Të shtunën u bë i ditur lajmi se 385 studentë shqiptarë të fakulteteve juridike në Maqedoninë e Veriut, kanë nënshkruar një peticion me një kërkesë të qartë dhe legjitime që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.
Kërkesa e studentëve është dërguar tek Ministria e Drejtësisë, Inspektorati për Zbatimin e Gjuhëve, Kuvendi dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
Mevlan Ademi, ish-kryertar i Parlamentit Studentor, në televizionin Alsat, deklaroi se Kuvendi dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk e pranuan peticionin në gjuhën shqipe, pasi kërkuan që i njejti të jetë në gjuhën maqedone.
“Tek Agjencioni, tek Inspektorati dhe tek Ministria e Drejtësisë mu lejua që ta dorëzojë në gjuhën shqipe, ndërsa në Kuvend dhe tek qeveria na u kërkua që të jetë në gjuhën maqedone. U revoltova dhe i pyeta se përse nuk më lejohet ta dorëzojë në gjuhën shqipe, ata nuk më dhanë arsye por më thanë se pa maqedonisht nuk të japim vulë. Pastaj u detyrova ta përkthej dhe ta dorëzojë në gjuhën maqedone”, tha Ademi.
Ademi sqaroi se pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme ndër vite për këtë të drejtë, deri më sot kërkesa e studentëve nuk është marrë parasysh, ndaj pret që këtë herë kjo kërkesë të konkretizohet.
Gjatë sesionit të janarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku morën pjesë deputetët Ivanka Vasilevska, zëvendësshefe, dhe anëtarët Bekim Qoku dhe Bisera Kostadinovska Stojçevska, u votua Rezoluta për mbylljen e dialogut të pasmonitorimit me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Teksti i Rezolutës në emër të Komisionit të Monitorimit u përgatit nga referuesit Sibel Arsllan nga Zvicra nga grupi politik i Socialistëve dhe Xhozef O’Rajlli nga Irlanda nga Partia Popullore Evropiane.
Teksti thotë se Asambleja Parlamentare e njeh progresin e qëndrueshëm të Maqedonisë së Veriut në demokraci, sundimin e së drejtës, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe bashkëpunimin me trupat e Këshillit të Evropës dhe e njeh përkushtimin politik të autoriteteve për të përmbushur detyrimet e ndërmarra gjatë hapjes së dialogut të pas-monitorimit në vitin 2000. Bazuar në këtë, Asambleja vendosi të mbyllë dialogun e pas-monitorimit me Maqedoninë e Veriut dhe të vazhdojë t'i ndjekë zhvillimet përmes mekanizmit të tij të rregullt të shqyrtimit periodik.
Komisioni i Monitorimit ose emri i gjatë: Komisioni për Respektimin e Detyrimeve dhe Angazhimeve nga Vendet Anëtare të Këshillit të Evropës, ka rol të rëndësishëm në ndjekjen e përmbushjes së detyrimeve të ndërmarra nga vendet anëtare sipas kushteve të Statutit të Këshillit të Evropës, Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të gjitha konventave të tjera të lidhura në kuadër të Organizatës ndaj së cilës vendet anëtare janë angazhuar.
Rëndësia e procesit të monitorimit theksohet edhe në marrëdhëniet midis Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian. Pra, ekziston qasja e koordinuar ndaj mekanizmave të monitorimit si në Këshillin e Evropës, përkatësisht Asamblenë Parlamentare dhe komisionet e saj, Komitetin e Ministrave, Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale, Komisionin e Venecias, ashtu edhe me BE-në dhe organizatat e tjera ndërkombëtare. Ekziston bashkëpunimi i ngushtë, konsultimi dhe koordinimi i aktiviteteve brenda kornizës së zgjerimit të BE-së dhe për këtë arsye përmbushja e detyrimeve dhe angazhimeve ndaj Këshillit të Evropës konsiderohet element i rëndësishëm për avancimin, përshpejtimin dhe realizimin e aspiratave për integrim të mëtejshëm evropian të një shteti të caktuar.
Të gjithë anëtarët e Delegacionit të Kuvendit morën pjesë në debatin mbi këtë pikë. Ivanka Vasilevska theksoi përkushtimin e vendit ndaj vlerave evropiane, reformave demokratike dhe bashkëpunimit konstruktiv brenda Këshillit të Evropës, dhe e vlerësoi mbylljen e dialogut të pas- monitorimit si njohje të përpjekjeve afatgjata. Ajo iu referua progresit të arritur në proceset demokratike përmes zgjedhjeve të drejta, ndryshimit paqësor të pushtetit, zgjedhjes së presidentes së parë femër dhe rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit, të konfirmuara nga GREKO.
