Trump thotë se SHBA-të ruajnë të drejtën për të “siguruar ushtarakisht” bazën ajrore të Chagos
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të enjten se ai e rezervon të drejtën për ta “siguruar ushtarakisht” bazën ajrore “Diego Garcia”, nëse marrëveshjet apo rregullimet në të ardhmen do ta kërcënonin qasjen amerikane në të, pas bisedimeve “produktive” me kryeministrin britanik, Keir Starmer.
Muajin e kaluar, Trumpi e kritikoi marrëveshjen që Britania e bëri më 2025 për ta dorëzuar sovranitetin e Arkipelagut Chagos – përfshirë një ishull ku ndodhet baza e përbashkët ShBA – Britani “Diego Garcia” – duke e quajtur akt të “dobësisë së plotë” dhe “budallallëkut të madh”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Megjithatë, në një shkrim të publikuar të enjten në rrjetin “Truth Social”, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se e kupton që marrëveshja e bërë nga kryeministri Starmer ishte “më e mira që ai mund ta bënte”.
Me marrëveshjen e vitit të kaluar u transferuar sovraniteti i Ishujve Chagos te Mauritiusi, ndërsa baza “Diego Garcia” u mbajt nën kontrollin britanik përmes një huaje 99-vjeçare që i ruajti operacionet amerikane në bazë.
“Megjithatë, nëse marrëveshja për hua, në një pikë në të ardhmen, ndonjëherë shembet, ose nëse ndokush i kërcënon apo i rrezikon operacionet dhe forcat e ShBA-së në bazën tonë, unë e ruaj të drejtën për ta siguruar ushtarakisht dhe për ta përforcuar praninë amerikane në Diego Garcia” – tha Trumpi.
Një zëdhënëse e qeverisë britanike tha se Starmeri dhe Trumpi “u pajtuan për rëndësinë e marrëveshjes për ta siguruar bazën e përbashkët Britani – ShBA në Diego Garcia, e cila mbetet jetike për interesat e përbashkëta të sigurisë”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Trump thotë se SHBA-të ruajnë të drejtën për të “siguruar ushtarakisht” bazën ajrore të Chagos appeared first on Sinjali.