Sindikata e Policisë së Kosovës ka shprehur shqetësimin lidhur me siç thonë mos-pagesën e familjeve të policëve të rënë gjatë kryerjes së detyrës për muajin dhjetor.
Në reagim thuhet se përkundër që Drejtoria e Financave ka bërë kërkesa zyrtare për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 290,000 euro, deri më tani këto mjete nuk janë ekzekutuar nga Ministria e Financave.
“Si pasojë, familjet e policëve të rënë në detyrë, të cilët janë një kategori e shenjtë dhe e respektuar për vendin tonë, kanë mbetur pa pagesë edhe pas përmbylljes së vitit.
Kjo situatë është e papranueshme dhe e dhimbshme, duke marrë parasysh sakrificën sublime të këtyre familjeve, të cilat kanë dhënë bijtë dhe bijat e tyre për sigurinë e vendit tonë, ruajtjen e rendit publik dhe mbrojtjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Sindikata e Policisë së Kosovës u bën thirrje institucioneve përgjegjëse, në veçanti Ministrisë së Financave, që sa më parë të gjejnë zgjidhje dhe të realizojnë pagesat e mbetura, në mënyrë që të mos cenohet dinjiteti dhe mirëqenia e këtyre familjeve.
“Sakrifica e policëve të rënë në detyrë nuk duhet dhe nuk guxon të harrohet”, thuhet tutje. /Telegrafi/
Oda Ekonomike e Kosovës ka shprehur keqardhjen e thellë për zjarrin që përfshiu një pjesë të objektit të kompanisë 'Comodita Home' në Gjakovë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
OEK thotë se ky incident përbën një humbje të madhe jo vetëm për kompaninë 'Comodita' dhe 'Devolli Corporation', por edhe për ekonominë e Gjakovës dhe të gjithë Republikës së Kosovës, duke marr parasysh rolin e rëndësishëm që ky grup ka në zhvillimin ekonomik, punësimin dhe kontributin fiskal në vend.
“Duke pasur parasysh se Devolli Group është ndër taksapaguesit më të mëdhenj në Kosovë dhe një nga shtyllat kryesore të sektorit privat, Oda Ekonomike e Kosovës i bën thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që të ofrojë mbështetje institucionale dhe financiare, në mënyrë që kjo kompani të rikuperohet sa më shpejt dhe të vazhdojë aktivitetin e saj afarist.
Oda Ekonomike e Kosovës qëndron pranë kompanisë Comodita dhe Devolli Group, duke shprehur mbështetje të plotë në përpjekjet për rikuperim dhe vazhdim të aktivitetit të tyre afarist. OEK është e bindur se kjo kompani do ta tejkalojë këtë situatë të vështirë dhe do të vazhdojë të kontribuojë fuqishëm në zhvillimin ekonomik të vendit”, thuhet në reagim.
OEK rithekson rëndësinë e mbrojtjes së bizneseve dhe infrastrukturës ekonomike si faktorë kyç për stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës. /Telegrafi/
Tashmë ka përfunduar numërimi i pjesës së fundit të fletëvotimeve nga votimi me postë, jashtë Kosovës, duke shënuar kështu përfundimin e procesit të numërimit të të gjitha fletëvotimeve nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, KQZ është e gatshme për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor, por sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët mund të parashtrojnë ndonjë ankesë në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në QNR brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar.
Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje ka marr 51.11 për qind të votave dhe do të ketë 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK 20.19 për qind dhe do të ketë 22 ulëse, LDK 13.23 për qind (15 ulëse) dhe AAK 5.5 për qind (6 ulëse).
Partitë minoritare i kanë 20 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Më poshtë mund t’i gjeni emrat e 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të legjislaturës së 10-të.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njofton opinionin se, në prani të zyrtarëve të AUV-së dhe të palës përkatëse, dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi, është realizuar izolimi i produktit djathë Mozzarella Bufalo në peshë prej 15 kilogramë, i prodhuar nga qumështi i buallicës me origjinë nga Italia, i dyshuar për praninë e mundshme të aflatoksinës M1.
