohtit dhe mungesa e ushqimit.

Gjithashtu, në rang vendi, janë raportuar 147 koshere të dëmtuara. Dëmet në bletari lidhen kryesisht me përmbytjen e zonave ku ndodheshin kosheret, si dhe të ftohtin dhe ngricat, që dobësojnë kolonitë e bletëve.

Nga prodhimi në treg, 14-30 miliardë lekë dëm në bujqësi

Duke e bazuar në sipërfaqet dhe llojet e prodhimeve të dëmtuara dëmet financiare për prodhuesit, duke përfshirë xhiron e humbur nga prodhimet që nuk arritën të dalin në treg dhe humbjet e mundshme në eksport, luhaten nga 14 deri në 30 miliardë lekë, sipas vlerësimeve paraprake.

Në nivele specifike drithërat, të kultivuara në 3 598 hektarë, kanë humbur vlera që llogariten nga 2.88 deri në 4.32 miliardë lekë.

Foragjeret, në 3 148 hektarë tokë, përbëjnë një humbje prej 1.57 deri në 3.15 miliardë lekë. Në rastin e kultivimeve të tjera bujqësore, që zënë 4 151 hektarë, dëmet llogariten nga 3.32 deri në 6.23 miliardë lekë.

Humbjet për perimet dhe luleshtrydhet, kryesisht në 480 hektarë serrash intensive, arrijnë 4.8 deri në 12 miliardë lekë, ndërsa pemët frutore, vreshtat dhe ullinjtë, që zënë 790 hektarë, përfaqësojnë një humbje prej 1.58 deri në 3.95 miliardë lekë.

Ekspertët kanë kategorizuar sipërfaqet e dëmtuara sipas kulturës dhe kanë përdorur rendimentet mesatare për hektar, të dhëna nga statistikat e Ministrisë së Bujqësisë dhe nga përvojat konkrete të fermerëve.

Për drithërat dhe foragjeret janë përdorur rendimente relativisht të ulëta, ndërsa perimet intensive dhe serrat japin fitime shumë herë më të larta. Humbja për secilën kategori është llogaritur duke shumëzuar sipërfaqen e dëmtuar me xhiron bruto mesatare për hektar, duke marrë parasysh një gamë skenarësh nga pesimistë deri tek optimistë.

Humbjet për fermerët prodhues përllogariten deri në 140-150 milionë euro, por vlera në treg e këtyre prodhimeve është rreth 300 milionë euro, duke përfshirë edhe produktet që nuk arritën të shiteshin dhe të ardhurat e humbura nga eksporti.

Një hektar serrash që nuk ka mundur të dalë në treg përkthehet në dhjetëra milionë lekë të humbura, ndërsa humbjet në drithëra dhe foragjeret ndikojnë në furnizimin e bagëtisë dhe zinxhirin e ushqimit.

Në blegtori dhe në bujqësi, dëmet variojnë nga 280-570 milionë lekë. Për të vlerësuar humbjen ekonomike, është përdorur një metodë e bazuar në praktikën e përditshme të fermave dhe të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë.

Çdo krerë ka një kosto mesatare prej 50 000 deri 100 000 lekësh për një sezon për ushqimin dhe shërbimin. Bazuar në këtë vlerësim, dëmet nga bagëtia arrijnë në total rreth 280–570 milionë lekë, duke reflektuar humbjet për fermerët dhe investimet e shpenzuara për përkujdesjen e kafshëve. Në bletari, situata është më e kufizuar në numër, por me ndikim të madh ekonomik për fermerët e vegjël.

Janë raportuar 147 koshere të dëmtuara, kryesisht nga përmbytjet dhe ngricat që dobësuan kolonitë e bletëve dhe shkatërruan prodhimin e mjaltit. Vlera mesatare e një koshere është llogaritur rreth 50 000–100 000 lekë, duke dhënë një humbje totale për bletarinë prej rreth 7–15 milionë lekë.

Por sipas ekspertëve, humbjet shkojnë përtej familjeve fermere, pasi ato godasin tregjet e grumbullimit, përpunimit dhe eksportit, duke ulur sasinë e mallrave në treg dhe duke rritur presionin mbi çmimet e brendshme.

Çdo hektar i dëmtuar është mijëra kilogramë perimesh, drithërash dhe frutash që nuk arrijnë në treg, një kosto që ndikon në ekonominë kombëtare dhe në sigurimin e ushqimit për qytetarët.

Miliona të tjera dëme, nga rrugët te shtëpitë

Përmbytjet e janarit 2026 nuk shkatërruan vetëm tokën bujqësore dhe fermat, por kanë përfshirë edhe komunitetet urbane dhe infrastrukturën e vendit, duke nxjerrë në pah dobësitë strukturore të menaxhimit të ujit dhe planifikimit urban në Shqipëri.

Sipas raportimeve nga emergjencat civile të paktën 1 587 banesa janë përmbytur në të gjithë vendin, ndërsa mijëra të tjera janë ndikuar nga ujërat që kanë hyrë brenda shtëpive, kanë dëmtuar mobilie, pajisje dhe infrastrukturë të brendshme.

