Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 8 January 2026Main stream

Zjarri në fabrikën e dyshekëve, Haradinaj: Lajm tronditës për ekonominë e vendit

8 January 2026 at 18:47


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas zjarrit që përfshiu fabrikën e dyshekëve “Comodita” në Gjakovë, duke e cilësuar këtë kompani si një nga shembujt më të mirë të suksesit të prodhuesve kosovarë.

Haradinaj theksoi se “Comodita”, falë përkushtimit dhe vizionit, ka arritur të jetë konkurrente e denjë në tregjet evropiane dhe botërore, duke përbërë një burim jetese për qindra familje në Kosovë. Sipas tij, lajmi për zjarrin është tronditës jo vetëm për kompaninë, por për ekonominë e vendit në përgjithësi.

Ai shprehu shpresën që nga ky incident të mos ketë punëtorë të lënduar dhe uroi që situata të tejkalohet sa më shpejt, me dëme sa më të vogla.

Po ashtu, Haradinaj falënderoi autoritetet lokale në Gjakovë, Policinë e Kosovës, njësitet e zjarrfikësve si dhe kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, për reagimin e shpejtë dhe angazhimin në shuarjen e zjarrit./Telegrafi/


Zjarr i madh në një fabrikë në Gjakovë, policia jep detaje

8 January 2026 at 17:29


(E plotësuar) - Një zjarr i madh ka përfshirë fabrikën e dyshekëve “Comodita” në Gjakovë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme në rrugën “Gjergj Sokoli”.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka njoftuar se menjëherë njësitet e zjarrfikësve dhe të Policisë së Kosovës kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke punuar intensivisht për lokalizimin dhe shuarjen e zjarrit.



Sipas autoriteteve, flakët janë të përmasave të mëdha dhe ndërhyrja emergjente është ende në zhvillim.



"“Rreth orës 16:50, jemi njoftuar se në rrugën “Gjergj Sokoli” në Gjakovë një fabrikë është përfshirë nga zjarri. Njësitet policore dhe zjarrfikësit kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe janë duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për lokalizimin dhe shuarjen e zjarrit".

Elezaj ka bërë të ditur se deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar.



"Deri në këto momente, bazuar në informatat e pranuara, nuk raportohet për persona të lënduar, megjithatë verifikimi i plotë i situatës dhe i pasojave eventuale në njerëz do të bëhet pas shuarjes së plotë të zjarrit”, ka shtuar ai.

Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të sqaruar shkaqet e zjarrit, ndërsa qytetarëve u është bërë thirrje të shmangin zonën për arsye sigurie./Telegrafi/


Parku i Biznesit nën ujë, ende nuk dihen dëmet në Mitrovicë

8 January 2026 at 17:08


Hapësira përreth Parkut të Biznesit në Mitrovicë të Jugut, është përmbytur nga lumi Sitnica, i cili ka dalë nga shtrati mbrëmjen e së mërkurës si pasojë e reshjeve të fundit.

Si rrjedhojë, disa prej 24 bizneseve që operojnë në këtë park janë prekur nga përmbytjet.

Pronarët e bizneseve kanë bërë të ditur se dëmet janë të konsiderueshme, por vlerësimi i saktë financiar do të mund të bëhet vetëm pas tërheqjes së ujit dhe rikthimit të gjendjes normale.

Gjendje e rënduar paraqitet edhe në lagjen “2 Korriku”, në Mitrovicë të Jugut. Për shkak të përmbytjeve, disa familje janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Mitrovicë të Jugut, Burim Ibishi, ka bërë të ditur për KosovaPress, se nga ora 02:00 pas mesnate e deri më tani janë evakuuar gjithsej 15 familje nga kjo lagje. Një pjesë e tyre janë strehuar në hotelin “Park”, ndërsa të tjerat tek familjarët.

Ekipet emergjente po vazhdojnë të jenë në terren dhe të monitorojnë situatën.

Aksioni në BKS, Policia: U arrestuan 39 persona dhe u sekuestruan mbi 1.3 milion euro

8 January 2026 at 17:02


Policia e Kosovës ka njoftuar përmes Facebook-ut se sot ka zhvilluar një aksion të gjerë policor në tërë territorin e vendit, nën dyshimet për keqpërdorime në Byronë Kosovare të Sigurimeve.

Operacioni, i realizuar në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, është rezultat i një hetimi disa mujor për krime ekonomike.

Gjatë aksionit janë arrestuar 39 persona të dyshuar, ndërsa janë sekuestruar mbi 1.3 milion euro në xhirollogari bankare, 23,700 euro para të gatshme, ari, aksesorë, orë dore, dy armë zjarri, pajisje elektronike, kontrata dhe dokumente të tjera relevante.

Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e veprimtarive të kundërligjshme dhe forcimin e sundimit të ligjit.

