Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 22 January 2026Main stream

Komuna e Gjilanit vazhdon subvencionimin e qirasë për familjet në nevojë

22 January 2026 at 12:30


Komuna e Gjilanit ka njoftuar se edhe gjatë këtij viti do të vazhdojë subvencionimin e qirasë për familjet që nuk kanë banesë apo shtëpi në pronësi dhe gjenden në gjendje të rëndë ekonomike.

Drejtoria e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Sociale ka hapur thirrjen për aplikim, e cila do të jetë e hapur deri më 30 janar 2026. Të drejtë aplikimi kanë vetëm familjet rezidente në Komunën e Gjilanit që plotësojnë kriteret e nevojës ekonomike.

Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, tha se subvencionimi i qirasë është njëra prej politikave që vazhdohet edhe në mandatin e dytë.

“Njëra prej politikave të cilat i kemi ndjekur gjatë mandatit të parë, po e vazhdojmë edhe në mandatin e dytë. 163 mijë euro i kemi financuar në mandatin e parë dhe këtë mbështetje po e vazhdojmë edhe gjatë këtij mandati”, deklaroi Hyseni.

Ai shtoi se tash është mundësia për të gjithë ata që kanë nevojë për mbështetje për banim të aplikojnë dhe bëri thirrje që të mos vonohen, duke vënë në dukje se afati i aplikimit po afrohet.

Për më shumë detaje rreth procedurës së aplikimit dhe kriteret e pranueshmërisë, qytetarët mund të vizitojnë faqen zyrtare të Komunës së Gjilanit. /Telegrafi/


Komuna e Vitisë njofton për vazhdimin e afatit për legalizimin e ndërtimeve pa leje

22 January 2026 at 12:03


Komuna e Vitisë informon qytetarët se Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka vendosur të vazhdojë afatin për dorëzimin e aplikacioneve për legalizimin e ndërtimeve pa leje, në përputhje me nenin 9, paragrafi 2 të Ligjit Nr. 06/L-024 për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje.

Sipas këtij vendimi, afati do të zgjatet për një periudhë prej 12 muajsh, duke filluar nga data e nënshkrimit të vendimit, dhe është vendosur për të lejuar qytetarët të përmbushin objektivat e ligjit.

Qytetarët mund të dorëzojnë aplikacionet e tyre në Zyrat e Drejtorisë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit (DUPMM) në objektin e ri të Komunës së Vitisë.

“Ky vendim u mor duke marrë parasysh nevojën për kohë shtesë, me qëllim që të arrihen objektivat e Ligjit për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje", ka deklaruar Liridon Januzi, U.D. i Drejtorisë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit.

Komuna e Vitisë fton të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë këtë mundësi për të legalizuar ndërtimet e tyre sipas ligjit.


Before yesterdayMain stream

Drejtoria e Inspekcionit në Gjilan me bilanc vjetor për vitin 2025, qindra inspektime, gjoba dhe rritje e kontrollit institucional

21 January 2026 at 08:45


Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Gjilanit ka publikuar bilancin vjetor të punës për periudhën janar–dhjetor 2025, duke prezantuar të dhëna të detajuara mbi aktivitetet inspektuese në fushën e ndërtimit, veprimtarive afariste, komunikacionit, mjedisit dhe hapësirave publike.

Në sektorin e ndërtimit, gjatë vitit 2025 janë hartuar gjithsej 308 procesverbale, janë shqiptuar 15 gjoba dhe janë shqyrtuar 36 ankesa nga qytetarët.

Nga Drejtoria theksohet se është rritur ndjeshëm vetëdijesimi i qytetarëve për pajisje me leje ndërtimi, ndërsa ndërtimet e larta janë mbajtur nën kontroll të vazhdueshëm përmes matjeve gjeodezike për çdo etazhitet.

Inspektorët kanë realizuar përcjellje të vazhdueshme të punimeve, gjë që, sipas tyre, ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së ndërtimit.

Në fushën e veprimtarive afariste, gjatë vitit janë inspektuar 261 biznese, shumica prej tyre biznese të reja. Për këtë periudhë janë hartuar 261 procesverbale, janë realizuar 163 pranime të kushteve minimale teknike për subjekte afariste, si dhe është bërë kontrolli i dokumentacionit të konformitetit të mallrave sipas standardeve evropiane.

Po ashtu, është mbyllur një subjekt afarist dhe janë shqiptuar 10 gjoba mandatore, ndërsa të hyrat nga pranimet teknike kanë arritur vlerën prej 14,600 euro.