Në disa zona, banorët raportojnë dëme që tejkalojnë dhjetëra miliona lekë për familje, me pajisje shtëpiake, mobilie dhe struktura të brendshme të papërdorshme pasi uji ka depërtuar thellë në hapësirat jetësore.

Këto humbje, të shpërndara në mijëra shtëpi, përbëjnë një ngarkesë të rëndë financiare për familjet e prekura dhe tregojnë një pamje të qartë se sa i cenueshëm është strehimi vendas ndaj motit ekstrem dhe mungesës së sistemeve efektive të parandalimit të përmbytjeve.

Në anën tjetër, rrjetet e transportit, arteriet që lidhin qytetet dhe fshatrat u goditën në mënyrë të konsiderueshme. Rrugët kryesore u bllokuan për shkak të ujit dhe rrëshqitjeve, duke shkaktuar ndërprerje të qarkullimit dhe izolim të disa komuniteteve rurale. Janë raportuar edhe shembje të pjesshme të segmenteve të rrugëve dhe dëmtime të mbikalimeve.

Ekspertët kanë përllogaritur se vetëm shkatërrimi dhe riparimi i segmenteve rrugore kryesore mund të arrijë dhjetëra deri në qindra milionë euro në një vit normal, për shkak të nevojës për rivendosje të shtresave rrugore, urave etj.

Eksportet e frutave dhe zarzavateve pritet të bien me 20-30%

Eksportet frutave dhe perimeve arritën një vlerë prej 19 miliardë lekësh në 11-mujorin e vitit 2025, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, por për të gjithë vitin 2025, vlera e tyre pritet të kalojë mbi 210 milionë euro.

Eksportuesit paralajmërojnë se dëmet e shkaktuara nga përmbytjet dhe ngricat në serrat e vendit mund të ulin volumin e prodhimit që shkon në tregjet ndërkombëtare deri në 10–30%, duke çuar në një humbje të pritshme në vlerë midis 21 dhe 63 milionë eurosh të vlerës së eksporteve bujqësore, grupi më i qëndrueshëm në rritje, si në volum dhe në vlerë, në vitin 2025.

Ruzhdi Koni, eksportues i njohur, nënvizon se “serrat e specializuara për eksport janë goditur rëndë dhe një pjesë e konsiderueshme e prodhimit nuk mund të shkojë në eksport. Kjo do të ndikojë menjëherë në marrëdhëniet tona me partnerët dhe në planifikimin për sezonet e ardhshme”.

Përtej humbjes direkte të volumit të eksportit, prodhuesit përballen edhe me shpenzime shtesë për riparimin e serrave dhe për sigurimin e cilësisë së perimeve që mbeten, duke rritur presionin financiar mbi fermerët.

Humbja e një pjese të konsiderueshme të eksporteve nuk është vetëm një sfidë për bizneset, por ka edhe efekt zinxhir mbi ekonominë kombëtare, duke ndikuar në punësimin rural, stabilitetin e çmimeve dhe konkurrencën e Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare.

Ekspertët e sektorit bujqësor dhe përfaqësuesit e fermerëve këmbëngulin se duhet një qasje e integruar, që përfshin investime në infrastrukturën e serrave, sisteme paralajmëruese dhe siguri klimatike, si dhe mbështetje financiare për eksportuesit që përballen me humbje të papritura.

Pa këto ndërhyrje, vlerat e eksportit që u deshën të shënonin rritje të qëndrueshme rrezikojnë të tkurren, duke e kthyer progresin e arritur në sektorin bujqësor në një fitim të pasigurt dhe të cenueshëm ndaj kapriçiove të natyrës./Marrë nga Monitor

“35 mijë euro për të shkuar në SHBA e Kanada”, zbulohet rrjeti i falsifikuesve të dokumenteve

25 January 2026 at 17:38


Siç njofton Prokuroria e Tiranës, 6 persona janë dërguar në gjyq për veprat penale të falsifikimit të dokumenteve dhe ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve, pas hetimeve që zbuluan një rrjet që organizonte largimin e shqiptarëve drejt SHBA-ve dhe Kanadasë me dokumente të falsifikuara, kundrejt pagesës prej 35 mijë eurosh.

Sipas Prokurorisë, shtetasi H.M., i hetuar më parë për kontrabandë njerëzore, ka organizuar këtë aktivitet duke përdorur rrugë nga Shqipëria dhe Europa drejt Karaibeve, dhe prej aty me dokumente false drejt SHBA-ve dhe Kanadasë. Ai ka pajisur disa shtetas me pasaporta dhe letërnjoftime të falsifikuara.

Hetimet zbuluan gjithashtu rolin e bashkëshortes së tij L.M., vëllait A.P., shoferit C.N., punonjëses së një agjencie turistike E.N. dhe A.M., të cilët kanë ndihmuar në prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve false.

Gjithashtu, H.M. ka përdorur telefonët për të komunikuar nga burgu duke shkelur rregullat e paraburgimit.