Në fund, theksoi se miratimi i rezolutës është konfirmim i progresit, karakterit multietnik dhe gjithëpërfshirës të vendit dhe përkushtimit të tij të vazhdueshëm ndaj reformave. Bekim Qoku e përshëndeti përfundimin e dialogut të pas-monitorimit për Maqedoninë e Veriut si sukses të rëndësishëm jo vetëm për vendin, por edhe për të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Ai theksoi se reformat dhe përkushtimi i vazhdueshëm ndaj standardeve të Këshillit të Evropës sjellin rezultate konkrete dhe e forcojnë demokracinë dhe stabilitetin në rajon. Qoku theksoi se Maqedonia e Veriut është partner i besueshëm evropian, plotësisht i harmonizuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe i përkushtuar ndaj integrimit evropian. E përfundoi fjalimin e tij duke përshëndetur rezolutën si njohje të progresit të arritur dhe nxitje për të vazhduar reformat në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Bisera Kostadinovska Stojçevska theksoi se kjo rezolutë, e cila mbylli procesin pas 25 vite, është rezolutë për çdo politikan që ka qenë ose është ndonjëherë në pushtet, se e pasqyron situatën, por edhe dëshirën e qytetarëve për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian. Ajo tha se shpreson që me miratimin e kësaj rezolute, të gjithë politikanët në vend, veçanërisht pushteti, të marrin sinjal të qartë se vendi i Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian dhe se kjo duhet të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur.
Partitë politike kanë propozuar emrat për anëtarë të grupit të punës për ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe të njëjtat i janë dorëzuar Ministrisë së Drejtësisë.
Ministri i këtij dikasteri, Igor Filkov, ka premtuar së shpejti formimin e këtij trupi negociues.
Sipas kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, bisedimet do të zhvillohen në Kuvend me një dinamikë të shtuar.
“Shpresoj se shumë shpejt do të formohet grupi punues, i cili besoj se do të punojë me një dinamikë të përshpejtuar, do të punojë në bazë të parimit të konsensualitetit, të gjithë përfshirjes, inkluzivitetit dhe duke qenë këtu në Kuvend, duke u zhvilluar ky dialog, jam i bindur se do të arrijmë te një Kod Zgjedhor, që do t’i përmbushë kriteret edhe të partive politike dhe të gjitha subjekteve të tjera të përfshira në procesin zgjedhor", tha Gashi.
Kryeministrit Hristijan Mickoski mbetet që modeli zgjedhor nga gjashtë njësi të shkrihet në një njësi zgjedhore. VLEN-i në pushtet dhe BDI-ja kërkojnë lista të hapura, por ende nuk e kanë të kristalizuar qëndrimin për modelin zgjedhor.
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi sot para gazetarëve foli për ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe mundësinë për shfuqizimin e qeverisë teknike, shkruan Telegrafi Maqedoni.
Gashi tha se grupi i punës është fazën finale për përpilimin e Kodit Zgjedhor dhe shumë shpejt do të formohet grupi i punës për përpilimin e tij.
Ai u shpreh i bindur se ndryshimet në Kodin Zgjedhor do të jenë të pranueshme për të gjithë subjektet politike.
Lidhur me shfuqizimin e "Qeveris Teknike", Gashi tha se një çështje e tillë është mirë të bëhet me marrëveshje me të gjithë partitë politike, pra me konsensus.
"Sa i përket ndërprerjes së qeverisë teknike, mendoj se ajo duhet të bëhet në mënyrë konsensuale, ashtu siç është dakodruar me marrëveshjen e Shkupit atëherë në vitin 2015. Por edhe atëherë është vendosur se një vendim i tillë është dakorduar që të merret me një shumicë të thjeshtë, pra me 61 vota. Prandaj nëse flasim legalisht proceduralisht edhe me 61 vota nëse merret një vendim i tillë, nuk ka asnjë problem nga ana e procedurës dhe legalitetit, por duhet ulur të gjithë aktorët politik të bisedojnë dhe të marrin një vendim të përbashkët", tha Gashi./Telegrafi/
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sot realizoi takim me Xhiang Shjaojan, ambasadore e Republikës Popullore të Kinës në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Shërbimi për informim i Kuvendit njoftoi se Gashi shprehu kënaqësi të madhe për takimin dhe theksoi se “pret që miqësia e sinqertë që ekziston midis të dy vendeve të forcohet dhe të avancohet më tej në të ardhmen”.
“Ai theksoi se megjithëse të dy vendet janë gjeografikisht të largëta, marrëdhëniet midis tyre po zhvillohen në frymën e mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë. Republika e Maqedonisë së Veriut vazhdimisht e afirmon qëndrimin e ekzistimit të ‘një Kinë’, si dhe qëndrimin se Qeveria e Republikës Popullore të Kinës është Qeveria e vetme legjitime e popullit kinez, dheTajvani është një pjesë e pandashme e territorit kinez”, theksohet në kumtesë.
