SOFJE, 19 janar /ATSH-AFP/- Presidenti i Bullgarisë njoftoi sot se do të jepte dorëheqjen para zgjedhjeve të parakohshme, duke thelluar trazirat politike që kanë përfshirë vendin anëtar të BE-së dhe NATO-s.
Vendi ballkanik, i cili prezantoi euron më 1 janar, u zhyt në trazira të reja politike pasi një seri protestash të gjera kundër korrupsionit rrëzuan nga detyra qeverinë e udhëhequr nga konservatorët, në mesin e dhjetorit.
Rumen Radev, një kritik i zëshëm i qeverisë që mbështeti protestat, njoftoi javën e kaluar se një votim i parakohshëm – zgjedhjet e teta të vendit në pesë vjet – do të mbaheshin pasi partitë nuk arritën të formonin një qeveri të re.
“Sot, po ju drejtohem për herë të fundit si president i Bullgarisë,” tha Radev gjatë një fjalimi televiziv, duke shtuar se do të jepte dorëheqjen nesër nga posti i tij.
Radev, 62 vjeç, tha se ishte i etur të merrte përsipër “betejën për të ardhmen” e Bullgarisë së bashku me – të frymëzuarit dhe të palëkundurit.
Ai tha se modeli i dëmshëm i qeverisjes ishte fajtor për varfërinë, protestat dhe mosbesimin ndaj institucioneve në vend.
Spekulimet kanë qenë të shumta se Radev mund të marrë pjesë në zgjedhje, pasi ai ka thënë se dëshiron të “bashkojë të gjithë” në luftën kundër korrupsionit.
Dorëheqja e tij shënon herën e parë që një kryetar shteti jep dorëheqjen që nga fundi i komunizmit.
Zëvendësja e Radev, Iliana Iotova, 61 vjeç, dhe ish-gazetare dhe ligjvënëse nga Partia Socialiste, pritet të shërbejë si presidente e përkohshme.
Zgjedhjet do të mbahen në fund të marsit ose prill, por ende nuk është caktuar një datë.
Është detyrë e presidentit të emërojë një kryeministër të përkohshëm nga një listë zyrtarësh të lartë shtetërorë dhe të caktojë një datë për votimin.
Mandati i Radev ishte planifikuar të përfundonte në fillim të vitit të ardhshëm, me zgjedhjet presidenciale që pritej të mbaheshin para asaj kohe.
– Ish-pilot luftarak –
Një ish-pilot dhe komandant i forcave ajrore bullgare, Radev, i cili u mbështet nga socialistët e opozitës pro-ruse, u zgjodh president për herë të parë në vitin 2016.
Gjatë protestave masive kundër korrupsionit në vitin 2020, ai shprehu mbështetje të fortë për demonstruesit.
Në vitin 2021, Radev siguroi një mandat të dytë 5-vjeçar, duke fituar pothuajse 67% të votave në raundin e dytë.
Shpesh në kundërshtim me qeverinë, ai ka shprehur kundërshtimin ndaj dërgimit të ndihmës ushtarake në Ukrainën e shkatërruar nga lufta.
Në një intervistë për CNN vitin e kaluar, ai shprehu zhgënjim për mungesën e mbështetjes midis aleatëve të BE-së për “përpjekjet e paqes” të vetëshpallura nga presidenti i SHBA-së Donald Trump.
Partia konservatore GERB kryesoi zgjedhjet më të fundit të vitit të kaluar, duke formuar një qeveri koalicioni, por protestat shpërthyen në fund të nëntorit për projektbuxhetin e saj të vitit 2026.
Protestuesit e quajtën atë si një përpjekje për të maskuar korrupsionin e përhapur.
Radev ka vendosur të japë dorëheqjen dhe potencialisht të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme.
Një sondazh i fundit, i kryer nga instituti “Market Links” raportoi për Radev një vlerësim miratimi prej 44%.
Bullgaria është ndër vendet e BE-së me renditjen më të ulët në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të organizatës mbikëqyrëse “Transparency International”. //a.i/
The post BULLGARI – Presidenti Radev jep dorëheqjen pas nëntë vitesh në detyrë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.