Personat e dërguar në gjyq janë:

H.M., akuzuar për falsifikim dokumentesh, ndihmë për kalim të paligjshëm dhe shkelje të rregullave të paraburgimit.

L.M., akuzuar për falsifikim dokumentesh dhe ndihmë për kalim të paligjshëm.

A.P., akuzuar për falsifikim dokumentesh dhe ndihmë për kalim të paligjshëm.

C.N., akuzuar për falsifikim dokumentesh.

A.M., akuzuar për ndihmë për kalim të paligjshëm.

E.N., akuzuar për ndihmë për kalim të paligjshëm.

Prokuroria ka mbledhur prova të shumta, përfshirë interceptime telefonike dhe dokumente, që vërtetojnë përfshirjen e tyre në këtë aktivitet kriminal./Tv Klan

IHMK mohoi paralajmërimin për erëra të forta nga Komuna e Prishtinës, më pas sqaron se kishte keqkuptim

25 January 2026 at 17:12


Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka mohuar se paralajmërimi i Komunës së Prishtinës për erëra të forta në kryeqytet është bazuar në të dhënat e këtij institucioni.

Në një postim të publikuar në Facebook, IHMK kishte deklaruar se nuk ka lëshuar parashikim për rrezik nga erërat për datën 25 janar, duke theksuar se njoftimi i Komunës së Prishtinës nuk përputhej me parashikimet e institutit.

“IHMK sqaron se njoftimi i Komunës së Prishtinës për erëra të forta për sot, 25 janar, nuk është i mbështetur në parashikimin e motit nga IHMK… Parashikimi për datat 24 dhe 25 janar është i publikuar në faqen zyrtare të IHMK-së dhe nuk përmban paralajmërime për rreziqe nga erërat”, thuhej në postimin që u fshi pas disa minutave.

Pas kësaj, IHMK doli me një sqarim të dytë, duke thënë se publikimi dhe fshirja e postimit fillestar ishte rezultat i një keqkuptimi.



Instituti theksoi se nuk ekziston asnjë mosmarrëveshje ndërmjet IHMK-së dhe Komunës së Prishtinës dhe se bashkëpunimi institucional është korrekt, me qëllim informimin e saktë dhe me kohë të qytetarëve për kushtet meteorologjike.

Ndërkohë, sipas parashikimit të fundit të IHMK-së, priten erëra me intensitet të lehtë deri mesatar, të cilat nga dita e hënë mund të shoqërohen me reshje shiu.

Nga ana tjetër, Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Komunës së Prishtinës ka paralajmëruar se, bazuar në të dhënat e IHMK-së, nga mëngjesi i së dielës, 25 janar 2026, pritet të ketë erëra me intensitet mesatar deri të fortë, veçanërisht në zonat lindore dhe ato kodrinoro-malore.

Sipas njoftimit të Komunës:

Në zonat kodrinoro-malore, shpejtësia e erës pritet të jetë 11–14 m/s

Në zonat më të ulëta, 8–11 m/s

Erërat pritet të dobësohen nga mëngjesi i së hënës, 26 janar 2026./Telegrafi/

Policia e Kosovës gjen sërish granata dore dhe municion në Zveçan

25 January 2026 at 16:24


Policia e Kosovës ka gjetur dhe sekuestruar sasi të konsiderueshme armësh dhe municioni në një shtëpi të braktisur në fshatin Rudar i Vogël, në komunën e Zveçanit.

Sipas njoftimit zyrtar, më 25.01.2026 rreth orës 11:20, njësitë policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë Mitrovicë Veri kanë dalë në vendngjarje pas pranimit të informacionit nga qytetarët për mundësinë e pranisë së armëve dhe municionit në këtë lokacion.

Gjatë kontrollit në objektin e pabanuar, Policia ka gjetur dhe sekuestruar: 9 granata dore, 538 fishekë dhe 3 karikatorë për armë automatike.

Në vendin e ngjarjes ka intervenuar edhe njësia për trajtimin e mjeteve shpërthyese (EOD), e cila ka trajtuar granatat në mënyrë të sigurt, pa incidente.

Të gjitha veprimet janë kryer në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Lidhur me rastin, deri më tani nuk ka persona të arrestuar, ndërsa hetimet janë në vazhdim.

Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe i ka ftuar ata që të vazhdojnë të raportojnë çdo rast të dyshuar në numrin emergjent 192./Telegrafi/


Raporti i IPK-së shfaq mangësi të trajtimit të dhunës në familje në disa stacione policore

24 January 2026 at 23:56


Policia e Kosovës vazhdon të mos i trajtojë siç duhet rastet e dhunës në familje. Një raport i IPK-së, ka vë në pah shumë mangësi që bëjnë zyrtarët policor në trajtim të këtyre rasteve. Mosvlerësim i rrezikut për viktimat, mungesa e funksionimit të zinxhirit komandues janë disa nga gjetjet

Gjashtë rekomandime për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, nga Inspektorati Policor janë drejtuar për disa nga stacionet policore në 8 komuna të Kosovës.

