TIRANË, 27 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, i cili po vijon vizitën në Jeruzalem, iu adresua sot Konferencës Ndërkombëtare për Luftën Kundër Antisemitizmit, e cila përkon edhe me Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.
Konferencën e përshëndetën edhe Presidenti i Izraelit Isaac Herzog, si dhe ministri i Çështjeve të diasporës Amichai Çikli.
Më herët, Kryeministri Rama theksoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë në luftën kundër antisemitizmit, duke theksuar se ky qëndrim buron nga vlerat më të thella humane dhe historike të popullit shqiptar.
Gjatë periudhës më të errët të historisë evropiane, Shqipëria u shndërrua në një strehë të sigurt për hebrenjtë e përndjekur, duke i mbrojtur ata pa dallim, në frymën e besës dhe solidaritetit njerëzor.
TIRANË, 27 janar/ATSH/ Pallati i sportit “Bashkim Lala” në qytetin e Peshkopisë po rikthehet në funksion të plotë, pas investimit të bashkisë Dibër për rikonstruksionin e ambienteve të brendshme.
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se punimet për rilindjen e Pallatit të Sportit në Dibër janë drejt përfundimit.
Investimi, sipas kryeministrit, krijon një ambient dinjitoz për zhvillimin e aktiviteteve sportive, ku ndër të tjera, do të zhvillohen edhe ndeshjet e ekipit të volejbollit për femra “Korabi”.
Investimi kap vlerën e 7 milionë lekëve dhe punimet pritet të përfundojnë shumë shpejt duke vendosur ambientet e pallatit të sportit, në dispozicion të ekipeve të lojërave me dorë.
TIRANË, 27 janar/ATSH-Maela Marini/ Kuvendi tërhoqi sot nga rendi i ditës 4 projektligje me kërkesë të grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
Ndërsa nisi seancën plenare, Peleshi lexoi rendin e ditës me një sërë projektligjesh të rëndësishme, ndër të cilat edhe ndryshimet në Kodin Penal dhe projektligjin “Për lobimin”.
Në fillim të seancës plenare, nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi tërhoqi vëmendjen për rendin e ditës, ku sipas tij, listohen për shqyrtim dhe miratim 19 projektligje të rëndësishme, duke mos i lënë mundësi opozitës për debat.
Boçi kërkoi shtyrjen e disa prej këtyre projektligjeve në mënyrë që deputetët të kenë hapësirën e nevojshme për debat.
Nga ana tjetër edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla kërkoi shtyrjen e 4 projektligjeve të cilat, sipas tij, duhet të dakordësohen me Komisionin Europian.
Balla kërkoi shtyrjen e 4 projektligjeve në rendin e ditës, konkretisht të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për kontrollin e lëndëve që përdoren për fabrikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe psikotrope””; projektligjit “Për disa shtesa në ligjin “Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”, të ndryshuar; projektligji “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”; projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për mbrojtjen nga diskriminimi”.
“Në këtë mënyrë lehtësojmë edhe kalendarin e ditës së sotme dhe kjo shkon në linjë edhe me kërkesën e kolegëve të opozitës për të reduktuar numrin e çështjeve në shqyrtim”, tha Balla.
Në vijim, deputetja e PD-së, Jorida Tabaku u shpreh se nuk është e mjaftueshme vetëm heqja e 4 projektligjeve nga rendi i ditës.
Sipas saj, për projektligjin “Për lobimin”, nuk është kryer plotësisht konsultimi publik.
“Ligji për armatimet është shumë problematik, një pjesë e ndryshimeve në Kodin Penal nuk janë konsultuar, bashkë me ndryshimet për mediet. Këto duhet t’i diskutojmë me grupet e interesit. Procesi i integrimit nuk është proces letrash që miratohen në parlament, por është ndryshim në realitet”, tha Tabaku.
Në këtë drejtim, Tabaku kërkoi që të tërhiqen nga rendi i ditës të gjitha projektligjet që nuk kanë kryer një proces të rregullt parlamentar dhe që nuk janë konsultuar plotësisht.
Edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi kërkoi heqjen nga rendi i ditës të projektligjit “Për lobimet”, si dhe ndryshimet në Kodin Penal”.
Në përfundim, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi sqaroi se “ka vetëm një arsye që seancat janë të ngjeshura, axhenda e integrimit në BE”.
“Kam vetëm një kërkesë me shkrim nga kreu i grupit të PS-së që do trajtohet. Ju e dini rregulloren, propozimet që vijnë në seancë, duhet të respektojnë rregulloren. Projektligjet vijnë nga komisionet, së pari duhet shfrytëzuar hapësira aty”, iu drejtua Peleshi deputetëve të opozitës.
TIRANË, 26 janar/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot Shqipëria vazhdon të mbështesë të gjitha përpjekjet, përfshi planin e paqes për Gazën të presidentit Trump dhe do të luajë rolin e saj brenda forcës ndërkombëtare për stabilizimin e Gazës.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, në kuadër të vizitës së punës që po zhvillon në Jeruzalem, kryeministri Rama solli në vëmendje se Shqipëria dhe Izraeli ndajnë marrëdhënie të shkëlqyera që i kanë rrënjët në miqësinë e thellë midis dy popujve.
“Kjo miqësi e farkëtuar përmes shekujsh historie, kur më shumë se një herë, hebrenjtë që i iknin persekutimit në perëndim erdhën e u vendosën në brigjet tona. Trashëgimia unike historike e Shqipërisë në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Holokaustit e bën këtë lidhje thellësisht të veçantë, e për mua, për ne, është dëshmia e kurajës morale të gjyshërve tanë, një dëshmi që kurrë nuk duhet ta harrojmë dhe duhet të bëjmë gjithçka për ta trashëguar brez pas brezi”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se qeveria është plotësisht e përkushtuar për ta kremtuar këtë trashëgimi të çmuar nga historia dhe mban një qëndrim të vendosur, të qartë e të pandryshuar kundër antisemitizmit, si brenda vendit ashtu edhe ndërkombëtarisht.