Ambasadorja Shjaojan informoi për të gjitha aktivitetet e ndërmarra nga Republika Popullore e Kinës për të thelluar bashkëpunimin midis të dy vendeve në fusha të tilla si arsimi, kultura, shkenca, shëndetësia, mjekësia, etj.
“Ajo theksoi se për Kinën, vendi ynë është një udhëkryq i disa qytetërimeve, një urë lidhëse midis Lindjes dhe Perëndimit dhe një partner i rëndësishëm në rajon. Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord se në të ardhmen ka shumë mundësi të reja për bashkëpunim, veçanërisht në fushën e digjitalizimit dhe inteligjencës artificiale, veçanërisht në kohën kur Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut po punon seriozisht për digjitalizimin e plotë të të gjitha proceseve të punës në parlament”, njofton shërbimi për informim i Kuvendit.
Me 76 vota “për”, deputetët miratuan ndryshimet në Kodin Penal, të propozuara nga një grup deputetësh të shumicës. Sipas pushtetit, kjo nënkupton forcimin e politikës penale dhe riparimin e dëmeve nga ndryshimet në vitin 2023.
“Zgjidhjet e reja ligjore rivendosin thelbin e politikës penale, parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Forcojnë kompetencën e prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe janë në përputhje me vërejtjet e përfshira në raportin e Komisionit Evropian”, deklaroi Mile Lefkov, deputet nga OBRM-PDUKM.
Para votimit nuk kishte debat. Vetëm deputetja Jovana Mojsoska nga "E Majta" foli, duke thënë se partia e saj ishte kundër.
“Ne nuk e shohim Kodin Penal ende, as pushteti i kaluar nuk e miratoi, ndërsa tendenca është që as kjo qeveri të mos e miratojë. Një kod i tillë penal, është vetëm zgjidhje kozmetike për të përmbushur afatin e përcaktuar nga gjykata kushtetuese”, tha Jovana Mojsoska, deputete nga partia E Majta.
Kundër ishte edhe LSDM-ja opozitare. Sipas Filipçes, ndryshimet nënkuptojnë amnisti për krimin e OBRM-PDUKM-së.
“Kjo është një përpjekje tjetër për të treguar diçka si një ligj reformues, dorëzimi i një ligji reformues dhe amnistim i zyrtarëve aktualë lejohet në një derë të vogël”, u shpreh Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.
Ndryshimet në Kodin Penal do të jenë një zgjidhje kalimtare, derisa të përgatitet Kodi Penal krejtësisht i ri nga një grup pune në Ministrinë e Drejtësisë, i cili, sipas njoftimeve të fundit, duhet të jetë gati deri në qershor të këtij viti. /Alsat/
Ziadin Sela, së bashku me Ilire Dautin dhe Elmi Azirin, sot ka dorëzuar iniciativë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ndryshimeve në Ligjin për kundërvajtje, me të cilat finalizohet projekti "Safe City".
Sela para gazetarëve tha se ligji ka shumë dilema dhe nuk duhej të miratohej me procedurë të shpejtë. Sipas tij, për këto ndryshime ligjore dhe për këtë projekt duhej të kishte debat më të gjerë dhe të merrej edhe mendimi i ekspertëve, përcjell Telegrafi Maqedoni.
"Sot dorëzuam iniciativë në Gjykatën Kushtetuese, në lidhje me ndryshimet në Ligjin për kundërvajtje nëpërmjet të cilëve po zbatohet projekti Safe City. Ky projekt ka shumë dilema. Assesi nuk duhej që procedura për këtë ligj të ishte me procedurë të shpejtë dhe pa debat publik, pa u dëgjuar zëri i ekspertëve. Ne jemi për siguri të qytetarëve, por jemi edhe për siguri në shumë dimensione, atë social, atë ekonomik dhe infrastrukturor".
"Nuk mund të ndahet zbatimi i këtij projekti në zona të caktuara, pasi kjo të bënë të dyshosh se ka për qëllim zhvatjen e disa qytetarëve. Edhe kamerat që janë vendosur në Shkup, më shumë janë në Çair. Vlerësuam që kjo iniciativë patjetër duhet të bëhet. Ligji ka plot dilema dhe gjëra që janë anti-kushtetuese", tha mes tjerash Sela.
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut dje i ka dërguar zyrtarisht Ministrisë së Drejtësisë nominimet, përkatësisht emrat e deputetëve që do të jenë anëtarë dhe do të marrin pjesë në grupin e punës pranë Ministrisë së Drejtësisë, i cili do të angazhohet në përgatitjen e Kodit të ri Zgjedhor.