Ky raport vë në pah se edhe më tutje nuk ka funksionalizim të ekipeve për të trajtuar rastet e dhunës në familje, e duke treguar edhe mangësi të tjera, mos vlerësim i duhur i rrezikut për viktimën.

“Komunikimi me Prokurorin e Shtetit po vazhdon të preferohet përmes telefoni. Kjo mënyrë e raportimit nuk duhet të përjashtojë raportimin me shkrim, i cili ka filluar të praktikohet kohëve të fundit. Janë hasur dosje që nuk kanë raport njoftues lidhur me dyshimin e arsyeshëm se është kryer vepra penale…Vlerësimi i rrezikut për viktimat nuk është realizuar në të gjitha rastet, në disa prej tyre po ashtu nuk është kryer sipas formës standarde të paraparë, që përmban indikatorë mbi të cilët kryhet vlerësimi.”– Raporti i Inspektoratit Policor të Kosovës

Madje në stacionin policor në Leposaviq që është njëra ndër stacionet e inspektuara, sipas raportit nuk ka asnjë zyrtar të trajnuar për të trajtuar rastet e dhunës në familje. Këtu përmendet edhe se në një sërë dosjesh mungon kriteri i aprovimit të zinxhirit komandues e mungesa e “dhomave mike” për intervistimin e viktimave.

“Jugu (Prishtinë), Drenasi, Leposaviqi, Zubin Potoku, Parteshi, Ranillugu e Kamenica kanë “dhoma mike”, hapësira këto që do ofrojnë ambient të përshtatshëm për këtë kategori të ndjeshme të viktimave të rasteve të dhunës në familje. Veriu (Prishtinë) nuk ka “dhomë mike”, kurse Mamusha ka ndarë këtë hapsirë, por nuk e ka funksionalizuar për shkak të mungesës së orendive dhe përshtatjes së ambientit.”-Raporti i Inspektoratit Policor të Kosovës

Ky raport i IPK-së që flet për vitin 2024 e gjendja aktuale tashmë është pranuar edhe nga Policia, që thanë se rekomandimet do t’i trajtojnë me prioritet.

“Policia e Kosovës ka pranuar zyrtarisht raportin e inspektimit nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK). Pas pranimit të raportit, janë ndërmarrë veprimet e nevojshme duke hartuar Planin e Veprimit, në të cilin janë përcaktuar masat konkrete dhe afatet kohore për adresimin dhe zbatimin e gjetjeve dhe rekomandimeve të IPK-së. Sa i përket organizimit strukturor, Policia e Kosovës, bazuar në strukturën e saj organizative, ka të funksionalizuara njësitë hetimore për hetimin e rasteve të dhunës në familje në stacionet policore. Megjithatë, rekomandimet e IPK-së do të trajtohen me prioritet, me qëllim të forcimit të mëtejmë të kapaciteteve njerëzore dhe rritjes së efikasitetit në trajtimin e këtyre rasteve. Në lidhje me dhomat mike, Policia e Kosovës ndër vite ka ndërmarrë veprime konkrete për funksionalizimin e tyre në stacione policore. Në ato stacione ku aktualisht nuk ka dhoma mike, janë siguruar hapësira të veçanta dhe të përshtatshme për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, deri në funksionalizimin e plotë të dhomave mike. Policia e Kosovës ka si plan të vazhdueshëm funksionalizimin e dhomave mike në të gjitha objektet policore. Vetëm gjatë vitit të kaluar, janë funksionalizuar dhe pajisur me inventar pesë (5) dhoma mike, prej të cilave dy (2) janë pajisur me inventar të ri , ndërsa tri (3) janë funksionalizuar si dhoma mike të reja.”– Policia e Kosovës

Mes tjerash në raport, thuhet se ka rënie të pranisë së mbrojtësve të viktimave e punonjësve të qendrave për punë sociale. Nga Zyra e kryeprokurorit të shtetit janë ankuar se ka numër të vogël të tyre, gjithsej 31.

“Ju njoftojmë se Zyra për Mbrojtjen e Viktimave nuk e ka pranuar zyrtarisht raportin e inspektimit të IPK-së, për rrjedhojë nuk ka qenë pjesë e procesit të inspektimit dhe as e adresimit të gjetjeve dhe rekomandimeve të raportit në fjalë. Sa i përket vërejtjeve lidhur me prezencën e mbrojtësve të viktimave, sqarojmë se kjo situatë lidhet kryesisht me numrin e kufizuar të mbrojtësve të viktimave në nivel vendi (gjithsej 31), në raport me rritjen e vazhdueshme të numrit dhe kompleksitetit të rasteve të trajtuara. Gjatë periudhës janar–dhjetor 2025, Zyra për Mbrojtjen e Viktimave ka trajtuar 3,020 raste, prej të cilave 2,704 raste të dhunës në familje. Gjatë kësaj periudhe, mbrojtësit e viktimave kanë ushtruar përfaqësimin ligjor të viktimave në përputhje me nenin 64 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, duke marrë pjesë në 3,690 seanca gjyqësore dhe 829 seanca në Prokurori. Po ashtu, në nivel vendi janë adresuar në gjykata 1,190 kërkesa për masa mbrojtëse, 93 kërkesa për kompensim të dëmit dhe 173 kërkesa për alimentacion, me një vlerë totale prej 565,660.00 euro.”- Zyra e kryeprokurorit të shtetit