Ndryshe, edhe Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Petrit Kryeziu, tha në një konferencë për media se cak i hetimeve që nisën në marsin e vitit të kaluar janë ish-drejtori ekzekutiv, Sami Mazreku, dhe ish-drejtori i Financave i BKS-së, Valon Berisha.

Mazreku dhe Berisha - të cilët u arrestuan gjatë bastisjeve të sotme - dyshohen se i kanë keqpërdorur autorizimet e BKS-së duke ua mundësuar personave të ndryshëm, dhe përmes tyre edhe, të kryejnë transaksione të jashtëligjshme.

Kryeprokurori Kryeziu tha Mazreku e Berisha “kanë arritur përfitime të mëdha për vete dhe i kanë shkaktuar dëm BKS-së”.

“Po ashtu, ata kanë keqpërdorur autorizimet ekonomike dhe kanë përpiluar dokumente të falsifikuara, ku ne deri në këtë fazë kemi vlerësuar se ato dokumente të dyshuara i kanë përdorur për përfitime personale dhe i kanë shkaktuar dëm BKS-së në vlerë prej 1 milion e 43 mijë euro”, tregoi Kryeziu./Telegrafi/

Përmbytjet në Shqipëri, ambasada e SHBA paralajmëron përkeqësim të situatës

8 January 2026 at 16:45


Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë vazhdon të monitorojë përmbytjet në të gjithë vendin dhe u bën thirrje të gjithë shtetasve amerikanë të tregojnë kujdes në zonat e rrezikuara nga përmbytjet, të cilat po përkeqësohen.

Disa zona në të gjithë vendin janë nën urdhër evakuimi. Në një postim të publikuar në faqen zyrtare të ambasadës bëhet e ditur se përmbytjet mund të ndodhin pa paralajmërim, ndërsa reshjet e shiut mund të shkaktojnë mbylljen e rrugëve për shkak të përmbytjeve ose rrëshqitjeve të dheut.

Ambasada u sugjeron shtetasve amerikanë në Shqipëri që kanë nevojë për ndihmë të duhet të shmangin zonat e prekura dhe të telefonojnë në numrat e emergjencës.

“Qytetarët amerikanë duhet të shmangin zonat e prekura, veçanërisht ato që kanë marrë urdhra evakuimi, dhe të ndjekin udhëzimet e policisë në lidhje me mbylljen e rrugëve ose ndërprerjet e trafikut. Monitoroni lajmet lokale për përditësime mbi kushtet e përmbytjeve dhe planifikoni rrugët tuaja në përputhje me rrethanat. Google Maps gjithashtu mund të ofrojë informacion në kohë reale mbi mbylljet e rrugëve dhe përmbytjet.

Mos u përpiqni të kaloni me makinë nëpër zonat e prekura nga përmbytjet. Kërkoni një rrugë alternative ose merrni në konsideratë shtyrjen e udhëtimit nëse një rrugë alternative nuk është e disponueshme.

Ne i inkurajojmë fuqimisht qytetarët amerikanë në zonat e prekura që janë të sigurt të monitorojnë lajmet lokale dhe të kontaktojnë drejtpërdrejt të dashurit e tyre dhe/ose të përditësojnë statusin e tyre në mediat sociale.

Nëse keni një urgjencë të menjëhershme ose kërcënuese për jetën, ju lutemi telefononi në 127 për një ambulancë, në 112 për policinë ose në 128 për zjarrfikësit. Gjithashtu mund të kontaktoni Urgjencën Kombëtare në info@urgjenca.gov.al ( http://urgjenca.gov.al/ )”, njofton ambasada amerikane. /A2 CNN

Rikthehen kolonat në kufi, në Jarinë udhëtarët presin 1 orë e gjysmë

8 January 2026 at 16:32


Pritjet në pikat kufitare janë shtuar sërish, njofton Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar.

Sipas përditësimit të fundit të orës 16:00 pritjet më të gjata janë në Jarinë deri në 90 minuta e në Merdarë 1 orë.

Ndërkohë, ata që po qarkullojnë përmes Dheut të Bardhë po presin deri në 50 minuta.

Ditët e para të janarit kanë qenë edhe më të ngarkuara, për shkak se mërgimtarët po ktheheshin në vendin ku jetojnë.

Before yesterdayMain stream

Fshati Denjë nis vitin me traditë 24-vjeçare të dhurimit të gjakut

5 January 2026 at 23:28


Banorët e fshatit Denjë në Rahovec kanë nisur vitin 2026 me aksionin vullnetar të dhurimit të gjakut. Sipas Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut, ky aktivitet organizohet pa ndërprerje që 24 vite.

“Falënderojmë secilin dhurues për kontributin e vazhdueshëm dhe organizatorët për këtë traditë humanizmi”, thuhet në njoftim.