Në njoftimin e AUV-it thuhet se ky produkt është prodhuar nga kompania Caseificio Coop "La Contadina" në Itali dhe importuar nga Premio SHPK, Sllatinë e Madhe dhe së shpejti do të fillojë procesi i asgjësimit të këtij produkti.
“Ky veprim ndërmerret me qëllim garantimin e sigurisë shëndetësore të konsumatorëve dhe për të siguruar respektimin e standardeve të cilësisë ushqimore.
Edhe pse Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë po ballafaqohet me një mungesë të inspektorëve, ajo mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe zinxhirit ushqimor. AUV-ja vazhdon të zbatojë masa parandaluese dhe kontrolluese për të garantuar që konsumatorët në Republikën e Kosovës të kenë në dispozicion ushqim të sigurt, të shëndetshëm”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla sot theksoi se gjatë ditëve të fundit vendi është ballafaquar me vërshime në disa komuna.
Sveçla në një postim në Facebook ka përmendur edhe zjarrin në fabrikën e dyshekëve të Comodita-s në Gjakovë, gjersa tha se falë angazhimit të zjarrfikësve nga gjashtë komuna shtesë, përveç atyre të Gjakovës, si dhe përkushtimit dhe angazhimit të tyre vetëmohues, zjarri u lokalizua.
Ai tha se Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave mbetet të përcaktojnë saktë shkakun e këtij zjarri, i cili shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale.
Lexoni të plotë postimin:
Gjatë ditëve të fundit, vendi ynë është ballafaquar me vërshime në disa komuna. Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave është mobilizuar me kapacitetet e saj maksimale për ta tejkaluar këtë situatë sa më shpejt dhe sa më lehtë.
Përveç vërshimeve, zjarrfikësit janë ballafaquar edhe me zjarre të përmasave të ndryshme. Një ndër to ishte edhe zjarri në fabrikën e dyshekëve në Gjakovë. Falë angazhimit të zjarrfikësve nga gjashtë komuna shtesë, përveç atyre të Gjakovës, si dhe përkushtimit dhe angazhimit të tyre vetëmohues, zjarri u lokalizua. Tashmë mbetet që ekipet profesionale të AME-së të përcaktojnë saktë shkakun e këtij zjarri, i cili shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale.
Shfrytëzoj rastin të falënderoj secilin pjesëtar të AME-së, secilin zjarrfikës dhe anëtar të ekipeve të kërkim-shpëtimit, secilin pjesëtar të FSK-së, institucionet lokale, si dhe secilin qytetar për angazhimin dhe solidaritetin e treguar këto ditë, në ndihmë të të prekurve dhe në minimizimin e dëmeve nga këto fatkeqësi. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të detyrimit në Prishtinë.
Në raportin policor bëhet e ditur se rasti ka ndodhur më 4 janar në ora 18:30.
“Më 08.01.2026 ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se dy persona të dyshuar shtetas të Shqipërisë me datën e cekur kanë shkuar tek shtëpia e tij dhe i kanë kërkuar që brenda një afati kohor (deri me 11.01.2026) t’i dërgoj 40.000 € para të gatshme në shtëpinë e njërit nga të dyshuarit”, thuhet në raport.
Rasti është duke u hetuar nga ekipet relevante policore. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një shtetas të Kolumbisë, me dyshimin se i njëjti ka sulmuar fizikisht me një mjet të mprehtë dy viktimat femra kosovare.
Rasti ka ndodhur në Prishtinë, të enjten në ora 05:25.
“Është arrestuar i dyshuari shtetas i Kolumbisë, nën dyshimin se i njëjti ka sulmuar fizikisht me një mjet të mprehtë dy viktimat femra kosovare. Njësitet policore te i njëjti kanë gjetur dhe konfiskuar mjetin-thikën dhe 2.4 gramë substancë të dyshuar narkotike”, thuhet në raport.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve të premten në ora 02:00 është përmbyllur numërimi i pjesës së fundit të fletëvotimeve nga votimi me postë, jashtë Kosovës, duke shënuar kështu përfundimin e procesit të numërimit të të gjitha fletëvotimeve nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.
E në këto zgjedhje, Partia Demokratike e Kosovës ka marr 20.19 për qind ose 192.407 vota. PDK me këtë rezultat do të ketë 22 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Këta do të jenë në 22 deputetët e PDK-së në Kuvendin e Kosovës.