Inspektimi ka përfshirë disa stacione policore në Prishtinë, Drenas, Kamenicë, Partesh, Ranillugë, Mamushë, Leposaviq e Zubin Potok./Tv Dukagjini

- YouTube youtu.be

Të pagjeturit, kërkohet presion ndaj Beogradit për hapjen e arkivave

24 January 2026 at 23:41


Mes mureve të mbushura me fotografi, ku çdo fytyrë flet pa zë, Gjylë Haziri qëndron çdo ditë përballë kujtimeve që nuk plaken kurrë, duke bartur mbi supe dhimbjen e qindra familjeve që ende presin të vërtetën në Mitrovicë. Në këtë hapësirë heshtjeje dhe lutjeje, ajo e ka shndërruar pikëllimin në forcë dhe pritjen në një betejë të pandalur për drejtësi.

Duke folur për KosovaPress, ajo rrëfen se në këtë hapësirë dhimbjeje dhe shprese mban gjallë zërin e prindërve që ende presin një lajm, duke e kthyer pritjen në qëndresë dhe kujtesën në mision.

Prej 1 mijë e 570 personave të zhdukur, prej tyre 104 janë nga Mitrovica.

Ajo tash e 21 vite shërben në Shoqatën “Zëri i Prindërve”, në Mitrovicë, shoqatë kjo e themeluar në vitin 2000.

Ajo thotë se fillimi ishte tejet i vështirë, pasi secili mbante plagën e vet nga lufta, dikush burrin e dikush djalin, e disa dhimbje ishin edhe më të rënda për t’u përballuar.

“Në fillim ka qenë shumë vështirë, deri i kam marrë gjërat, neve na ka sprovuar Zoti të gjithëve njësojë dikush burrin, dikush djalin, secili kemi qenë të prekur po ka pasur raste më të rënda, kur i mendoja disa raste më të rënda, besomë që nuk ka qenë e lehtë të kyçem e të punoj në këtë shoqatë e të rri vetëm me këto fotografi gjithë ditën. E gjithë ditën sikurse bisedon me ata, kjo ka qenë sikurse e bënë një bisedë vetëm me ta por Zoti po të ndihmon, familjarët më kanë përkrahur gjithë, i kam trajtuar të gjithë sikur me i pas anëtarë të familjes, ja kam besuar dhimbjen, i kam ofruar e i kam nderuar edhe i kam ndihmuar se çka është përpjekur prej meje unë i kam ndihmuar në maksimum”, thekson ajo.

Në rrëfimin e saj, ajo kujton Bajram Çerkini si person që nuk ndalonte kurrë, duke kërkuar fakte dhe drejtësi për secilin prej të zhdukurve. Përtej humbjes së tij, ai mbeti një dritë që udhëheq punën e shoqatës dhe mbajtjen gjallë shpresën për familjet e prekura.

“Ai njeri kurrë nuk ka ditë me u lodhë, veç gjithmonë këtë çështje ka menduar me quar përpara, vetëm drejtësi, ka lyp fakte konkrete, ka lyp incizime, ka thënë unë nuk ndalna deri nuk e ka përmend vetëm djalin e vet asnjëherë por gjithmonë në emër të familjarëve 1590 ka qenë e tash janë ra në 1570 të zhdukur, por në Mitrovicë sidomos tash janë 104 të pagjetur ku kanë qenë 307, ku përmes ADN-së, Kryqit të Kuq ndërkombëtarë, shoqatave ndërkombëtare i falënderojë shumë ku përmes tyre përmes komisionit qeveritarë kemi arritur me e zvogëluar numrin deri në 104 për momentin”-potencoi ajo.

Gjylë Haziri thekson se kërkesa e familjarëve mbetet drejtësia, duke theksuar se ata janë viktima dhe se agresori dihet. Sipas saj, kjo çështje nuk duhet të ndalet dhe as të politizohet, por të trajtohet në mënyrë humane dhe njerëzore.

“Na po drejtësi, na jem viktima, agresori kush është e dimë krejt, na duhet tash mos me u ndal, se me u ndal agresori tani çka, na duhet me lypë drejtësi edhe është humane, aman ju bëjë apel çdo kujt që mos të bëhet politike kjo çështje por sa më shumë humane, njerëzore edhe për të mirë e njerëzve se po shkojnë njerëzit pa i gjetur të dashurit e tyre edhe s’ka shkuan dy dekada”- tha ajo

Gjylë Haziri vlerëson se procesi i gjetjes së të pagjeturve do të zgjasë ende, pasi sipas saj shteti serb po refuzon të hapë arkivat, ndonëse i posedon të gjitha të dhënat, përfshirë edhe inçizime satelitore.

Sipas Hazirit, familjarët jetojnë në ankth të përhershëm, pa festa e pa gëzim, sepse për ta nuk ka as Bajram e as Vit të Ri derisa të marrin një lajm për më të dashurit e tyre.