Vërshime e rrëshqitje dheu në Klinë, Elezaj në terren

5 January 2026 at 22:46


Zenun Elezaj, kryetari i Komunës së Klinës, ka njoftuar më 05.01.2026 se ka vizituar disa zona të prekura nga vërshimet në territorin e komunës.

Kryetari Elezaj është shoqëruar nga Qëndrim Millaku, drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjente si dhe Qemajl Sejdija, drejtori i Arsimit.

Qëllimi i vizitës së tyre ishte vlerësimi nga afër i gjendjes në terren.

“Ekipet e angazhuara nga komuna kanë qenë të angazhuara gjatë gjithë ditës në terren, duke ndërmarrë intervenimet e nevojshme për menaxhimin e situatës dhe minimizimin e dëmeve të shkaktuara. Po ashtu, jemi në koordinim të vazhdueshëm për të siguruar reagim të shpejtë dhe efikas.” – ka shkruar Elezaj në Facebook, më 05.01.2026.

Sipas Elezajt, situata po përcillet në mënyrë të vazhdueshme dhe Komuna e Klinës mbetet në gjendje të plotë gatishmërie për të intervenuar kudo që paraqitet nevoja.

“U bëjmë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar dhe, në rast nevoje, të raportojnë te shërbimet emergjente të komunës.” – ka shtuar Elezaj.

Sipas fotografive të publikuara nga kryetari Elezaj në disa zona ka pasur rrëshqitje dheu, e diku vërshime të oborreve dhe bodrumeve të shtëpive.


Gjykimet në mungesë rrisin numrin e rasteve për krime lufte, pengesë mbetet Serbia

5 January 2026 at 22:33


Prokuroria Speciale, Departamenti për Krime të Luftës, me vetëm pesë prokurorë, ka ngritur 80 aktakuza për krime lufte ndaj 260 personave gjatë 10 viteve të fundit, ndërsa lejimi i gjykimeve në mungesë ka rritur ndjeshëm numrin e rasteve të trajtuara. Sfidë kryesore mbetet mungesa e bashkëpunimit me Serbinë, gjë që vështirëson hetimet dhe gjykimet për krimet e luftës.

Me rreth 1,000 lëndë të trashëguara nga misioni i EULEX-it dhe një numër të konsiderueshëm aktakuzash të ngritura për krime lufte, vetëm pesë prokurorë të Prokurorisë Speciale përballen me mbledhjen e fakteve që ndërtojnë një aktakuzë. Gjatë dekadës së fundit janë ngritur 80 aktakuza ndaj 260 personave.

Trajtimi i çështjeve penale për krime lufte shkakton vështirësi për shkak të mosbashkëpunimit të Serbisë. Megjithatë, lehtësim ka sjellë ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale, i cili që nga viti 2023 parashikon gjykimin në mungesë. Që nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Prokuroria Speciale ka ngritur 20 aktakuza në mungesë ndaj 102 personave, përfshirë rastin e masakrës së Mejës dhe dëbimin e popullsisë civile.

"Për 20 vite nuk kemi pasur një autoritet për hetimin e këtyre veprave penale. Mundësitë tona janë brenda këtyre pesë viteve të fundit, me aq sa kemi kapacitete. Vetë fakti që kemi një numër të konsiderueshëm aktakuzash tregon që po shkojmë në drejtimin e duhur. Zgjidhja për këtë çështje është një strategji nacionale për adresimin e të gjitha problemeve në fushën e krimeve të luftës", tha Ilir Morina, prokuror i Prokurorisë Speciale.

Gjatë vitit 2025, Departamenti i Krimeve të Luftës në Prokurorinë Speciale ka ngritur 11 aktakuza për krime lufte, prej të cilave 7 në mungesë. Ndërkohë, janë shpallur 9 aktgjykime, 8 dënuese dhe 1 lirues, me 9 persona të arrestuar.

"Zhvillimet më të mëdha kanë ndodhur si pasojë e ndryshimit të Kodit të Procedurës Penale, me lejimin e gjykimeve në mungesë. Duke qenë se prokurorisë dhe gjykatës u është lejuar të vazhdojnë gjykimet në mungesë, ka pasur rritje të numrit të aktakuzave, por edhe të gjykimeve në përgjithësi. Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Serbisë është zero. Nuk ka as shkëmbim informacionesh, as dokumentacioni, nuk lejohet as shkëmbimi i ftesave dhe njoftimeve për rastet që po hetohen ndaj shtetasve të tyre. Çdo refuzim për bashkëpunim është pengesë për një hetim të mirëfilltë dhe për një gjykim të drejtë, si dhe pengon vërtetimin e fakteve", theksoi Nisa Ferati nga FDHK.

Aktualisht, për masakrën e Mejës është ngritur aktakuzë në mungesë ndaj 53 personave, pjesëtarë të policisë dhe ushtrisë serbe. Për këtë rast është mbajtur shqyrtimi fillestar.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë, me propozim për gjykim në mungesë, ndaj 21 personave për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.