Këtë e ka konfirmuar për TVM2, kabineti i kryeparlamentarit Afrim Gashi. Deri në këto momente ende nuk janë bërë të ditur emrat e deputetëve që do të marrin pjesë në këtë grup punues.
“Në bazë të kërkesës, dje Ministrisë i janë dorëzuar propozimet nga koordinatorët e grupeve parlamentare, si dhe nga deputetët që nuk janë të organizuar në grupe deputetësh”, thuhet në njoftimin e Kabinetit të Kryeparlamentarit Afrim Gashi.
Ditë më herë numri i “një” i drejtësisë Igor Fillkov u ankua se Ministria e Drejtësisë ka dërguar dy shkresa radhazi në Kuvend, me kërkesë që të nominohen nga dy përfaqësues të partive parlamentare dhe të deputetëve të pavarur, por deri më ditën e djeshme teksa është mbajtur pres konferenca e tij, nuk kishin marrë përgjigje.
"Ndryshimet e Kodit Zgjedhor kanë qenë një dëshirë e kahmotshme e partive politike. Që nga miratimi i tij e deri më sot, Kodi aktual Zgjedhor ka pësuar rreth 40 ndryshime, të cilat, për shkak të qasjes parciale, kanë krijuar mospërputhje dhe mungesë koherence në të gjithë ligjin", tha Fillkov.
Përfaqësuesit e partive politike gjatë kësaj periudhe kanë pasur qëndrime të ndryshme lidhur me atë nëse Maqedonia duhet të ketë një, tre, gjashtë apo tetë njësi zgjedhore. Sipas Fillkovit, për miratimin e një zgjidhjeje të re ligjore është i domosdoshëm konsensusi politik i të gjitha partive.
Ministri i Drejtësisë Igor Filkov deklaroi se në Ministrinë e Drejtësisë ende nuk kanë mbërritur nominime për formimin e grupit punues për Kodin Zgjedhor.
“Janë dërguar dy letra në Kuvend. Njëra është e datës 31 dhjetor të vitit 2025, ndërsa tjetra më 20 janar. Presim që Kuvendi t’i përgjigjet letrës sonë me të cilën kërkojmë nominimin e dy përfaqësuesve të secilës prej partive parlamentare dhe deputetëve të pavarur, pas së cilës do të formojmë një grup pune që do të vazhdojë me përgatitjen e Kodit Zgjedhor”, theksoi Fillkov.
Kodi Zgjedhor, theksoi ai, është një zgjidhje ligjore që ka pësuar rreth 40 ndryshime që nga miratimi i tij, përfshirë edhe këto zgjedhje, të cilat, për shkak të qasjes së tyre të pjesshme, krijojnë mospërputhje në të gjithë ligjin.
“Për miratimin e tij kërkohet konsensus politik nga të gjitha partitë”, shtoi Fillkov.
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela ka kritikuar vendosjen në funksion të sistemit "Safe City", informon Telegrafi Maqedoni.
Ai thotë se ky sistem ka për qëllim zhvatjen e qytetarëve, pasi nëpër rrugët ku janë vendosur kamerat e sigurisë në komunikacion, nuk ka as semaforë e as parkingje dhe sipas tij janë vendosur në lagjet ku banojnë shumicë shqiptare.
"Është për të ardhur keq kur sheh që edhe projektet që promovohen për të mirën e përgjithshme, sigurinë e qytetarëve siç ka qejf ta thot qeveria, për qëllim ka zhvatjen e një kategorie qytetarësh! Nqs keni dlieme se në xhepin e kujt synohet të goditet është më se e qartë. -Shihni ku implementohet projekti “Safe City”-Shkupi, Kumanova, Tetova?!-Shihni shpërndarjen e kamerave te Safe City në Shkup,ku janë më shumë të koncentruara në numër? Në Çair, Saraj, Butel?! Janë komunat me shumicë shqiptare. Janë hyrje daljet e shqiptarëve për në Shkup.Janë vendet me (pa) infrasktrukturë të komunkacionit dhe rrugor më të vjetër. Pa semaforë por me kamera për te zhvat! Pa parkingje por me gjoba! Pa sinjalistik rrugore por me denime të majme… E pra të dashur shqiptar, EKSPLOATIMI ska brina, kështu ngjan", shkruan Sela.
Sela ka përmendur dhe faktin se Maqedonia e Veriut do të duhet të kthejë edhe kredinë prej dy miliardë eurove, e që sipas tij, ajo kredi do të kthehet nga gjobat që do të paguajnë qytetarët nga sistemi i MPB-së.
