Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 8 January 2026Main stream

14:00 Më herët e quante trafikant droge, Trump drejt takimit me presidentin e Kolumbisë: Folëm në telefon dhe më pëlqeu toni i tij

By: Klara
8 January 2026 at 14:00

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump pritet të takohet në ditët në vijim me Presidentin e Kolumbisë, Gustavo Petron.

Sipas mediave të huaja, lajmin e ka konfirmuar vetë Trump, pas një telefonate që zhvilloi dje me Presidentin e Kolumbisë.

Trump e cilësoi si një nder të madh telefonatën me Presidentin e Kolumbisë dhe shkroi në Truth Social se Petro i shpjegoi “situatën e drogës dhe mosmarrëveshjet e tjera që kemi pasur”.

“E vlerësova telefonatën dhe tonin e tij dhe mezi pres ta takoj në të ardhmen e afërt”, shtoi Trump, përcjell Report TV.

Ai tha më tej se sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, do të caktojë një takim me ministrin e Jashtëm të Kolumbisë, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Kujtojmë se më herët Trump e ka quajtur Presidentin e Kolumbisë një trafikant droge dhe ka thënë gjithashtu se Kolumbia është një vend “shumë i sëmurë” i drejtuar nga një “njeri i sëmurë”./K.M

13:00 Pse njerëzit qeshin kur janë nervozë?

By: Klara
8 January 2026 at 13:00

Qeshja në situata stresi është një reagim i pavullnetshëm i trupit ndaj ankthit dhe tensionit. Truri përdor këtë mekanizëm për të ulur presionin emocional.

Psikologët shpjegojnë se qeshja nervoze ndihmon në çlirimin e hormoneve që reduktojnë stresin, si endorfinat. Edhe pse shpesh keqkuptohet, ajo është një mënyrë mbrojtëse.

Ky reagim është i zakonshëm dhe tregon se trupi po përpiqet të ruajë ekuilibrin emocional në situata të vështira./KM

12:50 Lumi Ishëm del nga shtrati, përmbyt banesa në Katundin e Ri

By: Klara
8 January 2026 at 12:50

Lumi Ishëm ka dalë nga shtrati, duke përmbytur disa banesa në zonën e Katundit të Ri.

Situata paraqitet kritike, ndërsa autoritetet lokale dhe strukturat e emergjencave civile ndodhen në terren për të monitoruar situatën dhe për të ofruar ndihmë të menjëhershme për banorët e prekur.

Rreth 350 banorë janë evakuuar dhe janë strehuar në konvaleshencë. Po ashtu situata mbetet kritike dhe në ish-zonën e kënetës ku ka prani të ujit në banesa./K.M

12:40 Dyshohet se i përfitoi nga aktiviteti kriminal! Prokuroria kërkon konfiskimin e pasurive të shqiptarit të arrestuar në Gjermani për drogë

By: Klara
8 January 2026 at 12:40

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar konfiskimin e pasurive të një shtetas shqiptar i, i cili është arrestuar në Gjermani prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.

Për shkak të dyshimeve se i ka përfituar nga aktivitete kriminale, prokuroria kërkoi që të konfiskohen një tokë e llojiat “arë”, me sipërfaqe 850 m2 në Zall Herr, një apartament dhe dy poste parkimi në Kamëz.

Nga të dhënat rezultoi se veprimtaria kriminale është ushtruar gjatë viteve 2019–2020, periudhë e mëparshme në kohë krahasuar me kryerjen e investimeve për blerje pasurie të paluajtshme.

Njoftimi i Prokurorisë së Tiranës

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kërkon konfiskimin e pasurive të shtetasit I.D., i arrestuar nga autoritetet gjermane për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, të parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.

Nga hetimet mbi procedimin pasuror nr.01 të vitit 2025, rezultoi se ky shtetas ishte i shpallur më parë në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden/Gjermani për veprat penale ‘Trafik i lëndëve narkotike’ dhe ‘Mbajtje dhe shitje e armëve luftarake dhe municioneve’ parashikuar nga Kodi Penal Gjerman.