“Periudhë e gjatë ka me shkua deri të gjenden se shteti serb nuk po donë me i tregu arkivat e veta se ata i kanë edhe incizimet satelitore krejt ata me dashtë për një muaj krejt i qesin se ku janë por nuk po donë me i hap arkivat edhe për këtë bëjë apel për këtë fundvit institucionet tona le të bëjnë presion me institucionet ndërkombëtare bashkë trysni mbi Beogradin le t’i hapin arkivat le t’i qesin dosjet le t’i gjejnë varrezat masive ku janë dhe t’i rehatojnë njerëzit njëherë e përgjithmonë e mos të presin me ankth për më të dashurit e tyre se për ta po të kallëzoj drejt se në mesin e tyre edhe unë e ndajë dhimbjen me ta por nuk është sikur une që nuk kam mesin e të pagjeturve e sikur ai që e ka fëmijën, për ta nuk ka as bajram as vit të ri as nuk ka festë as nuk ka asgjë deri te merr një lajm për më të dashurin e ti”- përfundoi Haziri.

Në heshtjen e zyrës dhe mes përpjekjeve të pandërprera, rrëfimi i Gjylës Haziri mbetet një dëshmi e paçmuar e qëndresës dhe përkushtimit. Ajo tregon se dhimbja mund të shndërrohet në forcë, ndërsa shpresa për të gjetur të zhdukurit nuk shuhet, duke lënë pas një trashëgimi të pakapshme për të gjithë ata që presin drejtësi dhe kujdes njerëzor.

Protesta e opozitës, 11 efektivë policie dhe disa protestues të plagosur

24 January 2026 at 23:06


Policia e Shtetit ka reaguar përmes një njoftimi për mediat, pas protestës së organizuar këtë të shtunë nga Partia Demokratike, ku situata u tensionua përpara Kryeministrisë dhe Kuvendit.

Sipas njoftimit zyrtar, protestuesit kanë përdorur molotovë, lëndë piroteknike dhe sende të forta, duke shkaktuar dëmtime ndaj 11 efektivëve të policisë, të cilët aktualisht po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës dhe në repartin e djegies.

“Gjatë tubimit të sotëm, të thirrur dhe organizuar nga Partia Demokratike, si pasojë e sulmeve me molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta para Kryeministrisë dhe sallës së Kuvendit, janë dëmtuar dhe po marrin ndihmë mjekësore 11 punonjës policie, të cilët ishin në krye të detyrës për mbarëvajtjen dhe garantimin e protestës.


Ata janë vizituar në Spitalin e Traumës dhe në repartin e djegies nga Drejtori Vendor i Policisë së Tiranës, Elton Alushi, dhe Zëvendës/Drejtori për Rendin, Dashnor Muhaj.”, bëjnë me dije uniformat blu.

Policia thotë se pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme përmes qendrës së zërit që të ndaloheshin aktet e dhunës, turma ka vijuar me përplasjet, çka i ka detyruar ata të ndërhyjnë.

“Megjithë thirrjet e vazhdueshme të Policisë, përmes qendrës së zërit, për të ndalur aktet e dhunës, ato vijuan, çka detyroi ndërhyrjen për shpërndarjen e turmës, sipas parashikimeve ligjore në fuqi. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka nisur menjëherë punën për dokumentimin ligjor të veprimeve të dhunshme të protestuesve ndaj punonjësve të rendit. Shërbimet e Policisë vijojnë veprimet përmes analizimit të pamjeve filmike, për identifikimin e personave që kanë sulmuar dhe kryer akte të dhunshme, si dhe për shoqërimin e tyre.“, vijon njoftimi.

Një i mitur mes 23 të shoqëruarve

Ndërkohë, bëhet me dije se deri tani janë shoqëruar 23 persona. Gjatë verifikimeve, njëri prej tyre ka rezultuar i mitur. Policia bën me dije se prindërit e tij janë njoftuar menjëherë dhe i riu nuk është mbajtur në dhomat e shoqërimit, por ka qëndruar në zyrën e pritjes. Derisa e kanë marrë prindërit.

Deri në këto momente janë shoqëruar 23 persona, dhe gjatë verifikimeve të gjeneratës dhe moshës, njëri prej tyre ka rezultuar i mitur. Menjëherë janë njoftuar prindërit dhe, deri sa është marrë nga prindërit, i mituri nuk ka qenë i shoqëruar në dhomat e shoqërimit, por ka qëndruar në zyrën e pritjes së qytetarëve, derisa është marrë në dorëzim nga prindërit e tij.”, sqaron policia.


Before yesterdayMain stream

Tensionet në Shqipëri nuk ndalen, protestuesit futen brenda objektit të policisë

24 January 2026 at 22:43


Ndonëse protesta kombëtare e opozitës ka përfunduar, tensionet mesa duket ende jo.

Raportohet se deri më tani janë rreth 23 protestues të shoqëruar dhe për shkak të kësaj, në Komisariatin Nr.1 në kryeqytet ka tensione.