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve të premten në ora 02:00 është përmbyllur numërimi i pjesës së fundit të fletëvotimeve nga votimi me postë, jashtë Kosovës, duke shënuar kështu përfundimin e procesit të numërimit të të gjitha fletëvotimeve nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Kështu bëri të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
“Numërimi i këtyre fletëvotimeve shënon përfundimin e procesit të numërimit të të gjitha fletëvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
Me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, KQZ është e gatshme për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor. Por, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët mund të parashtrojnë ndonjë ankesë në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në QNR brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar”, tha Elezi.
Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje ka marr 51.11 për qind të votave dhe do të ketë 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK 20.19 për qind dhe do të ketë 22 ulëse, LDK 13.23 për qind (15 ulëse) dhe AAK 5.5 për qind (6 ulëse).
Partitë minoritare i kanë 20 ulëse në Kuvendin e Kosovës. /Telegrafi/
Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës dhe një numër i prokurorëve të Prokurorisë Themelore të Prizrenit të enjten kanë realizuar një aksion të madh në tërë territorin e Kosovës, lidhur me keqpërdorime në Byronë Kosovare të Sigurimeve.
Në njoftimin për media të Prokurorisë bëhet e ditur se lidhur me këtë janë arrestuar 39 persona të dyshuar, janë sekuestruar mbi një milion euro (1.300.886) në xhirollogari bankare, të holla kesh 23.700,00 euro, ari, aksesor, orë dore, dy armë zjarri, pajisje elektronike, kontrata dhe ujdi.
“Të pandehurit në vazhdimësi, në kundërshtim me rregullat dhe procedurat e brendshme të Byrosë Kosovare të Sigurimit, pa dokumentacion mbështetës, me dokumente të falsifikuara, me transaksione fiktive, të dëmtuarës i kanë shkaktuar dëm material në shumën prej një milion e dyzetë e tre mijë e dyqind e dyzetë e tetë (1.043,248) euro. Me këto veprime ekziston dyshimi i arsyeshëm në kryerje të veprave penale ‘Keqpërdorimi i besimit’ nga neni 330, veprën penale ‘Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike’ nga neni 284, veprën penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’ nga neni 390 si dhe veprën penale ‘Keqpërdorimi i besimit’ në ndihmë nga neni 330 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Në hetime kanë qenë të përfshirë 47 persona në cilësinë e të pandehurve, përfshirë një person juridik.
Ish-drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku bashkë me ish-drejtorin e Financave në BKS, Valon Berisha, dyshohen t’iu kenë lëshuar para qytetarëve të ndryshëm në emër të sigurimeve në vlera mijëra euro.
Nga këto para, qytetarët një pjesë të tyre dyshohet t’ua kenë dhënë vetë atyre në ‘cash’.
Të pandehurit e arrestuar, gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh dhe brenda afatit ligjor për të njëjtit Prokuroria do të parashtroj kërkesë për caktim të masës për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë.
Për realizmin e aksionit kanë qenë të përfshirë 8 Prokurorë të Shtetit, si dhe rreth 400 zyrtarë policorë.
E kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu në një konferencë për media ka dhënë detaje lidhur me aksionin e zhvilluar.
Ai ka bërë të ditur se hetimet për këtë rast kanë nisur që në mars të vitit 2025, ndërsa aksionit i kanë paraprirë një sërë veprimesh hetimore intensive.
"Cak në mesin e hetimeve janë ish drejtori ekzekutiv i BKS-së dhe ish drejtori i departamentit financiarë të hetimeve po ashtu të BKS-së, të cilët duke keqpërdorur autorizimet që iu kanë besuar nga BKS-ja ju kanë mundësuar personave të ndryshëm dhe vetvetes që të barten transaksione të ndryshme ku kanë arritur përfitime të mëdha për vete, duke i shkaktuar dëm të madh BKS-së në vlerë prej 1 milion e 43 mijë euro, po ashtu kanë keqpërdorur autorizimet ekonomike dhe kanë përpiluar dokumente të falsifikuara”, ka thënë Kryeziu.