Sfidë e vazhdueshme mbetet gjithashtu numri i vogël i gjyqtarëve, për shkak të avancimeve në gjykata, gjë që ndikon drejtpërdrejt në efikasitetin e proceseve për krimet e luftës./RTK

Kush do të jetë presidenti i ardhshëm? – Dalin emra të rinj në horizont

5 January 2026 at 22:13


Analistët politikë kanë diskutuar në emisionin Debat Plus skenarët e mundshëm për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës, duke theksuar se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të reja vetëm për një emër të vetëm.

Analisti Sadri Ramabaja ka deklaruar se kandidati për president mund të vijë nga bota akademike apo edhe përtej Atlantikut, duke nënkuptuar diasporën. Sipas tij, vendimi politik tashmë është marrë nga qytetarët dhe nuk ia vlen që vendi të futet në zgjedhje për postin e presidentit.

“Dorën në zemër, nuk ia vlen barra qiranë që të shkohet në zgjedhje për president”, ka thënë Ramabaja, duke shtuar se kjo vlen jo vetëm për presidenten aktuale Vjosa Osmani, por për këdo që do të ishte kandidat. Ai ka theksuar se është luks i tepruar që sistemi politik të dërgohet në zgjedhje për pozitën e një individi.

Ramabaja nuk ka përjashtuar as mundësinë që Glauk Konjufca të jetë kandidat për president, por ka theksuar se mund të kërkohet një figurë konsensuale, e pranueshme edhe për opozitën, pasi nevojiten 80 vota për zgjedhjen e presidentit.

Ndërkohë, analisti Imer Mushkolaj ka deklaruar se nuk e sheh të mundshme që kryeministri Albin Kurti ta propozojë sërish Vjosa Osmanin për një mandat tjetër. Sipas tij, sinjalet e Kurtit lënë të kuptohet se mund të ketë një emër tjetër konsensual, me mbështetje më të gjerë sesa vetëm brenda Lëvizjes Vetëvendosje.

“S’besoj se do të ketë zgjedhje vetëm për një emër”, ka thënë Mushkolaj, duke shtuar se mungesa e kandidatëve konkretë për momentin e bën të vështirë analizën më të thellë të situatës.

Analisti Ylli Hoxha ka theksuar se gjithçka varet nga qasja politike dhe gatishmëria për kompromis. Ai ka thënë se pas zgjedhjeve të fundit, Albin Kurti ka një mandat të fortë elektoral dhe nuk e ka problem rizgjedhjen si kryeministër.

Sipas Hoxhës, nëse krijohet një klimë bashkëpunimi politik, nuk ka arsye për mosakordancë dhe kjo mund të hapë rrugën për ndërtimin e një konsensusi për zgjedhjen e presidentit, pa e çuar vendin në zgjedhje të reja./Telegrafi/

- YouTube youtu.be


Rrezik për vërshime në Kosovën perëndimore, lumenjtë me nivele të larta pas reshjeve intensive

5 January 2026 at 21:37


Reshjet e konsiderueshme të shiut që kanë rënë nga data 3 deri më 5 janar 2026 kanë shkaktuar rritje të ndjeshme të niveleve dhe prurjeve të ujit në pjesën perëndimore të Kosovës, veçanërisht në pellgun e Drinit të Bardhë.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, lumenjtë që burojnë nga Alpet Shqiptare, si Ereniku, Bistrica e Pejës, Bistrica e Deçanit dhe Lumi i Istogut, kanë shënuar rritje të theksuar të niveleve, duke rritur rrezikun për dalje nga shtrati në disa zona.

Sasitë më të mëdha të reshjeve janë regjistruar në Junik (231.5 mm), Gllogjan (151.6 mm), Kuqishtë (130.4 mm) dhe Radoniq (124.7 mm). Ndërkohë, niveli i lumit Erenik në Gjakovë ka arritur në 3.4 metra, ndër më të lartët e matur gjatë kësaj periudhe.

Institucionet u bëjnë thirrje qytetarëve që jetojnë pranë rrjedhave lumore në perëndim të vendit të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndjekin njoftimet zyrtare, pasi situata kërkon vëmendje të vazhdueshme.


A do kalojnë marrëveshjet ndërkombëtare në legjislaturën e dhjetë?

5 January 2026 at 21:16


Përveç PDK-së, që ende nuk ka qëndrim sa i përket votës për marrëveshjeve ndërkombëtare, LDK-ja e AAK-ja kanë thënë se do i votojnë sepse nuk janë bllokuese të proceseve të tilla. Njohësit e politikës thonë se duhet gjetur gjuhë e përbashkët për këtë çështje sepse Kosova mjaftueshëm ka humbur deri tash.