Drejtoria ka raportuar edhe për bashkëpunim me Policinë e Kosovës lidhur me organizimin e ahengjeve të maturantëve, ku gjatë inspektimeve janë ndaluar pijet alkoolike për persona nën moshën 18-vjeçare.

Në sektorin e komunikacionit janë hartuar 176 procesverbale, janë iniciuar 35 kundërvajtje dhe janë shqiptuar 10 gjoba. Inspektimet kanë përfshirë linjat komunale të autobusëve, taksitë legale dhe ilegale, si dhe aktivitete vetëdijesuese në shkolla fillore të mesme të ulëta, ku gjatë muajit shtator janë mbajtur ligjërata me temën “Fëmijët miq në trafikun rrugor” në tetë shkolla të zonës urbane të Gjilanit.

Në aspektin e mjedisit, Drejtoria ka monitoruar hapësirat urbane dhe rurale, duke trajtuar kërkesa dhe ankesa të qytetarëve për ndotje, hedhje të mbeturinave dhe pajisje me leje mjedisore komunale. Pas inspektimeve në terren janë lëshuar vendime, gjoba, afate ligjore dhe akte të tjera normative.

Po ashtu, është bërë monitorimi i zbatimit të lejeve mjedisore për subjektet afariste dhe është realizuar bashkëpunim me operatorë publikë për pastrimin e disa lokacioneve në qytet.

Gjatë vitit 2025, Drejtoria e Inspekcionit ka bashkëpunuar ngushtë me Policinë e Kosovës, MMPHI-në, KPMM-në, prokurorinë, ndërmarrjet publike lokale dhe kompani të shërbimeve publike, duke përfshirë “Hidromorava”, NPL “Tregu”, “Eco Higjiena” dhe KEDS-in.


Në kuadër të shqyrtimit të ankesave zyrtare, janë shqiptuar 13 gjoba mandatore, janë hartuar 109 procesverbale dhe janë pranuar 39 kërkesa zyrtare. Sipas Drejtorisë, masat e ndërmarra kanë përfshirë vërejtje verbale, ndërprerje punimesh, dhënie afatesh ligjore dhe shqiptim gjobash.

Drejtoria e Inspekcionit në Gjilan vlerëson se puna gjatë vitit 2025 ka kontribuar në forcimin e zbatimit të ligjit, rritjen e rendit dhe përmirësimin e standardeve në fusha të ndryshme të jetës publike në komunë. /Telegrafi/



Ndërprerje e furnizimit me ujë në lagjen “Dheu i Bardhë”

20 January 2026 at 15:41


Hidromorava njofton konsumatorët se, për shkak të një defekti në gypin e ujësjellësit, furnizimi me ujë në rrugën “Mbretëresha Teutë” në lagjen “Dheu i Bardhë” është ndërprerë.

Kompania bën të ditur se çdo ndryshim në situatë apo informacion shtesë do t’i bëhet i ditur qytetarëve përmes kanaleve zyrtare të komunikimit.

Konsumatorët ftohen të tregojnë mirëkuptim dhe durim deri në normalizimin e furnizimit. /Telegrafi/


Komuna e Vitisë njofton fermerët për Pagesat Direkte nga MBPZhR

19 January 2026 at 14:34


Komuna e Vitisë ka njoftuar fermerët se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, do të vazhdojë mbështetjen e sektorit të blegtorisë në kuadër të Programit të Pagesave Direkte për vitin 2025.

Sipas njoftimit, përkrahja financiare do të realizohet përmes pagesave direkte për qumësht, për therjet e raportuara të gjedhit, për viçat për majmëri, për zogjtë për majmëri të tipit brojler, si dhe për akuakulturë.

Nga Komuna e Vitisë bëhet e ditur se thirrja për aplikim hapet më 19 janar 2026 dhe do të jetë e vlefshme deri më 18 shkurt 2026, në ora 16:00.

Fermerët e interesuar ftohen të aplikojnë brenda afatit të paraparë, ndërsa kriteret dhe kushtet e aplikimit janë të publikuara në uebfaqet zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë. /Telegrafi/


“Flaka e Janarit” vazhdon me ecjen tradicionale në nderim të të rënëve për liri në Gjilan dhe Kamenicë

19 January 2026 at 08:28


Manifestimi mbarëkombëtar “Flaka e Janarit”, që organizohet nën patronatin e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, dhe përkujdesjen e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, ka vazhduar aktivitetet e tij me ecjen tradicionale në nderim të të rënëve për liri.