Nga të dhënat rezultoi se kjo veprimtari kriminale është ushtruar gjatë viteve 2019–2020, periudhë e mëparshme në kohë krahasuar me kryerjen e investimeve për blerje pasurie të paluajtshme. Referuar urdhrit të kërkimit ndërkombëtar, evidentohet përfshirja e subjektit në disa episode të shitblerjes së lëndëve narkotike, veprimtari kjo që ka gjeneruar të ardhura të konsiderueshme financiare.

Në analizën financiare të detajuar vërehet se vlera totale e të ardhurave të faktuara të shtetasit I.D. dhe familjarëve të tij është më e vogël se vlera totale e investimeve dhe shpenzimeve vetjake të kryera nga ky shtetas dhe familjarët e tij dhe dyshohet se vjen nga veprimtaria kriminale.

Sa më sipër, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, arriti në përfundimin se shtetasi I.D. dhe familjarët e tij janë në pamundësi financiare për kryerjen e investimeve në blerjen e pasurive të paluajtshme dhe të luajtshme për të cilat kërkon konfiskimin si më poshtë:

– Pasuria e paluajtshme lloji “arë”, me sip 850 m2 ndodhur në Zall Herr Tiranë;

– Pasuria “njësi”, me sipërfaqe bruto 98.8m2; si dhe

– 2 “poste parkimi”, ndërtuar sipas lejes së ndërtimit për objektin 1-2-9 kate+1kat nën tokë, në rrugën ‘Bulevardi Blu-Kamëz’./K.M

12:30 GOLAT/ Barcelona ‘manita’ Athletic Bilbaos, e mposht 5-0 dhe gjen finalen e Superkupës së Spanjës

By: Klara
8 January 2026 at 12:30

Arabia Saudite – Barcelona e ktheu në një ndeshje stërvitore sfidën gjysmëfinale të Superkupës së Spanjës, duke mposhtur 5-0 Athletic Bilbaon dhe ‘rrëmbyer’ biletën e parë për në finale.

Në Jeddah të besuarit e Hansi Flick e nisën ndeshjen me vrull duke shënuar katër herë në pjesën e parë. Fillimisht dueli u zhbllokua pas 22 minutave lojë nga Ferran Torres, për t’i lënë vendin më pas golave të Fermin, Bardghji dhe Raphinha. Në fraksionin e dytë sërish ky i fundit shënoi golin e dytë përsonal dhe të pestin e ndeshjes, me Barçën që ‘likuidoi’ me lehtësi rivalët.

Sot në orën 20:00 luhet gjysmëfinalja e dytë, ajo mes Real Madridit dhe Atletico Madrid, për të mësuar finalen e Superkupës së Spanjës./K.M

12:20 Klodian Braho thërret mbledhjen si drejtues i SPAK, u jep porositë e para prokurorëve të posaçëm

By: Klara
8 January 2026 at 12:20

Klodian Braho zhvillon mbledhjen e parë si drejtues në Prokurorinë e Posaçme me të gjithë trupën e prokurorëve.

Fjala e Brahos në lidhje me objektivat që ai ka për drejtimin e institucionit ka qenë e shkurtër, ku i bëri me dije prokurorëve që duhet të angazhohen me dhënien e mendimeve për kodin e ri Penal, kërkuar nga Ministria e Drejtësisë dhe mendime mbi marrëdhëniet që SPAK ka me Gjykatën e Lartë, atë Kushtetuese dhe institucionet e tjera ligjzbatuese.

Kreu i ri i SPAK ka dhënë edhe mesazhe në lidhje me mbarëvajtjen e proceseve hetimore në respektim të afateve.