Për konstituimin e Kuvendit e për formimin e qeverisë i ka hequr dilemat, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti.

Por dilema ka nëse legjislatura e dhjetë do të votoj “pro” buxhetit të 2026-ës dhe marrëveshjeve ndërkombëtare

”As zgjedhja e presidentit dhe as miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nuk kalojnë pa vota të deputetëve të opozitës”.

“Prandaj unë nuk e di çfarë qëndrimesh do të mbajnë partitë opozitare në javët dhe muajt në vijim. A është e qartë që as marrëveshjet ndërkombëtare dhe as rizgjedhjen e presidentes, zgjedhjen e presidentit, ne nuk mund t’i kalojmë pa pasur edhe deputetë nga opozita. Ndërkohë që bllokadat sa i përket konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë i ka larguar populli me 28 dhjetor”, ka deklaruar Albin Kurti - kryetar i LVV-së.

Në Partinë Demokratike të Kosovës, që doli e dyta në zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk kanë ende qëndrim sa i përket këtyre çështjeve, sepse po presin që fillimit të konstituohet Kuvendi.

E në Lidhjen Demokratike të Kosovës thonë se kanë votuar dhe do të votojnë për marrëveshjet që janë në interes të Kosovës.

“LDK-ja është parti shtetformuese dhe ne asnjëherë nuk i shohim marrëveshjet ndërkombëtare si mjet për luftë politike ditore. Ne e kuptojmë se këto marrëveshje janë jetike për zhvillimin ekonomik dhe projektet kapitale që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve si dhe ruajtjen e raporteve me partnerët tanë strategjikë, pasi dështimi i votimit të tyre dëmton kredibilitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Sa i përket deklaratës së z.Kurti, duhet të jemi të qartë: përgjegjësia kryesore për sigurimin e votave dhe mbarëvajtjen e punëve në Kuvend i takon mazhorancës. LDK-ja ka votuar dhe do të vazhdojë t’i votojë ato marrëveshje që janë në interes të Republikës së Kosovës. Nëse qeveria e radhes nuk i ka votat, kjo vjen si pasojë e paaftëisë së tyre për të menaxhuar numrat e vet brenda grupit parlamentar dhe mungesës së bashkëpunimit me opozitën. Ne mbetemi të përkushtuar në rolin tonë konstruktive, duke mos bllokuar proceset që i shërbejnë shtetit, por duke kërkuar llogaridhënie për çdo dështim të cilës do qeveri në menaxhimin e proceseve legjislative”, ka deklaruar Anton Çuni nga LDK

Për këtë e qartë është edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ata po thonë se asnjëherë nuk kanë qenë pengesë e marrveshjeve që janë në interes të vendit.

Ndërkohë, profesori universitar, Dritëro Arifi po thotë se këto marrëveshje janë të rëndësishme dhe duhet gjetur gjuhë e përbashkët për ti kaluar.

“Sidomos marrëveshjet ndërkombëtare që lidhen me Bashkimin Evropian për planin e rritjes me Bankën Botërore por edhe marrëveshjet tjera, është i rëndësishëm koordinimi dhe bashkëpunimi sepse duhet të jenë 2 të tretat e votave për të kaluar marrëveshjet ndërkombëtare apo me numra mbi 80 veta duhet të jenë me votu pro që ato marrëveshje me u ratifiku në Kuvendin e Kosovës, nuk e shoh që opozita do të bëjë problem për këto marrëveshje sepse janë impuls i madh për Kosovën dhe ekonomin që duhet bërë Kosova në ditët në vazhdim.”, ka deklaruar Dritëro Arifi – profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare

Vitin e kaluar, pas shumë dështimesh për konstituimin e Kuvendit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani më 11 nëntor thirri seancë me disa pika të rendit të ditës, ndër to për formimin e komisioneve parlamentare, më pas shqyrtimi i parë i projektligjit për ndarjet buxhetore, e ratifikimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare. Por kjo seancë u bojkotua nga PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja duke e quajtur të jashtëligjshme./Tv Dukagjini/

- YouTube youtu.be

​22% e emigrantëve janë rikthyer në Shqipëri

5 January 2026 at 21:04


Shqipëria po përjeton një rritje të dukshme të rikthimit të emigrantëve.

Sipas të dhënave të Anketës Kombëtare të Migracionit 2024, e realizuar nga INSTAT në bashkëpunim me Bankën Botërore, 22% e emigrantëve shqiptarë janë rikthyer në vend.

Të dhënat tregojnë se vetëm gjatë 12 viteve të fundit, 109 mijë shqiptarë janë kthyer në Shqipëri. Nga këta, gati gjysma, ose 45%, janë rikthyer midis viteve 2020 dhe 2024, duke treguar se ritmi i kthimeve është përshpejtuar ndjeshëm në vitet e fundit.

