Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 15 January 2026Main stream

08:00 Von der Leyen përballet sërish me mocion mosbesimi, si do të ‘mbijetojë’ kësaj here?

By: Klara
15 January 2026 at 08:00

Presidentja e Parlamentit, Roberta Metsola, informoi krerët e grupeve parlamentare se Komisioni Evropian, i drejtuar nga Ursula von der Leyen, do të përballet me një tjetër mocion mosbesimi. Debati dhe votimi do të zhvillohen në seancën parlamentare javën e ardhshme nëStrasburg. Ky është mocioni i katërt i mosbesimit kundër von der Leyen dhe ekipit të saj breda një gjysmë viti.

Mocioni i katërt i mosbesimit

Mocioni u paraqit nga grupi i djathtë “Patriotët për Evropën”, i cili kritikon von der Leyen dhe ekipin e saj kryesisht për marrëveshjen tregtare Mercosur me vendet e Amerikës së Jugut, Brazilin, Argjentinën, Uruguain dhe Paraguain. Grupi “Patriotët për Evropën” përfshin, ndër të tjerë, anëtarë të partisë Franceze të Marine Le Pen, Rassemblement National, si dhe anëtarë të partisë së kryeministrit hungarezViktor Orbán.

Që një mocion mosbesimi të debatohet dhe të hidhet në votim në Parlamentin e BE-së, ai duhet të mbështetet nga të paktën një e dhjeta e 719 anëtarëve aktualë të parlamentit.

Të djathtët kritikojnë shpërfilljen e parlamenteve të vendeve anëtare

Grupi parlamentar “Patriotët për Evropën” kritikoi në deklaratën lidhur me mocionin e mosbesimit “shpërfilljen flagrante të Parlamentit Evropian, të parlamenteve kombëtare dhe të miliona fermerëve evropianë” në rastin e nënshkrimit të marrëveshjes Mercosur. Marrëveshja përfaqëson një sulm të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë dhe sovranitetit ushqimor evropian dhe hap tregjet për produkte që nuk përmbushin standardet evropiane, thuhet në deklaratë.

Por mocioni i mosbesimit nuk do të arrijë ta pengojë nënshkrimin e marrëveshjes. Nënshkrimi i saj është planifikuar të zhvillohet këtë të shtunë në Paraguai, ku do të shkojnë edhe Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit të BE-së António Costa.

Mocionet e mëparshme të mosbesimit pa sukses

Mocioni i mëparshëm i mosbesimiti grupit parlamentar “Patriotët për Evropën” kundër von der Leyen dhe komisionit të drejtuar prej saj dështoi në votimin e tetorit 2025 me 378 eurodeputetë që votuan kundër tij kundrejt 179 që votuan pro. Për miratimin e mocionit të mosbesimit është e nevojshme një shumicë prej dy të tretash e votave. Megjithatë, për herë të parë, në atë votim kundër von der Leyen dhe komisionit të saj votuan edhe eurodeputetë nga grupi PPE i partive demo-kristiane, së cilës i përket edhe von der Leyen si politikane e CDU-së.

Po në tetor 2025 Komisioni i mbijetoi gjithashtu një mocion mosbesimi nga grupi i partive të majta, që kishte si zanafillë ndër të tjera marrëveshjen doganore të BE-së me SHBA-në dhe qëndrimin ndaj katastrofës humanitare në Rripin e Gazës. Edhe një mocion i mëparshëm mosbesimi në korrik 2025 dështoi gjithashtu.

Mocionet e mosbesimit mund të kërkohen vetëm kundër të gjithë Komisionit. Nëse mocioni ka sukses atëhere i gjithë Komisioni duhet të japë dorëheqjen./K.M

07:50 Zelensky shpall gjendje të jashtëzakonshme në sektorin e energjisë në Ukrainë

By: Klara
15 January 2026 at 07:50

Ukraina ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në sektorin e energjisë së vendit, me një fokus të veçantë në Kiev, pasi sulmet e vazhdueshme ruse vazhdojnë të lënë mijëra banorë pa energji elektrike.

Presidenti Volodymyr Zelensky akuzoi Moskën për shfrytëzim të qëllimshëm të kushteve të ashpra të dimrit si pjesë e strategjisë së saj të luftës, me temperaturat gjatë natës në Kiev që ranë së fundmi në rreth -20 gradë Celsius.

Deklarata vjen ndërsa homologu amerikan i Zelensky-t, Donald Trump, tha se po pengonte përpjekjet për të siguruar një marrëveshje paqeje që do t’i jepte fund gati katër viteve luftë me Rusinë.

Ai i tha agjencisë së lajmeve Reuters të mërkurën se Ukraina “është më pak e gatshme për të bërë një marrëveshje” sesa presidenti rus Vladimir Putin.

Kur u pyet pse bisedimet e paqes nuk e kanë zgjidhur ende konfliktin, Trump u përgjigj: “Zelensky”.

Të dy udhëheqësit pritet të marrin pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Zvicër javën e ardhshme, megjithëse Trump sugjeroi se nuk janë rregulluar plane zyrtare për t’u takuar.

Në javët e fundit, sulmet ruse ndaj Kievit kanë lënë mijëra shtëpi pa energji elektrike, ngrohje apo ujë të rrjedhshëm. Pas një nate veçanërisht të rëndë sulmesh me raketa dhe dronë javën e kaluar, 70% e kryeqytetit mbeti pa energji elektrike për disa orë.

Pas një takimi të posaçëm të kabinetit të mërkurën, Zelensky tha se do të ngrihet një grup pune 24 orë në ditë për të riparuar dëmet e shkaktuara nga sulmet ruse dhe përkeqësimi i kushteve të motit.

Ai tha se masat e reja do të përfshijnë sigurimin e pajisjeve dhe burimeve jetësore të energjisë nga jashtë për të zëvendësuar instalimet e dëmtuara.