Ecja u organizua nga Shoqëria Bjeshkatare Alpiniste “Gjilani” nga Komuna e Gjilanit dhe Klubi Alpin “Dardanët” nga Komuna e Kamenicës, me mbështetjen e klubeve të tjera bjeshkatare dhe alpine nga trojet shqiptare. Në këtë aktivitet morën pjesë dhjetëra qytetarë dhe përfaqësues të shoqërive bjeshkatare, të cilët përmes ecjes nderuese dhe përkujtuese synuan ruajtjen e kujtesës dhe vlerësimin e sakrificës së heronjve të kombit.

Sipas organizatorëve, kjo ecje ka për qëllim t’u japë brezave të rinj mundësinë të kuptojnë rëndësinë e trashëgimisë, historisë dhe kulturës kombëtare, duke e cilësuar atë si një ecje përkujtimore “prej nga buron liria”.

Aktiviteti nisi me një fotografim të përbashkët te shtatorja e Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës në Gjilan, për të vazhduar drejt Kamenicës, ku pjesëmarrësit u bashkuan me grupe të tjera. Më pas, ecja vazhdoi drejt Kapisë në Sfircë, prej nga nisi marshimi deri te Kulla e Nuhi Berishës. Pas kthimit në Kapi, shtegu u vijua drejt Kullës së Rexhep Malës në Hogosht dhe më pas deri te Kulla e Kadri Zekës në Poliçkë, ku edhe u përmbyll ecja tradicionale.

Ky aktivitet u vlerësua si një nderim ndaj sakrificës së Heronjve të Kombit Kadri Zeka, vëllezërve Gërvalla, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, si dhe të gjithë dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e atdheut.

Organizatorët kanë bërë të ditur se aktivitetet e “Flakës e Janarit” do të vazhdojnë më 24 janar, me organizimin e Tryezës Letrare “Pena e Flakës” nga ora 12:00, ndërsa në mbrëmje do të nis Festivali i Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës”, i cili do të mbahet në Teatrin e Qytetit të Gjilanit. /Telegrafi/


Komuna e Kamenicës ndërmerr masa emergjente për rihapjen e kanalit atmosferik në Koretin

16 January 2026 at 13:37


Komuna e Kamenicës ka njoftuar opinionin publik për ndërmarrjen e masave emergjente për rihapjen e kanalit të ujërave atmosferikë dhe rikthimin e tij në gjendjen e mëparshme në fshatin Koretin, konkretisht në anën perëndimore të rrugës “Rafet Isufi”.

Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë për Shërbime Publike, Ambient, Inspektorat dhe Emergjenca, vendimi është marrë në bazë të raporteve teknike të komisioneve vlerësuese komunale dhe planeve për parandalimin e vërshimeve, pas analizës së dëmeve të përsëritura të shkaktuara nga reshjet dhe vërshimet.

Komuna ka konstatuar se mbyllja e kanalit ka penguar rrjedhën natyrore të ujërave, duke rrezikuar drejtpërdrejt infrastrukturën rrugore dhe sigurinë në komunikacion. Po ashtu, ndërhyrjet e paautorizuara mbi kanalin atmosferik kanë cenuar kushtet e banimit dhe sigurinë e pronës për shumë familje të zonës.

Në këtë kuadër, Komuna e Kamenicës u ka bërë thirrje të gjithë pronarëve të parcelave përgjatë rrugës “Rafet Isufi” (ana perëndimore) që të lirojnë hapësirën e kanalit, duke larguar çdo investim, rrethojë, objekt montues apo material tjetër që pengon funksionimin e tij. Afati për përfundimin e këtij procesi është caktuar deri më 31 mars 2026.

Nga Komuna bëhet e ditur se, pas kalimit të këtij afati, drejtoritë përkatëse do të fillojnë procedurat e ekzekutimit të detyrueshëm, ndërsa të gjitha shpenzimet për largimin e pengesave do të bien në barrë të palëve përkatëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Autoritetet komunale theksojnë se ky projekt është në interes të përgjithshëm të komunitetit dhe synon mbrojtjen e jetës, pronës dhe sigurisë së qytetarëve, duke apeluar për bashkëpunim nga të gjithë banorët e zonës. /Telegrafi/


Uji në disa zona të Kamenicës i papërshtatshëm për pije për shkak të rritjes së nitrateve

15 January 2026 at 15:06


Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidromorava” ka njoftuar konsumatorët në disa zona të Komunës së Kamenicës se uji nga rrjeti publik i ujësjellësit aktualisht nuk është i përshtatshëm për pije.

Sipas njoftimit zyrtar, si pasojë e rritjes së vlerës së nitrateve në ujë, ka ardhur deri te ndryshimi i parametrave kimikë, çka bën që uji të mos i plotësojë standardet për ujë të pijshëm. Zonat e prekura janë Stacioni i Pompimit nr. 2, lagjja Bahqja dhe fshati Berivojcë.