Të pranishëm kanë qenë të gjithë prokurorët, teksa mbledhja ka zgjatur rreth 20 minuta./K.M

12:10 Zgjedhjet në Kosovë/ Përfundon numërimi i votave me postë, LVV kryeson me 72.62%

By: Klara
8 January 2026 at 12:10

Mbrëmjen e së mërkurës, ka përfunduar në tërësi numërimi i votave me postë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Nga të dhënat e publikuara në platformën e KQZ-së, bëhet e ditur se LVV-ja është e para me 72.62%, ndërsa pas saj është LDK me 10.27%, PDK me mbi 9.14%, dhe AAK me 3.93%.

Nga rezultatet e përmbledhura*, LVV ka 51.01% të votave, duke fituar 57 ulëse në legjislaturën e 10-të.

PDK është e dyta me 20.24%, duke fituar 22 ulëse.

LDK e treta me 13.26% ndërsa ka siguruar 15 ulëse, dhe AAK e katërta me 5.50% apo 6 ulëse.

Lëvizja Vetëvendosje fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 28 dhjetor duke siguruar 56 mandate në parlament, 8 më shumë sesa në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Nga numërimi i 2.557 kutive të votimit, Albin Kurti me partinë LVV mori 49.30%. Pas LVV-së u rendit Partia Demokratike e Kosovës e drejtuar nga Bedri Hamza me 21.01% dhe në vend të tretë është Lidhja Demokratike e Kosovës me kryetar Lumir Abdixhiun, i cili ka arritur të sigurojë 13.59%./K.M

12:00 Realiteti virtual po ndryshon mënyrën e edukimit

By: Klara
8 January 2026 at 12:00

Përdorimi i realitetit virtual po gjen gjithnjë e më shumë vend në arsim, duke ofruar përvoja interaktive dhe praktike për nxënësit dhe studentët. Kjo teknologji i lejon ata të eksplorojnë ambiente dhe situata që nuk janë të mundura në klasat tradicionale.

Mësuesit raportojnë se nxënësit janë më të angazhuar dhe kuptojnë më shpejt koncepte komplekse, veçanërisht në lëndë si shkenca, historia dhe mjekësia. Simulimet virtuale ndihmojnë në të mësuarin përmes përvojës.

Ekspertët besojnë se në të ardhmen, realiteti virtual do të bëhet një mjet standard në institucionet arsimore, duke plotësuar metodat tradicionale të mësimdhënies./KM

11:50 Ndodh çudia/ PD proteston te burgu i Veliajt

By: Klara
8 January 2026 at 11:50

Sot PD ka njoftuar se do të zhvillohet një protestë, e cila për çudi do të zhvillohet te burgu i Durrësit, marrë shkas nga përmbytjet.

Sipas njoftimit thuhet se protesta do të zhvillohet rreth orës 16:30.

Ndodh çudia/ PD proteston te burgu i Veliajt

Fakti që të habit më shumë është se PD ka zgjedhur të protestojë për përmbytjet pikërisht para burgut të Durrësit ku ndodhet dhe kryebashkiaku Erion Veliaj.

Ndoshta po shkojnë të protestojnë te burgu i Durrësit se kanë hall të nxjerrin Veliajn për ta ndihmuar se në fakt PD, shumica e saj, elita ka patur një qasje goxha pozitive në mbështetje të kryebashkiakut të Tiranës.

Për diversion apo ajo kjo ka pak rëndësi.

Por jemi përballë faktit që sot në Durrës protestojnë para burgut ku ndodhet Veliaj ndoshta për të kërkuar kushte më të mira për kryebashkikaun e Tiranës ose të lirojnë mikun dhe ortakun e tyre.