“Zëvendëskryeministri i Parë – Ministri i Energjisë i Ukrainës është caktuar të mbikëqyrë punën në mbështetje të njerëzve dhe komuniteteve në këto kushte”, shkroi ai në X.

Ai urdhëroi gjithashtu një rritje të numrit të pikave të ndihmës emergjente rreth Kievit për të siguruar ngrohje dhe energji për banorët, një veprim që mund të çojë në lehtësimin e orës policore të mesnatës në kryeqytet.

Sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike nuk janë kufizuar vetëm në kryeqytet.

Javën e kaluar, zyrtarët ukrainas thanë se më shumë se një milion njerëz në Ukrainën juglindore kaluan orë të tëra pa ngrohje dhe furnizim me ujë si rezultat i sulmeve ajrore ruse.//K.M

07:40 Prodhuesi i kukullave Labubu akuzohet se ka shfrytëzuar punëtorët

By: Klara
15 January 2026 at 07:40

Last Updated on 15/01/2026 by Klara

Një organizatë për të drejtat e punëtorëve pretendon se ka gjetur prova të shfrytëzimit të punëtorëve në një fabrikë kineze që prodhon kukullat Labubu, të cilat u bënë virale dhe shënuan një numër rekord shitjesh.

China Labor Watch (CLW), një organizatë joqeveritare me seli në SHBA, pretendon se hetimi i saj zbuloi se një nga furnizuesit e Pop Mart i detyronte punonjësit të punonin në turne të tepërta jashtë orarit, të nënshkruante kontrata bosh ose të paplota dhe nuk u jepte atyre leje të paguar.

Kukullat Labubu janë bërë shumë të njohura në të gjithë botën vitet e fundit dhe njihen më së miri për shitjen e lodrave në kuti misterioze, ku ngjyra e kukullws nuk dihet derisa tw hapet kutia.

Shitësi me pakicë i lodrave me seli në Pekin tha se i vlerësonte detajet nga shqyrtimi dhe se do t’u kërkojë kompanive që prodhojnë lodrat e saj të korrigjojnë praktikat e tyre nëse akuzat rezultojnë të vërteta.

Pop Mart shtoi se kryen auditime të rregullta të furnizuesve të saj, duke përfshirë rishikime vjetore të pavarura nga palë të treta të kryera nga inspektorë të njohur ndërkombëtarisht.

Organizata sinjalizoi probleme të punës në fabrikën e Shunjia Toys Co Ltd në Qarkun Xinfeng, duke përfshirë ato që i quajti orë shtesë të paligjshme, praktika të paqarta kontraktuale dhe mungesë trajnimi dhe mbrojtjeje për sigurinë.

Në fabrikë nuk u identifikua asnjë punë fëmijësh, por ajo kishte punësuar punëtorë 16-vjeçarë të cilët i nënshtroheshin të njëjtave kushte pune si të rriturit, pa kujdesin e veçantë që kërkohet sipas ligjit kinez, tha CLW.

Organizata i kërkoi Pop Mart të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të adresuar problemet në zinxhirin e furnizimit. Organizata jofitimprurëse tha se firma duhet të kompensojë punëtorët e prekur dhe të sigurojë që linja e saj e prodhimit të jetë në përputhje me ligjet kineze të punës dhe standardet e punës të njohura ndërkombëtarisht.

Labubut – krijesat imagjinare të ngjashme me elfët me një rresht dhëmbësh të mëdha janë bërë jashtëzakonisht të njohura. Kjo çmenduri ka shkaktuar radhë të gjata në dyqane në të gjithë botën.

Mbështetjet e personazheve të famshëm si Kim Kardashian dhe Lisa nga grupi K-pop Blackpink e kanë ndihmuar Pop Mart të bëhet një shitës i madh me pakicë i lodrave. /K.M

07:30 Kursi i këmbimit valutor,15 janar 2026

By: Klara
15 January 2026 at 07:30

Last Updated on 15/01/2026 by Klara

Këtë të enjte, një dollar amerikan do të blihet me 82.4 lekë dhe shitet me 83.4 lekë.

Euro blihet me 96.2 lekë dhe do të shitet me 96.9 lekë.

Franga zvicerane blihet me 102.8 lekë dhe shitet me 103.8 lekë.

Paundi britanik blihet me 110.6 lekë dhe shitet me 111.6 lekë.

Dollari kanadez këmbehet me 59.2 lekë në blerje dhe me 60.4 lekë në shitje.

Kursi i këmbimit, e enjte, 15 janar 2026/ Euro dhe dollari në

07:20 Minneapolis sërish në qendër të kritikave/ Oficeri i emigracionit qëllon me armë zjarri një venezuelas

By: Klara
15 January 2026 at 07:20

Last Updated on 15/01/2026 by Klara

Një incident i ri, ku një agjent i Shërbimit Amerikan të Emigracionit dhe Doganave (ICE), mbrëmjen e djeshme në Minneapolis, qëlloi me armë zjarri në këmbë një burrë venezuelian gjatë një arrestimi.

Kjo ngjarje vjen vetëm disa ditë pas vdekjes së 37-vjeçares Renee Nicole Good, nënë e tre fëmijëve, e cila u qëllua dhe u vra nga një agjent i ICE në të njëjtin qytet, duke shkaktuar një valë reagimesh të forta.

Sipas një deklarate nga Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare, incidenti i ri ndodhi pas një kontrolli të synuar të automjetit, si pjesë e një operacioni për të arrestuar një emigrant të paligjshëm nga Venezuela. Siç raportohet, ai u përpoq të ikte me makinën e tij, u përplas me një automjet të parkuar dhe më pas iku në këmbë.