Kryeziu po ashtu tregoi se gjatë aksionit kanë arritur të sigurojnë 166 transaksione të dyshimta.
“Për me qenë më të qartë deri në këtë fazë kemi arritur të sigurojmë 166 transaksione të dyshimta. Në mesin e tyre 25 transaksione kanë të bëjnë me 12 persona me të cilët kanë arritur ujdi fiktive jashtë gjyqësore kinse për përfaqësim për të autorizuar përfaqësuar të personave që më herët kanë pasur aksidente në komunikacion dhe i kanë kompensuar në vitin 2022-23 përderisa personat tjerë kanë qenë të kompensuar qysh në vitet e më hershme në vitin 2016-17. Po ashtu kanë aplikuar edhe 143 transaksione tjera te personat e ndryshëm pa asnjë dokument të vetëm. Shuma më e vogël e transaksionit ka qenë mbi 6 mijë euro derisa më e larta ka qenë 68 mijë euro. 46 persona i kemi pas target dhe 39 persona kanë përfunduar të arrestuar për të cilët prokuroria ka lëshuar vendim për ndalim. Po ashtu aksioni i sotëm ka përfshirë gjithë territorin e Kosovës".
Ndërkaq, kapiteni Fatmir Karaliti ka bërë të ditur se në operacion janë përfshirë rreth 400 zyrtarë policorë.
“...Edhe pse kemi pasur kushte të vështira atmosferike, operacioni është kryer me sukses”, tha ai.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi i është drejtuar me një kërkesë zyrtare qeverisë që të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore për qarqet Durrës, Lezhë, Elbasan, Shkodër, Gjirokastër, Vlorë dhe Fier, si dhe për të bërë vlerësimin e plotë dhe objektiv në vlerën reale të dëmeve dhe kompensimin e plotë financiar për dëmet ndaj banorëve të prekur.
Gjithashtu, grupi parlamentar i PD i ka kërkuar Kryetarit të Kuvendit që të marrë masat që Këshilli i Ministrave të informojë Kuvendin për situatën e krijuar, rreziqet që paraqiten dhe masat e marra për menaxhimin e situates.
Më poshtë letra e plotë të Kryetari të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, drejtuar Kuvendit, Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile:
Prej disa ditës rajone të caktuara të vendit, kryesisht në qarqet Durrës, Lezhë, Elbasan, Shkodër, Gjirokastër, Vlorë dhe Fier, janë duke vuajtur pasojat e rënda të fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga përmbytjet dhe vërshimet e ujit, të cilat për fat të keq kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në banesa, prona, dhe biznese të qytetarëve shqiptarë. Gjatë ditës së sotme, është raportuar gjithashtu që një qytetarë nga Durrësi ka humbur jetën për këtë shkak.
Nga vlerësimi i përgjithshëm i situatës rezulton se gjendja është e rëndë dhe se strukturat e shtetit deri në këtë moment nuk po veprojnë në të gjithë territorin e vendit, të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore, me kapacitet të plotë dhe se nuk po i gjenden pranë banorëve të prekur.
Sipas nenit 4, të ligjit nr. 45/2019, “Çdo person ka të drejtën e mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera. 2. Në rastet e fatkeqësive natyrore dhe të fatkeqësive të tjera, mbrojtja dhe shpëtimi i jetës së njerëzve kanë prioritet mbi çdo aktivitet tjetër të mbrojtjes civile”. Po kështu, sipas nenit 41 të ligjit nr. 45/2019, shteti shqiptar përgjigjet për dëmet që shkaktohen nga pasojat e një fatkeqësie. Në çdo rast, kur shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore, kompensimi mund të bëhet me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit, dhe se masa e kompensimit të dëmeve, procedurat, afatet, strukturat shtetërore përgjegjëse për vlerësimin e dëmeve, si dhe pasuritë dhe subjektet që kompensohen miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Në këtë kushte, ne deputetët e opozitës në Kuvendin e Shqipërisë vlerësojmë se janë përmbushur kushtet dhe rrethanat sipas ligjit nr. 45/2019 dhe vendimit nr. 158, datë 17.03.2021 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e kritereve dhe procedurave për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në zonat e prekura dhe konkretisht në qarqet Durrës, Lezhë, Elbasan, Shkodër, Gjirokastër, Vlorë dhe Fier. Është e pakuptueshme arsyet se përse Këshilli i Ministrave nuk e ka ndërmarrë ende një procedurë të tillë, duke krijuar pasiguri tek qytetarët për përballimin e kësaj fatkeqësie natyrore. Mosshpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore do të pamundësonte dëmshpërblimin e plotë të banorëve të prekur nga kjo situatë dhe do të ishte një akt i rëndë papërgjegjshmërie institucionale.