Nga KRU “Hidromorava” theksohet se, deri në një njoftim të radhës dhe pas normalizimit të gjendjes si dhe konfirmimit të cilësisë së ujit, konsumatorët nuk duhet ta përdorin ujin nga rrjeti publik për pije.

Uji mund të përdoret vetëm për nevoja teknike, si larje, sanitare dhe përdorime të tjera që nuk përfshijnë konsum njerëzor.

KRU “Hidromorava” u bën thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe siguron se do t’i njoftojë me kohë konsumatorët sapo të krijohen kushtet që uji të jetë i sigurt për pije. /Telegrafi/


Hyseni: Rreth dy milionë shërbime shëndetësore janë ofruar për qytetarët e Gjilanit në 2025

15 January 2026 at 14:38


Rreth dy milionë shërbime shëndetësore janë ofruar për qytetarët gjatë vitit 2025 nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Gjilan, qendrat e mjekësisë familjare dhe ambulancat mjekësore familjare në gjithë komunën.

Kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni, tregon për shërbimet shëndetësore të ofruara gjatë vitit 2025 në QKMF “Dr. Nagip Rexhepi” – Gjilan

“Gjatë vitit 2025, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Dr. Nagip Rexhepi” në Gjilan ka ofruar një numër të madh shërbimesh shëndetësore për qytetarët, duke garantuar kujdes të vazhdueshëm, cilësor dhe të barabartë për të gjithë”, tha Hyseni.

I pari i komunës, tregoi se vizita nga mjekët familjarë ishin 239 mijë e 902. Shërbime infermierore në MF ishin 454 mijë e 759. Kujdestari ishin 151 mijë e 82. Urgjenca kishte 12 mijë e 82. Vaksinime ishin 19 mijë e 320. Në Stomatologji u kryen 30 mijë e 376 shërbime.

Derisa nga kujdesi shtëpiak – Patronazha janë kryer 28 mijë e 510 vizita. Mamografi 925. Ultrazëri i gjirit 203 dhe PAP-testi 999.

Kryetari i Gjilanit, tregoi se analiza laboratorike janë kryer 292 mijë e 980. Qendra e Diabetit, kishte 8 mijë e 660 shërbime. Vizita në shtëpi për gra shtatzëna dhe fëmijët 0–3 vjeç ishin 1 mijë e 662. Klasa për nëna ishin 2 mijë e 5.

Derisa tregoi edhe për shërbime të tjera shëndetësore që ishin 4 mijë e 420. Shërbime administrative-mjekësore 466 mijë e 76.

Kryetari Alban Hyseni tregoi se totali i shërbimeve gjatë vitit 2025 ishte 1 milion e 928 mijë e 818.

“QKMF “Dr. Nagip Rexhepi” mbetet e përkushtuar në ofrimin e shërbimeve shëndetësore cilësore dhe në përmirësimin e vazhdueshëm të kujdesit shëndetësor për qytetarët e Gjilanit”, tha Alban Hyseni.

Kryetari, falënderoi stafin shëndetësor për përkushtimin dhe profesionalizmin, si dhe për qytetarët për besimin e treguar. /Telegrafi/

Komuna e Gjilanit fton qytetarët të aplikojnë për vlerësimin e dëmeve nga vërshimet

13 January 2026 at 15:36


Komuna e Gjilanit ka ftuar qytetarët dhe subjektet afariste që kanë pësuar dëme nga reshjet e shiut të datës 10 janar 2026, të paraqesin kërkesë për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara.

Sipas njoftimit zyrtar të komunës, afati për aplikim është nga 15 janari deri më 31 janar 2026, ndërsa kërkesat duhet të dorëzohen në Qendrën për Qytetarë të Komunës së Gjilanit, drejtuar Komisionit për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore.

“Për vlerësimin e dëmeve është e domosdoshme që pronarët e ekonomive familjare dhe subjektet afariste, të cilët kanë pësuar dëme nga reshjet e shiut të datës 10 janar 2026, të paraqesin kërkesë zyrtare brenda afatit të përcaktuar”, thuhet në njoftimin e Komunës së Gjilanit.

Komuna ka bërë të ditur se aplikuesit duhet të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm, i cili përfshin: kërkesën drejtuar Komisionit, fotografi të objekteve apo gjësendeve të dëmtuara, adresën e saktë të lokacionit ku ndodhet objekti i dëmtuar, numrin e telefonit të aplikuesit, si dhe kopjen e letërnjoftimit. Për subjektet afariste kërkohet edhe certifikata e regjistrimit në ARBK.