Sipas autoriteteve, dy persona dolën nga një shtëpi aty pranë vendit të ngjarjes dhe sulmuan agjentin federal duke përdorur një lopatë bore dhe një fshesë. E njëjta deklaratë thoshte se ndërsa agjenti po sulmohej nga tre persona, i dyshuari venezuelas arriti të arratisej përkohësisht dhe filloi ta rrihte edhe atë.

“Duke pasur frikë për jetën dhe sigurinë e tij, agjenti hapi zjarr në vetëmbrojtje“, deklaruar autoritetet, duke shtuar se burri u plagos në këmbë.

Si agjenti ashtu edhe i plagosuri u dërguan në spital, ndërsa dy personat e tjerë që dyshohet se morën pjesë në sulm u morën në paraburgim. Kjo ngjarje ndodhi 7 kilometra në veri të vendit ku, të mërkurën, më 7 janar, Renee Nicole Good u qëllua dhe u vra në makinën e saj nga një agjent i ICE-së.

Administrata Trump argumentoi në atë kohë se agjenti veproi në vetëmbrojtje, duke pretenduar se gruaja e përdori automjetin e saj si armë. Ky version u kundërshtua nga zyrtarët shtetërorë dhe lokalë, të cilët thanë se videoja e një kalimtari tregonte makinën e gruas duke u larguar nga agjentët në kohën e të shtënave.

Pas kësaj ngjarje, disa protestues u mblodhën pranë vendit të ngjarjes, duke shprehur zemërimin e tyre ndaj operacioneve të ICE-së në Minneapolis. Prania e agjentëve federalë dhe oficerëve të policisë solli tensione të reja, me forcat e sigurisë që përdorën gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Minneapolis ka qenë në qendër të politikës së rreptë të imigracionit të administratës Trump, me qindra agjentë federalë shtesë të vendosur në zonë ditët e fundit, duke përkeqësuar më tej klimën tashmë të tensionuar./K.M

07:10 Interi cinik, zikaltërit shkëputen në krye të Serisë A

By: Klara
15 January 2026 at 07:10

Inter fitoi 1-0 ndaj Leçes në “San Siro”, duke u shkëputur në krye të Serie A.

Ndeshja u dominua nga zikaltërit, të cilët krijuan disa raste në pjesën e parë, por pa arritur të shënojnë.

Bonny dhe Zielinski u afruan pranë golit, ndërsa një penallti e dhënë fillimisht për Interin u anulua pas rishikimit në VAR.

Edhe në pjesën e dytë, Inter vazhdoi presionin, por u ndal disa herë nga ndërhyrjet e portierit Falcone.

Goli i vetëm i takimit erdhi 12 minuta nga fundi, kur Esposito shfrytëzoi rikthimin e topit pas goditjes së Lautaro Martinez.

Inter regjistroi fitoren e 12-të në 14 ndeshje kampionati. Me këtë sukses, zikaltërit kryesojnë me gjashtë pikë diferencë nga Milani i vendit të dytë.

Lecce mbetet pranë zonës së rënies pas humbjes së tretë radhazi./K.M

Yesterday — 14 January 2026Main stream

13:00 Çfarë të hash pas stërvitjes (dhe çfarë të shmangësh)

By: Klara
14 January 2026 at 13:00

Të mendosh “çfarë ha pas palestres” mund të duket gjë e vogël, por në fakt është një nga pjesët më të rëndësishme të rikuperimit. Pavarësisht nëse sapo ke mbaruar një seancë force, pilates apo thjesht ecjen tënde të përditshme, trupi ka nevojë të rimbushë energjinë, lëngjet dhe lëndët ushqyese që humbi gjatë aktivitetit.

Pse është e rëndësishme të hash pas stërvitjes
Gjatë stërvitjes shterohen rezervat e glikogjenit (energjia e ruajtur që përdoret nga trupi), krijohen mikroçarje në indin muskulor dhe humben elektrolite përmes djersës. Një vakt apo snack i zgjedhur mirë pas aktivitetit:

rikthen energjinë,
ndihmon në riparimin e muskujve dhe rrit sintezën e proteinave,
hidraton trupin,
ul rrezikun e dëmtimeve dhe mbështet rikuperimin e qelizave të “stresuara” nga një seancë intensive.
A ndryshon ushqimi sipas llojit të stërvitjes
Po. Nevojat pas ushtrimeve varen nga ajo që i ke kërkuar trupit:

Forcë/pesha & rezistencë: fokus te proteina për rindërtim muskujsh + karbohidrate për rimbushje energjie.
Qëndrueshmëri (vrap, biçikletë): zakonisht duhen më shumë karbohidrate (shpesh rreth 60 g ose më shumë, sipas intensitetit) + proteinë.
Circuit/HIIT ose miks: balancë e mirë mes karbos dhe proteinës.
Kur duhet të hash pas stërvitjes
Koha varet nga gjatësia, intensiteti, lloji i stërvitjes dhe objektivi yt.

Nëse ke bërë një aktivitet të lehtë rreth 1 orë (p.sh. ecje, yoga e qetë), zakonisht mund të presësh deri te vakti i radhës.
Nëse stërvitja ka qenë më e gjatë se 1 orë ose e fortë/intensive, rekomandohet të hash brenda 45–60 minutave pas përfundimit, sidomos nëse synon të shtosh masë muskulore.
3 “R”-të e rikuperimit: çfarë duhet të përmbajë vakti pas stërvitjes
Mendoje si një formulë e thjeshtë:

Rimbush energjinë (Refuel) – Karbohidrate
Zgjidh karbo komplekse (sa më pak të përpunuara) sepse japin energji që zgjat dhe ndihmojnë të shmangësh luhatjet e sheqerit në gjak.
Shembuj: drithëra të plota, oriz kaf, bishtajore, quinoa, patate të ëmbla, perime, fruta (sidomos banane).
Riparo muskujt (Repair) – Proteina
Pas stërvitjes, proteinat ndihmojnë riparimin dhe rritjen e muskujve. Shpesh sugjerohet një target 20–40 g proteinë pas aktivitetit (në varësi të trupit dhe seancës).
Burime të mira: vezë, kos grek, fasule, tofu/tempeh, peshk, mish pule/gjeli deti.
Një detaj interesant: ushqimet e pasura me leucinë (p.sh. pulë, peshk, djathë) lidhen me aktivizimin e sintezës së proteinave muskulore dhe mund të ndihmojnë në rikuperim.