Kujtojmë se SPAK ka ngritur 13 akuza për Veliaj dhe e ka dërguar dosjen e tij për gjykim, ndërsa nga ana tjetër kryebashkiaku përdor taktika të ndryshme për të mos u përballur me akuzat dhe provat para drejtësisë./K.M

11:40 ISHP: Rritje e qarkullimit të gripit, situata në kufijtë e aktivitetit stinor

By: Klara
8 January 2026 at 11:40

Muaji i janarit njihet si periudha e rritjes së qarkullimit të gripit dhe virozave. Mjeku epidemiolog i ISHP-së, Artan Simaku thekson se situata mbetet brenda kufijve të aktivitetit stinor, normal dhe të pritshëm për këtë periudhë të vitit.

Simaku apelon tek qytetarët për vaksinimin kundër gripit, duke theksuar se kjo është mënyra kryesore e parandalimit për popullatën.

“Tashmë jemi në muajin Janar, vërehet rritje e qarkullimit të gripit krahasuar me javët paraardhëse. Vazhdojmë të mbetemi në kuadrin e aktivitetit sezonal ose stinor, normal, të zakonshëm dhe të pritshëm për stinën. Ajo që është e rëndësishme për popullatën është vaksinimi. Vaksinimi është mjeti kryesor i parandalimit. Asnjëherë nuk është vonë për vaksinimin. Të gjithë personat të cilët nuk janë vaksinuar ende dhe nuk e kanë kaluar gripin, duhet të paraqiten në qendrën shëndetësore të vendbanimit të tyre për t’u vaksinuar”,-tha mjeku Simaku./K.M

11:30 Mbesa e Donald Trump: Politika është e rrezikshme, do të qëndroj larg saj

By: Klara
8 January 2026 at 11:30

Kai Trump, mbesa 18 vjeçare e Donald Trumpit, ka tërhequr vëmendje të madhe pas paraqitjes në podcastin “Impaulsive” të Logan Paul. Ajo theksoi qartë se nuk dëshiron të ketë asnjë lidhje me politikën, duke e cilësuar atë si “një gjë të rrezikshme”, pavarësisht se vjen nga një familje shumë e njohur politike.

Kai, e cila është golfiste e suksesshme dhe këtë vit fillon studimet në Universitetin e Miamit, tha se mundohet të qëndrojë larg politikës dhe nuk e sheh veten si politikane në të ardhmen. Sipas saj shoqëria është bërë tepër e polarizuar dhe se zgjidhja qëndron te kompromisi dhe gjetja e mesatares mes palëve. Më tej ajo shtoi se rrjetet sociale kontribuojnë ndjeshëm në thellimin e ndarjeve ekstreme.

Deklaratat e saj u pritën shumë pozitivisht në internet, ku shumë e vlerësuan për pjekurinë dhe mënyrën e balancuar të të menduarit. Gjatë bisedës, ajo foli edhe për vështirësitë e jetës nën mbrojtjen e vazhdueshme të Shërbimit Sekret, veçanërisht në jetën private, duke përmendur situata të sikletshme gjatë takimeve romantike. Megjithatë, tha se po përpiqet të mësohet me këtë realitet, sidomos pasi gjyshi i saj u rikthye si president./K.M

11:20 Kanoste dhe përndiqte në rrjete sociale 37-vjeçaren, arrestohet i riu në Fushë-Krujë! I sekuestrohen 2 telefona

By: Klara
8 January 2026 at 11:20

Një 28-vjeçar është arrestuar nga policia në zonën e Fushë-Krujës pasi kanoste dhe përndiqte në rrjete sociale një 37-vjeçare.

Kjo e fundit ka bërë kallëzim në polici teksa deklaroi se i riu i kishte shkaktuar ankth dhe panik nga përndjekja e vazhdueshme online.

L. K., 28 vjeç tashmë u arrestua ndërsa ju sekuestruan dhe 2 celularë. Nga kontrolli në këto telefona u gjetën të aktivizuara llogari false në platformat “Instagram” dhe “TikTok”, të cilat i përdorte për të kanosur 37-vjeçaren.

“DVP Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Insistimi”.