Për këtë arsye, në përputhje me shkronjën “b” të nenit 17 të ligjit nr. 45/2019, ku përcaktohet se “Kuvendi ushtron kontroll parlamentar për çështje që kanë lidhje me mbrojtjen civile”, si dhe shkronjës “ç” të nenit 18, nenit 39, pika 1 dhe 41 të ligjit nr. 45/2019, ku specifikohet se: “Këshilli i Ministrave mund të vendosë, për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë, gjendjen e fatkeqësisë natyrore në një pjesë ose në të gjithë territorin e vendit”, kërkojmë:
Shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore rajonale, vetëm për qarqet e prekura nga përmbytjet dhe vërshimet e ujit, konkretisht qarqet Durrës, Lezhë, Elbasan, Shkodër, Gjirokastër, Vlorë dhe Fier.
Gjendja e emergjencës dhe shpallja e fatkeqësisë natyrore të klasifikohet “për përmbytjet dhe vërshimet e ujit, që vijnë si rezultat i rritjes në nivele kritike të ujit, nga faktorë gjeologjikë, atmosferikë apo njerëzorë, në shtratin e lumenjve, në nivelin e liqeneve apo në batica bregdetare, që kanë mbuluar përkohësisht me ujë sipërfaqe toke në atë nivel që përbëjnë rrezik për njerëzit, banesat dhe infrastrukturën”.
Vlerësimin e plotë dhe objektiv në vlerën reale të dëmeve dhe kompensimin e plotë financiar për dëmet ndaj banorëve të prekur, sipas të drejtës që i njeh neni 41 i ligjit nr. 45/2019 “Për mbrojtjen civile”. Masa e dëmshpërblimit të miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave pa vonesa dhe të mbulohet nga fondet e Buxhetit të Shtetit.
Për sa më lart, ne deputetët e opozitës kërkojmë nga ministria përgjegjëse për mbrojtjen civile dhe nga Këshilli i Ministrave, zbatimin e menjëhershëm të ligjit nr. 45/2019 dhe vendimit nr. 158/2021 të Këshillit të Ministrave. Mosveprimi në kohë nga ana juaj, do të ishte një papërgjegjshmëri kriminale, me pasoja të rënda për qytetarët shqiptarë.
Gjithashtu, në përputhje me shkronjën “d”, të nenit 18 të ligjit nr. 45/2019, kërkojmë që Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë të marrë masat që Kuvendi i Shqipërisë të informohet menjëherë nga Këshilli i Ministrave, nëpërmjet ministrit përgjegjës, për situatën e krijuar, rreziqet që paraqiten dhe masat e marra për menaxhimin e situatës.
Ish-drejtori i Financave të Byrosë Kosovare të Sigurimeve është vënë nën pranga të enjten në një aksion të Prokurorisë Themelore në Prizren.
Arrestimi i tij është bërë lidhur me dyshimet për keqpërdorimet financiare në këtë organizatë.
Bazuar në deklaratën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, Berisha kishte pranuar keqpërdorimet financiare në Byro, duke marrë përsipër të gjithë përgjegjësinë.
“Në këtë funksion, kam qenë i vetmi përgjegjës për organizimin, kontrollin dhe ekzekutimin e operacioneve financiare, përfshirë vendimmarrjen mbi transaksionet, pagesat, raportimet financiare dhe çdo proces tjetër që lidhet me administrimin e fondeve dhe burimeve financiare të Byrosë”, thuhet në deklaratë.
Tutje, Berisha kishte hequr përgjegjësinë e personave të tjerë brenda Byrosë.