Rihidrato (Rehydrate) – Ujë + elektrolite
Uji është baza. Nëse ke djersitur shumë ose ke bërë stërvitje të gjatë, kanë rëndësi edhe elektrolitet.
“Trifekta” ideale: kombinime të thjeshta pas stërvitjes
Ja disa kombinime praktike që funksionojnë:

kos + fruta
sanduiç me gjalpë kikiriku
gjel deti në bukë integrale + perime
humus + pita integrale + perime
pulë + oriz kaf
Po yndyrnat
Mund të përfshihen, por me masë. Prefero yndyrna të shëndetshme:
ullinj/ vaj ulliri, avokado, salmon/sardelet, bajame, fara.

Ushqime që ndihmojnë rikuperimin (bonus)
Për të ulur dhimbjen muskulore dhe inflamacionin, shpesh sugjerohen:

qershi të tharta (tart cherries),
shafran i Indisë,
zarzavate jeshile të errëta,
fruta pylli me ngjyrë të thellë.
Edhe omega-3 (salmon, arra, fara liri/chia) lidhen me reduktimin e dëmtimit muskulor. Përmenden edhe magnezi dhe vitamina E si mbështetje për muskujt dhe stresin oksidativ.

Ide snack pas stërvitjes
banane + gjalpë bajame + pak kripë dhe kanellë
mollë + vezë e zier + bajame
arra/kaju + fruta të thata
spec i kuq + selino + humus
djathë “string” + karrota + kastravec
smoothie me boronica të ngrira, banane, fara liri, proteinë pluhur dhe qumësht bajame
Ide vakti pas stërvitjes
sallatë Nicoise me ton, vezë, bishtaja, ullinj, vinaigrette me vaj ulliri
pulë e pjekur + avokado + kale i zier + pak parmixhan + fara kungulli
salmon + patate e ëmbël + brokoli + fasule të bardha
omëletë me spinaq, avokado, kërpudha + bukë integrale
kos grek + fistikë + manaferra + tërshërë + fara liri
tofu “scramble” me kërpudha, qepë të njoma, kungulleshkë, shafran Indie, miso, tahini
Çfarë të pish pas stërvitjes
Ujë (zgjedhja kryesore).
Për rikuperim më të shpejtë, një pije/smoothie mund të jetë praktike kur s’ke mundësi të hash menjëherë.
Pas stërvitjeve shumë të gjata e të forta, mund të duhen edhe elektrolite, por ki kujdes pijet me shumë sheqer. Një alternativë e thjeshtë: ujë kokosi + një majë kripe.
Sa ujë
Shpesh rekomandohen rreth 2–3 gota ujë pas stërvitjes, duke e përshtatur sipas djersitjes dhe temperaturës.

Çfarë të shmangësh pas stërvitjes
ëmbëlsira me shumë sheqer (biskota, karamele, pasta, kekë)
ushqime shumë të yndyrshme / të skuqura (mund të rëndojnë stomakun dhe nuk ndihmojnë rikuperimin)
karbo shumë të thjeshta në sasi të mëdha (sheqer, shurup, mjaltë) pa proteinë përkrah
“proteina” me cilësi të ulët (bare/pije me listë të gjatë përbërësish, shumë aditivë)
alkool (ndikon negativisht në sintezën e proteinave dhe cilësinë e gjumit)
Si ta përshtatësh me objektivin tënd
Për rritje muskulore: syno rreth 20–30 g proteinë + 30–60 g karbo (p.sh. kos grek me fruta e granola, shake me banane e tërshërë, pulë + patate e ëmbël).
Për rënie në peshë pa humbur muskuj: prioritet proteinës (20–30 g), karbo 15–30 g + pak yndyrna të shëndetshme (p.sh. omëletë me spinaq + avokado toast; sallatë me ton + quinoa + jeshillëqe).
Për më shumë energji: kombinim i balancuar karbo+proteinë me ushqime të plota (p.sh. bowl me oriz, tofu, perime të pjekura; smoothie me spinaq, banane, ujë kokosi).
Në fund, rikuperimi nuk është “opsional”: është gjysma tjetër e stërvitjes. Siç ke disiplinë në palestër, ashtu bëj edhe me ushqimin pas saj./KM

12:50 Ishte duke punuar tokën, por u ndje keq, ndërron jetë 45-vjeçari në Levan

By: Klara
14 January 2026 at 12:50

Një 45-vjeçar ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm teksa ishte duke punuar tokën në zonën e Levanit, në Fier. Sipas informacioneve paraprake, ai është gjetur në gjendje të rëndë shëndetësore nga banorë të zonës, të cilët kanë njoftuar menjëherë shërbimet e urgjencës.

Ambulanca ka mbërritur në vendngjarje, por pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor, 45-vjeçari nuk ka mundur të mbahet në jetë. Nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune, ndërsa dyshohet se vdekja ka ardhur si pasojë e një arresti kardiak.

Autoritetet po vijojnë verifikimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes./K.M

12:40 “E akuzonte se ka dashur t’i vrasë të vëllanë”/ Qyno flet për përplasjet me Nuredin Dumanit dhe Altin Ndocit

By: Klara
14 January 2026 at 12:40

Gazetari Elton Qyno ka folur paraditen e sotme lidhur me arratisjen e Altin Ndocit nga paraburgimi i Durrësit, që ndodhi një ditë më parë.