"Meqë ra fjala Maqedonia e Veriut këtë vit duhet të kthej rreth 2 miliard euro kredi! Do i kthejme ne ku më pak është investuar, edhe nga projekti “Safe City”. Kështu pra ngjan Eksploatimi…P.S. Jam i vetëdijshëm që do më akuzojnë se gjithckaje i jap konotacion etnik. Jo unë për hir të së vërtetës, asnjëherë unë dhe Aleanca për Shqiptarët, por ata që na drejtojnë gishtin. Po është e vërtetë ne skemi hesht dhe sdo të heshtim kurrë…", shkruan Sela.
Kujtojmë se ligji për aktivizimin e kamerave të sigurisë nga "Safe City" u miratua në Kuvend sot me 81 vota.
Për këtë ligj votuan, OBRM-PDUKM, VLEN, E Majta, Bejxhan Iljaz si dhe deputeti i pavarur Ilir Demiri. /Telegrafi/
Faton Selami është zgjedhur Avokat i Popullit në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Kuvendi sot me 87 vota “për”, dhe shumicë të Badenterit (20 vota nga deputetët jomaqedonas), miratoi propozimin që Selami të jetë Avokat i Popullit.
Nga gjithsej 28 deputetë jomaqedonas të pranishëm, 20 votuan “për”, ndërsa 8 ishin “kundër”.
Shumica arriti të sigurojë një votim sipas parimit të Badinterit pa votat e BDI-së, përkatësisht, përveç deputetëve të partive në pushtet OBRM-PDUKM dhe VLEN, për Selamin votuan edhe deputetët e LSDM-së dhe "Levicës" që u përkasin komuniteteve, si dhe deputetët e pavarur Ilir Demiri dhe Bejxhan Iljas./Telegrafi/
Me 81 vota “për” dhe 19 “kundër, në Kuvend kaloi Ligji për kundërvajtje, me të cilin do të finalizohet projekti "Safe City" dhe i njëjti do të hyjë në fuqi nga 1 shkurti.
Kundër ndryshimeve në këtë ligj ishin 19 deputetë ndërsa nuk kishte asnjë të përmbajtur.
Pro votuan deputetët e OBRM-PDUKM-së, VLEN-it, ZNAM-it, "Të Majtës" dhe deputeti i pavarur tashmë, Ilir Demiri.
Deputetja e BDI-së, Rina Ajdari u shpreh kundër “Safe Cityt”, ashtu sikurse edhe Rijad Shaqiri dhe Ilire Dauti. Pasi ndryshimet e Ligjit u votuan me 81 vota, deputetja e BDI-së, Rina Jadari kërkoi votim veçmas dhe të hapur, ndërkohë që sërish dolën 81 vota “për”.
Me këto ndryshime, projekti "Safe City" do të mund të zbatohet nga 1 shkurti./Telegrafi/
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut sot do të mbajë vazhdimin e seancës së 76-të, në rendin e ditës së së cilës është votimi për Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kundërvajtje, me procedurë të shkurtuar, ligji i fundit i nevojshëm që nga 1 shkurti të fillojë funksionimi i sistemit “Safe City”, për regjistrim dhe sanksionim automatik të kundërvajtjeve në trafik.
Mbështetja e nevojshme me shumicë prej dy të tretash për ligjin, për të cilin debati tashmë ka përfunduar, u sigurua në takimin e liderëve javën e kaluar, të thirrur nga kryeministri Hristijan Mickoski. Vetëm opozita LSDM ka paralajmëruar se nuk do të votojë për ndryshimet e Ligjit.
Koordinatorja e grupit parlamentar të Frontit Evropian, Rina Ajdari, në një konferencë për media më 20 janar, theksoi se do të votojnë për Ligjin për kundërvajtje në seancë. Ajo theksoi se, nëse vërejtjet e tyre nuk zbatohen, në të ardhmen do të paraqesin propozim me ndryshime të reja të Ligjit.
Me këtë Propozim-ligj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kundërvajtje parashihet mundësia e zbatimit të teknologjive të reja (sistem për detektim përmes mjeteve teknike dhe pajisjeve për incizim), të cilat mund të jenë një mjet i mirë për zbulim të shpejtë dhe efikas të kundërvajtjeve në trafik dhe për zbatimin e procesit të sanksionimit të tyre.
Në fazën e parë, sistemi do të regjistrojë: tejkalim shpejtësie, kalim në dritë të kuqe, skadim të vlefshmërisë së lejes së qarkullimit dhe parkim të parregullt. Në fazën e ardhshme parashihet zgjerimi i spektrit të kundërvajtjeve.
Kur sistemi të vihet plotësisht në funksion, pronarët e automjeteve për të cilat konstatohet kundërvajtje do të marrin mesazh SMS dhe e-mail me link për shkarkimin e procesverbalit me urdhërpagesë. Kundërvajtjet do të mund të paguhen në mënyrë elektronike dhe, nëse pagesa bëhet me kohë, nuk do të ngarkohen shpenzime shtesë. Për kundërvajtje të caktuara, për të cilat është paraparë edhe masa e ndalimit të drejtimit të automjetit, Ministria e Punëve të Brendshme do të parashtrojë kërkesë për nisjen e procedurës pranë gjykatës kompetente.