“Të gjithë qytetarët e interesuar ftohen që aplikimet t’i dorëzojnë brenda këtij afati, në mënyrë që komisioni të ketë mundësi të bëjë vlerësimin e plotë dhe korrekt të dëmeve”, thekson Komuna e Gjilanit.

Nga komuna u bëhet thirrje qytetarëve që të respektojnë afatin e aplikimit dhe të sigurohen që dokumentacioni i dorëzuar të jetë i plotë, për të mundësuar trajtimin sa më efikas të kërkesave. /Telegrafi/


Në Kamenicë ndizen flakadanët e kujtesës për heronjtë Rexhep Mala, Nuhi Berisha dhe Kadri Zeka

12 January 2026 at 15:33


Në kuadër të manifestimit tradicional “Flaka e Janarit”, Komuna e Kamenicës organizoi aktivitetin simbolik të ndezjes së flakadanëve, në nderim të heronjve të kombit.

Në ceremoni mori pjesë Drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Behar Hyseni, i cili së bashku me zyrtarë të drejtorisë dhe qytetarë ndezën flakadanët që simbolizojnë sakrificën dhe qëndresën e heronjve të Kamenicës.

Drejtori Hyseni përkujtoi natën e 11–12 janarit të vitit 1984, kur heronjtë Nuhi Berisha dhe Rexhep Mala ranë gjatë përleshjes me forcat policore serbe në Kodrën e Trimave në Prishtinë.

“Nata mes 11–12 janarit na rikthen në kujtesë guximin dhe sakrificën e heronjve të Kamenicës, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, si dhe veprimtarin dhe patriotin e madh Kadri Zeka. Pikërisht në këtë natë, Nuhi Berisha dhe Rexhep Mala ranë heroikisht. Me ndezjen simbolike të flakadanëve, ne i nderojmë Rexhep Malën, Nuhi Berishën dhe Kadri Zekën, jo vetëm si heronj të Kamenicës, por si shtylla të një kombi që jeton sepse dikush zgjodhi të mos jetojë i përulur. Ata janë krenari e mbarë kombit shqiptar, dëshmi se sakrifica nuk shuhet, por shndërrohet në kujtesë, e kujtesa në udhërrëfyes”, tha Hyseni.

Aktiviteti u zhvillua në një atmosferë përkujtimore, duke përcjellë mesazhin e respektit dhe mirënjohjes së përhershme ndaj atyre që sakrifikuan për lirinë dhe dinjitetin kombëtar. /Telegrafi/


Haliti shpreh shqetësim për vjedhjet në shkollat e Vitisë: Brenda një jave tri raste

12 January 2026 at 15:03


Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka reaguar lidhur me rastet e fundit të thyerjeve dhe vjedhjeve në institucionet arsimore të kësaj komune, duke shprehur shqetësim të thellë për situatën e krijuar.

Sipas tij, vetëm gjatë një jave janë shënuar tri raste të tilla në tri shkolla të ndryshme. “Shpreh shqetësimin tim të thellë lidhur me rastet e fundit të thyerjeve dhe vjedhjeve në institucionet arsimore të komunës sonë. Vetëm brenda një jave janë shënuar tri raste të tilla në tri shkolla të ndryshme”, ka deklaruar Haliti.

Ai ka bërë thirrje që organet kompetente të angazhohen për zbardhjen e plotë të rasteve dhe ka kërkuar bashkëpunim nga qytetarët.

“Ftoj organet kompetente që të punojnë në zbardhjen e plotë të rasteve dhe u bëj thirrje të gjithë qytetarëve që kanë informacione lidhur me këto raste të njoftojnë organet kompetente, me qëllim që përgjegjësit të dalin para organeve të drejtësisë”, ka theksuar kryetari i Vitisë.

Haliti ka njoftuar se Komuna e Vitisë pritet që së shpejti të bëjë evidentimin e plotë të dëmeve të shkaktuara, ndërsa do të ndërmerren masat e nevojshme për sanimin dhe kompensimin e tyre. “Qëllimi ynë është që procesi mësimor të vazhdojë në mënyrë të rregullt dhe pa pengesa”, ka shtuar ai.

Në fund, kryetari Haliti u ka bërë thirrje qytetarëve për përgjegjësi në mbrojtjen e pronës publike, veçanërisht të shkollave.