Qyno dha detaje edhe lidhur me armiqësinë mes Ndocit dhe Nuredin Dumanit. Ky i fundit, sipas gazetarit, akuzonte Ndocin se ka dashur t’i vrasë të vëllanë, Dashnor Dumanin.

“Mes Altin Ndocit dhe Nuredin Dumanit ka pasur një përplasje të hershme. Kjo për shkak se Nuredini e ka akuzuar Altinin se ka dashur t’i vrasë vëllain, Dashnor Dumanin. Në kushtet kur kjo tentativë për të vrarë Dashnorin në zonën e Durrësit, që mbeti tentativë, ai është mobilizuar për të vrarë Altin Ndocin, piëkrisht ditën që ka qenë varrimi i dy vëllezërve, Besmir dhe Viktor Haxhisë në qytetin e Durrësit. Altini ka qenë shok i tyre. Qëllimi ka qenë, që kur Ndoci të kthehej nga varrimi të ekzekutohej . Për shkak se nuk e vranë, Nuredini fillpo intrigën me Klevis Allën duke i faturuar vrasjen e dy vëllezërve”, u shpreh Qyno./K.M

12:00 Rina Balaj flet për djalin misterioz që i ka rrëmbyer zemrën

By: Klara
14 January 2026 at 12:00

Rina Balaj duket se po jeton një kapitull të ri në jetën personale, por këtë herë ka zgjedhur ta mbajë larg syrit të publikut. Edhe pse kureshtja e fansave është e madhe për të zbuluar kush është djali që i ka fituar zemrën, artistja nuk ka dhënë asnjë emër dhe nuk ka publikuar asnjë detaj identifikues.

Megjithatë, përmes batutave dhe rrëfimeve në emisionin “Vibin’”, Rina ka lënë të kuptohen mjaft gjëra për profilin e partnerit të saj një djalë që, siç duket, nuk ka asgjë të përbashkët me botën e showbiz-it.

Ajo e theksoi qartë: dëshiron që ai të mos jetë person publik. Madje, Rina tregoi se partneri i saj nuk ka fare Instagram dhe e konsideroi këtë si një “green flag”, pra një shenjë pozitive që e bën edhe më tërheqës në sytë e saj.

Edhe pse emrin nuk e thotë, artistja zbuloi se e thërret me një pseudonim të veçantë: “Bërdi”.

Si e përshkruan Rina djalin ideal?

Nga çfarë la të kuptohet gjatë intervistës, portreti i “Bërdi-t” sipas Rinës ndërtohet mbi disa pika që i pëlqejnë fort:

Misterioz dhe selektiv
Rina pranon se e tërheqin djemtë misteriozë, ata që nuk janë të hapur me këdo dhe që nuk e kërkojnë vëmendjen e çdo vajze. Për të, ai duhet të ketë diçka “intriguese”, që të bën të mendosh më shumë.
Fiziku: jo muskuj, jo “mirror selfies”
Artistja tha me shaka se ai nuk është tipi i palestrës që bën “mirror selfies”. Madje, ajo e pranoi me humor edhe detajin që u bë titull: ai “ka pak bark” gjë që për Rinën s’është aspak problem, përkundrazi, e bën më “real”.
Punëtor, ambicioz dhe familjar
Rina theksoi se vlerëson meshkujt punëtorë e ambiciozë, por edhe ata që kanë një raport të fortë me prindërit dhe familjen.
Komunikimi dhe vëmendja
Për të, marrëdhënia ideale nis që me mesazhet e mëngjesit. Ajo la të kuptohet se vëmendja e vazhdueshme është thelbësore: nëse partneri nuk është prezent dhe nuk i kushton rëndësi, “nuk është i duhuri”./KM

11:50 Punonjësit e Portit të Vlorës prej dy muajsh pa paga, ja shkaku

By: Klara
14 January 2026 at 11:50

Punonjësit e portit detar të Vlorës janë pa paga prej thuajse dy muajsh. Ata nuk kanë përfituar ende pagën e muajit Dhjetor. Shkak është bërë skadimi i kontratës së drejtuesit të portit aktual të Vlorës.

Bëhet me dije se drejtuesi i Portit të Vlorës e ka pasur kontratën deri në muajin nëntor, kohë kur punonjësit e Portit Detar kanë përfituar edhe pagën e fundit.

Sipas burimeve nga Porti Detar i Vlorës, për muajin dhjetor punonjësit nuk janë paguar. Në datën 27 dhjetor duhet të hidhej edhe paga e fundit e vitit, por ndonëse kanë kaluar rreth 18 ditë nga afati i fundit i hedhjes së pagesës, këta punonjës vijojnë të jenë pa paga.

Porti Detar i Vlorës është nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Ndërkohë, dyshohet se problematikat e fundit në këtë ministri kanë sjellë edhe ngërçin në Portin e Vlorës.

Për të kaluar pagat, drejtuesit të Portit të Vlorës duhet t’i rinovohet kontrata, pasi aktualisht ai nuk ka kompetencën e firmës për të akorduar pagat.

Nuk ka ende asnjë informacion se si do të zgjidhet kjo situatë, nëse drejtuesit të Portit Detar do t’i rinovohet kontrata apo do të emërohet një drejtues i ri, i cili do të ketë të gjitha kompetencat për drejtimin e institucionit.