“Edhe pse popullsia shqiptare, me shumicë myslimane, u bashkua me solidaritetin në mbarë botën, me vuajtjen e popullit të thjeshtë palestinez, gjatë luftës në Gaza, shqiptarët nuk u mblodhën në mitingje urrejtjeje kundër Izraelit, e as projektuan zemëratën e tyre për dhimbjen e tmerrshme të popullit palestinez, mbi numrin në rritje të vizitorëve hebrenj në vendin tonë. Kjo përbën një kontrast shumë të theksuar me atë çka për fat të keq ka ndodhur në shumë pjesë të tjera të Evropës, ku antisemitizmi edhe një herë u shndërrua në një prani thellësisht trazuese”, tha Rama.
Rama siguroi se vendi ynë qëndron në mënyrë të palëkundur kundër antisemitizmit, po aq sa qëndron kundër islamofobisë.
“Ne qartësisht refuzojmë të lejojmë urrejtjen apo diskriminimin të udhëheqë mendimin, veprimet apo marrëdhëniet tona me popuj e vende të tjera”, shtoi ai.
Kryeministri u ndal edhe te vizita e djeshme në Nova Site, të cilën e cilësoi “thellësisht trazuese”.
“Megjithatë, pata një ndjenjë lehtësimi moral kundrejt shpirtrave të atij vendi të dhimbshëm, duke e ditur që kurrë nuk i lamë në baltë, qëndruam krahë pengjeve dhe familjeve të tyre dhe kundër kasapëve neonazistë të Hamasit, veprimet e të cilëve kanë sjellë vuajtje të padurueshme, jo vetëm për izraelitët, por prej një kohe shumë të gjatë, edhe për motrat e vëllezërit tanë palestinezë, të dehumanizuar nga Hamasi deri në pikën e katandisjes në instrumente lufte, kthyer në një infrastrukturë mbrojtjeje prej mishi e gjaku, mish për zjarrin e terrorit. Diçka e paparë dhe e padëgjuar në historinë e barbarive”, tha Rama.
Po ashtu, Rama theksoi se “Shqipëria është e nderuar që bëhet pjesë e Bordit të Paqes, themeluar nga presidenti Trump dhe e shoh këtë ftesë jo vetëm si një njohje, por edhe përgjegjësi morale”. /j.p/
TIRANË, 26 janar/ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi zhvilloi sot një takim në Bruksel me Presidenten e Parlamentit Europian, Roberta Metsola.
Kjo vizitë u zhvillua në kuadër të intensifikimit të diplomacisë parlamentare dhe angazhimeve të Kuvendit për avancimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Gjatë takimit, Kryetari i Kuvendit shprehu vlerësimin për mbështetjen e vazhdueshme të Parlamentit Europian ndaj Shqipërisë dhe theksoi se perspektiva europiane e vendit mbetet e qartë, afatgjatë dhe e pakthyeshme.
Ai nënvizoi se anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk është një slogan politik, por një proces transformues i institucioneve, i qeverisjes dhe i jetës së përditshme të qytetarëve, duke theksuar konsensusin politik dhe parlamentar, si edhe mbështetjen e gjerë popullore për procesin e anëtarësimit.
Në fokus të bisedës ishte progresi i Shqipërisë në përmbushjen e kushteve të negociatave, veçanërisht në kapitujt që lidhen me sundimin e ligjit, reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe mbrojtjen e të drejtave themelore.
Peleshi vuri në dukje se Shqipëria është vendi kandidat me vendosmërinë më të madhe dhe që ecën me shpejtësinë më të lartë drejt familjes europiane, ndërsa reformat po avancojnë mbi bazën e rezultateve konkrete dhe treguesve të matshëm.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua kontributit të Kuvendit në procesin e anëtarësimit, si edhe përmirësimeve ligjore dhe strukturore për t’iu përshtatur më mirë rolit të Kuvendit në qendër të këtij procesi.
Presidentja Metsola vlerësoi progresin e dukshëm të Shqipërisë drejt anëtarësimit, bashkëpunimin shumë të mirë të Parlamentit Europian me Kuvendin, si edhe angazhimin parlamentar dhe institucional të Shqipërisë për përshpejtimin e bashkimit me familjen europiane.
Hapja e Zyrës Rajonale të Parlamentit Europian në Tiranë u cilësua si një sinjal i qartë i angazhimit të Bashkimit Europian ndaj Shqipërisë dhe perspektivës së saj europiane.
Në përfundim, Kryetari i Kuvendit rikonfirmoi përkushtimin e Shqipërisë për reforma demokratike, gjithëpërfshirëse dhe të pakthyeshme, duke e konsideruar Parlamentin Europian një partner kyç dhe një busull morale të projektit europian.
Në këtë vizitë, Kryetari i Kuvendit u shoqërua nga një delegacion i Kuvendit, i përbërë nga Igli Hasani, Kryetar i Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, Ulsi Manja, Kryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, Evis Kushi, Zv/Kryetare e Komisionit për Arsimin, Shkencën dhe Sportin, si dhe Ambasadori i Shqipërisë në BE, Ferit Hoxha.
TIRANË, 26 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama u prit sot në një takim nga Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.
Kryeministri Rama po zhvillon një vizitë pune në Jeruzalem në Izrael, në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit.
Në kuadër të kësaj vizite, kryeministri Rama do t’i drejtohet sot me një fjalë seancës plenare në Knesset.
Në këtë vizitë, kryeministri shoqërohet nga bashkëshortja e tij, Linda Rama dhe delegacioni zyrtar.
Gjatë ditës së djeshme kryeministri Rama dhe bashkëshortja e tij Linda Rama u ndalën në memorialin e viktimave të Festivalit Nova, një monument që përkujton viktimat e masakrës së festivalit muzikor Nova gjatë sulmeve të 7 tetorit 2023.
TIRANË, 26 janar/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot se rreth 25% e punonjësve të ndërtimit deklarohen me paga 40–50 mijë lekë dhe pas ndërgjegjësimit të administratës tatimore kjo shifër u reduktua vetëm me 7%.