Në kuadër të seancës së 76-të është edhe Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shpërblimet shtetërore – leximi i parë. Kuvendi sot do të mbajë gjithashtu vazhdime të dy seancave plenare. Në kuadër të seancës së 81-të kanë mbetur Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për punë të brendshme dhe Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për policinë, të dy me procedurë të shkurtuar.
Në seancën e 20-të është Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Regjistrin e posaçëm për persona të dënuar me vendim të formës së prerë për vepra penale të abuzimit seksual të të miturve dhe pedofili, në lexim të parë.
Kryetarja e Komisionit për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve, Zhaklina Peshevska, ka takuar grupin e punës për ndjekjen e zbatimit të Planit të Veprimit për Avancimin e Barazisë midis Femrave dhe Meshkujve në Kuvend, ku ka konstatuar se nga vendet të cilat kanë planin e tretë të veprimit, RMV-ja është vendi i dytë në Evropë, edhe atë pas Suedisë.
Qëllimi i këtij takimi, sipas kryetares së Kuvendit, ishte që të vlerësohet progresi i deritanishëm, të identifikohen sfidat në zbatim dhe të koordinohen hapat e ardhshëm për forcimin e politikave dhe masave që promovojnë barazinë gjinore dhe mundësitë e barabarta në institucionet shtetërore.
“Atë të cilën mund ta them është se si plan të tretë të veprimit jemi vendi i dytë në Evropë pas Suedisë. Ajo që është shumë më e rëndësishme është fakti se gjatë kësaj kohe kemi shënuar progres në realizimin e planit të veprimit. Atë të cilën e kishim planifikuar, ishte që ta rrisim rolin mbikëqyrës të Kuvendit mbi institucionet", deklaroi kryetarja e Komisionit për Mundësi të Barabarta, Zhaklina Peshevska.
Plani i Veprimit për Avancimin e Barazisë midis Femrave dhe Meshkujve në Maqedoni ka për qëllim promovimin e mundësive të barabarta për femrat dhe meshkujt në të gjitha fushat e jetës publike dhe private, parandalimin dhe luftimin e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, si dhe fuqizimin institucional, përmes koordinimit të institucioneve shtetërore dhe monitorimit të zbatimit të masave. Të gjitha këto në praktikë nuk po realizohen me dinamikën e dëshiruar.
“Ne në të kaluarën si grup i deputeteve dhe si Komision kemi sjellë disa përfundime për zmadhimin e përfaqësimit të grave në politikë, si: 50 për qind të jenë gra në listat e deputetëve dhe këshilltarëve komunalë; 40 për qind të jenë të përfaqësuara në Qeveri dhe 30 për qind në kryetare të komunave, por kjo nuk po implementohet. Ne sado të jemi progresive, akoma po ballafaqohemi me disa mendime dhe stereotipe në shoqëri se gratë duhet të jenë amvise në shtëpi, se më shumë do të votonin për burra sesa për gra dhe se këtë luftë të gladiatorëve gratë pak i rreken punës që ta bëjnë këtë betejë.”, – theksoi kryetarja e Komisionit për Mundësi të Barabarta, Zhaklina Peshevska.
Sipas Peshevskës, nëse analizohen edhe komisionet dhe delegacionet e Kuvendit dhe të Qeverisë, gratë nuk janë të përfaqësuara sa duhet.
Plani i Veprimit shoqëron Strategjinë Kombëtare për Barazi Gjinore dhe përfshin afate kohore, institucione përgjegjëse dhe tregues për matjen e progresit, duke siguruar që barazia gjinore të mos mbetet vetëm parim ligjor, por të zbatohet në praktikë.
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, do të publikojë një konkurs të ri për anëtar të Këshillit Gjyqësor, ndërsa konkursi paraprak është tërhequr, informoi kryetari i Komisionit Parlamentar për Zgjedhje dhe Emërime, Gjorgjija Sajkoski.
“Dua ta informoj Komisionin se kam marrë një njoftim me shkrim nga kryetari i Kuvendit, në të cilin thuhet se në përputhje me Ligjin për Këshillin Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë, do të shpallet një konkurs i ri për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë. Propozimi që ishte në Komision është tërhequr dhe do të shkojë me një konkurs të ri”, theksoi Sajkoski.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi theksoi se duhet të përsëritet konkursi për zgjedhjen e anëtarit të ri të Këshillit Gjyqësor të propozuar nga Kuvendi sepse, siç theksoi, ka ligj të ri për Këshillin Gjyqësor.