I shkaktoi ankth dhe panik, një 37-vjeçareje, duke e përndjekur dhe kanosur në rrjete sociale, nëpërmjet disa llogarive false, arrestohet 28-vjeçari.

Sekuestrohen 2 celularët në të cilët i arrestuari kishte aktivizuar llogaritë.

Si rezultat i administrimit të shpejtë të kallëzimit të një shtetaseje, se përndiqej dhe kanosej në rrjete sociale, veprime të cilat i kishin shkaktuar ankth dhe panik, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në kuadër të operacionit “Insistimi”, mundësuan lokalizimin dhe vënien në pranga të autorit të dyshuar të rastit, shtetasit L. K., 28 vjeç, banues në fshatin Halilaj, Fushë Krujë.

Nga kontrollet në 2 celularët e tij, u gjetën të aktivizuara llogari false, në platformat “Instagram” dhe “TikTok”, nëpërmjet të cilave 28-vjeçari përndiqte dhe kanoste 37-vjeçaren.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia./K.M

11:10 Një ditë përpara mbledhjes së thirrur nga Rama, Blendi Klosi takohet me drejtuesit e qarqeve në selinë rozë

By: Klara
8 January 2026 at 11:10

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Blendi Klosi ka mbledhur në selinë rozë të gjithë drejtuesit politik të qarqeve.

Burime për gazetaren e Report Tv Raziela Myslimaj bëjnë me dije se pjesë e mbledhjes është dhe Sekretari Organizativ Damian Gjiknuri, ndërsa kryeministri Edi Rama nuk është i pranishëm.

Kjo mbledhje zhvillohet një ditë përpara takimit të thirrur nga kryeministri Edi Rama me ministrat e kabinetit të tij. Ndërkohë një javë më pas, Rama do të mbledhë në Pallatin e Brigadave Grupin Parlamentar të PS në nisje të sesionit të ri parlamentar, me qëllim për të koordinuar punën në Parlament./K.M

11:06 ‘Shtëpi bari’ në Shkodër/ Dy persona në kërkim, nis hetimi për dy punonjës të OSHEE! Sekuestrohen 57 bimë kan*bisi

By: Klara
8 January 2026 at 11:06

Last Updated on 08/01/2026 by Klara

Dy persona janë shpallur në kërkim nga policia në Shkodër, në vijim të operacionit policor të koduar “Neonët”.

Këta persona kishin përshtatur banesën në lagjen “Ndoc Mazi”, për të kultivuar kanabis me pajisje elektrike që i furnizonin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Ndërkaq, 2 punonjës të OSHEE janë proceduar penalisht për shpërdorim detyre dhe një shtetase tjetër, për moskallëzim krimi.

Policia ka sekuestruar 60 bimë kanabisi, 57 pajisje të ndryshme elektrike që shërbenin për kultivimin e tyre, 1 pistoletë sportive pneumatike, municion luftarak, 1 automjet dhe 4 celularë.

Njoftimi i policisë

Shkodër/Zbulohet një tjetër ambient i përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, me llamba.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Neonët 6”. Shkon 10 numri i rasteve të kësaj veprimtarie kriminale, të goditura në kuadër të operacionit “Neonët”.

Shpallen në kërkim 2 shtetasit që dyshohet se kishin përshtatur banesën në lagjen “Ndoc Mazi”, për të kultivuar bimë narkotike me pajisje elektrike që i furnizonin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Procedohen penalisht 2 punonjës të OSHEE-së, për shpërdorim detyre, dhe 1 shtetase tjetër, për moskallëzim krimi.

Sekuestrohen 60 bimë të dyshuara narkotike kanabis, 57 pajisje të ndryshme elektrike që shërbenin për kultivimin e tyre, 1 pistoletë sportive pneumatike, municion luftarak, 1 automjet dhe 4 celularë.

Në vijim të planit të masave për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, kanë ushtruar kontrolle intensive në ambiente të mbyllura, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, me pajisje elektrike, tharjes dhe përpunimit të tyre për shitje.