Në një konferencë për shtyp, Malaj u ndal te formalizimi i sektorit të ndërtimit, ku sipas tij, kërkohet një angazhim i shtuar për të siguruar zbatimin e ligjit dhe operimin e këtij sektori sipas kërkesave të tregut.
Duke iu referuar aksionit të ndërmarrë nga administrata tatimore në disa prej agjencive më të mëdha imobilare në vend, Malaj theksoi se janë evidentuar shkelje të rënda që i kanë shkaktuar dëm buxhetit të shtetit, por edhe qytetarëve.
Ndaj, sipas ministrit Malaj, objektivat e administratës tatimore do të orientohen kryesisht në formalizimin e tregut të punës, në deklarimin e pagave reale, por natyrisht edhe në rritjen e deklarimeve dhe të qarkullimit të xhiros së bizneseve që operojnë në sektorin e ndërtimit.
Malaj informoi se në sektorin e ndërtimit janë evidentuar 8784 subjekte aktive, pjesa më e madhe e të cilave ushtron aktivitetin në Tiranë dhe Durrës.
“Është konstatuar se nga ky numër total i këtyre subjekteve, rreth 25% e tyre u paguajnë punonjësve paga të cilat variojnë nga 40-50 mijë lekë. Për fat të keq shifra 25% është një shifër tepër e lartë, në një kohë kur të gjithë jemi të vetëdijshëm se tregu ofron paga krejtësisht të tjera, të cilat janë më larta”, shtoi Malaj.
Nisur nga këto të dhëna të grumbulluara, ministri Malaj theksoi se administrata tatimore në muajin nëntor 2025 ndërmori një nismë të ndërgjegjësimit të këtyre subjekteve.
Sipas ministrit, në themel të punës sonë nuk është ndëshkimi i bizneseve, por është ndërgjegjësimi i tyre që të përmbushin në mënyrë vullnetare detyrimet tatimore.
“Janë dërguar 13 814 mesazhe të personalizuara drejt subjekteve që operojnë në sektorin e ndërtimit, apo atyre bizneseve që janë të angazhuar në zinxhirin furnizues të këtij sektori. Pas mesazheve ndërgjegjësuese, një pjesë e mirë e subjekteve kanë reflektuar, dhe më konkretisht për rreth 118 mijë të punësuar në sektorin e ndërtimit në muajin dhjetor 2025 kemi pasur një rritje të fondit të pagave me 9% krahasuar me muajin shtator 2025, duke arritur në rreth 78 milionë euro”, informoi Malaj.
Po kështu, Malaj theksoi se “edhe të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në muajin dhjetor 2025 u rritën me rreth 4% krahasuar me muajin shtator 2025”.
Ministri bëri të ditur se ka pasur edhe një reflektim pozitiv për sa i përket uljes së numrit të punonjësve që paguhen mes fashës 40-50 mijë lekë.
“Ulja e këtij numri ka qenë modeste, rreth 7%, që është një sinjal pozitiv por jo i mjaftueshëm. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se ky sektor vuan mungesën e krahut të punës dhe pagat që deklarohen në këtë sektor nuk reflektojnë realitetin që përballet sektori i ndërtimit”, tha Malaj.
Po ashtu, ministri informoi se pas mesazheve ndërgjegjësuese të dërguara nga administrata tatimore kemi një rrije me 18%, të numrit të punonjësve që paguhen mes fashave 70-100 mijë lekë.
Ndërkohë, Malaj theksoi se ka edhe një rritje domethënëse prej 10%, të pagave të punonjësve që paguhen mbi 120 mijë lekë.
“Disa biznese i kanë reflektuar ndërkohë që kemi subjekte të cilat ende nuk kanë reflektuar ndaj mesazheve të ndërgjegjësimit që ka dërguar administrata tatimore. Këto subjekte tashmë janë identifikuar dhe do të jenë objekt kontrolli i thelluar nga administrata tatimore. I bëj thirrje këtyre subjekteve që të bëjnë reflektimet e duhura dhe të përmbushin vullnetarisht të gjitha detyrimet që u ngarkon ligji”, u shpreh Malaj. /j.p/
TIRANË, 26 janar/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj informoi sot mbi rezultatet e deritanishme në kuadër të formalizimit të sektorit të turizmit dhe ndërtimit, si dhe rritjen e ndërgjegjësimit të biznesit për deklarimin real të pagave dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore.
Gjatë një konference për shtyp, ministri i Financave siguroi se angazhimi në luftën kundër informalitetit synon jo vetëm garantimin e një konkurrence të ndershme, por edhe mbrojtjen e konsumatorëve shqiptarë.
“Ne jemi tashmë në vitin e dytë të zbatimit të strategjisë afatmesme të të ardhurave, e cila do të shtrihet deri në vitin 2027. Zbatimi i kësaj strategjie e cila tashmë është dakordësuar me FMN-në, por edhe me BE-në, synon jo vetëm rritjen e të ardhurave por edhe një administrim më të mirë fiskal, natyrisht pa ndryshuar norma tatimore përgjatë periudhës që do të shtrihet kjo strategji”, u shpreh Malaj.
Pjesë e objektivave të kësaj strategjie, sipas ministrit Malaj është pa dyshim edhe rritja e formalizimit në sektorët kyç të ekonomisë por që rezultojnë me risk të lartë, siç është sektori i turizmit apo edhe sektori i ndërtimit.
Duke folur mbi strategjinë afatmesme të të ardhurave, Malaj u shpreh se vitin e kaluar rezultatet ishin tejet pozitive në luftën kundër informalitetit në sektorin e turizmit.
Kjo sipas tij, konfirmon edhe njëherë potencialin që ka ky sektor si një nga motorët kryesorë të zhvillimit ekonomik të vendit.
“Më konkretisht, numri mesatar i punonjësve për periudhën janar-shtator 2025 u rrit me 5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjithashtu, edhe fondi i pagave në këtë sektor u rrit me 18% duke arritur në rreth 162 milionë euro”, u shpreh Malaj.
