A i ndërlikon marrëdhëniet transatlantike ftesa e Trumpit për Bordin e Paqes?
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të diskutojnë Bordin e diskutueshëm të Paqes për Gazën, të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump, gjatë samitit të jashtëzakonshëm për Grenlandën.
Disa paralajmërojnë se iniciativa e këtij bordi mund të shihet si një përpjekje për të zëvendësuar rolin e Kombeve të Bashkuara.
Evropa përballet me një balancim të ndjeshëm, duke u përpjekur të menaxhojë marrëdhëniet me Trumpin mbi Grenlandën, ndërsa njëkohësisht po përballet me valën e ftesave drejtuar vendeve të tjera për t’u bashkuar në Bord.
Pyetja nëse BE-ja dhe shtetet anëtare duhet të pranojnë pjesëmarrjen në këtë bord, i krijuar fillimisht për të administruar Gazën pas luftës, do të jetë një nga temat kryesore të diskutimit gjatë samitit, që u thirr si reagim ndaj kërcënimeve të fundit të Trumpit për tarifa doganore.
Diplomatët evropianë shqetësohen se çështja e Bordit të Paqes për Gazën po ndërthuret me krizën e Grenlandës, duke i detyruar të koordinohen për vendimin nëse do të pranojnë apo jo pjesëmarrjen e vendeve të tyre – një lëvizje që mund të zemërojë presidentin amerikan në një moment kur tensionet kanë arritur nivele të larta.
Anëtarësimi i përhershëm në bord kushton 1 miliard dollarë amerikanë, të cilët, të paktën zyrtarisht, janë parashikuar për rindërtimin e Gazës.
Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si dhe disa qeverive të BE-së, përfshirë Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Italinë, u është ofruar një vend në këtë bord.
Franca ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend t’i bashkohet Bordit, për shkak se statuti i tij – i cili nuk përmend Gazën – ngre dyshime mbi “parimet dhe strukturën e Kombeve të Bashkuara” dhe i jep kryetarit të bordit, Donald Trump, “kompetenca të gjera”.
Si kundërpërgjigje, Trump ka kërcënuar me vendosjen e një tarife prej 200 për qind ndaj verës dhe shampanjës franceze, një sinjal i qartë se çështja mund të shndërrohet në një tjetër konflikt në marrëdhëniet BE–SHBA.
Duke folur për Euronews në Davos të martën, ministri i Jashtëm i Belgjikës, Maxime Prevot, e akuzoi Trumpin se po përpiqet të “zëvendësojë sistemin e Kombeve të Bashkuara” me “bordin e tij personal”.
Një rend i ri botëror?
Mandati i gjerë që Trump duket se po i jep Bordit, së bashku me mungesën e fokusit mbi Gazën e shkatërruar nga lufta dhe të ardhmen e saj, po shqetëson zyrtarët në Bruksel.
Zyrtarët dhe diplomatët kanë shprehur në mënyrë private shqetësime serioze mbi kuadrin e bordit, procesin e përzgjedhjes, mandatin dhe strukturën e qeverisjes, duke kërkuar që fokusi të kthehet tek Gaza, në vend që të krijohet një Këshill i Sigurimit paralel ndaj OKB-së.
Ndërkohë, një komitet teknokrat palestinez është ngarkuar me çështjet e përditshme të Gazës, por ka shqetësime për mungesën e përfaqësimit palestinez në dy panelet e larta të bordit, të cilat mbikëqyrin investimet, diplomacinë dhe qeverisjen.
Komisioneri Evropian për Mesdheun, i cili mbikëqyr politikën e BE-së për Gazën, ka kërkuar “përfshirjen e të gjithë aktorëve kryesorë” në bord.
Trump gjithashtu i ka dërguar një ftesë presidentit rus, Vladimir Putin, një zhvillim që e bën pjesëmarrjen e Evropës politikisht të ndërlikuar.
Debati mbi bordin pritet të nxjerrë në pah ndarjet ekzistuese midis shteteve anëtare të BE-së në fushën e politikës së jashtme.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka pranuar tashmë vendin e tij, ndërsa ministri i tij i Jashtëm, Péter Szijjártó, tha se kryeministri ndihet “i nderuar” nga oferta e Trumpit.
Çka është Bordi i Paqes për Gazën në të cilin u ftua Kosova?
Lideri amerikan ka formuar një trup këshillues për Gazën, i njohur si Bordi i Paqes, si pjesë e fazës së dytë të armëpushimit të arritur mes Izraelit dhe militantëve palestinezë të grupit Hamas.
Ky bord përfshin liderë botërorë që ofrojnë këshilla dhe mbështetje në negociata, por nuk ka fuqi ekzekutive ndërkombëtare si Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).
Synimi i Bordit të Paqes është të mbështesë paqen dhe stabilitetin në rajon përmes dialogut dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Në thelb, kjo është një iniciativë diplomatike e Trumpit, e projektuar si një bord këshillues që ndikon në negociata dhe armëpushime, duke përfshirë liderë nga vende të ndryshme për të ndihmuar në stabilizimin e rajonit.
Ftesat për pjesëmarrje kanë përfshirë edhe Kosovën dhe Shqipërinë.
Kosovën do ta përfaqësojë presidentja Vjosa Osmani, ndërsa Shqipërinë, kryeministri Edi Rama. /Telegrafi/