Si rezultat, u finalizua operacioni policor i koduar “Neonët 6”.

Në kuadër të këtij operacioni u shpallën në kërkim shtetasi A. V., 35 vjeç, banues në Shkodër, dhe një 16-vjeçar, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:

-B. C., 33 vjeç dhe G. A., 63 vjeç, të dy banues në Shkodër, punonjës të OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim;

-E. H., 22 vjeçe, banuese në Pukë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë zbuluar një ambient (banesë) në lagjen “Ndoc Mazi”, që ishte përshtatur për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike kanabis. Nga kontrollet në këtë ambient, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 60 bimë të dyshuara narkotike kanabis, 57 pajisje të ndryshme elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve e tyre dhe 4 celularë.

Gjithashtu, nga kontrolli në banesën e shtetasit H. M., 49 vjeç, ngjitur me banesën ku kultivoheshin bimët narkotike, i cili është ndaluar më datë 11.12.2025, si i dyshuar për disa vepra penale, u gjetën 1 pistoletë sportive pneumatike pa numër, municion luftarak dhe 1 automjet, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Vijon puna intensive për kapjen e 2 shtetasve në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme./K.M

11:00 Ky këngëtar është i dashuri i Benitës?

By: Klara
8 January 2026 at 11:00

Last Updated on 08/01/2026 by Klara

Pas shumë aludimesh dhe pikëpyetjesh në rrjetet sociale, është hedhur më shumë dritë mbi personin që Benita ka përmendur gjatë qëndrimit të saj në Big Brother VIP Kosova.

Gjatë një bisede të sinqertë me Klodin dhe Elijonën, Benita ndau detaje nga një marrëdhënie që ka zgjatur rreth pesë vite. Ajo e përshkroi raportin si të rëndësishëm emocionalisht, por që aktualisht po kalon një fazë delikate dhe të pasigurt.

Banorja tregoi se partneri i saj ka qenë pranë saj që në fillimet, në kohën kur ajo nuk ishte figurë publike dhe pa asnjë ndërhyrje estetike. Megjithatë, ajo pranoi se vendimi për të hyrë në reality-show nuk është pritur mirë nga ai.

“Është artist edhe biznesmen,” u shpreh Benita, duke shtuar se ka frikë se sjellja dhe situatat brenda shtëpisë mund të kenë ndikuar negativisht në lidhjen e tyre. Ajo theksoi se nuk është e sigurt nëse ai po e pret ende jashtë.

Sipas burimeve të konfirmuara nga Prive By Liberta Spahiu, personi për të cilin bëhet fjalë është Endri, një emër i njohur për publikun shqiptar. Ai u bë shumë popullor rreth një dekade më parë, falë hiteve që shënuan sukses të madh sidomos tek adoleshentët e asaj kohe.

Pas largimit nga skena muzikore, Endri iu përkushtua biznesit, ndërsa së fundmi ka paralajmëruar edhe rikthimin e tij në muzikë. Pikërisht në këtë periudhë, historia me Benitën e ka rikthyer sërish në vëmendjen e publikut.

Burimet bëjnë me dije se marrëdhënia e çiftit ka pasur ulje-ngritje të shumta, veçanërisht gjatë vitit të fundit, kur kontaktet mes tyre janë rralluar./KM

10:50 Zyrtare/ Redon Xhixha prezantohet te Tirana, bardheblutë: Historia e thirri dhe ai u rikthye

By: Klara
8 January 2026 at 10:50

Tanimë është zyrtare, Redon Xhixha është rikthyer pas tre vitesh te Tirana. Bardheblutë që po vuajnë këtë sezon në Superligë dhe mbajnë vendin e fundit, kanë prezantuar një nga goditjet më të bujshme të janarit.