Sa i përket moshës, shumica e personave të rikthyer janë mbi 35 vjeç, ndërsa 29% janë 25-34 vjeç. Vetëm 9% janë të rinj 15-24 vjeç, që tregon se rikthimi i emigrantëve përqendrohet kryesisht tek të rriturit që janë të gatshëm për të punuar.

Shumica e të rikthyerve vijnë nga Italia dhe Greqia, ndërsa emigrantët që jetojnë në vende më të largëta kthehen më rrallë.

Sa i përket punësimit, meshkujt e rikthyer punësohen në masën 67%, krahasuar me shkallën prej 59% për meshkujt jomigrantë.

Ndërsa femrat e rikthyera kanë një performancë të ngjashme me femrat jomigrante (34% krahasuar me 36%).

Shkalla e vetëpunësimit te të rikthyerit është rritur me kalimin e kohës. Nga 7% për ata që u kthyen midis viteve 2000-2004 në 29% për ata që u kthyen gjatë viteve 2015-2024, duke arritur kulmin, 34% për ata që u kthyen në periudhën 2010-2014.

Gratë që kthehen herët kanë një shkallë më të lartë të vetëpunësimit (41%) krahasuar me meshkujt (25%), shkruan ATSh.

Shumica e vetëpunësimeve janë punë individuale (91-93%), por të rikthyerit janë më të prirur të bëhen punëdhënës me punonjës të paguar, veçanërisht ata që kanë kaluar më shumë se gjashtë vjet jashtë vendit.

Përfundon numërimi i votave me postë nga Gjermania e Zvicra, LVV kryeson bindshëm

5 January 2026 at 19:36


Ka përfunduar procesi i vlerësimit dhe numërimit të 27,600 pakove me fletëvotime, të cilat kanë ardhur nga dy kutitë postare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në Berlin dhe Bernë.

Sipas rezultateve përfundimtare nga ky proces, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para, duke siguruar 72.20 për qind, përkatësisht 19,344 vota.

Rezultatet e partive të tjera janë si në vijim:

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) – 10.15% ose 2,720 vota

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – 9.56% ose 2,560 vota

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – 3.90% ose 1,045 vota


Procesi i numërimit të këtyre fletëvotimeve kishte nisur të shtunën, më 3 janar 2026, në ora 16:00, dhe ka përfunduar gjatë ditës së sotme, më 5 janar 2026.

Ndërsa sot KQZ ka tërhequr edhe rreth 20 mijë pako të supozuara me fletëvotime nga diaspora.

Në total, rreth 58 mijë shtetas të Kosovës ishin regjistruar për të votuar përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025./Telegrafi/

Tërhiqen edhe rreth 20 mijë fletëvotime nga diaspora

5 January 2026 at 18:42


Valmir Elezi, Zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ka konfirmuar se më 5 janar 2026 është përmbyllur procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime që i përkasin votimit me postë jashtë Kosovës, sipas planifikimeve të KQZ-së.

Sipas Elezit, fillimisht më 23 dhe 29 dhjetor 2025, nga dy kutitë postare të KQZ-së në Berlin dhe Bernë, janë tërhequr gjithsej 28,555 pako me fletëvotime.

Pas procesit të vlerësimit 27,600 pako janë aprovuar, ndërsa 955 janë refuzuar, kryesisht për shkak të mungesës së dëftesës së regjistrimit të votuesit.

Numërimi i këtyre fletëvotimeve ka nisur të shtunën, më 3 janar 2026, në orën 16:00, dhe pritet të përfundojë gjatë ditës së sotme, më 5 janar 2026.

Procesi i tërheqjes së pakove ka vazhduar edhe më 2 janar 2026, kur nga kutitë postare të KQZ-së në Pragë, Londër, Paris, Zagreb, Stokholm, Stamboll, New York, Kanbera dhe Kopenhagë, janë tërhequr edhe 8,180 pako të tjera me fletëvotime, të cilat gjatë ditës së hënë janë sjellë në Kosovë.

Elezi ka bërë të ditur se procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime është përmbyllur përfundimisht më 5 janar 2026, ndërsa nga 13 kuti postare në Tiranë, Berlin, Vjenë, Bernë, Bruksel, Hagë, Podgoricë, Oslo, Shkup, Otavë, Ljublanë, Romë dhe Prishtinë, janë tërhequr edhe 11,867 pako të tjera.

Në total, rreth 58 mijë shtetas të Kosovës ishin regjistruar për të votuar përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.