Janë dhjetëra familje të punonjësve të Portit Detar të Vlorës, të cilat mbahen nga këto paga. Kjo situatë ka ndikuar drejtpërdrejt në gjendjen ekonomike të familjeve të punonjësve të një prej institucioneve kryesore të qytetit. /K.M

11:40 “Qepë dhe mjaltë për bajamet”, nutricionisti tregon sekretin për të luftuar gripin

By: Klara
14 January 2026 at 11:40

Qepa dhe mjalti përbëjnë një nga kombinimet më të fuqishme natyrale për forcimin e sistemit imunitar dhe luftimin e infeksioneve respiratore, veçanërisht gjatë sezonit të gripit dhe virozave. Nutricionisti, Luçiano Bardhi theksoi se qepa është një “fabrikë biologjike” e pasur me përbërës esencialë për shëndetin. Sipas tij në ajo është mbretëreshë e kuzhinës së Shqipërisë, sepse futet në shumë produkte ushqimore.

“Qepa me mjaltë për mendimin tim përbën një kombinim shumë esencial për infeksionet respiratore dhe bajameve. Ndihmon dhe në forcimin e sistemit imunitar, të integritetit të zorrës së trashë, të barrierës intestinale, të mëlçisë, të stresit oksidativ. Përmban apigenin, luteolin, tricetin, taksifolinë dhe duke qenë se ajo zihet shumë pak, dy-tre minuta, e merr, e kullon dhe e bashkon me mjaltin, që mos fusim dhe shumë komponentë të tjerë, sepse e bëjmë si supë. Dhe më mirë dy kombinime, qepë, mjaltë”, tha Bardhi.

Sipas tij, qepa mund të konsumohet e freskët në sallata, në supa me gatim të lehtë ose në kombinim me mjaltë, ndërsa sasia e rekomanduar është gjysmë deri në një kokërr në ditë.

“Mund ta konsumoj me pak vaj ulliri, me pak djathë, ose në supë apo në gatime të ndryshme me proteinë. Po edhe është shumë e kombinueshme. Pastaj në supë edhe nëse gatuhet me temperatura shumë të larta i humb vlerat. Nëse gatuhet 100-150 gradë mjafton me një supë, shoqërohet ose me paçen e viçit, me paçe të ndryshme. Është preferenca ime kombinimi i qepës me paçen. Në gjellë nuk është njësoj si në sallatë. Unë preferoj që ta konsumoj ashtu siç është e gjallë. Nëse flasim për sasinë ideale për shembull, do të duhej të ishte gjysmë kokrre. Gjysmë kokrre deri në një kokërr, por personalisht unë e konsumoj gati gjysmë ose një”, tha nutricionisti.

Megjithatë, ai paralajmëron se personat që vuajnë nga gastriti, refluksi apo ulçera duhet ta shmangin ose ta konsumojnë me kujdes, pasi mund të shkaktojë shqetësime.

“Ata persona që nuk mund ta tolerojnë janë ata që kanë gastrit dhe që kanë ulçer. Këta persona nuk mund ta përdorin pa trajtuar njëherë ulçerën. Kjo kategori mund të ketë probleme me pjesën e përthithjes ose copëtimit të komponentëve organik që ka qepa”, theksoi Bardhi.

11:30 Steve Witkoff, takim sekret në Shtëpinë e Bardhë me trashëgimtarin e fronit mbretëror të Iranit

By: Klara
14 January 2026 at 11:30

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff zhvilloi këtë fundjavë një takim sekret me Reza Pahlavin, trashëgimtarin e dinastisë Pahlavi në mërgim, për të diskutuar mbi protestat, raporton Axios.

Ky ishte takimi i parë në nivel të lartë mes opozitës iraniane dhe administratës Trump që nga fillimi i protestave. Pahlavi po përpiqet të pozicionohet si një “lider tranzicioni” në rast se regjimi bie.

Ekipi i sigurisë kombëtare i Shtëpisë së Bardhë mbajti një mbledhje të hënën për të shqyrtuar opsionet e reagimit, megjithëse presidenti Trump nuk mori pjesë.

Situata e rëndë brenda vendit

Pamjet e shpërndara nga aktivistët tregojnë trupa me plagë të rënda nga plumbat dhe qytetarë që përpiqen të identifikojnë të afërmit e tyre mes trupave të pajetë. Forcat e sigurisë raportohet se bastisin spitalet private, duke kërcënuar stafin mjekësor që të dorëzojnë informacion mbi personat e plagosur. Sekretarja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, ka konfirmuar se numri i të vdekurve ka kaluar 2 mijë, por frika është se shifra përfundimtare mund të jetë shumë më e lartë.

Presidenti Donald Trump reagoi me ton të ashpër, duke kërkuar nga “patriotët iranianë” që të mos dorëzohen dhe të marrin nën kontroll institucionet, ndërsa ekipi i tij i sigurisë kombëtare shqyrton opsione që përfshijnë mjete ushtarake dhe operacione klandestine.

Aktivistët e të drejtave të njeriut e kanë krahasuar bllokimin e komunikimeve me një “burgim të vetmuar” për popullin iranian, që regjimi të mund të shtypë protestuesit pa u parë nga bota.

Protestat filluan në fund të dhjetorit për shkak të rritjes së kostos së jetesës dhe u shndërruan shpejt në një revoltë kombëtare që përfshiu të 31 provincat e Iranit, duke kërkuar fundin e pushtetit që vjen pas revolucionit të vitit 1979./K.M

11:20 Policia ‘bastisje’ në disa zona të Tiranës, kërkohet për Altin Ndocin! Familjarët: Nuk e dimë se ku ndodhet

By: Klara
14 January 2026 at 11:20

Kontrolle në kërkim të Altin Ndocit janë kryer në disa zona të ndryshme të Tiranë, në Astir, Don Bosko, Selitë, etj. Gjithashtu është kontrolluar edhe banesa e tij në Yzberisht, por familjarët kanë deklaruar se nuk kanë dijeni për vendndodhjen. Si rrugë lidhëse me Durrësin, kontrolle u kryen edhe në rrugën e Ndroqit.