Ndërkohë, Malaj theksoi se të njëjtin trend rritës kanë pasur edhe kontributet nga sigurimet shoqërore në masën 18%, duke arritur në rreth 46 milionë euro.
“Në sektorin e turizmit kemi edhe një rritje të arkëtimit të TVSH-së në masën 22%, duke arritur në rreth 40 milionë euro për periudhën e vitit 2025 në krahasim me vitin 2024”, shtoi Malaj.
Ministri i Financave Petrit Malaj dhe drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve Ilir Binaj konferencë ...
TIRANË, 21 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama mbërriti mbrëmjen e sotme në Vlorë, ku darkoi me Ivanka Trump, vajzën e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe një grup arkitektësh ndërkombëtarë.
Sipas medieve, në fokus të bisedimeve besohet se janë projekte dhe ide të reja zhvillimi, të lidhura me investime strategjike dhe vizionin urbanistik në zonën e Vlorës.
Ivanka Trump dhe Jared Kushner kanë shfaqur interes më herët për projekte zhvillimore në qytet dhe zonat përreth, me theks të veçantë në Zvërnec dhe Ishullin e Sazanit, të konsideruara si zona me potencial të lartë strategjik dhe turistik.
Pas darkës, Rama dhe Ivanka Trump kanë qëndruar për disa momente jashtë ambienteve ku u zhvillua takimi, duke shkëmbyer bisedë të shkurtër, ndërsa gjithçka është shoqëruar nga masa të rrepta sigurie.
Më pas, mediet bëjnë të ditur se Ivanka Trump është larguar me automjet, së bashku me Kryeministrin Rama, në drejtim të Orikumit.
Sipas Euronews, dhëndri i presidentit Trump, Jared Kushner nuk ka qenë pjesë e darkës. Ai ka qenë në Vlorë disa orë gjatë paradites dhe më pas është larguar për në Davos.
Ivanka Trump mbërriti sot paradite në qytetin bregdetar të Vlorës, e shoqëruar nën masa të rrepta sigurie nga Policia, teksa mësohet se qëndroi në një nga hotelet në zonën e “Ujit të ftohtë”.
Siç raportojnë korrespodentët e medieve, Ivanka Trump vizitoi zonën e Novoselës dhe më pas edhe Zvërnecin. Gjithashtu, në itinerarin e saj ka qenë edhe zona bregdetare e njohur si Porto Novo.
Kjo nuk është hera e parë që vajza e presidentit amerikan Donald Trump, Ivanka Trump viziton Vlorën. Së bashku me bashkëshortin e saj, Jared Kushner, Ivanka Trump kaloi disa ditë nga pushimet verore qershorin e kaluar në qytetin bregdetar.
TIRANË, 21 janar/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla vizitoi sot nënën e një prej viktimave të ngjarjeve të 21 Janarit në bulevard, Hekuran Dedës.
Për arsye shëndetësore, ajo sot për herë të parë në këto 15 vjet mungoi në ceremoninë përkujtimore me karafilë të kuq në vendin ku iu vra i biri.
“Sot, ndryshe nga çdo 21 Janar i këtyre 15 viteve, mungoi nëna e dëshmorit Hekuran Deda”, u shpreh Balla, duke theksuar se arsyeja e mungesës lidhet me moshën e saj të thyer.
Sipas tij, ajo mban mbi supe 87 vite jetë dhe një brengë të madhe që nuk është shuar as me kalimin e kohës.
Megjithatë, Balla tregon se e ka takuar në mbrëmje nënën e Hekuran Dedës dhe se ajo i është shfaqur e fortë me shpresën se drejtësia do të bëjë më në fund detyrën e saj.
“Sonte e gjeta të fortë në zemër dhe me shpresën se drejtësia do të arrijë t’i tregojë se me urdhër të kujt u vra djali i saj”, shprehet ai.
Balla riktheu në vëmendje plagën e hapur të 21 Janarit dhe pritjen e gjatë të familjarëve të viktimave për zbardhjen e plotë të përgjegjësive dhe vendosjen e drejtësisë.
TIRANË, 21 janar/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot se sfida e demokratëve është mbrojtja e votës së lirë.
Në një bashkëbisedim me simpatizantët e degës 2 të PD-së në Tiranë, Berisha kujtoi se kur PD humbi zgjedhjet pranoi rotacionin dhe doli në opozitë duke u qëndruar vlerave dhe parimeve.
Ndërkohë, qeverisja e sotme, sipas Berishës, e shtyp pluralizmin me të gjitha mjetet dhe e shndërron në fasadë. “Edi Rama e realizon këtë nëpërmjet shndërrimit të zgjedhjeve në farsë, nëpërmjet propagandës së tij, se farsat janë votë dhe se farsat janë zgjedhje”, tha Berisha.
Kreu i PD-së u shpreh se “sot kjo forcë politike ndodhet në një moment jashtëzakonisht të vështirë, por përcaktues për fatin e Shqipërisë dhe shqiptarëve”.
Berisha u shpreh se interesi kombëtar i shqiptarëve kërkon që ne ta denoncojmë këtë farsë elektorale.
“Sot opozitarët janë njerëz të mërzitur, janë të lodhur, të keqtrajtuar dhe të dëshpëruar. Por çdo opozitari dhe opozitareje i them se jemi në kilometrin e fundit, për shkak të qëndresës sonë. Ne kemi përballë një armik të paligjshëm, që qëndron në kundërshtim me Kushtetutën, me ligjin dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha.
Berisha theksoi se zgjedhjet e kaluara ishin farsë, ndaj dhe “ne kemi të drejtën kombëtare, ndërkombëtare, morale, ligjore, ta rrëzojmë këtë qeveri një minutë e më parë”.
“Ne kemi çdo motiv. Dy gjëra i heqin çdo legjitimitet qeverisë: farsa zgjedhore dhe vjedhja e qytetarëve”, tha Berisha.
TIRANË, 21 janar/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se edhe gjatë qeverisjes së djathtë ka pasur korrupsion, por kishte po ashtu edhe një luftë të hekurt kundër këtij fenomeni.