“Shkollat janë pasuri e përbashkët dhe themel i së ardhmes së fëmijëve tanë. Çdo veprim që i dëmton ato, dëmton drejtpërdrejt komunitetin tonë”, ka deklaruar Haliti, duke theksuar se Komuna e Vitisë dhe Drejtoria e Arsimit mbesin të përkushtuara për garantimin e sigurisë dhe kushteve të përshtatshme për nxënësit dhe stafin arsimor, në bashkëpunim me institucionet kompetente. /Telegrafi/

Vjedhje dhe shkatërrim prone në SHFMU “Dëshmorët e 5 Prillit” në Smirë të Vitisë, Policia nis hetimet

12 January 2026 at 10:48


Në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Dëshmorët e 5 Prillit” në fshatin Smirë të komunës së Vitisë janë regjistruar raste të shkatërrimit dhe vjedhjes së pronës shkollore, të cilat kanë shkaktuar shqetësim tek stafi arsimor dhe komuniteti lokal.

Përmes një njoftimi publik, drejtuesit e shkollës kanë bërë të ditur se persona të panjohur kanë dëmtuar dhe vjedhur pronën e institucionit arsimor, duke i cilësuar këto veprime si të papranueshme.

“Këto veprime dëmtojnë drejtpërdrejt kushtet e mësimit dhe edukimit të nxënësve tanë”, thuhet në reagimin e shkollës, duke theksuar se objekti shkollor është pasuri e përbashkët e komunitetit.



Nga shkolla është bërë apel për përgjegjësi qytetare dhe bashkëpunim, me qëllim që raste të tilla të mos përsëriten. “Ruajtja e shkollës është detyrë e përbashkët dhe përgjegjësi qytetare”, thuhet më tej në njoftim.

Lidhur me rastin, për Telegrafin ka folur zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, i cili ka dhënë detaje për vjedhjen. Sipas tij, rasti është raportuar nga drejtori i shkollës.

“Drejtori i Shkollës Fillore ‘Dëshmorët e 5 Prillit’ në fshatin Smirë ka raportuar se persona të panjohur, me përdorim force, kanë depërtuar brenda objektit shkollor dhe nga kabineti i informatikës kanë vjedhur 11 laptopë, një projektor dhe një zmadhues zëri, me vlerë të konsiderueshme”, ka deklaruar Hashani.

Ai ka bërë të ditur se njësitet policore, përfshirë hetimet dhe forenzikën, kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa me vendim të prokurorit rasti është cilësuar si “vjedhje e rëndë” dhe po hetohet nga hetuesit e Stacionit Policor në Viti.

Policia ka njoftuar se hetimet janë në vazhdim dhe se po punohet për identifikimin e personave të dyshuar. /Telegrafi/

Rikthehet në funksion Sistemi i Tatimit në Pronë

12 January 2026 at 10:18


Pas disa ditësh jashtë funksionit, Sistemi i Tatimit në Pronë është rikthyer në funksion, duke u mundësuar qytetarëve që t’i kryejnë obligimet e tyre financiare ndaj komunave përmes platformës eKosova.

Rikthimi i shërbimit është konfirmuar përmes njoftimeve zyrtare të publikuara nga disa komuna të Kosovës.

Në mesin e tyre është edhe Komuna e Kamenicës, e cila ka bërë të ditur se nga sot, më 12 janar 2026, sistemi është plotësisht funksional dhe të gjitha shërbimet që lidhen me Tatimin në Pronë mund të realizohen në mënyrë të rregullt.

“Zyra Komunale e Tatimit në Pronë njofton se Sistemi i Tatimit në Pronë është funksional duke filluar nga sot (12.01.2026)”, thuhet në njoftimin e Komunës së Kamenicës, ku njëkohësisht qytetarët ftohen që të kryejnë pagesat e tyre.

Qytetarët kishin qenë të paralajmëruar edhe para përfundimit të vitit 2025 që t’i kryenin obligimet për Tatimin në Pronë, me qëllim shmangien e penaliteteve eventuale.

Me rikthimin e sistemit, qytetarët tashmë mund të kyçen sërish në platformën eKosova dhe të realizojnë pagesat përkatëse për Tatimin në Pronë. /Telegrafi/


Ndezet flakadani i manifestimit mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2026” në Gjilan

12 January 2026 at 08:32


Me ndezjen simbolike të flakadanit është hapur zyrtarisht Manifestimi Kulturor Mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2026” në Gjilan, i cili i kushtohet kujtimit dhe nderimit të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit ndër breza.

Hapja e manifestimit u shënua me një defile simbolik të të rinjve në qendër të qytetit, ndërsa ceremonia qendrore dhe ndezja e flakadanit u zhvilluan në platonë e Teatrit të Qytetit.

Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues institucionalë, si dhe përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta.

Programi artistik u pasurua me interpretimet e Orkestrës Frymore “Selman Vokshi”, e cila prezantoi vepra të përzgjedhura nga kompozitorë shqiptarë, duke i dhënë ceremonisë një dimension solemn dhe artistik.

Manifestimi “Flaka e Janarit 2026” do të zgjasë deri më 31 janar dhe do të përfshijë një sërë aktivitetesh në katër shtyllat kulturore: artet pamore, letërsinë, artet skenike dhe muzikën.

Gjatë kësaj periudhe, në Gjilan pritet të mblidhen artistë dhe artdashës nga e gjithë hapësira shqiptare. /Telegrafi/


Nga provat te Chelsea te aventura në Ukrainë – Betim Halimi rrëfen historinë e tij në “Arena e Yjeve”

10 January 2026 at 17:15


I ftuari i radhës në podcastin “Arena e Yjeve” ishte portieri i njohur Betim Halimi. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorëve zyrtarë Golden Eagle , Air Munich dhe Exfis.

Halimi ka rrëfyer në detaje rrugëtimin e tij në futboll, duke u ndalur te momentet kyçe që kanë shënuar karrierën e tij, veçanërisht ftesa e papritur nga Chelsea për të shkuar në prova – një përvojë unike që, sipas tij, erdhi falë punës, përkushtimit dhe paraqitjeve të vazhdueshme.

Portieri kosovar tregoi edhe për stërvitjen në qendrën legjendare Cobham, ku pati mundësinë të punojë në kushte elitare dhe të takohet nga afër me yjet e Chelseat, një përvojë që i hapi sytë për nivelin më të lartë të futbollit evropian.

Një pjesë interesante e bisedës iu kushtua edhe historisë së tij me legjendën ukrainase Vyacheslav Shevchuk, nga i cili Halimi tha se mësoi shumë si në aspektin profesional, ashtu edhe në atë njerëzor.

Ai zbuloi gjithashtu një prapaskenë të veçantë nga koha në Ukrainë, ku për një paraqitje të shkëlqyer fitoi një premio prej 10 mijë eurosh nga Shakhtari, duke e cilësuar atë moment si një nga shpërblimet më domethënëse të karrierës së tij.

Në podcast, Halimi foli edhe për punën me legjendën Yaya Toure, duke e përshkruar si një figurë unike dhe frymëzuese: “Nuk kam parë kurrë dikë si ai”, u shpreh portieri, duke theksuar ndikimin e madh që Toure kishte në mentalitetin dhe qasjen e tij ndaj futbollit.

Episodin e plotë me portierin e njohur Betim Halimi mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube./Telegrafi/

Zyrtare: Udoyen Akpan përforcon Gjilanin

9 January 2026 at 21:31


SC Gjilani ka zyrtarizuar transferimin më të ri në skuadër, duke nënshkruar me futbollistin Udoyen Akpan, i cili i bashkohet ekipit nga Drenica.

Sulmuesi 26-vjeçar vjen me një përvojë të konsiderueshme ndërkombëtare, të fituar gjatë karrierës së tij në disa kampionate evropiane.

Me origjinë nga Liverpooli, Akpan ka qenë pjesë e disa klubeve në Angli, ndërsa ka luajtur gjithashtu në Qipro, Uells, Maltë dhe Itali, duke ndërtuar një profil të gjerë dhe të pasur futbollistik.

Afrimi i Akpanit shihet si një përforcim i rëndësishëm për repartin ofensiv të skuadrës, teksa Gjilani synon të rrisë konkurrencën dhe cilësinë në vazhdim të sezonit.

Njoftimi i plotë i Gjilanit:

SC Gjilani ka kënaqësinë të bëjë të ditur afrimin më të ri në skuadër, futbollistin Udoyen Akpan.

Akpan i bashkohet ekipit tonë nga FC Drenica, duke sjellë me vete një përvojë të pasur të fituar në disa kampionate evropiane.

Sulmuesi 26 vjeçar është me origjinë nga Liverpool, teksa gjatë rrugëtimit të tij profesional, ai ka qenë pjesë e klubeve në Angli, si dhe ka luajtur në Qipro, Uells, Maltë dhe Itali, çka e bën një futbollist me bagazh të rëndësishëm ndërkombëtar.

SC Gjilani i uron mirëseardhje Udoyen Akpanit dhe shpreh besimin se kontributi i tij do të jetë i rëndësishëm për skuadrën në vazhdim të sezonit./Telegrafi/

Komuna e Kamenicës njofton për gjendjen e rrugëve

8 January 2026 at 11:24


Komuna e Kamenicës ka bërë të ditur se aktualisht të gjitha rrugët në territorin e saj janë të hapura dhe të qasshme për qarkullim.