Xhixha, 27-vjeçar, rigjen fanellën bardheblu tre vite pas largimit te Qarabag dhe përvojës te CR Belouizdad në Algjeri. Në 55 ndeshje me Tiranën në Superligë, Xhixha ka shënuar 32 gola dhe asistuar në shtatë raste./K.M

10:40 SHBA-të do të largohen nga 66 organizata ndërkombëtare

By: Klara
8 January 2026 at 10:40

Administrata Trump do të tërhiqet nga dhjetëra organizata ndërkombëtare, përfshirë agjencinë e popullsisë së OKB-së dhe traktatin e OKB-së që përcakton negociatat ndërkombëtare për klimën, duke shënuar një tërheqje të mëtejshme të SHBA-ve, nga bashkëpunimi global.

Presidenti Donald Trump nënshkroi të mërkurën një urdhër ekzekutiv që pezullon mbështetjen e SHBA-së për 66 organizata, agjenci dhe komisione, pas shqyrtimit nga administrata e tij të pjesëmarrjes dhe financimit për të gjitha organizatat ndërkombëtare, përfshirë ato të lidhura me Kombet e Bashkuara, sipas një njoftimi të Shtëpisë së Bardhë.

Vendimi, përfshin agjenci, komisione dhe panele këshillimore të lidhura me OKB-në që përqendrohen në klimën, punën, migracionin dhe çështje të tjera, të cilat administrata Trump i ka kategorizuar si të orientuara drejt diversitetit dhe iniciativave të njohura me termin “woke”. Organizata të tjera në listë, jo pjesë e OKB-së, përfshijnë Partneritetin për Bashkëpunim Atlantik, Institutin Ndërkombëtar për Demokraci dhe Ndihmë Zgjedhore dhe Forumin Global Kundër Terrorizmit.

“Administrata Trump i ka konsideruar këto institucione si të tepërta në fushëveprimin e tyre, të keqmenaxhuara, të panevojshme, të shpërdoruara, të keqdrejtuara, të kapura nga interesat e aktorëve që avancojnë axhendat e tyre në kundërshtim me tonat, ose një kërcënim për sovranitetin, liritë dhe prosperitetin e përgjithshëm të kombit tonë”, tha Sekretari i Shtetit Marco Rubio në një deklaratë./K.M

10:35 Reshjet e shiut dhe dëborës ‘pushtojnë’ vendin, Rama apel qytetarëve: Shmangni lëvizjet e panevojshme dhe përdorni gomat dimërore në zonat me ngrica e dëborë

By: Klara
8 January 2026 at 10:35

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, i ka kërkuar qytetarëve që gjatë këtyre ditëve me mot të keq të shmangin lëvizjet e panevojshme.

Rama shkruan se përdorimi i gomave dimërore është i detyrueshëm për automjetet që qarkullojnë në zonat malore apo ku është njoftuar për prezencë dëbore dhe ngricash.

Gjithashtu shefi i Ekzekutivit ka treguar qytetet, fshatrat dhe rrugët më problematike të vendit të prekura nga moti i keq, ku veçon zonat e prekura nga dëbora.

Postimi i Ramës:

Gjatë natës, të gjitha njësitë operative në terren, ekipet e bashkive, Emergjencat Civile lokale, Forcat e Armatosura, ekipet mjekësore dhe Policia kanë qenë në gatishmëri

SITUATA NË AKSET RRUGORE

Gjatë natës kanë vazhduar reshjet e shiut dhe ka filluar dëbora në të gjithë zonën veriore dhe juglindore të vendit

Reshje dëbore ka pasur:

Në Rajonin Verior

Bajram Curri-Valbonë, Ura Bujan-Qafë Morinë, Bujan-Qafe Morinë (doganë),Sopot-Kerrnaj,Qafe Mejdan -Tropojë-Buçaj Bulqizë, Qafë Bualli-Peshkopi, Peshkopi-Maqellarë, Hani i Hotit-Dogana Vermosh, Kukes-Shishtavec, Kukës-Bushtricë, Bajram Curri-Valbonë, Pukë-Fushë Arrëz, Bogë-Theth dhe Qafë Mali-Fushë Dukagjin.