“Punonjësit tjerë të Byrosë, përfshirë ata në pozita drejtuese apo ekzekutive, nuk kanë pasur qasje, njohuri apo përfshirje në vendimmarrjet financiare të ndërmarra nga unë. Çdo veprim i ndërmarrë ka qenë në kuadër të përgjegjësive dhe diskrecionit tim profesional, pa ndonjë ndikim apo ndërhyrje nga persona të tjerë brenda Byrosë. Duke pasur parasysh të lartshënuarat, e konsideroj të rëndësishme të theksoj se asnjë punonjës tjetër nuk mund të mbahet përgjegjës për veprimet apo vendimet financiare që kanë qenë ekskluzivisht në fushën e kompetencave të mia”, thuhet tutje.
Përveç marrjes së përgjegjësisë, Berisha i kishte propozuar Byrosë dhe arritjen e një marrëveshje për kthimin e parave me këste.
Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë ka bërë të ditur se pas Novoselës, për shkak të situatës së rënduar nga të reshurat janë lëshuar urdhra evakuimi edhe për banorët e bashkësisë Fier, saktësisht Njësisë Administrative Ferras, si dhe për Njësitë Administrative Sukth dhe Katund i Ri në Durrës
Në njoftim thuhet se evakuimi do të realizohet përmes koordinimit me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Prefektin e Qarkut përkatës, Strukturat e Emergjencave Civile në bashki.
Prioritet në procesin e evakuimit kanë fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara si dhe familjet në zona të izoluara. /Telegrafi/
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka njoftuar lidhur me situatën e fundit të krijuar në Shqipëria pas vërshimeve.
AKMC njofton se si pasojë e reshjeve intensive gjatë orëve të fundit ka pasur rritje të niveleve të lumenjve në disa qarqe të vendit, gjë që ka krijuar problematika serioze, kryesisht përmbytje të tokave bujqësore dhe banesave, rrëshqitje dherash, dëmtime infrastrukturore dhe bllokime rrugësh.
Situata më problematike paraqitet në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Fier, Berat dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqe të tjera situata është nën monitorim ose pa rrezik.
Në njoftim thuhet se strukturat e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile janë angazhuar në terren për përballimin e emergjencës, evakuimin e banorëve, ku është e nevojshme dhe minimizimin e dëmeve.
Situata sipas qarqeve paraqitet si më poshtë:
Qarku Shkodër
• Ka rritje të nivelit të ujit në fshatin Obot, me rreth 60 cm ujë mbi rrugën kryesore. Qarkullimi bëhet vetëm për mjete të tonazhit të lartë.
• Ka rritje të sipërfaqeve të tokave bujqësore nën ujë.
• 15 banesa të rrethuara nga uji në Vaun e Dejës.
• Në disa fshatra të Malësisë së Madhe ka rugë të bllokuara dhe prezencë uji.
• Në bashkinë Fushë-Arrëz janë evidentuar shkarje dherash dhe rënie gurësh, prezencë e shtuar e ujit në rrugët auto-rurale, që kanë shkaktuar dëmtime.
Qarku Lezhë
• Rreth 3000 ha tokë bujqësore janë nën ujë.
• Është bërë evakuimi I dy familjeve, një në fshatin ishullin Shëngjin dhe një në fshatin Kakariq.
• Rreth 100 banesa janë të rrethuara nga uji, kryesisht në njësitë administrative Dajç, Babullojë, Balldren dhe Shënkoll.
• Ka rrëshqitje dherash në fshatrat Torovicë dhe Tresh.
• Po punohet për mbylljen e çarjes së argjinaturës në lumin Droje, në fshatin Dukagjin.
Qarku Vlorë
• Niveli i lumit Vjosë në Novoselë ka kaluar mbi 8 metra.
• Janë evakuuar 13 familje pranë Urës së Mifolit dhe në Novoselë. Nuk ka prezencë uji në banesa.
Qarku Durrës
• Aktualisht situate është drejt përmirësimit, por po punohet për heqjen e ujit nga rreth 800 banesa dhe objekte, veçanërisht në zonën e burgut, Ish Kënetës, Shkozet dhe Nishtullë. Në terren ndodhen ekipe te vlerësimit të dëmeve që po vazhdojnë evidentimin dhe dokumentimin e rasteve.
