Çka thuhet në dokumentin e Bordit të Paqes që e nënshkroi edhe Osmani në emër të Kosovës?
Kosova është ndër 19 shtetet që të enjten nënshkruan pjesëmarrjen në Bordin e Paqes, një iniciativë e presidentit amerikan Donald Trump, gjatë një ceremonie në Davos, Zvicër.
Bordi i Paqes është një organ ndërkombëtar i ri, i krijuar për të mbikëqyrur zbatimin e planeve të paqes në zona të konfliktit, me fokus fillestar në Rripin e Gazës, raporton timesofisrael.
Ai përshkruhet si një “organ ndërkombëtar tranzitor” që synon rindërtimin e enklavës palestineze, me presidentin Trump në krye.
Krijimi i tij është mbështetur nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara përmes një rezolute të SHBA-së, duke i dhënë legjitimitet ndërkombëtar.
Sipas dokumentit të nënshkruar edhe nga presidentja Vjosa Osmani, Bordi i Paqes:
- Synon të promovojë stabilitet, të rivendosë qeverisje të besueshme dhe të sigurojë paqe të qëndrueshme në zonat e konfliktit.
- Do të ndërmarrë funksione të ndërtimit të paqes sipas së drejtës ndërkombëtare dhe do të zhvillojë praktika të mira që mund të zbatohen nga kombet dhe komunitetet që kërkojnë paqe.
Anëtarësia:
- Është e kufizuar në shtetet e ftuara nga kryetari dhe përfaqësohet nga presidenti ose kryeministri.
- Mandati standard është tre vjet, me mundësi rinovimi, përjashtuar shtetet që kontribuojnë mbi 1 miliard dollarë brenda vitit të parë.
- Anëtarët mund të tërhiqen me njoftim me shkrim dhe mund të riftohen më vonë.
Qeverisja e Bordit:
- Përbëhet nga shtetet anëtare dhe Bordi Ekzekutiv, që përfshin liderë botërorë.
- Mbledhjet për vendime organizohen të paktën një herë në vit, ndërsa Bordet Ekzekutive takohen çdo dy javë për tre muajt e parë dhe më pas çdo muaj.
- Vendimet merren me shumicë votash, me mundësi vetoje nga kryetari.
Roli i kryetarit:
- Donald J. Trump është kryetar inaugurues dhe përfaqësues i SHBA-së.
- Ka autoritet ekskluziv për të krijuar, modifikuar ose shpërndarë subjekte ndihmëse dhe për të themeluar nënkomitete.
- Mund të caktojë pasues në rast dorëheqjeje ose paaftësie dhe të miratojë rezoluta për të zbatuar misionin e Bordit.
Financimi:
- Bazohet në kontribute vullnetare.
- Bordi ka të drejtë të hapë llogari dhe të krijojë mekanizma kontrolli për buxhetin dhe shpenzimet.
Zgjidhja e mosmarrëveshjeve dhe ndryshimet në Kartë:
- Mosmarrëveshjet zgjidhen nëpërmjet bashkëpunimit miqësor, me kryetarin si autoritet përfundimtar.
- Ndryshimet mund të propozojnë Bordi Ekzekutiv ose një e treta e shteteve anëtare dhe miratohen me shumicë dy të tretash dhe konfirmim nga kryetari.
Depozitimi dhe zyrtarizimi:
- Teksti origjinal dhe ndryshimet ruhen në SHBA dhe kopje u dorëzohen të gjithë nënshkruesve.
- Gjuha zyrtare është anglisht.
- Bordi mund të krijojë seli dhe zyra terreni dhe ka vulë zyrtare të miratuar nga kryetari.
Në thelb, Bordi i Paqes është një strukturë ndërkombëtare me kryetar të caktuar, me mandat të qartë, procedura të vendosura për qeverisje, anëtarësim, financim dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, që ka për qëllim të ndihmojë vendet në situata konflikti.
Ndryshe, Osmani ka deklaruar se marrëveshja do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim, në përputhje me Kushtetutën, për të marrë miratimin përfundimtar të përfaqësuesve të popullit. /Telegrafi/