Në një bashkëbisedim me simpatizantët e degës 2 PD-së në Tiranë, Berisha u shpreh se “ne jemi forcë politike vendimesh të dhimbshme, por i kemi marrë ato në emër të një morali dhe një parimi”.
“Kemi një problem serioz, pasi për korrupsionin nuk kemi arritur që të krijojë zemërimin e madh të qytetarit. Nuk e pëlqejnë, por nuk është ai reagim që duhet të jetë. Dhe këtu është një defekt i yni, duhet ta pranojmë. Duhet të mos lodhemi së shpjeguari”, tha Berisha.
Sipas tij, PD në tetë vite administroi 30 miliardë euro. “Ne ishim parti e taksave të ulëta dhe do jemi gjithmonë. Kanë administruar në 12 vite, 67 miliardë euro. Dyfishuam rroga dhe pensione. Ndërtuam 11 mijë kilometra rrugë dhe mbi një mijë shkolla e kopshte”, tha Berisha.
Berisha theksoi se PD përfaqëson interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe ky mision u shndërrua dhe në forcën jetike të kësaj force politike.
TIRANË, 21 janar/ATSH/ Partia Socialiste, përmes një shkrese zyrtare drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi ka kërkuar mbledhjen e Kuvendit ditën e enjte për ratifikimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes për pranimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes.
Në shkresën drejtuar Kuvendit, grupi parlamentar i Partisë Socialiste kërkon thirrjen e Kuvendit në 22 janar në orën 10:00 duke marrë në konsideratë rëndësinë strategjike të Bordit të Paqes.
Po ashtu PS thekson se kërkesa bazohet në Kushtetutë dhe në Rregulloren e Kuvendit dhe vjen pas vlerësimit të rëndësisë së projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes” dhe në funksion të angazhimit të vazhdueshëm të Shqipërisë për promovimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Nga ana tjetër Partia Demokratike e pyetur nga mediet për pjesëmarrjen ose jo në një seancë plenare të supozuar për t’u zhvilluar nesër, shprehet se “deri në orën 16.40, grupi parlamentar i Partisë Demokratike nuk ka marrë asnjë njoftim nga Kryetari i Kuvendit për mbledhje të seancës plenare gjatë kësaj jave.
“Me vendim të njëanshëm të mazhorancës në seancën plenare të datës 19 janar 2026, në Kalendarin e Punimeve të Kuvendit, është përcaktuar që këtë javë nuk ka seancë plenare. Seanca plenare e radhës është planifikuar për t’u zhvilluar në datën 27 janar. Sipas Rregullores së Kuvendit, mbledhja e seancës plenare dhe rendi i ditës, i njoftohen deputetëve dhe publikut, si rregull 7 ditë përpara, por jo më vonë se 2 ditë përpara datës së caktuar për seancë plenare”, thuhet në njoftimin e PD-së.
Sipas PD-së, “transparenca dhe llogaridhënia ndaj qytetarëve i dikton Kuvendit që për secilën çështje dhe vendimmarrje, të respektojë rregullat e parashikuara nga Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit, në respekt edhe të përgjegjshmërisë që duhet të tregojë secili deputet gjatë ushtrimit të funksionit të tij kushtetues”.
TIRANË, 21 janar/ATSH/ Në kuadër të programit “Paketa e Maleve”, Këshilli i Ministrave shpalli sot disa zona me përparësi zhvillimi të ekonomisë malore në bashkitë Dibër, Memaliaj dhe Tepelenë.
Llojet e aktiviteteve që do të zhvillohen në këto zona kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik; zhvillimin industrial dhe zhvillimin turistik.
Në bashkinë Dibër zonë me përparësi zhvillimi të ekonomisë malore janë shpallur në Bjeshkët e Korabit, të Hinoskës, të Gramës dhe të Zimurit.
Po ashtu, zona zhvillimore janë përcaktuar në fshatin Brezhdan, fshatin Kallë, fshatin Lashkizë, fshatin Lugjej, në Lurë, në fshatin Qa (Prat), fshatin Sllatinë, në Lan – Lurë etj.
Zona zhvillimore në territorin e kësaj bashkie janë përcaktuar edhe në livadhet e Kallës – Vleshë, në luginën e lumit Drin, si dhe në fshatrat Selishtë, Luzni dhe Rabdisht.
Ndërsa në territorin e bashkisë Memaliaj janë shpallur zona zhvillimore në fshatrat Arrëz e Madhe, Maricaj dhe Vagalat, në njësinë administrative Buz, dhe në fshatin Rabie.
Në bashkinë Tepelenë janë shpallur zona me përparësi zhvillimi të ekonomisë malore sipërfaqe toke në njësinë administrative Kurvelesh, në njësinë administrative Lopës dhe në njësinë administrative Qendër-Tepelenë.
TIRANË, 21 janar/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot 1067 vende vakante për vitin 2026 në institucionet e administratës shtetërore, pjesë e Shërbimit Civil.
Nga këto 11 vende do të jenë për Trupën e Nëpunësve Civilë të Nivelit të Lartë Drejtues, 99 për kategorinë e mesme drejtuese, 205 për kategorinë e ulët drejtuese dhe 752 për kategorinë ekzekutive 752.
Fondet buxhetore për vendet vakante të planifikuara për rekrutim për vitin 2026 janë pjesë të fondeve buxhetore të miratuara me ligjin e buxhetit për vitin 2026 për secilin institucion të administratës shtetërore.
Plotësimi i vendeve vakante në kategorinë ekzekutive, kategorinë e ulët drejtuese, apo në kategorinë e mesme drejtuese bëhet së pari, nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele, ku mund të konkurrojnë nëpunësit civilë të së njëjtës kategori në të njëjtin institucion apo në një institucion tjetër të shërbimit civil, që plotësojnë kushtet për lëvizjen paralele dhe kërkesat e posaçme për vendet e lira.
Vendet, që mbeten të lira në përfundim të procedurës së lëvizjes paralele për kategorinë ekzekutive, plotësohen nëpërmjet procedurës së pranimit në shërbimin civil, ku mund të konkurrojnë të gjithë ata kandidatë jashtë shërbimit civil.