“Do të duhet t’i pyesni kryetarin dhe anëtarët e Komisionit për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve. Me shumë gjasa janë të mendimit se konkursi duhet të përsëritet sepse tashmë kemi një ligj të ri dhe të gjithë anëtarët do të duhet të zgjidhen sipas ligjit të ri. Por, kjo duhet të vendoset nga kryetari dhe anëtarët e Komisionit për Zgjedhjet dhe Emërimet. Ndërkaq, është punë e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime. Duhet t’i kontaktoni ata. Megjithatë, një moment i rëndësishëm që kemi diskutuar është pikërisht momenti që kemi një Ligj të ri për Këshillin Gjyqësor dhe ai tashmë po ndryshon rregullat e lojës”, tha Gashi më 15 janar.
Qytetarët presin që Kuvendi të forcojë debatin mbikëqyrës dhe kontrollin mbi punën e Qeverisë, tha sot Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, i cili mori pjesë në një debat mbi mbikëqyrjen dhe kontrollin parlamentar në Maqedoninë e Veriut përmes prizmit të kapacitetit mbikëqyrës të Parlamentit, i cili është organizuar në bashkëpunim me Programin e Mbështetjes Parlamentare dhe NDI-në.
Debati, në të cilin morën pjesë edhe koordinatorët e grupeve parlamentare dhe deputetët, pas prezantimit të hulumtimit, mbikëqyrjes dhe kontrollit parlamentar nga profesori i asociuar në Fakultetin Juridik "Justiniani i Parë", Denis Preshova, hapi dilemën rreth zbatimit dhe efikasitetit të Rregullores së re të Punës për punën e Kuvendit.
Gashi tha se po vërehen dilema me zbatimin e Rregullores së re të Punës, e cila, siç kujtoi ai, u miratua me konsensus politik, por gjatë përgatitjes dhe miratimit të saj, u harrua të përfshiheshin ekspertët parlamentarë dhe publiku akademik.
Profesori Preshova, e cila kreu një analizë krahasuese me zgjidhjet dhe kompetencat ligjore dhe kushtetuese të parlamenteve fqinje, Senatit Britanik dhe atij Amerikan, tha ndër të tjera se Kuvendi i Maqedonisë ka kompetenca më të gjera politike. Përveç mbikëqyrjes së punës së Qeverisë, Kuvendi ushtron kontroll edhe mbi punën e disa organeve të pavarura dhe rregullatore, gjë që nuk është rasti në vendet e tjera./Telegrafi/
Procesi për zgjedhjen e prokurorit të ri publik ka filluar, me Kuvendin që ka shpallur konkursin. Pas skadimit të afatit dhe kryerjes së përzgjedhjes administrative, Këshilli i Prokurorëve Publikë do të duhet të japë një mendim pozitiv ose negativ për kandidatët që plotësojnë kushtet.
Pastaj, nga ata që kanë vlerësim pozitiv, Qeveria do të zgjedhë njërin dhe do t'ia paraqesë propozimin Kuvendit.
Pasardhësi i Kocevskit do të zgjidhet me shumicë të thjeshtë prej 61 votash.
Së shpejti do të zgjidhet edhe kryetar i ri i Prokurorisë së Shkupit. Pesë kandidatë kanë aplikuar për të pasuar Bubevskin. Seanca e këshillit është planifikuar për të martën.
Kryetari i Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi, ka komentuar ngjarjet e fundit politike në vend në një intervistë për Televizionin Alsat. Gashi ka komentuar takimin e sotëm të liderëve të partive politike në vend. Ai ka nënvizuar rëndësinë e kthimit të institucionit të Kuvendit në epiqendër. “Do kisha dashur të nënvizoj dy elemente. I pari është nga informacionet që kam për takimin që ka rrjedhur brenda liderëve, ka qenë një takim shumë konstruktiv, mendoj se u tha edhe nga vet pjesëmarrësit. Dhe më gëzon shumë fakti që si demokraci po piqemi. Dialogu është i hapur, kemi mundësi të ulemi, të diskutojmë. Duhet ta kuptojmë se kjo është demokracia parlamentare. Duhet shpesh të ulemi në tavolinë edhe me ata që nuk mendojnë si ne. Dhe mendoj se kjo është një vlerë e shtuar. Dhe ky fakt më gëzon. Dhe elementi i dytë më gëzon fakti që Kuvendi po kthehet në një qendër ku do të duhet të zgjidhen çështjet". "Gjatë kohë Kuvendi ka qenë vetëm çështje kolaterale-anësore ku të gjitha marrëveshjet janë bërë diku tjetër dhe janë implementuar në Kuvend. Më gëzoi shumë fakti që liderët janë marrë vesh që bisedimet konkrete për zgjidhjen e problemeve do të vazhdojnë nesër në Kuvend në nivel të koordinatorëve për ligjet konkrete, për zgjidhjet konkrete ”, deklaroi Gashi.