Në Rajonin Qendror

Surrel Qafë Priskë-Qafë Mollë, Elbasan-Gjinar, Ibë-Kërrabë-Elbasan.

Në Rajonin Jugor

Llogara, Qafë Thanë, Korçë-Voskopojë, Boboshticë-Dardhë, Korçë-Ersekë, Ersekë-Leskovikë.

Kontraktorët me mjete dhe punëtorë janë në terren pa ndërprerje 24/7 për të bërë pastrimin e akseve rrugore.

Shmangni lëvizjet jo të domosdoshme me automjetet tuaja.

Në këtë periudhë, zhvillimi i trafikut vetëm për udhëtime esenciale është i domosdoshëm për të garantuar sigurinë e të gjithëve dhe për të lehtësuar punën e ekipeve të mirëmbajtjes së rrugëve.

Përdorimi i gomave dimërore është i detyrueshëm për automjetet që qarkullojnë në zonat malore apo ku është njoftuar për prezencë dëbore dhe ngricash./K.M

10:30 Aksion në disa rajone të Kosovës, disa të arrestuar! Mes tyre ish-drejtori i Byrosë dhe një tjetër

By: Klara
8 January 2026 at 10:30

Krimet ekonomike të Policisë së Kosovës, të udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Prizren, janë duke realizuar një aksion në disa rajone të Kosovës.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, tha shkurt për Radion Evropa e Lirë se cak i këtij aksioni janë “mbi 40 të dyshuar, në pothuajse të gjitha rajonet e Kosovës”.

Betimi për Drejtësi – ueb-faqe e specializuar për fushën e sundimit të ligjit – duke u thirrur në burime raportoi se gjatë aksionit janë arrestuar disa persona në rajonet e Prizrenit, Prishtinës, Pejës, Gjilanit, Ferizajt, Mitrovicës dhe Gjakovës.

Në mesin e të arrestuarve, sipas Betimit për Drejtësi, janë Sami Mazreku, ish-drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve dhe ish-drejtori i Financave i kësaj byroje, Valon Berisha.

Raportohet se aksioni po zhvillohet lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale: “keqpërdorim i besimit”, “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomike”, “ndihmë në keqpërdorim të besimit” dhe “falsifikim të dokumentit”.

Në këtë aksion thuhet se janë përfshirë një numër i madh i prokurorëve dhe policëve./K.M

10:20 Në kërkim për shitje dhe prodhim të narkotikëve, pranga 45 vjeçarit nga Shijaku

By: Klara
8 January 2026 at 10:20

Një 45-vjeçar i shpallur në kërkim  në korrik të vitit të kaluar është arrestuar nga Operacionalja e Durrësit.

Gjykata e Durrësit i ka caktuar 45-vjeçarit nga Shijaku masën arrest me burg për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjatë operacionit të zhvilluar në korrik (2025) blutë gjetën dhe sekuestruan në banesën e të arrestuarit një sasi lënde narkotike kanabis.

“Në zbatim të planit të masave të hartuar për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim, si rezultat i kontrolleve të bazuara në informacione të siguruara në rrugë operative nga strukturat e DVP Durrës, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, zhvilluan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Masa”.

Si rezultat i operacionit u lokalizua dhe u vu në pranga  shtetasi  E. K., alias A. K., 45 vjeç, banues në Xhafzotaj, Shijak.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, në korrik të vitit 2025, ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Në janar 2025, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për një shtetas që shiste lëndë narkotike, strukturat e DVP Durrës kanë ushtruar kontroll në banesën e këtij shtetasi, ku kanë sekuestruar një sasi lënde narkotike kanabis. Në momentin e kontrollit, ky shtetas nuk u gjet në banesë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme./K.M

❌
❌