Ndërsa për kategorinë e ulët dhe atë të mesme drejtuese, plotësohen nëpërmjet procedurës së ngritjes në detyrë, ku mund të konkurrojnë nëpunësit civilë të një kategorie paraardhëse, të punësuar në të njëjtin institucion apo në një institucion tjetër të shërbimit civil.
Po ashtu, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për hapjen e procedurës së pranimit të drejtpërdrejtë në TND edhe për kandidatë të tjerë jashtë shërbimit civil dhe për përdorimin e procedurës së pranimit të drejtpërdrejt në TND, për vitin 2026.
Pranimi në TND bëhet në mënyrë të drejtpërdrejtë, nëpërmjet një konkursi kombëtar.
Numri i pozicioneve, për të cilat do të përdoret procedura e pranimit të drejtpërdrejtë në TND, është 11.
TIRANË, 19 janar/ATSH/ Nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu, në fjalën e mbajtur sot në Konferencën e Kryetarëve, u ndal te çështjet që lidhen me dezinformimin dhe lajmet e rreme.
“Në fundjavë ishim dëshmitarë të një lajmi plotësisht të pavërtetë dhe pa asnjë fakt të cilat vendosën në shënjestër familjarë të kryetarit të grupit parlamentar të PS-së (Taulant Balla – shën. i red.). Mediet të cilat i servirën këto lajme edhe pse u vunë në dijeni të së vërtetës, vazhduan të përhapin shpifjet e hedhura nga Berisha dhe përfaqësues të tjerë të opozitës”, u shpreh Spahiu.
Sipas Spahiut, është e papranueshme ajo që ndodhi.
Spahiu tha se “duhen gjetur mekanizmat që në raste të tilla si ky, të marrin përgjegjësitë, qoftë edhe penale, personat që orkestrojnë lajme të rreme të tilla”.
TIRANË, 19 janar/ATSH/ Parku i Liqenit të Paskuqanit po shndërrohet në një nga hapësirat më të rëndësishme publike dhe rekreative të zonës metropolitane Tiranë–Kamzë.
Me një sipërfaqe prej 84 hektarësh, ky park përfaqëson një investim të qëndrueshëm në shërbim të komunitetit, mjedisit dhe zhvillimit urban, duke u kthyer në një pikë referimi për cilësinë e jetës së banorëve.
Gjatë vizitës në Parkun e Liqenit të Paskuqanit, kryeministri Edi Rama, së bashku me kryetarin e bashkisë së Kamzës, Rakip Suli, panë nga afër investimet e realizuara dhe ecurinë e transformimit të kësaj hapësire të gjelbër.
Infrastruktura e parkut përfshin një pedonale rrethore prej 5,2 kilometrash, amfiteatrin veror, molin mbi liqen, kënde lojërash për fëmijë, korsi biçikletash si dhe ambiente sportive për volejboll, basketboll, tenis dhe futboll. Parku frekuentohet çdo ditë nga mijëra qytetarë, veçanërisht gjatë ditëve me mot të mirë, duke shërbyer si një hapësirë çlodhjeje, aktiviteti fizik dhe socializimi.
Kryeministri Rama vlerësoi transformimin e realizuar dhe e cilësoi Parkun e Liqenit të Paskuqanit si një model për administrimin racional të aseteve natyrore.
Ai theksoi rëndësinë e promovimit të sporteve ujore, veçanërisht kanoes, duke sugjeruar krijimin e një baze të posaçme për këtë aktivitet.
“Vazhdon puna intensive për një transformim që nuk ndalet edhe ky park po nis të marrë formë. Mjafton të imagjinosh se si do të rritet kurora e pemëve në vitet që vijnë për të kuptuar që falë kryetarit të bashkisë, me mbështetjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, një aset i gjelbër i paçmueshëm do t’i jepet kryeqytetit nga Kamza. Kur sheh këtë transformim, të vjen keq se si u goditën dhe u zhvlerësuan në të kaluarën asete po kaq të vlefshme si liqeni i Farkës apo liqeni i Thatë, përpara sesa ato territore mund të futeshin në një administrim racional. Gjithsesi mësojmë nga Kamza dhe ecim në shembullin e Kamzës”, u shpreh kryeministri Rama.
Kryetari i bashkisë së Kamzës, Rakip Suli tha se Parku i Liqenit të Paskuqanit është ndërtuar nga e para dhe përfaqëson një investim të rëndësishëm për të gjithë zonën.
“E gjithë kjo sipërfaqe është 84 hektarë dhe vetëm pasqyra e ujit e liqenit që është rreth 18 hektarë dhe këtu e kemi mbushur me rreth 80 mijë pemë. Ky park u shërben rreth 152 mijë banorëve”, tha kryebashkiaku i Kamzës.
Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli theksoi se investimi është konceptuar për t’u shërbyer veçanërisht të rinjve dhe për të nxitur aktivitete rekreative dhe sportive.
Sipas kryetarit të bashkisë së Kamzës, investimi ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në rritjen e vlerës së pronave përreth. “Vlera e pronës është rritur me minimumi 4-5-fish”, tha Suli.
Transformimi i Parkut të Liqenit të Paskuqanit është pjesë e një vizioni afatgjatë për zhvillim të qëndrueshëm urban, duke e kthyer Kamzën në një shembull pozitiv për mënyrën se si hapësirat publike mund të rigjenerohen në dobi të komunitetit dhe brezave të ardhshëm.
TIRANË, 19 janar/ATSH-Maela Marini/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali u shpreh sot se ftesa e presidentit të SHBA-së, Donald Trump për Shqipërinë si vend anëtar themelues në “Bordin e Paqes” për Rripin e Gazës është një vlerësim i lartë, për rolin e ri që vendi ka marrë ndër vite në çështjet e paqes dhe sigurisë.