Pasi ka dalë nga Spitali i Durrësit, Ndoci është larguar me një automjet tip “Audi A7”, duke kaluar fillimisht në zonën e Spitallës, më pas është shfaqur në Shënavlash, ka vijuar në autostradë dhe dyshohet se ka hyrë në Tiranë./K.M

11:10 E rëndë në Lezhë, dyshohet se konsumoi fotoksinë, gjendet i pajetë 34-vjeçari në banesë

By: Klara
14 January 2026 at 11:10

Një 34-vjeçar është gjetur i pajetë në banesën e tij në Lezhë. Sipas policisë dyshohet se i riu ka konsumuar fotoksinë. Si pasojë ka humbur jetën në spital në Tiranë.

Ndërkohë, po punohet për dokumentimin e rrethanave të ngjarjes. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme./K.M

11:00 Ishulli grek që turistët po e adhurojnë (lifestyle)

By: Klara
14 January 2026 at 11:00

Greqia nuk është vetëm e ishujve me famë të madhe si Santorini apo Mykonos, por edhe e diamantëve të fshehur, të cilët në heshtjen e tyre ofrojnë paqen dhe qetësinë që pikërisht pushimet simbolizojnë.

Parosi është ishulli i njohur për plazhet e bukura me rërën e shkrifët, lulet rozë që kacavirren nëpër kornizat blu të dyerve dhe qytezat karakteristike të bardha si Parikia, i cili prej disa sezonesh verore, po tërheq vëmendjen e gjithë botës.

Pushuesit e përzgjedhin Parosin jo vetëm për të eksploruar rrugicat e veçanta dhe brigjet e famshme, por edhe për jetën e gjallë të natës që përqëndrohet në Naoussa, apo tavernat tradicionale greke, duke ofruar një turizëm gjithëpërfshirës.

Piktoresk në çdo kënd të tij, shtëpizat e vogla ku mund të akomodoheni do t’ju dhurojnë pamje nga porti, peshkatarët, apo arkitektura ku dallon mermeri Parian, i përdorur në skulpturat antike.

Afër me Naxos-in, Milos-in dhe disa ishuj të tjerë të ngjashëm, në Paros nuk shkrepen vetëm foto të bukura, por krijohen momente që mbahen mend gjatë./KM

10:00 Arbër Hoxha “trazon” Stambollin, dy gjigandët turk synojnë sulmuesin kuqezi

By: Klara
14 January 2026 at 10:00

Dinamo Zagreb ka qenë dhe mbetet një vitrinë prestigjioze për çdo talent që synon të bëjë një hap më të madh në karrierë. Ylli i ri që po shndërrim në Zagreb është sulmuesi kuqezi, Arbër Hoxha. Futbollisti shqiptar mbylli një fund viti 2025 me shifra dhe paraqitje fantastike duke tërhequr në këtë mënyrë vëmendjen e klubeve të mëdha Evropiane. Nga Kroacia, por dhe Turqia, mediat bëjnë me dije se për sulmuesin kuqezi kanë shfaqur interesim dy gjigandët e futbollit turk, Gallatarasi dhe Fenerbahçe.

Dy ekipet nga Stambolli shohin te Hoxha përforcimin ideal për fazën sulmuese, një lojtar i aftë të bëjë diferencën në lojën një kundër një. Sigurisht, nuk është e lehtë që t’i rrëmbesh Dinamo Zagreb lojtarin më të rëndësishëm në këtë pikë të sezonit, në një kohë kur ekipi është në garë me kohë të plotë për titullin kampion.

Hoxha

Kartoni i Arbër Hoxhës, sipas “Transfermarkt”, vlerësohet me 2,5 milionë euro, një shifër që dy ekipet nga Stambolli do ta paguanin me kënaqësi. Siç ka ndodhur gjithnjë në të kaluarën, Dinamo Zagreb ka vërtetuar se çdo lojtar e ka një çmim, për këtë arsye mbetet për t’u parë se çfarë vendimi do të marrë ekipi kroat deri në fund të merkatos dimërore, por dhe lojtari, pasi fjalën e fundit pritet ta ketë Arbër Hoxha./K.M

09:50 Çështja “Gërdeci”/ Mediu paraqitet në GJKKO

By: Klara
14 January 2026 at 09:50

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu është paraqitur këtë të mërkurë në GJKKO për seancën e radhës, lidhur me masakrën e Gërdecit.

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka depozituar në GJKKO provat për gjyqin në ngarkim të Mediut.

Në këto prova pjesë është dhe faksi i nisur nga zyra e ish-ministrit Bumçi në drejtim të ministrisë së Mbrojtjes, për hapjen e fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec, shkresë e cila ka shënim emrin e Shkëlzen Berishës ‘Për Shkëlzenin’, djali i kryeministrit të kohës, Sali Berisha.

SPAK gjithashtu ka kërkuar që në pyetje të merret dhe Anjola Agolli, ish-sekretare e ministrit të Drejtësisë Aldo Bumçi. Agolli në dëshminë e deklaratat e dhëna më përpara ka dëshmuar për dokumentin që lejon hapjen e fabrikës ku e mbishkruar është emri i Shkëlzen Berishës.

Mediu akuzohet për shpërdorim detyre, pasi, sipas SPAK, janë shkelur procedurat e ngritjes së fabrikës së demontimit në Gërdec, pranë një zone të banuar si dhe ato të municioneve.

Vetë Mediu i ka kundërshtuar akuzat e ngritura dhe gjetjet e ekspertëve. Gjyqi për Mediun vijon që prej prillit 2023.

Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes Durda, e një prej viktimave të shpërthimit në 15 mars 2008, në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, ku humbën jetën 26 persona dhe qindra të tjerë u plagosën./K.M

09:40 Ish-oficeri i lartë i Policisë, Helidon Veizi: Policia duhet të jetë vetëm në shërbim të ligjit dhe qytetarëve

By: Klara
14 January 2026 at 09:40

Me rastin e 113-vjetorit të themelimit të Policisë së Shtetit, ish-oficeri i lartë i Policisë, Helidon Veizi, ka reaguar publikisht me një mesazh reflektues dhe realist mbi rrugëtimin e këtij institucioni ndër vite.

Në reagimin e tij, Veizi e cilëson Policinë e Shtetit si një institucion me një histori të gjatë, të ndërtuar përmes periudhash të ndryshme historike, ku mijëra punonjës kanë shërbyer me përkushtim, duke përballuar sfida, arritje, por edhe rënie e ngritje në performancë, në varësi të kërkesave dhe presioneve të kohës.

Ai thekson se sot të gjithë qytetarët do të donin një polici moderne, të konsoliduar dhe të pavarur nga ndikimet politike, një polici që varet vetëm nga ligji, është në shërbim të qytetarëve dhe zhvillon një luftë reale, efektive dhe pa kompromis kundër krimit.

“Një organizatë brilante me njerëz të ndershëm, dinjitozë, me integritet dhe të përkushtuar”, shprehet Veizi, duke ngritur një pyetje thelbësore: a është arritur realisht ky standard?

 

Sipas tij, pavarësisht sakrificave të shumta dhe dëshmorëve që Policia e Shtetit ka dhënë ndër vite, ende nuk mund të thuhet se ky objektiv është realizuar plotësisht.

Megjithatë, ai nënvizon se sakrifica e efektivëve nuk duhet harruar kurrë dhe se vepra e tyre meriton respekt dhe mirënjohje të përhershme.

Mesazhi i Helidon Veizit merr një vlerë të veçantë, pasi ai është një nga ish-oficerët e lartë të Policisë së Shtetit që u largua nga radhët e saj jo me dëshirë, por për shkak të mospranimit të figurave të ndershme dhe profesioniste brenda strukturës, një fenomen që sipas shumë zërave ka dëmtuar rëndë institucionin ndër vite.

Në përfundim, ai uron të gjithë ata që kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë në polici me ndershmëri dhe përkushtim, duke ritheksuar nevojën për një luftë të pandërprerë dhe pa kompromis kundër krimit.

Gëzuar 113-vjetorin e Policisë së Shtetit. Nderim për uniformën dhe për ata që i shërbyen me dinjitet./K.M

09:30 I dërguari i posaçëm i BE për dialogun do të vizitojë Kosovën dhe Serbinë këtë javë

By: Klara
14 January 2026 at 09:30

Peter Sorensen – i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë – do t’i vizitojë Prishtinën dhe Beogradin të mërkurën dhe enjten, ka konfirmuar Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS).

Sipas paralajmërimeve nga Brukseli, emisari evropian pritet të zhvillojë takime me udhëheqësit e të dyja shteteve, ndërsa në Kosovë është planifikuar edhe një takim me përfaqësuesit e partive opozitare.

Sorensen do ta nisë vizitën më 14 janar në Prishtinë, ndërsa një ditë më vonë, më 15 janar, do të qëndrojë në Beograd.

Kjo do të jetë vizita e tij e parë qëkurse iu vazhdua mandati edhe për dy vjet të tjera si i dërguar për dialogun mbi normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve fqinje.

Gjatë mandatit të parë, ai zhvilloi vetëm dy takime në nivel kryenegociatorësh, të cilat nuk dhanë fryt, përcjell A2.

Mungesa e përparimit në dialog gjatë kësaj kohe iu atribuua kryesisht zhvillimeve të brendshme politike në Kosovë dhe Serbi, e jo mungesës së angazhimit të ndërmjetësit evropian.

Vizita e tij po ndodh në një kohë kur Kosova pritet ta ketë një qeveri të re pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 28 dhjetorit, të cilat i fitoi bindshëm Lëvizja Vetëvendosje, partia e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Brukseli pret që, pas formimit të qeverisë së re në Prishtinë, procesi i dialogut të ringjallet dhe mbase të mbahet edhe një takim në nivelin më të lartë politik.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, e cila ende nuk ka ndërmjetësuar ndonjë rund dialogu në nivelin më të lartë politik, do të përpiqet të arrijë diçka në Ballkanin Perëndimor.

Kjo është arsyetuar me rrethanat e rënduara politike në të dyja vendet, përfshirë ngërçin politik në Kosovë që karakterizoi vitin 2025 dhe situatën në Serbi si pasojë e protestave të studentëve që po zhvillohen që nga vjeshta e vitit 2024.

Megjithatë, pas rezultatit zgjedhor në Kosovë dhe fitores së qartë të Lëvizjes Vetëvendosje, Bashkimi Evropian vlerëson se janë pjekur kushtet për të synuar organizimin e një rundi të dialogut në nivel liderësh, sapo vendi t’i themelojë institucionet e reja.

Bashkimi Evropian ka apeluar vazhdimisht, përfshirë edhe përmes dokumenteve zyrtare, si ndaj Kosovës ashtu edhe ndaj Serbisë, që të kenë një qasje konstruktive ndaj procesit të dialogut.

Në konkluzionet e dhjetorit 2025, Këshilli i Ministrave të BE-së ka përshëndetur gatishmërinë e Kallasit për të thirrur një takim të nivelit të lartë të dialogut sapo të krijohen kushtet e favorshme.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, më 2023, por nuk janë duke e zbatuar atë.

Edhe pse marrëveshja nuk është nënshkruar, Bashkimi Evropian këmbëngul se ajo është e detyrueshme për të dyja palët.

Kjo marrëveshje prej 11 nenesh, ndër tjerash, parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut 15-vjeçar./K.M

❌
❌