• 250 persona janë të strehuar në Shtëpinë e Pushimit te Ushtrisë, Durrës dhe 55 persona janë strehuar në Kavalishencën e Ministrisë së Brendshme.
• Lumenjtë Erzen dhe Ishëm, si dhe kanali i Tones janë në kuata maksimale.
• Disa rrugë të qytetit mbeten të bllokuara, për shkak të pranisë së lartë të ujit.
Bashkia Krujë: Si pasojë e çarjes së argjinaturës së lumit Droje ka vërshime uji në dy fshatrat Dukagjin i Ri dhe Miliska. Në fshatin Miliska uji ka hyrë në banesa, ku janë prekur 50 familje. Në terren ndodhen ekipe të Bordit të Kullimit Durrës, për përballimin e situatës.
Bashkia Shijak: Ka prani uji në 15 banesa. Situata problematike veçanërisht në njësitë administrative Xhafzotaj, Maminas dhe Gjepalaj.
Qarku Gjirokastër
• Si pasojë e reshjeve të dendura ka rrëshqitje dherash në aksin Tepelenë–Gjirokastër, ku qarkullimi është I kufizuar.
• Po punohet për rikthimin e energjisë në disa zona malore.
• Nivele të larta të lumit Vjosë në Memaliaj dhe Përmet.
Qarku Kukës
• Lumenj në kuota të larta, por pa problematika aktuale.
Qarku Tiranë
• Rritje e niveleve të lumenjve në Rrogozhinë dhe Kavajë, por pa rrezik të menjëhershëm për zonat e banuara.
Qarku Korçë
• Janë disa rrugë të pakalueshme në Devoll.
• Janë evidentuar rRrëshqitje dherash dhe bllokime rrugore në Pogradec dhe Prrenjas.
• Në Maliq ka sipërfaqe të tokave bujqësore nën ujë.
Qarku Berat
• Rreth 95 hektarë toka bujqësore nën ujë.
• Është evidentuar rritje e nivelit të lumit Osum.
• Në lagjen 22 Tetori dhe Goricë, janë marrë masa për sigurimin e bizneseve dhe punohet për largimin e ujit nga pedonalja me pompa thithëse.
Qarku Fier
• Rreth 200 ha tokë bujqësore të përmbytura.
• Prezencë uji në 27 banesa në disa fshatra.
Në qarqet e tjera nuk paraqiten problematika serioze.
Angazhimi i Forcave të Armatosura dhe mjeteve
Në total janë angazhuar:
• Rreth 150 efektivë të Forcave të Armatosura
• Mbi 20 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe të tonazhit të rëndë
• 10 gomone/motobarka shpëtimi
• 15 pompa thithëse me kapacitet të lartë dhe të vogël
Forcat janë shpërndarë kryesisht në qarqet Shkodër, Lezhë, Vlorë, Durrës, Gjirokastër dhe Fier, në funksion të evakuimeve, përforcimit të argjinaturave dhe largimit të ujërave.
U bëhet thirrje të gjithë banorëve në zonat e prekura:
• Të ndjekin udhëzimet e autoriteteve vendore dhe të Mbrojtjes Civile.
• Të shmangin lëvizjet e panevojshme, veçanërisht në zona të përmbytura ose me rrëshqitje dherash.
• Të raportojnë menjëherë çdo situatë rreziku pranë strukturave përgjegjëse.
• Të bashkëpunojnë në rastet e evakuimit për garantimin e sigurisë së jetës dhe pronës. /Telegrafi/
Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile kanë njoftuar lidhur me urdhrin për evakuimin e menjëhershëm në Novoselë të Shqipërisë, pas situatës së krijuar për shkak të reshurave.
Në njoftim bëhet e ditur se urdhri hyn në fuqi menjëherë.
“... Si pasojë e situatës së krijuar nga përmbytjet dhe rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, do të kryhet evakuimi i menjëhershëm i banorëve të Bashkisë Vlorë, Njësisë administrative Novoselë.
Evakuimi do të realizohet përmes koordinimit me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Prefektin e Qarkut përkatës si dhe strukturat e Emergjencave Civile në bashki”, thuhet në njoftim.