Mbështetësit dhe deputetët e Partisë Demokratike janë futur në komisariat duke kërkuar lirimin e protestuesve.

Në vendngjarje kanë mbërritur edhe forcat “Shqiponja”.


Brenda komisariatit ndodhen deputetët e PD-së Tomorr Alizoti, Besart Xhaferi dhe Bledi Himçi.

Situata raportohet të jetë e tensionuar mes palëve.



Çfarë tregon rinumërimi i votave deri tani?

24 January 2026 at 22:30


Derisa rinumërimi i votave të zgjedhjeve të parakohshme të dhjetorit po vazhdon në gjithë Kosovën dhe tashmë ka arritur në gjysmë të rrugës, dyshimet dhe hetimet për manipulim të votave janë duke u zgjeruar njëherazi edhe në pjesë të tjera të vendit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi të shtunën se janë rinumëruar mbi 55 për qind të votave në 2.557 vendvotime në mbarë vendin.

Rinumërimi nisi më 13 janar, fillimisht pjesërisht, pasi komisioni kishte gjetur mospërputhje në votat për kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Por, kur mospërputhjet në vota u vërtetuan dhe dyshimet sa vinin e shtoheshin, autoritetet për zbatim të ligjit filluan të ndërmarrin masa.

Të shtunën, prokurorët i kërkuan gjykatës në Prizren të urdhërojë paraburgim për 23 të dyshuar për keqpërdorim të votave, një ditë pasi mbi 100 persona u arrestuan në këtë rajon.

Çfarë solli rinumërimi deri tani?

Nga rinumërimi i votave në mbi gjysmën e vendvotimeve deri tani, rreth 80 mijë vota të kandidatëve kanë rezultuar të pasakta dhe të numëruara gabimisht në Qendrat Komunale të Numërimit, sipas Eugen Cakollit nga organizata joqeveritare, Instituti Demokratik i Kosovës.

“Prej tyre, pas rinumërimit, 47.619 vota u janë hequr kandidatëve (sepse u ishin shtuar gjatë numërimit fillestar), ndërsa 32,018 vota u janë shtuar kandidatëve pas rinumërimit (sepse u ishin hequr në mënyrë të parregullt më herët)”, shkroi Cakolli në Facebook të premten.

Sipas tij, nga rreth 80.000 vota të prekura, afërsisht 40.000 i takojnë kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës (DPK), rreth 15.000 partisë në pushtet Lëvizja Vetëvendosje (LVV), rreth 11.000 Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe rreth 4.000 Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).Mbi 80 për qind e këtyre votave vijnë vetëm nga komuna e Prizrenit, ndërsa pjesa tjetër nga Malisheva dhe Podujeva (në këtë të fundit janë rinumëruar vetëm 10 për qind të votave), shtoi Cakolli.

Rinumërimi i deritanishëm solli edhe veprime të autoriteteve për zbatimin e ligjit në vend, pasi përveç Prizrenit, ato kanë zgjeruar hetimet edhe në Ferizaj dhe Malishevë.

Në ditët e fundit, prokurorët në Ferizaj dhe Gjakovë autorizuan Policinë të ndërmarrë të gjitha veprime, përfshirë identifikimin e personave përgjegjës, grumbullimin e të dhënave dhe sigurimin e provave në Ferizaj dhe Malishevë, lidhur me dyshimet për manipulim të votave.

Aksioni në Prizren

Autoritetet e kryen një aksion të premten në Prizren, komunën ku dyshohet se kishte më së shumti keqpërdorim të votave, duke i ndaluar 109 të dyshuar.

Marcel Lekaj , zëdhënës i Gjykatës Themelore në Prizren, tha për media të shtunën se prokurorët kanë kërkuar paraburgim për 22 komisionerë dhe një vëzhgues të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Gjykata pritet të vendosë më vonë gjatë ditës, sipas tij.Një ditë më parë, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, tha të ndaluarit në rajonin jugor të vendit dyshohen për falsifikim të rezultateve zgjedhore, presion dhe kanosje dhe për dhënie e marrje të ryshfetit.

Sipas Kryeziut, një manipulim i tillë i votave nuk ka mundur që të ndodhë pa një kompromis mes komisionerëve të katër partive më të mëdha politike.

"Po flasim për komunën e Prizrenit që janë shtuar hiç më pak se 40.497 vota dhe janë hequr hiç më pak se 27.520 vota. Pra, diferenca totale e keqpërdorimeve është 68.017 vota”, tha Kryeziu.

Reagimet

Teksa shumica e liderëve të partive të mëdha kishin reaguar pak pasi kishin dalë në sipërfaqe dyshimet për keqpërdorim të votave javë më parë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh lider i partisë në pushtet, reagoi tek të shtunën.

Kurti bëri thirrje për hetim gjithëpërfshirës dhe ndëshkim për personat e dyshuar për manipulim të votave brenda partive politike.Kurti – i cili paraprakisht ishte kritikuar për mosreagim – tha të shtunën në Facebook se “komisionerë e individë, që në mënyrë klandestine, janë përfshirë në manipulime votash brenda subjekteve politike duke dëmtuar kolegë e subjekte politike nuk kanë amnisti”.