Në një konferencë për shtyp, Spiropali theksoi rëndësinë e veçantë të kësaj ftese për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, ndërsa u shpreh se “politika jonë e jashtme në dekadën e fundit, po sjell në vazhdimësi rezultate të paimagjinueshme deri jo shumë vite më parë”.
Për ministren Spiropali kjo ftesë është një vlerësim i lartë për rolin e ri që Shqipëria ka marrë ndër vite në çështjet e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajonin tonë sigurisht, por edhe në gjirin e organizatave ndërkombëtare.
“Nuk ka dyshim se ftesa e Presidentit të Amerikës është edhe një vlerësim i drejtpërdrejtë për lidershipin e kryeministrit Edi Rama, i cili është ftuar personalisht si anëtar i ‘Bordit të Paqes'”, theksoi ajo.
Kryediplomatja shqiptare theksoi se sipas statutit, anëtarët themelues kanë zë të barabartë dhe peshë reale në drejtimin strategjik të këtij organizmi, prandaj kjo ftesë nuk është vetëm një nder i madh, po është edhe një përgjegjësi e lartë shtetërore.
“Fatkeqësisht, edhe për një ngjarje me një peshë të tillë, krejt të veçantë për Shqipërinë e vogël, ky lajm i mirë për emrin e Shqipërisë e të shqiptarit në botë, është pasuar nga një lumë marrëzish të derdhura në mexhlisin e informimit publik. Ndërkohë që Shqipëria ftohet si bashkëndërtuese e një mekanizmi të ri ndërkombëtar, i cili synon ndërtimin e paqes së qëndrueshme dhe funksionale në botë, duke nisur me një nga sfidat më të ndërlikuara dhe më të ndjeshme të sigurisë globale, siç është e ardhmja e Rripit të Gazës, opinioni publik shqiptar sulmohet nga brenda me gjithëfarë fantazish të kundërshtarëve të kësaj qeverie”, theksoi ajo.
Sipas Spiropalit, pikërisht në një moment me simbolikë e peshë të veçantë, ku Shqipëria thirret si bashkëthemeluese e një qendre të re diskutimesh e vendimmarrjesh me impakt global, në Shtëpinë e Bardhë, periferia e skenës sonë politike përndizet, a thua se Shqipëria u përjashtua me turp, jo se u ftua me nderim të posaçëm.
“Teksa ky zhvillim dërgon gjithashtu mesazhin e Amerikës së re, se në politikën ndërkombëtare të sotme, madhësia gjeografike apo demografike e një vendi nuk është faktor përcaktues, po vlejnë mbi të gjitha autenticiteti, koherenca dhe aftësia për t’i kontribuar paqes, stabilitetit e sigurisë – çka Shqipërisë ia njohin e çmojnë të gjithë prej disa vitesh tanimë – në Tiranë plas marazi e marrin dhenë lloj-lloj tregimesh me miliarda dollarë që do paguakemi për Bordin, e me palestinezët që do t’i sillkemi në Shqipëri në këmbim të prezencës sonë në atë bord”, shtoi ajo.
Spiropali theksoi se “kjo ftesë e drejtpërdrejtë e Presidentit të SHBA për Kryeministrin e Shqipërisë, për t’iu bashkuar Bordit të Paqes si bashkëthemelues, konfirmon forcën dhe besimin e ndërsjellë në partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
“E ndërkohë që ky partneritet, bosht kryesor i politikës së jashtme shqiptare dhe garanci e pozicionit tonë euroatlantik, fiton një kuotë të re historike dhe edhe një herë akoma, Shqipëria vlerësohet si një aleate e çmuar nga aleati i saj më i madh, SHBA, në pazarin e Tiranës politike numërohen të ftuarit. Ne nuk e dimë ende sa janë udhëheqësit e ftuar nga presidenti Trump, në kohë e kapacitete të ndryshme, për t’iu bashkuar nismës së tij globale, por dimë me siguri që as në Argjentinë e as në Turqi, ku udhëheqësit e atyre vendeve ku e ku më të mëdha sesa vendi ynë e kanë njoftuar publikun për ftesën, nuk ka pasur kurrfarë debati mbi madhësinë e numrit të anëtarëve të Bordit të Paqes. Përkundrazi, përfshirja e vendit ndër të ftuarit është konsideruar diçka pozitive, e mirëpritur dhe e pranuar me falenderim”, u shpreh Spiropali.
Bordi i Paqes, sipas ministres Spiropali, përfaqëson një qasje të re, të ndryshme nga modelet tradicionale të trajtimit të konflikteve dhe mekanizmat ekzistues të menaxhimit të krizave.
Modeli ynë i jashtëzakonshëm i bashkëjetesës fetare, sipas Spiropalit, është një vlerë e shtuar që Shqipëria do të çojë në tryezën e lartë të Bordit të Paqes, me statusin e Anëtarit Themelues, i cili i jep Shqipërisë një mundësi historike në formësimin e vizionit, parimeve dhe zgjidhjeve të Bordit të Paqes në të mirë të njerëzimit.
Kjo ftesë, sipas saj, “është e mjaftueshme për të zhbërë të gjitha fabrikimet, që kanë qarkulluar kohët e fundit lidhur me qasjen e administratës së presidentit Trump ndaj qeverisë shqiptare apo vetë kryeministrit Rama”.
“Këto fabrikime kulmuan me agresionin dizinformues ndaj vendimit të brendshëm të SHBA për të rishikuar politikën e vizave të qëndrimit e lejeve të punës në Amerikë për gati gjysmën e vendeve me të cilat SHBA kanë marrëdhënie diplomatike. Të gjithë ata që pa asnjë përgjegjshmëri publike, u turrën ta helmojnë publikun e kanë marrë përgjigjen as më shumë e as më pak, po direkt nga presidenti Donald Trump, i cili ka nënshkruar në letrën e tij se, Shqipëria është një partner i mrekullueshëm dhe Edi Rama është një udhëheqës i respektuar botërisht”, shtoi ajo.