Sipas Drejtorisë për Shërbime Publike, Ambient dhe Inspektorat, ekipet janë në terren me kapacitete të plota, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të parandaluar bllokimin e rrugëve dhe për të siguruar qarkullim të sigurt.

“Jemi në terren me gjithë kapacitetin tonë dhe po monitorojmë rrugët për çdo situatë që mund të rrezikojë qarkullimin”, thanë nga Drejtoria për Shërbime Publike.

Komuna i bën apel qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, veçanërisht në orët e mëngjesit dhe të mbrëmjes, për shkak të rrezikut nga ngricat.

“Ju rekomandojmë të përshtatni shpejtësinë dhe sjelljen në rrugë sipas kushteve atmosferike dhe të jeni të kujdesshëm në çdo situatë”, shtuan nga Komuna e Kamenicës. /Telegrafi/


Krenare Latifi Kçiku zgjidhet kryesuese e Kuvendit të Gjilanit, Hyseni thërret seancë të jashtëzakonshme për buxhetin 2026

6 January 2026 at 14:28


Pas zgjedhjes së Krenare Latifi Kçikut si kryesuese e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, kryetari i komunës, Alban Hyseni, njoftoi mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të premten për miratimin e buxhetit të vitit 2026.

“Krenare Latifi Kçiku është zgjedhur kryesuese e Kuvendit dhe ne sapo kemi nënshkruar ftesën për seancën e jashtëzakonshme, ku do të votohet buxheti i vitit 2026”, tha Hyseni pas votimit.

Kryetari theksoi se propozimi i buxhetit është i njëjti si ai i dorëzuar fundvitin e kaluar, i cili atëherë nuk kishte kaluar në Kuvend. Ai shtoi se, megjithëse numrat e votave janë të mjaftueshëm për miratimin e tij, ekzekutivi është i gatshëm për dialog me subjektet opozitare.

“Ne shprehim gatishmëri të bashkëpunimit me subjektet opozitare dhe i ftojmë që të votojnë buxhetin e komunës,” tha Hyseni, duke theksuar se çdo propozim i rëndësishëm për buxhetin mund të paraqitet deri të premten.

Ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë e miratimit të buxhetit: “Çështja e buxhetit është shumë e rëndësishme, ku vitin e kaluar komuna ka vuajtur shumë. Jemi të interesuar që sivjet buxheti të mos mbetet problem, por të bashkojë të gjitha subjektet politike dhe të marrë aprovimin ditën e premte".

Kjo seancë e jashtëzakonshme do të jetë test për bashkëpunimin mes pushtetit dhe opozitës, teksa kryesuesja e Kuvendit, Kçiku, do të luajë një rol kyç në drejtimin e diskutimeve dhe procedurave për miratimin e buxhetit. /Telegrafi/


SC Gjilani me fondacionin e klubit gjithmonë në shërbim të komunitetit - ndahen donacione për tri qendra

29 December 2025 at 20:24


Fondacioni i SC GjilaniT po vazhdon të dëshmojë se sporti është shumë më tepër se garë dhe emocione në fushë.

Me një frymë solidariteti dhe përgjegjësie shoqërore, Fondacioni ka mbështetur financiarisht Qendrën e Kujdesit Ditor “Pema”, Shoqatën “Handikos” dhe Shoqatën e të Verbërve në Gjilan, me nga 2 mijë euro secilën.

Kjo iniciativë humane u realizua falë përkrahjes së vazhdueshme dhe të pakursyer të partnerëve të çmuar të klubit – si El Bau, Demiri Gartenbau GmbH dhe Autovillage AG – të cilët qëndrojnë pranë SC Gjilanit jo vetëm në rrugëtimin sportiv, por edhe në misione me vlerë të lartë shoqërore.


Përfaqësuesit e klubit, së bashku me disa nga futbollistët dhe anëtarë të stafit teknik, vizituan nga afër këto tri institucione, ku u dorëzuan mjete simbolike financiare dhe dhurata modeste, si shenjë respekti, përkrahjeje dhe përkushtimi ndaj atyre që kanë më së shumti nevojë.

Fondacioni SC Gjilani mbetet i përkushtuar që edhe në të ardhmen të zgjerojë veprimtarinë e tij humanitare, duke mbështetur iniciativa dhe organizata që kontribuojnë drejtpërdrejt në mirëqenien dhe forcimin e komunitetit tonë./Telegrafi/

❌
❌