Më herët, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e kishte përshkruar rinumërimin si “hap të domosdoshëm dhe të drejtë” për mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor.

Udhëheqësit e LDK-së dhe AAK-së, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj, kishin kërkuar më herët gjithashtu rinumërim të plotë, duke theksuar se vetëm ashtu mund të garantohej legjitimiteti i rezultateve.

Ndërkohë, edhe shumica e kandidatëve për deputetë të cilëve u janë hequr më së shumti vota gjatë rinumërimit, e kanë mohuar të kenë pasur gisht në keqpërdorim dhe kanë thënë se e dënojnë këtë dukuri.

Në Kosovë manipulimi i votave është vepër penale e dënueshme me burgim.

Megjithatë, së voni organizata joqeveritare, ÇOHU, e publikoi një hulumtim që tregoi se mbi 90 për qind e rasteve për manipulime zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose gjoba./Radio Evropa e Lirë/

Denoncimi i PD-së: Një fëmijë 10-vjeçar është arrestuar nga policia, ndodhet në gjendje shoku

24 January 2026 at 22:08


Deputeti i PD-së, Bardh Spahia, ka denoncuar se një fëmijë 10-vjeç është arrestuar nga policia dhe ndodhet në Komisariatin nr. 1. Në një komunikim për mediat nga jashtë ambienteve të Komisariatit Nr. 1, Spahia u shpreh se deri tani ka raportime se janë shoqëruar 23 protestues. Spahia deklaroi se fëmijës i është bërë presion dhe se ai ndodhet në gjendje shoku.

“Ky është një fëmijë 10-vjeç që gjendet i arrestuar në Komisariatin nr. 1 të Tiranës. Është arrestuar pa praninë e psikologut. Është dhunuar dhe i është bërë presion i jashtëzakonshëm, është në shok të vërtetë psikologjik. Përveç atyre dhjetëra qytetarëve që janë ndaluar, është edhe ky fëmijë 10-vjeçar. Është një 10-vjeçar i shoqëruar nga Policia në gjendje shoku psikologjik. Romeo Kore është fëmija. I njoftojmë prindërit që, nëse janë të shqetësuar, ta dinë që është në Komisariatin nr. 1”, tha Spahia.

Po ashtu një reagim ka ardhur dhe nga Sekretarit të Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka

“Me urdhër të narkokryeministrit Edi Rama, vegla e bandave kriminale e vendosur në krye të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka dhënë urdhër të hapur për dhunë, terror dhe arrestime arbitrare ndaj qytetarëve të pafajshëm shqiptarë. Policia e Shtetit ka konsumuar një akt të rëndë dhe të paprecedentë, duke ushtruar dhunë brutale ndaj qytetarëve të lirë, përfshirë perfshire vete efektive policie, gra edhe një fëmijë 10-vjeçar. Akte te tilla sot per sot ndodhin vetem Iran, ne regjimin qe po jep shpirt. Ky është fytyra e vërtetë e një regjimi që nuk qeveris, por sundon; që nuk zbaton ligjin, por e përdor policinë si shkop gome kundër popullit. Këto janë metoda tipike të regjimeve autoritare dhe kriminale që, kur ndihen të rrezikuara, godasin qytetarët dhe frikësojnë shoqërinë. Por populli opozitar nuk trembet, nuk nënshtrohet dhe nuk hesht. Do të na kenë përballë çdo ditë, në çdo rrugë institucionale e demokratike, deri në çrrënjosjen e këtij regjimi kriminal. Ashtu si shefi i tij, Edi Rama, edhe Ilir Proda e ka rreze qafes largimin nga detyra dhe shkuarjen ne burg”, thotë Flamur Noka.


KFOR kryen patrullime në disa komuna të Kosovës për forcimin e sigurisë

24 January 2026 at 22:00


Misioni i KFOR-it ka njoftuar se ushtarë multinacionalë nga Komanda Rajonale – Perëndimi kanë realizuar patrullime në disa komuna të Kosovës perëndimore, në kuadër të aktiviteteve të rregullta për ruajtjen e sigurisë.

Sipas njoftimit zyrtar, patrullimet janë zhvilluar si me mjete motorike ashtu edhe këmbësore, me qëllim të ruajtjes së një pranie të dukshme dhe fleksibile në terren, si dhe për të marrë informacione të drejtpërdrejta mbi zhvillimet aktuale.

KFOR ka theksuar se aktivitete të tilla kontribuojnë në forcimin e koordinimit dhe ndërveprimit ndërmjet njësive multinacionale, duke mbështetur stabilitetin dhe sigurinë në përputhje me mandatin e misionit.

Në njoftim rikujtohet se KFOR vazhdon zbatimin e mandatit të tij, për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës, si dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

Po ashtu, KFOR ka bërë të ditur se vazhdon bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në kuadër të roleve të tyre përkatëse si reagues të sigurisë./Telegrafi/


❌
❌