Sipas KQZ-së, pakot me fletëvotime të tërhequra më 2 dhe 5 janar 2026 do t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit dhe verifikimit, ndërsa ato që do të aprovohen do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

Me qëllim të lehtësimit të votimit jashtë Kosovës, për votuesit e regjistruar për votim me postë, KQZ ka bërë të ditur se kutitë postare kanë qenë funksionale në 23 shtete, përfshirë: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër./Telegrafi/

Alketa Gashi-Fazliu boton librin “Klithma”

5 January 2026 at 17:27


Autorja Alketa Gashi-Fazliu ka sjellë para lexuesit librin e saj më të ri, të titulluar “Klithma”, një vepër që përmbledh dëshmi të fuqishme dhe rrëfime tronditëse nga pasojat e luftës.

Libri shpalos klithmat e një realiteti që harrohet vetëm nga autorët dhe shkaktuesit e tij, por që mbetet i gdhendur thellë në shpirtin e një populli të mbushur me martirë dhe plagë të pashërueshme.

“Klithma” sjell rrëfimet e fëmijëve të dikurshëm, sot të rritur, të cilët u gjymtuan nga bombat dhe minat e një shteti shovinist. Përmes tregimeve të tyre, autorja ndriçon dhimbjen, traumën dhe forcën e mbijetesës së atyre që lufta ua ndryshoi jetën përgjithmonë.

telegrafi.com

Në faqet e librit, klithmat shndërrohen në fjalë të ndërgjegjes dhe shpresës.

Janë zëra të viktimave fëmijë, tashmë në moshë madhore, që kërkojnë një botë më të drejtë, më të bukur dhe me shpirt njerëzor.

“Klithma” është një homazh për guximin dhe qëndresën, por edhe një thirrje për mosharresë.

Autorja shpreh krenarinë e saj për këta heronj të heshtur, të cilët sot janë qytetarë të Republikës së Kosovës dhe bartës të kujtesës kolektive të një populli.

Sot dhe nesër reshje intensive në Shqipëri, rrezik përmbytjesh

5 January 2026 at 17:22


Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO) ka paralajmëruar reshje me intensitet të lartë gjatë ditës së sotme (e hënë) dhe nesër (e martë), kryesisht në veri dhe jug të Shqipërisë, duke rritur rrezikun për përmbytje dhe vërshime të shpejta të lumenjve.

Sipas njoftimit zyrtar, qarqet më të rrezikuara janë Shkodër, Kukës, Lezhë, Vlorë dhe Gjirokastër, ku priten reshje intensive deri lokalisht shumë intensive. Në këto zona mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë, si dhe rrëshqitje dherash. Në zonat urbane pritet të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së sistemeve të kanalizimeve.

IGJEO njofton se, si pasojë e reshjeve të rëna gjatë ditëve të kaluara dhe atyre që pritet të vazhdojnë deri të enjten, më 8 janar, do të ketë rritje të rrezikshme të prurjeve dhe niveleve të ujit në lumenjtë Drin-Buna, Mat, Shkumbin dhe Vjosë, si dhe në Liqenin e Shkodrës. Veçanërisht Drini, Buna dhe Liqeni i Shkodrës paraqesin rrezik të shtuar për përmbytje gjatë ditës së sotme dhe nesër.

Parashikimi i motit

Reshjet:

Reshje intensive deri lokalisht shumë intensive në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër

Reshje mesatare deri lokalisht intensive në Lezhë, Berat dhe Korçë

Reshje të dobëta deri mesatare në qarqet e tjera

Reshjet do të shoqërohen me shtrëngata

Temperaturat (e martë, 6 janar):

Bregdeti: 13 – 17°C

Vendet e ulëta: 12 – 17°C

Vendet malore: 5 – 11°C

Era:

Era pritet të fryjë mesatare deri e fortë, veçanërisht në bregdet dhe në veri.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, sidomos në zonat pranë lumenjve dhe në zonat me rrezik për rrëshqitje dherash./Telegrafi/

Shqiptarët “lider” të rajonit për mbështetjen e integrimit në BE

5 January 2026 at 17:02


Barometri i Ballkanit për vitin 2025 tregon rezultate pozitive për Shqipërinë, lidhur me dëshirën dhe ambicien për anëtarësimin tonë në Bashkimin Evropian.

Kështu, sipas Barometrit, 64% e Ballkanit Perëndimor ndihet “e sigurt” se bashkëpunimi rajonal mund të përmirësojë situatën ekonomike të vendeve.

Në këtë aspekt, Shqipëria mban rekordin me 77% për nga besueshmëria e qytetarëve se bashkëpunimi rajonal është një mjet i madh ndihmës. Në vend të dytë vjen Maqedonia e Veriut (71%), më pas Kosova (67%), Mali i Zi (67%), Serbia (61%) e në fund Bosnje Hercegovinë (52%).

Mbështetja e qytetarëve për integrimin e vendit në unionin evropian është shumë i rëndësishëm, ku dhe këtu Shqipëria kryeson me 86% përkrahje.