Elisa Spiropali, ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme; Foto: Florian Abazaj
1 nga 2
Elisa Spiropali, Ministre e Europës dhe Punëve të Jashtme, Foto; Florian Abazaj
TIRANË, 19 janar/ATSH/ Presidenti Bajram Begaj theksoi sot rëndësinë e bashkëpunimit mes palëve në Kuvend për realizimin e reformës zgjedhore dhe asaj territoriale, ndërsa u shpreh se “nëse bashkëpunimi ngec, debati humbet fokusin nga interesi ynë kombëtar: integrimi në Bashkimin Evropian”.
Në një mesazh drejtuar Kuvendit në nisje të sesionit të ri parlamentar, Presidenti Begaj theksoi se ky gjashtëmujor mbart sfida të rëndësishme për vendin dhe kërkon vullnet politik e vetëdije të lartë shtetformuese, në mënyrë që çdo nismë ligjore t’i shërbejë drejtpërdrejt forcimit të shtetit të së drejtës, mirëqenies së qytetarëve tanë dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Përafrimi i legjislacionit dhe plotësimi me prioritet i agjendës së Bashkimit Evropian, sipas Kreut të Shtetit, “nuk mund të ketë konkurrencë”.
Begaj theksoi se kjo kërkon përgjegjësi dhe përkushtim të vërtetë, reforma të thella dhe punë intensive.
“Procesi parlamentar në këtë drejtim nuk e garanton dot suksesin nëse vëmendja shpërqendrohet, nëse ligjërimi parlamentar humbet rrugën, nëse bashkëpunimi ngec, nëse debati humbet fokusin nga interesi ynë kombëtar dhe nëse rezultatet vonojnë. Në rrugën drejt familjes evropiane ne nuk kemi kohë për të humbur dhe as energji për të shpërdoruar”, shtoi Begaj.
Duke iu drejtuar deputetëve, Begaj u shpreh se qytetarët presin më pak konflikt dhe më shumë zgjidhje. “Ata presin ligje cilësore, mbikëqyrje mbi qeverisjen dhe një debat politik të ndershëm. Në këtë ekuilibër rolesh, secili ka përgjegjësinë e vet. Demokracia nuk mund të funksionojë pa ekuilibër dhe pa respekt reciprok”, tha Begaj.
Ky sesion, sipas Kreut të Shtetit, përballet me nevojën që politika të konfirmojë mbështetjen për drejtësinë. “Politika duhet të ndihet krenare kur drejtësia vepron kundër korrupsionit, krimit të organizuar, kur drejtësia tregon pavarësi, integritet, profesionalizëm dhe kur qytetarët marrin drejtësi sipas standardeve evropiane”, shtoi ai.
Po ashtu, Begaj theksoi se në këtë sesion, reforma zgjedhore duhet të arrijë pikën kulmore.
“Angazhimet në funksion të kësaj reforme kërkojnë përkushtimin tuaj maksimal. Rekomandimet e misionit të OSBE-ODIHR-it kanë identifikuar çështje thelbësore për standardin e zgjedhjeve në Shqipëri, të cilat nuk mund të ngelen pa u adresuar. Kuadri ligjor zgjedhor duhet t’i nënshtrohet një reformimi tërësor, në një proces konsultimi gjithëpërfshirës dhe në përputhje me praktikat e mira dhe standardet ndërkombëtare brenda këtij sesioni parlamentar. Ndryshimet e vonuara të legjislacionit zgjedhor përbëjnë rrezik për standardin e zgjedhjeve”, u shpreh Presidenti.
Një tjetër gur kilometrik, sipas Kreut të Shtetit, përbën reforma administrativo-territoriale, e cila suksesin e ka të lidhur ngushtë me aftësinë e palëve për dialog konstruktiv dhe kompromis.
“Kjo reformë duhet të udhëhiqet nga interesi më i lartë i qytetarëve, lëvizjet demografike, nga nevoja për shërbime dhe infrastrukturë publike dinjitoze dhe të barabartë në çdo njësi për ta bërë vetëqeverisjen vendore të vërtetë dhe të qëndrueshme”, shtoi Begaj.
Begaj tha se “qytetarët kanë nevojë ta shohin Kuvendin në veprim dhe qeverinë të japë llogari, por, mbi të gjitha, ata kanë nevojë që kjo procedurë parlamentare të jetë serioze dhe e përgjegjshme”.
Në këtë drejtim, ai theksoi se kontrolli parlamentar ka kuptim kur ai prodhon rezultat, kur institucionet vihen në lëvizje, kur merren masa, ndryshohen procedura, përmirësohen ligje.
“Një parlament me qytetarët dhe për qytetarët duhet të reflektojë problemet dhe kërkesat e tyre prioritare. Përmes një komunikimi politik, etik, konstruktiv dhe bashkëpunues, sfidat e demografisë, të sigurisë sociale, sigurisë kibernetike, sigurisë nga fatkeqësitë natyrore dhe të sigurisë kombëtare meritojnë vëmendje më të madhe ligjore dhe institucionale”, tha Presidenti.
TIRANË, 19 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama shprehu sot ngushëllimet për familjet e viktimave të aksidentit tragjik hekurudhor në Spanjë.
Në një mesazh drejtuar homologut spanjoll, Pedro Sanchez, kryeministri Rama shprehu solidaritetin me popullin dhe qeverinë e Spanjës në këtë moment dhimbjeje.
“Me trishtim të thellë kam marrë lajmin për aksidentin tragjik hekurudhor të ndodhur në Adamuz. Në emër të popullit të Shqipërisë dhe në emrin tim personal, dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e viktimave dhe solidaritetin tim me popullin dhe Qeverinë e Spanjës në këtë moment dhimbjeje”, u shpreh Rama.
Në mesazhin e tij, kryeministri theksoi se “mendimet tona janë me ata që kanë humbur të dashurit e tyre dhe me të gjitha ekipet që po punojnë pa u lodhur në përballimin e kësaj tragjedie”.
Përplasje fatale e dy trenave të shpejtësisë së lartë në Spanjë ka shkaktuar, sipas raportimeve, 39 viktima dhe 73 të plagosur, 24 prej tyre janë në gjendje të rëndë, nga të cilët katër janë të mitur.