Tutje, bëhet e ditur se sipas legjislacionit në fuqi, Kryetari i Bashkisë është autoriteti përgjegjës për urdhërimin e evakuimit në territorin e bashkisë.
Prioritet në procesin e evakuimit kanë: Fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, familjet në zona të izoluara. /Telegrafi/
Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, është kallëzuar sot në SPAK. Situata e përmbytjeve në qytet ka reflektuar edhe në një kallëzim penal ndaj zyrtares.
Anëtarja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilirjana Kuçana, ka depozituar sot në Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, një kallëzim penal ndaj kryetares së Bashkisë Durrës, Emirjana Sako, si dhe ndaj institucioneve të tjera, për veprën penale “Shpërdorim i detyrës në bashkëpunim”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, raporton euronews.al.
Sipas kallëzimit, i cili përfshin gjithashtu Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Drejtorinë e Ujitjes dhe Kullimit Durrës, dyshohet se personat dhe institucionet e përfshira mund të kenë shpërdoruar fonde publike dhe detyra të tjera zyrtare, duke kontribuar në përkeqësimin e situatës së përmbytjeve në qytetin e Durrësit.
Kallëzimi thekson se hetimi mund të zbulojë edhe veprime të tjera penale të kryera në bashkëpunim nga personat dhe institucionet e përfshira. Dokumenti ligjor referon Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Kodin Penal dhe ligjet për vetëqeverisjen vendore dhe administrimin e ujitjes dhe të kullimit.
Prokuroria Themelore e Prizrenit sot në orët e mëngjesit ka zhvilluar një aksion të gjerë në disa qytete, ndërsa objekt i bastisjeve janë pronat e ish-zyrtarëve të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS).
E lidhur me këto bastisje ka reaguar vetë Byroja Kosovare e Sigurimeve.
BKS thekson se kjo është iniciuar vetë nga ta, në cilësinë e palës së dëmtuar, si rezultat i konstatimeve të identifikuara në raportin e Auditimit të Brendshëm.
Lexoni të plotë reagimin e BKS:
Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS) njofton opinionin publik se rasti i fundit, i cili po trajtohet nga Prokuroria Themelore në Prizren dhe për të cilin janë raportuar bastisje dhe veprime hetimore, është iniciuar nga vetë BKS-ja në cilësinë e palës së dëmtuar, si rezultat i konstatimeve të identifikuara në raportin e Auditimit të Brendshëm.
Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm të Byrosë për transparencë, integritet institucional dhe mbrojtje të interesit publik, pas evidentimit të shkeljeve serioze dhe dyshimeve për keqpërdorime, BKS ka ndërmarrë veprime të menjëhershme ligjore, duke i adresuar gjetjet përkatëse tek organet kompetente të rendit dhe drejtësisë.
Byroja Kosovare e Sigurimeve ka bashkëpunuar dhe vazhdon të bashkëpunojë në mënyrë të plotë dhe aktive me Prokurorinë dhe Policinë e Kosovës, duke vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin dhe informacionin e nevojshëm për zhvillimin e hetimeve.
Theksojmë se BKS mbetet e përkushtuar në forcimin e mekanizmave të kontrollit të brendshëm, parandalimin e keqpërdorimeve dhe garantimin e menaxhimit të përgjegjshëm të mjeteve financiare, në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi.
Byroja Kosovare e Sigurimeve rithekson se respekton parimin e prezumimit të pafajësisë dhe beson se organet e drejtësisë do ta zbardhin plotësisht këtë rast, duke vepruar në përputhje me ligjin.
Për çdo zhvillim të mëtejmë, opinioni publik do të njoftohet në kohë përmes kanaleve zyrtare të Byrosë.
Byroja Kosovare e Sigurimeve shpreh falënderim dhe vlerësim të veçantë për Prokuroritë kompetente dhe Policinë e Kosovës, për angazhimin profesional, veprimet e shpejta dhe bashkëpunimin korrekt institucional në trajtimin e këtij rasti. Ky bashkëpunim dëshmon përkushtimin e përbashkët për forcimin e sundimit të ligjit, luftimin e keqpërdorimeve dhe mbrojtjen e interesit publik. /Telegrafi/