Në vend të dytë vjen Kosova me 78% të qytetarëve që suportojnë integrimin në BE, e më pas Maqedonia e Veriut (62%), Bosnja Hercegovinë (59%), Mali i Zi (59%), e në fund Serbia (42%).

Sa i përket mbështetjes civile për anëtarësimin në BE, sipas Barometrit janë rreth 64% e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor që e suportojnë këtë hap, pra rreth 10% më shumë krahasuar me vitin 2024.

Kryeministri Edi Rama ka pasur si slogan në zgjedhjet e 11 majit “Shqipëria 2030 në BE”, zgjedhje këto të cila i fitoi bindshëm. Edhe një herë tjetër, popullsia shqiptare krahasuar me ato të rajonit, kanë më shumë besueshmëri se vendi ynë mund të jetë pjesë e BE-së në 2030-ën.

Sipas Barometrit, 43% e shqiptarëve presin anëtarësimin në 2030, ndërsa Kosova dhe Mali i Zi renditen me 39% secila. Bosnja Hercegovina ka besueshmërinë më të ulët për anëtarësimin e tyre në BE, me rreth 9%. Pritshmëri të ulëta vijnë dhe nga Serbia e Maqedonia e Veriut, nga të cilat 15% e secilës popullsi duket optimiste për bashkimin e tyre me BE brenda kësaj dekade.

66% e bizneseve të Ballkanit Perëndimor parashikojnë përfitime nga udhëtimi vetëm me kartë identiteti brenda rajonit, pra rreth 6% më shumë krahasuar me vitin 2024.

Lidhur me këto përfitime, shqiptarët shprehen 69% me besim për udhëtimin përmes ID Card, ashtu sikurse dhe Bosnje Hercegovina (69%). Por, lista kryesohet nga Serbia, ku rreth 77% e qytetarëve të saj besojnë se mund të kenë përfitime nga lëvizja përmes kartës së identitetit. Kosova shpreh 58% besueshmëri.

39% e bizneseve të Ballkanit Perëndimor thonë se regjimi i lirë i roaming-ut brenda rajonit uli kostot e operacioneve të biznesit, ndërsa 35% thonë se përfituan nga ulja e tarifave të roaming-ut të të dhënave me BE-në.

Sa i përket shërbimit roaming, vetëm 31% e shqiptarëve janë shprehur për benefite nga ulja e tarifave me BE. Duket se përfitimi më i madh ka ardhur nga Bosnja Hercegovina, ku 63% e qytetarëve kanë shprehur kenaqësi, ndërsa më e ulëta shënohet për Kosovëm (12%).

Në tërësi, Barometri i Ballkanit 2025 e pozicionon Shqipërinë si vendin më optimist dhe më të konsoliduar në rajon në rrugën drejt Bashkimit Evropian, me mbështetje të gjerë qytetare dhe pritshmëri konkrete për anëtarësim brenda kësaj dekade. Kosova paraqitet me një nivel të qëndrueshëm mbështetjeje për integrimin evropian, por me pritshmëri më të ulëta për afatin e anëtarësimit krahasuar me Shqipërinë./Tv Klan

Arrestohet një person i dyshuar për gjuajtje me armë zjarri në Prishtinë

5 January 2026 at 16:38


Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për gjuajtje me armë zjarri në Kryeqytet.

Rasti ka ndodhur më 05.01.2026, ndërsa arrestimi është realizuar pas një pune intensive hetimore dhe operacionale nga Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit.

Sipas njoftimit zyrtar, Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit ka arritur të identifikojë dhe arrestojë të dyshuarin A.K., 29 vjeç.

Gjatë operacionit policor është sekuestruar edhe arma e zjarrit, e cila dyshohet se është përdorur në këtë rast.

Në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar./Telegrafi/


Policia e Kosovës kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e Riza Thaqit nga Prizreni

5 January 2026 at 16:32


Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim Riza (Rrustem) Thaqin, i lindur më 15.10.1983 në Rogovë të Hasit, Komuna e Gjakovës, me vendbanim në Prizren, i cili është raportuar i zhdukur që nga data 23 dhjetor 2025.

Sipas njoftimit zyrtar, rasti është raportuar nga familjarët më 25 dhjetor 2025. Menjëherë pas raportimit, Sektori Rajonal i Hetimeve i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren ka iniciuar rastin dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, por deri më tani personi i zhdukur nuk është gjetur.

Me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prizren, në përputhje me nenin 76, paragrafi 2 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, Policia ka publikuar fotografitë e Riza Thaqit në media televizive dhe rrjete sociale, me qëllim të ndriçimit të rastit dhe lokalizimit të tij.

Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë qytetarëve që, nëse kanë çfarëdo informate apo dinë diçka për vendndodhjen e personit në fjalë, të raportojnë menjëherë në numrin emergjent 192, në faqen zyrtare të Policisë së Kosovës në Facebook, ose në cilindo stacion policor në Kosovë.


❌
❌