Me iniciativë të Kryeministrit dhe liderit të OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski, sot në Klubin e Deputetëve do të mbahet takimi i liderëve me kryetarët e partive parlamentare që kanë grupe parlamentare në Kuvend.
Siç është paralajmëruar, në takim do të diskutohen ligjet reformuese në fushën e gjyqësorit, zgjedhja e Avokatit të Popullit, ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe mundësia e shfuqizimit të qeverisë teknike, si dhe çështje të tjera të propozuara nga pjesëmarrësit.
Nga partitë opozitare, krerët e "Të Majtës" dhe BDI-së, Dimitar Apasiev dhe Ali Ahmeti, konfirmuan pjesëmarrjen e tyre. Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, refuzoi ftesën për një takim të liderëve.
Filipçe në një konferencë për shtyp më 8 janar deklaroi se nuk pranon bisedime për shfuqizimin e qeverisë teknike, duke akuzuar Kryeministrin se kërkon "alibi për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme".
Sipas tij, qeveria teknike duhet të mbetet si garanci për zgjedhje të drejta dhe një mekanizëm për parandalimin e abuzimit me institucionet. Lidhur me ligjet reformuese, Filipçe theksoi se debati duhet të zhvillohet në Kuvend, ku LSDM do të mbështesë të gjitha zgjidhjet cilësore. Ai shtoi se partia do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare nëse ato shpallen.
Në takimin e liderëve të thirrur nga Mickoski pjesëmarrjen e kanë konfirmuar edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, Bilall Kasami nga VLEN, Maksim Dimitrievski nga ZNAM./Telegrafi/
Shumica parlamentare nuk ka vendosur akoma nëse do të ketë ose jo debat publik të organizuar në Kuvend, me pjesëmarrjen e ekspertëve, për ndryshimet e propozuara të Kodit Penal. Edhe pse një ditë më parë dukej se kishte një pajtueshmëri edhe nga pushteti në kërkesën e LSDM-së për debat në prani të ekspertëve, një vendim i tillë nuk është marrë akoma.
Nga VLEN vlerësojnë se debat duhet të ketë për Kodin e ri Penal që do të përgatitet ndërkohë.
“Ky ndryshim i Kodit Penal është korrigjimi i ndryshimeve të qeverisë totalisht të dështuar të BDI-së në qershor të 2023-shit. Ne e dimë se sa u përfol dhe dëmet që sollën ata ndryshime dhe duhet kujtuar se ndryshimet e shtatorit, 2023 nga qeveria e BDI-së u bënë për të shpëtuar Sashi Mijallkovin, Gruevskin dhe Ramiz Merkon. Pra, Ramiz Merko nga 30 padi, mbeti me 9 padi penale sepse një pjesë ju vjetërsuan. Sasho Mijallkovit ju vjetërsuan sepse Enver Bexheti la në sirtarë shumë lëndë… Nuk ka nevojë tani sepse diku në maj ose qershor pritet të kemi një Kod të ri penal dhe unë mendoj që atëherë do të ketë debat publik”, tha Bekim Qoku, koordinator i grupit parlamentar të VLEN-it.
Ndryshimet e propozuara të Kodit Penal që ndodhen në Kuvend, janë një përpjekje për rikthimin e dispozitave të shfuqizuara më shumë se dy vite më parë, me të cilat u lehtësuan ose u shfuqizuan dënimet për personat zyrtar në rastet e keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Po ata ndryshime mundësuan vjetërsimin e shumë lëndëve gjyqësore.
Ligjvënësi, në vitin 2023, nëpërmjet ndryshimeve ligjore, ndërhyri në veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar” Neni 353, në mënyrë të tillë që u fshi një nga tre veprimet e kryerjes së këtij krimi, që është kryerja e krimit duke përfituar nga pozicioni ose autoriteti zyrtar. Me këtë ndërhyrje, aktualisht ekzistojnë vetëm dy veprime të kryerjes në veprën penale të lartpërmendur: nëse “do të ndërmarrë një veprim zyrtar me të cilin do të tejkalojë kufijtë e autoritetit të tij zyrtar ose nuk do të kryejë detyrën e tij zyrtare”.
Sipas propozuesit, tendenca e ndryshimeve dhe plotësimeve ligjore të propozuara tani është të përmirësojë dispozitat mbi personat juridikë dhe të shtrëngojë politikën penale duke rritur dënimet ekzistuese të përcaktuara për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” nga Neni 353, dhe “Bashkim kriminal” nga Neni 394.
Ndryshimet janë kërkesë e pakompromis e Komisionit Evropian si pikë e Agjendës së Reformave.